Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 January 2026Main stream

Raporti i IPK-së shfaq mangësi të trajtimit të dhunës në familje në disa stacione policore

24 January 2026 at 23:56


Policia e Kosovës vazhdon të mos i trajtojë siç duhet rastet e dhunës në familje. Një raport i IPK-së, ka vë në pah shumë mangësi që bëjnë zyrtarët policor në trajtim të këtyre rasteve. Mosvlerësim i rrezikut për viktimat, mungesa e funksionimit të zinxhirit komandues janë disa nga gjetjet

Gjashtë rekomandime për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, nga Inspektorati Policor janë drejtuar për disa nga stacionet policore në 8 komuna të Kosovës.

Ky raport vë në pah se edhe më tutje nuk ka funksionalizim të ekipeve për të trajtuar rastet e dhunës në familje, e duke treguar edhe mangësi të tjera, mos vlerësim i duhur i rrezikut për viktimën.

“Komunikimi me Prokurorin e Shtetit po vazhdon të preferohet përmes telefoni. Kjo mënyrë e raportimit nuk duhet të përjashtojë raportimin me shkrim, i cili ka filluar të praktikohet kohëve të fundit. Janë hasur dosje që nuk kanë raport njoftues lidhur me dyshimin e arsyeshëm se është kryer vepra penale…Vlerësimi i rrezikut për viktimat nuk është realizuar në të gjitha rastet, në disa prej tyre po ashtu nuk është kryer sipas formës standarde të paraparë, që përmban indikatorë mbi të cilët kryhet vlerësimi.”– Raporti i Inspektoratit Policor të Kosovës

Madje në stacionin policor në Leposaviq që është njëra ndër stacionet e inspektuara, sipas raportit nuk ka asnjë zyrtar të trajnuar për të trajtuar rastet e dhunës në familje. Këtu përmendet edhe se në një sërë dosjesh mungon kriteri i aprovimit të zinxhirit komandues e mungesa e “dhomave mike” për intervistimin e viktimave.

“Jugu (Prishtinë), Drenasi, Leposaviqi, Zubin Potoku, Parteshi, Ranillugu e Kamenica kanë “dhoma mike”, hapësira këto që do ofrojnë ambient të përshtatshëm për këtë kategori të ndjeshme të viktimave të rasteve të dhunës në familje. Veriu (Prishtinë) nuk ka “dhomë mike”, kurse Mamusha ka ndarë këtë hapsirë, por nuk e ka funksionalizuar për shkak të mungesës së orendive dhe përshtatjes së ambientit.”-Raporti i Inspektoratit Policor të Kosovës

Ky raport i IPK-së që flet për vitin 2024 e gjendja aktuale tashmë është pranuar edhe nga Policia, që thanë se rekomandimet do t’i trajtojnë me prioritet.

“Policia e Kosovës ka pranuar zyrtarisht raportin e inspektimit nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK). Pas pranimit të raportit, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme duke hartuar Planin e Veprimit, në të cilin janë përcaktuar masat konkrete dhe afatet kohore për adresimin dhe zbatimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të IPK-së. Sa i përket organizimit strukturor, Policia e Kosovës, bazuar në strukturën e saj organizative, ka të funksionalizuara njësitë hetimore për hetimin e rasteve të dhunës në familje në stacionet policore. Megjithatë, rekomandimet e IPK-së do të trajtohen me prioritet, me qëllim të forcimit të mëtejmë të kapaciteteve njerëzore dhe rritjes së efikasitetit në trajtimin e këtyre rasteve. Në lidhje me dhomat mike, Policia e Kosovës ndër vite ka ndërmarrë veprime konkrete për funksionalizimin e tyre në stacione policore. Në ato stacione ku aktualisht nuk ka dhoma mike, janë siguruar hapësira të veçanta dhe të përshtatshme për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, deri në funksionalizimin e plotë të dhomave mike. Policia e Kosovës ka si plan të vazhdueshëm funksionalizimin e dhomave mike në të gjitha objektet policore. Vetëm gjatë vitit të kaluar, janë funksionalizuar dhe pajisur me inventar pesë (5) dhoma mike, prej të cilave dy (2) janë pajisur me inventar të ri , ndërsa tri (3) janë funksionalizuar si dhoma mike të reja.”– Policia e Kosovës

Mes tjerash në raport, thuhet se ka rënie të pranisë së mbrojtësve të viktimave e punonjësve të qendrave për punë sociale. Nga Zyra e kryeprokurorit të shtetit janë ankuar se ka numër të vogël të tyre, gjithsej 31.

“Ju njoftojmë se Zyra për Mbrojtjen e Viktimave nuk e ka pranuar zyrtarisht raportin e inspektimit të IPK-së, për rrjedhojë nuk ka qenë pjesë e procesit të inspektimit dhe as e adresimit të gjetjeve dhe rekomandimeve të raportit në fjalë. Sa i përket vërejtjeve lidhur me prezencën e mbrojtësve të viktimave, sqarojmë se kjo situatë lidhet kryesisht me numrin e kufizuar të mbrojtësve të viktimave në nivel vendi (gjithsej 31), në raport me rritjen e vazhdueshme të numrit dhe kompleksitetit të rasteve të trajtuara. Gjatë periudhës janar–dhjetor 2025, Zyra për Mbrojtjen e Viktimave ka trajtuar 3,020 raste, prej të cilave 2,704 raste të dhunës në familje. Gjatë kësaj periudhe, mbrojtësit e viktimave kanë ushtruar përfaqësimin ligjor të viktimave në përputhje me nenin 64 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, duke marrë pjesë në 3,690 seanca gjyqësore dhe 829 seanca në Prokurori. Po ashtu, në nivel vendi janë adresuar në gjykata 1,190 kërkesa për masa mbrojtëse, 93 kërkesa për kompensim të dëmit dhe 173 kërkesa për alimentacion, me një vlerë totale prej 565,660.00 euro.”- Zyra e kryeprokurorit të shtetit

