Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 January 2026Main stream

Rënia e e-Albania, të vet-punësuarit nuk po marrin pagesat, ka biznese nuk po paguajnë dot faturat

27 January 2026 at 15:55

Iliri punon si bashkëpunëtor i jashtëm në një televizion. Ai është regjistruar si i vetëpunësuar i vetëm dhe lëshon fatura mujore për televizionin.

Kjo është e ardhura kryesore që ai ka. Prej disa ditësh Iliri i kërkon ekonomistes që të presë faturën mujore, por kjo është e pamundur, pasi fiskalizimi i faturave bëhet përmes sistemit self-care, që ka mbi dy javë që është tërësisht jashtë funksionit dhe menaxhohet nga portali qeveritar E-Albania.

Ashtu si Iliri, të vet-punësuarit e vetëm përdorin sistemin self-care për fiskalizimin e faturave, pasi ky shërbim atyre u ofrohet pa pagesë, ndryshe nga bizneset e tjera që janë të detyruara të marrin shërbimin e kompanive private të programeve fiskale.

Sipas INSTAT, në vend ka rreth 40 mijë biznese të vetëpunësuar, ose rreth 30% e totalit, por nuk ka të dhëna se sa prej tyre janë të vetëpunësuar të vetëm. Aktiviteti i këtyre të fundit është tërësisht i bllokuar prej ditësh për shkak të mosfunksionimit të programit self-care.

Të vet-punësuarit e vetëm janë ata që po pengohen më shumë në aktivitetin e tyre nga mosfunksionimi i sistemit self-care. Ky i fundit është portali i fiskalizimit i vendosur në dispozicion nga Administrata Tatimore që mundëson procesin e fiskalizimit të faturave të shitjes, deklaratave doganore, ngarkimin e certifikatës së fiskalizimit dhe ndryshimet në të, etj.

Por, ekonomistët raportojnë se edhe subjektet e tjera që përdorin programe private po hasin vështirësi, pasi disa programe të lira i nxjerrin të dhënat e faturës të kufizuara. Sonila, ekonomiste, thotë se një klient i kërkon që të nxjerrë faturën me kokë blu, ku janë të dhënat e bankës, pasi banka nuk ia kishte pranuar faturën e nxjerrë nga kompania që u ofron shërbimin e programit fiskal.

Bizneset nuk arrijnë të bëjnë dot as kontabilizimin e doganave, por malli mund të merret dhe dërgohet.

Tashmë që afati për dorëzimin e bilanceve po afrohet, ekonomistët e përdorin këtë portal për të parë historikun e pagesave, dhe për të bërë minibilancet mujore, dhe bllokimi i portalit po bën që të vonohen në procesin e hartimit të bilancit.

Bllokimi i platformës qendrore të fiskalizimit sipas ekspertit fiskal Julian Saraçi, po paraqet një sërë problematikash që ndikojnë në funksionimin normal të biznesit, që nga mosfunksionimi i fiskalizimit, nxjerrja e certifikatës së re, mosfiskalizim për faturat e importit apo moskryerja e rakordimeve të faturave të kontrollit me ato të sistemit.

“-Faturat nuk lëshohen nga platforma qendrore. Procesi i fiskalizimit shpesh duket i përfunduar, por kur kontrollohet (check) sistemi bllokohet (crash) dhe fiskalizimi nuk përfundohet.

-Nuk mund të lëshohen faturat nga platforma qendrore; disa shoqëri fiskalizimi duket se përfundojnë procesin, por sistemi bllokohet kur kontrollohet.

-Certifikata e re e fiskalizimit nuk regjistrohet, nuk mund të shkarkohet ose të ngarkohet (upload), duke penguar rinovimin dhe aktivizimin e saj.

-Nuk mund të hapet filial i ri ose të ndryshohet operatori, duke bllokuar zgjerimin e biznesit dhe ndryshimet në staf (largime, shtime, zëvendësime).

-Faturat e importit nuk fiskalizohen brenda 72 orëve.

-Nuk mund të aksesohen faturat në sistem për rakordime dhe kontrolle.

-Nuk aksesohen faturat në sistem për rakordime e kontrolle

-Nuk verifikohen dot statuset e faturimeve

-Nuk kryhen dot rakordimet, apo pagesat që të lidhen me faturën etj”.

 

Dobësitë teknike që shembën e-albania

 

Sotiraq Dhamo: Mosfunksionimi i sistemit Self Care ka bllokuar punën për shumë biznese

Për kontabilistin Sotiraq Dhamo mosfunksionimi i sistemit Self Care ka bllokuar punën për shumë biznese, përfshirë personat fizikë që mund të lëshojnë fatura të fiskalizuara, mosfiskalizim të deklaratave doganore në afat për importuesit, në certifikatën elektronike nuk mund të bëhen ndryshime e adresës, nëse është dhënë gabim.

“Normalisht, Self Care është baza kryesore për rakordimet. Edhe tani, gjatë përgatitjes së Planit Financiar vjetor 2025, duhet të kryhen disa rakordime me Self Care, prandaj është e nevojshme të kesh akses në platformë.

Megjithatë, aktualisht nuk është e mundur të bëhen disa veprime: nuk mund të fiskalizohen deklaratat doganore në afat, nuk mund të bëhen ndryshime nëse ka probleme me adresën ose me certifikatën elektronike, dhe nuk mund të merret informacion për faturat e blerjes me para në dorë. Gjithashtu, personat fizikë që përdorin Self Care për faturim nuk mund të lëshojnë fatura”, pohon ai.

Zoti Dhamo thotë se në kushte normale nëse prej biznesit nuk do të kryheshin veprimet në SelfCare do të gjobitej, por për këtë periudhë si pas tij duhet të parashikohet një veprim nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) që të mos zbatohen gjoba për këtë situatë.

 

Heshtje zyrtare, ose përgjigje të tipit jemi më të mirët

Për situatën e krijuar ende nuk ka një sqarim zyrtar nga institucionet përgjegjëse. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit vijon ende të mos përgjigjet pavarësisht interesimeve të shumta nga Monitor.

Bizneset janë ankuar dhe në kanalet zyrtare, por nuk po gjejnë zgjidhje, përveç përgjigjeve evazive.

E-Albania bllokon aktivitetin e bizneseve, prej një jave SelfCare nuk punon, askush nuk përgjigjet

 

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, tha së fundmi se “sistemet tona janë nga më të avancuarat dhe ne jemi në zhvillim të tyre të vazhdueshëm, madje duke përfshirë edhe Inteligjencën Artificiale. Sigurisht që gjatë punës sonë, ka momente që sisteme krijojnë probleme, kjo ndodh kudo dhe ato adresohen nga strukturat e IT-së me përgjegjësi maksimale për të ndihmuar bizneset në punën e tyre. Kur ndodhin këto problematika, bizneset kanë mundësi, që të dhënat që nuk janë në gjendje t’i raportojnë në sistemin e fiskalizimit, t’i mbledhin dhe t’i raportojnë në një kohë të dytë”.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj u shpreh në Kuvend sot se shërbimet digjitale që ka Shqipëria janë vlerësuar nga institucionet ndërkombëtare. “Ne jemi të tetët në Evropë për sa i përket ofrimit të shërbimeve digjitale. Ne jemi të 17-ët në botë për sa i përket ofrimit të shërbimeve digjitale. Veprat janë vepra, faktet janë fakte. Sistemet e ndërtuara kanë ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, sistemet e ngritura për ofrimin e shërbimeve të bizneseve kanë reduktuar kohë dhe para”, tha Ibrahimaj.

 

Karma digjitale

 

The post Rënia e e-Albania, të vet-punësuarit nuk po marrin pagesat, ka biznese nuk po paguajnë dot faturat appeared first on Revista Monitor.

Rritja e pagave dhe një ekonomi në stanjacion do të krijojnë presione inflacioniste në vitin 2026

27 January 2026 at 14:53

Profesori në Fakultetin e Ekonomisë në Beograd dhe ish-guvernatori i Bankës Kombëtare të Serbisë (NBS), Dejan Šoškić, i tha FoNet se vazhdimi i një politike që premton rritje të të ardhurave për qytetarët, në kushtet e një ekonomie në stanjacion, do të krijojë pa dyshim presione inflacioniste në Serbi në vitin 2026.

“Në fusha si ushqimi, shërbimet komunale, energjia elektrike dhe karburantet ka shumë arsye për shqetësim, sepse nuk ka një politikë bujqësore të mençur dhe të qëndrueshme, nuk ka asnjë tregues për reforma drejt funksionimit racional të ndërmarrjeve dhe uljes së korrupsionit në ndërmarrjet publike, as për sjellje strategjike dhe të përgjegjshme në fusha kaq kyçe si stabiliteti i furnizimit me energji”, vuri në dukje Šoškić.

Ai rikujton gjithashtu se organizata Transparency International e rendit Serbinë ndër katër vendet më të korruptuara në Europë dhe se korrupsioni shkakton pasoja të shumta.

“Si rregull, ai çon në rënie të cilësisë në prokurimet dhe furnizimet publike dhe, natyrisht, në çmime dhe kosto më të larta për buxhetet publike që paguhen nga taksapaguesit. Por në ndërmarrjet publike, ai shkakton gjithashtu rritje të kostove, të cilat më pas derdhen në çmime më të larta që i paguajmë të gjithë ne si konsumatorë të tyre”, tha Šoškić.

Šoškić shtoi se normalisht do të pritej që në një ekonomi, e cila e ka ngadalësuar ndjeshëm aktivitetin ekonomik vitin e kaluar, edhe impulset inflacioniste të dobësoheshin, por ai vlerëson se, pavarësisht kësaj, presioni inflacionist në Serbi është i mundshëm.

“Në vendin tonë, prej një sërë vitesh tashmë, ‘politika ekonomike’ është zbatuar si një përmbledhje masash popullore njëherëshe, pa analizë dhe vizion të qartë makroekonomik. Jo vetëm që shohim masa të paqëndrueshme që miratohen dhe zbatohen në fushën e politikës ekonomike, por po shtohet edhe përpjekja për të arritur rezultate të caktuara, përmes masave administrative”, deklaroi Šoškić.

Ai beson se këto kufizime, ndalime dhe rregullime administrative, ndër të tjera, tregojnë edhe pasaktësinë dhe joefikasitetin e masave të mëparshme të politikës ekonomike.

“Sa u përket dekreteve mbi masat administrative, mendoj se ato do të mbeten në fuqi për aq kohë sa struktura aktuale politike mendon se efektet e këtyre masave i sjellin asaj njëfarë popullariteti politik të dëshiruar tek elektorati, dhe kjo mund të zgjasë deri në zgjedhjet e ardhshme”, – tha Šoškić.

Sipas tij, lajmet për mbylljen e fabrikave dhe pushimet nga puna në Serbi, të cilat u bënë më të shpeshta nga fundi i vitit të kaluar, nuk duhet të vijnë si befasi, sepse kjo është pikërisht pasojë e politikave makroekonomike të pasakta dhe të pakoordinuara.

“E kam theksuar këtë në disa raste, madje edhe disa vite më parë, se kjo do të ndodhte. Konkretisht, ishte e qartë se në kushtet e rritjes së pagave pa rritje të produktivitetit dhe me një kurs këmbimi të fiksuar, të gjithë eksportuesit serbë dhe prodhuesit e tjerë humbasin konkurrueshmërinë si në tregjet e jashtme, ashtu edhe në ato të brendshme. Këtë e shohim edhe në bujqësi, ku importet po rriten në fusha në të cilat më parë kishim prodhim vendas, konkurrueshmëri dhe eksporte”, tha Šoškić.

