TIRANË, 8 janar/ATSH/ Gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm në Qarkun e Korçës kanë rënë reshje shiu dhe dëbore me intensitet që ndryshon sipas zonave.
Në bashkinë Kolonjë reshjet e dëborës nisën prej orës 03:30, me intervale. Qarkullimi në akset Ersekë–Leskovik dhe Ersekë–Korçë vijon normalisht dhe raportohet që borëpastrueset janë në terren.
Në vendin e quajtur Gropat e Gëlqeres (rreth 5 km nga Erseka, aksi Ersekë–Leskovik) ka rrëshqitje të pjesshme të rrugës, është vendosur sinjalistika përkatëse dhe rruga po monitorohet nga policia. Shërbimet e Rendit po këshillojnë drejtuesit e mjeteve që të lëvizin me kujdes.
Hidrovori i Tushemishtit vijon punën me 3 pompa (një pompë është jashtë funksioni).
Niveli i ujit është i lartë, por situata është nën kontroll dhe monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
Në bashkinë Maliq, lumi Devoll ka dalë në një pikë nga shtrati i argjinaturës në Sheqeras, ku situata paraqitet me përmbytje në Fushën e Maliqit. Në Dunavec, niveli është në maksimum, por nuk ka dalje të lumit nga shtrati.
Në aksin Maliq–Lozhan (Senisht) ka patur një bllokim gjatë natës, rruga ka pësuar një dëmtim. Në Mesmal ka rrëshqitje dherash dhe bllokim të rrugës. Në Lozhan i Lartë ka rënie gurësh dhe pritet që strukturat e bashkisë të marrin masa.
Në njësinë administrative Pirg ka aktivizim rrëshqitjeje në Kakaç.
Rezervuarët janë nën monitorim dhe është hapur lëshuesi katastrofik në Leminot, pasi ka arritur kuotën maksimale. Reshjet e dëborës arrijnë në rreth 2 cm.
Bashkia Korçë nuk ka raportuar për problematika të reja.
Niveli i ujit në Drenas ka rënë ndjeshëm dhe nuk paraqet rrezik për banesat.
Në bashkinë e Devollit situatë më e rënduar paraqitet në Nj.A. Progër (fshatrat Progër, Maqurisht, Cangonj, Shyec) për shkak të rritjes së prurjeve.
Sa i përket bashkisë Pogradec, problematike është situata në Nj.A. Dardhas: rruga për në fshat është e pakalueshme; ka mungesë të energjisë elektrike në të gjitha fshatrat e njësisë; rrëshqitje rruge në Grunjaz.
Vazhdojnë problemet e theksuara në lumenjtë Rëmenj dhe Verdovë, veçanërisht në zonën e unazës së qytetit të Pogradecit, ku qarkullimi është kufizuar në një kalim.
Ka rrëshqitje dhe bllokime rrugësh në aksin Qukës–Qafë Plloçë dhe në fshatra të Nj.A. Proptisht. Ndërkohë raportohet se reshjet e shiut po kalojnë në formë dëbore.
Hidrocentrali Devoll ka prurje në basen rreth 500 m³/sek; niveli ka arritur maksimumin dhe po hapet shkarkuesi me 50 m³/sek.
Si pasojë e kësaj situate problematike mbeten pa energji zonat Babien, Marjan, Dolanec, Gylbec, Nice, Osnat, Sterkanje dhe kabina Zbog 1, ku preken gjithsej 120 abonentë.
Në Zëmblak janë pa energji 400 abonentë. 310 të tjerë vuajnë mungesën e energjisë në Çezmë, Bishnicë, Tallë, Jollë. Gjithashtu pa energji janë edhe zonat Dardhas dhe Prenisht, me 400 abonentë ruralë.
Drejtoria Rajonale e Ujitje Kullimit bën të ditur se është në angazhim të plotë me staf dhe mjete për të adresuar problematikat e shfaqura në infrastrukturën kulluese dhe pikat e dëmtuara të argjinaturave.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Sektori i Rendit dhe Qarkullimit Rrugor, janë në patrullime 24/7 në akset rrugore kryesore të qarkut.
/r.e/
The post Korçë, probleme në aksin Maliq–Lozhan, situatë e rënduar në Devoll appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.