Inspektimi ka përfshirë disa stacione policore në Prishtinë, Drenas, Kamenicë, Partesh, Ranillugë, Mamushë, Leposaviq e Zubin Potok./Tv Dukagjini

- YouTube youtu.be

Të pagjeturit, kërkohet presion ndaj Beogradit për hapjen e arkivave

24 January 2026 at 23:41


Mes mureve të mbushura me fotografi, ku çdo fytyrë flet pa zë, Gjylë Haziri qëndron çdo ditë përballë kujtimeve që nuk plaken kurrë, duke bartur mbi supe dhimbjen e qindra familjeve që ende presin të vërtetën në Mitrovicë. Në këtë hapësirë heshtjeje dhe lutjeje, ajo e ka shndërruar pikëllimin në forcë dhe pritjen në një betejë të pandalur për drejtësi.

Duke folur për KosovaPress, ajo rrëfen se në këtë hapësirë dhimbjeje dhe shprese mban gjallë zërin e prindërve që ende presin një lajm, duke e kthyer pritjen në qëndresë dhe kujtesën në mision.

Prej 1 mijë e 570 personave të zhdukur, prej tyre 104 janë nga Mitrovica.

Ajo tash e 21 vite shërben në Shoqatën “Zëri i Prindërve”, në Mitrovicë, shoqatë kjo e themeluar në vitin 2000.

Ajo thotë se fillimi ishte tejet i vështirë, pasi secili mbante plagën e vet nga lufta, dikush burrin e dikush djalin, e disa dhimbje ishin edhe më të rënda për t’u përballuar.

“Në fillim ka qenë shumë vështirë, deri i kam marrë gjërat, neve na ka sprovuar Zoti të gjithëve njësojë dikush burrin, dikush djalin, secili kemi qenë të prekur po ka pasur raste më të rënda, kur i mendoja disa raste më të rënda, besomë që nuk ka qenë e lehtë të kyçem e të punoj në këtë shoqatë e të rri vetëm me këto fotografi gjithë ditën. E gjithë ditën sikurse bisedon me ata, kjo ka qenë sikurse e bënë një bisedë vetëm me ta por Zoti po të ndihmon, familjarët më kanë përkrahur gjithë, i kam trajtuar të gjithë sikur me i pas anëtarë të familjes, ja kam besuar dhimbjen, i kam ofruar e i kam nderuar edhe i kam ndihmuar se çka është përpjekur prej meje unë i kam ndihmuar në maksimum”, thekson ajo.

Në rrëfimin e saj, ajo kujton Bajram Çerkini si person që nuk ndalonte kurrë, duke kërkuar fakte dhe drejtësi për secilin prej të zhdukurve. Përtej humbjes së tij, ai mbeti një dritë që udhëheq punën e shoqatës dhe mbajtjen gjallë shpresën për familjet e prekura.

“Ai njeri kurrë nuk ka ditë me u lodhë, veç gjithmonë këtë çështje ka menduar me quar përpara, vetëm drejtësi, ka lyp fakte konkrete, ka lyp incizime, ka thënë unë nuk ndalna deri nuk e ka përmend vetëm djalin e vet asnjëherë por gjithmonë në emër të familjarëve 1590 ka qenë e tash janë ra në 1570 të zhdukur, por në Mitrovicë sidomos tash janë 104 të pagjetur ku kanë qenë 307, ku përmes ADN-së, Kryqit të Kuq ndërkombëtarë, shoqatave ndërkombëtare i falënderojë shumë ku përmes tyre përmes komisionit qeveritarë kemi arritur me e zvogëluar numrin deri në 104 për momentin”-potencoi ajo.

Gjylë Haziri thekson se kërkesa e familjarëve mbetet drejtësia, duke theksuar se ata janë viktima dhe se agresori dihet. Sipas saj, kjo çështje nuk duhet të ndalet dhe as të politizohet, por të trajtohet në mënyrë humane dhe njerëzore.

“Na po drejtësi, na jem viktima, agresori kush është e dimë krejt, na duhet tash mos me u ndal, se me u ndal agresori tani çka, na duhet me lypë drejtësi edhe është humane, aman ju bëjë apel çdo kujt që mos të bëhet politike kjo çështje por sa më shumë humane, njerëzore edhe për të mirë e njerëzve se po shkojnë njerëzit pa i gjetur të dashurit e tyre edhe s’ka shkuan dy dekada”- tha ajo

Gjylë Haziri vlerëson se procesi i gjetjes së të pagjeturve do të zgjasë ende, pasi sipas saj shteti serb po refuzon të hapë arkivat, ndonëse i posedon të gjitha të dhënat, përfshirë edhe inçizime satelitore.

Sipas Hazirit, familjarët jetojnë në ankth të përhershëm, pa festa e pa gëzim, sepse për ta nuk ka as Bajram e as Vit të Ri derisa të marrin një lajm për më të dashurit e tyre.

“Periudhë e gjatë ka me shkua deri të gjenden se shteti serb nuk po donë me i tregu arkivat e veta se ata i kanë edhe incizimet satelitore krejt ata me dashtë për një muaj krejt i qesin se ku janë por nuk po donë me i hap arkivat edhe për këtë bëjë apel për këtë fundvit institucionet tona le të bëjnë presion me institucionet ndërkombëtare bashkë trysni mbi Beogradin le t’i hapin arkivat le t’i qesin dosjet le t’i gjejnë varrezat masive ku janë dhe t’i rehatojnë njerëzit njëherë e përgjithmonë e mos të presin me ankth për më të dashurit e tyre se për ta po të kallëzoj drejt se në mesin e tyre edhe unë e ndajë dhimbjen me ta por nuk është sikur une që nuk kam mesin e të pagjeturve e sikur ai që e ka fëmijën, për ta nuk ka as bajram as vit të ri as nuk ka festë as nuk ka asgjë deri te merr një lajm për më të dashurin e ti”- përfundoi Haziri.

