Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 January 2026Main stream

Arrestohen dy persona të dyshuar për vjedhje në institucione arsimore në Viti

15 January 2026 at 20:43


Me datën 15.01.2026, Njësia e Hetimeve të Stacionit Policor në Viti si rezultat i zhvillimit të veprimeve intensive hetimore ka arritur që të identifikoj dhe arrestuar dy persona të dyshuar meshkuj kosovar M.J. (viti i lindjes 2002) dhe B.K. (viti i lindjes 2006) me dyshimin për përfshirje të tyre në disa raste të vjedhjes së rëndë të ndodhura në tri institucione arsimore në komunën e Vitisë.

Të dyshuarit, dyshohet se në bashkëveprim në tri lokacione të institucioneve arsimore kanë vjedhur një sasi e konsiderueshme e pajisjeve dhe mjeteve, përfshirë laptop, iPad, projektorë dhe pajisje të tjera të teknologjisë e mjete të ndryshme pune.

Në kuadër të procedurave ligjore me urdhër të gjykatës kompetente, janë realizuar kontrolle në dy lokacione, gjatë të cilave janë gjetur dhe konfiskuar dëshmi materiale relevante përkatësisht sende të dyshuara të vjedhura, të cilat pas verifikimeve janë ndërlidhur me rastet në fjalë.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe të njëjtit me vendim të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Merrte pagë pa shkuar në punë për mbi dy vjet, arrestohet bibliotekisti dhe një zyrtar tjetër në Gjilan

15 January 2026 at 20:21


Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, pas hetimeve të zhvilluara nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Gjilan, në koordinim me prokurorinë kompetente.

Sipas njoftimit zyrtar, njëri nga të dyshuarit, mashkull kosovar, i punësuar si bibliotekist në një shkollë me kontratë pune për kohë të pacaktuar, dyshohet se për një periudhë të gjatë kohore nuk është paraqitur në vendin e punës, ndërkohë që ka vazhduar të përfitojë paga mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Hetimet kanë zbuluar se nga viti 2023 deri në tetor të vitit 2025, i dyshuari ka shkaktuar dëm financiar në vlerë prej 19,067.69 euro, duke përfituar pagesa pa kryer obligimet e punës.

I dyshuari i dytë, po ashtu mashkull kosovar dhe në cilësinë e personit zyrtar, dyshohet se nuk ka raportuar mungesën e të parit pranë autoriteteve përkatëse, duke mundësuar vazhdimin e pagesave pa bazë ligjore dhe, sipas policisë, ka konsumuar të njëjtën vepër penale.

Të dy të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.

Hoti kërkon dorëheqjen e Abdixhikut: Standardi i dorëheqjes pas humbjes së thellë është i qartë

15 January 2026 at 20:06


Hoti paralajmëron dorëheqjen nga organet e partisë nëse lidershipi i LDK-së nuk merr përgjegjësi.

Ish-kryeministri dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për unitet dhe reflektim të përbashkët brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas rezultatit të dobët të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.

Në një shkrim në Facebook, Hoti theksoi se statuti i LDK-së është i qartë: në rast dorëheqjeje të Kryetarit, Kuvendi thirret për t’u njoftuar dhe më pas zgjedh kryetarin e ri, siç ka ndodhur edhe në vitin 2021.

Ai paralajmëroi se çdo devijim nga kjo procedurë përbën tentativë për të relativizuar përgjegjësinë politike të lidershipit.

Hoti theksoi se pas humbjes së thellë zgjedhore, LDK-ja ka nevojë për lidership të ri dhe një riorganizim gjithëpërfshirës në të gjitha nivelet, në mënyrë transparente dhe statutar.

"Standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021. Ky standard është përqafuar dhe promovuar me këmbëngulje nga vetë z. Abdixhiku. Prandaj, çdo përpjekje për ta shmangur sot këtë standard është në kundërshtim të hapur me parimet që vetë lidershipi aktual i ka shpallur si vlera udhëheqëse", ka shkruar Hoti.

Ai paralajmëroi gjithashtu se, nëse lidershipi nuk merr përgjegjësinë e duhur, do të japë dorëheqjen nga organet drejtuese të partisë, duke e quajtur këtë qëndrim një akt politik parimor dhe jo emocional.

