Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 December 2025Main stream

Valë sulmesh para Krishtlindjeve në Ukrainë/ Papa bën thirrje për pushim gjatë festës

24 December 2025 at 10:03

Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa Rusia vazhdon sulmet e saj ndaj Ukrainës Papa Leo XIV i kërkoi Rusisë një armëpushim 24-orësh për festën e Krishtlindjes.

Të paktën tre vetë u vranë nga sulmet e përsëritura ajrore ruse në Ukrainë. Një fëmijë katërvjeçar u vra në rajonin Zhytomyr në perëndim të kryeqytetit, Kiev, kur një dron goditi një ndërtesë banimi, njoftoi Presidenti Zelenski përmes mediave sociale.

Sipas autoriteteve në rajon u plagosën edhe gjashtë persona të tjerë, ndër ta dy fëmijë. Zelenski deklaroi gjithashtu se nga një sulm me dron rus në rajonin e Kievit u vra një grua. Një viktimë pati edhe në rajonin Khmelnytsky. Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitshko, u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në strehimet kundërajrore.

Në një kohë kur temperaturat në Ukrainë janë shumë të ulëta, Moska ka vënë në shënjestër dhe po godet gjithnjë e më shumë infrastrukturën energjetike.

Zelensky: Putini nuk heq dorë nga vrasjet

Presidenti ukrainas deklaroi se Rusia kishte përdorur në sulmet e saj të fundit 650 dronë dhe mjaft raketa të telekomanduara. Njësitë e mbrojtjes kundërajrore rrëzuan shumë prej dronëve dhe raketave, por pati edhe dëme. “Këto sulme bëhen para Krishtlindjeve, kur njerëzit duan të jenë të sigurt në shtëpi me familjet e tyre”, tha Zelenski.

Ai shtoi se Presidenti rus Vladimir Putin po tregon se nuk do t’u japë fund vrasjeve. Bota duhet të ushtrojë më shumë presion mbi Rusinë për t’i dhënë fund luftës, tha Zelenski, i cili postoi në mediat sociale fotografi të shumta prej shkatërrimeve të fundit nga sulmet ruse.

Papa Leone XIV: Thirrje për armëpushim 24-orësh

Papa Leone XIV i kërkoi Rusisë një armëpushim 24-orësh për festën e Krishtlindjes në Ukrainë. Sipas Vatican News Papa tha: “Më trishton vërtet fakti që Rusia me sa duket e ka refuzuar armëpushimin për Krishtlindje.

E përsëris thirrjen time për të gjithë njerëzit me vullnet të mirë që të respektojnë të paktën një armëpushim 24-orësh në Festën e Lindjes së Jezusit. Në Ukrainë dhe në të gjithë botën.” /dw

The post Valë sulmesh para Krishtlindjeve në Ukrainë/ Papa bën thirrje për pushim gjatë festës appeared first on Gazeta Si.

Vjen dërgesa e parë, Shqipëria pajiset me sistemet raketore Javelin

24 December 2025 at 09:54

Nga Gazeta ‘Si’- Shqipëria ka marrë sistemet raketahedhës Javelin nga Shtetet e Basskuara të Amerikës, një “dhuratë” që, sipas ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, forcon aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, rrit parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare.

“Sapo është kryer dorëzimi i një sasie të parë të sistemeve Javelin dhe Shqipëria dhe Kosova, është e vërtetë, janë pjesë e kësaj ndihmese dhe bashkëpunimi bilateral me Shtetet e Bashkuara, si edhe raketat e para antitank që lëshohen nga këto sisteme”, tha Vengu në një video të postuar në llogarinë e tij në Instagram, nga një bazë e Forcës Tokësore, të paidentifikuar.

Sipas ministrit, marrja e këtyre sistemeve është e rëndësishme për tre arsye.

“E para, sepse ka të bëjë me një kërkesë të hershme të forcave tona dhe më në fund po realizohet. E dyta, sepse bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara mbetet themelor për forcimin e kapaciteteve tona dhe rritjen e aftësive mbrojtëse.

Janë sisteme antitank, të cilat mund të shërbejnë edhe në situata të caktuara për kundërshtimin e elementit kërcënues në distancë të shkurtër.

Pika e tretë, po aq e rëndësishme, ka të bëjë me aftësimin e personelit tonë luftarak për përdorimin e sistemeve, pajisjeve dhe teknologjive të përditësuara. Pra, ka një domethënie të trefishtë”, tha ai.

The post Vjen dërgesa e parë, Shqipëria pajiset me sistemet raketore Javelin appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 23 December 2025Main stream

Prona e biznese, konfiskohen 3 milionë euro pasuri të Drini Alikos në Gjirokastër

23 December 2025 at 15:22

Nga Gazeta ‘Si’- Prokuroria e Gjirokastrës ka konfiskuar 3 milionë euro pasuri në pronësi Drini Alikos, prona të cilat në bazë të hetimeve, kanë rezultuar të përfituara nëpërmjet burimeve të paligjshme.

Konkretisht, 7 troje, 1 arë dhe 1 banesë 1 karburant, 1 ndërtesë, 1 lokal, 3 magazina, 1 gurore dhe 1 nyje betoni, janë pasuritë e konfiskuara për llogari të shtetit.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Gjirokastrës, u konfiskuan tre milionë euro pasuri, të cilat nga hetimet del se nuk ka burime të ligjshme për krijimin e pasurive. Kërkesa për konfiskim është paraqitur në kuadër të hetimit pasuror nr. 2 të vitit 2019.

Pas verifikimeve financiare dhe pasurore që treguan se subjekti nuk kishte të ardhura të ligjshme për krijimin e këtyre pasurive.

Vendimi i gjykatës, përfshin një listë të gjerë pasurish të paluajtshme dhe objekteve tregtare, të shpërndara kryesisht në territorin e qarkut Gjirokastër.

Në mesin e pasurive të konfiskuara janë disa troje me sipërfaqe të konsiderueshme në qytetin e Gjirokastrës, Lazarat, Grehot dhe Kordhocë, si dhe tokë bujqësore në fshatin Arshi Lengo.