Në heshtjen e zyrës dhe mes përpjekjeve të pandërprera, rrëfimi i Gjylës Haziri mbetet një dëshmi e paçmuar e qëndresës dhe përkushtimit. Ajo tregon se dhimbja mund të shndërrohet në forcë, ndërsa shpresa për të gjetur të zhdukurit nuk shuhet, duke lënë pas një trashëgimi të pakapshme për të gjithë ata që presin drejtësi dhe kujdes njerëzor.

Protesta e opozitës, 11 efektivë policie dhe disa protestues të plagosur

24 January 2026 at 23:06


Policia e Shtetit ka reaguar përmes një njoftimi për mediat, pas protestës së organizuar këtë të shtunë nga Partia Demokratike, ku situata u tensionua përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit.

Sipas njoftimit zyrtar, protestuesit kanë përdorur molotovë, lëndë piroteknike dhe sende të forta, duke shkaktuar dëmtime ndaj 11 efektivëve të policisë, të cilët aktualisht po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies.

“Gjatë tubimit të sotëm, të thirrur dhe organizuar nga Partia Demokratike, si pasojë e sulmeve me molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sallës së Kuvendit, janë dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore 11 punonjës policie, të cilët ishin në krye të detyrës për mbarëvajtjen dhe garantimin e protestës.


Ata janë vizituar në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies nga Drejtori Vendor i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, dhe Zëvendës/Drejtori për Rendin, Dashnor Muhaj.”, bëjnë me dije uniformat blu.

Policia thotë se pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme përmes qendrës së zërit që të ndaloheshin aktet e dhunës, turma ka vijuar me përplasjet, çka i ka detyruar ata të ndërhyjnë.

“Megjithë thirrjet e vazhdueshme të Policisë, përmes qendrës së zërit, për të ndalur aktet e dhunës, ato vijuan, çka detyroi ndërhyrjen për shpërndarjen e turmës, sipas parashikimeve ligjore në fuqi. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur menjëherë punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme të protestuesve ndaj punonjësve të rendit. Shërbimet e Policisë vijojnë veprimet përmes analizimit të pamjeve filmike, për identifikimin e personave që kanë sulmuar dhe kryer akte të dhunshme, si dhe për shoqërimin e tyre.“, vijon njoftimi.

Një i mitur mes 23 të shoqëruarve

Ndërkohë, bëhet me dije se deri tani janë shoqëruar 23 persona. Gjatë verifikimeve, njëri prej tyre ka rezultuar i mitur. Policia bën me dije se prindërit e tij janë njoftuar menjëherë dhe i riu nuk është mbajtur në dhomat e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrën e pritjes. Derisa e kanë marrë prindërit.

Deri në këto momente janë shoqëruar 23 persona, dhe gjatë verifikimeve të gjeneratës dhe moshës, njëri prej tyre ka rezultuar i mitur. Menjëherë janë njoftuar prindërit dhe, deri sa është marrë nga prindërit, i mituri nuk ka qenë i shoqëruar në dhomat e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrën e pritjes së qytetarëve, derisa është marrë në dorëzim nga prindërit e tij.”, sqaron policia.


Yesterday — 24 January 2026Main stream

Tensionet në Shqipëri nuk ndalen, protestuesit futen brenda objektit të policisë

24 January 2026 at 22:43


Ndonëse protesta kombëtare e opozitës ka përfunduar, tensionet mesa duket ende jo.

Raportohet se deri më tani janë rreth 23 protestues të shoqëruar dhe për shkak të kësaj, në Komisariatin Nr.1 në kryeqytet ka tensione.

Mbështetësit dhe deputetët e Partisë Demokratike janë futur në komisariat duke kërkuar lirimin e protestuesve.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat “Shqiponja”.


Brenda komisariatit ndodhen deputetët e PD-së Tomorr Alizoti, Besart Xhaferi dhe Bledi Himçi.

Situata raportohet të jetë e tensionuar mes palëve.



Çfarë tregon rinumërimi i votave deri tani?

24 January 2026 at 22:30


Derisa rinumërimi i votave të zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit po vazhdon në gjithë Kosovën dhe tashmë ka arritur në gjysmë të rrugës, dyshimet dhe hetimet për manipulim të votave janë duke u zgjeruar njëherazi edhe në pjesë të tjera të vendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi të shtunën se janë rinumëruar mbi 55 për qind të votave në 2.557 vendvotime në mbarë vendin.

Rinumërimi nisi më 13 janar, fillimisht pjesërisht, pasi komisioni kishte gjetur mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Por, kur mospërputhjet në vota u vërtetuan dhe dyshimet sa vinin e shtoheshin, autoritetet për zbatim të ligjit filluan të ndërmarrin masa.

Të shtunën, prokurorët i kërkuan gjykatës në Prizren të urdhërojë paraburgim për 23 të dyshuar për keqpërdorim të votave, një ditë pasi mbi 100 persona u arrestuan në këtë rajon.

Çfarë solli rinumërimi deri tani?

Nga rinumërimi i votave në mbi gjysmën e vendvotimeve deri tani, rreth 80 mijë vota të kandidatëve kanë rezultuar të pasakta dhe të numëruara gabimisht në Qendrat Komunale të Numërimit, sipas Eugen Cakollit nga organizata joqeveritare, Instituti Demokratik i Kosovës.

“Prej tyre, pas rinumërimit, 47.619 vota u janë hequr kandidatëve (sepse u ishin shtuar gjatë numërimit fillestar), ndërsa 32,018 vota u janë shtuar kandidatëve pas rinumërimit (sepse u ishin hequr në mënyrë të parregullt më herët)”, shkroi Cakolli në Facebook të premten.

