21 Janari, atë ditë dhe pas: Protesta që vrau protestën
Nga Adrian Thano
Çfarë bëri Sali Berisha më 21 Janar?
Përballë një proteste civile, e trajtoi shtetin si kullën e fshatit. E mbylli, e blindoi, e përdori si armë. Qytetarin e vendit të tij e shpalli armik.
Por nuk hoqi nga kjo jetë vetëm katër të pafajshëm. Ky është një krim shokues, por më e rënda e 21 janarit është tjetërkund.
Atë ditë u vra besimi se pas ’90-s, protesta ishte një e drejtë e pacënueshme që mbrohej nga shteti. Këtë besim e vrau pikërisht ai që kërkon nga historia medaljen e “kryedhjetoristit”.
Plumbat e 21 janarit përgjakën idenë se ndryshimi mund të vijë “nga poshtë”, nga qytetari i zakonshëm, pa frikë se do ndëshkohet. Kjo është zemra e demokracisë.
Mbi këtë zemër qëlloi doktori i zemrës, që i thotë vetes “kryedemokrat”.
E bëri pikërisht aty, ku sot shkon vetë të protestojë. Ku qahet për turmën që mungon. Ku kërkon mbështetje kundër narkoshtetit nga i njëjti popull të cilit i foli me armë. Shkon e shkel mbi pllakat, ku dhanë shpirt katër të pafajshëm.
Nëse kjo quhet politikë, ky vend kurrë mos pastë politikanë.
Sepse në të vërtetë është një pacipëri morale që të ngjeth. Është përdhosje e dhimbjes, mungesë minimale e respektit për jetën. Kur vjen nga një mjek, është edhe përmbysje e pashembullt e çdo etike njerëzore.
Prandaj sheshi sot nuk të përgjigjet.
Jo sepse nuk ka zemërim. Jo sepse jemi gënjyer nga narko-propaganda. Sheshi nuk të përgjigjet sepse ti, me plumba dhe më pas me gënjeshtrat pa fund, e shndërrove idenë e protestës në një traumë kombëtare. Nuk të përgjigjet sepse ka kujtesën e gjakut.
Çfarë bëri Edi Rama pas 21 Janarit?
Më 21 Janar, Edi Rama ishte në anën e protestës. Ishte zëri politik i saj. Në atë moment, ai përfaqësonte shpresën se korrupsioni i videos së Metës do të ndëshkohej dhe se shteti do të detyrohej të mbante përgjegjësi.
Por çfarë ndodhi më pas? Ai që ndërtoi një pjesë të pushtetit të tij mbi 21 Janarin, zgjodhi të qeverisë pikërisht me Ilir Metën. Me figurën që simbolikisht dhe politikisht lidhej me shkakun e asaj proteste. Videoja që ndezi zemërimin qytetar u kthye në monedhë pazari politik.
Kështu, protesta humbi edhe mbështetjen e fundit morale që kishte. Berisha e vrau, Rama e zbrazi nga kuptimi.
Kjo ishte thyerja e parë e besimit. Nuk u ndal aty. Me kalimin e viteve zhgënjimi u thellua, u bë sistemik. Korrupsioni nuk u ndëshkua, u zgjerua, u institucionalizua. Erdhëm në pikën që 700 mijë eurot e videos së 21 janarit sot janë më pak se shishet e verës në kantinën e shoqit.
Ish-kryeopozitari sot kryeministër kërkon “durim” dmth mandate të tjerë nga i njëjti popull shpresë-vjedhur të cilin ish-kryeministri sot kryeopozitar e kërkon në shesh.
Kur nuk marrin përgjigjet që presin e quajnë popullin apatik apo harbut.
Mund të vazhdojnë të rrinë në një sistem që e kanë monopolizuar dhe ndërtuar vetë mbi gjak dhe korruptim. Por Shqipërinë e besimit e kanë humbur. Edhe atë të mendimit kritik.
Kjo Shqipëri voton sot “me valixhe”. Pikat kufitare, portet, aeroportet, janë sheshet e saj të revoltës. Ikja! Ikja masive është protesta e saj. Kjo protestë është më e fortë se fjalimet dhe tribunat. Nuk është apati. Harbutëri, jo e jo.
Është mungesë e plotë shprese dhe besimi. Është refuzim i qartë për klasën e tij politike nga një popull që më 21 Janar e vranë dhe pas 21 Janarit e tradhtuan.
Ky popull po flet me gjuhën e fundit civile që i ka mbetur.
