Ish-gruaja e Jeff Bezos dhuron 45 milionë dollarë për një organizatë jofitimprurëse
Ish-gruaja e themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, dhe miliarderes MacKenzie Scott, ka dhuruar 45 milionë dollarë (38.8 milionë euro) për "The Trevor Project", një organizatë jofitimprurëse që ofron shërbime parandalimi të vetëvrasjeve dhe mbështetjeje në kriza për të rinjtë LGBTQ+.
Donacioni u njoftua të hënën, më 12 janar, dhe vjen pasi administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, shkurtoi 25 milionë dollarë (30 milionë euro) fonde federale për organizatën vitin e kaluar.
Sipas "The Trevor Project", ky është donacioni më i madh i vetëm në historinë 27-vjeçare të organizatës. Drejtori Ekzekutiv Jaymes Black tha se donacioni vjen në një kohë vendimtare, duke pasur parasysh nevojat në rritje të të rinjve LGBTQ+ për mbështetje në krizë dhe psikologjike.
"Ky donacion i jashtëzakonshëm vjen në një kohë vendimtare për organizatën tonë dhe për të rinjtë që u shërbejmë", tha Black në një deklaratë të postuar në faqen zyrtare të internetit të organizatës.
MacKenzie Scott e ka mbështetur më parë "Projektin Trevor", duke i dhuruar gjashtë milionë dollarë organizatës në vitin 2020.
Projekti Trevor u themelua në vitin 1998 dhe ofron shërbime krize 24-orëshe për të rinjtë LGBTQ+ që përballen me çështje të tilla si problemet e identitetit, depresioni dhe mendimet vetëvrasëse. Përveç ndihmës së drejtpërdrejtë, organizata është gjithashtu e angazhuar në edukimin e publikut dhe avokimin e politikave që synojnë parandalimin e vetëvrasjeve në mesin e popullatës LGBTQ+.
Foto: Getty Images
Sipas vlerësimeve të organizatës, rreth 40 milionë të rinj LGBTQ+ në mbarë botën e konsiderojnë seriozisht vetëvrasjen çdo vit. Black theksoi se, pavarësisht shtrirjes së tij të gjerë, "Projekti Trevor" aktualisht mund të ndihmojë vetëm një pjesë të vogël të atyre që kanë nevojë.
"Kjo do të thotë që qindra mijëra të rinj mbeten pa mbështetje shpëtimtare çdo vit", tha Black.
Donacioni vjen pasi administrata Trump anuloi 25 milionë dollarë (30 milionë euro) të caktuar për "Projektin Trevor" në korrik të vitit të kaluar, duke përfshirë fondet për një program të specializuar LGBTQ+ brenda linjës kombëtare të parandalimit të vetëvrasjeve 988. Organizata më pas paralajmëroi se mbyllja e këtij programi do të kishte pasoja serioze për shëndetin mendor të të rinjve në rrezik.
“Parandalimi i vetëvrasjeve nuk është një çështje politike, por një çështje e jetës njerëzore”, tha Black në atë kohë, duke e përshkruar vendimin e administratës si të pakuptueshëm.
Në një intervistë me The Associated Press, të botuar të njëjtën ditë kur u njoftua donacioni, Black tha se ishte vërtet i befasuar nga vendimi i Scott-it.
"Nuk mund ta besoja me të vërtetë. Më zinte fryma", tha ai.
Black theksoi se "Projekti Trevor" do t'i përdorë fondet me kujdes, me fokus në forcimin e shërbimeve bazë të krizave dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të organizatës.
"Hulumtimet tregojnë se të rinjtë LGBTQ+ kanë më shumë se katër herë më shumë gjasa të tentojnë vetëvrasje sesa bashkëmoshatarët e tyre. Ky donacion është një hap i fuqishëm drejt një bote ku çdo i ri LGBTQ+ e di se është i dashur dhe i mbështetur", tha ai. /Telegrafi/