Në njoftim thuhet se janë konfiskuar, ndër të tjera, pasuria e llojit ‘Truall’ me sipërfaqe 350 m² në qytetin Gjirokastër, si edhe disa prona të tjera në Lazarat dhe Grehot, që përfshijnë truall, ndërtime dhe sipërfaqe të shfrytëzueshme.

Po ashtu, pjesë e vendimit janë edhe pasuri me karakter biznesi, përfshirë një karburant, ndërtesa zyrash dy-katëshe, lokal, magazina të shumta, si dhe struktura ndihmëse si vendroje, nyje betoni dhe zona për afrimin e materialeve të ngurta, të gjitha me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër.

The post Prona e biznese, konfiskohen 3 milionë euro pasuri të Drini Alikos në Gjirokastër appeared first on Gazeta Si.

Zelensky: Kemi përgatitur disa drafte për paqen pas bisedimeve me SHBA

23 December 2025 at 15:00

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha të martën se disa draft dokumente, përfshirë ato mbi garancitë e sigurisë, janë përgatitur pas bisedimeve midis zyrtarëve ukrainas dhe homologëve të tyre amerikanë në Miami të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ata punuan në mënyrë produktive me të dërguarit e Presidentit (Donald) Trump dhe tani janë përgatitur disa draft-dokumente. Në veçanti, këto përfshijnë dokumente mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën, rindërtimin dhe një kornizë bazë për t’i dhënë fund kësaj lufte”, shkroi Zelensky në X.

Ai shtoi se pikat janë përcaktuar në një mënyrë që korrespondon me qëllimin e një përfundimi real të luftës dhe nevojën për të parandaluar një pushtim të tretë rus.

“Çdo sulm rus ndaj Ukrainës dhe sulmet e ashpra ruse në vijën e frontit vërtetojnë se angazhimi i Ukrainës për t’i dhënë fund luftës tejkalon shumë atë të Rusisë – dhe kjo duhet të adresohet duke forcuar presionin global mbi agresorin”, shtoi Zelensky.

The post Zelensky: Kemi përgatitur disa drafte për paqen pas bisedimeve me SHBA appeared first on Gazeta Si.

Berisha: Salianji ka kaluar linjat e kuqe dhe është vetëpërjashtuar

23 December 2025 at 14:50

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i PD-së, Sali Berisha në një dalje për mediat, u pyet për Ervin Salianjin.

Ai tha se Salianji u vetëpërjashtua nga PD-ja, pasi kaloi vijën e kuqe.

“Akoma mendja tek Salianji. Po ne këtu jemi për enciklopedinë e krimit që nuk është paraqitur kurrë. Po çfarë lidhje ka Salianji me këtë. Po Salianji ishte i burgosur politik kur u zhvilluan zgjedhjet. Çfarë do të thotë kjo?

Sot është një njeri që ka kaluar linjat e kuqe. E kam thënë kur i ka kaluar linjat e kuqe. Kemi ca linja të kuqe. Jo, nuk ka një vendim, ka vetpërjashtuar veten. Sa herë të pyesni, këtë përgjigje do merrni. Po i kalove linjat e kuqe, i kalon”, tha Berisha.

Ky vendim vjen pasi ky i fundit ka nisur Foltoren e tij me demokratë të zhgënjyer e të lodhur nga lidershipi dhe kupola e PD-së. Deri më tani, Foltorja e Salianjit ka mbledhur simpatizantë dhe anëtarë të strukturave të Partisë Demokratike në Durrës, Gjirokastër dhe Elbasan.

Salianji ka qenë aktiv në Njësinë 6, veçanërisht në zonën e Kombinatit, ku takimet e zhvilluara nga ai me strukturat dhe simpatizantët e PD-së janë karakterizuar nga pjesëmarrje e gjerë dhe një angazhim i dukshëm i të rinjve.

The post Berisha: Salianji ka kaluar linjat e kuqe dhe është vetëpërjashtuar appeared first on Gazeta Si.

Berisha prezanton publikimin e PD : Mbi 1500 faqe që faktojnë farsën e 11 majit

23 December 2025 at 13:51

Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike ka publikuar librin me mbi 1500 faqe që sipas tyre dokumenton vjedhjet në zgjedhjet e 11 majit.

Kreu i PD-së, Sali Berisha tha se ky libër është quajtur “Farsa e madhe e majmur e zgjedhjeve në Shqipëri”.

Libri është realizuar sipas Berishës falë punës të strukturave të Partisë Demokratike. Sipas tij libri dokumenton që Edi Rama kërcënoi vëzhguesit gjatë zgjedhjeve.

“Ky dokument i pashembullt në historinë e një farse elektorale në Europë dhe në botë, i hartuar me mbi 1500 faqe, dhe mbi 2 mijë e sa prova, dokumente, video, fotografi, të gjitha.

Një punë e jashtëzakonshme nga ekipi që keni këtu para, që ka ndjekur, ka shqyrtuar, ka analizuar të gjitha këto dokumente dhe që janë dërguar online në qendrat ndërkombëtare të raporteve për zgjedhjet në Shqipëri, sapo paraqiteshin këtu.

Një punë të jashtëzakonshme në mënyrë të veçantë nga zonja Albana Vokshi, e cila në fakt del sot me këtë libër 1500 faqesh, e kaluar në çdo paragraf, në çdo rresht, në çdo dokument në duart e saj.

Kjo përpjekje përmbushi detyrimin dhe objektivin”, tha Berisha.

The post Berisha prezanton publikimin e PD : Mbi 1500 faqe që faktojnë farsën e 11 majit appeared first on Gazeta Si.

Politico: AfD në Gjermani akuzohet se mbledh informacione ushtarake në favor të Kremlinit

23 December 2025 at 12:52

Nga Gazeta ‘Si’- Partia gjermane e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), është në qendër të kritikave për lidhje të dyshuara me Kremlinin. Partia akuzohet se përdor mjete parlamentare për të marrë informacione që mund të jenë me interes për shërbimet e inteligjencës ruse, sipas një raporti të Politico.

