Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbrojtur me tone të ashpra operacionin më të madh të administratës së tij kundër emigracionit të paligjshëm, pas dy vrasjeve të qytetarëve amerikanë gjatë ndërhyrjeve të agjentëve federalë në Minneapolis.
Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump fajësoi demokratët për atë që e quajti “kaos i shkaktuar nga qytetet që i strehojnë”, duke thënë se refuzimi i bashkëpunimit me autoritetet federale po rrezikon jetën e qytetarëve.
“Gjatë katër viteve të Joe Biden dhe lidershipit të dështuar demokrat, dhjetëra kriminelë të huaj të paligjshëm erdhën në vendin tonë, duke përfshirë qindra mijëra vrasës të dënuar, përdhunues, rrëmbyes, trafikantë droge dhe terroristë. Do të nisim dëbimin masiv të kriminelëve të huaj të paligjshëm në historinë amerikane”.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, vetëm në pesë shtete të drejtuara nga republikanët, Teksas, Xhorxhia, Florida, Tenesi dhe Luiziana, janë arrestuar mbi 150 mijë emigrantë të paligjshëm.
Ndërkohë, situata në Minneapolis është përshkallëzuar pas vrasjes së infermierit Alex Pretti këtë fundjavë, dhe të qytetares Renee Good më 7 janar, gjatë operacioneve të agjentëve federalë.
Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, ka aktivizuar Gardën Kombëtare, ndërsa qindra protestues kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar përdorimin e forcës nga autoritetet federale.
Demonstrata janë shënuar edhe në Nju Jork, Uashington dhe San Francisko.
Administrata Trump insiston se operacioni do të vazhdojë, duke e konsideruar atë thelbësor për sigurinë kombëtare dhe për luftën kundër krimit të organizuar./kb
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot se në vitin 2026, në siguri e mbrojtje do të shtohen sisteme artileri dhe sistemet e para kundër-ajrore pas një mungese të gjatë.
Në një konferencë për shtyp, Vengu tha se Shqipëria është duke përgatitur rishikimin strategjik të Mbrojtjes.
“Paqja dhe stabiliteti nuk janë përgjithmonë, përkundrazi kërkojnë investime dhe përgatitje të përditshme. Realiteti i ri trupëzohet shpesh edhe në rishikimin e dokumentave strategjikë të mbrojtjes, ku edhe vetë Shqipëria është duke përgatitur rishikimin strategjik të mbrojtjes.
Të gjitha këto rishikime evidentojnë një fragmentim të rendit ndërkombëtar dhe konkurrencën e përhershme që strukturon në një farë mënyre një lloj lufte të re të ftohtë. Pse e përmend këtë? Sepse Europa Jug-lindore pavarësisht se nuk është epiqendra e rivalitetit të ri global, por nuk është as një periferi e padukshme. Është një teatër dytësor, jo për tanke, por për influenca, narrtiva, dezinformim dhe ndërhyrje hibride.
Buxheti 2026 nuk është një buxhet rutinë, por një mekanizëm për të ndërtuar kapacitete reale, për të zhvilluar industrinë, për të forcuar sovranitetin dixhital dhe për të ndërtuar një Shqipëri si aleate e qëndrueshme në NATO. Këtë vit arrijmë vlerën 2.12 të PBB-së dhe nëse e krahasojmë me buxhetin 2025 kemi një rritje me 12%.
Synojmë që në vitin 2029 të arrijmë nivelet e NATO-s. Rritja e pagave do jetë progresive, 60-70% për pagat bazë dhe 30% për nivelet më të larta të komandimit. Po ashtu, synojmë rritjen me 30% të komponentit aktiv. Vitin e kaluar kemi pasur 721 rekrutë të rinj. Akademia e FA është pika nevralgjike e kësaj politike. Viti 2026 do krijojë një kuadër ligjor më të mirë. Kemi një fluks rikthimesh në FA dhe tani FA është një forcë që tërheq gjithmonë e më shumë. Kemi një rikthim të gadishmërisë ajrore, një rikthim të gadishmërisë së mjeteve helikopterë. Në forcën detare kemi një rritje të flotës.
Kemi 2 mjete që na janë shtuar dhe një mjet i ri vjen me investim 9 milionë euro po nga aleatët italianë. Sistemet Javelin do i prezantojmë javën që vjen. Në 2026 shtojmë sisteme artilerie dhe sistemet e para kundër-ajrore pas një mungese të gjatë”,-tha Vengu./Kb
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, u takua sot në Bruksel me Presidenten e Parlamenti Europian, Roberta Metsola. Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të intensifikimit të diplomacisë parlamentare dhe angazhimeve të Kuvendit për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjatë takimit, Kryetari i Kuvendit shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Europian ndaj Shqipërisë dhe theksoi se perspektiva europiane e vendit mbetet e qartë, afatgjatë dhe e pakthyeshme. Ai nënvizoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është një slogan politik, por një proces transformues i institucioneve, i qeverisjes dhe i jetës së përditshme të qytetarëve, duke theksuar konsensusin politik dhe parlamentar, si edhe mbështetjen e gjerë popullore për procesin e anëtarësimit.
