Fan Noli, figurë qendrore e kulturës kombëtare
TIRANË, 6 janar/ATSH/ Më 6 janar të vitit 1882 lindi Fan Stelian Noli, figurë e shquar e kombit shqiptar.
Noli ishte gjeni i letrave, dramaturg, muzikant, politikan, klerik dhe diplomat. Ai përktheu më shumë se 30 botime dhe tekste të ndryshme, ndër to dhe libra fetare, lutjesh dhe falënderimesh, duke qenë njohës dhe folës i rreth 7 gjuhëve të huaja.
Roli i tij si klerik ortodoks, ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm për Kishën Ortodokse Shqiptare, por edhe për identitetin kombëtar dhe kulturën shqiptare.
Noli ishte figura kryesore e Lëvizjes së Qershorit 1924. Figura poliedrike e Nolit do të fokusohej në vitet ’30 në një spektër tjetër përpjekjesh krijuese, në atë të muzikologjisë. Në vitin 1935 Noli, i njohur gjerësisht si klerik dhe politikan, iu kthye njërit prej pasioneve të tij të hershme, muzikës. Në moshën 53-vjeçare u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Nju-England, në Boston, ku u diplomua më 1938. Para se të shtypej për botim, monografia “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, u mbrojt prej Nolit si temë diplome.
Përmes këtij studimi, Noli mori gradën shkencore të shkallës së parë në muzikë. Interesi i Fan Nolit për muzikën nisi në kishë. Ai u njoh si themeluesi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Boston të SHBA, më 1908 dhe u bë reformatori i mirëfilltë i saj.
Reforma kishtare e Nolit solli të kënduarit shqip në kishë. Të kënduarit në “kishën e Nolit” bëhej me kor të përzier (burra e gra), ashtu siç këndohen në Perëndim meshat, oratoriot, requiem-et e madrigalët, por që ishin himne të Kishës Ortodokse dhe më kryesorja, të përkthyera prej tij dhe kënduara të gjitha në shqip.
/r.e/a.f/
The post Fan Noli, figurë qendrore e kulturës kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.