Sipas Politico, Kristian Demokratët dhe Social Demokratët denoncojnë deputetët e partisë së ekstremit të djathtë për përdorimin e pozicionit të tyre institucional për të zbuluar informacione të ndjeshme ushtarake, të cilat Moska mund t’i përdorë në frontin ukrainas dhe në të ashtuquajturën “luftë hibride” kundër Europës.

Artikulli përmend në mënyrë të veçantë politikanin gjerman të ekstremit të djathtë,Ringo Mühlmann i cili “ka treguar interes të veçantë në zbulimin e informacionit që, sipas kundërshtarëve të tij politikë, mund të jetë me interes të madh për shërbimet e inteligjencës ruse”.

Ringo Mühlmann

Duke përdorur të drejtat që i jep statusi i tij si anëtar i parlamentit për partinë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në parlamentin e shtetit të Thuringisë – ku AfD është partia më e fortë – Mühlmann i ka kërkuar vazhdimisht qeverisë rajonale të zbulojë detaje të ndërlikuara mbi çështje të tilla si mbrojtja lokale nga dronët dhe transferimet e armëve perëndimore në Ukrainë.

Pyetjet “e dyshimta”

“Çfarë informacioni ka qeveria e shtetit në lidhje me fushëveprimin e transportit ushtarak tranzit përmes Turingisë nga viti 2022 (i detajuar sipas vitit, llojit të transportit [rrugor, hekurudhor], numrit të tranziteve dhe ndalesave të njohura)?”, pyeti Mühlmann në shtator.

Sipas raportit, në qershor, Mühlmann, i cili mohon se ka zbatuar urdhra nga Rusia, paraqiti tetë pyetje në lidhje me dronët dhe aftësitë mbrojtëse të policisë rajonale – e cila është përgjegjëse për zbulimin dhe kapjen e dronëve që konsiderohen si një kërcënim spiunazhi.

“Cilat sisteme teknike mbrojtëse kundër dronëve janë të njohura për policinë e Turingisë (p.sh., pajisje bllokimi, lëshues rrjetash, pajisje me pulse elektromagnetike) dhe deri në ç’masë janë testuar ato për dobinë e tyre në zbatimin e ligjit?”, pyeti Mühlmann në atë kohë.

“Nuk mund të mos krijohet përshtypja se AfD, me hetimet e saj, po kryen një listë detyrash që i janë caktuar nga Kremlini”, tha për gazetën gjermane Handelsblatt Ministri i Brendshëm i Turingisë, Georg Maier, anëtar i Partisë Socialdemokrate (SPD).

“Ajo që më bëri përshtypje ishte interesi i jashtëzakonshëm për infrastrukturën kritike dhe parimet e sigurisë këtu në Turingi, veçanërisht në mënyrën se si trajtohen kërcënimet hibride”, tha Mayer më vonë për Politico.

“Papritmas, çështjet gjeopolitike po luajnë një rol në pyetjet e tyre, ndërsa ne në parlamentin e Turingisë nuk jemi përgjegjës për politikën e jashtme apo të mbrojtjes”.

“Insinuata mashtruese”

Udhëheqësit e AfD-së kanë artikuluar herë pas here qëndrime në favor të Moskës, duke mbështetur ripërtëritjen e lidhjeve ekonomike, rivendosjen e importeve të gazit natyror dhe ndërprerjen e furnizimeve me armë për Ukrainën.

Megjithatë, kundërshtarët e tyre politikë shpesh i akuzojnë ata se veprojnë jo vetëm nga bindja, por edhe me urdhër të Moskës. Në nëntor, deputetja e të Gjelbërve Irene Michalic e përshkroi AfD-në si një “kalë Troje” për Presidentin rus Vladimir Putin në Gjermani.

Politikanët e AfD-së mohojnë akuzat se po përdorin fuqinë e tyre parlamentare në rritje për të ndihmuar Kremlinin duke ofruar informacione të ndjeshme.// Politico

The post Politico: AfD në Gjermani akuzohet se mbledh informacione ushtarake në favor të Kremlinit appeared first on Gazeta Si.

PS bojkoton Këshillin e Mandateve për Ballukun. Bardhi: Do mblidhemi prapë të premten

23 December 2025 at 12:40

Nga Gazeta ‘Si’- Anëtarët socialistë të Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve bojkotuan mbledhjen e thirrur nga 5 deputetët demokratë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi që është edhe një nga anëtarët tha se mbledhjen do ta thërrasin sërish ditën e premte, pasi ai thotë se është urgjente, duke iu referuar edhe kërkesës së SPAK.

Sipas Bardhit, SPAK thotë se Balluku ka ushtruar presion ndaj dëshmitarëve, konkretisht ndaj një vartëse të saj. Po sipas Bardhit, referuar kërkesës së SPAK, e pandehura Balluku mund të prishë dhe asgjesojë provat dhe mund të largohet.

“Njësoj si kriminelët që i fshihen drejtësisë edhe kolegët e mazhorancës janë të fshehur. Nuk janë paraqitur në një mbledhje të vlefshme. Pengimi i drejtësisë me urdhër politik të Edi Ramës është akti më i rëndë që ka kryer ky kuvend gjatë këtyre viteve demokraci. Nuk mundet që një kryeministër të urdhërojë deputetët të mbledhë Këshillin e Mandateve.

Unë për herë të parë dua tju lexoj pjesë nga kërkesa që SPAK ka sjellë në Kuvend dhe e bëjnë të ngutshme mbledhjen. Balluku që ka interes për të zvarritur cështjen. Pse pesë anëtarë të Këshillit bëhen zëdhënës të një të pandehuri për veprime korruptive që kapin vlerën e 1.1 mld eurove?

