Një gjykatë në Paris ka ndaluar dy kirurgë plastikë nga praktikimi i mjekësisë pas vdekjes së miliarderit belg-izraelit Ehud Arye Laniado gjatë një procedure kozmetike për zmadhimin e organit gjenital në vitin 2019.
Laniado, 65 vjeç, themelues i kompanisë Omega Diamonds, pësoi një sulm në zemër ndërsa i nënshtrohej injeksioneve që kishin për qëllim procedurën në klinikën estetike Saint-Honore-Ponthieu në Paris.
Hetimet zbuluan se procedura dhe substancat e përdorura nuk ishin shkaku i drejtpërdrejtë i vdekjes, por gjendja e tij e zemrës dhe përdorimi i substancave të ndaluara mund të kenë kontribuar në ngjarje.
Fillimisht prokuroria nisi një hetim për vrasje nga pakujdesia, por më pas akuzat u ndryshuan në mosndihmë ndaj një personi në rrezik, shkelje të rregullave për drogë dhe praktikim të mjekësisë pa licencë.
Kirurgu kryesor, i identifikuar si Guy H., mori një dënim me 15 muaj burg me kusht dhe i është pezulluar përjetë licenca e praktikimit mjekësor. Ndërsa asistenti që ishte prezent gjatë procedurës mori një dënim të pezulluar prej 12 muajsh, dhe ai gjithashtu është ndaluar përjetë nga ushtrimi i mjekësisë. Të dy u gjobitën përkatësisht me 50,000 € dhe 20,000 €.
Rasti ka ngritur shqetësime të reja mbi sigurinë dhe rregullimin e kirurgjisë estetike luksoze, veçanërisht kur procedurat kryhen jashtë protokolleve të rrepta mjekësore dhe për klientë shumë të pasur./Kb
KE po përgatit publikimin e një plani të ri për ta bërë procesin e zgjerimit të BE-së sa më të lehtë. Ky është një dokument me të cilin komisionerja Marta Kos do të përpiqet të anashkalojë veton në procesin e pranimit të shteteve të reja në këtë organizatë. Paraprakisht, Kos ka deklaruar se këto propozime do të publikohen gjatë muajit mars.
Brukseli po flet gjithnjë e më shumë për rishikimin e procesit të zgjerimit në një situatë ku BE-ja është në krizën më të madhe të ekzistencës së saj, për shkak të humbjes së autoritetit të saj në skenën ndërkombëtare, marrëdhënieve të dëmtuara me SHBA-të dhe luftës ende të vazhdueshme midis Ukrainës dhe Rusisë.
Arsyeja e drejtpërdrejtë për hartimin e këtyre propozimeve është kryesisht zhbllokimi i anëtarësimit të Ukrainës në BE, por padyshim që dokumenti mund të përdoret edhe për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, ky dokument është tashmë në një fazë paraprake dhe nënkupton anëtarësimin jo të plotë të shteteve kandidate.
Këto shtete do të uleshin në tryezën e Evropës së Bashkuar, por nuk do të kishin të drejtë vote, ndërkohë që nëpërmjet anëtarësimit gradual, do të fitonin akses në disa nga strukturat e BE-së.
Ky plan i ri për integrimin evropian nuk ka gjasa të realizohet sepse shtete si Hungaria, Sllovakia, Greqia, Kroacia dhe Bullgaria janë shprehur hapur kundër heqjes dorë nga të drejtat e tyre të vetos. Ky opsion do të bëhej më i realizueshëm nëse plani 20-pikësh i paqes i SHBA-ve për Ukrainën përfshin edhe të ashtuquajturin anëtarësim të përshpejtuar të këtij shteti në Bashkimin Evropian. Në një rast të tillë, Brukseli ka shumë të ngjarë të zgjedhë një paketë zgjerimi që do të përfshinte edhe Ballkanin Perëndimor.
Megjithatë, kjo ndërlikohet kur, paralelisht me këtë dokument jo-ligjor, Gjermania ka përgatitur tashmë një dokument të dytë që ka të bëjë me reformën e brendshme të BE-së dhe ecjen me dy shpejtësi. Ky projekt ka mbështetje nga Franca, Polonia, Spanja, Italia dhe Holanda.
Ukraina e ka refuzuar tashmë propozimin për anëtarësim të asociuar pa të drejtë vote dhe pa përfaqësim me komisioner në Bruksel.
Mali i Zi, i cili është në krye të procesit të zgjerimit dhe shpreson të anetaresohet në vitin 2028, ka deklaruar se nuk ka nevojë që të rishikohen rregullat për zgjerimin e BE-së. Shqipëria, pavarësisht se ka ecur shpejt me negociatat, beson se anëtarësimi alternativ është një mundësi e mirë./kb
Këtë të diel, Dardha, fshati malor në Korçë, është mbuluar me një shtresë të bardhë dëbore, që e ka kthyer në një pamje magjike. Pyjet e zonës, shtëpitë tradicionale me çati druri dhe rrugicat e ngushta të fshatit duket sikur dalin nga një kartolinë dimërore.
