Normal view

Takimi me rabinin izraelit/ A i mbylli Rama negociatat për Sazanin?

By: user 4
7 January 2025 at 22:02

Edi Rama la Tiranën të hënën pasdite dhe udhëtoi drejt Vlorës, ku priti një rabin izraelit, të quajtur Yosiyahu Yosef Pinto, drejtues i lëvizjes “Shuva Israel” (Kthehu në Izrael) me shtrirje në Izrael, SHBA, France, Argjentinë etj.

Në një filmim që postoi në platformën X, Rama dukej më mikpritës se kurrë ndaj hebrenjve në vendin tonë. Ai duket në filmime se si e përcjell rabinin me dorën hedhur mbi sup duke i shpjeguar personalisht historinë në Shtëpinë e Pavarësisë në Vlorë.

Filmimi ka në sfond koret e djemve hebrenj dhe kur muzika ulet, Rama flet për zgjerimin e komunitetit hebre në vendin tonë, se si ai do të bëjë çfarë është e mundur që ky projekt të realizohet dhe që hebrenjtë që vizitojnë vendin tonë, të ndjehen sa më mirë si për ushqimin, ashtu edhe për historinë që lidh dy vendet.

Mesazhi në anglisht i Ramës shoqërohet me titra poshtë, për t’u siguruar se dikush tjetër, nëse nuk i dëgjon dot, ta ketë më të lehtë ta kuptojë.

So honored and humbled to have the privilege of hosting Rabbi Yosiyahu Yosef Pinto in Albania for the second time — a role model country of religious fraternity, where Jews were protected like nowhere else during wwII. It was a privilege to visit Vlora with him, the city where… pic.twitter.com/yMAw9QB9Rw

— Edi Rama (@ediramaal) January 6, 2025

Vizita e rabinit Yosiyahu Yosef Pinto nuk ka lidhje me fenë apo misionin e tij si klerik. Nga lidhjet që rabini ka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga marrëdhënia speciale që ai gëzon me disa prej njerëzve më të fuqishëm në New York, përfshirë edhe familjen Kushner, duket se vizita kishte si synim, mbylljen e marrëveshjes për Sazanin.

Lidhjet rabinit Pinto me familjen Kushner

Screenshot

Yosiyahu Yosef Pinto është rabini i fundit i disa brezave rabinësh që u kthyen nga Maroku për në Izrael. Në dejet e tij rrjedh gjaku i disa udhëheqësve shpirtërorë, të cilëve hebrenjtë u njohin disa mrekulli, si pjesë e një besimi mistik, ku drejtuesi shpirtëror ruan lidhje ekskluzive me zotin.

Yosiyahu Yosef Pinto bashkë me gjyshin e tij, David Hanania Pinto kanë krijuar një kompleks shkollash dhe sinagogash në Izrael, New York, Francë, Argjentinë etj me shtrirje në të gjithë botën dhe me ndikim të fortë në komunitetin amerikano-hebre në Shtetet e Bashkuara.

Mbështetës të tyre janë dy fondacione të veçanta të familjes Kushner, në bordet e të cilave shërben Jared Kushner, që kanë dhënë disa qindra mijëra dollarë grante për qendrën e studimit të Torahut, Pintos në New York City.

Dhendri i Donald Trump, Jared Kushner
Dhendri i Donald Trump, Jared Kushner

Mediat kanë raportuar prej vitesh se dhendri i Donald Trump, Jared Kushner është ndjekës i riteve të linjës së besimit ultra-ortodoks modern, që ka të bëjë me rabinët Pinto. Në të njëjtën linjë besimi është konvertuar edhe Ivanka Trump.

Por roli i udhëheqësit shpirtëror tek besimtarët hebrenj ultra-ortodoksë nuk kufizohet vetëm tek marrëdhëniet me zotin. Rabini Yosiyahu Yosef Pinto ka fituar edhe besimin e disa prej ndjekësve të tij të pasur edhe në çështje të biznesit.

Në rrethin e disa prej njerëzve më të pasur të New York, rabini konsiderohet edhe një këshillues në biznes, po aq edhe në çështjet shpirtërore, duke i kërkuar të bekojë marrëveshjet, të japë këshilla madje edhe të mallkojë konkurentët në biznes.

“Ata rrinë në radhë dhe presin t’i puthin dorën, madje luten të jenë në rrethin e tij të ngushtë për dëgjesa private” shkruan New York Post, në një artikull të posaçëm për rabinin.

