Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 January 2026Main stream

Kosova e përkushtuar për dialog konstruktiv, Kurti kërkon tërheqjen e letrës nga Bërnabiq dhe dorëzimin e Radoiçiqit

15 January 2026 at 11:46


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti një ditë më parë takoi përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Kurti në një postim në X shkruan se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj normalizimit të plotë dhe dialogut konstruktiv në Bruksel, ndërsa kërkoi tërheqjen e letrës së paraqitur nga ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq në EEAS dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit.

“Dje, mirëprita Përfaqësuesin Special të BE-së Peter Sørensen në takimin tonë të parë pas zgjedhjeve të dhjetorit në Kosovë.

Kosova mbetet e përkushtuar ndaj normalizimit të plotë dhe dialogut konstruktiv në Bruksel. Përparimi domethënës kërkon besim të mirë, duke përfshirë tërheqjen e letrës së paraqitur nga ish-kryeministrja serbe Brnabiq në EEAS dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij për t'u përballur me drejtësinë në Kosovë për sulmin paraushtarak dhe terrorist në Banjskë, si dhe nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit/Ohrit si garanci ligjore për rrugën përpara”, shkruan Kurti.

Ai tutje theksoi se Kosova ka një mandat demokratik të rifreskuar që siguron përfaqësim të besueshëm në dialog. /Telegrafi/



Yesterday, I welcomed EU Special Representative Peter Sørensen for our first meeting following Kosova’s December elections.

Kosova remains committed to full normalization and constructive dialogue in Brussels. Meaningful progress requires good faith, including the withdrawal of… pic.twitter.com/KlHFDTlcbB
— Albin Kurti (@albinkurti) January 15, 2026

Ambasada e SHBA-së në Tiranë njoftim zyrtar për pezullimin e vizave

15 January 2026 at 11:32


Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar zyrtarisht pas vendimit të Departamentit të Shtetit për pezullimin e lëshimit të vizave emigruese për një listë vendesh, përfshirë Shqipërinë.

Ambasada në një njoftim sqaron se vendim prek vetëm vizat e reja emigruese dhe nuk ndikon në vizat turistike ose ato që janë lëshuar më parë.

Lexoni të plotë njoftimin:

Përditësime mbi Përpunimin e Vizave Emigruese për Shtetasit nga Vendet me Rrezik të Lartë të Përdorimit të Përfitimeve Publike

Presidenti Trump ka bërë të qartë se emigrantët duhet të jenë financiarisht të vetë-mjaftueshëm dhe të mos përbëjnë barrë financiare për amerikanët. Departamenti i Shtetit po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që emigrantët nga këto vende me rrezik të lartë të mos përdorin ndihma sociale në Shtetet e Bashkuara dhe të mos konsiderohen barrë publike.

Duke filluar nga 21 janari 2026, Departamenti i Shtetit do të pezullojë lëshimin e të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të vendeve të mëposhtme:

Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Antigua dhe Barbuda, Armeni, Azerbajxhan, Bahamas, Bangladesh, Barbados, Bjellorusi, Belize, Butan, Bosnje dhe Hercegovinë, Brazil, Birmani, Kamboxhia, Kamerun, Kepi i Gjelbër, Kolumbi, Bregu i Fildishtë, Kubë, Republika Demokratike e Kongos, Dominikë, Egjipt, Eritre, Etiopi, Fixhi, Gambia, Gjeorgji, Ganë, Grenadë, Guatemalë, Guine, Haiti, Iran, Irak, Xhamajkë, Jordani, Kazakistan, Kosovë, Kuvajt, Republika e Kirgistanit, Laos, Liban, Liberi, Libi, Moldavi, Mongoli, Mali i Zi, Marok, Nepal, Nikaragua, Nigeri, Maqedoni e Veriut, Pakistan, Republika e Kongos, Rusi, Ruandë, Shën Kits dhe Nevis, Shën Luçia, Shën Vincent dhe Grenadinat, Senegal, Sierra Leone, Somali, Sudani i Jugut, Sudan, Siri, Tanzani, Tajlandë, Togo, Tunizi, Ugandë, Uruguai, Uzbekistan dhe Jemen.

Pyetje të Shpeshta

Çfarë ndodh me takimin tim për intervistën e vizës emigruese?