Ai shtoi se një prirje e tillë do të vazhdojë për aq kohë sa masa popullore e rritjes së të ardhurave kombinohet me masën po aq popullore të kursit të këmbimit të fiksuar, në kushtet e një produktiviteti në stanjacion në ekonomi.

“Ashtu siç interesi publik dhe pasuria shtetërore janë të dënuara me dështim dhe kolaps në kushtet e korrupsionit, po ashtu edhe politika ekonomike është e dënuar me dështim dhe kolaps kur zbatohet thjesht si një përmbledhje masash politikisht popullore”, përfundoi Šoškić.

Menaxhimi shtetëror i NIS, një zgjidhje problematike

Lidhur me situatën e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), ai deklaroi se vendimi i Zyrës Amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) për t’i dhënë kompanisë një licencë për të operuar deri më 23 janar është vetëm një masë e përkohshme, e cila synon të gjejë një zgjidhje të pranueshme.

Šoškić thotë se stabilizimi dhe normalizimi i operacioneve të NIS është padyshim me rëndësi të madhe për ekonominë serbe dhe përparësi në këtë moment, por ai beson se zgjidhjet duhet të kërkohen në modele që lejojnë evolucionin e mëtejshëm të mundshëm të pronësisë së kompanisë në një drejtim që do të mbronte më mirë interesat e shtetit serb.

“Një zgjidhje e përhershme duhet kërkuar në modelet e vendeve më të suksesshme të Europës Qendrore (Austria, Polonia, Hungaria dhe të tjera), ku ekziston një kompani kombëtare e naftës me shumicë pronësie shtetërore, e cila operon me sukses, zgjeron aktivitetin e saj brenda dhe jashtë vendit dhe siguron rregull, stabilitet dhe çmime të favorshme në furnizimin me energji për ekonominë vendase dhe qytetarët”, beson Šoškić.

Ai shton se ky segment tregu duhet të jetë i hapur edhe për furnizues të tjerë nga vendi dhe jashtë tij, në mënyrë që të nxitet konkurrenca dhe të forcohet mbrojtja e interesave të konsumatorëve dhe të ekonomisë.

Megjithatë, Šoškić thekson se e gjithë situata me NIS mund të ishte parashikuar prej kohësh dhe se rreziqet e shfaqjes së saj mund të ishin eliminuar në kohë.

Ai gjithashtu beson se vetë fakti që Serbia është gjendur në rrethana të tilla është dëshmi e dështimit në mbrojtjen e interesave të vendit, për të cilin janë përgjegjëse disa qeveri të mëparshme serbe.

“Çdo ndryshim nga një pronar i huaj në një tjetër pronar të huaj është, sipas mendimit tim, një zgjidhje jo e përshtatshme. Megjithatë, duhet pasur parasysh gjithashtu se, në kushte ku praktikisht çdo ndërmarrje publike po shpërbëhet dhe po shndërrohet në objekt partiak, pronësia dhe menaxhimi dominues shtetëror i NIS është gjithashtu një zgjidhje problematike”, përfundoi Šoškić.

The post Rritja e pagave dhe një ekonomi në stanjacion do të krijojnë presione inflacioniste në vitin 2026 appeared first on Revista Monitor.

Trump do të rrisë tarifat ndaj Koresë së Jugut në 25%

27 January 2026 at 14:33

Presidenti amerikan akuzon Seulin se “nuk po i përmbahet” marrëveshjes së arritur me Uashingtonin vitin e kaluar

Donald Trump ka thënë se do t’i rrisë tarifat ndaj Koresë së Jugut në 25 për qind si përgjigje ndaj ritmit të ngadaltë të Seulit në zbatimin e marrëveshjes tregtare që ai arriti me SHBA-në vitin e kaluar.
Në një postim në Truth Social të hënën, presidenti amerikan tha se rritja do të zbatohej për të gjitha mallrat e mbuluara nga tarifat e tij “reciproke”, si dhe për makinat, drurin dhe produktet farmaceutike.

“Marrëveshjet tona tregtare janë shumë të rëndësishme për Amerikën,” shkroi Trump. “Në secilën prej këtyre marrëveshjeve, ne kemi vepruar me shpejtësi për të ulur TARIFAT tona në përputhje me transaksionin e rënë dakord. Natyrisht, presim që partnerët tanë tregtarë të bëjnë të njëjtën gjë.”

Ai shtoi: “Legjislatura e Koresë së Jugut nuk po i përmbahet marrëveshjes së saj me Shtetet e Bashkuara.”

Zyra e presidentit të Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, tha në një deklaratë se “nuk ka pasur asnjë njoftim apo shpjegim zyrtar për detajet nga qeveria amerikane”.

Rritja e papritur e detyrimeve ndaj një partneri tregtar e përmbys marrëveshjen që Trump arriti vitin e kaluar, dhe do të tronditë vende të tjera të huaja me marrëveshje të ngjashme.

Presidenti njoftoi verën e kaluar se do të ulte shumë nga tarifat e tij ndaj Koresë së Jugut në 15 për qind, si pjesë e një marrëveshjeje në të cilën Seuli u zotua për 350 mld dollarë investime në SHBA.

Marrëveshja përfshinte lehtësime kyçe për kompanitë koreanojugore të automjeteve, me tarifat mbi makinat dhe pjesët e tyre të ulura në 15 për qind, duke i vënë ato në një nivel me taksat e vendosura nga Trump ndaj Japonisë dhe BE-së.

Marrëveshja u finalizua në fund të vitit të kaluar pasi Trump vizitoi Korenë e Jugut.

Njoftimi i Trump shkaktoi konfuzion në Korenë e Jugut lidhur me atë që e kishte provokuar presidentin amerikan.

Ministria koreanojugore e ekonomisë dhe financave tha se po përpiqej të kuptonte “qëllimin” e deklaratës së Trump. Zyrtarët besojnë se Trump mund t’i jetë referuar një projektligji të propozuar në nëntor që do të mundësonte investimin prej 350 mld dollarësh, por që aktualisht ka mbetur pezull.

 

Ministri i financave Koo Yun-cheol do t’i kërkojë Asamblesë Kombëtare të përshpejtojë miratimin e projektligjit, tha ministria në një deklaratë.

Një tjetër element që shton konfuzionin është fakti se marrëveshja ishte e përfshirë në një fletë informuese dhe në një memorandum mirëkuptimi, dhe jo në një traktat formal.

Edhe pse kjo është hera e parë që Trump ka ndryshuar kursin për një marrëveshje që synonte të shmangte nivelet më të larta të tarifave të tij “reciproke”, zyrtarët e tij më parë janë ankuar se vende të tjera nuk po i zbatonin marrëveshjet mjaftueshëm shpejt. Në nëntor ata akuzuan BE-në se po vepronte “disi ngadalë” në këtë drejtim.

Në fund të javës së kaluar, Parlamenti Europian tha se do të vononte çdo masë të mëtejshme për zbatimin e marrëveshjes tregtare me Uashingtonin derisa Trump të hiqte kërcënimet për vendosjen e tarifave për shkak të përpjekjes së tij për të kontrolluar Groenlandën.

Trump nuk mund të vendosë tarifa thjesht duke i shpallur ato në Truth Social dhe do t’i duhet t’i miratojë ato përmes një autoriteti presidencial, si një urdhër ekzekutiv, përpara se të hyjnë në fuqi.

Shumë nga tarifat që ai ka vendosur gjatë vitit të kaluar janë sfiduar në gjykatë dhe mund të shpallen të paligjshme nga Gjykata e Lartë e SHBA-së. / FT

The post Trump do të rrisë tarifat ndaj Koresë së Jugut në 25% appeared first on Revista Monitor.

Instituti i Bashkive: Bashkitë të papërgatitura për indeksim, 50% e kostos të mbulohet nga buxheti

27 January 2026 at 14:00

Instituti për Bashkitë e Shqipërisë vlerëson pozitivisht projektvendimin për indeksimin e pagave të administratës të pushtetit vendor, por rekomandon që 50% e kostos financiare që do të rrjedhë për politikën e rritjes së pagave të mbulohet nga buxheti i shtetit.

Nga Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka hartuar projektvendimin për indeksimin e pagave të punonjësve për pushtetin vendor. Projektvendimi llogarit një efekt prej 143 mln lekë në muaj për rritjen e pagës minimale dhe për punonjësit mbështetës.

Sipas projektvendimit ky efekt, për vitin 2026, do të përballohet nga transferta e akorduar për njësitë e vetëqeverisjes vendore, miratuar në ligjin 87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, si dhe nga të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Në reagimin Institutit të Bashkive të Shqipërisë theksohet se bashkitë janë të papërgatitura financiarisht për zbatimin e këtij vendimi.

“Instituti vëren se këto ndryshime i gjejnë bashkitë të papërgatitura në kuadër të buxheteve afatmesme dhe përballë nevojave të larta financiare për garantimin e shërbimeve publike dhe realizimin e investimeve vendore. Në këtë kuadër, Instituti u bën thirrje bashkive të kryejnë llogaritjet përkatëse financiare dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për zbatimin e menjëhershëm të vendimit.

Njëkohësisht, Instituti për Bashkitë e Shqipërisë rekomandon që Qeveria Shqiptare të shqyrtojë mbulimin e të paktën 50% të kostos financiare që rrjedh nga indeksimi i pagave, përmes transfertave shtesë ose mekanizmave të posaçëm mbështetës. “Një qasje e tillë do të siguronte zbatim të njëtrajtshëm të vendimit në të gjitha bashkitë, do të mbronte qëndrueshmërinë financiare vendore dhe do të shmangte ndikimin negativ në cilësinë e shërbimeve dhe investimeve publike.

Instituti mbetet i angazhuar të mbështesë bashkitë dhe institucionet qendrore përmes dialogut, asistencës teknike dhe advokimit institucional, me qëllim që rritja e pagës minimale të shndërrohet në një përfitim real dhe të qëndrueshëm për punonjësit dhe për komunitetet vendore”, thuhet në reagim.

https://monitor.al/indeksimi-i-pagave-te-administrates-me-2-5-ne-2026-per-pushtetin-vendor-rritje-deri-10-mije-leke/

 

 

The post Instituti i Bashkive: Bashkitë të papërgatitura për indeksim, 50% e kostos të mbulohet nga buxheti appeared first on Revista Monitor.

BE dhe India finalizojnë marrëveshjen tregtare, 4 mld euro ulje tarifash mbi eksportet e bllokut

27 January 2026 at 13:57

Marrëveshja do të ulë ose heqë gradualisht taksat mbi makinat, alkoolin dhe makineritë, duke mbrojtur disa produkte bujqësore

Nju Delhi dhe Brukseli kanë rënë dakord për një marrëveshje tregtare që do të eliminojë deri në 4 miliardë euro tarifa mbi eksportet e BE-së dhe që mund të dyfishojë dërgesat nga blloku drejt Indisë.
Marrëveshja, e cilësuar nga Brukseli si më e madhja e arritur ndonjëherë nga secila palë, do të shkurtojë ose ulë tarifat për 96.6 për qind të eksporteve të BE-së drejt Indisë, duke ulur kostot e mallrave europiane, përfshirë makinat, alkoolin dhe makineritë. Sektorë bujqësorë të ndjeshëm për të dyja palët, si bulmeti, sheqeri dhe disa lloje mishi, nuk u përfshinë.

Palët e finalizuan marrëveshjen të martën gjatë një vizite në Indi të presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe presidentit të Këshillit Europian, António Costa.

Modi përshëndeti një “epokë të re” në marrëdhënie gjatë ceremonisë së nënshkrimit. Ai tha se marrëveshja “do ta bëjë më të lehtë aksesin në tregun e BE-së për fermerët dhe bizneset tona të vogla”.

