Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 January 2026Main stream

Aliu: Shëndeti publik mbi interesin komercial, ndalimi i reklamimit dhe promovimit të produkteve të duhanit

22 January 2026 at 15:10


Projektligji i ri për mbrojtjen nga duhani parashikon ndalim të plotë të reklamimit, promovimit dhe sponsorizimit nga industria e duhanit. Këto dispozita ligjore vlejnë për publikimet në media, në internet dhe rrjete sociale, si dhe për ngjarje, lojëra shpërblyese, zbritje dhe dhurata, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

"Qasja e lehtë dhe ekspozimi i produkteve rrisin numrin e përdoruesve të rinj, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë. Largimi i ekspozimit konsiderohet një nga masat më efektive për parandalim. Mbrojtja e fëmijëve është prioritet absolut", vlerëson ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Përveç ndalimit të shitjes për të miturit – jo vetëm të cigareve klasike, por edhe të të gjitha produkteve të tjera me nikotinë – ligji parashikon edhe: Ndalim të ekspozimit publik të produkteve të duhanit dhe nikotinës në pikat e shitjes; ndalim të shitjes së tyre në objekte hotelerie, sportive, kulturore dhe në ngjarje publike.

Reklamimi ndikon drejtpërdrejt në fillimin e pirjes së duhanit, sidomos tek të rinjtë. Me këto dispozita ligjore parandalohen format e fshehura të promovimit të këtyre produkteve. "Shëndeti publik ka përparësi ndaj interesit komercial",- thekson Aliu./Telegrafi/

Yesterday — 21 January 2026Main stream

Aliu: Projektligji rregullon mbrojtjen nga duhani në hapësira publike të hapura ku ka prani ose lëvizje të shumë personave

21 January 2026 at 14:55


Ministria e Shëndetësisë njofton se me projektligjin e ri për mbrojtje nga pirja e duhanit parashikohet rregullimi i pirjes së duhanit në hapësira publike të hapura ku ka prani ose qarkullim të shumë njerëzve. Më konkretisht, bëhet fjalë për hapësirat përreth institucioneve shëndetësore, arsimore dhe sociale, ngjarjeve publike, aktiviteteve sportive dhe kulturore, si dhe vendeve të dedikuara për fëmijë, të rinj dhe familje.

"Ky është një aspekt veçanërisht i rëndësishëm i kornizës ligjore, duke pasur parasysh se kur njerëzit ndodhen afër njëri-tjetrit, tymi dhe aerosoli thithen drejtpërdrejt, ndërsa ekspozimi është i menjëhershëm. Në hapësirat publike të hapura qytetarët nuk kanë gjithmonë mundësi reale të largohen, veçanërisht fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Ligji ndërhyn vetëm aty ku ekziston ekspozim i pashmangshëm i personave të tjerë, me qëllim që hapësira publike të jetë një hapësirë e shëndetshme për të gjithë", thekson ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Siç thonë nga MSH, theks i veçantë i është kushtuar lokacioneve ku njerëzit nuk mund ta shmangin realisht ekspozimin ndaj tymit të duhanit, si për shembull gjatë pritjes në radhë, në hapësira të hapura ku qëndrohet për një kohë më të gjatë, apo në tubime të ndryshme publike në ambient të hapur.

"Për shembull, personat që presin në radhë për të blerë biletë për një institucion kulturor apo për hyrje në një ndeshje sportive, nuk kanë mundësi reale të shmangin ekspozimin ndaj tymit të duhanit. Qëllimi i projektligjit është mbrojtja e shëndetit të kësaj kategorie të popullsisë".

"Gjithashtu, në kuadër të rregullimit të pirjes së duhanit në hapësira publike të hapura, ndalohet veçanërisht pirja e duhanit në vendet e destinuara për fëmijë, të rinj dhe familje, si për shembull përpara këndeve të lojërave për fëmijë, ku më të vegjlit nuk mund ta shmangin ekspozimin ndaj tymit të duhanit", thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Before yesterdayMain stream

Aliu: Ligji kundër duhanpirjes është evropian

17 January 2026 at 18:58


Ligji i propozuar për mbrojtje nga duhanpirja, i përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë, i cili parasheh ndalim të duhanpirjes në hapësira të mbyllura publike dhe të punës, ka shkaktuar reagime të ndara në opinion. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, përmes një komunikate theksoi se ky ligj është në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve.