Sipas Hotit, LDK-ja ka potencial të madh politik, njerëzor dhe programor, dhe ky potencial duhet të vihet në shërbim të qytetarëve dhe shtetit përmes reformimit të thellë, gjithëpërfshirës dhe transparent.

Ai bëri thirrje që të gjithë anëtarët e Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm, kryetarët e degëve dhe delegatët e Kuvendit të LDK-së të kontribuojnë në zgjedhjen e lidershipit të ri dhe drejtimin e duhur të partisë./Telegrafi/


Tragjedi në Slloveni: 28-vjeçari nga Kosova humb jetën pas aksidentit me autocisternë

15 January 2026 at 19:33


Një 28-vjeçar nga Kosova, Leun Kastrati nga fshati Turjakë i Malishevës, ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë që ndodhi në Slloveni.

Lajmi është bërë i ditur nga faqja e fshatit Turjakë, e cila shprehu ngushëllimet më të thella për familjarët e viktimës dhe njoftoi se do të informojë për kohën e varrimit.

Aksidenti ndodhi në autostradën A1, mes Lubjanës dhe Mariborit, pranë Slovenska Bistricës, kur një autocisternë me karburant u përmbys dhe përfshi nga flakët.

Lidhur me këtë ngjarje tragjike kanë raportuar edhe mediat në Slloveni.

Përveç viktimës, dy persona të tjerë u lënduan.

Sipas raportimeve të policisë, aksidenti ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit. Shoferi i autocisternës, duke udhëtuar drejt Mariborit, humbi kontrollin mbi mjetin, u përplas me barrierën ndarëse dhe më pas u përmbys në kahun e kundërt të autostradës, ku u përplas edhe një furgon.

Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes./Telegrafi/

Komandanti i FSK-së viziton bazën e aviacionit të Gardës Kombëtare të Ajovës në SHBA

15 January 2026 at 19:21


Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka vizituar bazën e aviacionit të Gardës Kombëtare të Ajovës, e cila konsiderohet një nga njësitë kyçe të kësaj garde.

Gjatë kësaj vizite, Gjeneral Jashari u njoftua nga afër me aftësitë dhe kapacitetet operacionale të bazës, përfshirë helikopterët e modelit Black Hawk që janë në dispozicion të Gardës Kombëtare të Ajovës. Stafi i njësisë prezantoi procedurat e trajnimit të personelit të aviacionit, proceset e mirëmbajtjes së helikopterëve, infrastrukturën mbështetëse si dhe inspektimet e nevojshme për funksionimin e sigurt të tyre.

Në takim morën pjesë edhe drejtues të lartë të Gardës Kombëtare të Ajovës, me ç’rast Gjeneral Jashari dhe Gjeneral Osborn u pajtuan për krijimin e grupeve të përbashkëta punuese, të cilat do të fokusohen në planifikimin e ngritjes së kapaciteteve të aviacionit në kuadër të FSK-së. Ky bashkëpunim do të përfshijë trajnimin, operimin, mirëmbajtjen si dhe ndërtimin e infrastrukturës adekuate.

Në përfundim të vizitës, GLT Jashari vlerësoi lart profesionalizmin dhe përvojën e kësaj njësie, duke falënderuar stafin e bazës së aviacionit për gatishmërinë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj FSK-së. Ai theksoi se helikopterët Black Hawk përfaqësojnë një kapacitet shumë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm për zhvillimin e mëtejmë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në të ardhmen./Telegrafi/

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë

15 January 2026 at 19:16


Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit S.R., për shkak të dyshimit për përfshirje në veprat penale: Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, Sulmi ndaj personit zyrtar, dhe Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale huliganizmi. Masa e paraburgimit është caktuar për 1 muaj.

Gjyqtari i procedurës paraprake vlerësoi se paraburgimi është masa më adekuate, pasi nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku që ai të arratiset duke pasur nënshtetësi serbe, të ndikojë tek dëshmitarët ose bashkëkryesit e tjerë, apo të asgjësojë prova.