Sipas tij, nga rreth 80.000 vota të prekura, afërsisht 40.000 i takojnë kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës (DPK), rreth 15.000 partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV), rreth 11.000 Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe rreth 4.000 Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).Mbi 80 për qind e këtyre votave vijnë vetëm nga komuna e Prizrenit, ndërsa pjesa tjetër nga Malisheva dhe Podujeva (në këtë të fundit janë rinumëruar vetëm 10 për qind të votave), shtoi Cakolli.

Rinumërimi i deritanishëm solli edhe veprime të autoriteteve për zbatimin e ligjit në vend, pasi përveç Prizrenit, ato kanë zgjeruar hetimet edhe në Ferizaj dhe Malishevë.

Në ditët e fundit, prokurorët në Ferizaj dhe Gjakovë autorizuan Policinë të ndërmarrë të gjitha veprime, përfshirë identifikimin e personave përgjegjës, grumbullimin e të dhënave dhe sigurimin e provave në Ferizaj dhe Malishevë, lidhur me dyshimet për manipulim të votave.

Aksioni në Prizren

Autoritetet e kryen një aksion të premten në Prizren, komunën ku dyshohet se kishte më së shumti keqpërdorim të votave, duke i ndaluar 109 të dyshuar.

Marcel Lekaj , zëdhënës i Gjykatës Themelore në Prizren, tha për media të shtunën se prokurorët kanë kërkuar paraburgim për 22 komisionerë dhe një vëzhgues të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Gjykata pritet të vendosë më vonë gjatë ditës, sipas tij.Një ditë më parë, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha të ndaluarit në rajonin jugor të vendit dyshohen për falsifikim të rezultateve zgjedhore, presion dhe kanosje dhe për dhënie e marrje të ryshfetit.

Sipas Kryeziut, një manipulim i tillë i votave nuk ka mundur që të ndodhë pa një kompromis mes komisionerëve të katër partive më të mëdha politike.

"Po flasim për komunën e Prizrenit që janë shtuar hiç më pak se 40.497 vota dhe janë hequr hiç më pak se 27.520 vota. Pra, diferenca totale e keqpërdorimeve është 68.017 vota”, tha Kryeziu.

Reagimet

Teksa shumica e liderëve të partive të mëdha kishin reaguar pak pasi kishin dalë në sipërfaqe dyshimet për keqpërdorim të votave javë më parë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh lider i partisë në pushtet, reagoi tek të shtunën.

Kurti bëri thirrje për hetim gjithëpërfshirës dhe ndëshkim për personat e dyshuar për manipulim të votave brenda partive politike.Kurti – i cili paraprakisht ishte kritikuar për mosreagim – tha të shtunën në Facebook se “komisionerë e individë, që në mënyrë klandestine, janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti”.

Më herët, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e kishte përshkruar rinumërimin si “hap të domosdoshëm dhe të drejtë” për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.

Udhëheqësit e LDK-së dhe AAK-së, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, kishin kërkuar më herët gjithashtu rinumërim të plotë, duke theksuar se vetëm ashtu mund të garantohej legjitimiteti i rezultateve.

Ndërkohë, edhe shumica e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit, e kanë mohuar të kenë pasur gisht në keqpërdorim dhe kanë thënë se e dënojnë këtë dukuri.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba./Radio Evropa e Lirë/

Denoncimi i PD-së: Një fëmijë 10-vjeçar është arrestuar nga policia, ndodhet në gjendje shoku

24 January 2026 at 22:08


Deputeti i PD-së, Bardh Spahia, ka denoncuar se një fëmijë 10-vjeç është arrestuar nga policia dhe ndodhet në Komisariatin nr. 1. Në një komunikim për mediat nga jashtë ambienteve të Komisariatit Nr. 1, Spahia u shpreh se deri tani ka raportime se janë shoqëruar 23 protestues. Spahia deklaroi se fëmijës i është bërë presion dhe se ai ndodhet në gjendje shoku.

“Ky është një fëmijë 10-vjeç që gjendet i arrestuar në Komisariatin nr. 1 të Tiranës. Është arrestuar pa praninë e psikologut. Është dhunuar dhe i është bërë presion i jashtëzakonshëm, është në shok të vërtetë psikologjik. Përveç atyre dhjetëra qytetarëve që janë ndaluar, është edhe ky fëmijë 10-vjeçar. Është një 10-vjeçar i shoqëruar nga Policia në gjendje shoku psikologjik. Romeo Kore është fëmija. I njoftojmë prindërit që, nëse janë të shqetësuar, ta dinë që është në Komisariatin nr. 1”, tha Spahia.

Po ashtu një reagim ka ardhur dhe nga Sekretarit të Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka

“Me urdhër të narkokryeministrit Edi Rama, vegla e bandave kriminale e vendosur në krye të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka dhënë urdhër të hapur për dhunë, terror dhe arrestime arbitrare ndaj qytetarëve të pafajshëm shqiptarë. Policia e Shtetit ka konsumuar një akt të rëndë dhe të paprecedentë, duke ushtruar dhunë brutale ndaj qytetarëve të lirë, përfshirë perfshire vete efektive policie, gra edhe një fëmijë 10-vjeçar. Akte te tilla sot per sot ndodhin vetem Iran, ne regjimin qe po jep shpirt. Ky është fytyra e vërtetë e një regjimi që nuk qeveris, por sundon; që nuk zbaton ligjin, por e përdor policinë si shkop gome kundër popullit. Këto janë metoda tipike të regjimeve autoritare dhe kriminale që, kur ndihen të rrezikuara, godasin qytetarët dhe frikësojnë shoqërinë. Por populli opozitar nuk trembet, nuk nënshtrohet dhe nuk hesht. Do të na kenë përballë çdo ditë, në çdo rrugë institucionale e demokratike, deri në çrrënjosjen e këtij regjimi kriminal. Ashtu si shefi i tij, Edi Rama, edhe Ilir Proda e ka rreze qafes largimin nga detyra dhe shkuarjen ne burg”, thotë Flamur Noka.