“Duhanpirja është zgjedhje personale e qytetarit, por hapësira e përbashkët e mbyllur që përdoret nga i gjithë kolektivi nuk guxon të jetë vend ku zgjedhja e individëve shndërrohet në rrezik për shëndetin e të tjerëve. Ligji i propozuar për mbrojtje nga duhanpirja nuk rregullon nëse dikush do të pijë duhan apo jo, por vetëm përcakton qartë se ku nuk lejohet kjo, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të të gjithë personave të pranishëm”, tha Azir Aliu.
Sa i përket objekteve hoteliero-gastronomike dhe ndikimit të ligjit në punën e tyre, Aliu vlerëson se ai nuk do të ketë ndonjë ndikim negativ.
Përvojat nga vendet evropiane që tashmë kanë zbatuar zgjidhje të tilla ligjore, si Irlanda, Mbretëria e Bashkuar dhe shumë të tjera, tregojnë se këto masa nuk përbëjnë goditje për gastronominë dhe të ardhurat e saj, por një tranzicion drejt një ambienti më të rregulluar, më cilësor dhe më të parashikueshëm në objektet hoteliero-gastronomike”, deklaroi Azir Aliu.

Aliu: Situata është alarmante, gjithnjë e më shumë të rinj po bëhen të varur nga cigaret

13 January 2026 at 10:16


Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha se rreth 50% e popullsisë në vend janë të varur nga pirja e duhanit.

"Ligjet vetë nuk mund të jenë cilësorë dhe të japin rezultate nëse nuk ekziston një ekosistem i tërë. Ligji përcakton një kornizë dhe rregulla të rrepta për përmirësimin e ekosistemit në një segment të caktuar. Por nëse nuk kemi indikatorë shtesë për matjen dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit, atëherë do të kemi vetëm një ligj në letër.

Prandaj, fatkeqësisht, ligjet ekzistuese deri më tani nuk kanë dhënë rezultate. Ne fillimisht bëmë një analizë të thellë të gjendjes aktuale, e cila tregoi se rreth 50% e popullsisë tek ne janë të varur nga cigaret dhe pinë rreth 18–22 cigare në ditë, që do të thotë se në vendin tonë ka dyfish më shumë duhanpirës krahasuar me standardet evropiane.

Kjo është alarmante, sidomos duke pasur parasysh se ka duhanpirës të moshave shumë të reja: në moshën 13–14 vjeç ka 7.7% duhanpirës aktivë, në moshën 15–16 vjeç rreth 37%, ndërsa përdorues të cigareve elektronike janë rreth 40%", theksoi ministri Aliu në emisionin “24 Analiza”.

Ai nënvizoi se ligji nuk është kundër duhanpirësve, por qëllimi i tij është t’i mbrojë ata, të cilët përbëjnë rreth 50% të popullsisë, dhe t’i ndihmojë që të heqin dorë nga pirja e duhanit. -Imagjinoni një qytetar që punon në një lokal ku lejohet pirja e duhanit brenda.

Ai, pavarësisht nëse dëshiron apo jo, është i ekspozuar pasivisht ndaj tymit të cigareve tetë orë në ditë dhe në fund të ditës është një duhanpirës pasiv. Kam biseduar me mjekë që thonë se shpesh ka raste të sëmundjeve kardiovaskulare kur pacientët deklarojnë se vetë nuk janë duhanpirës, por në shtëpi kanë anëtarë të familjes që pinë duhan në ambiente të mbyllura. /Telegrafi/

Aliu: Projektligji për mbrojtje nga duhani është publikuar në REKRR, debat publik para miratimit

12 January 2026 at 09:18


Ministria e Shëndetësisë njofton se projektligji për mbrojtje nga duhani është publikuar në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (REKRR), ku të gjithë qytetarët dhe organizatat e interesuara mund të marrin pjesë në debatin publik para miratimit të tij.