Aplikantët për vizë emigruese që janë shtetas të vendeve të prekura mund të dorëzojnë aplikimet për vizë dhe të marrin pjesë në intervista, dhe Departamenti do të vazhdojë të caktojë takime për aplikantët, por asnjë vizë emigruese nuk do të lëshohet për këta shtetas gjatë kësaj periudhe pezullimi.

A ka ndonjë përjashtim?

Shtetasit me dyshtetësi që aplikojnë me një pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është i listuar më sipër janë të përjashtuar nga ky pezullim.

A ndikon kjo në vizën time aktuale të vlefshme?

Asnjë vizë emigrimi nuk është hequr si pjesë e këtij udhëzimi. Për pyetje që lidhen me hyrjen në Shtetet e Bashkuara, ju referojmë te Departamenti i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara.

A zbatohet kjo për vizat turistike?

Jo, ky pezullim zbatohet vetëm për aplikantët e vizave emigruese. Vizat turistike janë viza jo-emigruese.

Digjet banesa në Korçë, ndërron jetë e moshuara – fqinjët: Jetonte e vetme, ishte e paralizuar

15 January 2026 at 11:26


Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në Korçë, pasi një banesë ka marrë flakë.

Për pasojë ka ndërruar jetë brenda banesës shtetasja Fluturie Potka, 70 vjeç, si pasojë e tymit.

Top Channel njofton se shërbimet zjarrfikëse dhe Policia ndodhen në vendngjarje.

Një banore e zonës u shpreh “Ajo jetonte vetëm. Ka një djalë këtu, por nuk donte të shkonte të jetonte me të edhe pse ai i thoshte që të jetonin bashkë. Ishte e paralizuar nuk dilte. E ndihmonin gratë e lagjes për t’i bërë pazaret, i nxirrte nga ballkoni me një qese me litar”.

Ndërsa një fqinje tjetër u shpreh “Ka qenë një grua që kujdesej për të e cila ka hapur derën e jashtme dhe ka parë tymin ndërsa ka kërkuar ndihmën e fqinjëve të tjerë të pallatit për të lajmëruar zjarrfikësen. Fqinjët jashtë kamerave thonë se shkak i zjarrit mund të jetë bërë një cigare e ndezur nga e moshuara pasi ajo ishte duhanpirëse”.

Abdixhiku: Reçaku nuk harrohet, drejtësia për Reçakun gjithmonë do të kërkohet

15 January 2026 at 10:54


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku sot ishte i pranishëm në Reçak, në nderim të viktimave të masakrës së Reçakut, që ndodhi 27 vjet më parë.

Abdixhiku në një deklaratë për media tha se Reçaku nuk harrohet dhe se drejtësia për Reçakun gjithmonë do të kërkohet.

“Sot shënojnë dhe njëkohësisht nderojmë viktimat e masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më tragjike të kontinentit të Evropës, së historisë moderne të Evropës. Në mëngjesin e hershëm, të 15 janarit 45 civilë burra, gra, të rinj e të reja, fëmijë e të moshuar u masakruan nga forcat paramilitare serbe, duke dhënë kështu një tronditje jo veç në Kosovë, por edhe një tronditje ndërkombëtare e cila u dokumentua si krim njerëzor nga institucionet ndërkombëtare dhe në atë kohë nga ambasadori Walker”, tha ai.

Tutje, kryetari i LDK-së tha në këtë ditë kujtohen viktimat dhe nderohet sakrifica e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe për çlirim, për të drejtën për të jetuar të liri me dinjitet.

“Lavdi të rënëve për këtë liri, lavdi viktimave të Reçakut. Reçaku nuk harrohet, drejtësia për Reçakun gjithmonë do të kërkohet”, u shpreh Abdixhiku. /Telegrafi/

Spiropali pas vendimit të SHBA për vizat: Nuk janë bllokuar lëvizjet dhe udhëtimet për shqiptarët

15 January 2026 at 10:18


Ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali ka shpjeguar lidhur me vendimin e DASH për bllokimin e vizave për 75 vende, përfshirë Shqipërinë.

Sipas Spiropalit, SHBA nuk ka bllokuar lëvizjet dhe udhëtimin e shqiptarëve, por ka ndryshuar politika e imigracionit për lejet e qëndrimit.

Ajo akuzoi opozitën se po mundohet të nxijë Shqipërinë, ndërkohë që vendi ynë siç tha “sot respektohet e çmohet kudo dhe është më aktiv se kurrë”, raporton euronews.al.