Një studim i Aomar Boum, profesor i studimeve sefardike në Departamentin e Antropologjisë, Historisë dhe të Gjuhëve në Universitetin e Kalifornisë, Los Angeles ka hedhur më shumë dritë mbi profilin e këtij njeriu ndikimi i të cilit shkon deri tek vendimet e Trump gjatë fushatës zgjedhore.

Rabini Pinto pasi u lirua nga burgu ku u dënua për korrupsion në Izrael
Rabini Pinto pasi u lirua nga burgu

Lapsi.al ka përkthyer një pjesë të shkurtër nga eseja që titullohet “Një kabalist maroken në Shtëpinë e Bardhë: Si ta kuptojmë marrëdhënien mes Jared Kushner dhe mistikut të tij marokeno-hebre”

Sipas esesë, rabini Yosiyahu Yosef Pinto njihet për ndikimin që ka në vendimet e biznesit që merr familja Kushner.

“Pasi u transferua në Nju Jork, Pinto zgjeroi “Ashdod yeshiva” e tij në një rrjet më të madh institucional të quajtur “Shuva Israel”, (Kthehu në Izrael) i cili përfshin një rrjet institucionesh hebraike, yeshivas, sinagoga dhe institucione të komunitetit. Në Manhatan, Pinto fitoi ndjekës të shumtë në mesin e anëtarëve të komunitetit të biznesit, të cilët e panë atë si një “udhërrëfyes shpirtëror që bën gjykime të mençura për biznesin dhe botën moderne, … i këshillon ata, i pajis me “energji” dhe shërben si ‘figura e babait’, së bashku me fuqizimin e veprimeve të tyre. Në fillimet e mbërritjes së tij në New York, Pinot zgjidhi një mosmarrëveshje ku ishin në mes shumë miliona dollarë mes Charles Kushner, babai i Jaredit dhe vëllait të tij Murray Kushner.

Pinto dihej gjithashtu se u kishte ofruar shërbime shumë ndjekësve në fushën e biznesit, politikës dhe sportit, duke përfshirë basketbollistin profesionist amerikan Lebron James”, ish-kongresmeni republikan Michael Grimm, manjati izraelit i biznesit Yitzhak Tshuva, sipërmarrësi amerikan Jay Schottenstein. Biznesmeni izraelit Nochi Dankner dhe ish-ministrja e jashtme izraelite Tzipi Livni”.

Mjaftojnë këta paragrafë për të kuptuar se rabini para të cilit përulej Rama në Vlorë erdhi për biznes në Vlorë. Dhe biznesi i Kushner në Shqipëri nuk është sekret. Dhëndri i Trump ka në plan investimin e 2 miliard dollarëve për komplekset turistike në Sazan dhe në Zvërnec dhe me gjasë takimi me klerikun hebre lidhet pikërisht me këtë projekt.

Jo më kot, kushdo që i rikthehet edhe një herë video-mesazhit të Ramës me Pinton, kryeministri i Shqipërisë nuk flet asnjë fjalë për muzeun për hebrenjtë, por ai flet për një projekt për të cilin do të bëjë ç’është e mundur që të realizohet dhe që kur hebrenjtë të vijnë në Shqipëri, ata të ndjehen mirë dhe të gjejnë ushqimet që preferojnë. A nuk është i tillë investimi i Kushner për Sazanin?

Dorian Kodra, ©Lapsi.al 

The post Takimi me rabinin izraelit/ A i mbylli Rama negociatat për Sazanin? appeared first on Lapsi.al.

Pse u shmang çifti i Sazanit, Ivanka-Kushner nga fushata e Trump

By: user 2
30 October 2024 at 13:59

Ivaanka Trump, vajza më e madhe e Donald Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner, që shërbeu si këshilltar në Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës së vjehërrit, aktualisht janë të padukshëm në fushatën elektorale të ish-presidentit të SHBA. Sipas një raporti të New York Times, çifti që pretendon të investojë në ishullin e Sazanit, por sidomos Ivaanka që kishte një rol aktiv në fushatat e mëparshme të babait të saj në 2016 dhe 2020, duke u përqëndruar kryesisht në tërheqjen e votuesve femra, nuk po e luajnë më këtë rrol.

“New York Times”: Pakënaqësi për projektet e familjes Trump në Shqipëri

Gjatë dy viteve të fundit, ajo dhe burri i saj, Jared Kushner, kanë vendosur të përqendrohen në jetën e tyre familjare dhe kanë shpallur se politika vjen e dyta në rrethin e tyre të interesave.