“Me këtë ligj hapim një çështje thelbësore që prek drejtpërdrejt shëndetin dhe të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve tanë. Faktet janë të qarta dhe të pakontestueshme – duhani dhe nikotina mbeten shkaku kryesor i vdekjeve të parakohshme, ekspozimi ndaj tymit dhe aerosoleve dëmton edhe ata që nuk kanë zgjedhur të pijnë duhan, ndërsa produktet e reja të nikotinës, aromat, marketingu agresiv dhe promovimi digjital janë të drejtuara pikërisht ndaj të rinjve. Prandaj, Ministria e Shëndetësisë ka përgatitur një Ligj të ri për mbrojtje nga duhani, qëllimi i të cilit nuk është ndëshkimi, por parandalimi, shëndeti publik dhe mbrojtja e kategorive më të cenueshme të qytetarëve", vlerëson ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Nga MSH thonë se qëllimi i ndryshimeve të reja ligjore është vendosja e kontrollit mbi paraqitjen dhe përhapjen e produkteve të reja të duhanit dhe nikotinës, veçanërisht mbi promovimin e tyre agresiv dhe qasjen e lehtë.

Njëkohësisht, parashihet ndalim i plotë i reklamimit, promovimit dhe sponsorizimit, kufizim i shitjes dhe ekspozimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës, si masa parandaluese për mbështetjen e lënies së varësisë, si dhe forcimi i ndalimit të pirjes së duhanit në hapësirat publike dhe të punës.

"Me këtë ligj dërgojmë një mesazh të qartë se shëndeti është vlerë më e lartë se çdo interes komercial, se shëndeti i fëmijëve nuk mund të jetë objekt përfitimi dhe se hapësira publike duhet të jetë një hapësirë e sigurt".

"Gjithashtu, zgjidhja ligjore është e harmonizuar me rregullativën evropiane dhe me detyrimet ndërkombëtare që shteti ka marrë përsipër, përfshirë parimet e Konventës Kornizë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë", thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Aliu: Apeloj qytetarët që të vaksinohen, kanë mbetur edhe tre mijë vaksina anti-grip

5 January 2026 at 19:50


Piku i gripit sezonal pritet në dy deri tre javët e ardhshme. Aktualisht nuk është regjistruar numër i shtuar i pacientëve me grip, krahasuar me vitet e shkuara në po të njëjtin sezon.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, shpjegon se shtimi i të prekurve nga gripi në këtë periudhë është normale, sikurse çdo vit tjetër.

Ai apelon qytetarët të vaksinohen, pasi kanë mbetur edhe tre mijë vaksina anti-grip.

“Qytetarët i informoj që të mund të vaksinohen më tej. Ne kemi diku deri në tre mijë vaksina, të cilat i kemi në stok. Ato mund të përdoren. Kisha lutur që qytetarët të shkojnë pa pasur nevojë të regjistrohen në portalin për vaksinim, direkt të shkojnë në ndonjë institucion shëndetësor dhe të vaksinohen, sidomos apeloj qytetarët që janë të kategorive të rrezikuara, siç janë të moshuarit, personat të cilët punojnë në sektorë të ndryshëm, sidomos në shëndetësi dhe gratë shtatzëna", tha Aliu.

Deri më tani nëpër punkte shëndetësore janë vaksinuar 77 mijë persona të kategorive të ndryshme.

Aliu: Po shqyrtohen mundësitë për t’i ofruar ndihmë Zvicrës pas tragjedisë në Kran-Montana

2 January 2026 at 08:30


Ministri i Shëndetësisë, Azir Ali ka bërë të ditur se po shqyrtohen mundësitë për t’i ofruar ndihmën e nevojshme Zvicrës pas tragjedisë ku humbën jetën rreth 40 persona e mbi 100 të tjerë u lënduan.

Aliu tha se janë në komunikim me autoritetet shëndetësore në Zvicër.

“Ministria e Shëndetësisë po shqyrton mundësitë dhe kapacitetet në dispozicion për t’i ofruar mbështetje të përshtatshme Zvicrës pas zjarrit tragjik në Kran-Montana.

Tashmë jemi në koordinim me Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim të RMV-së, ndërsa përmes Qendrës Koordinuese të BE-së për Reagim ndaj Emergjencave (EU ERCC) është vendosur një kanal komunikimi edhe me autoritetet shëndetësore në Zvicër.