Për turistët, Dardha ofron një oaz të qetë dhe relaksues, larg zhurmës së qytetit, ku mund të shijosh shëtitje në borë, fotografi spektakolare dhe ngrohtësinë e bujtinave tradicionale. Pamja e maleve të mbuluara nga bora dhe dritat e fshatit në mbrëmje krijon një atmosferë të veçantë, ideale për pushime dimërore dhe eksperienca të paharrueshme.
Vizitorët mund të eksplorojnë gjithashtu sporte dimërore si skijimi dhe snoëboarding, ose thjesht të shijojnë kafenë apo çajin përballë bukurinë e natyrës.
Dardha mbetet një nga destinacionet më të bukura dimërore të Shqipërisë, duke ofruar një kombinim të peizazheve të mrekullueshme, qetësisë dhe mikpritjes tradicionale shqiptare./kb
Një raund i ri bisedimesh trepalëshe të ndërmjetësuara nga SHBA-të midis Ukrainës dhe Rusisë do të zhvillohet në Abu Dhabi më 4 dhe 5 shkurt, tha të dielën Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, duke shtuar se Kievi ishte gati për një “diskutim thelbësor”.
“Ekipi ynë negociator sapo ka dorëzuar një raport. Datat për takimet e ardhshme trepalëshe janë caktuar – 4 dhe 5 shkurt në Abu Dhabi”, shkroi ai në X.
“Ukraina është gati për një diskutim thelbësor dhe ne jemi të interesuar të sigurohemi që rezultati të na afrojë më shumë me një fund të vërtetë dhe dinjitoz të luftës.”/kb
Qarkullimi i automjeteve në aksin Librazhd-Qafë Thanë mbetet i bllokuar pas rrëshqitjes së një masivi dheu dhe gurësh në vendin e quajtur Dragostunjë, që zuri të gjithë gjerësinë e rrugës dhe bëri të pamundur kalimin e mjeteve.
Situata ka shkaktuar probleme të tjera pasi një ambulancë që transportonte një grua me këmbë të thyer u bllokua nga shembja.
Gruaja po dërgohej drejt Spitalit të Elbasanit, ndërsa stafi mjekësor ka ndëhyrë duke e nxjerrë me barrelë nga ambulanca dhe duke e kaluar në anën tjetër të rrugës përmes lumit pranë aksit, për të vazhduar transportin dhe për t’i dhënë ndihmën e nevojshme./kb
Ish-deputeti Myslim Murrizi ka kritikuar ashpër partitë që janë në koalicion me Partinë Demokratike, duke theksuar se kanë përfituar pa arritur pragun zgjedhor prej 1%.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Murrzi shkruan se këto parti kanë përfituar në zgjedhjet e 11 majit 8 mandate deputetësh dhe 640,000 euro nga taksat e shqiptarëve, megjithëse, sipas tij, nuk kanë mbështetje të mjaftueshme nga votuesit.
“Që nga viti 2001, për 25 vite dhe 7 palë zgjedhje parlamentare, këto parti marrin deputetë nga PD dhe fonde publike pa u ballafaquar realisht me votuesit,” shkruan Murrizi.
Ish-deputeti kritikon gjithashtu planet e ardhshme për rritjen e numrit të partive pa anëtarë dhe pa vota, duke u shprehur se kjo shkon në kurriz të demokratëve dhe synon të rrisë numrin e individëve që marrin rroga nga buxheti si kryetarë partie.
Murrizi përfundon postimin me një pyetje: “Si mendoni ju, a kanë vota reale këto parti për të marrë deputetë, apo kryetarët e tyre janë thjesht për të përfituar rreth 5,000 euro në muaj nga buxheti?”/Kb
Toka konsiderohet planet blu, si pasojë e ngjyrës së oqeaneve që zënë ¾ të sipërfaqes. Ideja u përforcua edhe nga fotografia historike e sondës Voyager në 1990, kur ndodhej në orbitën e Neptunit, rreth 6 mld km larg, ku planeti dukej si një pikë e kaltër, duke u etiketuar Pale Blue Dot.
Por më parë, ngjyra e oqeaneve ishte e gjelbër. Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Nature, nga 4–2.5 miliardë vite më parë, oqeanet e parë, kur Toka ishte plotësisht ndryshe, ishin shumë të pasur me një lloj bakteri, që janë ndër të parat që zhvilluan fotosintezën, e që ndryshe quhen edhe alga të gjelbra.
Një element që mund të ketë ndikuar ka qenë prania shumë e lartë e hekurit, çka bënte që ngjyra të ishte pikërisht e gjelbër, por duke u pakësuar dhe shpërndarë në atmosferë, dhe me ndryshimet e mëtejshme në procesin e fotosintezës, u soll ngjyra blu me kalimin e miliona viteve.