S.R. dyshohet se më 29 maj 2023, së bashku me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka marrë pjesë në dhunë ndaj forcave paqeruajtëse të KFOR-it në perimetrin e komunës së Zveçanit, duke tentuar pengimin e vendosjes së rendit kushtetues. Si rezultat i sulmeve, u lënduan të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, nga të cilët 3 nga predhat e armëve të zjarrit, dhe u shkaktuan dëme materiale të konsiderueshme, përfshirë djegien e disa automjeteve.

Palët kanë të drejtë të ankohen ndaj këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./Telegrafi/


Osmani takon Piripatin, diskutuan për zgjedhjet dhe bashkëpunimin  Kosovë-SHBA

15 January 2026 at 19:04


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati.

Gjatë takimit u diskutua mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe rëndësinë e përmbushjes së standardëve më të larta demokratike, të cilat u vlerësuan lart nga të dyja palët. U theksua nevoja për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve, duke respektuar plotësisht kushtetutën e vendit.

Presidentja Osmani dhe Prattipati shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për një sërë çështjesh të rëndësishme në bashkëpunimin bilateral, ku Presidentja Osmani ripërsëriti përkushtimin e Kosovës për të ecur krah për krah me Shtetet e Bashkuara, në frymën e besimit të ndërsjellë, vlerave të përbashkëta dhe bashkëpunimit strategjik.

Në fund të takimit, Prattipati përcolli Presidentes Osmani dhe Zotërisë së Parë urimet për Vit të Ri nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Zonja e Parë, Melania Trump./Telegrafi/


Prej tre muajsh e zhdukur, gjendet e pajetë 35-vjeçarja shqiptare në Itali

15 January 2026 at 18:40


Floresha Prengu, 35 vjeç, banore e Trentos në Itali dhe nënë e dy vajzave, u gjet e vdekur 40 kilometra larg shtëpisë së saj, përgjatë lumit Adige.

Trupi i saj u identifikua këtë të enjte nga familja e saj, e cila kishte shpresuar deri në fund për një rezultat tjetër.

Floresha, me origjinë shqiptare, u pa për herë të fundit në qendër të qytetit më 22 tetor. Pas zhdukjes së saj, familja menjëherë kontaktuar policinë dhe publikun, duke kërkuar ndihmën e tyre për të gjetur një të afërm. Kërkimi për Floreshën u bë në shkallë të gjerë, duke përdorur patrulla të lumit, zjarrfikës vullnetarë përgjatë lumit Adige, si dhe helikopterë për kontrolle ajrore, por nuk dha rezultate konkrete, shkruan Corriere.

Për më shumë se dy muaj, kërkimet u shpërndanë përtej kufijve të Trentinos dhe të gjitha prefekturat italiane u informuan për zhdukjen e saj.

Sipas autoriteteve, mendohet se 35-vjeçarja u mor nga rryma e lumit Adige, të cilës nuk arriti dot t’i mbijetonte.

BE konfirmon se po punohet për heqjen e plotë të masave brenda disa javësh

15 January 2026 at 18:19


Komisioni Evropian ka konfirmuar se të gjitha masat ndaj Kosovës mund të hiqen brenda disa javësh, sapo të përfundojnë procedurat e brendshme në strukturat e Brukselit.

Drejtori i Drejtoratit për Zgjerim, Jan Koopman, ka bërë të ditur se, së bashku me pjesën e masave që tashmë janë hequr, për Kosovën do të lirohen mbi 400 milionë euro.

Aktualisht, sipas tij, po punohet në fazën e programimit dhe kontraktimit.

“Ndërmjet programimit dhe kontraktimit, ne, në mënyrë efektive, në javët e ardhshme do t’i kishim hequr të gjitha masat financiare. Kjo është pak a shumë ajo që ka thënë Presidentja jonë dhe ajo që po planifikojmë të bëjmë tani, si dhe ajo që ne në të vërtetë po bëjmë në praktikë”, tha Jan Koopman.

Drejtori i Drejtoratit për Zgjerim ka folur në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian lidhur me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Situata e Kosovës në kontekstin e Planit të Rritjes, sipas tij, është relativisht e thjeshtë. Mjetet financiare do të lirohen sapo marrëveshjet përkatëse të ratifikohen – një proces që deri më tani ka qenë i pamundur për shkak të mungesës së institucioneve funksionale.

