Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 2 February 2026Main stream

Tarifat e reja në kinemanë “Drita” të AQSHF-së

2 February 2026 at 16:14

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Kryeqytetit i shtohet një vendtakimi i të apasionuarëve pas kinematografisë, të cilët mund të ndjekin shfaqjet e kinemasë “Drita”, pranë Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Shfaqjet do të mund të shihen sipas një sistemi të ri tarifash, i cili do të vendoset për herë të parë për vizitorët dhe publikun.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i AQSHF-së, Eljan Tanini.

“Në kuadër të politikave nxitëse të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, për turizmin kulturor, AQSHF po konsolidohet si një pol i vizitueshëm për studiues, dashamirës të kinemasë, profesionistë të fushës dhe turistë vendas e të huaj”, tha Tanini.

Përmes kinema “Drita”, vizitave të shpjeguara dhe programeve të posaçme, publiku do të ketë mundësinë të zbulojë nga afër trashëgiminë e filmit shqiptar dhe historinë e saj unike. Tarifat e reja dhe oraret e vizitave synojnë ta bëjnë këtë pasuri kulturore më të aksesueshme, duke e kthyer AQSHF-në në një hapësirë aktive dialogu mes arkivit, qytetit dhe publikut.

AQSHF thotë se çmimi i biletave për fëmijë deri në 18 vjeç do të jetë 100 lekë, ndërsa për publikun e rritur 200 lekë. /j.p/

The post Tarifat e reja në kinemanë “Drita” të AQSHF-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Platformë të re online për revistat shkencore

2 February 2026 at 14:27

TIRANË, 2 shkurt/ATSh/ Revistat shkencore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (AShSh) tani gjenden në një platformë të re online.

AShSh njoftoi hapjen e faqes së re online të revistave shkencore, ku revistat janë të aksesueshme në një platformë të unifikuar dhe moderne. Faqja e re synon të rrisë aksesueshmërinë, transparencën dhe ndërkombëtarizimin e botimeve shkencore të akademisë, duke ofruar informacion të plotë mbi revistat, numrat e publikuar dhe thirrjet për artikuj.

AShSh e konsideron këtë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të komunikimit shkencor dhe promovimit të kërkimit akademik shqiptar.

Faqja e re online është e ndërtuar në dy gjuhë: shqip dhe anglisht. Përmes linqeve ajo ofron akses në revistat: “Iliria”, “Albanian Journal of Natural and Technical Sciences”, “Studia Albanica”, “Antropologji”, “Studime Historike”, “Studime Filologjike”, “Candavia”, “Albanian Studies” dhe “Studime për Artin”.

https://journals-akad.gov.al/

/r.e/a.f/

The post Platformë të re online për revistat shkencore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Botërore e Ligatinave

2 February 2026 at 12:15

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Sot është Dita Botërore e Ligatinave.

Ligatinat janë ekosisteme, në të cilat uji është faktori kryesor që kontrollon mjedisin dhe jetën bimore dhe shtazore që lidhet me të. Sipas OKB-së, një përkufizim i gjerë i ligatinave përfshin ekosistemet e ujërave të ëmbla dhe detare dhe bregdetare, siç janë të gjitha liqenet dhe lumenjtë, akuiferët nëntokësorë, kënetat, kullotat e lagështa, tokat me torfe, oazet, grykëderdhjet, deltat dhe fushat e baticës, mangrovët dhe zonat e tjera bregdetare, shkëmbinjtë koralorë dhe të gjitha vendet e krijuara nga njeriu siç janë pellgjet me peshq, fushat e orizit, rezervuarët dhe kriporet.

Këto toka janë kritike për njerëzit dhe natyrën, duke pasur parasysh vlerën e brendshme të këtyre ekosistemeve.

Edhe pse mbulojnë vetëm rreth 6% të sipërfaqes tokësore të Tokës, 40% e të gjitha specieve bimore dhe shtazore jetojnë ose shumohen në ligatina. Biodiversiteti i ligatinave ka rëndësi për shëndetin, furnizimin me ushqim, për turizmin dhe për vendet e punës.

Ligatinat janë jetësore për njerëzit, për ekosistemet e tjera dhe për klimën, duke ofruar shërbime thelbësore të ekosistemit, të tilla si rregullimi i ujit, duke përfshirë kontrollin e përmbytjeve dhe pastrimin e ujit.