Ngushëllime të sinqerta për familjet e viktimave, ndërsa të lënduarve u dëshirojmë shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar Azir Aliu.
Ndërkohë, edhe Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se po monitorin zhvillimet dhe se janë në gatishmëri për t’u ofruar ndihmë qytetarëve

Në Spitalin e Gjinekologjisë “Nënë Tereza” në Çair mbrëmë kanë lindur dy vajza binjake

1 January 2026 at 11:43


Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu njoftoi se në Spitalin e Gjinekologjisë “Nënë Tereza” në Çair në mesnatën e ndërrimit të moteve kanë lindur dy vajza binjake.

Këtë deklaratë Aliu e dha gjatë vizitës në Qendrën Klinike në Shkup, ku autoritetet vizituan foshnjën e parë që lindi në Klinikën e Gjinekologjisë, Evgenija Kamçevën.

“Viti 2026 na filloi mirë, për shkak se kemi tre lindje, tre vajza. Në traditën tonë vajzat janë mirëqenie për shoqërinë, kështu që uroj që viti 2026 të jetë vit i mirëqenies”, tha mes tjerash Aliu duke shtuar se do të vizitojnë edhe binjaket në Klinikën e Gjinekologjisë në Çair. (Tv21)

Aliu: Klinika e Gjinekologjisë është simbol i jetës së re, janë rinovuar dhe përmirësuar kushtet në Gjinekologji

29 December 2025 at 16:10


Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me Kryeministrin e Qeverisë, Hristijan Mickoski, sot vizituan Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë, ku është realizuar rinovimi i disa hapësirave që çdo ditë shfrytëzohen nga mijëra paciente. Investimi i përgjithshëm kap vlerën mbi 34 milionë denarë, thuhet në njoftimin Ministrisë së Shëndetësisë.

"Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës është vendi ku fillojnë jetë të reja, ku merren vendime të vështira dhe ku besimi në sistemin shëndetësor duhet të jetë absolut. Prandaj çdo investim këtu ka peshë dhe përgjegjësi të veçantë. Nga sipërfaqja e përgjithshme e klinikës, janë rinovuar 2 mijë metra katrorë, përkatësisht i gjithë kati përdhes, i cili përfshin hollin hyrës, pjesën poliklinike me ambulanca, laboratorin HPV, laboratorin biokimik si dhe ambulancën e urgjencës. Kjo do të thotë organizim më të mirë, shërbim më të shpejtë dhe kujdes më cilësor, pikërisht aty ku është më së shumti e nevojshme",- deklaroi ministri Aliu.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e strehes së re prej 420 metrash katrorë në plato­në e Klinikës, e cila mundëson pranimin më të sigurt dhe më dinjitoz të pacienteve që transportohen nga institucione të tjera shëndetësore. Ky investim dëshmon kujdes, siguri dhe respekt për çdo grua që vjen në klinikë në një moment të ndjeshëm.

"Ky investim është realizuar plotësisht me mjete të vetë Klinikës. Kjo flet për menaxhim të përgjegjshëm, vizion dhe përkushtim të udhëheqësisë dhe stafit. Si Ministri e Shëndetësisë, detyra jonë është të krijojmë kushte në të cilat punonjësit shëndetësorë mund të ofrojnë kujdesin më të mirë të mundshëm, ndërsa pacientët të ndihen të sigurt, të respektuar dhe të përkujdesur", shtoi Aliu./Telegrafi/

Aliu: Për herë të parë kemi një bazë të të dhënave për burimet njerëzore në shëndetësi

26 December 2025 at 18:12


Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot mbajti një takim informativ me gazetarët, ku u diskutua për gjendjet aktuale dhe sfidat me të cilat përballet sistemi shëndetësor, si dhe për prioritetet në fushën e shëndetësisë për vitin e ardhshëm.

Ai u ndal te pesë shtyllat mbi të cilat bazohet sistemi shëndetësor, në aspektin e infrastrukturës, pajisjeve të reja, digjitalizimit, rregullativës ligjore dhe burimeve njerëzore me të cilat disponojnë institucionet publike shëndetësore.