“Tani kjo është diçka që shpresojmë se do të përfundojë së shpejti. Pas zgjedhjeve në dhjetor, presim formimin e shpejtë të qeverisë. Më pas, autoritetet mund ta finalizojnë këtë dokumentacion, i cili është thelbësor për mbrojtjen e buxhetit të BE-së dhe interesave të taksapaguesve evropianë. Pas kësaj, do të jemi në gjendje të ecim shpejt, me shpresë për të kapur ritmin”, shtoi Koopman.

Ai ka konfirmuar gjithashtu se autoritetet kosovare kanë punuar intensivisht në këto reforma; shumë prej tyre janë përgatitur dhe mund të zbatohen shpejt. Për rrjedhojë, sipas tij, kapja e ritmit me vendet e tjera të rajonit është e mundur, por vetëm pas ratifikimit të nevojshëm në Kuvend./RTK

Instituti i Krimeve të Luftës me dokumentar për Masakrën e Reçakut – dëshmi që flasin me gjuhën e së vërtetës

15 January 2026 at 18:09


Një dokumentar i realizuar me dëshmi autentike, rrëfime të mbijetuarish dhe dokumente arkivore, që sjellin para publikut fakte të pakontestueshme mbi një nga krimet më të rënda të kryera në Kosovë.

I përgatitur nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), dokumentari i kushtohet zbardhjes së së vërtetës për Masakrën e Reçakut, një nga dëshmitë më të tmerrshme të krimeve serbe ndaj civilëve shqiptarë.

Ky realizim dokumentar synon ruajtjen e kujtesës historike, nderimin e viktimave dhe fuqizimin e së vërtetës përballë mohimit, duke folur përmes fakteve dhe dëshmive të drejtpërdrejta.


Policia kërkon ndihmë nga qytetarët për identifikimin e këtij personi

15 January 2026 at 18:02


Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për vjedhje të rëndë

Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi që dyshohet për përfshirje në veprën penale “Vjedhje e Rëndë”.

Sipas njoftimit zyrtar, Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Podujevë, me autorizim nga prokuroria kompetente, ka publikuar një fotografi të personit të dyshuar, duke mos dhënë detaje të tjera shtesë rreth rastit.

Policia u bën thirrje qytetarëve që çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin ose lokalizimin e personit në fjalë ta ndajnë me autoritetet.

Të gjithë ata që posedojnë informata relevante mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës përmes:

Policia vlerëson bashkëpunimin e qytetarëve si thelbësor për zbardhjen e rasteve penale dhe garantimin e sigurisë publike.


FBI sjell në Kosovë agjent special dhe analist të inteligjencës

15 January 2026 at 17:43


Byroja Federale Amerikane e Hetimeve, FBI, ka sjellur në Kosovë një agjent special dhe një analist të inteligjencës, të cilët do të angazhohen në bashkëpunim të drejtpërdrejtë dhe paralel me Policinë e Kosovës.

Të dy këta u prezantuan në pritjen që drejtori i përgjithshëm, Gazmend Hoxha, ua bëri bashkë me atasheun ligjor të FBI-së, Brendan Collins, si dhe me atasheun e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (DOJ-ICITAP), Kimberly Riffe, të enjten.

Sipas njoftimit, diskutimet janë fokusuar në planet për bashkëpunim të mëtejmë, forcimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e koordinimit ndërinstitucional, veçanërisht në fushën e hetimeve penale dhe inteligjencës.


Aksion i gjerë i Policisë në Zubin Potok, goditen lojërat e fatit dhe skemat piramidale

15 January 2026 at 17:37


Policia e Kosovës ka zhvilluar gjatë ditës së sotme një aksion të gjerë në komunën e Zubin Potokut, i cili lidhet me dyshimet për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe skemave piramidale.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili ka bërë të ditur se operacioni policor është zhvilluar në tri lokacione të ndryshme brenda kësaj komune.