“Ndërkohë që Shqipëria sot respektohet e çmohet kudo dhe është më aktive se kurrë, disa të udhëhumbur në Tiranë kanë vënë kujën se SHBA-të, sipas tyre, kanë ngrirë dhe bllokuar vizat për shqiptarët.

Fabula e tyre e çartur shkon aq larg, sa deklarojnë se partnerët tanë historikë dhe strategjikë, e kanë futur Shqipërinë në listën e zezë. E paimagjinueshme!

Në fakt, të dyja këto, janë fund e krye trillime politike. E vërteta është se vendimi i fundit i SHBA-ve nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-ve. Kurrsesi! Nuk janë bllokuar as vizat për qëllime turistike, studentët, biznesi, vizita te familjarët apo evente të lidhura me punën.

Askush nuk ndalohet të udhëtojë dhe të vizitojë si turist, student, qytetar apo edhe zyrtar, por rregullat e Qëndrimit në SHBA do të ndryshojnë në linjë me politikën e tyre të imigracionit.

Pra, nuk bëhet fjalë për një vendim që targeton Shqipërinë, por për një rishqyrtim lidhur me procesimin e vizave për qëllime imigrimi në SHBA për 75 vende, përfshirë 5 vende të Ballkanit Perëndimor.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se do të pezullohet përpunimi i vizave të imigracionit deri në rishikim zyrtar, dhe ky vendim vjen si pjesë e masave të administratës amerikane për të kufizuar abuzimet me avantazhet që ofron sistemi amerikan i migracionit.

Pra, shkurt dhe thjesht, vendimi nuk ka të bëjë asgjëkundi me fabrikime nga më të çuditshmet për nongrata imagjinare mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Përtej gjithë kësaj tymnaje, një e vërtetë e madhe është e qartë si drita e diellit: Shqipëria ka qenë dhe mbetet aleati dhe partneri strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend mik me të cilin na bashkon një rrugë e gjatë dhe e pandashme vlerash dhe qëllimesh”.


AUV: Produktet e kafesë janë të sigurta për përdorim

15 January 2026 at 09:36


Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në një njoftim për media thekson se para disa ditësh ka njoftuar opinionin se përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar një njoftim lidhur me praninë e nivelit të lartë të akrilamidës në produktin kafe e bluar, me origjinë nga Kosova, të eksportuar në Republikën e Kroacisë.

AUV thekson se në përputhje me Planin Vjetor të Inspektimit dhe parimin e vlerësimit të riskut ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, përfshirë kontrolle dhe analiza laboratorike për të gjitha brendet e kafesë që përpunohen për konsum brenda vendit dhe për eksport nga Republika e Kosovës në vendet tjera.

"Sipas standardeve të sigurisë ushqimore, rezultatet e analizave në kafe kanë konfirmuar se nivelet e akrilamidës në të gjitha produktet e testuara janë nën kufirin maksimal të lejuar", thuhet në njoftim.

“Bazuar në këto rezultate, operatorët e bizneseve ushqimore mund të vazhdojnë tregtimin e kafesë. AUV do të vazhdojë monitorimin e vazhdueshëm me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

27 vjet nga masakra e Reçakut, sot ora e parë mësimore i kushtohet 15 janarit të vitit 1999

15 January 2026 at 07:50


Sot në gjitha shkollat e Republikës së Kosovës ora e parë mësimore do t’i kushtohet 15 janarit të vitit 1999, masakrës së Reçakut.

Po ashtu, do të ketë homazhe nga niveli komunal dhe shtetëror në varrezat e dëshmorëve dhe në kompleksin memorial në Reçak.

27 vjet më parë në Reçak të Shtimes, forcat serbe vranë dhe masakruan 45 civilë të paarmatosur, në mesin e tyre kishte gra, pleq e fëmijë.

Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore për Kosovën.

Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ish-ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Ndryshe, në dhjetor të 2025, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave, me propozim për gjykim në mungesë, për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, lidhur me masakrën e kryer më 15 janar 1999 në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes.

Sipas aktakuzës, të pandehurit O.S., R.M., K.J., G.R., Ž.T., B.J., M.L., R.M., D.DJ., B.M., D.J., M.Š., D.A., S.V., B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Č.A. dhe Z.J., akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore dhe ushtarake serbe kanë vrarë 42 civilë shqiptarë.