SPAK ka argumentuar se në vijim të hetimeve nga përdorimi i metodave speciale kanë rezultuar të dhëna se nga ana e Ballukut ka ushtruar presion në forma të ndryshme ndaj personit të pyetur, konkretisht një vartësja të saj. Jemi në kushtet e zëvendësimit të masës së sigurimit për Belinda Ballukun. Vlerësojmë se pas caktimit të masës së sigurimit, nevojat e sigurimit janë rënduar ndaj të pandehurës Belinda Balluku.

Pasi po kryhen hetime penale për procedura të tjera. Gjendja e lirë e të pandehurës paraqit rrezik real. Ekziston mundësia që ajo të asgjesojë ose të prishë provat. E pandehura Belinda Balluku ka bërë përpjekje për të ndikuar tek dëshmitarët. Largimi i të pandehurës është evident”, tha Bardhi.

The post PS bojkoton Këshillin e Mandateve për Ballukun. Bardhi: Do mblidhemi prapë të premten appeared first on Gazeta Si.

Rama debat me ndërtuesit: Me ju nuk ka paqe. Do më keni këmba-këmbës!

23 December 2025 at 12:34

Nga Gazeta ‘Si’- Gjatë takimit me sipërmarrësit, kryeministri Rama pati dhe një debat me ndërtuesit.

Ishte Erion Harizi nga Shoqata e Ndërtuesve, i cili i kërkoi qeverisë lehtësi në pagesën e taksës së infrastrukturës.

Por Rama tha se me ndërtuesit nuk ka paqe dhe as mbështetje. Kryeministri u shpreh se ndërtimi është sipas tij sektori me fitimin më të lartë në Shqipëri dhe tha se ndërtuesit akoma vijojnë të deklarojnë punonjës me paga minimale.

Ai pati kritika për disa ndërtues, që siç u shpreh Rama “marrin leje për të ndërtuar godina spektakolare dhe bëjnë një kafaz pëllumbash”.

Kreu i qeverisë u shpreh se ndërtuesit do ta kenë atë këmba këmbës.

“Ajo që ndërtuesit duhet të kuptojnë është se ky vendi i ka dhënë shumë më tepër se çfarë ndërtuesit po japin mbrapsht. Këto ndërtime që bëhen do të jenë aty për dhjetëra vite. Nuk tolerohet që ne ndërkohë miratojmë projekte të cilësisë së parë dhe kur i sheh në terren nuk ngjajnë fare. Është kriminale që njerëzit të paguajnë për të marrë një shpi dhe të mos marrin hipotekën se ndërtuesi luan me lejen.

Është shëmtuar Shqipëria në shumë pjesë të saj që nga ato katrahurat në Golem. Vjen merr një leje për të bërë një godinë spektakolare dhe bën një kafaz pëllumbash, po ku lejohet kjo. Mos ta vazhdojmë këtë bisedë që mos të kërkoj të shoh ndërtimet e tua. Mos na hap këtë muhabet. Paqe me ndërtuesit nuk ka. Më keni mbrapa këmba këmbës mua dhe gjithë ça janë që varen prej meje.

Mbështetje ju që akoma deklaroni punonjës me 500 mijë lekë kur e dimë shumë mirë dhe ti dhe unë që nuk ekziston punonjës me pagë minimale në ndërtim. Po nuk keni faj ju, po na ka lidhur duart Gjykata Kushtetuese para disa vitesh që nuk mund t’iu vendosim juve tavan dhe ju lozni.  Ju jeni sektori më me shumë fitim në Shqipëri, çfarë mbështetje kërkoni ju. Jeni sektori ku shfrytëzohet punonjësi më shumë”, tha Rama.

The post Rama debat me ndërtuesit: Me ju nuk ka paqe. Do më keni këmba-këmbës! appeared first on Gazeta Si.

Sondazhi/ Aleatët e SHBA: Trump më shumë krijon probleme sesa i zgjidh!

23 December 2025 at 12:11

Nga Gazeta ‘Si’- “Të pabesueshme! Krijojnë më shumë probleme sesa zgjidhje. Një forcë negative në skenën botërore.”

Kështu i shohin Shtetet e Bashkuara një pjesë e madhe e aleatëve të saj më të afërt, sipas një sondazhi të ri, ndërsa presidenti Donald Trump po ndjek një riformatim të gjerë të politikës së jashtme amerikane.

Shumica relative në Gjermani dhe Francë — si dhe shumica e kanadezëve — thonë se SHBA është një forcë negative në nivel global, sipas sondazhit të ri ndërkombëtar POLITICO–Public First. Qëndrimet në Mbretërinë e Bashkuar janë më të përziera, por më shumë se një e treta e të anketuarve ndajnë të njëjtin vlerësim pesimist.

Pothuajse shumica në të katër vendet thonë gjithashtu se SHBA tenton të krijojë probleme për vendet e tjera, në vend që t’i zgjidhë ato.

Këto gjetje ofrojnë një pasqyrë se si po perceptohet riformësimi i politikës së jashtme amerikane nga Trump — përfshirë një axhendë të gjerë tregtare, retorikë të ashpër ndaj aleatëve tradicionalë dhe një ripozicionim ushtarak — te disa nga aleatët më të afërt të Uashingtonit.

Kur u pyetën nëse SHBA i mbështet aleatët e saj në mbarë botën apo i sfidon ata, shumica e kanadezëve thanë këtë të fundit, ashtu si edhe pak më pak se gjysma e të anketuarve në Gjermani dhe Francë. Në Mbretërinë e Bashkuar, rreth 4 në 10 thonë se SHBA i sfidon, dhe jo i mbështet, aleatët e saj; më shumë se një e treta thonë se nuk mund t’i besohet në një krizë; pothuajse gjysma thonë se krijon probleme për vendet e tjera; dhe 35 për qind thonë se SHBA është një forcë negative në përgjithësi.

Trump ka mjegulluar vijat tradicionale të aleancave globale gjatë vitit të tij të parë pas rikthimit në detyrë, veçanërisht në Kanada dhe Europë.

Në një intervistë të fundit për POLITICO, ai e quajti Europën një grup kombesh “në kalbëzim”, të udhëhequra nga njerëz “të dobët”, ndërsa Strategjia e tij Kombëtare e Sigurisë argumentonte se kontinenti ka humbur “identitetet kombëtare dhe vetëbesimin”.