Si Brukseli ashtu edhe Nju Delhi janë përballur me një breshëri tarifash nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka vendosur taksa deri në 50 për qind mbi disa eksporte indiane për shkak të blerjeve të naftës ruse nga ky vend.
Javën e kaluar, Trump kërcënoi vendet e BE-së me tarifa shtesë prej 10 për qind nëse ato do t’i kundërshtonin ambiciet e tij për të kontrolluar Groenlandën.

“Në një epokë luftërash tregtare dhe shtrëngimi nga fuqitë e mëdha, Nju Delhi dhe Brukseli kanë zgjedhur jo tërheqjen, por harmonizimin,” tha Brahma Chellaney, profesor në qendrën kërkimore Centre for Policy Research në Nju Delhi. Ai shtoi se marrëveshja do ta bëjë marrëdhënien Indi–BE “një spirancë strategjike të rendit global të shekullit XXI”.

Uljet e tarifave nga Nju Delhi janë pjesë e përpjekjeve të Modit për të hapur ekonominë e mbrojtur të vendit dhe për të tërhequr investime për t’u bashkuar me zinxhirët globalë të furnizimit.

Taksat mbi makinat europiane do të ulen gradualisht nga 110 për qind në 10 për qind, me një kuotë prej 250,000 automjetesh në vit.
Tarifat deri në 44 për qind mbi makineritë, 22 për qind mbi kimikatet dhe 11 për qind mbi farmaceutikët do të hiqen në pjesën më të madhe. Tarifat mbi çelikun dhe hekurin deri në 22 për qind do të hiqen gjithashtu gradualisht gjatë një periudhe 10-vjeçare.
Tarifat mbi 36 për qind për produktet ushqimore europiane, që BE-ja i quajti “ndaluese”, do të ulen ose hiqen, sipas bllokut.

Tarifat indiane mbi verën e BE-së do të bien nga 150 për qind në 75 për qind dhe përfundimisht në nivele deri në 20 për qind, ndërsa ato mbi vajin e ullirit do të shkojnë nga 45 për qind në zero brenda pesë vitesh. Tarifat mbi produktet bujqësore të përpunuara, si buka dhe ëmbëlsirat, deri në 50 për qind, do të hiqen gjithashtu.

Marrëveshja do t’i paraqitet Parlamentit Europian dhe vendeve anëtare të BE-së, si edhe kabinetit të Indisë, për miratim përpara se të hyjë në fuqi. BE-ja dhe India tregtojnë mbi 180 miliardë euro mallra dhe shërbime në vit, sipas Brukselit.

BE-ja ka premtuar gjithashtu 500 milionë euro për të mbështetur përpjekjet e industrisë indiane për dekarbonizim, pasi Nju Delhi kërkoi të shmangte taksën e re të karbonit të bllokut mbi çelikun, kimikatet dhe mallra të tjera.

India ka finalizuar një seri marrëveshjesh të fundit tregtare, përfshirë me Mbretërinë e Bashkuar, Zelandën e Re dhe Omanin. Qeveria e Modit ka mbyllur ose po negocion marrëveshje me vende që përbëjnë rreth 55 për qind të tregtisë totale të vendit, sipas ekonomistëve të Barclays.

Grupet e industrisë europiane e mirëpritën marrëveshjen, të cilën shoqata e tregtisë Spirits Europe e quajti “transformuese”.

Por disa ishin skeptikë nëse India do të hiqte më shumë barriera tregtare. Shoqata e industrisë së çelikut Eurofer tha përpara marrëveshjes se tregtia ishte “thellësisht e pabalancuar, kryesisht si rezultat i standardeve shumë proteksioniste të çelikut dhe politikave të prokurimit në Indi”.

Industria indiane e qumështit, një sektor politikisht i ndjeshëm për Nju Delhin, u përjashtua. Sektorë bujqësorë të ndjeshëm europianë, si viçi, pula, orizi, sheqeri dhe etanoli, u përjashtuan gjithashtu nga marrëveshja.

Ligjvënësit e BE-së javën e kaluar votuan për të shtyrë ratifikimin e një marrëveshjeje tregtare të shumëkërkuar me grupin Mercosur të ekonomive të Amerikës së Jugut, e cila u kundërshtua nga fermerët në bllok, që argumentojnë se nuk mund të konkurrojnë me importet më të lira. / FT

The post BE dhe India finalizojnë marrëveshjen tregtare, 4 mld euro ulje tarifash mbi eksportet e bllokut appeared first on Revista Monitor.

Incidentet e sigurisë kibernetike në banka, më të zakonshmet janë tentativat për phishing

27 January 2026 at 13:00

78% e bankave në Shqipëri kanë kaluar incidente të sigurisë kibernetike. Një studim i specialisteve të Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, Lindita Molishti dhe Margerita Topalli, ka treguar se paralelisht me rritjen e kërkesës për shërbime financiare digjitale, po rritet edhe ekspozimi i bankave dhe klientëve të tyre ndaj sulmeve kibernetike.

Nga vrojtimi me bankat tregtare, tentativat e “phishing” janë identifikuar si incidenti më i përhapur i sigurisë kibernetike. Këto tentativa kanë synuar marrjen e informacioneve delikate për klientët, si kredencialet e bankingut në internet dhe të dhëna të detajuara të kartës së kreditit.

Sipas studimit, natyra e përhapur e përpjekjeve për “phishing” nënvizon nevojën që bankat të miratojnë mekanizma të fuqishëm zbulimi dhe parandalimi për të mbrojtur klientët e tyre nga kërcënime të tilla.

Përveç “phishing”, bankat raportuan raste të komunikimeve elektronike të dëmshme që ngjajnë me e-mailet e ligjshme. Këto e-maile synojnë të mashtrojnë klientët duke përfshirë lidhje të rreme ose bashkëngjitje, duke kompromentuar përfundimisht sigurinë e të dhënave.

Dy grupet e mësipërme përbëjnë pjesën dërrmuese të incidenteve kibernetike të raportuara nga bankat tregtare.

Ndërkohë, më të rralla ishin incidentet që përfshinin përpjekje për akses të paautorizuar, sulme ransomware (programe që bllokojnë aksesin e klientit në të dhënat e tyre dhe kërkojnë shpërblime për kthimin e aksesit) dhe modifikime të paautorizuara të të dhënave.

Sipas studimit, këto kërcënime më të sofistikuara, megjithëse janë më pak të shpeshta, nënvizojnë rëndësinë e mbajtjes së masave gjithëpërfshirëse të sigurisë kibernetike për të mbrojtur të dhënat e ndjeshme financiare dhe për të siguruar integritetin operacional.

Studimi citon komentin e një banke “se përpjekjet për phishing, ndonëse një sfidë e vazhdueshme, nuk kanë treguar një rritje të konsiderueshme të lidhur drejtpërdrejt me nismat e reja digjitale”.

Kjo sugjeron se pavarësisht nga rreziqet e rritura që lidhen me transformimin digjital, bankat shqiptare janë kryesisht efektive në menaxhimin e këtyre sfidave.

Megjithatë, ndërsa shërbimet bankare digjitale zgjerohen dhe bëhen më komplekse, studimi ka evidentuar nevojën për përmirësim të vazhdueshëm në praktikat e sigurisë kibernetike mbetet parësore.

Duke investuar në teknologjitë e avancuara të sigurisë dhe duke nxitur një kulturë të ndërgjegjësimit për sigurinë kibernetike, bankat mund t’i zbusin këto rreziqe, duke siguruar një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur si për klientët ashtu dhe proceset operacionale bankare.

Autoret shprehen se këto përpjekje janë thelbësore për të mbështetur besimin e klientëve dhe palëve të interesuara në ekosistemin bankar dixhital./ E.Shehu

 

The post Incidentet e sigurisë kibernetike në banka, më të zakonshmet janë tentativat për phishing appeared first on Revista Monitor.

Ministri Malaj: Akti normativ i buxhetit 2025, rishpërndan 300 mln euro fonde të papërdorura

27 January 2026 at 12:01

Ministri i Financave Petrit Malaj gjatë seancës së sotme parlamentare prezantoi ndryshimet kryesore nëpërmjet aktit normativ për buxhetin e vitit 2025.

Ministri Malaj tha se përmes ndryshimeve të buxhetit u sigurua mbështetja buxhetore për familjet me Ndihmë Ekonomikë dhe Personat me Aftësi të Kufizuar arriti në 25,6 miliardë lekë, përfshi këtu edhe fondin për bonusin e fundvitit.

Ndërsa për kategorinë e pensionistëve (indeksim + bonus) fondi buxhetor u llogarit në 11.8 miliardë lekë.

“Në një kuadër ekonomik që kërkon kujdes dhe balancë në vendimmarrje, ne kemi zgjedhur të mbështetim ato shtresa të shoqërisë që kanë më shumë nevojë.

Ndaj edhe nëpërmjet këtij Akti Normativ ne synojmë:

Transferimin e të gjitha fondeve të papërdorura gjatë 2025 nga ministritë apo insitucionet buxhetore në llogarinë e mbështetjes së pensionistëve në Bankën e Shqipërisë, që do të përdoret me Vendim të Këshillit të Ministrave.

-Mbështetjen e shtresave në nevojë (familjet NE dhe PAK).

-Rialokimin e kursimeve të evidentuara gjatë periudhës janar-nëntor 2025 drejt programeve me performancë më të lartë.

-Si dhe një shpërndarje të brendshme të fondeve me efekt neutral në deficit, në funksion të rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të zbatimit të projekteve”.

Me tej gjatë fjalës së tij ministri i Financave Petrit Malaj tha se përmes këtij Akti Normativ ne synohet rishpërndarja e rreth 30 miliardë lekë kursimeve të evidentuara, për realizimin sa më të plotë të shpenzimeve publike në nivel vjetor, duke ruajtur të pandryshuar të deficitit buxhetor për vitin 2025, në nivelin e planifikuar 61.64 mld lekë

Për zërin e shpenzimeve koherente, ndër alokimet kryesore Malaj veçoi transferimin e 150 mln euro në llogarinë e pensionistëve në Bankën e Shqipërisë apo 2 mld lekë shtesë për financimin e kërkesave për aplikim të fermerëve në skemën e bujqësisë.

“Mbështetjen financiare të disa kategorive në nevojë në masën 15,000 lekë (150 euro) për rreth 148.500 përfitues të familjeve që trajtohen me Ndihmë Ekonomike dhe Personat me Aftësi të Kufizuar, si dhe kujdestarët e tyre me një efekt financiar prej 2.23 miliardë lekë (22.3 mln euro).

(Sipas të dhënave që disponojmë, bonusi për familjet që trajtohen me Ndihmë Ekonomike ka realizim në masën 98.4%, ndërsa për personat PAK në masën 99.5%, duke nënvizuar se ende priten pagesa që janë në procesim).

Gjithashtu nëpërmjet Aktit, parashikojmë transferimin e të gjitha fondeve të papërdorura në mbyllje të buxhetit 2025, në llogarinë e mbështetjes së pensionistëve në Bankën e Shqipërisë, që përdoret me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Nga një vlerësim paraprak që ka bërë Ministria e Financave shuma që minimalisht do të kalojë në këtë llogari është rreth 15 miliardë lekë (ose 150 milionë euro).  Përmes këtij mekanizmi synojmë të krijojmë hapësira të qëndrueshme për mbështetjen e kësaj kategorie, duke ruajtur transparencën dhe kontrollin mbi përdorimin e fondeve, pa rrezikuar ekuilibrat fiskalë.