Sipas NYT, Ivaanka tani është një “vëzhguese e heshtur” e fushatës së fundit të babait të saj dhe nuk ka shfaqur dëshirë për të bërë komente publike në ditët e fundit përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit. Largësia e saj nga Donald Trump lidhet edhe me katër akuzat penale që i janë ngritur ish-presidentit. Në një nga rastet që kishte të bënte me mashtrimin financiar, Ivaanka u distancua nga i ati duke deklaruar se nuk kishte njohuri për me financat e tij.

Ajo ka refuzuar të japë intervista politike dhe ka shprehur se mundësitë për t’u rikthyer në fushatën e Donald Trump janë “praktikisht zero”. Burri i saj ka sugjeruar se ky cikël për Ivaankan ka përfunduar dhe se ata janë të përkushtuar ndaj vendimeve të tyre.

Disa kritikë sugjerojnë se, nëse Donald Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, Ivaanka dhe Jared do të përfitojnë financiarisht nga aktivitetet e tyre biznesore, të cilat ndikohen nga politikat e qeverisë amerikane.

Washington Post: Pse i intereson Ramës investimi i dhëndrit të Trump!

Pavarësisht distancës së saj nga politika, Donald Trump shpesh përmend Ivaankan me fjalë pozitive. Pas transferimit të saj në Miami në vitin 2021, ajo dhe Kushner u bënë edhe më të pasur, ndonëse disa nga aktivitetet e biznesit të Kushner janë nën mbikqyrje të rreptë nga insitucionet amerikane shkruajti së fundi New York Times.

Në shtator, kryetari i Komitetit të Financave të Senatit, Ron ëyden publikoi një letër ku pretendonte të zbulonte detaje në lidhje me projektet e familjes Trump, duke përfshirë faktin se kompania e Jared Kushner, Affinity ka mbledhur deri në 157 milion dollarë nga klientët e huaj – nga të cilat 87 milion dollarë me prejardhje nga qeveria saudite. 

Për më tepër, ëyden ka pohuar se zyrtarë të qeverisë shqiptare dhe serbe iu afruan në mënyrë proaktive kompanisë Affinity Partners me propozime për projekte të pasurive të paluajtshme në vendet e tyre për të investuar në Sazan dhe Zvërnec, si edhe për të ndërtuar në qendër të Beogradit. Ky lajm ngriti dyshime se investimet e fondit të pasurisë sovrane do t’u japin qeverive të huaja ndikim mbi familjen Trump.

Planet për mega-resortet e reja turistike në Shqipëri u njoftuan për herë të parë në mars, pak pasi parlamenti ndryshoi një ligj duke lejuar qeverinë të japë leje ndërtimi në zonat e mbrojtura për resortet me pesë yje.

Rreziku/ Si po planifikon dyshja Rama Vuçiç afrimin me Trump

Rekordi i parë i vizitës së Kushnerit në Shqipëri ishte me Ivanka Trump në verën e vitit 2021. Ai gjithashtu vizitoi vendin në vitin 2023, i shoqëruar jo vetëm nga gruaja e tij, por nga Richard Grenell , ish-zyrtar i administratës Trump, i cili në disa raste shërbeu si ambasador i SHBA-së në Gjermani, ushtruesi i detyrës së drejtorit të inteligjencës kombëtare dhe i dërguari presidencial i administratës Trump për Ballkanin Perëndimor.

Andi Bushati: Blerja e pushtetit me llokma Shqipërie

Sido që të jetë rrrezultati i zgjedhjeve të 5 nëntorit në SHBA, një gjë është e sigurtë. Çifti Jared Kushner- Ivanka do të mbeten të fokusuar tek bisnesi. Nuk dihet nëse ata do të vijojnë me investimet në Shqipëri, apsi nëse kandidati republikan rezulton humbës me shumë gjasë favoret që iu ofruan familjarëve të tij si formë lobimi, do të shuhen sa hap e mbyll sytë. Tani për tani dihet vetëm ajo që shkruan New York Times se vajza e preferuar,   Ivaanka po ërqendrohet në aktivitetet e saj biznesore dhe filantropike, duke u distancuar nga politika, të cilën ajo e përshkruan si një “botë të egër”. Ajo ka theksuar se beson se duhet të jetë ose plotësisht e angazhuar ose krejtësisht jashtë politikës. Ashtu si Melania, ajo nuk ka luajtur një rol aktiv në tërheqjen e votuesve femra, në një fushatë ku çështjet gjinore janë në qendër të vëmendjes. Ndërkohë, në këtë periudhë fushate, një tjetër anëtare e familjes, nusja e djalit të Donald Trump, Lara, ka marrë një rol gjithnjë e më të dukshëm.