Më shumë se një miliard njerëz në të gjithë botën varen nga ligatinat për jetesën e tyre, pak a shumë një në tetë njerëz në planet.

/a.f/r.e/

The post Dita Botërore e Ligatinave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Marigo Pozio në lëvizjen kombëtare dhe shoqërore

2 February 2026 at 10:05

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Marigo Pozio është figura historike që përveç Ismail Qemalit, lidhet më së shumti me ditën e pavarësisë, duke u kujtuar si zonja që qëndisi flamurin kombëtar. Por Pozio ishte gjithashtu një intelektuale dhe patriote.

Marigo Pozio lindi më 2 shkurt 1878 në Hoçisht të Korçës. U arsimua në Mësonjëtoren e Parë dhe te shkolla e motrave Qiriazi. Njëkohësisht u bë mjeshtre e qëndisjes së simboleve kombëtare dhe në shpërndarjen e abetareve dhe librave të parë shqip te vajzat e tjera të Korçës dhe rrethinave.

Gjatë këtyre viteve u martua me tregtarin Jovan Pozio. Për arsye tregtie, familjarisht u vendos në Vlorë në vitin 1904. Këtu filloi veprimtarinë e saj patriotike, duke u angazhuar për përhapjen e arsimit shqip dhe forcimin e vetëdijes kombëtare. Në vitin 1908 u themelua klubi “Labëria”.

Pozio u bë anëtare aktive e tij. Ky klub ishte një shoqatë kulturore dhe një qendër politike dhe intelektuale, që luajti rol vendimtar në përgatitjen e terrenit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Marigo Pozio u shqua gjithashtu si nismëtare e lëvizjes për emancipimin e gruas. Në vitin 1914, themeloi shoqërinë e parë të grave në Vlorë dhe drejtoi gazetën “Shpresa Kombëtare”. Përmes kësaj gazete, ajo pasqyronte aktivitetet e shoqërisë, botonte artikuj edukativë dhe bënte thirrje për angazhimin e grave në jetën publike, duke mbrojtur të drejtat e tyre.

Gjatë viteve të vështira të luftës, Marigo Pozio udhëhoqi misione humanitare në ndihmë të luftëtarëve dhe refugjatëve, duke u bërë shembull i patriotizmit dhe humanizmit shqiptar.

U nda nga jeta në Tiranë, më 23 shkurt 1932.

/a.f/r.e/

The post Marigo Pozio në lëvizjen kombëtare dhe shoqërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sulejman Pitarka, mjeshtri i skenës dhe ekranit shqiptar

2 February 2026 at 10:01

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Më 2 shkurt 1924 lindi në Dibër aktori i mirënjohur i skenës dhe i ekranit, Sulejman Pitarka.

Përvojat e para skenike të Pitarkës ishin sporadike. Gjatë shërbimit ushtarak në vitet 1945-1947, u përfshi në lëvizjen amatore të Durrësit, qytet ku familja e tij ishte shpërngulur qëkurse Sulejmani ishte në moshën 3-vjeçare. Pas mbarimit të shkollës së mesme, filloi punë në bankë. Bëhet pjesë e Teatrit Popullor në vitin 1951 dhe spikat menjëherë me rolin e tij në komedinë “Prefekti” dhe dramën “Halili dhe Hajrija”.

Ai ka luajtur me sukses 70 role në teatër dhe 20 të tjerë në kinematografi. Ka hyrë në historinë e dramës shqipe si autor i dramës “Familja e peshkatarit”.

Midis viteve ’50-’60, interpretoi në tri vepra të Shekspirit: “Otello”, “Gratë gazmore të Uindsorit” dhe “Hamleti”. Pitarka pati sukses dhe në rolet në veprat e dramaturgjisë shqiptare si: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Karavidhet”, “Zonja nga qyteti” etj. Roli i tij i fundit në teatër ishte në dramën “Pjata e drunjtë”, në vitin 2005, një shfaqje mjaft e njohur dhe e dashur për publikun.