KFOR kryen patrullime në disa komuna të Kosovës për forcimin e sigurisë

24 January 2026 at 22:00


Misioni i KFOR-it ka njoftuar se ushtarë multinacionalë nga Komanda Rajonale – Perëndimi kanë realizuar patrullime në disa komuna të Kosovës perëndimore, në kuadër të aktiviteteve të rregullta për ruajtjen e sigurisë.

Sipas njoftimit zyrtar, patrullimet janë zhvilluar si me mjete motorike ashtu edhe këmbësore, me qëllim të ruajtjes së një pranie të dukshme dhe fleksibile në terren, si dhe për të marrë informacione të drejtpërdrejta mbi zhvillimet aktuale.

KFOR ka theksuar se aktivitete të tilla kontribuojnë në forcimin e koordinimit dhe ndërveprimit ndërmjet njësive multinacionale, duke mbështetur stabilitetin dhe sigurinë në përputhje me mandatin e misionit.

Në njoftim rikujtohet se KFOR vazhdon zbatimin e mandatit të tij, për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Po ashtu, KFOR ka bërë të ditur se vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në kuadër të roleve të tyre përkatëse si reagues të sigurisë./Telegrafi/


Pa Kuvend, pa ligje - BE paralajmëron Kosovën se afatet për 900 milionët po kalojnë

24 January 2026 at 22:00


Vetëm vitin e kaluar ishin paraparë 33 reforma, si kusht për të përfituar fonde nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, por në pritje të ratifikimit e pa Kuvend, Kosova shkeli dhjetëra afate duke e vonuar vetën. Përkundër kësaj, për një pjesë ekziston një afat shtesë, ndërsa BE-ja i tha Dukagjinit se Kosova është ende e kualifikuar për të përfituar deri në 882 milionë euro.

Plot 33 kushte të vendosura për Kosovën për të përfituar nga pagesat nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor i Bashkimit Evropian kanë pasur afat për përmbushje fundin e qershorit ose dhjetorit të vitit të kaluar.

Një pjesë e madhe e tyre janë ligje që do të duhej të miratoheshin dhe të hynin në fuqi, por që në mungesë të një Kuvendi funksional kanë mbetur pezull, duke rrezikuar hise nga fondet e parapara për Kosovën.

Prej ligjeve që do të duhej miratuar para nisjes së këtij viti, janë: Kodi Civil; Ligji për institucionet mikro-financiare dhe ato jo-bankare; ai për bankrotimin; tërësia e ligjeve për barrën administrative; pakoja e ligjeve për energjinë e po ashtu ligji për Rregullatorit për Energji, e të tjerë.

Tek të gjithë synimi është harmonizimi me legjislacionin e BE-së.

Por, disa prej kushteve që nuk janë të lidhura me Kuvendin janë përmbushur, sikur: ri-anëtarësimi i plotë në asociacionin evropian për cilësi në arsim ENQA, vendosja e regjimit të vizave për shtete ndaj të cilave BE-ja e aplikon atë – së paku një çdo vit e të tjerë.

Përkundër kësaj, ende ka shpresë për kapjen e disa prej afateve rezervë, pasi Plani i Rritjes parasheh një “greis periudhë” prej një viti për të gjithë hapat që do të duhej të kryheshin deri në Qershor 2025.

Fondet për reformat e parapara në këtë afat humben përfundimisht vetëm nëse nuk përmbushen deri në fund të “greis periudhës”.

Një “afat shtesë” i tillë nuk përmendet për ato që afat të fundit kishin dhjetorin 2025.

Përkundër deklaratave të pushtetarëve, përfshirë kryeministrin në detyrë, se një pjesë e mjeteve veçse kanë humbur, në një përgjigje për TV Dukagjini, BE-ja la të kuptohet se zyrtarisht ekziston mundësia e qasjes në tërësinë e fondit.

“Kosova ishte nga partnerët e parë nga Ballkani Perëndimor që miratoi Agjendën e Reformave të kërkuar nga Plani i Rritjes i BE-së, i cili ishte miratuar nga Komisioni Evropian në Tetor 2024. Prandaj, Kosova mbetet e kualifikuar për të përfituar deri në 882 milionë euro në kuadër të Planit të Rritjes, në varësi të hyrjes në fuqi të marrëveshjeve për reformë dhe rritje, e po ashtu kushteve tjera për pagesë”, thuhet në përgjigjen nga Bashkimi Evropian

Duke vënë në pah faktin se Plani i Rritjes është i afatizuar vetëm deri në vitin 2027, BE-ja tregoi se zvarritjet prodhojnë efekt negativ.

“Për shkak të vonesave në formimin e institucioneve, marrëveshjet për reforma dhe rritje nuk janë ende në fuqi. Pa ratifikimin e marrëveshjeve, Kosova nuk mund të bëj kërkesë për pagesa”, vijon tutje përgjigja e BE-së.

Kosova nënshkroi marrëveshjet e dala nga Plani i Rritjes në fund të vitit 2024, ndërsa dy legjislatura, e teta dhe e nënta, dështuan t’i ratifikojnë ato, për t’u hapur rrugë përfitimeve nga grantet dhe kreditë afatgjata me interes të ulët./Tv Dukagjini/

- YouTube youtu.be

​Arrestohen dy persona të kërkuar nga Gjykata në Ferizaj

24 January 2026 at 21:20


Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona të dyshuar pasditen e sotme në Ferizaj, të cilët rezultuan me urdhërarrest aktiv nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 17:30, patrulla policore gjatë kontrollit në rrugën “Brigada 161” ka ndaluar dy persona, të cilët pas verifikimit të të dhënave u konstatua se kërkoheshin nga autoritetet gjyqësore.