Ndërsa shkencëtarët thonë se, nëse sasia e squfurit do të rritet si pasojë e një aktiviteti vullkanik intensiv dhe të gjatë, kjo mund të sillte sërish ndryshim të ngjyrës së oqeaneve, që do të bëhej vjollcë. Por nëse do të verifikohej, do të duheshin sërish miliona vite që ngjyra e ujërave të ishte në sfumaturat e ngjyrës lejla./kb
Një trafik i rënduar është raportuar sot nga Hotolishti drejt Tiranës, ku karvani i mjeteve ka arritur në mbi 20 km.
Shkak për këtë bllokim është bërë rënia e një masivi dheu në zonën e Hotolishtit, ku vijojnë punimet e rindërtimit të rrugës.
Lëvizja e mjeteve të tonazheve të rënda dhe autobuzëve është e rënduar.
Mijëra mjete janë bllokuar në radhë, ndërsa policia rrugore duket se nuk është e pranishme në terren për të menaxhuar situatën.
Për të shmangur bllokimet, drejtuesit e mjeteve paralajmërohen të shmangin levizjet drejt Pogradecit, Korçës, Kashticës, përmes aksit të vjetër dhe të zgjedhin rrugë alternative, teksa nuk dihet ende se kur do të fillojë ndërhyrja për vijimin e qarkullimit./kb
Përballë turizmit masiv në destinacionet klasike evropiane, vende si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bullgaria po fitojnë terren në mesin e turistëve që kërkojnë pushime më të lira dhe më pak të populluara, shkruan Elena Horrillo në një artikull të botuar në të përditshmen spanjolle “El Pais”.
Vendet e Ballkanit vazhdojnë të thyejnë rekordin me numrin e lartë të turistëve. Më shumë se 1,1 miliardë turistë udhëtuan në vendet ballkanike midis janarit dhe shtatorit 2025, sipas raportit të fundit të Barometrit Botëror të Turizmit të kryer nga OKB-ja për TurizminTë dhënat treguan se numri i turistëve ishte 5% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024 dhe 3% më shumë se në vitin 2019, vitin para pandemisë.
E gjithë kjo, për shkak të inflacionit të lartë në shërbimet turistike dhe situatës gjeopolitike globale që nuk është aspak e qetë.
Pushimet në destinacione më të përballueshme dhe më pak të mbushura me turistë, të cilat kanë qenë gjithmonë nën radarin e vizitorëve, tani po renditen gjithnjë e më shumë mes vendeve të preferuara të turistëve.
Sipas raportit të fundit të “Skyscanner”, dëshira për të udhëtuar jashtë vendit vazhdon të rritet, por më shumë se një e treta e turistëve (34%) kërkojnë në mënyrë aktive të shmangin zonat e mbipopulluara dhe 31% planifikojnë të vizitojnë vende të njohura, por vetëm jashtë sezonit turistik.
Një përqindje e ngjashme e turistëve thotë se mbipopullimi ka ndikuar negativisht në përvojën e tyre të udhëtimit.
Në sferën e pushimeve të fundjavës ose pushimeve tre ose katër ditore – sipas “eDreams”, turistët po shikojnë drejt destinacioneve evropiane më të përballueshme, por më pak turistike, dhe kjo mbetet një trend në rritje.
Duke pasur parasysh këta faktorë, Ballkani po e vendos veten si një destinacion në zhvillim në hartën e turizmit.
Sipas të dhënave të ofruara nga “Booking.com”, të gjitha destinacionet në këtë rajon kanë potencial të konsiderueshëm rritjeje deri në vitin 2026, veçanërisht gjatë muajve të verës.
Bullgaria kryeson, me një rritje tprej 44% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2025, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut, me 35%. Kosova (23%), Shqipëria (20%), Mali i Zi (17%) dhe Serbia, me 3%.
Jo çuditërisht, Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, është ndër destinacionet e zgjedhura nga “Skyscanner” me çmimet më të përballueshme prej disa muajsh, dhe Shkupi, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, është një nga vendet e rekomanduara për vitin 2026 – pasi kombinon në mënyrë të përkryer sharmin oriental të pazarit të vjetër osman me një qendër monumentale neoklasike të rinovuar.
Shqipëria
E njohur si Toka e Shqiponjave, Shqipëria po bëhet gjithnjë e më popullore. Nuk është çudi, që në vitin 2025 ajo priti 12 milionë turistë, një shifër pothuajse pesë herë më e madhe se popullsia e saj.
Tirana i bashkohet listës së kryeqyteteve evropiane më të vizituara nga turistët, pjesërisht falë aeroportit që ndodhet atje.
Turistët mund të bëjnë një shëtitje nëpër Sheshin Skënderbej, sheshin kryesor të qytetit, të vizitojnë Xhaminë Et’hem Behut, Muzeun Kombëtar ose Bibliotekën Kombëtare.
Megjithatë, nëse ka një vend që ia vlen vërtet të eksplorohet, është Bunk’Art 2, një bunker bërthamor i shndërruar në muze për të përkujtuar epokën e diktaturës së Enver Hoxhës.
Shqipëria gjithashtu krenohet me thesare arkeologjike si Parku Arkeologjik i Butrintit – me banjot termale dhe teatrin romak – dhe qytete të bukura historike si Berati dhe Gjirokastra.