Sulejman Pitarka mbahet mend në petkun e Zheleznovit në filmin “Ballë për ballë” (1979), të Xha Avdiut te “Gjeneral gramafoni” (1978), të Xha Lipes te “Pas gjurmëve” (1978) dhe të gjeneralit te “Gunat përmbi tela” (1977), ku u vlerësua nga kritika për portretizimin origjinal të personazheve.

Për meritat e tij artistike, Pitarkës i janë akorduar titujt e lartë “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh”.

U nda nga jeta më 24 mars 2007.

/a.f/r.e/

The post Sulejman Pitarka, mjeshtri i skenës dhe ekranit shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Vendimet e Kongresit të Lushnjës për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë

31 January 2026 at 08:05

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Kongresi i Lushnjës, një nga më të rëndësishmit në historinë e kombit shqiptar, i mbylli punimet më 31 janar të vitit 1920.

Qëllimi i mbajtjes së këtij kongresi ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij. Në të morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar. Kongresi i Lushnjës mori vendime të rëndësishme politike: ai hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913.

Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Ai zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit. U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar. Kongresi i Lushnjës me shumicë votash rrëzoi Qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina.

/j.p/r.e/

The post Vendimet e Kongresit të Lushnjës për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Redaksia qendrore miraton fjalësin përfundimtar të “Enciklopedisë shqiptare”

30 January 2026 at 12:55

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Në Akademinë e Shkencave është miratuar fjalësi përfundimtar i projektit “Enciklopedia shqiptare”.

Me këtë miratim u përmbyll procesi i hartimit të fjalësit të “Enciklopedisë shqiptare”, për të kaluar në fazën e përcaktimit të madhësisë së artikujve e të autoreve deri në fund të marsit e pas kësaj fillon shkrimi i artikujve. Gjatë kësaj kohe, do të evidentohen dublimet në fjalës dhe do të sistemohet alfabetikisht e tërë lënda.

Miratimi u bë në mbledhjen e përbashkët, në Tiranë, mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).

Kryetarët e akademive, Skënder Gjinushi dhe Mehmet Kraja, falënderuan redaktoret e redaksive Tiranë-Prishtinë për bashkëpunimin, përgatitjen e takimit, dhe përgatitjen e materialeve përcjellëse.

Në takim ishin të pranishëm akad. Shaban Sinani, akad. Marenglen Verli, akad. Dhimitër Haxhimihali, akad. Sabri Hamiti, akad. Fejzulla Krasniqi, akad. Jusuf Bajraktari, prof. dr. Ajula Jubani, prof. dr. Valbona Toska, drejtori i Qendrës së Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike, Andreas Dushi dhe koordinatoret Drisela Diamanti e Enkelejda Misha.

Akad. Skënder Gjinushi u shpreh se materiali ishte përgatitur në zbatim të detyrave e rekomandimeve të përcaktuara nga redaksia qendrore në dy mbledhjet e mëparshme për paraqitjen dhe shqyrtimi e fjalësve përfundimtarë.

The post Redaksia qendrore miraton fjalësin përfundimtar të “Enciklopedisë shqiptare” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Akile Tasi, intelektuali i shquar që vdiq në burgun e regjimit komunist

30 January 2026 at 11:47

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot intelektualin dhe ministrin e shtetit shqiptar, Akile Tasi (1891-30 janar 1961).

Tasi lindi më 1891 në Leusë të Përmetit. Arsimin e mori në vendlindje dhe e përfundoi në Boston të SHBA, ku bashkëpunoi me Fan Nolin dhe Faik Konicën në federatën “Vatra”. Emri i tij lidhet edhe me gazetën “Dielli”.

Akile Tasi u kthye në Shqipëri më 1929. Për disa vite organizoi bibliotekën e Oborrit Mbretëror. Më 1932 u emërua drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe e drejtoi këtë institucion deri në vitin 1941.

U zgjodh deputet në Kuvendin Kombëtar në vitin 1943 dhe u caktua drejtues i gazetës “Bashkimit i Kombit”. Më 1944 u emërua Ministër i Kulturës Popullore.

Nuk pranoi të largohej nga Shqipëria. Në dhjetor 1944 u arrestua nga partizanët dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie nga famëkeqi Gjyqi Special. Dënimin e vuajti në kampin e Maliqit, Vloçishtit, Bedenit, si dhe në burgun e Burrelit.