Në fokus të bisedës ishte progresi i Shqipërisë në përmbushjen e kushteve të negociatave, veçanërisht në kapitujt që lidhen me sundimin e ligjit, reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Kryetari Peleshi vuri në dukje se Shqipëria është vendi kandidat me vendosmërinë më të madhe dhe që ecën me shpejtësinë më të lartë drejt familjes europiane, ndërsa reformat po avancojnë mbi bazën e rezultateve konkrete dhe treguesve të matshëm.
Presidentja Metsola vlerësoi progresin e dukshëm të Shqipërisë drejt anëtarësimit, bashkëpunimin shumë të mirë të Parlamentit Europian me Kuvendin, si edhe angazhimin parlamentar dhe institucional të Shqipërisë për përshpejtimin e bashkimit me familjen europiane. Hapja e Zyrës Rajonale të Parlamentit Europian në Tiranë u cilësua si një sinjal i qartë i angazhimit të Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë dhe perspektivës së saj europiane.
Në përfundim, Kryetari i Kuvendit rikonfirmoi përkushtimin e Shqipërisë për reforma demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të pakthyeshme, duke e konsideruar Parlamentin Europian një partner kyç dhe një busull morale të projektit europian./kb
Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës së Vlorës zhvendoset drejt Tiranës.
Urdhri i firmosur më datë 23 janar qartëson vendimin e largimit të këtij institucioni të menaxhimi të pronave nga qyteti bregdetar dhe në vijim, veprimtaria do të ushtrohet në ambientet e ASHK-së në rrugën “Jordan Misja” në kryeqytet.
Ky vendim hyn në fuqi prej datës 1 shkurt, duke e lënë kështu Vlorën pa kadastër./kb
Politologu Ermal Hasimja analizoi sot situatën në të cilën gjendet opozita në vend.
I pranishëm në një tryezë diskutimi, Hasimja ngriti shqetësimin se partitë opozitare kanë konflikte dhe janë konkurrente, duke e shpërndarë frontin në drejtime të ndryshme.
“Kjo nismë është e hapur për këdo që mund të sjellë një peshë opozitare. Nuk jemi parti politike dhe nuk synojmë të krijojmë parti politike. Qëllimi ynë është që si qytetarë shprehim një shqetësim. Opozita është e shpërndarë në drejtime të ndryshme, ndërsa qeverisja është ajo që është. Ne po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje përmes kësaj forme. Ftesa është e hapur për të gjithë. Këto partitë opozitare kanë konflikte dhe janë konkurrente dhe është normale, sepse po luftojnë kundër qeverisë. Unë mendoj që ka një të përbashkët që i bashkon këto parti, të kemi zgjedhje të lira dhe të barabarta”, tha Hasimja./Kb
Një takim i tillë, nëse do të konfirmohej, nuk do të ishte aspak befasues. Ditët e fundit, në rrjetet sociale arabe po qarkullon fotografia që thuhet se tregon Yaïr Netanyahu, djali i Kryeministrit izraelit dhe influencues i vendosur në Miami, duke qëndruar në një restorant në Shtetet e Bashkuara së bashku me sheikun Hamad ben Thamer al-Thani, princ i Katarit.
Autenticiteti dhe konteksti i fotos mbeten të pasigurt, disa përdorues të internetit sugjerojnë se mund të jetë një manipulim nga kundërshtarë të qeverisë së Katarit. Megjithatë, ky zhvillim vjen në vijim të një serie zbulimesh që tregojnë lidhje të paqarta midis figurave pranë Kryeministrit izraelit dhe Dohës, gjë që befasuese duke pasur parasysh se Yaïr Netanyahu shpesh herë kritikon publikisht Emiratet e Katarit.
Çështja e njohur si “Qatargate”, ku përmendet direkt emri i Benjamin Netanyahu, ka rikthyer debatet politike në Izrael. Skandali mund të ketë pasoja serioze për Kryeministrin, vetëm disa muaj para zgjedhjeve të planifikuara për tetorin e vitit 2026. Zërat brenda koalicionit dhe opozitës kërkojnë hapur dorëheqjen e Netanyahu, që mban rekordin e kohëzgjatjes në detyrë në Izrael.