Nëse jeni duke kërkuar një vend të izoluar, Thethi është porta hyrëse për në Alpet Shqiptare dhe fshatin e bukur të Valbonës.
Megjithatë, padyshim një numër më i madh turistësh tërhiqen nga Riviera Shqiptare, falë plazheve të saj magjepsëse.
E ashtuquajtura Riviera Shqiptare, në jugperëndim dhe e lagur nga deti Jon, shtrihet midis Vlorës dhe Sarandës me ujëra të kristalta, bukuri natyrore mahnitëse dhe çmime të arsyeshme.
Vendet kryesore përfshijnë Ksamilin, Gjirin e Dafinës dhe Syrin e Kaltër, një burim që, krenohet me ujërat mbresëlënëse ngjyrë bruz.
Një autobus udhëtarësh ka pësuar një aksident tragjik të dielën në provincën Antalya të Turqisë jugore, duke rezultuar në të paktën 8 viktima dhe 26 persona të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje kritike, njoftojnë autoritetet lokale.
Rasti u konfirmua nga guvernatori i provincës së Antalya?s, Hulusi Sahin, i cili tha se të plagosurit janë marrë në spitalet e zonës për trajtim.
Autobusi, i cili po udhëtonte nga qyteti Tekirdag në perëndim të Turqisë drejt Antalya-s, u dëmtua rëndë pasi doli nga rruga dhe u përmbys në një luginë në zonën Dosemealti.
Shkaku i aksidentit duket se është humbja e kontrollit të mjetit në një pjesë të rrugës ku kushtet ishin të këqija për shkak të shiut të rëndë dhe rrugëve të lagura. Guvernatori përmendi se autobusi ka hyrë në një kthesë me shpejtësi të lartë, edhe pse udhëtarët dhe autoritetet i kishin paralajmëruar kushtet e vështira të trafikut.
Ekipet e shpëtimit, shërbimeve mjekësore, zjarrfikësve, agjencisë së emergjencave dhe policisë u dërguan në vendngjarje për të ndihmuar në shpëtimin e të mbijetuarve dhe evakuimin e të plagosurve./Kb
Reshjet e dëborës po vijojnë prej disa orësh në zona të shumta të Qarkut Korçë, teksa situata parqitet si më poshtë:
Në segmentet Boboshticë-Dardhë dhe Lapidar Podgorie-Podgorie-Liqenas, gjatë natës dhe në vijim ka pasur reshje bore. Po punohet për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve me dy mjete borepastruese.
Në aksin Korçë-Ersekë (K.3) ka reshje të pakta shiu, pa problematika në qarkullim.
Në akset e K.6, Bilisht-Miras dhe Zemblak-D. Gorice kanë filluar reshje bore me intensitet të ulët, pa krijim shtrese.
Në segmentet e Kontratës nr. 2 ka reshje shiu me intensitet të ulët.
Në Lotin 7, akset Libonik-Rëmbec-Plasë dhe Korçë-Voskopojë, gjatë natës ka pasur reshje shiu, ndërsa nga ora 06:00 ka reshje bore në km 9–18./Kb
Vdekja e Michael Beck po kthehet në një rast historik që mund të konfirmojë ekzistencën e armëve neurologjike, të cilat deri më tani konsideroheshin pjesë e teorive konspirative ose dosjeve sekrete të spiunazhit.
Beck, një ish-agjent i inteligjencës amerikane, ndërroi jetë fundjavën e kaluar duke u bërë potencialisht viktima e parë e njohur e “Sindromës së Havanës”.
Kjo sëmundje misterioze, që ka prekur qindra zyrtarë amerikanë nëpër botë, dyshohet se shkaktohet nga impulse valësh që godasin trurin dhe shkatërrojnë sistemin nervor pa lënë asnjë gjurmë të dukshme sulmi.
Historia e tij nisi në vitin 1996, kur gjatë një misioni në një shtet armik, ai dhe një koleg i tij u zgjuan me një ndjesi të fortë trullosjeje dhe pamundësi për të vepruar, simptoma që u zhdukën shpejt por lanë pas pasoja fatale.
Një dekadë më vonë, Beck u diagnostikua me Parkinson në moshën 45-vjeçare, ndërsa kolegu i tij vdiq pak kohë pasi humbi aftësinë për të ecur.
Një raport top-sekret zbuloi më vonë se vendi ku ata kishin shërbyer kishte zhvilluar një sistem me mikrovalë të fuqishme, i aftë për të gjymtuar ose vrarë kundërshtarët përmes energjisë së drejtuar, duke i bërë viktimat të vuanin nga paraliza dhe marramendja e vazhdueshme.
Dyshimet për ekzistencën e këtyre armëve përforcohen edhe nga dëshmi të vjetra që tregojnë se ish-teknikë të KGB-së u kishin ofruar shërbimeve sekrete pajisje të ngjashme, të fshehura në valixhe të thjeshta, që lëshonin rreze të padukshme për të neutralizuar njerëzit në distancë të shkurtër.