Teksa vuante nga një gjendje e rëndë shëndetësore, atij iu refuzua çdo lutje me shkrim drejtuar autoriteteve. Ndërroi jetë më 30 janar 1961 në burgun e Tiranës. /j.p/

The post Akile Tasi, intelektuali i shquar që vdiq në burgun e regjimit komunist appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kishës Ortodokse i rikthehen 10 ikona të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë”

30 January 2026 at 10:53

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, priti kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joanin.

“Falë një operacioni të suksesshëm të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, u bë i mundur shpëtimi nga trafikimi i pasurive me vlera kulturore kombëtare”, tha ministri gjatë takimit duke shpjeguar më tej se, ekspertët identifikuan 10 ikona të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë” në Labovën e Kryqit, të cilat po i rikthehen Kishës Ortodokse pas 14 vitesh mungesë.

Ministri Gonxhja theksoi se, kthimi i këtyre pasurive kulturore është shembull domethënës që dëshmon se sa jetik është regjistrimi i pasurive kulturore si mjeti i vetëm dhe i besueshëm për identifikimin e origjinës së tyre, në rastet kur ato rrezikojnë të trafikohen apo humbasin.

“Ky rikthim nuk është vetëm një akt ligjor, por një akt drejtësie historike dhe shpirtërore”, tha Gonxhja.

Ministri siguroi se do të vijojë bashkëpunimi me Policinë e Shtetit, me kryepeshkopin Joan dhe të gjitha komunitetet e tjera fetare, me qëllim gjetjen dhe rikthimin e objekteve të tjera të deklaruara të humbura, në një angazhim të pa kompromis për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Kryepeshkopit Joan falënderoi të gjithë ata njerëz që i gjetën dhe i mblodhën 10 ikona shumë të bukura dhe shumë të rëndësishme për historinë tonë. Ai shprehu mirënjohjen ndaj ministrit, i cili pati angazhimin dhe dëshirën për t’ia kthyer përsëri Kishës Ortodokse, këto ikona.

“Ne jemi të gjithë të angazhuar për ta mbrojtur këtë kulturë e këtë identitet dhe kjo është një nga pasaportat tona edhe për identitetin tonë evropian, e të kulturës evropiane”, tha kryepeshkopi Joan. /j.p/

 

1 nga 4

The post Kishës Ortodokse i rikthehen 10 ikona të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Tish Daija i dha muzikës sonë dinjitet dhe përmasë ndërkombëtare

30 January 2026 at 10:12

 

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, kujtoi në 100-vjetorin e lindjes kompozitorin Tish Daija duke e cilësuar si një nga figurat më themelore të kulturës dhe muzikës shqiptare.

“Tish Daija ishte kompozitor, akademik, pedagog dhe krijues vizionar, që vendosi gurë themeli në artin skenik e simfonik kombëtar”, shkroi ministri Blendi Gonxhja.

Me një krijimtari të jashtëzakonshme, nga baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, te operat, operetat, veprat simfonike, muzika e filmit dhe muzika e lehtë, Tish Daija ndërtoi ura mes folklorit burimor dhe shprehjes bashkëkohore, duke i dhënë muzikës sonë identitet, dinjitet dhe një përmasë ndërkombëtare.

Tish Daija ka qenë edhe drejtues i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe pedagog formues i brezave të tërë artistësh, duke mbetur pishtar i trashëgimisë dhe i shijes artistike shqiptare.

“Në këtë përvjetor jubilar, përulemi me mirënjohje përpara veprës së tij madhore, që vijon të frymëzojë, të edukoje dhe të përfaqësojë Shqipërinë me dinjitet në skenat e botës”, u shpreh kreu i MTKS-së. /j.p/

The post Gonxhja: Tish Daija i dha muzikës sonë dinjitet dhe përmasë ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tish Daija, mjeshtri i madh i muzikës shqiptare

30 January 2026 at 08:19

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Më 30 janar të vititi 1926 lindi Tish Daija (1926-2003), kompozitor, Artist i Popullit, akademik, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Tish Daija lindi në Shkodër. Afrimi i tij me muzikën nisi në vitet e fëmijërisë: 6 vjeç këndonte në korin françeskan, më pas ishte anëtar i orkestrës frymore të Prenk Jakovës. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua për kompozicion në Konservatorin “P. I. Çajkovski” (Moskë, 1951–1956). Punoi në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës dhe si udhëheqës artistik i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore (1962–1980).