“Sipas aktakuzës, në periudhën 1998 – 1999, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës ‘’243 të Mekanizuar ’’, Armatës së III- të, e njohur si ‘’Korpusi i Prishtinës’’, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Sipas hetimeve të prokurorisë forcat serbe fillimisht e rrethuan fshatin Reçak nga zonat e njohura si “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, për ta granatuar më pas nga distanca me mjete ushtarake. Ata kanë hyrë shtëpi më shtëpi, kanë ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar këta të fundit të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar janë ekzekutuar.

Prokuroria tutje thotë se hetimet kanë vërtetuar gjithashtu se civilët janë rrahur brutalisht me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta.

Si pasojë e këtyre operacioneve, rreth 20 mijë civilë nga fshatrat Reçak, Topillë, Petrovë, Kraisht, Mullapolc dhe Dremjak janë dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Prokuroria Speciale ka propozuar që gjykimi të mbahet në mungesë, pasi të pandehurit ndodhen jashtë Kosovës dhe janë të paarritshëm për organet e drejtësisë. /Telegrafi/

Moti në Shqipëri, përgjatë zonave luginore në mëngjes dhe mbrëmje mjegull

15 January 2026 at 07:22


Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se Shqipëria të enjten do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

SHMU njofton se moti parashikohet alternime kthjellimesh e vranësirash kalimtare.

Edhe për sot parashikohet që përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit e të mbrëmjes të ketë mjegull.

Era do të fryjë me drejtim verilindje– juglindje, me shpejtësi mesatare 8 m/s.

Deti - Valëzimi forcës 1-2 ballë. /Telegrafi/




Yesterday — 14 January 2026Main stream

Rënia e ortekëve në Qafë Thorë, bllokohet segmenti rrugor, ndërpritet qarkullimi i automjeteve

14 January 2026 at 15:06


Si pasojë e rritjes së temperaturave dhe ndikimit të rrezeve të diellit në shpatin malor, është riaktivizuar rënia e ortekëve në zonën e tuneleve panoramike në Qafë Thore, duke bllokuar segmentin rrugor rreth km 5.5.

Aktualisht, ndërhyrja për pastrim paraqitet e rrezikshme, deri në stabilizimin e borës në shpatin malor, raporton Tch.

Për këtë arsye, është urdhëruar ndërprerja e çdo përpjekjeje për largimin e borës nga ortekët.

Duke vlerësuar situatën e krijuar dhe nivelin e lartë të rrezikshmërisë, qarkullimi në Qafë Thore ndërpritet për të gjitha llojet e automjeteve, deri në një njoftim të dytë.

Arratisja e Altin Ndocit, Drejtoria e Burgjeve deklaratë zyrtare – pezullohet i gjithë zinxhiri komandues i IEVP në Durrës

14 January 2026 at 13:44


Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar zyrtarisht për arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci, një ditë më parë nga Spitali Rajonal i Durrësit.

Në njoftimin e bërë në Facebook bëhet e ditur se Ndoci ndodhej në paraburgim prej vitit 2020 për vepra të rënda penale, mes tyre vrasje në rrethana cilësuese dhe organizatë kriminale.

Verifikimet paraprake kanë zbuluar shkelje të rënda procedurale, pasi vizita mjekësore nuk ishte raportuar dhe nuk janë respektuar protokollet standarde të shoqërimit.

Lexoni të plotë postimin:

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Spitalin Rajonal Durrës, më datë 13.01.2026, ku është arratisur i paraburgosuri Altin Ndoci, sqarojmë sa vijon:

Shtetasi Altin Ndoci ka qenë i akomoduar në IEVP Durrës që prej datës 20.05.2020, me masë sigurimi “arrest me burg”. Me vendimet Nr. 82, datë 21.07.2020; Nr. 42, datë 17.05.2022; dhe Nr. 86, datë 29.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj tij është caktuar masa e sigurimit “arrest me burg” për veprat penale: vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, armëmbajtje pa leje, organizatë kriminale, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal, të parashikuara nga nenet 79/dh, 278/1, 28/1, 28/4, 333 dhe 334 të Kodit Penal.