Në kontrast, strategjia përdori një gjuhë më pak të ashpër për Rusinë — edhe pse aleatët europianë të SHBA-së po përgatiten për atë që liderët e kanë quajtur një “luftë hibride” me Moskën.

Sekretari i Shtetit Marco Rubio mbrojti qasjen e administratës, kur u pyet për kritikat europiane, duke thënë se aleanca transatlantike mbetet e rrënjosur në vlera të përbashkëta “civilizuese”.

“Unë mendoj se në thelb të këtyre marrëdhënieve speciale që kemi qëndron fakti se kemi histori të përbashkët, vlera të përbashkëta, parime të përbashkëta civilizuese, për të cilat nuk duhet të kërkojmë falje,” tha Rubio në një konferencë javën e kaluar.

Ky artikull është pjesë e një projekti të vazhdueshëm të POLITICO-s dhe Public First, një kompani e pavarur sondazhesh me seli në Londër, për të matur opinionin publik në një gamë të gjerë fushash politike.

Ndërsa Trump trondit marrëdhënie të kahershme, skepticizmi mes liderëve aleatë mund të jetë duke u reflektuar edhe në opinionin publik, tha Mattheë Kroenig, zëvendëspresident dhe drejtor i lartë në Qendrën Scoëcroft për Strategji dhe Siguri pranë Atlantic Council.

“Opinioni publik në demokraci shpesh pasqyron opinionin e elitave,” tha ai.

“Ajo që ndoshta po shihni është se politikanë në këto vende po shprehin skepticizëm ndaj Shteteve të Bashkuara dhe administratës Trump, dhe kjo po reflektohet në sondazhet e opinionit publik.”

Kjo dinamikë po shfaqet në mbarë Europën dhe Kanadanë, teksa liderët përpiqen të ruajnë marrëdhënie gjithnjë e më të tendosura.

Në Gjermani, pasiguria mbi mbështetjen ushtarake amerikane për Ukrainën, pikëpyetjet mbi angazhimin e Uashingtonit ndaj NATO-s dhe lufta e tarifave e Trump-it kanë shtuar urgjencën që kancelari Friedrich Merz të shkojë përtej kufijve tradicionalë të vendit për shpenzimet e mbrojtjes dhe politikat ekonomike. Javë para marrjes së detyrës, Merz siguroi një reformë historike të shpenzimeve, që çliroi qindra miliarda euro për investime në mbrojtje dhe infrastrukturë, pas vitesh kursimesh të vetëimponuara.

Në Francë, ku skepticizmi ndaj SHBA-së ka qenë prej kohësh i thellë, presidenti Emmanuel Macron ka ndjekur diplomaci personale me Trump-in, duke përdorur njëkohësisht paparashikueshmërinë e tij për të forcuar argumentet për një autonomi strategjike më të madhe europiane.

“Në dorëzosh sovranitetin tënd një fuqie tjetër është një gabim — De Gaulle nuk ka thënë kurrë diçka tjetër,” i tha POLITICO-s një oficer i lartë ushtarak francez, duke kërkuar anonimitet.

Një zyrtar tjetër i mbrojtjes tha se Strategjia Kombëtare e Sigurisë e Trump-it ka rritur “ndërgjegjësimin se diçka nuk shkon”.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Trump mbetet figurë polarizuese, por kryeministri Keir Starmer ka shmangur kryesisht përplasjet publike. Prioritetet e tij përfshijnë finalizimin e një marrëveshjeje tregtare SHBA–MB dhe koordinimin e një përgjigjeje europiane ndaj përpjekjeve të Trump-it për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë — pa zemëruar Shtëpinë e Bardhë, një ekuilibër delikat që shumë liderë aleatë po përpiqen të mbajnë.

Kanadaja, ndërkohë, ka përjetuar përkeqësimin më të madh të marrëdhënieve, të cilat janë acaruar nga një luftë tregtare e ashpër dhe retorika periodike e Trump-it mbi aneksimin.

Amerikanët, në përgjithësi, ende e shohin vendin e tyre më pozitivisht sesa aleatët. Por demokratët shfaqin qëndrime shumë më negative që nga rikthimi i Trump-it në detyrë.

Pothuajse gjysma e votuesve që mbështetën Kamala Harris-in thonë se SHBA është një forcë negative në botë, krahasuar me vetëm 13 për qind të votuesve të Trump-it. Tre në katër votues të Trump-it thonë se SHBA është një forcë pozitive globale.

Burimi: Politico/Përshtati Gazeta Si

The post Sondazhi/ Aleatët e SHBA: Trump më shumë krijon probleme sesa i zgjidh! appeared first on Gazeta Si.

Rama takim me bizneset për paqen fiskale: Nisma rrit formalizimin dhe ul tatimin

23 December 2025 at 11:47

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me komunitetin e biznesit lidhur me “paqen fiskale”.

Rama sqaroi se ky premtim tashmë i kthyer në ligj, është sipas tij një nismë që do të shërbejë si një urë besimi mes sipërmarrësve dhe qeverisë.

Rama tha se zbatimi i ‘paqes fiskale’ do të nisë nga janari i vitit të ardhshëm dhe nuk cënon integritetin ligjor. Kreu i qeverisë tha se përmes paqes fiskale, do të shtohet formalizimi i bizneseve dhe do të ulet tatimi. Ai u shpreh se nga nisma përfitojnë të gjitha bizneset, që nuk kanë procese gjyqësore të hapura.

Paqja fiskale sot është ligj, pasi ishte premtim i yni në fushatë. Nga janari 2026 mund ta zbatojmë këtë nismë. Ne duam të ndërtojmë urë komunikimi të shëndetshëm mes sipërmarrjes dhe administratës tatimore. Paqja fiskale u jep mundësi sipërmarrjeve të vetëkorrigjohen, duke ribërë deklarimet e viteve të shkuara. Nisma synon të rrisë formalizimin dhe ta ulë tatimin.