Ish-Kryeministri Naftali Bennett, një nga kundërshtarët më të ashpër, e ka quajtur çështjen “aktin më të rëndë të tradhtisë në historinë e Izraelit”, duke vënë në dukje armiqësinë historike të Izraelit ndaj Katarit. Një artikull i gazetës izraelite Haaretz thekson se: “Lidhjet financiare me Katarin ndoshta mund të ishin toleruar para 7 tetorit 2023, por pas masakrës, këto lidhje janë thjesht tronditëse.”
Skandali u rikthye pas një interviste të bujshme disa javë më parë në televizionin izraelit nga Eli Feldstein, ish-zëdhënësi i Netanyahu për çështjet ushtarake. Hetuesit dyshojnë se Feldstein dhe një tjetër bashkëpunëtor i Kryeministrit, Jonatan Urich, kanë marrë fonde për të publikuar tek gazetarët një qëndrim pro-Katarit. Qëllimi dyshohet të ketë qenë paraqitja e emiratit në një dritë pozitive para organizimit të Kampionatit Botëror të Futbollit 2022, sidomos si ndërmjetës i besueshëm midis Izraelit dhe Hamasit.
Feldstein ka pranuar për kanalin publik izraelit Kan se ka marrë pagesa përmes një kompanie të lidhur me një agjent të huaj që vepronte për Dohën, duke argumentuar mungesën e autorizimit të sigurisë për pagesa direkte nga zyra e Kryeministrit.
“Është e mundur që publikimet e mia të kenë ndihmuar, edhe pas faktit, një zyrtar në Katar? Është e mundur”, tha Feldstein. Çështja mbetet e ndërlikuar dhe e mbushur me zona të errëta, por nxjerr në pah natyrën e paqartë të lidhjeve midis figurave pranë qeverisë izraelite dhe Katarit.
Sipas Cinzia Bianco, studiues në European Council on Foreign Relations (ECFR), “Skandali ‘Qatargate’ tregon se sa i ndjeshëm politikisht është kanali i komunikimit midis dy vendeve dhe sa vështirë është të kontrollosh ose të justifikosh ndikimin informal që lind nga kjo lidhje.”
Zyrtarisht, Benjamin Netanyahu vazhdon të sulmojë Katarin, akuzuar shpesh për strehimin e “terroristëve” dhe financimin e Hamasit. Por para 7 tetorit, qeveria izraelite ka përdorur kanalet katariote për të transferuar miliona dollarë çdo muaj drejt Hamasit, për të ruajtur ndarjen midis Palestinës së Gazës dhe Bregut Perëndimor dhe për të penguar një lidership të unifikuar palestinez. Sipas gazetës izraelite Yediot Aharonot, Izraeli kishte kërkuar edhe një muaj para fillimit të luftës në Gazë rritjen e fondeve të dërguara nga Doha.
Nga ana tjetër, Kryeministri katari, sheiku Mohammad ben Abdelrahmane al-Thani, ka pohuar se çdo ndihmë e vendit të tij ka shkuar te popullsia dhe ka qenë plotësisht e koordinuar me qeveritë izraelite.
Përtej skandaleve dhe akuzave, marrëdhëniet Izrael-Katar ofrojnë përfitime të dyanshme: Tel-Avivi fiton njohje ndërkombëtare, ndërsa Doha ruan një rol në proceset e ndërmjetësimit në Gaza, duke mos u përjashtuar nga loja rajonale krahasuar me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrein./kb
Rrjeti SafeJournalists ka reaguar lidhur me raportimet se gazetarë dhe punonjës të medias janë ekspozuar ndaj përdorimit të forcës gjatë mbulimit të protestës së mbajtur në Tiranë më 24 janar 2026.
Përmes një deklarate, Rrjeti SafeJournalists ka shprehur shqetësimin për ngjarjen, teksa thekson se çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
“Gazetarët ishin të pranishëm në protestë në ushtrim të detyrës së tyre profesionale për të informuar publikun. Përdorimi i gazit lotsjellës, ujit me presion apo mjeteve të tjera të kontrollit të turmës në zonat ku operonin punonjësit e medias, sipas raportimeve mediatike, ka vënë në rrezik sigurinë e tyre dhe ka cenuar lirinë e shprehjes si dhe të drejtën e publikut për t’u informuar. Raportimet në media, përfshirë pretendimet për përdorimin e spray-t ndaj fotoreporterit Felix Bilani dhe përdorimin e ujit me presion ndaj gazetares Marsi Korreshi gjatë ushtrimit të detyrës, ilustrojnë rreziqet më të gjera me të cilat përballen gazetarët gjatë mbulimit të tubimeve publike.
Rrjeti SafeJournalists shpreh solidaritetin me të gjithë gazetarët, operatorët dhe fotoreporterët e prekur gjatë ushtrimit të punës së tyre.