Fillimet kompozicionale i pati me disa këngë me stil popullor (“Çike, o mori çike”, “Me lule t’bukra” etj.) të cilat ndikoheshin nga muzika qytetare shkodrane. Në gjysmën e dytë të viteve ’50 krijimtaria e tij njohu zhvillime të mirëfillta profesioniste me vepra instrumentale dhe orkestrale, si Kuarteti i parë i harqeve (1955) dhe Suita orkestrale “Një ditë pikniku” (1955). Me operetën “Lejlaja” (1957) dhe operën “Pranvera” (1960) renditet mes krijuesve të parë të këtyre gjinive skenike; me baletin “Halili dhe Hajrija” (1962) u bë krijuesi i baletit të parë shqiptar.

Tish Daija kompozoi gati në të gjitha format e gjinitë muzikore, madje edhe muzikë filmi. Si një ndër përfaqësuesit më origjinalë të këngës shqiptare, Tish Daija shfaqi prirje të vërteta emancipuese për kohën me këngët “Erë pranverore”, “Natën vonë” etj.

Së bashku me Çesk Zadenë krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës.

/j.p/r.e/

The post Tish Daija, mjeshtri i madh i muzikës shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Diskutime mbi rijetësimin e aktivitetit kinematografik në Kuçovë

29 January 2026 at 15:14

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, së bashku me kryetarin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji, pritën në një takim të veçantë, kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari.

Ministri bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi rijetësimin e aktivitetit kinematografik në Kuçovë dhe mënyrat se si mund të pasurohet jeta kulturore e qytetit.

“Projekte interesante u paraqitën edhe për muzeun e ri të qytetit, një hapësirë që do të kontribuojë në rritjen e turizmit dhe do të sjellë më shumë vizitorë vit pas viti”, u shpreh ministri Gonxhja.

Ky takim vjen pas vendimit se MTKS do të investojë rreth 1.4 milion euro për rijetësimin e kinemave në vend, gjatë vitit 2026.

Synimi është të rikthehet magjia e filmit tek publiku anekënd vendit. Pritet që, 7 salla kinemaje të përfitojnë nga modernizimi i teknologjisë dhe ambienteve, duke krijuar një hapësirë më tërheqëse dhe komode për të gjithë shikuesit që duan të shijojnë artin e filmit.

/j.p/

The post Diskutime mbi rijetësimin e aktivitetit kinematografik në Kuçovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkolla e vizatimit, institucioni i parë i artit në Shqipëri

29 January 2026 at 10:59

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Më 29 janar 1932 u çel e para shkollë arti në Shqipëri, Shkolla e Vizatimit.

Shkolla e Vizatimit, e çelur në Tiranë, ishte institucioni i parë i artit në Shqipëri, themeluar nga Andrea Kushi, Odhise Paskali dhe Abdurrahim Buza. Ajo synonte edukimin e talenteve të reja me realizëm dhe hodhi bazat e arteve figurative kombëtare, duke u bërë qendër e rëndësishme e realizmit kritik deri në mbylljen e saj më 1939. 

Në atë shkollë të mesme artistike me program të plotë arsimor të kulturës së përgjithshme dhe asaj profesionale, jepnin mësim Odhise Paskali, Andrea Kushi, Abdurrahim Buza dhe Mario Ridola. Ky i fundit, me urdhër të Drejtorisë Teknike Italiane, krijuar enkas pranë Ministrisë së Arsimit, qe emëruar drejtor i shkollës.

Pak kohë më vonë, me urdhër të ministrit të Arsimit Mirash Ivanaj, ai u zëvendësua nga Odhise Paskali. Shkolla e vizatimit kurorëzoi përpjekjet dhe aspiratat e forcave përparimtare për të vënë themelet e edukimit të talenteve të reja, mbi baza profesionale, kombëtare. Në këtë shkollë morën mësimet e para mjeshtrit e shquar të pikturës dhe skulpturës si: Ibrahim Kodra, Sadik Kaceli, Foto Stamo, Shefqet Agalliu, Filip Makoçi etj., që vijuan me sukses studimet më tej, në akademitë e Romës, Parisit, Athinës.