Më datë 13.01.2026, i paraburgosuri ka kryer konsultë mjekësore me mjekun e institucionit të vuajtjes së dënimit, i cili ka rekomanduar konsultë me mjek kirurg. Në vijim, nga strukturat përkatëse të IEVP Durrës (shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ai ligjor) janë hartuar aktet përkatëse dhe është planifikuar shoqërimi për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, sipas itinerarit: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP, brenda së njëjtës ditë.

I paraburgosuri është paraqitur në pavionin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 (dy) orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, shtetasi Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset.

Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.

Nisur nga të dhënat paraprake, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ, konkretisht:

•Indrit Cerloj – Drejtor i IEVP Durrës;

•Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;

•Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar);

•Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;

• Aulon Quku – Kryeinfermier;

•Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

•Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

•Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

•Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

•Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

•Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

•Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve.

Referuar ngjarjes dhe veprimeve të ndërmarra Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është vendosur ndalimi i shtetasve të mëposhtëm:

• Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;

• Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon me marrjen e të gjitha masave të nevojshme ligjore dhe administrative, si dhe me forcimin e protokolleve të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. /Telegrafi/

Reçaku, plagë e hapur e Kosovës: Mohimi i krimeve serbe rrezikon paqen në rajon

14 January 2026 at 13:30


Mohimi i krimeve serbe në Kosovë është kërcënim i drejtpërdrejt për të ardhmen, u tha në 27-vjetorin e masakrës së Reçakut, ku në një tryezë shkencore të organizuar nga forumi i intelektualëve në Shtime u diskutua tema "Mohimet serbe të krimeve dhe gjenocidit, destabilizim për Ballkanin".

Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu tha se masakra në Reçak bëri kthesën e madhe në historinë e Kosovës. Në mesin e 400 masakrave të kryera nga Serbia, ai tha se ajo e Reçakut u denoncua ndërkombëtarisht, shkruan KosovaPress.

"Masakra e Reçakut nuk është se është më e madhja apo më e përgjakshmja se ka edhe të tilla që janë kryer, siç është Izbica, siç është Meja, Rahoveci, por Reçaku e ka rolin e vet në historinë më të re të Republikës së Kosovës, te shtetit tonë sepse aty falë një burri qe është ambasadori William Walker që më 15 janar 1999 në kuadër të misionit ndërkombëtar qëlloi aty dhe denoncoi krimin makabër të Millosheviqit, ajo u bë kthesë e madhe historike dhe pastaj dhe mblodh gjithë bashkësia ndërkombëtare, ndodhi konferenca e Rambujesë, ku në fund pala serbe nuk e nënshkroi marrëveshjen dhe filluan bombardimet e NATO-s dhe për 78 ditë u bombardua shteti kriminal i asaj kohe dhe NATO-ja me makinerinë e saj nga lart dhe vajzat e djemtë më të mirë të kombit, duke luftuar me pushkë në dorë pa dyshim edhe diplomacia dhe shteti shqiptar me rolin e jashtëzakonshëm, bën që më 12 qershor 19999 të vije liria jonë dhe më vonë dhe shteti i pavarur dhe Republika që bashkërisht sot e gëzojmë... Para dy viteve me avokimin tonë pas memorialit të Jasharëve edhe memoriali i Reçakut është projekt nacional dhe shteti do të kujdeset qe këtu të investohet dhe këtu të mbrohen dhe arkivohen të gjitha detajet e krimit serb mbi popullatën civile", tha ai.

Ai përmendi edhe aktakuzën e ngritur në fund të vitit të kaluar nga Prokuroria Speciale, ku akuzohen 21 kriminelë serbë.

Kryetari i Forumit të Intelektualëve në Shtime, Banush Imeri tha se Reçaku mbetet ndër plagët më të rënda në historinë e Kosovës.

"Masakra e Reçakut është njëra prej shumë masakrave të kryera nga Serbia, por kjo në Reçak u bë një nga simbolet. Sot, më 14 janar po e mbajmë këtë tryezë para akadamisë përkujtimore në kujtim të masakrës së Reçakut, me synim qe përmes trajtimeve dhe analizave profesionale, di të ndriçohet edhe më shumë dimensioni i kësaj masakre dhe rëndësisë së saj për identitetin dhe kujtesën kolektive", tha ai.

Mohimi i kësaj masakre nga krerët e lartë në Serbi, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj tha se është kërcënim i mohimit të drejtpërdrejtë për të ardhmen.