Njëri nga të ndaluarit, Q.R. (26 vjeç), kishte urdhëresë aktive, me të cilën dënimi me gjobë prej 400 euro për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ishte zëvendësuar me dënim me burg prej 20 ditësh.

Ndërkaq, i dyshuari tjetër, Y.C. (24 vjeç), ishte në kërkim për shkak të mosparaqitjes në shqyrtim gjyqësor lidhur me veprën penale “Vjedhja”.

Pas përfundimit të procedurave, Q.R. është dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa Y.C. është ndaluar për 48 orë, thuhet në njoftimin e policisë.

Balla reagon për protestën e PD: Asgjë e re nga keqbërësi Sali Berisha

24 January 2026 at 21:09


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ka reaguar menjëherë pas protestës kombëtare të PD-së, ku në një status në rrjete sociale u shpreh se nuk kishte asgjë të re nga fronti i Sali Berishës, ndërsa e cilësoi këtë të fundit si keqbërës.

“Asgjë e re nga fronti i së keqes dhe keqbërësi Sali Berisha. Shpresoj që punonjësit e policisë të lënduar nga molotovët dhe mjetet/lëndët e tjera të paligjshme të mos kenë dëmtime serioze”, shkruan Balla.

Dosja e Prokurorisë për manipulimet në Prizren: 50 euro komisioneres, kanosje për kryesuesen gjatë numërimit të votave

24 January 2026 at 21:02


Granit Paçarizi, nipi i Fetah Paçarizit, kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së, është njëri nga 23 personat ndaj të cilëve është kërkuar masa e paraburgimit në lidhje me manipulimin e falsifikimin e votave në Prizren.

Ai po dyshohet se në cilësinë e vëzhguesit ka kryer dy vepra penale, ka kanosur një kryesuese të Komisionit për Numërim dhe i ka dhënë ryshfet një komisioneres.

KALLXO.com ka siguruar dokumentin në të cilin shpjegohet edhe veprimtaria për të cilën dyshohet Granit Paçarizi në këtë proces.

Nipi i Fetah Paçarizit dyshohet se më 01.01.2026, në cilësinë e vëzhguesit në Qendrën e Numërimit të Rezultateve në Prizren, me dashje dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë dyshohet se kishte dhënë dhuratë të paarsyeshme një prej kryesueseve të Komisionit për Numërimin e Votave.

A.Vorfi dyshohet se më 01.01.2026 rreth orës 22:00 derisa ka qenë duke dalë jashtë objektit të QNR-së, Granit Paçarizi po dyshohet se i kishte dhënë 50 euro të njëjtës e kjo e fundit i kishte pranuar.

Në dosje pretendohet se duke pranuar dhuratën, dyshohet se i ka lejuar Granit Paçarizit të evidentojë një numër të madh të votave në sistem nga llogaria e saj. E për këto veprime, Granit Paçarizi po dyshohet se ka kryer veprën penale të dhënies së ryshfetit.

Përveç dhënies së ryshfetit, Granit Paçarizi po dyshohet edhe për kanosje në cilësinë e vëzhguesit.

Sipas dosjes që ka siguruar KALLXO.com, Paçarizi në cilësinë e vëzhguesit në Prizren më 30.12.2025 dyshohet se me dashje serioze kishte kanosur një person tjetër me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit. Paçarizi po dyshohet se kanosi kryesuesen e Komisionit për Numrimin e Votave, S.Vebic.

Sipas dosjes gjithmonë, Paçarizi kishte kërkuar nga kryesuesja e komisionit që kur të fillojë numërimi i votave të kandidatëve të subjektit politik PDK, të dalë jashtë deri sa të lexohen votat e atij subjekti.

Sipas dosjes, ajo nuk kishte pranuar dhe i kishte thënë “çka po doni prej meje, a me lanë punën këtu unë a?” ndërsa Paçarizi i kishte kthyer përgjigje “po, shko në shtëpi”.

Për këtë situatë kryesuesja e komisionit i kishte njoftuar edhe përfaqësuesit e subjektit politik të cilës i takonte, duke kërkuar edhe dorëheqjen nga funksioni.

E njëjta ditën tjetër nuk ishte paraqitur më në QNR.

Në Komunën e Prizrenit janë shfaqur dallimet më të mëdha te kandidatët për deputetë pas procesit të rinumërimit.

Fetah Paçarizi nga PDK është njëri ndër kandidatët për deputetë që ka humbur më së shumti vota pas rinumërimit të 58% të vendvotimeve, ka humbur 6,751 vota./Kallxo.com

Opozita shqiptare përfundon protestën me molotov dhe fishekzjarre, Berisha kërkon qeveri teknike

24 January 2026 at 20:41


Ka përfunduar protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike, këtë të shtunë, 24 janar, por jo pa krijuar tensione dhe lëndime.

Sheshi “Dëshmorët e Kombit” u mbush nga simpatizantë të Partisë Demokratike, të cilët ishin në mbështetje të kampit blu për kërkesat e kësaj të fundit lidhur me një “qeveri teknike”.

Protesta nisi me himbin kombëtar. Fjalën e morën disa demokratë, që më pas pasoi në deklaratën e mbajtur nga kreu i PD-së, Sali Berisha.

Fillimisht Berisha ndaj një mesazh për të gjithë qytetarët.