©Lapsi.al/ Burimi New York Times

The post Pse u shmang çifti i Sazanit, Ivanka-Kushner nga fushata e Trump appeared first on Lapsi.al.

Le Nouvel Obs: Një portret i mafiokracisë shqiptare

By: user 2
23 October 2024 at 23:35

E përjavshmja më e madhe franceze me prirje të qendrës së majtë, Le Nouvel Obs ka publikuar një artikull shumë të gjatë për atë që e quan si mafiokracia shqiptare. Në shkrimin analizë të numrit që del në treg të enten, që Lapsi.al ka mundur ta sigurojë që më parë, e dërguara speciale Marie Vaton ka pasur si synim të përshkruajë krijimin e një kampi të ri për mbajtjen e emigrantëve në Shqipëri, si pjesë e një marrëveshjeje midis Italisë dhe Shqipërisë. Artikulli thekson se ky projekt ka ngjallur shqetësime ndërkombëtare, sidomos nga Këshilli i Evropës dhe Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët. Megjithatë, Meloni mbron planin e saj si një qasje e guximshme dhe e re për menaxhimin e migracionit, duke tërhequr vëmendjen e disa vendeve të tjera evropiane. Në shkrim përshkruhen edhe ata zyrtarë shqiptarë që janë pro projektit Rama Meloni si dhe bëhet një historik i kësaj  ideje të finalizuar në nëntor 2023. Por redaksia e Lapsi.al ka përzgjedhur të përkthejë atë pjesë ku flitet për jendjen e demokracisë në Sqipëri de për mënyrën si kryeministri ynë jos ndërkombëtarët për të fituar lejitimitet për pustetin e tij.

 

Nga Marie Vaton “Le nouvel Obs” pershtati: T Çela, Lapsi.al

Besmira Lekaj nuk është raciste. Megjithatë, në Lezhë, kjo aktiviste 39-vjeçare është përpjekur të bashkojë njerëzit kundër “këtyre burgjeve për emigrantët të negociuara në fshehtësi”. Por, përveç një proteste të shkurtër prej disa orësh, e cila u ndalua menjëherë nga bashkia, lëvizja e rezistencës nuk pati sukses. “Në dhjetë vite, pushteti ka shuar opozitën, ka mbytur shoqërinë civile. Nepotizmi po gërryen të gjitha partitë. E djathta, e majta, asgjë nuk ka më kuptim”, ankohet ajo në selinë e organizatës së saj, “Dorë më dorë kundër apatisë kombëtare”.

Media franceze: Si u bë autokrati Rama aleati më i mirë i Perëndimit

Pas më shumë se dyzet vitesh totalitarizëm, Shqipëria duket se ka rrëshqitur në një diktaturë tjetër: një “mafiokraci”, e gërryer nga oligarkët, krimi i organizuar dhe mediat që janë në shërbim të tyre. Formula është e shkrimtarit Fatos Lubonja, sipas të cilit ky marrëveshje është një pjesë tjetër e “platformës gjigante të mbeturinave” që është bërë vendi i tij, i “shitur për interesat e Shteteve të Bashkuara dhe Italisë”. Dissidenti politik, i burgosur për afro njëzet vite në burgjet e regjimit të Enver Hoxhës, e njeh shumë mirë kryeministrin Edi Rama, i cili ishte një nga redaktorët e revistës së tij “Përpjekja” në vitet 1990: “E kam parë të ndryshojë dhe të krijojë një personazh për të kënaqur Perëndimorët.”

Andi Bushati: Blerja e pushtetit me llokma Shqipërie

Nga njëra anë, ai është një ikonoklast i gjithanshëm, njëkohësisht artist – ka studiuar në Beaux-Arts në Paris – intelektual, basketbollist profesionist, fytyra kozmopolite 2.0 e Shqipërisë, rinovuesi dhe stabilizuesi i Ballkanit, ai që i premton Antony Blinken-it, sekretarit të Shtetit Amerikan, një vend të pastër, të liruar nga krimi dhe paraja e pistë. Nga ana tjetër, ai është klientelist, mik i Melonit, Trumpit dhe Erdoganit, që di të bëjë të harrohen lidhjet e tij me Camorrën italiane. Kur i kujtohet lista e të afërmve të tij të akuzuar për korrupsion ose trafik droge, duke filluar me ish-ministrin e tij të Brendshëm të dënuar në 2022, Edi Rama përgjigjet se « ka derra në çdo pyll ».

Analiza e Der Spiegel: Pse Bashkimi Europian ka mbyllur një sy për Edi Ramën!