“Mohimi i krimeve serbe në Kosovë, nuk është thjesht mohim i së shkuarës, ai është kërcënim i drejtpërdrejt për të ardhmen. Ai minon drejtësinë, pengon pajtimin e sinqertë dhe mban tensione që rrezikojnë stabilitetin rajonal. Pa drejtësi, pa përgjegjësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme. Pikërisht për këtë arsye, roli i akademisë, roli i studiuesve, i institucioneve dhe diplomacisë mbetet thelbësor edhe sot për të mbrojtur të vërtetën historike, për të kundërshtuar narrativat mohuese dhe për t'i kujtuar komunitetit ndërkombëtar se drejtësia për viktimat nuk është çështje e së kaluarës por obligim i së tashmes”, përfundoi ai.

Më 15 janar të vitit 1999 forcat serbe vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes.

I pari që i tha botës se aty u krye krim kundër njerëzimit, ishte shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

Ngjarja e rëndë në Reçak nxiti reagimin e ndërkombëtarëve ku NATO vendosi të sulmoi caqet ushtarake policore serbe. /kp/

Reduktimet e rrymës, Ymeri nga LDK: Ndërkohë festohet 51 % me kryeministër, ministre e ZRRE në heshtje

14 January 2026 at 12:44


Vendi sot po përballet me reduktime të energjisë elektrike, gjersa u tha se 50 për qind e energjisë po importohet.

Lidhur me këtë ka reaguar Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke thënë se sot është një nga ditët me çmime të bursës ndërkombëtare të rrymës, ndërkohë festohet 51% me Kryeministër, Ministre e ZRRE në, në heshtje.

Lexoni të plotë postimin:

Kur një Qendër të Mjekësisë Familjare e humbim brenda ditës.

Kur një shkollë e humbim brenda ditës.

Kur një çerdhe e humbim brenda ditës.

Kur një Qendër për Pensionerë e humbim brenda ditës.

Kur e humbim jetën tonë me dinjitet si qytetar, nga importi i energjisë elektrike.

Sot e dje janë një nga ditët, me çmime të bursës ndërkombëtare të rrymës, ndërkohë festohet 51% me Kryeministër, Ministre e ZRRE në, në heshtje. /Telegrafi/


Paga minimale, Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik kërkon nga kompanitë të përgatiten për zbatimin e vendimit

14 January 2026 at 12:33



Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës përmes një njoftimi për media kanë theksuar se do të këmbëngulin në zbatimin e vendimit për pagën minimale.

FSPTSPK kërkon nga kompanitë private në cilësinë e operatorëve ekonomikë, që të bëjnë llogaritjet e nevojshme financiare për rritjen e pagës minimale dhe të adresojnë me kohë kërkesat e tyre pranë autoriteteve kontraktuese përkatëse.

Lexoni të plotë njoftimin:

Për herë të dytë, paralajmërojmë kompanitë publiko-private se do të këmbëngulim në mënyrë të vazhdueshme për zbatimin e vendimit për pagën minimale, që nënkupton 425 euro për punëtorët e këtyre kompanive.

Në këtë drejtim, kërkojmë nga kompanitë private, në cilësinë e operatorëve ekonomikë, që të bëjnë llogaritjet e nevojshme financiare për rritjen e pagës minimale dhe të adresojnë me kohë kërkesat e tyre pranë autoriteteve kontraktuese përkatëse.

Ju njoftojmë se nëse pagat e Janarit nuk dalin më rritje, mund të ketë ndërprerje të shërbimeve në të gjitha institucionet përkatëse. Kjo është një situatë që ne nuk e dëshirojmë, veçanërisht në sektorë të ndjeshëm si spitalet, Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe institucionet tjera arsimore.

Andaj, ju ftojmë të reagoni me kohë dhe të ndërmerrni të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi. /Telegrafi/

Reduktimet e rrymës, KESCO: Sistemi elektro-energjetik në situatë të jashtëzakonshme, 50 për qind e energjisë po importohet

14 January 2026 at 10:38


Vendi sot po përballet me reduktime të energjisë elektrike.

Lidhur me këtë situatë, KESCO në një njoftim për media thekson se sistemi elektro-energjetik është duke u përballur me një situatë të jashtëzakonshme, si pasojë e rritjes së ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike, e cila aktualisht nuk mund të mbulohet plotësisht nga prodhimi vendor.