“Të nderuar drejtues të PD-së, partive aleate, të nderuar deputetë të pranishëm në këtë protestë. Vëllezër e motra, do ta nis këtë fjalë me një mesazh, që këtë javë, të tmerruar nga protesta jonë e kaluar, mediat e qeverisë bënë gjithçka ta vendosin në harresë. Mesazhi im është ky. Sot ne jemi në kilometrin e fundit, me ndihmën e Zotit, asgjë nuk do të na ndalë drejt fitores sonë. Sot ne jemi pranë triumfit të madh. Shumëkujt triumfi mund t’i duket ende larg, kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria. Por miqtë e mi, opozita që kemi bërë së bashku vitet e fundit ka qenë jo e lehtë.

Një kalvar maratonë e mbushur me dhunën e narkoshtetit, presione dhe izolime orvelliane ndaj nesh por dhe një qëndresë stoike. Sakrifica të dhimbshme ndaj nesh.”, tha Berisha.

Berisha gjatë fjalimit të tij përpara protestuesve u shpreh se diktaturat nuk ikin me votë, por me revolta.

“Sot shumica e shqiptarëve e ka të qartë se Edi Rama nuk ikën me votë, diktaturat nuk ikën me votë, por ato ikin, shemben, me revoltë dhe vetëm me revoltë popullore dhe ja ku jemi ne sot”, u shpreh kryedemokrati.

Ai përsëriti akuzat ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama duke thënë se “Sot shumica e shqiptarëve e ka të qartë se Edi Rama kryeson organizatën kriminale më të rrezikshme në Europë.”

Ky fjalim, pasoi me kërkesën e kryedemokratit për një qeveri teknike.

“Sonte është thirrja e madhe, është ora jonë të bashkohemi për të përmbysur këtë qeveri. Për të krijuar një qeveri teknike, për zgjedhje të reja, për interesin kombëtar, për familjen shqiptare…”, tha Berisha duke shtuar se kjo është e vetmja zgjidhje për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Fill pas përfundimit të fjalës së Berishës, protestuesit hodhën molotovë e fishekzjarre drejt godinës së Kryeministrisë, gjë që shkaktoi tensione, e largimi i tyre u bë vetëm përmes autobotëve me ujë dhe gazit lotsjellës nga blutë.

Këto molotovë sollën gjithashtu dhe lëndimin e disa protestuesve si dhe të disa oficerëve të cilët morën ndihmën e parë mjekësore, por nuk u raportua për dëmtime të rënda.

Protesta më pas u zhvendos nga Kryeministria përpara godinës së Parlamentit të Republikës së Shqipërisë.

Sakaq, lidhur me këto incidente, deri më tani dihet se janë shoqëruar tre protestues.

Por, shoqërimi i këtyre qytetarëve, ka sjellë dhe përplasje të disa prej figurave të Partisë Demokratike me punonjës të uniformave blu.

“O plehra. Mos i prekni çunat/ mos më prek mua! Ça të qetësohem? O plehra? Jeni çuna të rinj, por jeni plehra ta dini!”, u shpreh i tensionuar Xhaferri ndaj policëve, pas një përplasjeje mes tyre./Tv Klan

Policia shqiptare: 11 efektivë të plagosur nga sulmet me molotov dhe mjetet e forta

24 January 2026 at 20:31


Policia shqiptare ka njoftuar se 11 efektivë, si pasojë e sulmeve me molotov dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sulmeve para Parlamentit, janë dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore.

Policia shton se janë identifikuar personat që sulmuan Policinë dhe vijon puna për shoqërimin e tyre.

Njoftimi i policisë:

Si pasojë e sulmeve me molotov dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sulmeve para Parlamentit, janë dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore 11 punonjës policie.

Ndërkohë, grupet hetimore po vijojnë punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme të protestuesve ndaj punonjësve të Policisë.

Shërbimet e Policisë kanë identifikuar personat që sulmuan Policinë dhe vijon puna për shoqërimin e tyre.

Hidhet gaz lotsjellës i skaduar në protestë

24 January 2026 at 20:24


Policia duket se ka përdorur gaz lotsjellës të skaduar kundër protestuesve në të shtunën.

Një prej bombolave të hedhura, e siguruar nga A2, ka të shkruar datën e prodhimit në korrik të vitit 2019 dhe datë skadence në korrik 2023.

Gazi u përdor në godinën e Kryeministrisë pasi protestuesit hodhën molotov dhe fishekzjarrë ndërsa u hodh edhe te Parlamenti, pas përleshjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit

Disa efektivë policie janë lënduar nga hedhja e molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt godinës së Kryeministrisë në protestën e opozitës.

Policia ka njoftuar se efektivët e lënduar po marrin ndihmën e parë mjekësore.

Më herët, një person u dërgua me ambulancë për trajtim mjekësor, pasi mbeti i lënduar në protestën e opozitës.

Berisha: Lironi menjëherë 25 të Protestuesit paqësorë, beteja jonë deri në fundin e Ramës

24 January 2026 at 20:20


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas përfundimit të protestës, nga selia blu kërkoi lirimin e protestuesve të arrestuar nga policia pas përplasjeve me forcat e rendit.

Berisha deklaroi se 25 protestues paqësorë janë arrestuar me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

Ai e cilësoi kryeministrin Rama si “armik të çdo shqiptari” dhe shtoi se opozita do të vijojë betejën kundër qeverisë.

"Mos ndërse policinë kundër protestuesve. Ju bëj thirrje policëve, mos u bëni shërbëtorë të një njeriu që nuk ka ligj dhe moral. Mos u bëni shërbëtorë të një njeriu që është armik i egër i çdo shqiptari. Duhet të betohemi se me këtë betejë, kilomentri ynë i fundit do të jetë fundi i merituar i Edi Ramës dhe narko-qeveritarëve të tjerë".