Financimin shtesë për Fermerët në masën rreth 2 miliardë lekë, me qëllim mbulimin e të gjithë kërkesave të aplikantëve, të Skemës, që plotësojnë kriteret e përfitimit për masat mbështetëse për vitin 2025.

Në total fondi i alokuar për vitin 2025, nga të cilat fermerët kanë përfituar drejtpërdrejtë shkon në masën 6.4 miliardë lekë, krahasuar me 5.3 miliardë lekë që ishte në vitin 2024.

(Sipas të dhënave që disponojmë realizimi i fondit për skemat mbështetëse është 90%, ndërsa për kompensimin e naftës është në masën 93%. Mund të konfirmojmë që ende po kryhen pagesa dhe pritet që realizimi të jetë së shpejti më masën 100%).

Alokimin për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të një fondi shtesë prej 1.76 miliardë lekësh, me qëllim mbulimin e nevojave për furnizimin me medikamente në QSUT dhe në disa spitale të tjera, në rang vendi.

Për Ministrinë e Brendshme, alokohen 1.3 miliardë lekë me qëllim mbulimin e shpenzimeve të Policisë së Shtetit për kompensimin ushqimor, orët jashtë orarit, si dhe dieta në kuadër të sezonit intensiv turistik, krahas shlyerjes së detyrimeve nga vendimet gjyqësore të IKMT-së.

(Sipas të dhënave që disponojmë, plani i realizimit për zërin e pagesave për orët jashtë orarit për garantimin e sezonit turistik është në masën 99.9%, ndërsa për dietat/ushqimet në masën 99.7%, pritet ekzekutimi i faturave nga Thesari. Sa i takon pagesave të detyrimeve gjyqësore për IKMT ato llogariten në 532 milionë lekë dhe ky fond është realizuar në masën 99.9%).

Për Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit është parashikuar një shtesë fondi në masën 847 milionë lekë për organizimin e aktiviteteve sportive me karakter kombëtar e ndërkombëtar”.

 

The post Ministri Malaj: Akti normativ i buxhetit 2025, rishpërndan 300 mln euro fonde të papërdorura appeared first on Revista Monitor.

Sejko: Tkurrja dhe plakja e popullsisë, sprovë për ekonominë

27 January 2026 at 11:42

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) prezantoi sot raportin e saj të tranzicionit, 2025-2026.

Raporti i sivjetshëm fokusohet në një nga forcat më të fuqishme që formësojnë ekonomitë dhe shoqëritë tona: ndryshimet demografike.

Në fjalën përshëndetëse të këtij aktiviteti, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko,

u shpreh se demografia është forca fondamentale e zhvillimit dhe prosperitetit të një shoqërie dhe aktualisht po jetojmë një pikë kthese demografike globale, e cila kërkon edhe vëmendje. Ndërsa gjithnjë e më pak njerëz hyjnë në tregun e punës, gjithnjë e më shumë të tjerë janë të varur nga sistemet e pensioneve dhe të kujdesit shëndetësor. Tashmë, këto ndryshime po ushtrojnë presion mbi produktivitetin, financat publike, përparësitë politike dhe mbi perspektivat afatgjata të rritjes në rajone të ndryshme.

Në vijim, Guvernatori Sejko u shpreh se në Bankën e Shqipërisë, i ka analizuar e trajtuar këto çështje dhe zhvillimet demografike prej pothuajse një dekade. Plakja e popullsisë dhe emigracioni janë identifikuar herët në kohë, si sfida përcaktuese për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë. Transformimi i shpejtë demografik po riformëson ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, ndërsa këto të fundit tashmë përballen me sfida të ngjashme me ato të theksuara në Raportin e Tranzicionit.

Guvernatori shtoi se emigracioni, dikur i konsideruar si faktor lehtësues për papunësinë dhe varfërinë, po shfaqet gjithnjë e më shumë si një sfidë strukturore. Rritja ekonomike e qëndrueshme, nivelet historikisht të ulëta të papunësisë dhe mungesat e fuqisë punëtore në sektorë kyç, i kanë bërë më të dukshme pasojat afatgjata të ndryshimeve demografike si për bizneset, ashtu edhe për familjet.

Me tej, Guvernatori Sejko theksoi se ekonomia shqiptare ka treguar përshtatshmëri dhe qëndrueshmëri të lartë vitet e fundit, e mbështetur nga inflacioni i ulët, rritja e qëndrueshme ekonomike, rritja e punësimit dhe e pagave, si edhe përmirësimi i llogarisë korrente. Kushtet e tregut të punës janë përmirësuar ndjeshëm, reflektuar në rritje të punësimit, rënie të papunësisë në nivele historikisht të ulëta dhe produktivitet të punës dukshëm më të lartë krahasuar me periudhën para krizës financiare globale.

Ai nënvizoi se Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol kyç në këto zhvillime përmes zbatimit të një politike monetare të kujdesshme, të qëndrueshme dhe proaktive, e fokusuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse.

Guvernatori u shpreh se raporti ofron një panoramë të saktë të politikave dhe të përshtatshme për të kuptuar ndryshimet demografike dhe ndikimet e tyre ekonomike. Gjetjet për Shqipërinë janë në rezonancë të plotë me përfundimet e paraqitura më gjerë në Raportin e Tranzicionit të BERZH-it. Në të gjitha vendet në zhvillim të Evropës, popullsitë në plakje dhe tkurrja e fuqisë punëtore rëndojnë mbi rritjen ekonomike.

Guvernatori Sejko falënderoi BERZH-in për kontributin dhe mbështetjen me investime financiare në fusha të ndryshme të ekonomisë së vendit tonë.

Raporti i BERZH me fokus tek emigrimi: një e katërta e shqiptarëve me arsim të lartë janë larguar

The post Sejko: Tkurrja dhe plakja e popullsisë, sprovë për ekonominë appeared first on Revista Monitor.

Importet e ushqimeve rriten me 23% në pesë vite; importohet më lirë, shitet më shtrenjtë

27 January 2026 at 11:00

Vit pas viti vendi ynë është duke rritur varësinë nga ushqimet e importit si rrjedhojë e uljes së prodhimit vendas dhe nevojave më të larta për konsum nga turistët.

Në vitin 2025 u importuan 1,347,550 tonë ushqime, me rritje vjetore 4.3% sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Vlera e importeve shënoi gjithashtu rritje me 3,9%.

Të dhënat tregojnë se nga njëra anë sasia e ushqimeve të importuara po rritet me ritme të qëndrueshme, ndërsa çmimi mesatar për kilogram i importeve po bie, duke e bërë ushqimin e importuar gjithnjë e më të lirë. Kjo nuk duket se është reflektuar në tregun e pakicës, ku çmimet si të ushqimeve, ashtu dhe të rafteve në supermarkete vetëm sa po shtrenjtohen.

Në vitin 2020, Shqipëria importonte rreth 1.09 milionë tonë ushqime dhe pije. Në vitin 2025, kjo sasi arriti në 1.35 milionë tonë, një zgjerim prej mbi 250 mijë tonësh ose rreth 23% më shumë brenda pesë vitesh. Vitet e fundit, konsumi i brendshëm po mbështetet gjithnjë e më shumë te tregjet e jashtme për të mbuluar nevojat bazë ushqimore, në një kohë kur kërkesa është rritur edhe nga turizmi.

Në të njëjtën kohë, vlera totale e importeve në lekë është rritur, por jo në të njëjtin ritëm me sasinë. Nga rreth 110.9 miliardë lekë në vitin 2020, importet arrijnë në mbi 162 miliardë lekë në vitin 2025. Ndonëse Shqipëria po shpenzon më shumë në terma absolutë për ushqime të importuara, çdo kilogram ushqim importi po kushton më pak vit pas viti.

Çmimi mesatar për kilogram, i cili arriti kulmin në vitin 2022, në rreth 146 lekë për kg gjatë krizës globale të çmimeve pas luftës në Ukrainë, ka rënë gradualisht deri në rreth 120 lekë për kg në vitin 2025, një ulje prej afro 18% në vetëm tre vjet. Kursi i këmbimit ka favorizuar dukshëm importuesit, teksa euro u këmbye mesatarisht me 97 lekë në 2025-n, nga rreth 140 lekë që ishte në 2015-n.

Shqipëria sot po blen ushqime më lirë në tregjet ndërkombëtare sesa gjatë periudhës së pikut të krizës, por po blen shumë më tepër. Rënia e çmimit për njësi ka ndihmuar që faturat e importeve të mos rriten aq sa sugjeron rritja e fortë e sasive, duke amortizuar presionin mbi çmimet e brendshme. Kjo prirje tregon edhe një varësi gjithnjë e në rritje nga furnizimi i jashtëm për ushqimet bazë, duke e bërë ekonominë më të ndjeshme ndaj luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare në të ardhmen.

Një pjesë e rritjes së volumit te importeve po vjen nga vende si Turqia, Ballkani, Amerika Latine dhe tregje të tjera ku prodhimi bujqësor është më i lirë sesa në BE.

Rritja e turizmit dhe e konsumit urban ka shtuar kërkesën për produkte të standardizuara, të paketimit industrial dhe të prodhuara në seri të mëdha, të cilat janë zakonisht më të lira për njësi sesa prodhimet artizanale apo lokale.

Sakaq prodhimi vendas nuk po rritet me të njëjtin ritëm me kërkesën. Kostot e larta të prodhimit vendas bëjnë që shumë produkte shqiptare të jenë më të shtrenjta se ato të importuara. Si rezultat, tregtarët dhe përpunuesit zgjedhin mallin e huaj, që vjen më lirë dhe në sasi të mëdha./ B.Hoxha

Burimi: INSTAT

Burimi: INSTAT

The post Importet e ushqimeve rriten me 23% në pesë vite; importohet më lirë, shitet më shtrenjtë appeared first on Revista Monitor.

Dobësitë teknike që shembën e-albania

27 January 2026 at 09:58

Një kombinim faktorësh problematikë, nga zvarritja e tenderit të fiskalizimit, te përdorimi i zgjidhjeve open-source pa kontroll teknik nga AKSHI dhe dorëheqjet masive të teknikëve pas nisjes së hetimeve të SPAK , ka paralizuar shërbimet e e-qeverisjes, veçanërisht ato që përdorin bizneset.

Në mes të dhjetorit të vitit të kaluar tenderi për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizmit për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me autoritet kontraktor Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), me fond limit 7.7 milionë euro ka përfunduar sërish i ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik vetëm dhjetë ditë nga heqja e pezullimit. Teksa më herët KPP mori këtë masë për të hapur rrugë vijimit të procesit pas konstatimit se ishin bërë korrigjimet e nevojshme në dokumentet e tenderit, tashmë një tjetër operator vlerëson se këto ndryshime nuk janë të plota duke lënë hapësira për interpretim.

Sistemi i mirëmbajtjes se e-albania është ndërtuar keq

Një inxhinier që ka punuar në sistemet digjitale qeveritare thotë se, kur u mor vendimi për modernizimin e platformës, arkitektura u zhvendos drejt modelit “microservices”, por pa përdorur kompani apo produkte të certifikuara sipas standardeve ndërkombëtare.

(Platforma është ndërtuar mbi një numër të madh shërbimesh të ndara nga njëri-tjetri: identiteti, pagesat, licencat, bizneset, dokumentet dhe komunikimi me tatimet funksionojnë si aplikacione të veçanta, secili me bazën e vet të të dhënave dhe me infrastrukturë të pavarur. Këto module ndërveprojnë përmes GG (Government Gateway), duke krijuar një arkitekturë të fragmentuar dhe të ndjeshme ndaj gabimeve.