Sipas Elshanit, në tri lokale në qytetin e Zubin Potokut po zhvilloheshin veprimtari të kundërligjshme, konkretisht organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

“Me datën 15.01.2026 njësia e hetimeve të stacionit policore Zubin Potok ne DRP Mitrovice Veri nga rrugët operative ka pranuar një informatë se ne tri lokale ne qytetin e Zubin Potokut janë duke u zhvilluar veprimtari te kundërligjshme konkretisht organizimi i skenave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm.

Njësia e hetimeve e stacionit policore Zubin Potok, me asistimin e njësive relevante te DRP Mitrovice Veri kemi bere bastisjen ne te tri lokalet. Ne te tri lokacionet janë hasur pajisje teknologjike te cilat mundësojmë zhvillimin e lojërave te fatit si dhe janë te dyshuar 5 (pesë) persona ku 3 (tre) prej tyre janë duke u intervistuar kurse 2 (dy) të tjerë nuk janë hasur aty por janë te njohur për policin, ndërsa janë intervistuar edhe 5 dëshmitarË. Është njoftuar prokurori kujdestar i cili ka udhëzuar qe te inicioj tri raste “Organizimi i skenave piramidale dhe bixhozit te paligjshëm” e sanksionuar me nenin 294 te KPRK-s”, ka njoftuar Elshani.

Nga po shkon LDK-ja?

15 January 2026 at 17:01


Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit të kaluar sollën rezultatin e dytë më të keq për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), partinë më të vjetër në Kosovë, që nga paslufta.

Por, përballë këtij momenti vendimtar për të ardhmen e partisë, Radios Evropa e Lirë (REL) s’i folën shumë nga përfaqësuesit e LDK-së, si: Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Hykmete Bajrami, Jehona Lushaku Sadriu, Avdullah Hoti, Anton Quni, Doarsa Kica Xhelili, Besian Mustafa, Arben Gashi e Agim Veliu.

Për politologun Dritëro Arifi, kjo simbolizon “mbylljen” e LDK-së, që kur u morën vesh rezultatet e zgjedhjeve, se ajo mori vetëm 13.23 për qind të votave.

Arifi shpreson që, të paktën, kjo kohë po shfrytëzohet për të menduar për “risitë që duhet të sjellë LDK-ja në strukturat e partisë”.

Për njohësen e zhvillimeve politike, Donika Emini, risia kryesore që i duhet LDK-së është ikja nga një lloj “gjumi letargjik”.

“Prej 2021 deri më 2025, partia nuk ka qenë aktive në mënyrë të qëndrueshme, dhe kjo ka pasur pasoja të dukshme në perceptimin e saj si forcë politike”, thotë Emini për REL-in.

Por, mbrëmjen e së mërkurës u shpërfaqën në Facebook disa mosmarrëveshje nga debati i brendshëm në LDK. Nënkryetarja e partisë, Hykmete Bajrami, tha se ka dhënë dorëheqje nga posti i saj, dhe kërkoi që të njëjtën ta bënte edhe kryetari Abdixhiku.

Ky i fundit, duke kërkuar që të tjerët “të sillen pa dramë e pa protagonizëm”, përsëriti se e ka ofruar dorëheqjen, por se vendimin për pranimin ose jo të saj do ta marrë Kuvendi i partisë.

LDK-ja përballë dy testeve të para

Një test i parë për të ardhmen e LDK-së pritet të jetë reformimi ose jo i udhëheqjes së saj.

“Derisa e kemi një kryetar, që thotë: ‘Unë po shkoj; por, nëse ju më besoni, unë mund të vazhdoj’… Kjo tregon që këtu nuk ka qasje [për të ardhmen e partisë]. Këtu ka më shumë interesa personale sesa partiake”, thotë Arifi për REL-in.

Një tjetër moment kyç që mund ta formësojë LDK-në është edhe bashkëpunimi ose jo me partinë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për mandatin e ri pesëvjeçar të presidentit, që duhet të zgjidhet më 4 mars.

“Hapi më i mençur për LDK-në do të ishte ta pranonte rezultatin e zgjedhjeve dhe të mos e bllokonte procesin e zgjedhjes së presidentit”, thotë Emini.

Ajo beson se nëse LDK-ja nuk tregohet bashkëpunuese, asaj mund t’i largohen deputetë drejt LVV-së, ose të pësojë rënie edhe më të madhe në zgjedhjet e ardhshme.