Megjithatë, derrat trajtohen mirë: ata banojnë në burgje VIP, me kuzhinë personale dhe palestër. Njëmbëdhjetë vjet pas ardhjes së Edi Ramës në pushtet, Shqipëria është ende një nga vendet më të korruptuara në Evropë, sipas OJQ-së Transparency International. Një narco-shtet që po zbrazet nga popullsia e tij: që nga rënia e regjimit totalitar në 1991, afërsisht një milion shqiptarë, ose një e treta e popullsisë, kanë ikur nga papunësia dhe paga mesatare prej 750 eurosh. Ata që mbeten, shohin vendin e tyre duke u shitur për ofertat më të larta: Edi Rama sapo i ka dhënë Jared Kushner-it, dhëndrit të Donald Trump-it, një koncesion mbi ishullin e Sazanit, të njohur gjithashtu si « Maldivet e Evropës », për ta shndërruar atë në një kompleks për milionerët, me vila luksoze dhe pishina. Dhe kjo nuk është e gjitha: në 2020, ai gjithashtu dha koncesionin e portit të Durrësit grupit Emaar, me qendër në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të ndërtuar aty një marinë prej 2 miliardë eurosh.

Fox News: Pse po arrestohen krerët e opozitës në Shqipëri

« Kështu është me Ramën: ai vepron dhe mendon si një pronar me Shqipërinë », thotë me trishtim Migen Qirashi, një aktivist i grupit të opozitës qytetare Civic Resistance në Tiranë. Në kryeqytet, kullat nuk ndalen së ndërtuari dhe çmimet e pasurive të paluajtshme po rriten: « Sot, një apartament në Tiranë kushton më shumë se në Mynih, Romë ose Londër », konstaton arkitekti 37-vjeçar. Kulla kryesisht të pabanuara, të përdorura kryesisht për pastrim parash nga krimi dhe korrupsioni, sipas disa mediave investigative… Kjo duket se nuk shqetëson Edi Ramën. Për të kënaqur Giorgia Melonin, kryeministri shqiptar shumon përkuljet dhe gjestet qesharake. Kështu, pranë portit të Shëngjinit – dhe burgut të tij për emigrantët – ai përurroi në gusht Tratoria Meloni, një restorant me prodhime deti paksa të veçantë, pasi është i mbuluar tërësisht me portrete të lideres italiane. Nëpër mure, ajo shfaqet në të gjitha moshat dhe në të gjitha pozicionet e jetës së saj, në një homazh Warholian shumë kitsch.

“Le nouvel Obs” /Përshtati: T Çela, Lapsi.al

The post Le Nouvel Obs: Një portret i mafiokracisë shqiptare appeared first on Lapsi.al.

Analiza në DW/ A mund të ndikojë në Ballkan rezultati i zgjedhjeve në SHBA

By: user 6
22 October 2024 at 22:13

Djali i Donlad Trump shkon në Beograd, dhëndri i tij bën biznese në Serbi dhe Shqipëri – ndërsa në Kosovë zgjedhjet presidenciale në SHBA shihen me shqetësim. Çfarë pasojash do të ketë rezultati i tyre ndaj Ballkanit?

Nga Alexander Rhotert, DW

Vendet e Ballkanit Perëndimor – veçanërisht Serbia dhe Kosova – po i shikojnë me vëmendje zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA. Çfarë ndikimi do të ketë rezultati i zgjedhjeve në këtë cep të Europës Juglindore? Më 23 shtator, djali i Donald Trump, Donald Jr., u shoqërua nga biznesmenë serbë në Beograd për të diskutuar mundësitë e investimeve. Kjo nuk ishte hera e parë për familjen Trump: kontaktet e ish-presidentit me sipërmarrës dhe përfaqësues të qeverisë filluan që në vitin 2013. Në atë kohë, Ivica Daçiq, atëherë kryeministër i Serbisë, foli publikisht për interesimin e Trump në një projekt për patundshmëri. Objekti në fjalë ishte ish selia e Ushtrisë Popullore Jugosllave, e cila u dëmtua rëndë gjatë bombardimet e NATO-s të vitit 1999. Por negociatat dështuan.

Por, në maj të këtij viti, dhëndri i Trump, Jared Kushner, i udhëhequr nga ish-ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, vulosi marrëveshjen. Kontrata në vlerë prej një miliard dollarësh përfshin një qira 99-vjeçare të kompleksit. Grenell shihet si një kandidat i mundshëm për postin e Sekretarit të Shtetit nëse Trump fiton zgjedhjet presidenciale në nëntor. Ai është konsideruar si ambasadori më i papëlqyer i SHBA-së në Gjermaninë e pas-luftës. Gazeta e përditshme zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) shkoi aq larg sa e quajti atë “jodiplomatik” për shkak të “sjelljes së tij të neveritshme”. Donald Trump Jr së fundmi e vlerësoi Grenell si “kandidatin kryesor për postin e sekretarit të shtetit”.