"Sistemi shëndetësor kudo përballet me sfida. Që nga marrja e detyrës si ministër i Shëndetësisë, në muajin e parë e gjysmë fillimisht kemi bërë një skanim të gjendjeve, ndërsa tashmë, në fund të vitit, kemi një bazë të dhënash të sistemit shëndetësor. Për herë të parë deri më tani kemi një bazë të burimeve njerëzore, ndërsa së shpejti do të kemi edhe bazë të infrastrukturës dhe teknologjive që kanë të bëjnë me sistemin shëndetësor. Nga aspekti i ligjeve, sfidat ishin të mëdha dhe 12 ligje tashmë janë në proces shqyrtimi dhe ndryshimi, ndërsa po punojmë edhe në 2 ligje të reja që deri më tani nuk kanë ekzistuar, por që proceset kërkojnë t’i kemi. Vlerësoj se deri në fund të muajit shkurt të gjitha ligjet do të përfundojnë dhe për to do të informojmë më në detaje", theksoi ministri Aliu.

Sa i përket sfidave të tjera me të cilat përballet shëndetësia, ministri Aliu informoi se janë krijuar gjashtë grupe për monitorimin e problemeve klinike gjatë ofrimit të shërbimeve shëndetësore për pacientët. Prej tyre, pesë grupe deri më tani kanë konstatuar se nuk janë evidentuar probleme klinike.

Aliu: Qeveria planifikon blerjen e 100 automjeteve të reja për ndihmën e shpejtë dhe zgjidhje për parkingun e Qendrës Klinike

23 December 2025 at 22:43


Ministri për shëndetësi në Maqedoninë e Veriut, Azir Aliu, ka sqaruar se një nga vendimet e fundit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është blerja e 100 automjeteve për ndihmën e shpejtë.

“Me këtë vendim sigurojmë mjete për furnizimin e 100 automjeteve të reja të ndihmës së shpejtë, me vlerë të përgjithshme prej 461.250.000 denarë, duke marrë përsipër obligime në kuadër të pjesës zhvillimore të buxhetit për katër vitet e ardhshme”, njoftoi Aliu.

Përmes këtyre automjeteve, Qeveria planifikon bartje më të shpejtë ë pacientëve në nivelin sekondar dhe terciar.

“Toka e hapësirës së parkimit do të regjistrohet në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka hiqet pengesa administrative për nënshkrimin e kontratës me Ndërmarrjen Publike “Parkingu i Qytetit – Shkup”. Kjo kontratë do të mundësojë modernizimin dhe rritjen e ndjeshme të kapaciteteve të parkimit, si dhe vendosjen e rendit”, njoftoi ministri Aliu në lidhje me parkingun te Qendra Klinike “Nënë Tereza”.

Aliu: Së shpejti qendër nacionale për terminet, që pacientët të arrijnë sa më shpejtë tek mjeku specialist

20 December 2025 at 19:42


Sistemi “Termini Im” është një nga pikat ku qytetarët më së shumti ndjejnë nevojën për një shërbim të shpejtë, të qasshëm, të drejtë dhe transparent, theksoi për TVM2 Ministri i Shëndetsisë, Azir Aliu.

Sipas tij së shpejti do të krijojnë një qendër nacionale e cila do të ketë në fokus informatat dhe proceset brenda sistemit “Termini im” që pacientët sa më shpejtë dhe më lehtë të arrijnë në terminin e caktuar tek mjeku specialist.

“Kemi hapur dhe procese për të krijuar një qendër nacionale ‘Data Cent’, qendër në të cilën do t’i kemi të gjitha të fokusuara, si informatat, ashtu e dhe proceset brenda përbrenda këtij sistemi në aspektin e pritjes së pacientëve. Këtu kemi dy probleme, problem i parë është mungesa e mjekëve siç theksuam më herët, pra ky është proces i cili nuk zgjidhet brenda një dite, do të duhet të kalojë kohë për të krijuar profilë adekuat, dhe forma tjetër është mospasja e formave tjera alternative, përveç mjekësisë me metodologji të vjetra, për këtë arsye fusim termin e medicinës si koncept të ri i cili do të mundësojë edhe mjekët që nuk jetojnë në Maqedoni të japin shërbime shëndetësore në shtet, kështu edhe do të lidhen ato me institucionet shëndetësore në shtet ku ato vijnë, por nga ana tjetër edhe ne do të ulim aspektin e pritjes së pacientëve për leximin e rezultateve.” – tha Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, theksoi se shumë shpejt qytetarët do ta ndjejnë këtë ndryshim, jo vetëm në ekran, por edhe në përditshmërinë e tyre.