Sipas inxhinierit, një qasje e tillë kërkon standarde shumë të forta, ekipe që njohin gjithë hartën e sistemit, testime të vazhdueshme të ndërvarësive dhe mekanizma që garantojnë që, edhe nëse bie një modul, pjesa tjetër e shërbimeve të vijojë të funksionojë normalisht. Në realitet, mirëmbajtja kryhet nga kontraktorë të ndryshëm dhe nënkontraktorë të shumtë: një kompani menaxhon identitetin, një tjetër pagesat, një tjetër regjistrin e biznesit dhe një tjetër ndërfaqen e e-Albania-s.

Kjo krijon atë që teknikisht quhet “rrjet varësish”. Për shembull, kur një biznes kërkon një shërbim, sistemi duhet të verifikojë radhazi identitetin, regjistrin e biznesit, detyrimet tatimore, pagesat dhe arkivin e dokumenteve. Nëse ndalon së funksionuari edhe një prej këtyre shërbimeve, e gjithë kërkesa dështon dhe përdoruesi sheh mesazhin standard: “e-Albania nuk punon”, edhe pse problemi mund të jetë vetëm në një komponent të caktuar.)

Inxhineri tha se sistemi self-care nuk është aplikacion i pavararur. Kur një biznes hyn për të bërë një veprim, sistemi duhet të verifikojë kush je, çfarë subjekti ke, çfarë detyrimesh tatimore ke dhe nëse ke të drejtë të kryesh atë shërbim. Nëse njëra nga këto hallka nuk përgjigjet, e gjithë rruga e transaksionit bllokohet.

Hetimet e SPAK, “tekniket” e tenderëve të dyshimtë heqin dorë

Agjencia Kombëtare e Informacionit mban në këmbë të gjithë shtetin digjital shqiptar.  Serverët, databazat dhe aplikacionet mbahen nën vëzhgim të vazhdueshëm për ngarkesën, shpejtësinë dhe gabimet. Nëse një modul fillon të vonojë apo të mos përgjigjet, sistemi i brendshëm sinjalizon dhe teknikët duhet të ndërhyjnë përpara se problemi të shfaqet tek qytetarët. Ajo që po ndodh këto ditë me bllokimin e shërbimeve është se teknikët kanë hequr dorë. Në pjesën më të madhe këto teknikë ishin nënkontraktuar për mirëmbajtjen e sistemeve për shuma shumë të vogla nga kompanitë që kishin fituar tenderët për mirëmbajtjen. Hetimet kanë zbuluar se tendera që kanë kushtuar miliona euro janë mbuluar me kosto 200 apo 300 mijë euro.

Për shkak të hetimeve tani teknikët e nën-kontraktorët  nuk po ndërhyjnë në sisteme.  Teknikët duhet të identifikojnë se ku është defekti, ta izolojnë dhe ta rikthejnë shërbimin sa më shpejt. Pas kësaj, analizohet se pse ndodhi dhe çfarë duhet ndryshuar që të mos përsëritet. Nëse sistemi do të ishte ndërtuar mirë, ndërprerjet e shërbimit do të ishin shumë të shkurtra shpjegoi inxhinieri.

Ai tha se, me kalimin e viteve, janë ndërtuar dhjetëra sisteme të ndryshme, me standarde të dobëta. Problemi përkeqësohet nga fakti që mirëmbajtja e këtyre shërbimeve nuk është plotësisht në duart e shtetit. Një pjesë e madhe e kodit dhe konfigurimeve ndodhet te kontraktorë dhe nënkontraktorë, të cilët ose kanë kontrata të paqarta, ose janë në një klimë frike dhe pasigurie ligjore.

E-Albania bllokon aktivitetin e bizneseve, prej një jave SelfCare nuk punon, askush nuk përgjigjet

The post Dobësitë teknike që shembën e-albania appeared first on Revista Monitor.

Raporti i BERZH me fokus tek emigrimi: një e katërta e shqiptarëve me arsim të lartë janë larguar

27 January 2026 at 00:04

Raporti i Tranzicionit 2025–26 i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH): “Një botë e vjetër, por më e guximshme”, i cili do të prezantohet sot në ambientet e Bankës së Shqipërisë e vë fokusin tek emigracioni, i cili është bërë mjaft shqetësues në vend dhe nuk duket se po ndalet.

Sipas raportit, Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet që kanë përjetuar emigracionin më të lartë të popullsisë në hapësirën post-komuniste që nga viti 1990.

Grafikët e raportit tregojnë qartë se Shqipëria ka humbur rreth 40 për qind të popullsisë së vitit 1990 për periudhën 1990-2023, vetëm përmes emigracionit neto, niveli më i dytë më i lartë në Europë dhe në të gjithë grupin e ekonomive të BERZH.

Nga ana tjetër, shtesa natyrore ka qenë pozitive për pjesën më të madhe të periudhës dhe ka kompensuar rreth 27 për qind të popullsisë së vitit 1990, çka e zbut pjesërisht goditjen, por jo aq sa të neutralizojë flukset e largimit.

Edhe Kosova ka humbur 50% të popullsisë së vitit 1990 për të njëjtën periudhë, niveli më i lartë në Europë, ndonëse ka pasur një shtesë më të kartë natyrore se Shqipëria me gati 40%.

Raporti thotë se ky boshllëk i madh demografik po përkthehet në një frenim të ndjeshëm ekonomik për Shqipërinë. Në grafikun e dytë të raportit, BERZH mat për herë të parë ndikimin vjetor të demografisë në rritjen e PBB-së për frymë.

Për Shqipërinë, kontributi i popullsisë ka qenë negativ gjatë viteve 2000–2023, me rreth –0.2 pikë përqindje rritje të humbur çdo vit.

Për periudhën 2024–2050, ndikimi pritet të thellohet në –0.3 deri –0.4 pikë përqindje në vit, duke e bërë Shqipërinë një nga ekonomitë më të ekspozuara në gjithë rajonin e BERZH. Edhe në horizontin 2050–2100, sinjali mbetet negativ, çka tregon se plakja e popullsisë dhe pakësimi i forcës së punës do të vijojnë të shoqërojnë ekonominë edhe në dekadat e ardhshme.

Mungesa e fuqisë punëtore, rritja e numrit të të moshuarve dhe dobësimi i bazës së kontribuuesve në skemat sociale po e vendosin ekonominë nën presion të vazhdueshëm.

Raporti sugjeron se në mungesë të rritjes së produktivitetit, investimeve teknologjike, rritjes së kapitalit njerëzor dhe përmirësimit të klimës së biznesit, emigracioni masiv do të vazhdojë të frenojë rritjen ekonomike për të paktën edhe tre dekada.

 

Solovova e BERZH: një e katërta e shqiptarëve me arsim të lartë janë larguar, ndërmerrni politika aktive për rikthimin e talenteve

Ekaterina Solovova, Përfaqësuese Rezidente e BERZH-it në Shqipëri, ka pohuar në një intervistë për “Monitor” në fillim të janarit se Raporti i fundit i Tranzicionit i BERZH-it nënvizon se, mes personave me arsim të lartë në Shqipëri, pothuajse një e katërta janë larguar, ndërsa relativisht pak persona me arsim të lartë kanë ardhur nga vende të tjera.

Kjo prirje vihet re në shumë ekonomi të Europës në zhvillim në përgjithësi dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku vetëm pak vende (si Bosnja dhe Hercegovina) kanë edhe norma më të larta emigrimi të personave me arsim universitar.

Përvoja e vendeve të tjera, nga Polonia deri në Meksikë, sugjeron se, teksa kushtet përmirësohen dhe të ardhurat rriten, bilanci i migracionit neto ndryshon gradualisht. Individët e arsimuar kthehen në numër më të madh dhe punonjësit e kualifikuar fillojnë të synojnë të lëvizin drejt vendit nga shtete të tjera.

Sfida për politikëbërësit është të krijojnë kushtet e duhura për ata që kthehen me ide, aftësi dhe kapital të fituar jashtë vendit, kushte që u mundësojnë të jenë sa më produktivë.

Duke u bazuar në përvojën e vendeve të tjera, disa masa praktike për të nxitur kthimin e personave të kualifikuar mund të përfshijnë, për shembull, regjistrim të përshpejtuar të biznesit për emigrantët e kthyer, lehtësime tatimore dhe skema bashkë-investimi, ku shteti ose institucionet mbështetëse përputhin kapitalin e tyre me kontribute shtesë.

Po aq të rëndësishme, në mos edhe më shumë, janë masat që synojnë forcimin e mëtejshëm të qeverisjes dhe përmirësimin e klimës së biznesit në përgjithësi.

 

Si po ikin personat e arsimuar

Përllogaritjet e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në raportin e tranzicionit tregojnë se rreth 23% e të arsimuarve nga vendi ynë tashmë kanë emigruar.

Shqipëria ka nivel të lartë të emigracionit në popullsinë e arsimuar në vitet 2023-2024 dhe kthime shumë më të ulëta të tyre krahasuar me 38 vende të Rajonit të BERZH.

Më keq se Shqipëria renditen Bosnja, Autoriteti Palestinez dhe në një nivel të ngjashëm është Taxhikistani.

Të dhënat në grafikun e mëposhtëm tregojnë se vendet e tjera në tranzicion kanë përqindje më të ulëta të emigrimit të trurit dhe kthime të larta.

Të dhënat tregojnë se mbi 23% e të arsimuarve shqiptarë kishin emigruar në 2023-2024, vetëm 2-3% e tyre rikthehen.

Studimi tregon se vendi po humbet më shumë profesionistë sesa arrin të tërheqë. Në krahasim me ekonomitë e tjera, Shqipëria pozicionohet në grupin e vendeve me emigracion të lartë të të arsimuarve, në nivele shumë më të larta se ekonomitë e Europës në Zhvillim, përveç Bosnjës, e cila ndër të tjera vuan nga konfliktet ndër-etnike dhe mungesa e stabilitetit politik.

Sakaq, niveli i kthimit të profesionistëve mbetet minimal, shumë më i ulët se edhe vendet e tjera të vogla të Europës Juglindore. Në këtë mënyrë, Shqipëria nuk po arrin të jetë një destinacion tërheqës për talentet ndërkombëtare, ndërkohë që humb vazhdimisht profesionistë drejt vendeve më të zhvilluara.

Shqipëria ka diferencë shumë të madhe midis “daljes” dhe “hyrjes” së talenteve, një nga disproporcionet më të larta mes ekonomive të EBRD-së.

Studime të tjera vendase kanë treguar se profesionistët shqiptarë largohen kryesisht për mundësi më të mira pune dhe paga shumë më të larta në vendet e BE-së, një treg më të qëndrueshëm të karrierës dhe kushte më të avancuara të kërkimit, inovacionit dhe specializimit.

Ndërkohë, Shqipëria mbetet pak tërheqëse për profesionistët e huaj për shkak të tregut të vogël, pagave konkurruese të ulëta, mundësive të kufizuara në sektorët e teknologjisë dhe kërkimit, si dhe klimës institucionale e ekonomike që ende vlerësohet si e brishtë.

Zhvillimet demografike me ikjen e trurit po i krijojnë vendit rreth vicioz që shtyn më tej emigracionin. Sa më shumë profesionistë largohen, aq më e vështirë bëhet modernizimi i ekonomisë dhe rritja e produktivitetit.

Nga ana tjetër, mungesa e një ekonomie të avancuar e bën edhe më të pakët ardhjen e talenteve nga jashtë dhe nxit ikjen e atyre që mbeten ose formohen në vend.

 

The post Raporti i BERZH me fokus tek emigrimi: një e katërta e shqiptarëve me arsim të lartë janë larguar appeared first on Revista Monitor.

