Gonxhja: Pavarësisht reshjeve intensive Xhamia e Plumbit, pa problematika
TIRANË, 7 janar/ATSH/ Në kuadër të monitorimit të situatës së reshjeve edhe impaktit të tyre në objektet e trashëgimisë kulturore, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se Xhamia e Plumbit në Shkodër nuk ka problematika.
“Pavarësisht reshjeve intensive të shiut gjatë orëve të fundit, në Xhaminë e Plumbit, një objekt me vlera të rralla historike dhe kulturore, nuk janë evidentuar problematika”, raportoi ministri Gonxhja.
Më tej ai shtoi se, pompat vijojnë të operojnë në kapacitet të plotë dhe sistemi i mbrojtjes funksionon normalisht, duke garantuar monumentin nga përmbytjet.
Ndërhyrjet restauruese dhe konservuese, të realizuara me mbështetjen e Fondacionit TIKA, kanë mundësuar ruajtjen e plotë të vlerave të këtij objekti, ndërkohë që situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër.
Restaurimi i plotë i Xhamisë së Plumbit në Shkodër përfundoi në muajin maj të vitit 2025. Kjo xhami konsiderohet si një diamant i çmuar i këtij qyteti jo vetëm sa i përket historisë, por edhe anës arkitekturore.
Xhamia e Plumbit është cilësuar si një ndër 50 monumentet më të bukura të botës dhe është xhamia më e madhe e stilit osman në vendin tonë. Xhamia ka një përzierje të arkitekturës turke me atë arabe. Ajo u ndërtua nga Mehmet Pashë Bushati në vitin 1773-1774, duke shërbyer për një kohë të gjatë si xhamia më e madhe e vendit.
/r.e/a.f/
The post Gonxhja: Pavarësisht reshjeve intensive Xhamia e Plumbit, pa problematika appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.