Edhe pse qeveria amerikane ka qenë hezituese për ta njohur zyrtarisht këtë lidhje, zbulimet e fundit tregojnë se Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka blerë së fundmi një pajisje që prodhon të njëjtat efekte, e cila mund të mbahet në një çantë shpine dhe përmban pjesë të prodhuara në Rusi.
Vdekja e Beck shënon kështu kalimin e një kufiri të ri dhe të frikshëm në teknologjinë e luftës, ku armët e padukshme neurologjike mund të vrasin në heshtje çdo objektiv të përzgjedhur./kb
Kryeministri Edi Rama, në podcast-in e tij “Flasim” ka rrëfyer sot disa përjetime që lidhen me ngjarje të vitit 1997, kur pësoi dhunë fizike.
Rama tregoi se në kohën kur ishte pedagog në Universitetin e Arteve, disa “skulptorë” i dëmtuan hundën.
“Unë e kam një problem, por e kam nga dora e njeriut, jo nga natyra. Ma kanë marrë hundën në dorë ca skulptorë nga ata të hurit dhe të litarit dhe ma kanë bërë copash. Në pjesën këtej ka një devijacion. Mua ma morën në dorë skulptorët dhe skulptorë me leva hekuri dhe gyp gyp e kam dhe këtu prapa në kokë dhe buzë. Këto janë patina e kohës, janë skulpturat, edhe kur thyhet ndonjë hundë apo dorë nga koha nuk është mirë që t’ua zëvendësosh dhe të bësh medemek sikur janë të reja. Kështu mendoj unë”,-tregoi Rama./Kb
Pothuaj një shekull më parë, ujërat e qeta të liqenit të Shkodrës ishin të mbushura me varka të panumërta. Peshkimi, transporti, udhëtimi dhe komunikimi mes fshatrave si Shiroka, Zogaj, Kraja, Ljarja dhe Shestani mbështeteshin të gjitha te këto mjete lundrimi.
Shumica e varkave ishin ndërtuar nga vetë fshatarët, ndërsa të tjerat ndërtoheshin nga artizanë vendas, punishtet e të cilëve, ndodheshin përgjatë brigjeve të lumit Buna. Ujërat në të gjelbër të errët, reflektonin fshatrat dhe banorët në jetën e tyre të përditshme: tek lundronin në liqen, mbanin rrjetat, uleshin në karrige, apo nisnin peshkimin para agimit.
Një shekull më pas, ndërsa kujtimi i varkave prej druri është zbehur, një projekt i financuar nga BE-ja po e ringjall atë, duke u përpjekur të rivlerësojë ujërat dhe tokat, biosferën e pasur nënujore e mbiujore, si dhe traditat, zanatet, kulturën, festivalet, ritualet, zakonet dhe trashëgiminë që përcaktojnë gjithë pellgun ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës. Zona tashmë është nominuar si rezervë ndërkufitare e biosferës në UNESCO, në kuadër të Programit “Njeriu dhe Biosfera”.
Dosja e nominimit u finalizua në kuadër të projektit “Zona e Pellgut Ujëmbledhës të Liqenit të Shkodrës – një Rezervë Ndërkufitare e Biosferës”, financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri-Mali i Zi, zbatuar nga Qendra EDEN (SH), EnvPro (MZ), Agjencia Kombëtare për Zonat e Mbrojtura (SH) dhe Parqet Kombëtare të Malit të Zi.
Pellgu i liqenit të Shkodrës përfshin vetë liqenin, daljen e tij përmes lumit Buna, lumenjtë Cem dhe Kir me degët e tyre, si dhe bashkimin e Drinit me Bunën.
“Së bashku, këto rrugë ujore krijojnë një peizazh të veçantë dhe dinamik që mishëron historinë e njerëzve dhe të vendit, duke reflektuar ndërvarësinë e thellë të njerëzimit dhe natyrës, si dhe duke shënuar themelin e kësaj dosjeje nominimi”, shpjegon Klodiana Marika, Drejtoreshë e Biodiversitetit dhe Zonave të Mbrojtura në Ministrinë e Mjedisit.
Ajo vëren se zona e biosferës së liqenit të Shkodrës strehon një mozaik të jashtëzakonshëm ekosistemesh – duke filluar nga liqeni, lumenjtë, deltat, ligatinat dhe lagunat deri te rërat bregdetare, pyjet dhe kullotat subalpine.
“Së bashku, ato formojnë peizazhe mbresëlënëse, të pasura me biodiversitet dhe të pajisura me vlera ekologjike, ekonomike dhe rekreative. Brenda rezervës, janë identifikuar 25 lloje habitatesh të listuara në Shtojcën I të Direktivës Evropiane të Habitateve, pesë prej të cilave njihen si habitate parësore”, thotë Marika.