Ne presim një përmirësim të atmosferës së biznesit në vend. Bëhet paqe me bizneset, që nuk kanë probleme ligjore, që nuk janë në procese gjyqësore të hapura, që afektojnë legjitimitetin e të ardhurave. Gjobat, sipas periudhës shkojnë nga fshirja totale tek pagimi përmes kësteve të lehtësuara”, tha Rama.

Ndërsa ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit Delina Ibrahimaj, deklaroi se përmes paketës fiskale, qeveria synon që të krijojë kushtet, për konkurrencë të drejtë mes bizneseve.

“Ne besojmë fort tek forca e dialogut. Ne besojmë se ekonomia shkon përpara me anë të bashkëpunimit. Ekonomia shqiptare ka marrë një drejtim dhe ky drejtim është drejt BE-së, është drejt integrimit evropian, që bizneset shqiptare të përfitojnë sa më shumë nga tregu i Bashkimit Europian.

Duhet punë e madhe nga qeveria, duke votuar ligje, që na përafrojnë me BE-në. Ne na duhet që biznesi të jetë i lirë të veprojë, na duhet marrëdhënia e besimit me njëri-tjetrin. Ju duhet të operoni në një ambient ekonomik me rregulla të qarta. Numri i bizneseve është rritur në 10 vitet e fundit, edhe punësimi është rritur shumë, ka rënë papunësia dhe bizneset kanë fituar dyfish. Ambienti ekonomik është përmirësuar.

Ne do iu ofrojmë instrument bashkëpunimi, që do sjellë administratën tatimore më pranë biznesit. Të krijojmë kushte për konkurrencë të drejtë”, tha ministrja Brahimaj.

The post Rama takim me bizneset për paqen fiskale: Nisma rrit formalizimin dhe ul tatimin appeared first on Gazeta Si.

U përjashtua për 30 ditë nga Kuvendi, Noka: Dha urdhër Gysi, nuk e njohim vendimin

23 December 2025 at 11:20

Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti i PD, Flamur Noka, tha se deputetët e përjashtuar të opozitës nuk e njohin vendimin e marrë nga Sekretariati i Etikës për përjashtimin e tyre për një muaj nga punimet e Kuvendit.

“Gysi urdhëron. Dhe ne e dimë, flet me Kapon ai. Ndan edhe urdhrat se kush do të dënohet dhe sa do të dënohet. E patë si shkojnë në rresht tek ai dhe marrin urdhra. Për ne nuk ka shqetësim, por ne kemi për detyrë që t’u themi shqiptarëve si është”, tha Noka për mediat.

“Detyra jonë është t’u hapim shqiptarëve një qeveri teknike, me njerëz të ndershëm që punojnë për qytetarët dhe jo që i vjedhin ata. Ne zbatojmë ligjin dhe Kushtetutën, por masat dhe propozimet e Gysit ne nuk i njohim”.

Gjashtë deputetë të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, Albana Vokshi, Flamur Noka, Klevis Balliu, Elda Hoti dhe Fidel Kreka, janë përjashtuar për 30 ditë nga punimet e Kuvendit, pas skenave kaotike në seancën e fundit. PS kishte kërkuar përjashtimin e 29 deputetëve, por Komisioni i Etikës përfundimisht ka përjashtuar vetëm gjashtë, ndërsa për të tjerët është dhënë masa tërheqje vëmendje

The post U përjashtua për 30 ditë nga Kuvendi, Noka: Dha urdhër Gysi, nuk e njohim vendimin appeared first on Gazeta Si.

Zelensky: Presim sulme masive ruse këtë Krishtlindje

23 December 2025 at 10:36

Nga Gazeta ‘Si’– Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se Rusia mund të ndërmarrë sulme masive kundër Ukrainës gjatë periudhës së Krishtlindjeve.

Deklarata u bë gjatë një takimi me diplomatë, raportoi RBC Ukrainë.

Sipas Zelenskyt, sinjalet që vijnë nga Moska përbëjnë një përpjekje për frikësim, ndaj së cilës Ukraina do të përgjigjet duke rritur kapacitetet e saj të inteligjencës dhe duke forcuar mbrojtjen ajrore.

Presidenti Zelensky theksoi se autoritetet ukrainase po marrin masa për të mbrojtur popullsinë dhe infrastrukturën kritike, ndërsa u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë të vazhdojnë mbështetjen për sigurinë e vendit.

The post Zelensky: Presim sulme masive ruse këtë Krishtlindje appeared first on Gazeta Si.

Debate në mbledhjen e ‘Etikës’ ku shqyrtohet kërkesa e PS për përjashtimin e deputëteve të PD

23 December 2025 at 10:25

Nga Gazeta ‘Si’- Sekretariati i Etikës është mbledhur për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e 29 deputetëve të opozitës, pas incidenteve të rënda të ndodhura gjatë dhe në nisje të seancës plenare të 18 dhjetorit 2025.

Mbledhja ka nisur me tensione. Deputët e PD kërkojnë që mbledhja të jetë e hapur për mediat.

“Ta shohin të gjithë qytetarët për çfarë jemi mbledhur sot. Ku e keni transparencën?”, tha deputetja Albana Vokshi.

Ata janë shfaqur me disa pankarta në duar me foto të Ergys Agasit, kryeministrit Edi Rama në të cilat shkruhej: “ Kë të telefonojmë kur merr peng policia”, “Dorëheqje ose dorëzim” etj.

Ndërkohë që po tregohej videoja nga seanca kur u ndezën flakadanë, deputetja Albana Vokshi ka deklaruar se do të vijojë të bëjë një gjë të tillë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

“Unë e kam ndezur dhe e ndez 100 herë derisa të ikë Edi Rama. Po po unë jam aty. Sillni këtu Niko Peleshin të më tregojë pse kishte sjellë Gardën. Nuk jemi këtu si në gjyq në kohën e sigurimit të Shtetit. Kemi kërkuar mbledhje me praninë e mediave. Të erdhi mesazhi nga Rama Ulsi? Çfarë të tha të bësh?”, tha Vokshi drejtuar Ulsi Manjës.