Kursi i dështuar ballkanik i Trump 2020

Grenelli, si i dërguar i posaçëm i Trump për Ballkanin, “tërhiqte fijet e marionetave” në vitin 2020 kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti u rrëzua për shkak se ai qëndroi në rrugën e një marrëveshjeje tjetër. Marrëveshja në fjalë dyshohet se kishte të bënte me një shkëmbim territorial përgjatë vijave etnike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Në qershor 2020, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, donin të takoheshin me Trump në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar marrëveshjen.

Richard Grenell duke pranuar Urdhërin e Flamurit Serb në 2023 nga Aleksander Vucic
Richard Grenell duke pranuar Urdhërin e Flamurit Serb në 2023 nga Aleksander Vucic

Sipas raporteve, marrëveshja do të kishte lejuar që katër komunitetet me shumicë etnike serbe në veri të Kosovës të bëhen pjesë e Serbisë. Në këmbim, Lugina e Preshevës me shumicë shqiptare etnike në Serbinë jugore do të ishte bërë pjesë e Kosovës. Një shkëmbim territorial si ky mund të kishte një efekt domino në rajon, sepse shtetet e Ballkanit Perëndimorjanë të gjitha ende kryesisht multietnike.

Lidhje të ngushta Trump-Serbi

Udhëheqësi i Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik kishte kërcënuar se nëse do të bëhej një shkëmbin territorial, Republika Srpska do t’i bashkohej Serbisë. Ky shkëmbin do të mund të sillte një “luftë të re ballkanike”. Rishikimi etnik i kufijve ka potencial të madh për konflikt. Por planet e Trumpit u prishën nga një aktakuzë kundër Presidentit Presidentit Thaçi nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë. Thaçi u vetë-dorëzua në gjykatë.

Ndërkohë, popullariteti i qëndrueshëm i Grenellit në Serbi ilustrohet nga fakti se Marko Gjuriq, ish-ambasadori i Serbisë në SHBA, dhe tashmë ministëri i punëve të jashtme të Serbisë, kohët e fundit tha se Grenell ishte “pa dyshim miku i Serbisë”.

Në vitin 2023, presidenti Vuçiç i dorëzoi Grenellit urdhrin më të lartë të vendit si njohje e avokimit të tij për Serbinë, duke e arsyetuar vendimin e tij duke thënë se: “Unë mendoj se ai është një nga njerëzit e paktë nga SHBA që ka një qasje të ekuilibruar ndaj Kosovës”.

Kamala Harris duke mbajtur fjalim në Chicago
Kamala Harris duke mbajtur fjalim në Chicago

Çfarë do të thotë një fitore e Harris për rajonin?

Qëndrimi pro-serb i Trump lë të kuptohet se çfarë mund të presë Ballkani Perëndimor nëse republikani do të kthehej në Zyrën Ovale në nëntor. Linja e ndjekur nga kandidatja e Partisë Demokratike Kamala Harris, nga ana tjetër, nuk ka qenë deri më tani aq e qartë. Megjithatë, disa përfundime mund të nxirren në bazë të të kaluarës së saj personale dhe pikëpamjeve të politikës së jashtme.

Është e pagjasshme që Harris të favorizojë nacionalistët serbë apo ndojnë grup etnonacionalist tjetër. Përveç kësaj, qëndrimi pro-ukrainas i Harris është i dokumentuar. Është e mundur që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka paralajmëruar atë për planet e supozuara të Moskës për të destabilizuar Ballkanin ose për të hapur fronte të reja atje me ndihmën e nacionalistëve irredentistë serbë pro-Moskë. Lidhjet e ngushta midis Beogradit dhe Moskës mund ta shtyjnë Harrisin të ndryshojë kursin e Amerikës.

Edward Joseph, një studiues i konflikteve në Universitetin e njohur Johns Hopkins, kritikoi kohët e fundit se administrata e Biden-it po bëhej me Serbinë. Ai tha gjithashtu se Vuçiq e ka zhvendosur orientimin e Beogradit si kurrë më parë kah lindja dhe se nuk ka asnjë arsye pse Harris, nëse zgjidhet, të vazhdojë politikën e pasuksesshme të Bidenit. Ish-diplomati amerikan Shaun Byrnes mbajti të njëjtën linjë, duke rekomanduar se SHBA duhet të jetë “më e ashpër me Serbinë, sepse ajo vazhdon të ketë një qasje armiqësore ndaj Kosovës”.