Sipas ministrit të Mjedisit të Shqipërisë, përcaktimi i liqenit të Shkodrës si Rezervë Ndërkufitare e Biosferës brenda programit “Njeriu dhe Biosfera” të UNESCO-s përfaqëson një angazhim të përbashkët institucional nga Shqipëria dhe Mali i Zi për të mbrojtur trashëgiminë natyrore me vlerë të jashtëzakonshme, si dhe për të çuar përpara objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.
“Ky proces forcon bashkëpunimin ndërkufitar dhe krijon një kornizë të qëndrueshme për menaxhimin e integruar të ekosistemit, ruajtjen e biodiversitetit, përfshirjen aktive të komuniteteve vendore dhe pajtueshmërinë me standardet ndërkombëtare mjedisore, duke kontribuar për qëndrueshmërinë afatgjatë mjedisore, sociale dhe ekonomike të rajonit”, thotë ministri Sofjan Jaupaj.
Dosjet përfshijnë trashëgiminë e pasur të zonës, të reflektuar në peizazhin arkeologjik dhe kulturor përreth liqenit, si dhe vendndodhjen strategjike të rajonit si një udhëkryq i kulturave dhe qytetërimeve të ndryshme, duke përfshirë ato romake, bizantine dhe osmane. “
Përmes nominimit, Shqipëria konfirmon angazhimin e saj për fuqizimin e komuniteteve vendore, çuarjen përpara të qeverisjes mjedisore dhe pozicionimin e pellgut të liqenit të Shkodrës si një model kombëtar harmonie mes njerëzve dhe natyrës./Europa.eu/kb
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot mbi vizitën e tij zyrtare në Izrael, në nisje të episodit të ri të podcast-it të tij “Flasim”.
Rama tha se gjatë kësaj vizitë mbizotëroi një vlerësim i madh për Shqipërinë, në një kujtesë për rolin historik në ndihmën e hebrenjve.
Sipas kryeministrit, takimet e shumta në Izrael i hapin rrugën një sërë hapave të reja në bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Këtë javë isha në Izrael, i ftuar nderi në seancën plenare të Parlamentit të Izraelit, Knesset, një nder që bëhet rrallë dhe që mbart një peshë të jashtëzakonshme politike dhe historike, në këndvështrimin e ligjvënësve të atij vendi.
Në Jeruzalem, ishte Shqipëria që u vendos në piedestalin e respektit dhe përtej emocionit të madh personal, akoma edhe më i fortë ishte një emocion kombëtar, sepse ajo ftesë ishte një vlerësim i madh për Shqipërinë, për historinë e saj dhe për mënyrën se si gjyshërit tanë ditën të sillen kur historia vuri në provë njerëzimin dhe për natyrisht atë që Shqipëria është sot në arenën ndërkombëtare.
Fjala ime në Knesset ishte fjala e një populli në fakt, që nuk dorëzoi askënd dikur dhe që sot, nga zemra e Izraelit, mundi të flasë me qartësi për dinjitet njerëzor, për kujtesë paqeje dhe për përgjegjësi në një botë të trazuar, ku feja duhet të jetë melhem dhe jo helm mes popujve dhe në gjirin e popujve.
Në Izrael, ne hodhëm edhe një hap konkret drejt së ardhmes me themelimin e Dhomës së Tregtisë Shqiptaro-Izraelite, një instrument i ri bashkëpunimi që hap rrugë të reja për të ardhmen e përbashkët.
Kjo vizitë në thellësine e vet kishte një përmbajtje të atillë që i shërben, jo vetëm arsyeve pse u bë, por i shërben edhe të nesërmes, si një gur themeli për të ecur së bashku si një rrugë, ku ka plot arsye të paktën për ne nga ana jonë që t’i referohemi Izraelit, si një vend me zhvillim të jashtëzakonshëm, si një vend me ekspertizë të jashtëzakonshme, si një vend me realitete të jashtëzakonshme në fushën e teknologjisë, në fushën e bujqësisë, në fushën e sigurisë padiskutim dhe për të gjitha këto arsye unë jam vërtet krenar për atë që u bë në javën që lamë pas”,-u shpreh Rama./Kb
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në podcast-in “Flasim” u ndal edhe te zhvendosja organizative e zyrës së Kadastrës së Vlorës drejt Tiranës.
Sipas Ramës, agjencia kishte kaluar prej kohësh në një model shërbimi primitiv, që tanimë ofrohen online për të gjithë qytetarët.
“Dy fjalë për zhvendosjen e zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë. Dhe janë dy fjalë që duhen thënë, sepse edhe një herë tjetër u ngatërrua qëllimisht ose më falni idiotësisht, adresa fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ka kaluar prej kohësh nga një model shërbimi primitiv me sportele, radha, ecejake, zvarritje etj, etj, në një model shërbimesh online, ende i pambyllur plotësisht në të gjithë ciklin e vet, por gjithsesi përmes platformës, e-Albania, ky model mundëson që shumica e procedurave kadastrale, nuk kanë nevojë për paraqitjen fizikisht në një sportel të qytetarit. Kartela pasurie, vërtetime, regjistrime aktesh, kontratash, rivlerësime, të gjithë aplikohen dhe ndiqen online nga kudo, ku ndodhet qytetari, edhe nga Amerika.