Sipas kërkesës së PS, seanca plenare u shoqërua me akte dhune, përfshirë hedhjen e lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta në sallë, sulme ndaj Kryetarit të Kuvendit, anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe punonjësve të Gardës së Republikës, si dhe bllokimin e foltores dhe zhvillimit normal të punimeve parlamentare.

Grupi Parlamentar i PS thekson se, bazuar në pamjet filmike dhe provat e administruara, këto veprime përbëjnë shkelje të rënda të Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Sjelljes së Deputetit.

Kujtojmë se mbledhja e mëparshme u shty, pasi deputetët e opozitës kërkuan kohë për t’u njohur me provat e administruara ndaj tyre.

“Secili deputet që ka firmosur për pezullimin e mandatit për 60 ditë, 30 ditë apo 10 ditë duhet të tregohen të përgjegjshëm. Të tregohen të përgjegjshëm dhe të paraqesin fakte. Të mos vijnë këtu dhe të akuzojnë me terma të Sigurimit të Shtetit. Na quajnë grupazh, kur në fakt gjykata e ka treguar se grup i strukturuar kriminal është qeveria e Edi Ramës.

Këtu ju keni përfshirë deputetë që nuk kanë bërë asgjë në Kuvend, por keni dashur të fshini opozitën nga Kuvendi, sepse doni një Kuvend njëpartiak. Thojeni këtu: qëllim keni pasur pengesën tonë në Këshillin e Imuniteteve, prandaj edhe ua caktuat mbledhjen në orën 9”, tha Bardhi në mbledhje.

Deputetët për të cilët kërkohen masa disiplinore:

Përjashtim për 60 ditë nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare:

1-Belind Këlliçi

2-Fidel Kreka

3-Albana Vokshi

4-Ledina Alolli

5-Denisa Vata (për futje dhe përdorim të lëndëve piroteknike në sallën e Kuvendit)

6-Klevis Balliu

7-Flamur Noka (për moszbatim të masave disiplinore, dëmtim të pajisjeve të Kuvendit dhe veprime të dhunshme ndaj Gardës së Republikës)

Përjashtim për 30 ditë nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare:

1-Elda Hoti (për dëmtim të pajisjeve dhe mosrespektim të Kodit të Sjelljes)

2-Gazment Bardhi

3 Sali Berisha (për shkelje të përsëritura të rendit të seancës, përdorim të gjuhës joparlamentare dhe pengim të zhvillimit normal të punimeve parlamentare)

Përjashtim për 10 ditë nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare:

1-Besart Xhaferri

2-Xhelal Mziu

3-Bledjon Nallbati

4-Luçiano Boçi

5-Saimir Korreshi (për pengim të zhvillimit të seancës dhe akte dhune)

6-Edi Paloka

7-Ina Zhupa

8-Klodiana Çapja

9-Oerd Bylykbashi

10-Enno Bozdo

11-Tomorr Alizoti

12-Ivi Kaso

13-Gent Strazimiri

14-Luan Baçi

15-Bledi Himçi

16-Greta Bardeli

17-Manjola Luku

18-Flamur Hoxha

19-Kliti Hoti

The post Debate në mbledhjen e ‘Etikës’ ku shqyrtohet kërkesa e PS për përjashtimin e deputëteve të PD appeared first on Gazeta Si.

Before yesterdayMain stream

Foto lajm/ Protestuesi përfshihet nga flakët e molotovit

22 December 2025 at 20:39

Nga Gazeta ‘Si’- Një incident i frikshëm u shënua gjatë protestës së opozitës para Kryeministrisë, kur një protestues u përfshi nga flakët.

Gazetasi.al ka siguruar pamjet e momentit kur ai merr flakë. Ai shihet i mbuluar nga flakët për disa sekonda, por menjëherë reagoi duke u larguar me vrap.

Ai fillimisht u afrua për të lëvizur molotovin e hedhur para gardhit të krijuar nga policia, po lënda plasëse shpërtheu për pak sekonda.

Gjatë hedhjes së molotovit nga qytetarët, mesohet se edhe një polic është lënduar.

The post Foto lajm/ Protestuesi përfshihet nga flakët e molotovit appeared first on Gazeta Si.

Berisha nga selia pas protestës: Ramës do i shkojmë deri në Surrel!

22 December 2025 at 20:34

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur pas përfundimit të protestës së opozitës, duke paralajmëruar përshkallëzim të aksioneve dhe protesta të tjera të fuqishme në ditët në vijim.

Nga selia blu, Berisha tha se sipas tij kryeministria është sot ndërtesë krimi e shëmtuar.

Ashtu si gjatë fjalës në protestë, Berisha tha se opozita nuk do i ndahet Ramës e madje do i shkojë deri në Surrel.

I pyetur nëse është ngujimi në parlament një formë proteste, Berisha tha se kjo opozitë nuk do përmbahet më.

“Nuk ka formë proteste paqësore që nuk do aplikojë kjo opozitë”, tha ai.

Berisha u pyet gjithashtu lidhur me pjesëmarrjen e Ervin Salianjit në protestë. Ai tha se çdokush që i bashkohet protestës është i mirëpritur.

‘Çdo njeri që vjen në protestë është i mirëpritur, nuk është protesta e Sali Berishës por vullnet i qytetarëve që duan që të protestojnë kundër kësaj qeverie. Është rasti që të merrem me protestën. Do po flasim për protestë apo? Unë thirrjen time e bëra për çdo forcë për çdo qytetarë dhe intelektual të na bashkohet, por kjo do të jetë një betejë që s’do të ndalet pa realizimin e qëllimit të saj’, tha ai.

The post Berisha nga selia pas protestës: Ramës do i shkojmë deri në Surrel! appeared first on Gazeta Si.

Bardhi paralajmëron Ramën nga sheshi: Qytetarët do t’i kesh përballë!