“Për shkak të kësaj rritjeje, KESCO është e detyruar të sigurojë rreth 50% të energjisë elektrike përmes importit, në kushte shumë të vështira të tregut rajonal dhe ndërkombëtar. Aktualisht, kapacitetet ndërkufitare janë të kufizuara dhe kjo po krijon presion të madh në sigurimin e sasive të nevojshme.

Furnizuesi ka vepruar dhe vazhdon të veprojë me përgjegjësi të plotë, duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet e nevojshme për mbulimin e nominimeve të energjisë elektrike, si përmes kontratave bilaterale, ashtu edhe përmes tregtimit një ditë para dhe ofertave brenda-ditore. Megjithatë, për shkak të realitetit aktual të tregut dhe kufizimeve ndërkufitare, ku kufiri Kosovë–Serbi nuk është funksional në aspektin komercial, ndërsa kufijtë me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut kanë kapacitete të kufizuara që nuk mjaftojnë për të mbuluar të gjithë kërkesën e vendit, sigurimi i energjisë elektrike sipas nevojës reale mbetet i vështirë”, thuhet në njoftim.

KESCO tutje njofton se tregu ALPEX, për shkak të likuiditetit të kufizuar në këto ditë me kërkesë të lartë, nuk ka ofruar sasi të mjaftueshme të energjisë elektrike, duke e bërë të pamundur mbulimin e plotë të nevojave vetëm përmes këtij mekanizmi tregtar.

“Në këtë kontekst, KESCO ndien obligim të informojë me transparencë konsumatorët për situatën reale dhe arsyet objektive që kanë çuar në aplikimin e kufizimeve me energji elektrike sipas nevojës, me qëllim të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit elektroenergjetik.

KESCO mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, të bëjë çdo përpjekje për sigurimin e energjisë elektrike dhe për minimizimin e ndikimit te konsumatorët, duke i falënderuar ata për mirëkuptimin në këto rrethana të jashtëzakonshme”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

...

Paralajmërohet reduktime të rrymës për sot, KOSST thotë se detyrohet të kufizojë ngarkesën për të ruajtur sigurinë e sistemit

14 January 2026 at 07:59


Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT ka thënë se si i rezultat i nominimeve të pamjaftueshme të energjisë elektrike nga KESCO për mbulimin e nevojave të konsumit është duke operuar me jo balanca të mëdha dhe të vazhdueshme, të cilat në orë të caktuara tejkalojnë mbi 200 MW.

Në njoftimin e publikuar të martën në mbrëmje thuhet se KOSTT, në përputhje me rolin e tij si operator i sistemit dhe i tregut, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për stabilizimin e sistemit, përfshirë aktivizimin e shërbimeve ndihmëse të balancimit si dhe organizimin e ankandeve brendaditore për balancimin e sistemit.

“Njoftojmë opinionin publik se, si rezultat i nominimeve të pamjaftueshme të energjisë elektrike nga KESCO për mbulimin e nevojave të konsumit më 13 janar 2026 dhe 14 janar 2026, Zona e Kontrollit e KOSTT-it është duke operuar me jo balanca të mëdha dhe të vazhdueshme, të cilat në orë të caktuara tejkalojnë mbi 200 MW”, thuhet në njoftim.

Sipas KOSTT për shkak të diferencës jashtëzakonisht të madhe ndërmjet nominimeve dhe konsumit real, masat e ndërmarra nuk kanë qenë të mjaftueshme për të eliminuar jo balancat në nivelin e krijuar.

Këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, rrisin ndjeshëm rrezikun për stabilitetin e sistemit dhe mund të sjellin pasoja serioze për KOSTT-in, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikim të Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E”, thuhet në njoftim.

Në këto rrethana, për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik dhe për të mbrojtur integritetin e rrjetit, KOSTT është i detyruar të aplikojë kufizimin e ngarkesës (reduktime), sipas nevojës dhe në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe operative.

Tutje thuhet se me përmirësimin e situatës dhe stabilizimin e balancimit, KOSTT do të ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme për stabilizim të sistemit. /Telegrafi/

Sot në Kosovë përfaqësuesi i BE-së për dialog, Peter Sorensen

14 January 2026 at 07:48


Sot do të jetë për vizitë në Kosovë, Peter Sorensen, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Sorensen do të takohet me presidenten e vendit, Vjosa Osmani në ora 10:00.

Emisari evropian pritet të ketë edhe një takim me përfaqësuesit e partive opozitare.