Indeksimi i pagave të administratës me 2.5% në 2026, për pushtetin vendor rritje deri 10 mijë lekë

27 January 2026 at 05:02

Qeveria parashikon për 2026 indeksim të pagave 2.5%, në masë të njëjtë me inflacionin, për të gjithë punonjësit e administratës publike dhe të pushtetit vendor.

Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin tashmë nëpërmjet një projektvendimi ka konkretizuar propozimi për rritjen e pagave për 5 kategori të punonjësve të pushtetit vendor.

“Indeksimi i pagave për vitin 2026 bazohet në indeksin e ndryshimit të çmimeve të konsumit, të deklaruar/shpallur nga qeveria shqiptare në masën 2.5% dhe do të realizohet për të gjithë nëpunësit/punonjësit në njësitë e vetëqeverisjes vendore, për vitin 2026, njëjtë si edhe për funksionarët/nëpunësit civilë/nëpunësit në të gjitha institucionet e administratës publike”, theksohet ndër të tjera në relacionin e projektvendimit

“Për disa ndryshime në vendimin nr. 328, datë 31.5.2023, të këshillit të ministrave “Për klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, për efekt page, dhe caktimin e kufijve të pagave të funksionarëve të zgjedhur e të emëruar, të nëpunësve civilë e të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore””.

Në vlera indeksimi i propozuar i pagave në projektvendimin e ndryshuar varion nga 1,000 deri 10,000 lekë në muaj në varësi të kategorisë dhe pozicionit të punonjësit.

Rritja më e lartë e pagës prej 10 mijë lekë në muaj propozohet për punonjësit mbështetës të administratës së pushtetit vendor, duke çuar pagën bazë nga 40 mijë deri 47 mijë lekë në 50 mijë deri 57 mijë lekë në muaj.

Sipas projektvendimit për kategorinë e parë që përfshihen funksionarët e zgjedhur të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të vetëqeverisjes vendore propozohet rritje për kufijtë minimalë, nga 3,925 lekë në muaj, në 6,700 lekë në muaj; Për kufijtë maksimalë, nga 4,625 lekë në muaj, në 7,969 lekë në muaj.

Për pozicionin “specialist”, klasa IV-4, në të gjitha bashkitë, si dhe në këshillin e qarkut, propozohet indeksim në vlerën 1,000 lekë në muaj dhe 2,625 lekë në muaj për pozicionin “Sekretar i Përgjithshëm”, në Bashkinë e Tiranës.

Për kategorinë tjetër që përfshin nëpunësit e klasave III-1, III2, III-3, IV-1, IV-2, IV-3 dhe IV-4 në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore propozohet rritje 4,000 lekë në muaj dhe për klasat III-1, III-2 dhe III-3 dhe rritje 5,000 lekë në muaj për klasat IV-1, IV-2, IV-3 dhe IV-4.

Për kategorinë tjetër që përfshin “paga për pozicion”, për nëpunësit e klasave I-2, I-3, I-4, I-5, II-1 dhe II-2 në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore propozohet rritej të pagave nga 3,525 lekë në muaj deri në 5,425 lekë në muaj.

Vendimi përcaktohet se do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026.

Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për paga dhe sigurime shoqërore e shëndetësore, sipas llogaritjeve të ministrisë përgjegjëse për financat janë rreth 60 milion lekë ne muaj për punonjësit mbështetës. Rreth 83 milionë lekë në muaj për të punësuarit e tjerë për efekt të rritjes së kufirit minimal të pagës.

Sipas projektvendimit ky efekt, për vitin 2026, do të përballohet nga transferta e akorduar për njësitë e vetëqeverisjes vendore, miratuar në ligjin 87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, si dhe nga të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore.

 

PROPOZIMET PËR RRITJEN E PAGAVE PËR PUNONJËSIT E ADMINISTRATËS VENDORE, SIPAS KATEGORIVE:

Nëpërmjet këtij projektvendimi realizohet: a) Indeksimi në masën 2.5% i vlerave të kufijve të pagave mujore, për funksionarët e zgjedhur të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të vetëqeverisjes vendore.

a)Ndryshimi në rritje i vlerave të pagave për këta funksionarë, si rezultat i indeksimit

varion: i) Për kufijtë minimalë, nga 3,925 lekë në muaj, në 6,700 lekë në muaj;

ii) Për kufijtë maksimalë, nga 4,625 lekë në muaj, në 7,969 lekë në muaj.

b) Indeksimi në masën 2.5% i vlerave të kufijve minimalë të elementit të pagës “paga për pozicion”, për nëpunësit në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore. Ndryshimi në rritje i vlerave të pagave për këta nëpunës, si rezultat i indeksimit varion nga 1,000 lekë në muaj, për pozicionin “specialist”, klasa IV-4, në të gjitha bashkitë, si dhe në këshillin e qarkut, deri në 2,625 lekë në muaj për pozicionin “Sekretar i Përgjithshëm”, në Bashkinë e Tiranës.

c) Indeksimi në masën 2.5% i vlerave të kufijve maksimalë të elementit të pagës “paga për pozicion”, për nëpunësit e klasave I-2, I-3, I-4, I-5, II-1 dhe II-2 në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore. Ndryshimi në rritje i vlerave të pagave për këta nëpunës, si rezultat i indeksimit varion nga 3,525 lekë në muaj, në 5,425 lekë në muaj.

ç) Indeksimi në masën 2,5% dhe një politikë e diferencuar e rritjes së pagave për kufijtë maksimalë të vlerës së elementit “pagë për pozicion” për nëpunësit e klasave III-1, III2, III-3, IV-1, IV-2, IV-3 dhe IV-4 në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Ndryshimi në rritje për këta nëpunës varion nga 4,000 lekë në muaj për klasat III-1, III-2 dhe III-3, në 5,000 lekë në muaj për klasat IV-1, IV-2, IV-3 dhe IV-4.

d) Indeksimi dhe rritja e kufijve të pagave bazë të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore me 10,000 lekë në muaj (nga 40 000–47 000 lekë në muaj, në 50 000 – 57 000 lekë në muaj), në të njëjtën masë si edhe rritja e pagave të punonjësve të tjerë mbështetës të administratës publike. / D.Azo

 

 

 

The post Indeksimi i pagave të administratës me 2.5% në 2026, për pushtetin vendor rritje deri 10 mijë lekë appeared first on Revista Monitor.

Autoriteti i Konkurrencës i jep OK shitjes së Tring, blerësi është pronar i Artmotion në Kosovë

27 January 2026 at 05:01

Autoriteti i Konkurrencës ka autorizuar blerjen e platformës së dytë më të madhe të shërbimeve televizive me pagesë në vend, Tring te shoqëria Vertex Holding.

Transaksioni u autorizua pas një procedure të thelluar, motivuar nga mungesa e një informacioni të plotë për të vlerësuar mundësinë reale të blerësit për të ushtruar aftësitë funksionale dhe për të siguruar vijueshmërinë e aktivitetit ekonomik të Tring.

Shoqëria blerëse, Vertex Holding është një kompani e regjistruar në gusht të vitit të kaluar, me objekt shitblerjen dhe kontrollin e aksioneve. Ortak i vetëm i shoqërisë është shtetasi nga Kosova, Valon Shala. Valon Shala është drejtor i përgjithshëm dhe përfaqësues ligjor i Artmotion, operator i shërbimit të internetit dhe IPTV në Kosovë.

Në formularin e njoftimit të përqendrimit, Valion Shala kishte deklaruar se, përveç Vertex Holding, nuk zotëronte shoqëri të tjera të kontrolluara direkt ose indirekt që e ushtrojnë veprimtarinë në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe as shoqëri që e ushtrojnë veprimtarinë jashtë këtij territori, që të kenë pasoja të kësaj veprimtarie që të ndihen në tregun e brendshëm gjeografik.

Ky deklarim ishte një nga arsyet që ndikoi në vendimmarrjen e Komisionit të Konkurrencës, që gjykoi se procedura e thelluar do të mundësonte vlerësimin e aftësive dhe mundësive reale të blerësit për të ushtruar aftësitë funksionale dhe për të siguruar vijueshmërinë e aktivitetit ekonomik të shoqërisë Tring.

Por, në vijim të procedurës së thelluar të hapur nga Autoriteti i Konkurrencës, blerësi, Valon Shala, ka deklaruar se ka në pronësi fundore dy shoqëri në Kosovë, Artmotion, me aktivitet në telekomunikimin kabllor dhe shoqërinë Eurolab, me aktivitet në kërkim dhe zhvillime të tjera eksperimentale në shkencat e natyrës dhe inxhinierike.

Vlera e transaksionit të shit-blerjes nuk është bërë publike, por operacioni do të financohet pjesërisht nga një kredi që blerësi ka marrë në Bankën Amerikane të Investimeve.

Sipas marrëveshjes siguruese të kredisë, huamarrës do të jetë kompania blerëse Vertex Holding, bashkëkredimarrës shoqëria Tring TV, ndërsa dorëzanës do të jenë kompanitë Artmotion, Devolli Corporation dhe biznesmeni Shkëlqim Devolli.

Në vendimin përfundimtar, Autoriteti i Konkurrencës ka argumentuar se shoqëria Tring rezulton një normë fitimi të ulët dhe një kthim nga investimi shumë të ulët. Duke iu referuar çmimit të shitjes së paketave, konstatohet se çmimi i paketave digjitale të ofruara nga Tring janë më të ulëta se DigitAlb, por, sipas Autoritetit të Konkurrencës, indikatorët financiarë tregojnë se Tring nuk është në gjendje të konkurrojë.

Ndërsa pala blerëse ka deklaruar se, nëpërmjet shoqërisë target synon zgjerimin e bazës abonentëve përmes inovacionit në produkt dhe marketing; rritjen e penetrimit të platformës OTT dhe IPTV, partneritete të reja me operatorë rajonalë për shpërndarje të përbashkët, zhvillimin e përmbajtjes origjinale dhe kanaleve të dedikuara, optimizimin e rrjetit të shitjes dhe përmirësimin e përvojës së klientit.

Mbi këtë analizë, Autoriteti i Konkurrencës ka konkluduar se transaksioni i përfitimit të kontrollit të shoqërisë Tring TV nga shoqëria Vertex Holding pritet të ndikojë në rritjen e performancës financiare dhe për pasojë në nxitjen e aftësisë konkurruese të shoqërisë Tring TV në tregun përkatës.

Tring është platforma e dytë e shërbimeve audiovizive me pagesë në Shqipëri. Për vitin 2024, Tring raportoi një xhiro në vlerën e 1.52 miliardë lekëve dhe një fitim neto në vlerën e 13.1 milionë lekëve.

Duke iu referuar të ardhurave të realizuar në tregun e prodhimit transmetimit dhe shitjes në mënyrë digjitale të produkteve audio dhe video, Autoriteti i Konkurrencës vlerësonte se në vitin 2024 Tring zotëronte 31% të tregut në bazë të xhiros, në rënie nga niveli prej 33% i një viti më parë. Ndërkohë, kompania më e madhe, Digitalb, për 2024 zotëronte 69% të tregut, nga 67% një vit më parë. / E.Shehu

 

 

The post Autoriteti i Konkurrencës i jep OK shitjes së Tring, blerësi është pronar i Artmotion në Kosovë appeared first on Revista Monitor.

Yesterday — 26 January 2026Main stream

Dhoma e Tregtisë: Protestat në shtetet fqinje po dëmtojnë bizneset e Kosovës

26 January 2026 at 14:54

Protestat e transportuesve në shtetet fqinje po e pengojnë eksportin dhe importin e mallrave drejt dhe nga tregjet e BE-së, duke krijuar vonesa, kosto shtesë dhe rrezik për humbje ekonomike për bizneset e Kosovës.