"Kërkoj lirimin e menjëhershëm të 25 protestuesve paqësore, të cilët në mënyrë absolute nuk kanë kryer asnjë akt dhe janë marrë aty me urdhër të Edi Ramës. Ju kërkoj komisariateve t’i lirojnë menjëhrë. Nuk mundet kurrë në një popull me asgjë…ju e patë vetë, e patë gatishmërinë e atyre njerëzve, ishin të gatshëm t’i jepnin Edi Ramës në 30 minuta atë që meritonte. Kjo gatishmëri do vahzdojë. Kjo betejë do të vijojë. Ne kemi vetëm një mision, përmbysjen e këtij regjimi kriminal", ka deklaruar Berisha.

Një protestues i lënduar, merret me ambulancë

24 January 2026 at 20:10


Një person është dërguar me ambulancë për trajtim mjekësor, pasi ka mbetur i lënduar në protestën e opozitës para Kryeministrisë.

I lënduar është mbajtur në krah nga një personel mjekësor dhe një i njohur dhe u shoqërua në ambulancë, shkruan A2 CNN.

Është e paqartë nëse ka mbetur i lënduar nga gazi lotsjellës i hedhur nga policia, apo ka pësuar ndonjë dëmtim tjetër.

Forcat e rendit hodhën gaz lotsjellës dhe ujë pasi protestues lëshuan bomba molotov dhe fishekzjarrë drejt godinës së Kryeministrisë, sapo kryetari i PD, Sali Berisha, përfundoi fjalën e tij.

Menjëherë protestuesit u shpërndanë, ndërsa Berisha raportohet se u largua me makinë drejt selisë së PD.



Protesta opozitës, policia mobilizohet te Kuvendi - fiken dritat e rrugës

24 January 2026 at 20:00


Protesta e opozitës këtë të shtunë vijon ende te Kuvendi me tensione, njëlloj si te Kryeministra.

Policia është mobilizuar pranë Kuvendit, ndërsa në disa rrugë janë fikur dritat për të menaxhuar situatën.

Makina për shpërndarjen e ujit ka shpërndarë protestuesit, duke treguar gatishmërinë e forcave për të kontrolluar turmën.

Protestuesit po qëllojnë me gurë drejt policëve që janë para godinës së parlamentit.

Në sheshin para godinës së Parlamentit po vijojnë përplasjet tanimë në distancë mes protestuesve dhe efektivëve të policisë./Euronews Albania

Përplasje fizike mes deputetit të PD-së dhe policisë gjatë protestës: Plehra, lëri çunat

24 January 2026 at 19:46


Një përplasje fizike ka ndodhur mes deputetit të PD-së, Besart Xhaferri, dhe policisë këtë të shtunë gjatë protestës së opozitës.

Gjatë një momenti kur policia po arrestonte protestuesit, deputeti Xhaferri ndërhyri, duke u përplasur fizikisht me efektivët.

Nga pamjet duket tension i lartë ndërmjet tij dhe policisë, ndërsa në video dëgjohet përdorimi i një fjalori të papërshtatshëm dhe i ashpër./Euronews Albania


Protesta e opozitës, Policia: Disa efektivë policie të lënduar

24 January 2026 at 19:36


Disa efektivë policie janë lënduar nga hedhja e molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt godinës së Kryeministrisë në protestën e opozitës.

Policia ka njoftuar se efektivët e lënduar po marrin ndihmën e parë mjekësore.

Më herët, një person u dërgua me ambulancë për trajtim mjekësor, pasi mbeti i lënduar në protestën e opozitës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një fjalimi para protestuesve të mbledhur para godinës së Kryeministrisë, ka deklaruar se, sipas tij, qeveria e kryeministrit Edi Rama nuk mund të largohet përmes votës, por vetëm përmes revoltës popullore.“Sot shumica e shqiptarëve e ka të qartë s...

Forcat e rendit hodhën gaz lotsjellës dhe ujë pasi protestues lëshuan bomba molotov dhe fishekzjarrë drejt godinës së Kryeministrisë, sapo kryetari i PD, Sali Berisha, përfundoi fjalën e tij.

Menjëherë protestuesit u shpërndanë, ndërsa Berisha raportohet se u largua me makinë drejt selisë së PD./A2 CNN

Eskalon protesta në Shqipëri, molotov dhe fishekzjarre drejt Kryeministrisë

24 January 2026 at 19:23


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një fjalimi para protestuesve të mbledhur para godinës së Kryeministrisë, ka deklaruar se, sipas tij, qeveria e kryeministrit Edi Rama nuk mund të largohet përmes votës, por vetëm përmes revoltës popullore.

“Sot shumica e shqiptarëve e ka të qartë se Edi Rama nuk ikën me votë. Diktaturat nuk ikin me votë, por shemben vetëm me revoltë popullore, dhe ja ku jemi ne sot”, është shprehur Berisha.

Ai ka përsëritur akuzat ndaj qeverisë, duke deklaruar se kryeministri Rama, sipas tij, “kryeson organizatën kriminale më të rrezikshme në Europë”.

Pas fjalimit të Berishës, situata para Kryeministrisë është tensionuar, ku protestuesit kanë ndezur flakadanë dhe fishekzjarrë, si dhe kanë hedhur shishe molotovi në drejtim të godinës së Kryeministrisë.



Gjatë adresimit të tij, kreu i Partisë Demokratike ka përsëritur thirrjen për krijimin e një qeverie teknike, duke e cilësuar këtë si zgjidhjen e vetme për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Sonte është thirrja e madhe për t’u bashkuar dhe për ta përmbysur këtë qeveri, për të krijuar një qeveri teknike dhe për të shkuar në zgjedhje të reja, në interes të vendit dhe familjes shqiptare”, ka deklaruar Berisha.

Pas përfundimit të fjalimit, protestuesit kanë nisur të lëvizin nga Kryeministria drejt godinës së Kuvendit të Shqipërisë. Deri në këto momente, Berisha dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Demokratike nuk i janë drejtuar selisë qendrore të partisë.

- YouTube youtu.be

❌
❌