Aliu: Janë përcaktuar programe të reja të specializimit, për formimin e kuadrove mjekësorë

19 December 2025 at 18:53


Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu tha sot se janë përcaktuar programe të reja të specializimit të cilat do të ndryshojnë mënyrën se si formohen kuadrot mjekësore.

Ai sqaroi se për më shumë se 15 vjet programet e arsimit të lartë mjekësor nuk janë përditësuar dhe se me këtë përcaktim tëri, qëllimi është të formohet një mjek specializant i përgjithshëm dhe pastaj të mund të vazhdojë më tej me sub-specializimin në fusha më specifike.

“Thelbi i programeve të reja është i thjeshtë, largojmë nga logjika e specializimeve tepër të ngushta si pikënisje që do të ndërtojmë një bazë të fortë klinike të përgjithshme mbi të cilën më pas do të ndërtojmë mënyrën më racionale përmes sub-specializimeve për specializime shumë të ngushta në fusha të ndryshme”, theksoi Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.

Kujtojmë se sipas statistikave të fundit të publikuara në media, Maqedonia e Veriut ka nevojë të theksuar për kuadro mjekësore, përfshirë mjekët specializantë e poashtu dhe staf për infermierë.

Aliu për vdekjen e foshnjës në Klinikën E Gjinekologjisë: Presim rezultatet nga Komisioni i Ekspertëve

19 December 2025 at 13:50


Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, sot është pyetur në lidhje me rastin e vdekjes së foshnjës në Klinikën e Gjinekologjisë në Shkup, për të cili tha se është formuar komision ekspertësh dhe priten rezultatet e raportit.

"Inspektorati Shëndetësor dhe Sanitar ka përfunduar tashmë procedurat dhe kishte edhe konferencë për shtyp. Nuk janë konstatuar procedura administrative që nuk janë zbatuar. Komisioni është formuar dhe sot është në terren. Të presim rezultatet edhe nga obduksioni për të përmbledhur të gjitha gjetjet dhe më pas do të japim informacion”, tha Aliu.

I pyetur se pse Inspektorati nuk kishte marrë parasysh në raportin e tij një njoftim nga shefja e repartit të Klinikës së Gjinekologjisë që tregonte trajtim të pa kujdesshëm të të porsalindurit, ministri shpjegoi se ai ishte në një udhëtim zyrtar dhe nuk kishte mundur të shihte dokumentin.

“Realisht, nuk isha këtu. Dokumenti është në zyrën time dhe nuk arrita ta lexoj. Në komunikim me drejtorin e ISHS-së, më tha se nga ana e tyre rasti është i pastër dhe kështu më dha informacionin. Do të kontrolloj analizat që janë bërë dhe do t’ju informoj”, tha Aliu.

Pas lajmit për vdekjen e të porsalindurit, Inspektorati Shëndetësor Sanitar ka kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme, duke konstatuar se shkaku i vdekjes ishte pneumotoraks masiv dhe edemë cerebrale. Megjithatë, priten rezultatet e obduksionit që do të tregojnë saktësisht shkakun e vdekjes.

Aliu–Sala: Ekzistojnë mundësi për thellimin e bashkëpunimit me Republikën e Shqipërisë në fushën e shëndetësisë

18 December 2025 at 09:47


Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në kuadër të vizitës së punës në Republikën e Shqipërisë, zhvilloi një takim me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Evis Sala, ku u rikonfirmua bashkëpunimi i suksesshëm dypalësh mes dy vendeve, si dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të tij në fushën e shëndetësisë.

"Me Republikën e Shqipërisë kemi vendosur një bashkëpunim të suksesshëm dhe, së bashku me ministren Sala, angazhohemi për thellimin e bashkëpunimit në disa segmente të sistemit shëndetësor. Personalisht mendoj se shkëmbimi i njohurive dhe përvojave ndërmjet personelit mjekësor të të dy vendeve kontribuon në përmirësimin e përgjithshëm të kujdesit shëndetësor".