22 December 2025 at 19:16

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi mbajti fjalën e tij në protestën e opozitës përpara kryeministrisë këtë të hënë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos heshtin dhe të mos tërhiqen, deri në rrëzimin e qeverisë nga pushteti.

“Në çdo takim, kam marrë vetëm një mesazh, ju nuk dorëzoheni dhe të gjithë bashkë nuk dorëzohemi. Kam mësuar se sakrifica dhe besimi janë dy vlerat që na kanë mbajtur gjithmonë në këmbë, për të larguar Edi Ramën, kryeministri më të korruptuar në Europë e në botë.”

Protestën e quajti një lëvizje për dinjitetin e përbashkët.

“Ne nuk jemi këtu se nuk rrimë dot ngrohtë në shtëpitë tona, por se korrupsioni po na merr frymën, kartelet e drogës bashkë me qeverinë po na vjedhin të ardhmen”, tha Bardhi.

“Qytetarët do t’i ketë përballë deri në largimin e tij”, përfundoi ai për kryeministrin Edi Rama.

Bardhi tha se me gjithë këtë korrupsion të dalë sheshit sipas tij nga dosjet e Ballukut dhe AKSHI-t, Rama dhe zv.kryeministrja si dhe bandat pas tyre duan që qytetarët të heshtin.

Më tej ai shtoi se qytetarët gjithë këtë kohë kanë rezistuar ndaj kësaj bande në pushtet dhe sot ata kanë fjalën e tyre për të sjellë ndryshimin dhe largimin e Edi Ramës nga pushteti.

“Ne jemi këtu sepse korrupsioni po na merr frymën! Sepse kartelet e drogës, bashkë me qeverinë e tyre, po na vjedhin tëardhmen! 

Edi Rama, Belinda Balluku bandat kriminale dhe kartelet e drogës që qendrojnë pas tyre duan që ne të kemi frikë. Duan që ne të heshtim. Edi Rama do që ne të ulim kokën. 

Duan që të mendojmë se jemi të pashpresë. 

Bashkë me çetën e tij të megahajkdutëve ai do që ne të bësojmëse në këtë vend të gjithë janë njësoj, se asgjë nuk ndryshon.  Por ne jemi këtu për t’u trguar se ata e kanë gabim dhe se e keqja nuk do të triumfojë. 

Ne jemi këtu për t’u thënë hajdutëve dhe kriminelëve të qeverisëse koha juaj ka mbaruar. Tani është koha e qytetarëve të ndershëm të Shqpërisë.

Sepse kur pushteti vjedh, nuk vjedh vetëm ca para!  Vjedh jetën tuaj”, tha Bardhi.

The post Bardhi paralajmëron Ramën nga sheshi: Qytetarët do t’i kesh përballë! appeared first on Gazeta Si.

‘Ali Baba me 40 hajdutë’- Pankartat pikante në protestën e PD (foto, video)

22 December 2025 at 19:06

PD dhe mbështetësit e saj kanë zbritur në Bulevardin qendror të kryeqytetit, në një protestë kombëtare kundër Qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Në protestë nuk kanë munguar edhe pankartat pikante nga mbështetësit e PD.

 “Ali Baba me 40 hajdutë”, shkruan një prej tyre.

 Gjithashtu në shesh janë parë edhe pankarta dhe foto të Ramës dhe Belinda Ballukut.

Lideri i PD ka bërë një deklaratë të fortë duke thënë se “po nuk u largua kryeministri Edi Rama, opozita rrezikon të shkrihet”.

The post ‘Ali Baba me 40 hajdutë’- Pankartat pikante në protestën e PD (foto, video) appeared first on Gazeta Si.

Salianji i bashkohet protestës: Nuk më përjashton dot asnjë njeri

22 December 2025 at 18:42

Nga Gazeta ‘Si’- Ervin Salianji dhe mbështetësit e tij i janë bashkuar sot protestës së organizuar nga opozita kundër ‘skandaleve të qeverisë së Edi Ramës’.

Salianji, për të cilin Berisha thotë se është vetëpërjashtuar nga PD-ja, shoqërohej nga ‘besnikët’ e tij, të cilët i quajti edhe ‘mbështetës të PD-së.”

“Nuk më përjashton dot asnjë njeri. Sot është rradha për të përjashtuar Edi Ramën. Unë jam në PD, do të jem në PD. Jam bashkëdrejtues I një lëvizje shumë të rëndësishme në PD” tha ai për mediat.

Sipas Salianjit, skandalet e fundit kanë ekspozuar ‘kthimin e institucioneve’ në parcela private të njerëzve të lidhur me qeverinë dhe krimin.

The post Salianji i bashkohet protestës: Nuk më përjashton dot asnjë njeri appeared first on Gazeta Si.

Protesta e PD, Ambasada e SHBA thirrje qytetarëve të saj: Shmangni zonën e bulevardit

22 December 2025 at 14:15

Nga Gazeta ‘Si’- Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë, në lidhje me protestën e paralajmëruar nga opozita për mbrëmjen e së hënës.

Ambasada u bën thirrje qytetarëve amerikanë të shmangin zonën ku do zhvillohet protesta, të ndjekin mediat lokale dhe të zbatojnë udhëzimet e forcave të rendit për informacionet më të fundit.

Në njoftim theksohet se, edhe pse protestat shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt.

“Sipas njoftimit zyrtar, protesta pritet të nisë në orën 18:00 dhe do të zhvillohet përgjatë Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombi’, në segmentin midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza, pranë godinës së Kryeministrisë. Protestuesit pritet të mblidhen në këtë zonë, ndërsa autoritetet parashikojnë prani të shtuar policore, bllokime rrugësh dhe ndërprerje të qarkullimit.

Policia e Shtetit ka paralajmëruar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzime edhe në zona të tjera të Tiranës, duke shkaktuar vonesa dhe vështirësi në lëvizje”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.

The post Protesta e PD, Ambasada e SHBA thirrje qytetarëve të saj: Shmangni zonën e bulevardit appeared first on Gazeta Si.

❌
❌