Ku gaboi LDK-ja dhe si mund ta rikthejë besimin e elektoratit?

Rezultatet e veta më të mira, LDK-ja i gëzoi në vitet e para të pasluftës, nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës. Atëbotë, kjo parti fitonte rreth 45 për qind, por tani ka rënë në rreth 13 për qind.

Për Arifin, sinjale për rënien e LDK-së ka pasur mjaft.

“Këto janë gjëra që partitë nuk duan t’i pranojnë, jo që nuk i dinë”, thotë ai, duke shtuar se rënia e tillë tregon se ka dështuar e gjitha struktura e LDK-së në nivel vendi.

Një nga arsyet pse LDK-ja ka humbur besimin e shumë qytetarëve, thotë Arifi, është se ardhjet e fundit në parti e kanë përmirësuar listën për deputetë, por s’kanë sjellë shumë vota, pasi nuk janë integruar në udhëheqje të partisë.

Për Eminin, gabimi i LDK-së qëndron te “ngrirja në kohë” dhe insistimi në “frymën rugoviane”, ndërkohë që “votuesit kërkojnë zgjidhje të reja dhe përfaqësim të gjeneratave të reja”.

Por, ajo thekson edhe disa përçarje brenda partisë.

“Heqja e Agim Veliut nga lista ishte e kushtueshme politikisht. Veliu përfaqësonte një pjesë më tradicionale të LDK-së, dhe mungesa e tij ndikoi në rezultatin e partisë”, thotë Emini, duke shtuar se, në anën tjetër, njerëzit e rinj s’tërhoqën votat e të rinjve që kërkonin ide të reja.

Ajo shton se me sfida të ngjashme përballet edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Si dy partitë kryesore në vitet e para të pasluftës dhe pas pavarësisë së Kosovës, tani këto dy parti po e kanë të vështirë të shfaqen si alternative serioze qeverësise ndaj LVV-së.

E, si mund të ndryshojë kjo? Duke u reformuar, thotë Emini.

Si hap i parë, shton ajo, është pranimi i realitetit: LDK-ja radhitet si partia e tretë më e madhe në vend, me vetëm 15 vende të fituara në Kuvend nga gjithsej 120.

Hapat e radhës i theksojnë po aq fuqishëm edhe Emini, edhe Arifi: LDK-ja duhet të bëjë matje e analiza se pse ka humbur, e pastaj të pozicionohet si opozitë sa aktive, po aq edhe konstruktive.

Duke qenë aktive në Kuvend, në raport me mediat, me shoqërinë civile, me pozitën e opozitën, Emini thotë se LDK-ja mund të paraqitet si forcë e madhe politike edhe me numër të vogël deputetësh./Radio Evropa e Lirë/

Në QNR rinumërohen mbi 17% e vendvotime ku u hasën parregullsi

15 January 2026 at 16:42


Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e enjte, 15 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar 158 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave të ndryshme, si: Deçan (5), Gjakovë (15), Gllogoc (7), Gjilan (13), Dragash (57), Istog (6), Kaçanik (44), Klinë (5), Fushë Kosovë (3) dhe Mitrovicë e Jugut (3).

Në platfomën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi.

Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut)./Telegrafi/

Bie masivi shkëmbor, bllokohet rruga nacionale Dragash–Shishtavec

15 January 2026 at 16:17


Si pasojë e shkarjes së një masivi shkëmbor në afërsi të fshatit Krushev, në territorin e Republikës së Kosovës, është bllokuar rruga nacionale Dragash–Shishtavec.

Sipas informacioneve nga terreni, shkarjet e dheut dhe gurëve kanë bllokuar plotësisht të dy korsitë e lëvizjes, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve në këtë segment rrugor.

Situata paraqet rrezik për sigurinë e mjeteve që kalojnë në këtë segment, pasi në këto momente janë rritur temperaturat duke shkaktuar shkrirje të borës e akullit por edhe të shkëputjes së shkëmbinjve, raporton Top Channel

Ndërmarrja për Mirëmbajtjen e Rrugëve të Kosovës ka dalë në vendngjarje dhe ka vendosur konët e bllokimit, duke sinjalizuar ndalimin e qarkullimit dhe duke parandaluar kalimin e mjeteve në zonën e rrezikuar.