"Njëkohësisht, e informova ministren për angazhimin tonë për forcimin e burimeve njerëzore dhe planifikimin proaktiv të kapaciteteve kadrovike, me theks të veçantë në përmirësimin e sistemit të specializimeve dhe subspecializimeve, në përputhje me nevojat e qytetarëve", theksoi ministri Aliu.

Në takimin e punës mes ministrave Aliu dhe Sala u diskutua gjithashtu edhe për digjitalizimin, si një nga shtytësit kryesorë të zhvillimit të sistemeve shëndetësore në rajon.

Vdekja e foshnjës në Klinikën e Gjinekologjisë, Aliu inicion mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese

16 December 2025 at 13:07


Ministria e Shëndetësisë, në lidhje me rastin e foshnjës së porsalindur të ndjerë në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, shpreh fillimisht ngushëllimet më të sinqerta për prindërit.

"Me qëllim të përcaktimit të rrethanave dhe sqarimit të plotë të rastit, ministri Azir Aliu ka iniciuar një mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, pas së cilës do të vijojë edhe një mbikëqyrje profesionale.

Theksojmë se Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me inspektoratin, do të veprojë në mënyrë profesionale, të specializuar dhe transparente, me qëllim informimin e saktë dhe objektiv të opinionit publik mbi rrethanat e këtij rasti, si dhe mbi aktivitetet e ndërmarra nga aspekti profesional.

Në këto momente të vështira për familjen, lusim të priten hulumtimet e mbikëqyrjeve dhe rezultati i obduksionit, i cili është i vetmi dhe përfundimtari për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes, në mënyrë që deri në marrjen e rezultateve përfundimtare të mos krijohet shqetësim te familja dhe në opinionin publik", njoftojnë nga MSH.

Nga atje rikujtojnë se Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës është një institucion terciar i nivelit të lartë, me protokolle ligjërisht të përcaktuara për veprim në raste të tilla./Telegrafi/

Aliu: Bashkë me MASH-in do të përgatisim strategji 10 vjeçare nacionale për formimin e kuadrit shëndetësor

14 December 2025 at 19:55


Shëndetësia në vend ka nevojë për kuadro të reja pasi përballet me mungesën e mjekëve, infermierëve dhe personelit teknik. Në përputhje me nevojat, çdo drejtori i shtëpisë së shëndetit, apo drejtor i ndonjë spitali, është obliguar që në bazë të sistematizimit të bën kërkesa deri Ministria e Shëndetësisë për punësime të reja, bën të ditur për TVM2 Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu.

“Pra momentalisht Maqedonia është shumë poshtë në përputhje me standardet evropiane në përputhje me kapacitetet demografinë dhe shërbimet shëndetësore që i japim. Kemi diku në disa prej shërbimeve shëndetësore jemi dy herë më ulët sesa kapacitete që i ka Bashkimi Evropian, dhe standardet evropiane në rastet më të mira jemi 50 përqind më ulët në aspekt të kapaciteteve njerëzore. Pra në total mund të them që eko sistemit shëndetësor i mungojnë shumë mjek, infermierë dhe personel teknik dhe një nga performansat që ne i bëjmë dhe nga prioritetet që i kemi si shëndetësi është që të zgjidhim problemin hap pas hapi, por në aspekt afatgjatë.”, u shpreh për TVM2 Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu.

Ministri Aliu po ashtu bën të ditur se në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit do të përgatisin strategji 10 vjeçare nacionale për formimin e kuadrit shëndetësor.

“Bashkë me ministrinë e arsimit bëjmë një strategji nacionale 10 vjeçare e cila do të bën edhe performimin e kuadrit të nevojshëm në shëndetësi i cili pastaj pas mbarimit të shkollës së mesme direkt do të punësohet apo pas mbarimit të fakultetit mjek të përgjithshëm do të punësohen apo do të vazhdojnë specializimin më tej. Pra krijojmë një politikë e cila do të paraprin nevojat dhe jo politikë e cila do të zgjidhë problemet reale ato në moment.”, tha Aliu për TVM2.

