Tano Banushi, emblema e humorit shqiptar
TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Më 4 shkurt te vitit 1927, lindi aktori i njohur i estradës shkodrane, Athanas Banushi, i njohur nga publiku si Tano Banushi.
I përkundur në djepin e kulturës, në Shkodër, Tano, nisi rrugëtim artistik në Teatrin “Migjeni”. Në një kohë fare të shkurtër, u shndërrua në një prej aktorëve më të parapëlqyer jo vetëm në vendlindje, por në mbarë vendin.
Aktori Tano Banushi numëron mbi 1000 role përgjatë një karriere rreth 45-vjeçare. Në morinë e interpretimeve spikati në mishërimin e shefave, brigadierëve dhe drejtorëve, pavarësisht kuadrit ideologjik të diktaturës komuniste, duke sprovuar shpeshherë kufijtë e disidencës.
Kapteri te “Prefekti” i Besim Lëvonjes, Llomoviti te “Fejesa” e Çehovit, marinari te “Tragjedia optimiste” e Vishnjevskit, si edhe Leo te komedia “Këshilli i ndrikullave” të Sheri Mitës, ishin disa prej roleve të tij më të suksesshme. Për merita të veçanta në mjeshtrinë e aktrimit, është vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh” dhe “Artist i Popullit”.
Më 5 shkurt 1986 doli në pension, 4 vjet pasi kishte mbushur moshën e pensionit. E vijoi veprimtarinë artistike, duke shkruar e botuar edhe skeçe, tregime humoristike e anekdota. Ndërroi jetë më 7 gusht 1993.
The post Tano Banushi, emblema e humorit shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.