Po ashtu, pritet ndërhyrje për pastrimin e rrugës dhe stabilizimin e masivit shkëmbor.

Ndërkohë, Policia e Kosovës u bën apel të gjithë drejtuesve të automjeteve që të shmangin këtë aks rrugor dhe të përdorin rrugë alternative, deri në një njoftim të radhës për normalizimin e qarkullimit.

Kjo rrugë ka rëndësi të veçantë për banorët e zonës, pasi lidh fshatrat Krusheva dhe Restelica, si dhe shërben si aks drejt pikës kufitare Krushev–Shishtavec.

IKSHPK përditëson të dhënat, përmirësohet cilësia e ujit në disa Rajone

15 January 2026 at 16:11


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në bashkëpunim me qendrat rajonale të shëndetit publik, po vazhdon monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit të pijshëm në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas rezultateve të analizave të datës 15.01.2026, situata e furnizimit me ujë të pijshëm mbetet e pandryshuar në rajonet e Prishtinës, Mitrovicës, Ferizajt, Prizrenit dhe Gjakovës, ku cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara.

Megjithatë, përjashtim bëjnë rajonet e Gjilanit dhe Pejës, ku janë evidentuar disa problematika specifike.

Rajoni i Gjilanit

Në zonën e Kamenicës, përkatësisht në Stacionin nr. 1 dhe Besa Center, cilësia e ujit është brenda kufijve të lejuar dhe konsiderohet e sigurt për pije.
Ndërsa në Stacionin e pompimit nr. 2, zonën Bahqja dhe fshatin Berivojcë, është vërejtur rritje e vlerave të nitrateve mbi kufijtë e lejuar. Si pasojë, uji në këto zona nuk rekomandohet për pije.

Rajoni i Pejës

Në komunat Pejë, Deçan, Junik dhe Istog, cilësia e ujit të pijshëm është në përputhje me standardet e lejuara.
Ndërkohë, në Klinë, përkatësisht rrjeti i ujit nga puset dhe rrjeti nga burimi Jarinë, për shkak të vlerave të rritura të turbullirës, uji nuk rekomandohet për pije.

IKSHPK u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e dhëna dhe njofton se monitorimi i cilësisë së ujit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik./Telegrafi/


Before yesterdayMain stream

Pse rrodhi ujë nga Tuneli i Llogarasë? Eksperti shpjegon fenomenin që u bë viral

12 January 2026 at 23:55


Një nga pamjet e shumta virale të përmbytjeve që kanë zgjatur për rreth një javë në vend ishte edhe momenti që tregonte një rrjedhje uji nga tavani në Tunelin e Llogarasë.

Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në TV Klan, eksperti për menaxhimin e burimeve ujore, Arduen Karagjozi, shpjegoi procesin nga pikëpamja gjeologjike, se përse mund të ketë ndodhur kjo gjë.

Biseda në studio:

Blendi Fevziu: Pati ujë në disa segmente të Tunelit të Llogarasë, që m’u duk pak e çuditshme. Karagjozi, çfarë mund të jetë? Aty nuk doli ujë gjatë punimeve për hapjen e tunelit, domethënë ishte i thatë gjithë gjithi. Tani është shkëmb shumë i fortë.

Arduen Karagjozi: Sepse punimet janë bërë përgjithësisht në kohë të thatë dhe nuk ka pasur këtë intensitet reshjesh.

Blendi Fevziu: Është punuar për 3 vjet aty, dimër-verë…

Arduen Karagjozi: Klodi e di më mirë, por nga informacioni që unë di nga gjeologjia, aty formacionet gjeologjike gëlqerore, të cilat filtrojnë ujë nga mali, dhe fakti që në pjesën e poshtme nuk ka fare burime, nënkupton që ato nuk kapin ndonjë shtresë të fisur që të krijojë mbajtje të ujit sipër dhe, normalisht, i gjithë uji, siç bie nga mali, futet nëpër këto hapësira që ka shkëmbi gëlqeror dhe shkon drejt detit. Në këtë rast, tuneli ka depërtuar në këto shtresa dhe, në rastet kur bie shi, kjo kullon ujë sipër.