 

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka shprehur shqetësim të madh lidhur me protestat që po mbahen në shtetet fqinje nga kompanitë transportuese, të cilat kanë shkaktuar vështirësi të konsiderueshme për bizneset kosovare.

Sipas DHTIK-së, këto protesta kanë pamundësuar në masë të madhe eksportin dhe importin e mallrave të kompanive vendore drejt dhe nga tregjet evropiane, duke krijuar pengesa serioze në qarkullimin e mallrave.

Institucioni u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të vihen në kontakt me Bashkimin Evropian për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë. Po ashtu, i ka kërkuar BE-së që të ndërmarrë veprime urgjente për menaxhimin e situatës së krijuar nga zbatimi i sistemit të ri Entry/Exit System (EES), që ka nisur gradualisht më 12 tetor 2025 në kufijtë e jashtëm të zonës Schengen dhe pritet të jetë plotësisht funksional deri më 10 prill 2026.

Sipas Dhomës së Tregtisë, kjo çështje është jetike për funksionimin normal të zinxhirit të furnizimit dhe për ruajtjen e stabilitetit të biznesit në Kosovë.

Transportues nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi, nga mesdita e 26 janarit, kanë bllokuar pikat kufitare për qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen të BE-së.

Ky veprim është reagim ndaj sistemit të ri të kontrollit të hyrje-daljeve, të cilin ata e konsiderojnë shkak për vonesa, dëbime dhe humbje ekonomike.

Transportuesit paralajmëruan se bllokadat do të zgjasin shtatë ditë, nëse nuk gjendet zgjidhje për problemet e tyre.

Kosova, si importuese e shumë mallrave përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, pritet të ndjejë pasojat e menjëhershme të këtyre bllokadave.

Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit njoftoi se, sipas autoriteteve serbe, do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë, ndërsa bllokada të ngjashme janë paralajmëruar edhe nga Mali i Zi.

‘Bazuar në njoftimin e pranuar nga autoritetet kufitare të Malit të Zi, sot me fillim në ora, 12:00 do të ketë bllokim të rrugës për kamionë, në aksin rrugor nga Rozhaja drejt pikës kufitare Kulla në territorin e tyre. Për çdo informatë shtesë kontaktoni”.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka treguar se Kosova nuk është pjesë e protestave, pasi nuk ka kompani logjistike që operojnë drejtpërdrejt me vendet e BE-së, por efektet e bllokadave do të ndihen ndjeshëm.

“Për shkak të bllokadës, Kosova nuk do të mund as të eksportojë dhe as të importojë mallra,” tha Rafuna, duke rikujtuar se sipas të dhënave të Doganës, importet vjetore arrijnë në mbi 7 miliardë euro, ndërsa eksportet rreth 942 milionë euro.

Në përpjekje për zgjidhje, gjashtë Odat Ekonomike të Ballkanit Perëndimor i kanë dërguar një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 20 janar, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme.

Në letër thuhet se masat e reja të BE-së “mund të shndërrohen në një sfidë sistematike ekonomike dhe politike për rajonin”.

Komisioni Evropian, përmes zëdhënësit Markus Lammert, ka bërë me dije se sistemi EES nuk ka ndryshuar rregullat ekzistuese, por vetëm siguron zbatim më të mirë të tyre. Ai theksoi se BE-ja po e ndjek nga afër situatën me bllokadat e paralajmëruara.

Sidoqoftë, përfaqësuesit e transportuesve në Ballkanin Perëndimor insistojnë se realiteti në terren ka ndryshuar, pasi tani pothuajse të gjitha shtetet përreth janë pjesë e zonës Schengen – duke e bërë të pamundur për shoferët që të operojnë normalisht pa u penalizuar për tejkalim qëndrimi.

Ministri i Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolovski, u doli në mbrojtje transportuesve dhe kërkoi që BE-ja të shtyjë zbatimin e sistemit elektronik për shoferët profesionistë, ose t’u japë atyre viza pune të posaçme, për të shmangur dëmet që po shkaktohen në sektorin e transportit.

Çka është sistemi EES? I njohur si EES (Entry/Exit System), ky sistem u vendos në kufijtë e jashtëm të zonës Schengen dhe nisi të zbatohej gradualisht më 12tetor 2025.

Ai pritet të jetë plotësisht funksional deri më 10 prill2026. Rregulli i ashtuquajtur “90/180 ditë” parasheh që transportuesit nga vendet jashtë Schengenit mund të qëndrojnë në këtë zonë maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.

 

The post Dhoma e Tregtisë: Protestat në shtetet fqinje po dëmtojnë bizneset e Kosovës appeared first on Revista Monitor.

Taksa prej 2 eurosh e Italisë për pakot e vogla dështon

26 January 2026 at 14:04

Paketat po ridrejtohen drejt vendeve të tjera të BE-së për të shmangur tarifën mbi pakot me vlerë të ulët nga kompani si Shein

 

Përpjekja e Italisë për të frenuar fluksin e mallrave të lira të konsumit nga Kina, përmes taksimit të pakove me vlerë të ulët, ka prodhuar efektin e kundërt, pasi dërgesat po ridrejtohen drejt vendeve të tjera të BE-së për të shmangur tarifën.

Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni vendosi një taksë prej 2 euro për pakot me vlerë deri në 150 euro që mbërrijnë në Itali nga jashtë BE-së, për të ndalur rritjen e mallrave nga kompani kineze të tregtisë elektronike si Shein dhe Temu dhe për të mbledhur të ardhura për arkën publike. Tarifa zbatohet për pakot që kanë mbërritur në Itali pas 1 janarit.

Megjithatë, kompanitë italiane të logjistikës dhe operatorët e aeroporteve ankohen se taksa ka sjellë tashmë një rënie të fortë të numrit të pakove të vogla që përpunohen nga rrjetet e tyre logjistike.

Ata thonë se fluturimet e ngarkesave nga jashtë BE-së po ulen në aeroporte të tjera të bllokut për t’i shpëtuar tarifës dhe po i bëjnë thirrje qeverisë Meloni që ta pezullojë ose ta shfuqizojë taksën.

“Ky veprim ka pasur efekt bumerang,” tha Valentina Menin, drejtoreshë e përgjithshme e shoqatës së industrisë Assaeroporti, që përfaqëson kompanitë që menaxhojnë 32 aeroporte italiane, përfshirë Malpensën e Milanos, një nga nyjet më të mëdha të ngarkesave në vend. “I gjithë sektori italian i logjistikës po humbet.”

Kur vendosi ta vendoste taksën si pjesë e buxhetit 2026, Roma parashikoi se ajo mund të sillte 122 milionë euro këtë vit dhe 245 milionë euro në vitet pasuese.

Por sipas agjencisë doganore italiane, numri i pakove me vlerë të ulët që mbërritën drejtpërdrejt në Itali nga jashtë BE-së midis 1 dhe 20 janarit ishte 36% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Menin tha se të paktën 30 fluturime drejt Malpensës, pika e mbërritjes për 60% të të gjitha mallrave të dërguara në Itali me ajër, janë devijuar drejt Liège në Belgjikë, Amsterdamit dhe Budapestit që nga fillimi i vitit, ndërsa kompanitë riorganizohen për t’i shpëtuar taksës.

Sipas rregullave ekzistuese të BE-së, sapo mallrat hyjnë në tregun e përbashkët dhe kalojnë doganën në pikën e mbërritjes, ato mund të qarkullojnë lirshëm pa kontrolle apo detyrime të mëtejshme, duke u lejuar kompanive ta shmangin lehtësisht tarifën italiane të përpunimit.

Industria italiane e logjistikës do të “dilte e humbur” nëse taksa nuk pezullohej, tha Andrea Cappa, drejtor i përgjithshëm i Confetra, që përfaqëson 60,000 kompani italiane të logjistikës dhe transportit detar.

“Mallrat ende hyjnë në Itali me kamion, pa paguar tarifën e kërkuar, duke sjellë rritje të ndotjes dhe zhvendosje të trafikut drejt vendeve të tjera,” tha ai. “Situata mund vetëm të përkeqësohet nëse nuk gjendet një zgjidhje.”

Mbledhja e taksës nga Italia nuk do të nisë zyrtarisht deri në mars, pasi departamenti i doganave dhe kompanitë e logjistikës po përditësojnë ende sistemet e tyre kompjuterike për të marrë parasysh një tarifë që u miratua vetëm disa ditë para Vitit të Ri.

Megjithatë, kompanitë do të jenë gjithsesi të detyruara ta paguajnë tarifën për të gjitha pakot e vogla që kanë mbërritur që nga 1 janari, thanë firmat e logjistikës.

Një deputet nga Forza Italia, pjesë e koalicionit qeverisës me tre parti të Melonit, u ka propozuar ligjvënësve që taksa të shtyhet deri më 1 korrik, kur edhe BE-ja pritet të nisë mbledhjen e një tarife doganore prej 3 euro për të gjitha pakot me vlerë të ulët që mbërrijnë në bllok. / FT

The post Taksa prej 2 eurosh e Italisë për pakot e vogla dështon appeared first on Revista Monitor.

Tenderat, APP: Zyrtarët e ngarkuar me këtë përgjegjësi duhet të certifikohen, të hyjnë në test

26 January 2026 at 14:00

Agjencia e Prokurimit Publik u ka bërë thirrje institucioneve që personat e ngarkuar pranë tyre me çështjet e prokurimit publik duhet të testohen dhe të marrin certifikatën për njohuritë bazë ose në të kundërt nuk do të mund ta ushtrojnë këtë detyrë.

Në një njoftim të saj APP jep detajet lidhur me përcaktimet ligjore s ai takon këtij detyrimi si dhe hapave që duhet të ndërmerren.

“Sjellim në vëmendje se bazuar në nenin 75/1 të VKM-së 285/2021 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar si dhe Udhëzimit të përbashkët “Për përcaktimin e procedurave dhe kritereve për organizimin e trajnimeve, testimeve dhe dhënien e certifikatave në fushën e prokurimit publik”, i ndryshuar, përcaktojnë detyrimin e personave përgjegjës apo zyrtarëve të strukturave përgjegjëse të prokurimit publik për t’u pajisur me certifikate njohurish të paktën në nivelin bazë.

Dispozitat tranzitore, përcaktojnë një periudhë 2-vjeçare brenda së cilës, të gjithë personat e mësipërm duhet të pajisen me certifikatë, periudhë e cila përfundon në muajin Gusht 2026” thuhet në njoftim.

Vetë Agjencia nënvizon se të gjithë Autoritetet/Entet Kontraktore duhet që të sigurojnë pjesëmarrjen e personave përgjegjës për prokurimin, si dhe personat e punësuar në struktura të dedikuara për prokurimin, nëse ka, në testimin e DATËS 19 SHKURT 2026, që do të organizojë ASPA, në kuadër të procesit të profesionalizimit.

Në rastet kur pjesëmarrësit nuk kalojnë me sukses testimin për nivelin bazë, këta të fundit mund të kryejnë përsëri trajnimin në mënyrë që të përsërisin testimin për marrjen e certifikatës.

“Moscertifikimi brenda afatit të përcaktuar mund të sjellë pasoja, përfshirë moslejimin e ushtrimit të së drejtës për të qenë në cilësinë e personit përgjegjës apo pjesë e strukturave të dedikuara në fushën e prokurimit publik.

Sjellim në vëmendje se për të marrë pjesë në testim, duhet të komunikoni me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike deri në datën 16 shkurt, në adresën aspa@aspa.gov.al, pasi kërkohet paraprakisht plotësimi i një formulari dhe regjistrimi paraprak pranë ASPA-s” thuhet në njoftim.