‘Fantazia diplomatike’ e Bidenit në Ballkan

Daniel Serwer, një diplomat i vjetër që ka punuar me Richard Holbrooke, arkitektin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, e ka përshkruar politikën e Bidenit për Ballkanin si “fantazi diplomatike”. Në sytë e Serwer, për të ndërtuar Vuçiqin, që kishte qenë ministër propagande në kohën e Slobodan Millosheviçit në vitet 1990, si një spirancë stabiliteti ishte shumë larg realitetit.

Vizitat e shpeshta në Moskë nga aleati i Vuçiqit dhe zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin, i cili së fundmi siguroi personalisht presidentin rus Vladimir Putin se Serbia është “partneri dhe aleati strategjik i Rusisë”, vë në dyshim politikën e SHBA-së për Ballkanin. Aktivitetet e anëtarëve të rrethit të Trump në Beograd kanë treguar se nëse ish-presidenti rizgjedh në nëntor, objektivat ekonomike do të jenë në ballë të politikës së Amerikës për Ballkanin Perëndimor në të ardhmen. Fakti që presidenti i Serbisë Vuçiq ka marrëdhënie të shkëlqyera me Putinin, i shkon për shtat Trumpit deri në fund.

Shqetësimet për një administratë të dytë të mundshme të Trump

Megjithatë, për Ukrainën, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën dhe Malin e Zi, e gjithë kjo është alarmante. Sepse, megjithëse Bosnja dhe Kosova janë dy shtete qartësisht pro-amerikane, pro-perëndimore me popullsi shumicë myslimane, ato nuk mund të mbështeten automatikisht në mbrojtjen e SHBA-së kundër dëshirave ekspansioniste të Serbisë nëse Trump rizgjedhët si president.

Vladimir Putin dhe Aleksander Vucic ne nje takim te perbashket
Vladimir Putin dhe Aleksander Vucic ne nje takim te perbashket

Trump ka treguar në të kaluarën se nuk ka asnjë problem t’i lërë aleatët, nëse kjo i përshtatet agjendës së tij. Për shembull, Në dhjetor 2018, ai njoftoi se do të tërhiqte shumicën e trupave amerikane nga Siria. Duke vepruar kështu, ai tradhtoi kurdët, të cilët kishin bërë shumicën e luftimeve në terren në betejën kundër Shtetit Islamik (IS). Kjo tradhti e aleatëve bëri që Sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes i SHBA-së, James Mattis, të jepte dorëheqje.

Para se të dështonte marrëveshja e shkëmbimit territorial, Serbi-Kosovë, Trump e kishte kërcënuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në disa raste se do të tërhiqte trupat amerikane nga Kosova. Prania e këtyre trupave shihet si një politikë jetësore për sigurinë Kosovën, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh. Është e diskutueshme nëse trupat e KFOR-it të NATO-s mund të garantojnë sigurinë e Kosovës pa amerikanët. Por, administrata Biden duket se ka marrë të paktën një masë paraprake në këtë drejtim: SHBA-ja e ka furnizuar Kosovën me 250 raketa antitank Javelin, nga ato që ka dërguar edhe në Ukrainë. Edhe Turqia e ka furnizuar Kosovën me dronët e saj Bayraktar. Pa këto dy sisteme armësh, Ukraina nuk do të ekzistonte më si shtet i pavarur. Por ndryshe nga Serbia, që karreth 250 tanke lufte, Kosova nuk ka asnjë. Pra, numri i raketave antitank të furnizuara nga SHBA-ja sigurisht nuk ishte rastësi.

© Marrë nga DW, Alexander Rhotert është politolog dhe autor. Studiues i ish-Jugosllavisë që nga viti 1991, ai ka punuar për OKB-në, NATO-n, OSBE-në dhe Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në Bosnje dhe Hercegovinë, ndër organizata të tjera. Ky artikull u botua në gjermanisht.  

The post Analiza në DW/ A mund të ndikojë në Ballkan rezultati i zgjedhjeve në SHBA appeared first on Lapsi.al.

WSJ: Kushner ia kërkoi Sazanin, Ramës duke pire kafe në Davos

By: user 6
6 October 2024 at 18:37

Gazeta e njohur amerikane Wall Street Journal i ka kushtuar një artikull të gjatë projekteve të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Shqipëri, ku ata planifikojnë të zhvillojnë një kompleks turistik luksoz në ishullin e Sazanit. 