Programet mësimore dhe metodat e mësimdhënies të lëndëve profesionale ishin sipas modeleve të shkollave perëndimore, mbi bazën e studimit realist nga natyra, me kërkesa akademike, por ku ndjehej toleranca dhe shfrytëzimi i kulturës evropiane, futja e elementëve bashkëkohorë. Shkolla e Vizatimit u mbyll në vitin 1939. /j.p/

The post Shkolla e vizatimit, institucioni i parë i artit në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pikturat që u frymëzuan nga letërsia e Ismail Kadaresë

29 January 2026 at 09:45

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) u prezantua mbrëmë albumi “100 imazhe – Vepra e Kadaresë në Artet Figurative”.

Albumi u prezantua në 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit dhe dokumenton ndikimin e veprës letrare të Ismail Kadaresë në artin pamor shqiptar nga periudha e pasluftës deri në vitin 2025.

Aktiviteti bëri bashkë letërsinë, pikturën dhe reflektimin kulturor në një dialog të përbashkët. Albumi me parathënie nga prof. asoc. dr. Ermir Nika dhe me kurator prof. asoc. dr. Abaz Hado, dokumenton në mënyrë studimore ndikimin e veprës letrare të Ismail Kadaresë në artin pamor shqiptar, duke sjellë pikturat që u frymëzuan nga romanet e tij.

Ky është albumi i dytë në kuadër të projektit “Kadare në Artet Figurative”, pas botimit “100 Portrete”, të cilin UET Press e solli vitin e kaluar me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit të shquar.

Letërsia  e Kadaresë u shndërrua në një formë të heshtur rezistence gjatë komunizmit dhe në një burim frymëzimi në dekadat pasuese. /j.p/

“100 imazhe – Vepra e Kadaresë në Artet Figurative” në COD, foto: Andrin Hoxha
1 nga 14

The post Pikturat që u frymëzuan nga letërsia e Ismail Kadaresë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shtatore bronzi në përkujtim të Ismail Kadaresë

28 January 2026 at 15:45

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Në ditën e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, në kafenenë e preferuar të tij, pranë parkut të Liqenit të Tiranës, është vendosur një statujë bronzi.

Vendosja e kësaj skulpture përkujtimore ka qenë një nismë e miqve më të afërt të shkrimtarit.

E pranishme ka qenë edhe bashkëshortja e tij, Helena Kadare e cila u shpreh për mediet se, kjo ditë ka një domethënie të veçantë për të.

“Kjo shtatore e mrekullueshme, në ditëlindjen e Ismailit, ishte një ndjenjë që të mbushte zemrën”, tha Helena Kadare, e cila kujton me mall se si Ismaili vinte çdo ditë në këtë vend, së bashku me botuesin e tij, për shëtitje dhe kafe.

Shtatorja është vepër e skulptorit Henri Mimani, i cili është kujdesur që figura e shkrimtarit të njohur të ishte sa më njerëzore. /j.p/

The post Shtatore bronzi në përkujtim të Ismail Kadaresë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“L’elisir d’amore” rikthehet në Teatrin e Operas pas 14 vjetësh

28 January 2026 at 15:25

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit po përgatitet të vërë në skenë një nga operat më të famshme të Gaetano Donizetti-t, “L’elisir d’amore”.

Kjo opera lirike, e karakterizuar nga komiciteti dhe romantizmi, vjen në datat 11, 12, 13 dhe 14 shkurt. Ngjarjet zhvillohen në një fshat piktoresk bregdetar, ku shpaloset historia e Nemorinos, djaloshi naiv dhe i ndrojtur, i cili beson se një elikzir magjik do ta ndihmojë të fitojë zemrën e Adinës. Muzika e Donizetti-t e  shndërron elikzirin në simbol të shpresës dhe dëshirës njerëzore për t’u ndjerë i zgjedhur dhe i dashur.

“L’elisir d’amore” bashkon në skenë emra të spikatur të skenës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare, duke sjellë një larmi zërash dhe temperamentesh artistike, të ndarë në dy kaste.

TKOBAP bëri të ditur se, në këtë opera do të jenë edhe emra që janë bërë të njohur ndërkombëtarisht si Enkeleda Kamani dhe Gëzim Myshketa, të cilët i japin këtij produksioni një dimension të gjerë artistik dhe profesional.