 

The post Tenderat, APP: Zyrtarët e ngarkuar me këtë përgjegjësi duhet të certifikohen, të hyjnë në test appeared first on Revista Monitor.

Fondi rezervë për kreditë e këqija, në rënie gjatë 2025

26 January 2026 at 13:00

Pavarësisht se raporti i kredive me probleme e ka frenuar rënien gjatë vitit të kaluar, kostot e riskut të sektorit bankar kanë ngelur në nivele të qëndrueshme.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të tremujorit të tretë 2025 vlera e provigjioneve (fondet rezervë për humbjet e mundshme nga kreditë dhe aktivet e tjera) ishte 30 miliardë lekë, në rënie me 3.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 7% që nga fillimi i vitit 2025. Megjithatë, gjendja e provigjioneve është rritur krahasuar me tremujorin e dytë të vitit, me 5.2% më shumë.

Në veçanti, shpenzimet e reja për provigjionimin e kredive gjatë 9-mujorit 2025 kishin vlerën e 4.63 miliardë lekëve, me një rritje të lehtë prej 5.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Shpenzimet e provigjioneve janë të lidhura direkt me cilësinë e portofolit të aseteve të sektorit bankar. Veçanërisht rritja e vlerës së kredive me probleme sjell edhe rritjen e shpenzimeve për provigjione. Megjithatë, ecuria e këtyre e shpenzimeve lidhet edhe me peshën specifike të secilës klasë të kredive që konsiderohen me probleme.

Për kreditë standarde bankat duhet të llogarisin provigjione më masën 1%, ndërsa për ato në vonesë nga 30 deri në 60 ditë provigjionimi kërkohet në masën 5%.

Shkalla e provigjionimit rritet kur fillon klasifikimi si kredi me probleme (me vonesë në shlyerje prej më shumë se 60 ditë). Për këtë kategori (nën standarde) kërkohet provigjionim jo më pak se 20%, për kategorinë “e dyshimtë” (me vonesë më shumë se 90 ditë) jo më pak se 50% dhe për kategorinë “e humbur” (me vonesë mbi 180 ditë) kërkohet provigjionim i plotë, në masën 100%).

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme ka qenë në stanjacion gjatë vitit 2025, madje me një tendencë të lehtë rritëse në gjysmën e dytë të vitit, por duke ruajtur ende trajektoren rënëse me bazë vjetore. Në fund të nëntorit ky raport ishte në nivelin 4.19%, nga 4.48% që kishte qenë në nëntor të vitit 2024.

Në vlerë absolute, vlerësohet se stoku i kredive me probleme të ketë arritur në rreth 38.8 miliardë lekë, me një rënie të lehtë nga vlera prej 39.6 miliardë lekësh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ngadalësimi i rënies së treguesit të kredive me probleme ishte i pritshëm, në kushtet e rritjes së shpejtë të kredisë në vitet e fundit, por thekson se megjithatë ecuria e tyre është përcaktuar nga raste të veçanta./ E.Shehu

Burimi: BSH

The post Fondi rezervë për kreditë e këqija, në rënie gjatë 2025 appeared first on Revista Monitor.

Bizneset shqiptare synojnë tregje të reja, 8 kompani marrin pjesë në “Gulfood”

26 January 2026 at 12:52

Tetë kompani shqiptare nga sektori agro-ushqimor do të jenë pjesë e edicionit 2026 të Gulfood, që zhvillohet nga 26 deri më 30 janar 2026, një ngjarje madhore botërore që shtrihet njëkohësisht në Dubai Exhibition Centre dhe Dubai World Trade Centre.

Ky panair, i njohur si një nga më të mëdhenjtë dhe më prestigjiozët në industrinë globale të ushqimit dhe pijeve, përfaqëson një vitrinë të jashtëzakonshme për promovimin e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Pjesëmarrja e kompanive shqiptare bëhet e mundur falë mbështetjes së International Trade Centre (ITC) dhe Swiss State Secretariat for Economic Affairs (SECO), në kuadër të përpjekjeve për të nxitur eksportet, për të rritur konkurrueshmërinë dhe për të mbështetur ndërkombëtarizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare. Kjo mbështetje synon të krijojë ura konkrete lidhjeje mes prodhuesve shqiptarë dhe tregjeve globale.

Kompanitë pjesëmarrëse përfaqësojnë sektorë me potencial të lartë eksporti, përfshirë vajin e ullirit, bimët mjekësore dhe aromatike, si dhe vajrat esenciale. Gjatë panairit, ato do të prezantojnë cilësinë, autenticitetin dhe standardet e produkteve shqiptare përballë një audience ndërkombëtare të përbërë nga importues, distributorë, blerës me shumicë dhe profesionistë të industrisë ushqimore nga mbi 190 vende.

Pjesëmarrja në Gulfood 2026 u hap kompanive shqiptare dyert për takime B2B, krijimin e partneriteteve të reja tregtare dhe eksplorimin e tregjeve me potencial të lartë, veçanërisht në Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikë. Njëkohësisht, ajo kontribuon në forcimin e imazhit të markës “Made in Albania”, duke e pozicionuar Shqipërinë si një vend me produkte autentike, cilësore dhe konkurruese në skenën globale.

E mbështetur nga ITC dhe SECO, kjo pjesëmarrje pritet të shërbejë si një nxitës i rëndësishëm për rritjen e eksporteve shqiptare, zgjerimin e rrjeteve tregtare dhe rritjen e qëndrueshme të pranisë së produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

The post Bizneset shqiptare synojnë tregje të reja, 8 kompani marrin pjesë në “Gulfood” appeared first on Revista Monitor.

Kosova me rekord të ri kreditimi, 2.68 miliardë euro kredi të reja gjatë 2025

26 January 2026 at 12:09

Vlera e kredive të reja të dhëna nga bankat në Kosovë gjatë vitit 2025 arriti në 2.684 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 3.8 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Qytetarët e Kosovës po marrin më shumë kredi se kurrë më parë.

Viti 2025 e gjeti tregun bankar në ngritje, me mbi 2.684 miliardë euro kredi të reja, teksa interesat nisën të lëvizin ngadalë pas disa viteve stabiliteti.

Vlera e kredive të reja të dhëna nga bankat në Kosovë gjatë vitit 2025 arriti në 2.684 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 3.8 për qind krahasuar me vitin paraprak (2024), kur kjo vlerë ishte 2.587 miliardë euro.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, kjo është shifra më e lartë e kredive të reja të regjistruar ndonjëherë në vend, duke reflektuar një aktivitet të shtuar kreditues si në sektorin e ekonomisë familjare ashtu edhe atë të biznesit.

Të dhënat për kreditë e reja në Kosovë (2015–2025):

2015 – 1.102 mln € | 8.3% interes

2016 – 1.025 mln € | 7.5%

2017 – 1.293 mln € | 6.8%

2018 – 1.367 mln € | 6.6%

2019 – 1.441 mln € | 6.5%

2020 – 1.468 mln € | 6.2%

2021 – 1.805 mln € | 6.0%

2022 – 1.922 mln € | 6.0%

2023 – 2.113 mln € | 6.5%

2024 – 2.587 mln € | 6.1%

2025 – 2.684 mln € | 6.4%

Në anën tjetër, është vërejtur një rritje e normës efektive të interesit për këto kredi të reja – nga 6.1 për qind në vitin 2024, në 6.4 për qind në vitin 2025. Edhe pse rritja është e lehtë, ajo sinjalizon një kthesë të mundshme pas disa viteve me interesa të ulëta historike.

Në periudhën dhjetëvjeçare 2015–2025, tregu bankar në Kosovë ka njohur një zgjerim të qëndrueshëm: nga 1.1 miliard euro kredi të reja në vitin 2015, në pothuajse 2.7 miliard euro në vitin 2025, ndërsa normat mesatare të interesit kanë rënë ndjeshëm nga 8.3 për qind në vitin 2015 në rreth 6.4 për qind vitin e fundit.

Sipas të dhënave zyrtare, totali i kredive është rritur nga 3,2 miliardë euro në vitin 2020, në mbi 6,4 miliardë euro deri në mesin e vitit 2025. Ndërkohë, normat mesatare të interesit kanë lëvizur nga 6% në vitin 2020, në 6,38% në vitin 2025.

Vlera e kredive nder vite

2020 3,20 miliardë €

2021 3,70 miliardë €

2022 3,30 miliardë €

2023 4,90 miliardë €

2024 5,80 miliardë €

2025 6,40 miliardë €

Bankat komerciale në Kosovë i përcaktojnë individualisht normat e interesit dhe të depozitave, duke u bazuar në politikat e tyre afariste, dhe BQK-ja nuk ka të drejtë të ndërhyjë direkt te to.

Në Kosovë operojnë dhjetë banka komerciale. Numri i kartelave debit në vitin 2024 kishte arritur në 1.4 milion, kurse i kartelave të kreditit në rreth 195 mijë.

Në nivel vendi janë 635 bankomatë [aparate bankare për tërheqje të parave], dhe 20.913 terminale POS, ku qytetarët mund të bëjnë pagesa me kartelë në dyqane.

The post Kosova me rekord të ri kreditimi, 2.68 miliardë euro kredi të reja gjatë 2025 appeared first on Revista Monitor.

Binaj për SelfCare: Sistemet tona, nga më të avancuarat; Bizneset t’i dorëzojnë në një kohë të dytë

26 January 2026 at 11:41

Janë të shumta bizneset, ekonomistët dhe kontabilistët që prej mëse një jave raportojnë me shqetësim se aktiviteti i tyre për transmetimin e të dhënave të faturave të fiskalizuara dhe deklaratave doganore është i bllokuar, për shkak të mosfunksionimit të sistemit SelfCare që përdoret nëpërmjet e-Albania.

Për shumë biznese, sistemi rezultoi i bllokuar edhe sot në orët e para të mëngjesit.

E-Albania bllokon aktivitetin e bizneseve, prej një jave SelfCare nuk punon, askush nuk përgjigjet

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, i pyetur nga gazetarët gjatë konferencës për shtyp për mosfunksionimin e sistemit të fiskalizimit, tha se për të dhënat që nuk arrihen të raportohen nga bizneset mund të mblidhen për t’i raportuar në një kohë të dytë.

“Paraprakisht, doja të shpjegoja që sistemet tona janë nga më të avancuarat dhe ne jemi në zhvillim të tyre të vazhdueshëm, madje duke përfshirë edhe Inteligjencën Artificiale.

Sigurisht që gjatë punës sonë, ka momente që sisteme krijojnë probleme, kjo ndodh kudo dhe ato adresohen nga strukturat e IT-së me përgjegjësi maksimale për të ndihmuar bizneset në punën e tyre.

Kur ndodhin këto problematika, bizneset kanë mundësi, që të dhënat që nuk janë në gjendje t’i raportojnë në sistemin e fiskalizimit, t’i mbledhin dhe t’i raportojnë në një kohë të dytë”.

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, në sqarimin e tij gjatë konferencës për shtyp nuk dha afat për periudhën e dytë të raportimit të të dhënave

Profesionistë kanë vërshuar me email-e ankesash në adresat e institucioneve zyrtare ku kërkojnë “masat e nevojshme për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj problematike, me qëllim garantimin e përmbushjes së detyrimeve tona ligjore”, theksohej ndër të tjera në një ankesë që bizneset i kanë drejtuar institucioneve.

The post Binaj për SelfCare: Sistemet tona, nga më të avancuarat; Bizneset t’i dorëzojnë në një kohë të dytë appeared first on Revista Monitor.

❌
❌