Numri i të punësuarve në shëndetësi është 32,383 persona, prej të cilëve 18,536 janë në institucione publike shëndetësore, ndërsa 13,842 persona në shëndetësinë private.

Aliu: Me sindikatat jemi në të njëjtën anë, bashkëpunojmë për përmirësimin e statusit të punonjësve shëndetësorë

5 December 2025 at 12:31


Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot mbajti takim pune me përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Shëndetësisë, Farmacisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe me Sindikatën e Qendrës Klinike.

“Me sindikatat jemi në të njëjtën anë. Jemi në komunikim të vazhdueshëm, mbajmë takime të rregullta pune dhe së bashku angazhohemi për përmirësimin e statusit të punonjësve shëndetësorë. Në frymën e dialogut social, biseduam dhe shqyrtuam aspektet e mundshme për plotësimin e marrëveshjes kolektive".

"Po ashtu, i informova përfaqësuesit e organizatave sindikale për dinamikën e realizimit të punësimeve të reja në shëndetësi, të cilat u shtynë përkohësisht për shkak të zgjedhjeve lokale, si dhe për punësimin e përhershëm të specialistëve privatë", theksoi ministri Aliu.

Aliu: Forcohet kuadri në Spitalin Klinik të Tetovës, u ndanë vendimet për punësim të 28 mjekëve specializantë

3 December 2025 at 16:35


Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot e vizitoi Spitalin Klinik të Tetovës me rastin e ndarjes së vendimeve për punësim të mjekëve–specializantë nga disa fusha.

Ai tha se specializantët privatë punësohen përmes konkursit publik të shpallur, testimeve të realizuara, intervistave dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore.

“Me kënaqësi të madhe marr pjesë në ndarjen e vendimeve për punësimin e 28 mjekëve specializantë. Bëhet fjalë për specializantë privatë nga fusha të ndryshme, me ç’rast përmirësohet ndjeshëm kujdesi shëndetësor specialistik në këtë institucion. Specializantët privatë punësohen përmes konkursit publik të shpallur, testimeve të realizuara, intervistave dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore. Në kuadër të përpjekjeve për regjionalizimin e shërbimeve shëndetësore dhe forcimin e spitaleve klinike rajonale dhe atyre të përgjithshme në mbarë shtetin, pikërisht Spitali Klinik i Tetovës është një nga fokuset kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë", theksoi Aliu.

Ai kujtoi se, në kuadër të këtyre përpjekjeve për regjionalizim, në këtë institucion po punohet edhe në shpërndarjen e shërbimeve onkologjike, me qëllim që pacientët t’i marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore më afër vendbanimit të tyre.

Aliu në takim me Memishoglu: Ekziston mundësi për bashkëpunim më intensiv në mes RMV-së dhe Turqisë në fushën e shëndetësisë

26 November 2025 at 13:28


Në kuadër të Kongresit të 11-të Mjekësor Turk që po mbahet në Ankara, ministri i shëndetësisë, Azir Aliu, realizoi takim me ministrin e shëndetësisë së Republikës së Turqisë, Kemal Memishoglu.

“Ne kemi shumë sfida të përbashkëta në shëndetësi – nga nevoja për forcimin e resurseve njerëzore dhe infrastrukturës moderne, deri te digjitalizimi që do ta bëjë kujdesin shëndetësor më të shpejtë, më efikas dhe më të drejtë për çdo qytetar. Jam i bindur se përmes shkëmbimit të ekspertizës dhe partneriteteve ndërmjet institucioneve tona, mund të ndërtojmë politika që do të nënkuptojnë qasje më të mirë dhe shërbime shëndetësore më cilësore për qytetarët tanë”, deklaroi ministri Aliu gjatë takimit.

Republika e Turqisë ishte një nga vendet që ofroi mbështetje për hospitalizimin dhe trajtimin e personave të lënduar nga zjarri në Koçan.

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Turqisë, Kemal Memishoglu, shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve mike, duke theksuar se ekzistojnë edhe shumë mundësi të tjera për intensifikimin e këtij bashkëpunimi në disa segmente të shëndetësisë.

❌
❌