Enkeleda Kamani dhe Nina Muho do t’i japin jetë Adinës me finesë vokale dhe ndjeshmëri skenike, duke nxjerrë në pah karakterin e saj të lirë dhe lozonjar. Në rolin e Nemorinos do të jenë Galeano Salas dhe Matteo Mezzaro me emocionin, butësinë dhe sinqeritetin e djaloshit naiv e të dashuruar.

Davide Luciano dhe Artur Vera interpretojnë rolin e Belcores me autoritet dhe prani të fuqishme skenike. Rolin plot ngjyra të Doktor Dulcamarës e mishërojnë Gëzim Myshketa dhe Matteo D’Apolito, me energji, karizëm dhe një sens të mprehtë komik që gjallëron çdo skenë. Ndërsa Ana Tafani dhe Greis Shametaj sjellin Gianettën me freskinë, hijeshinë dhe elegancën që e përfaqëson personazhin e saj, duke plotësuar kështu mozaikun e kësaj komedie lirike e plot jetë.

“L’elisir d’amore” rikthehet në skenën e TKOBAP pas 14 vitesh, me regjinë e Riccardo Canessa-s, dhe skenografi e kostume nga Alfredo Troisi. /j.p/

The post “L’elisir d’amore” rikthehet në Teatrin e Operas pas 14 vjetësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Light in the deep”, qeniet njerëzore mes dritës e hijes në veprat e Blerta Xhomos

28 January 2026 at 15:13

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Blerta Xhomo me ekspozitën e saj “Light in the deep” sjell këtë fund janari në Galerinë FAB, një udhëtim “në brendësinë e njeriut” që kujton Danten, por të shprehur në mënyrë piktorike përmes një gjuhe që bashkon traditën e madhe të ekspresionizmit evropian me dramën e kompozimit barok.

Në ekspozitën “Light in the deep” (“Dritë në Thellësi”), Blerta Xhomo eksploron dualizmin në zemër të ekzistencës, të pazgjidhshëm të qenieve njerëzore midis dritës dhe hijes, të mirës dhe së keqes, materies dhe shpirtit, si dimensione kundërshtuese, por njëkohësisht thelbësore për arritjen e një ekuilibri më të lartë.

Teksti kuratorial i ekspozitës thotë se, qëllimi i këtij projekti, i përbërë nga një seri veprash të krijuara posaçërisht nga artistja, është të ofrojë një reflektim mbi kompleksitetin dhe kontradiktat e natyrës njerëzore, e cila mbetet vazhdimisht e ndarë mes dritës dhe hijes që e shoqërojnë në udhëtimin e saj, duke e bërë atë të pasigurt, të vështirë dhe të mbushur me rënie e fillime të reja.

Në disa vepra, dallohet edhe ndikimi futurist përmes vijave të fuqishme, që përcjellin ndjesinë e shpejtësisë dhe lëvizjes, të një energjie të brendshme që rrezaton nga figura drejt hapësirës përreth.

 

 

The post “Light in the deep”, qeniet njerëzore mes dritës e hijes në veprat e Blerta Xhomos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së të Dhënave Personale

28 January 2026 at 13:18

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Në vitin 2006, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës vendosi ta caktojë 28 janarin si Ditën e Mbrojtjes së të Dhënave. Kjo ditë tani festohet në të gjithë botën, nën emrin “Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së të Dhënave Personale” ose “Dita e Privatësisë”.

Kjo ditë shërben për të rritur ndërgjegjësimin mbi nevojën për të respektuar dhe mbrojtur privatësinë e individit dhe duke theksuar rolin e Konventës 108 për fluksin ndërkufitar të të dhënave në botë.

Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale këtë vit ndodh në një moment kyç, pasi përparimet dhe inovacionet teknologjike kryqëzohen me mundësi të dobishme dhe sfida të reja nga perspektiva e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Autoritetet mbikëqyrëse të mbrojtjes së të dhënave dhe autoritetet e tjera kompetente rrisin përpjekjet e tyre si pasojë e zhvillimeve të reja teknologjike në fusha të tilla si Inteligjenca Artificiale dhe neuroshkenca për të përforcuar mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtën e privatësisë.