Tani, gjithë kjo zhurmë dhe ky tension që u ndje në atë lëvizje, lidhet, jo vetëm me një perceptim të gabuar apo edhe informim të mangët, por edhe me një mendësi, e cila duhet përmbysur dhe duhet përmbysur, duke pasur parasysh që e nesërmja e afërt, jo e largët e Kadastrës, është një shërbim si plot shërbime të tjera, pa sportele, pa godina fizike të shpërndara në territor, por me akses në çdo shërbim, si një e drejtë themelore dhe një e drejtë që merret përmes celularit, që merret përmes kompjuterit më të afërt dhe që nuk ka asnjë lidhje me vendodhjen e zyrës.
Ky, nuk është i pari si veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit. Të tjera drejtori do të zhvendosen dhe ndërkohë, ajo që po punojmë për ditë pa pushim është që të sigurojmë mbylljen e ciklit, pra, jo më aplikim online dhe pastaj marrje mbrapsht të shërbimit me postë, por aplikim online dhe marrja e shërbimit menjëherë po aty online”,-tha Rama./kb
Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, deklaron se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka treguar asnjë provë reale se dëshiron përfundimin e luftës në Ukrainë. Sipas tij, Perëndimi duhet të jetë i qartë: Rusia nuk mund të mbajë territore që nuk i ka fituar ushtarakisht.
Në një intervistë për La Stampa, në prag të një vizite në Itali ku do të prezantojë librin e tij, Pompeo kritikon ashpër administratën Biden për qasje “tepër të kujdesshme” dhe mbron rolin e Donald Trump në forcimin e lidershipit amerikan dhe të NATO-s.
“Xi Jinping synon hegjemoninë globale. Putini? Nuk ka asnjë provë që dëshiron vërtet fundin e luftës. Marrëdhëniet mes Europës dhe Amerikës janë të thella, me ulje-ngritje, por bazohen në vlera të përbashkëta”, shprehet Pompeo.
Marrëdhëniet SHBA–BE dhe roli i Trump
Sipas Pompeos, pavarësisht tensioneve, marrëdhëniet transatlantike mbeten themeli i qytetërimit perëndimor. Ai thekson se Trump, ndonëse shpesh kritik ndaj NATO-s, në fakt e ka forcuar Aleancën duke detyruar vendet europiane të investojnë më shumë në mbrojtje.
“Nëse NATO është më e fortë sot, kjo ndodh sepse Trump e shtyu Europën të kuptojë se mbrojtja e përbashkët është e domosdoshme”,thotë ai.
Ukraina dhe lufta me Rusinë
Pompeo është kritik si ndaj Bidenit, ashtu edhe ndaj Trumpit për mënyrën e menaxhimit të luftës në Ukrainë. Ai thotë se Biden reagoi dobët pas pushtimit rus, duke vendosur “vija të kuqe” që në fakt ndihmuan Moskën.
“Putini pushtoi Krimenë me Obamën dhe Ukrainën me Bidenin. Pas pushtimit, administrata amerikane bëri vetëm sa për të frenuar Rusinë, jo për ta mposhtur”, deklaron ai.
Sipas Pompeos, SHBA-të dhe Europa duhet të jenë më serioze me sanksionet dhe të ndalojnë blerjen e gazit rus.
“Është çmenduri të financosh një armik që po vret europianë”, thekson ai.
Ai shton se pa e bindur Putinin se kostot e luftës janë më të mëdha se përfitimet, paqja nuk është e mundur.
Kina, Irani dhe rreziku global
Pompeo paralajmëron se Kina, nën udhëheqjen e Xi Jinping, po përgatitet për luftë dhe synon dominim global, jo vetëm Tajvanin. Ai përmend rolin e Pekinit në konflikte të ndryshme, nga Ukraina te Irani dhe Amerika Latine.
Për Iranin, ish-sekretari i Shtetit thotë se Trump ka krijuar kushtet për presion maksimal dhe se ndryshimi varet nga populli iranian. Ai kujton goditjen ndaj Qassem Suleimanit në vitin 2020 si shembull të një vendimi të fortë që, sipas tij, shmangu një luftë më të gjerë.
“Trump i dërgoi një mesazh të qartë regjimit iranian dhe popullit: regjimi ju ka mashtruar”,thotë Pompeo.
E ardhmja e Partisë Republikane
I pyetur për të ardhmen e Partisë Republikane dhe trashëgiminë e Trump në vitin 2028, Pompeo shmang emrat konkretë, duke thënë se “ka ende shumë rrugë për t’u bërë”.
Ai mbyll duke theksuar se, sipas tij, lidershipi amerikan nën Trump ka qenë më i fortë në pak vite sesa ai i administratave të mëparshme në më shumë se një dekadë./kb
GJKKO ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj për zëvendësimin e masës së sigurisë.
Veliaj u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme ku u zhvillua seanca për shqyrtimin e masës së sigurimit “arrest me burg”.