Brukseli pret që, pas formimit të qeverisë së re në Prishtinë, procesi i dialogut të ringjallet.

Pas Kosovës, Sorensen do të jetë në Serbi më 15 janar. /Telegrafi/

Dorëheqje apo reformë në LDK, flasin njohësit e çështjeve politike

14 January 2026 at 07:32


Zhvillimet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës pas rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit kanë qenë temë e diskutimit në emisionin RTK Prime.

Panelistët në studio diskutuan e analizuan deklarimet e liderit të LDK-së Lumir Abdixhiku pas takimit që ky i fundit ka pasur me nënkryetarët e LDK-së, aty ku Abdixhiku përsëriti se dorëheqjen do ta ofrojë në organin më të lartë të partisë, kuvendin e LDK-së.

Artan Alijaj, ekspert për qeverisje dhe procese politike tha se po të donte Abdixhiku të jepte dorëheqje nga kreu i partisë, këtë do ta bënte të dielën e 28 dhjetorit pas rezultatit zgjedhor të LDK-së.

“Kjo që u tha për mua është e pakuptimtë. Nuk ka nevojë të pritet Kuvendi dhe të jepet dorëheqje para Kuvendit dhe nuk ka nevojë ta pranojë askush atë dorëheqje. Nëse do të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor të 28 dhjetorit ka mundur të japë dorëheqje e të largohet menjëherë”, tha ai.

Politologu Melazim Koci, deklarimet e Abdixhikut i ka quajtur si tentim për të amortizuar, siç tha ai, kërkesat që i bëhen për të dhënë dorëheqje, raporton RTK.

“E dëgjova një pjesë ku pyetet nëse do të mbetet kryetar, nëse vendimi i Kryesisë dhe Kuvendit do të jetë që ai të mbetet, dhe ai thotë po, se ai do ta respektojë vendimin. Supozoj që Kryesia do ta refuzojë me shumicë dorëheqjen e tij. Nëse Kuvendi e miraton dorëheqjen e Abdixhkikut unë nuk e përjashtoj mundësinë që do të ketë dridhje të madhe brenda LDK-së e do të ketë largime të mëdha, sepse edhe janë në gjendje të rëndë. LDK-së i duhet një rifreskim, nuk do të mjaftojë vetëm dorëheqja e Abdixhikut”, tha Koci.

Profesoresha, Besa Luzha tha se LDK-ja duhet të analizojë problemin e vetë nga aspekti strukturor.

“Si ndodhi që me 9 shkurt të kishte një lloj ngritje dhe u vlerësua kaq shumë kontributi i këtij lidershipi e brenda një kohe të shkurtër pati rënie me po të njëjtin lidership. Këtu duhet të hyhet më thellë. Unë e pashë si një lloj obligimi moral që e ka ndierë. Të gjithë kanë pritur do të jepte atë ditë dorëheqje, por unë nuk kam pritur atë ditë të jepte dorëheqje. Unë personalisht kam menduar që atë ditë nuk ka qenë koha të ofrohet, sepse ka qenë shumë shok i madh edhe për të edhe për Kryesinë”, tha Luzha në RTK Prime.

Muhamet Hajrullahu analist tha se ka parë vullnet tek Abdixhiku për të dhënë dorëheqje.

“Unë pashë vullnet të Lumir Abdixhikut me dhënë dorëheqje, ka vullnet që e ka lënë në dorë të Kuvendit të partisë. Përgjegjësia vjen nga Abdixhiku dhe i gjithë lidershipi i partisë”, deklaroi Hajrullahu në RTK Prime.

Moti në Shqipëri

14 January 2026 at 07:27


Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se Shqipëria të mërkurën do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

SHMU njofton se moti parashikohet alternime kthjellimesh e vranësira kalimtare.

Tutje bëhet e ditur se do të ketë mjegull përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit e të mbrëmjes.

Era do të fryjë me drejtim verilindje– juglindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s.

Deti - Valëzimi forcës 1-2 ballë. /Telegrafi/




Sot vranët dhe intervale me diell

14 January 2026 at 07:02


Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me intervale me diell.

IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -5 deri -2°C, ndërkaq ato maksimale nga 1-5 gradë Celsius.

Era do të fryjë kryesisht nga juglindjes me shpejtësi 1-8 m/s. /Telegrafi/

❌
❌