Rikujtojmë se autoritetet mbajnë përgjegjësinë parësore për mbrojtjen e gazetarëve gjatë tubimeve publike. Në këtë kontekst, theksojmë se Policia e Shtetit ka miratuar një protokoll specifik për sigurinë e gazetarëve, përfshirë edhe gjatë protestave, i cili duhet të zbatohet plotësisht në praktikë. Për këtë arsye, kërkojmë një reagim të menjëhershëm dhe transparent nga Policia e Shtetit lidhur me ngjarjet e 24 janarit, përfshirë sqarimin nëse protokolli është respektuar, identifikimin e çdo dështimi dhe masat që do të merren për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Rrejti SafeJournalists thekson gjithashtu se organizatat mediatike dhe drejtuesit e redaksive kanë një përgjegjësi të qartë për mbrojtjen e stafit të tyre. Dërgimi i gazetarëve për të mbuluar protesta me rrezik të lartë pa përgatitje të mjaftueshme, vlerësim rreziku apo pajisje mbrojtëse i ekspozon ata ndaj rreziqeve serioze. Redaksitë duhet të marrin masa konkrete për të garantuar sigurinë e gazetarëve, operatorëve dhe fotoreporterëve, përfshirë planifikimin e sigurisë, pajisjet e duhura dhe përgjegjësi të qartë editoriale për menaxhimin e rrezikut.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me këtë rast.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut”,-thuhet në deklaratë./Kb
◦ Kryeministri Edi Rama ndodhet në Izrael që prej ditës së djeshme, 25 janar. Stacioni i tij i parë ishte te Nova Site, prej ku ndau edhe foto. Ai do të mbajë një fjalim historik në Knesset dhe do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit. I shoqëruar nga delegacioni dhe bashkëshorja e tij, ai ka vizituar Western Wall (Muri i Lotëve) dhe Kishën e Varrit të Krishtit.
◦ Linda Rama do të takojë gratë parlamentare dhe bashkëshorten e Presidentit izraelit, Isaac Herzog./kb
Ministri i Financave, Petrit Malaj ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me kreun e Tatimeve, Ilir Binaj në lidhje me informalitetin e pagave.
Në fjalën e mbajtur ministri Malaj tha se jemi të vetëdijshëm që tregu ofron paga më të larta se ato të deklaruarat.
Malaj u shpreh se ministria do të orientohet drejt formalizimit të tregut të punë konkretisht në rritjen e deklarimit të pagave, por dhe në rritjen e xhiros së deklaruar.
Më tej, Malaj deklaroi se janë marrë 13.418 mesazhe të personalizuara në lidhje me pagat në sektorin e ndërtimit dhe pas këtyreë mesazheve pati rritje të pagave për 118 mijë punonjës në sektorin e ndërtimit.
“Tregu ofron paga të tjera që janë më të larta. Në ndërtim kemi konstatuar nëndeklarim të pagave. Do orientohemi në formalizimin e tregut të punës, në rritjen e deklarimit të pagave por edhe në rritjen e xhiros së deklaruar. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që tregu ofron paga shumë më të larta se ato të deklaruara në ndërtim.
Janë 13.418 mesazhe të personalizuara ndaj subjekteve që operojnë në sektorin e ndërtimit. Pas mesazheve 118 mijë punonjës të këtij sektori patën rritje të pagave me 9% në muajin dhjetor 2025, krahasuar me shtatorin 2025 duke arritur në 78 mln euro. Ky sektor vuan mungesën e krahut të punës dhe pagat që deklarohen në këtë sektor nuk reflektojnë realitetin që përballet sektori i ndërtimit. Kemi subjekte që ende nuk kanë reflektuar, këto subjekte janë identifikuar dhe do jenë objekt kontrolli i thelluar nga administrata tatimore. U bëj thirrje të bëjnë reflektimet dhe të përmbushin të gjitha detyrimet që ua ngarkon ligji”, tha Malaj./Kb
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ishte i pranishëm këtë të hënë në ceremoninë e nisjes së vitit të ri gjyqësor.
Në fjalën e tij, Sadushi u ndal te roli i drejtësisë, që sipas tij duhet të shërbejë sis standard dhe orientim, jo vetëm për sistemin gjyqësor, por edhe për shqoërinë.
Sipas Sadushit, nisja e vitit të ri gjyqësor shënon edhe një moment të përvitshëm reflektimi dhe përgjegjësie publike.
“Sot nuk po vijojmë një traditë, por po e krijojmë atë. Është kuptimplotë që ky hap ndërmerret pikërisht këtu, ku shqyrtohen çështje me rëndësi të veçantë dhe ku, përmes interpretimit dhe njësimit të praktikës, forcohet koherenca dhe rritet parashikueshmëria e ligjit. Prania juaj sot e nderon Gjykatën e Lartë dhe i jep peshën e duhur këtij momenti.