Gjatë 45 viteve të fundit, Konventa 108 ka kontribuar në zhvillimin e privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë. Versioni i saj i modernizuar (i njohur si Konventa 108+) adreson sfidat gjithnjë e në rritje të botës digjitale për të ndërtuar një hapësirë ​​për transferimin e lirë të të dhënave, duke siguruar njëkohësisht dinjitetin njerëzor.

Në këtë 20-vjetor të Mbrojtjes së të Dhënave, Këshilli i Evropës (KiE) planifikon aktivitete online, ku autoritetet pjesëmarrëse do të kenë mundësinë të ndajnë iniciativat e dedikuara për këtë rast.

Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (NCPDP) do të organizojë, në kontekstin e marrjes së presidencës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga Republika e Moldavisë, një konferencë kombëtare me titull “Zbatimi i kuadrit ligjor mbi mbrojtjen e të dhënave: sfidat, përfitimet, qëndrueshmëria”, në të cilën Sekretariati është gjithashtu i ftuar të kontribuojë. /j.p/

The post Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së të Dhënave Personale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohet gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare në 90-vjetorin e lindjes

28 January 2026 at 09:36

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Shkrimtari ynë i shquar, Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës.

Në këtë 90-vjetor, ministri Blendi Gonxhja, duke e cilësuar si një kolos të letrave shqipe, shprehet se, gjeniu Kadare, la pas një testament të përjetshëm, një vlerë të paçmuar, shenjues të identitetit tonë kombëtar.

“Përulemi plot nderim përpara madhështisë së një prej shkrimtarëve më të shquar të letërsisë shqiptare. I paharruar”, shprehet ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.

Ismai Kadare ishte shkrimtari shqiptar më i shquar brenda e jashtë kufijve të vendit. Me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” (1963), pena Kadaresë i kapërceu kufijtë e atdheut, megjithë izolimin komunist.

Karriera e Kadaresë shënoi kulme të tjera me “Kështjella”, botuar në vitin 1970, “Krushqit janë të ngrirë”, i cili flet mbi demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovës, “Kronikë në gur” (1970),  “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (1981), i cili veçohet si më i lakuari në tërësinë e veprës së Kadaresë. Në vjeshtën e vitit 1990, Kadare u largua drejt Francës dhe u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike.

Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar u bë anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Në tetor 2023 presidenti francez Emmanuel Macron, në Tiranë, e ngriti në gradën e Oficerit të Lartë, në Urdhrin e Legjionit të Nderit.

Ai u vlerësua me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj.), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera.

Veprat e tij janë përkthyer në 45 gjuhë të botës. /j.p/

 

The post Përkujtohet gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare në 90-vjetorin e lindjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konkurs Kombëtar i Pikturës për fëmijët 6-15 vjeç

27 January 2026 at 15:46

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë fton fëmijët e talentuar në pikturë të marrin pjesë në edicionin e dytë të Konkursit Mbarëkombëtar të Pikturës për Fëmijë “Unë jam NGJYRA”.

Përveç çdo fëmije nga Shqipëria, në konkurs mund të bëhen pjesëmarrës edhe fëmijët e talentuar nga të gjitha trevat shqipfolëse.

Tema e edicionit të 2026-ës është “Zogjtë” dhe koha e pranimit të aplikimeve është deri më 13 prill 2026. Fëmijët pjesëmarrës në konkurs do të ndahen në tre kategori: 6-9 vjeç, 10-12 vjeç, 13-15 vjeç

Punimi i artistëve të vegjël do të duhet të dërgohet fizikisht ose me postë, te Teatri i Kukullave dhe mund të jetë punuar me teknikat: akrelik, akuarel, ngjyra druri, lapustila, pastel, grafikë, teknika mikse, etj, në formatin A3, letër kartoni.

Pas mbledhjes së punëve, një juri e jashtme profesionistësh do të përzgjedhë punimet më të mira nga secila kategori. Vetëm konkurrentët finalistë nga secila kategori do të njoftohen për të marrë pjesë në ekspozitën që do të organizohet me këtë rast në Tiranë.

Për secilën kategori moshe do të ketë nga 3 çmime të para. /j.p/

The post Konkurs Kombëtar i Pikturës për fëmijët 6-15 vjeç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