Ai kishte kërkuar zëvendësimin e kësaj mase.
Veliaj është paraqitur fizikisht në sallën e GJKKO, ndërsa SPAK u përfaqësua nga dy prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për Erion Veliajn përfunduan më 10 shtator 2025, ndërsa ai u arrestua më 10 shkurt 2025. Për gjykim janë dërguar edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe 28 persona dhe shoqëri të tjera të përfshira në dosje.
SPAK ka ngritur ndaj Veliajt 13 akuza, duke përfshirë korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve në burg. Sipas prokurorisë, shumica e akuzave lidhen me korrupsion pasiv në 9 raste që përfshijnë disa kompani, të cilat dyshohet se kanë ofruar përfitime të parregullta në formë parash dhe pasurish të paluajtshme, duke marrë më pas leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës./kb
Komunikimet e publikuara mes Jeffrey Epstein dhe diplomatit sllovak Mirosllav Lajçak tregojnë se bisedat e tyre zhvilloheshin kryesisht rreth planeve për vizita ndërkombëtare, kontakteve politike të nivelit të lartë dhe situatave politike në Ballkan dhe në Shtetet e Bashkuara, ku në këtë kontekst përmendet edhe emri i ish-presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç.
Në dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, që lidhen me hetimet ndaj financierit të ndjerë Jeffrey Epstein, shfaqen një sërë mesazhesh të shkëmbyera gjatë vitit 2018 mes Epstein dhe Mirosllav Lajçak, asokohe një nga figurat më të rëndësishme diplomatike evropiane. Në këto biseda, Epstein dhe Lajçak diskutojnë për mundësinë e një vizite në Mal të Zi, për takime me zyrtarë të lartë shtetërorë dhe për zhvillime politike ndërkombëtare, ndërsa emri i Millo Gjukanoviçit përmendet në cilësinë e presidentit të vendit.
Në njërin nga mesazhet, Lajçak e informon Epstein se kreu i shtetit malazez është në dijeni të planeve për vizitë, duke shkruar se “presidenti i Malit të Zi po i gëzohet vizitës sonë”. Ky mesazh sugjeron se ideja e një vizite ishte diskutuar në qarqe zyrtare, ndonëse nuk ka asnjë të dhënë që ajo të jetë realizuar. Epstein i përgjigjet Lajçakut me një koment të veçantë politik: “Ndoshta ai duhet t’i ofrojë strehim Donaldit”.
Në vazhdim të komunikimit, Epstein i dërgon Lajçakut një link nga gazeta New York Times, të shoqëruar me një fotografi të qytetit të vjetër të Kotorrit. Reagimi i Lajçakut është pozitiv dhe promovues për Malin e Zi, duke iu përgjigjur: “Ta thashë që Mali i Zi është fantastik”. Në një tjetër mesazh, Epstein kërkon sqarim për pozitën zyrtare të Gjukanoviçit, duke pyetur nëse ai është president apo kryeministër, ndërsa Lajçak i përgjigjet shkurt se ai është president. Bëhet fjalë për vitin 2018.
Mesazhet tregojnë se përveç diskutimeve të përgjithshme politike, palët po përpiqeshin të koordinojnë edhe data konkrete për një vizitë në Mal të Zi. Lajçak e pyet Epstein nëse do t’i përshtatej “fundjava e parë apo e dytë e nëntorit për vizitën në Mal të Zi”, ndërsa Epstein i përgjigjet se duhet ta kontrollojë kalendarin e tij. Pas këtij shkëmbimi mesazhesh, Lajçak i shkruan “OK, më njofto”, duke lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të organizimit.
Në një moment tjetër të bisedës, Epstein i thotë Lajçakut se do të donte që gjatë vizitës të takohej edhe me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, çka tregon ambicien e tij për të qenë i pranishëm në rrethe të larta diplomatike. Lajçak i përgjigjet duke thënë se “më pëlqen Lavrovi”.
Pavarësisht këtyre komunikimeve dhe përmendjes së emrit të Millo Gjukanoviçit në kontekst të planeve për vizita, dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë nuk përmbajnë asnjë informacion që konfirmon se Gjukanoviçi është takuar ndonjëherë personalisht me Jeffrey Epstein apo se ka qenë i përfshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm të lidhur me të.
Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në gusht të vitit 2019, ndërsa përballej me akuza për krijimin dhe drejtimin e një rrjeti të abuzimit seksual të vajzave të mitura, krime që sipas autoriteteve amerikane kishin ndodhur mes viteve 2002 dhe 2005.
Deri tani, ish-presidenti i Malit të Zi nuk ka reaguar publikisht për përmendjen e emrit të tij në këto dokumente, ndërsa publikimi i mesazheve ka rikthyer vëmendjen mbi kontaktet dhe rrjetin ndërkombëtar të Jeffrey Epstein, si dhe mbi mënyrën se si ai përpiqej të lidhej me figura politike dhe diplomatike të nivelit të lartë. /Vijesti/Kb