Në një kuptim më të gjerë, drejtësia nuk është vetëm vendimmarrje. Ajo është edhe standard dhe orientim për sistemin dhe shoqërinë. Prandaj, kjo sallë nuk i përket vetëm këtij institucioni. Në thelb ajo u përket qytetarëve, çdo individi që hyn këtu me shpresën se do të dëgjohet dhe do të trajtohet me dinjitet, barazi dhe paanësi.
Kjo ditë nuk shënon vetëm nisjen e vitit gjyqësor, por themelimin e një tradite institucionale, që i jep drejtësisë një moment të përvitshëm reflektimi dhe përgjegjësie publike.
Për këtë arsye, kjo ceremoni ka rëndësi të veçantë. Është një moment kur sistemi i drejtësisë shpreh me maturi dhe vetëdije publike rolin e tij, në shërbim të qytetarit dhe të shtetit të së drejtës, jo me retorikë, por me standard dhe përgjegjësi”,-tha ndër të tjera Sadushi./Kb
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari ka mbajtur fjalën e tij në hapjen e vitit të ri gjyqësor.
Lamallari tha se një nga problematikat e sistemit gjyqësor është moszbardhja e vendimieve pas më shumë se një viti, gjë të cilën ai e cilësoi si të papranueshme.
Në lidhje me këtë problematikë, Lamallari tha se ai personalisht ka dorëzuar 3 raste në ILD.
Më tej, në fjalën e mbajtur Lamallari u ndal te gjykatat e Apelit, ku tha se apelimi i çështjeve është kthyer në një pritje të pafundme për qytetarët.
Duke folur për gjykatat e Apelit, Lamallari u shoreh se numri i çështjeve të prapambetura në këto gjykata është në nivele alarmante.
Një tjetër problematikë e sistemit gjyqësor në të cilën u ndal Lamallari është mungesa e burimeve njerëzore. Ministri tha se krahas plotësimit të vakancave në burime njerëzore duhet riorganizuar organika.
Lamallari kritikoi dhe mungesën e inspektimeve nga ILD, gjë e cila nuk justifikohet nga vështirësitë në plotësimin e vakancave.
“Përtej vështirësive për plotësimin e vakancave nuk ka arsye që të justifikojë mungesën e inspektimeve.
Lidhur me stokun e dosjeve, Gjykata e Lartë ka dhënë një shembull pozitiv. Veprimtaria e Gjykatës së Lartë u karakterizua nga një përmirësim progresiv. Drejtësia matet aty ku qytetarët kanë kontsaktin e drejtpërdrejtë me sisstemin. Moszbardhja e vendimeve pas më shumë se një viti, nuk është dhe nuk mund të jetë e pranushme. Personalisht kam dorëzuar në ILD 3 raste për këtë problematikë. Në gjykatat e Apelit numri i çështjeve të prapambetura paraqitet në nivele alarmante. Përqindja e përfundimit të çështjece ra ndjeshëm në 9 muajt e parë të 2025. Apelimi është kthyer në një pritje të pafundme për qytetarin. Kjo nuk është thjesht statistikë, është mohim i drejtësisë. Përballë një situate stoku, është shkalla jazhtëzakonisht e ulët e orientimit drejt ndërmjetësimit.
Ndërmjetësimi përfaqëson ndërhyrje institucionale me rëndësi strategjike dhe duhet trajtuar si i tillë. Një tjetër realitet që nuk duhet të anashkalohet është mungesa e burimeve njerëzore. Krahas nevojës për plotësimin e vakancave duhet bërë një riorganizim i organikës së ndihmësve ligjorë.
Shqipëria vazhdon të mbajë një nga përqindjet më të mëdha në Europë për të paraburgosur.
Uroj që ky vit i ri gjyësor të jetë dëshmi maturie dhe përgjegjshmërie”, tha Lamallari./Kb
Drejtori i Tatimeve, Ilir Binaj ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Në fjalën e mbajtur, Binaj u ndal te mosdeklarimi i pagave dhe kryesisht në sektorin e ndërtimit.
Kreu i Tatimeve deklaroi se aksioni kundër informalitetit të pagave në sektorin e ndërtimit ka hyrë në një rrugë pa kthim.
Binaj njoftoi se së shpejti do të lancohet dhe një aplikacion ku mund të bëhet denoncimi i informaliteti të pagave, denoncime të cilat aktualisht mund të bëhen në adresën e dedikuar.
“Qëllimi i administratës tatimor është edukimi i bizneseve jo penalizimi i tyre. Risi për 2026 do të jetë trajtimi i informacioneve nga palë të treta.