Blendi Fevziu: Por kjo ndodhi këtë herë, sepse ka rënë shi një vit…

Arduen Karagjozi: Po, sepse këtë herë niveli i ujit ka qenë më i lartë dhe ka krijuar një ngarkesë më të madhe se ato të mëparshmet.

Blendi Fevziu: Krijon dëmtim?

Arduen Karagjozi: Nuk e besoj, është një ç’fryrje presioni. Besoj se do të ketë water-stop në pjesën që lidh dy segmentet me njëra-tjetrën, por presioni këtë herë duhet të ketë qenë më i madh, por s’besoj të ketë probleme të qëndrueshmërisë në asnjë rast.

AAK-ja me ndihmën e LVV merr drejtimin e Kuvendit Komunal të Junikut

12 January 2026 at 23:32


Sot është mbajtur mbledhja e Kuvendit Komunal të Junikut, në të cilën pikë kryesore e rendit të ditës ishte zgjedhja e Kryesuesit të Kuvendit Komunal.

Grupi i asambleistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka propozuar për këtë pozitë Shpejtim Gacaferin, ndërsa grupi i asambleistëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka propozuar Leonard Llollunin.

Propozimi i AAK-së është mbështetur nga kryetari i Qendrës së Vetëvendosjes në Junik, Jetmir Tofaj, çka ka qenë vendimtare për rezultatin e votimit.

Në procesin e votimit, kandidati i LDK-së, Shpejtim Gacaferi, ka marrë 7 vota, ndërsa kandidati i AAK-së, Leonard Llolluni, ka marrë 8 vota, falë mbështetjes së 2 nga 3 asambleistët e grupit të VV-së.

Me këtë rezultat, Leonard Llolluni është zgjedhur Kryesues i Kuvendit Komunal të Junikut./Telegrafi/


​Eksperti i kibernetikës: Sot ishte “fantazmë”, nesër mund të jetë incident

12 January 2026 at 21:42


Eksperti i kibernetikës, Halil Berisha, ka kritikuar disa media, duke thënë se janë shndërruar prijëse të keqinformimit.

Berisha ka shkruar në Facebook se qytetarët duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe skeptikë ndaj gjithçkaje që shohin online, veçanërisht kur përmbajtja është sensacionale, frikësuese dhe e pazakontë.

"Fantazma" që duhet të na frikësojë edhe më shumë. Një imazh i një “fantazme”, i krijuar me Inteligjencë Artificiale, u shpërnda me shpejtësi ditët e fundit dhe u mor si i vërtetë jo vetëm nga qytetarë të zakonshëm, por edhe nga shumë media. U bë lajm i madh. Jo sepse kishte rëndësi reale, por sepse solli klikime, shikime dhe reagime, shumë më tepër sesa shumica e lajmeve të përditshme të prodhuara nga vetë redaksitë. Kjo nuk është rastësi. Është dëshmi se një pjesë e mediave, nga prijëse të informimit publik, janë shndërruar në prijëse të keqinformimit, shpesh pa verifikim minimal dhe pa përgjegjësi profesionale”, ka shkruar ai.

Berisha thekson se kjo “fantazmë” nuk shkaktoi dëm serioz, frikësoi ose ngjalli kureshtje tek disa persona, por asgjë më shumë.

“Megjithatë ajo zbuloi diçka shumë më të rrezikshme: Kombinimi i Inteligjencës Artificiale, moskujdesit dhe paditurisë së disa mediave dhe shpërndarjes masive nga qytetarët në rrjete sociale, krijon një terren ideal që aktorë keqdashës, përfshirë armiq të vendit, ta shfrytëzojnë për të: krijuar panik, përhapur mjegull informative, nxitur përçarje, madje edhe trazira. Sot ishte një “fantazmë”, e nesër mund të jetë një incident, krizë, apo një kërcënim sigurie i fabrikuar. Në epokën e AI, verifikimi është domosdoshmëri. Dhe përgjegjësia nuk bie vetëm mbi qytetarët, por sidomos mbi mediat”, tha ai.

Sipas Berishës, ky rast duhet të shërbejë si mësim, jo si humor i radhës në internet.

❌
❌