Akti i mosdeklarimit të pagës është shumë i rëndë dhe do të trajtohet si i tillë. Aksioni kundër informalitetit të pagave në ndërtim ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme. Mund të denoncohet fenomeni i mosdeklarimit të pagave në adresën e dedikuar. Shumë shpejt do të lancojmë një app për telefona për ta bërë më të thjeshtë denoncimin e informalitetit”, tha Binaj./kb
Autoritetet iraniane zbuluan të dielën, 25 janar, një mural të ri në një billboard të madh në një shesh qendror të Teheranit. Ai ka një paralajmërim të drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara “Mos tentoni të sulmoni Iranin”.
Kjo ndodh ndërsa anijet luftarake amerikane po lëvizin drejt rajonit.
Muralit tregon një aeroplanmbajtëse nga lart, me avionë luftarakë të dëmtuar dhe duke shpërthyer mbi kuvertën e saj. Kuverta është e mbushur me trupa dhe gjak që rrjedh në ujë, duke krijuar një model që i ngjan vijave të flamurit amerikan.
Autoritetet iraniane zbuluan të dielën, 25 janar, një mural të ri në një billboard të madh në një shesh qendror të Teheranit. Ai ka një paralajmërim të drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara “Mos tentoni të sulmoni Iranin”.
Kjo ndodh ndërsa anijet luftarake amerikane po lëvizin drejt rajonit.
Muralit tregon një aeroplanmbajtëse nga lart, me avionë luftarakë të dëmtuar dhe duke shpërthyer mbi kuvertën e saj. Kuverta është e mbushur me trupa dhe gjak që rrjedh në ujë, duke krijuar një model që i ngjan vijave të flamurit amerikan.
TË LIDHURA
Djali i presidentit të Iranit kërkon rikthimin e internetit
Mes protestave dhe gjakderdhjes, Trump kërcënon sërish Iranin: Flota jonë është gati!
Flota amerikane drejt Iranit, sa afër është sulmi?!
Një slogan në cep thotë “Kush mbjell erë, do të korrë furtunë.”
Ky mural u zbulua në Sheshin Enghelab, ndërsa flota amerikane po lëviz drejt rajonit. Presidenti amerikan Donald Trump tha se anijet po dërgohen “për çdo rast”, nëse vendos të ndërmarrë veprime.
“Ne kemi një flotë të madhe që po shkon atje dhe ndoshta nuk do të na duhet ta përdorim”,tha Trump.
Sheshi Enghelab përdoret për tubime shtetërore dhe muralet ndryshojnë sipas ngjarjeve kombëtare. Të shtunën, komandanti i Gardës Revolucionare iraniane paralajmëroi se forca e tij është “më gati se kurrë”.
Tensionet mes SHBA-ve dhe Iranit janë rritur pas një shtypjeje të dhunshme të protestave, ku mijëra njerëz u vranë dhe dhjetëra mijëra u arrestuan. Trump kishte kërcënuar se do të ndërmerrte veprime ushtarake nëse Irani do të vazhdonte të vriste protestues paqësorë ose të kryente ekzekutime masive.
Protestat kanë pushuar për disa ditë dhe Trump tha se Teherani ka ndaluar ekzekutimin e rreth 800 protestuesve të arrestuar, një pretendim që prokurori i lartë iranian e quajti të rremë.
Megjithatë, Trump nuk ka hequr dorë nga mundësia e veprimeve ushtarake, duke paralajmëruar se çdo sulm do të bënte që goditjet amerikane të vitit të kaluar mbi objektet bërthamore iraniane të dukeshin “të vogla”.
Forcat amerikane thanë se avionët F-15E Strike Eagle tani janë të pranishëm në Lindjen e Mesme, për të rritur gatishmërinë dhe sigurinë në rajon. Edhe Britania ka dërguar avionë luftarakë Typhoon në Katar “për mbrojtje”.
Protestat në Iran nisën më 28 dhjetor, pas rënies së monedhës iraniane, riali, dhe përhapën shpejt në të gjithë vendin. Numri i viktimave vazhdon të rritet, edhe pse informacioni vjen ngadalë për shkak të një bllokimi më shumë se 2-javor të internetit, më i madhi në historinë e Iranit./kb
Zbulimi i mijëra dokumenteve të rrjedhura nga brenda Interpolit ka shtuar presionin ndërkombëtar mbi organizatën që të forcojë masat mbrojtëse kundër keqpërdorimit të sistemeve të saj, veçanërisht nga shtete që dyshohet se i përdorin njoftimet e kërkimit për qëllime politike. Dokumentet, të siguruara nga një sinjalizues dhe të analizuara nga BBC World Service dhe media investigative franceze Disclose, tregojnë se Rusia ka qenë ndër vendet me numrin më të lartë të ankesave dhe anulimeve të njoftimeve të Interpolit gjatë dekadës së fundit.
Pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, Interpoli njoftoi vendosjen e një sërë masash shtesë kontrolli ndaj kërkesave që vinin nga Moska. Këto masa kishin për qëllim të parandalonin çdo përpjekje për të përdorur kanalet e Interpolit për ndjekjen e individëve të lidhur me konfliktin, qoftë brenda apo jashtë territorit të Ukrainës. Sipas Interpolit, çdo kërkesë nga Rusia duhej t’i nënshtrohej verifikimeve më të thelluara ligjore dhe politike, përpara se të shpërndahej tek shtetet anëtare.
Megjithatë, dokumentet e rrjedhura sugjerojnë se këto masa nuk kanë qenë gjithmonë efektive. Sipas dëshmisë, disa nga mekanizmat më të rreptë të kontrollit janë zbutur ose hequr në heshtje gjatë vitit 2025, duke hapur sërish mundësi për abuzim të sistemit. Kjo ka ngritur shqetësime serioze mes organizatave për të drejtat e njeriut dhe ekspertëve të ligjit ndërkombëtar, të cilët kërkojnë transparencë më të madhe dhe mbikëqyrje të pavarur.
Interpoli thekson se ka ndërtuar një arkitekturë të shumëfishtë kontrolli për të parandaluar keqpërdorimin e ‘njoftimeve të kuqe’. Këto përfshijnë shqyrtimin paraprak të kërkesave, filtrat automatike për raste të ndjeshme politikisht, si dhe rolin e Komisionit për Kontrollin e Dosjeve të Interpolit (CCF), një organ i pavarur që shqyrton ankesat e individëve ‘të prekur’. Organizata thekson se këto mekanizma janë forcuar vitet e fundit dhe se mijëra kërkesa refuzohen ose korrigjohen çdo vit.
Sidoqoftë, të dhënat e rrjedhura tregojnë se vetëm në dekadën e fundit, qindra kërkesa të bëra nga Rusia janë anuluar pas ankesave në CCF, më shumë se nga çdo vend tjetër. Kjo ka nxitur thirrje për masa shtesë, përfshirë pezullimin e përkohshëm të aksesit të disa shteteve në sistemet e Interpolit, publikimin e statistikave më të detajuara mbi abuzimet dhe përshpejtimin e procedurave për individët që pretendojnë se janë ‘shënjestruar’ padrejtësisht.
Ekspertët paralajmërojnë se një njoftim arresti i Interpolit, edhe kur rezulton i pabazë, mund të ketë pasoja shkatërruese për jetën e një personi. Bllokimi i llogarive bankare, kufizimi i lirisë së lëvizjes dhe frika e vazhdueshme nga arrestimi janë vetëm disa nga efektet që përjetojnë individët e përfshirë. Për këtë arsye, organizatat e shoqërisë civile kërkojnë që Interpoli të vendosë masa urgjente mbrojtëse për azilkërkuesit, gazetarët dhe disidentët politikë.
Ndërsa organizata ndërkombëtare policore thekson rolin e saj jetik në luftën kundër krimit ndërkombëtar, kritikët argumentojnë se pa reforma më të thella dhe transparencë më të madhe, rreziku i keqpërdorimit do të vazhdojë të minojë besueshmërinë e saj. Zbulimet e fundit kanë kthyer vëmendjen globale tek nevoja për një ekuilibër më të fortë mes bashkëpunimit policor ndërkombëtar dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut./kb
Nevoja për të punuar dhe shpresa për një jetë më të mirë sjell në Vlorë çdo vit me qindra punonjës që vijnë nga India. Ata punojnë kryesisht në fabrikat e fasonerisë, me kontrata 2-vjecare pune, ku përfshihet akomodimi dhe ushqimi. Indianët që gjenë sot në Vlorë, tregojnë se krahas punës kanë mbetur të mrekulluar edhe me qytetin si dhe me mikrëpritjen që kanë gjetur në Vlorë.
“Emri im është Abdulahim, pak ditë më parë kam ardhur në Shqipëri, për të punuar në një fabrikë këpucësh.Vlora duket një qytet i mirë dhe jam i lumtur.Unë kam një kontrat dhe do të punoj këtu për dy vite.Këtu paguhem mirë. Është pagë e mirë dhe jam i lumtur.Puna është shumë e mirë. Më pëlqejnë njerëzit në Vlorë. Ushqimi dhe akomodimi për ne janë falas”, tha njëri nga emigrantët.
“Emri im është Nasbullashan.Unë vij nga Kalkuta e Indisë. Vij nga qyteti i Nënë Terezës.Kemi disa ditë që kemi ardhur në Vlorë. Qyteti po na pëlqen shumë. Këtu punojmë në një fabrikë që prodhon këpucë. Puna duket e mirë. Rroga që marim ne është e mirë. Kjo rrogë në Indi është e mjaftueshme, shumë shumë e mirë. Përkthyer në paranë indian, 35 mijë rupi”, shtoi një tjetër.
“Unë vij nga India gjithashtu.Vij në Vlorë për punë. Unë kam mbërritur këtu pak ditë më parë.Puna këtu është mirë. Rroga gjithashtu.Është shumë mirë për mua”, deklaroi emigrant tjetër.
Nga të dhënat e siguruara rreth 1000 shtetas nga india rezultojnë të jenë të punësuar në qarkun e Vlorës, 5 vitet e fundit kryeisht në sektorë si manifekturat, hoteleri-turizëm si dhe ndërtim./vizionplus.tv/kb
Në Shqipëri, ndryshimet klimatike po sjellin më pak reshje vjetore, por më shumë prurje, duke shkaktuar fillimisht thatësirë dhe më pas përmbytje. Ekspertët e Institutit të Gjeoshkencës thonë se reshjet vjetore në Shqipëri pritet të ulen me 20% në vit.
“Territori i Shqipërisë merr afërsisht një mesatare shumëvjeçare diku 1500-1800 mm shi në vit. Në bazë të ndryshimeve klimatike, përsa i përket mesatares vjetore, pritet që të kemi një pakësim 10-20% të këtyre reshjeve. Në kuadrin e akumulimit të ujit, përveç përmbytjeve duhet të kemi parasysh edhe thatësirën. Vërejmë në Shqipëri, në zonat malore, që edhe reshjet në formë bore janë pakësuar, çka bën që një akumulim apo rezervim uji që do të ishte në formë bore, tashmë bie në formë shiu dhe shkon shumë shpejt në det, dhe ne nuk arrijmë dot ta mbajmë përveç rezervuarëve bujqësorë. Kështu që duhet të kemi një vëmendje të shtuar edhe për këto pakësime të sasive që janë vjetore” , thotë Alban Doko, hidrolog në IGJEO.
Nga ana tjetër, prurjet e lumenjve dhe përrenjve priten të rriten duke rrezikuar daljen e tyre nga shtrati.
“Përsa i përket vlerave pik ose ekstreme që janë si për temperaturat dhe për reshjet, prurjet pritet të rriten me 10-15% krahasuar me vlerat që kemi deri më sot. Nëse prurja maksimale në lumin Shkumbin pritet të arrijë në 2000 metër kub, duhet t’i shtojmë edhe 10-15%, duke bërë që të arrijë 2300 metër kub në sekondë”, shprehet Doko.
Krahas rritjes së pyllëzimit, ekspertët rekomandojnë mirëmbajtjen e hidrovoreve për të minimizuar fenomenin e përmbytjeve.
“Edhe Shqipëria, ashtu si vendet e Europës dhe të zonës së Mesdheut, është e prekur nga ndryshimet klimatike. Përveç kësaj, vlen të theksohet pyllëzimi, por ndërkohë që ne e dimë kush janë lumenjtë, në ultësirën perëndimore çdo gjë është ndërtuar me argjinatura dhe kanale kulluese. Këto duhen mirëmbajtur, pasi nuk vlen vetëm për të marrë masa në pjesën e sipërme të pellgjeve, por hidrovoret e kanë pellgun e kufizuar dhe duhet të mirëmbahen edhe nga njerëzit, që të mos ndërtojnë mbi to dhe të mos hedhin mbeturina”, shton Doko.
Ekspertët e hidrologjisë thonë se duhet të ndiqen edhe praktikat e vendeve më të zhvilluara, pasi në zonat që dikur kanë qenë toka bujqësore, sot ka ndërtime banesash dhe biznesesh, për të cilat duhet të krijohen hidrovore të vegjël./kb
Një zjarr i madh ka përfshirë mbrëmjen e 25 janarit zonën e Orikumit, duke vënë në vështirësi forcat zjarrfikëse. Era e fortë favorizoi përhapjen e flakëve, ndërsa në terren punuan pa ndërprerje efektivë nga Vlora dhe Himara për të neutralizuar zjarrin dhe për të shmangur rrezikun për zonat përreth.
Si pasojë e erës, disa pisha ranë mbi rrugën drejt Zvërnecit, duke bllokuar qarkullimin dhe rrezikuar automjetet. Policia Rrugore dhe zjarrfikësit ndërhynë duke prerë pemët dhe duke rikthyer normalitetin në trafikun rrugor.
Autoritetet njoftuan se situata tanimë është nën kontroll dhe flakët janë të shuar, por zona mbetet nën monitorim./kb