Në artikull theksohet se ideja për këtë projekt i lindi dhëndrit të Donald Trump pasi kaloi një javë duke shijuar plazhet e bukura të Shqipërisë. WSJ shkruan se Kushner i paraqiti propozimin kryeministrit shqiptar, Edi Rama, gjatë një takimi në Davos.

Sipas medias amerikane kryeministri Rama është optimist për këtë projekt, duke nënvizuar potencialin e Shqipërisë për të rritur turizmin dhe për të tërhequr investime të huaja. Nuk lihen pa përmendur megjithatë edhe lehtësirat që qeveritë në Tiranë dhe Beograd i kanë bërë familjes, Trump me këto projekte. Më poshtë vjen shkrimi i plotë…

Aventura e shkëlqyer e Jared dhe Ivanka

Muaj pasi u larguan nga Shtëpia e Bardhë në 2021, Jared Kushner dhe Ivanka Trump kaluan një javë duke shijuar plazhet e Shqipërisë. Ata u ngjitën në shkallët e gurta të një teatri 2200-vjeçar të Butrintit, darkuan në një jaht me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe u “fiksuan” nga vizita në ishullin e vetëm të Shqipërisë. Aq shumë e deshën, sa menduan se do të ishte destinacioni i përsosur për të ndërtuar një hotel luksoz.

Udhëtimi në Shqipëri, u la aq shumë përshtypje, saqë kur Kushner u takua me Ramën disa muaj më vonë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, i bëri një propozim. Gjatë një kafeje, Kushner tha se ishte “shumë, shumë i hipnotizuar nga bukuritë e Shqipërisë”. Këto detaje i ndau kryeministri Edi Rama, i cili shtoi: “Kushner më pyeti nëse do të kishte mundësi që të investonte në Shqipëri”.

Rama dha bekimin e tij—dhe më shumë.

Kushner, 43 vjeç, tani po punon për një projekt që do të kushtojë 1 miliard dollarë. Ai po negocion detaje me qeverinë e Ramës për të ndërtuar vila ekskluzive në Sazan, ishullin ushtarak që ai vizitoi, e cila më parë shërbente si një bazë për nëndetëset sovjetike. Ishulli është i mbrojtur ekologjikisht. Por një ligj i ri shqiptar lejon ndërtimin e hoteleve, për sa kohë që ato janë të paktën pesë yje.

Jared and Ivanka's Excellent Adventure - WSJ

Që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë, ku shërbeu si këshilltar i lartë i vjehrrit të tij, presidentit të atëhershëm Donald Trump, Kushner ka ndërtuar një perandori të re biznesi duke u anuar në lidhjet gjeopolitike. Kushner u mbështet në lidhjet me monarkët arabë për të mbledhur pjesën më të madhe të parave në fondin e tij privat prej 3.1 miliardë dollarësh. Kjo lëvizje ka ngjallur kritika nga republikanët dhe demokratët në Kongres.

LEXO EDHE: A gënjeu Rama për investimin e dhëndrit të Trump?

Kompania e tij e re, Affinity Partners, është e mbushur me ish-zyrtarë të administratës Trump. Disa janë pretendentë për poste të larta qeveritare nëse Trump fiton këtë nëntor.

Në Ballkan, Kushner iu drejtua liderëve të Shqipërisë dhe Serbisë për të zhvilluar biznesin e tij me prona të paluajtshme në toka publike pa pasur nevojë të kalonte nëpër ankande. Në Serbi, ai po ndërton mbi një memorial që qeveria thotë se do t’u kushtohej të gjitha viktimave të agresionit të NATO-s. Mbledhja e fondeve të Kushnerit dhe marrëveshjet e pronave me vendet e tjera, po nxisin frikën se ai dhe anëtarët e tjerë të familjes Trump mund të përfitojnë duke kultivuar marrëdhënie me liderët botërorë.

Por për Kushner nuk është kështu.

“Unë nuk mendoj se dikush ka thënë ndonjëherë se kam thyer ndonjë rregull ose nuk kam ndjekur ligjet e vendeve se ku dua të investoj, apo se kam qenë shumë skrupuloz duke e bërë plane. Kam mësuar gjatë kohës sime në qeveri se nëse e kaloj kohën time duke u përpjekur të jetoj në një mënyrë që zbut shqetësimet e kaq shumë njerëzve që nuk i respektoj, të cilët janë të motivuar nga politikat partiake, atëherë thjesht do paralizohesha”.

LEXO EDHE: Projekti i Sazanit/ Dhëndri i Trump akuzohet për korrupsion

I pyetur se nëse Trump rikthehet në detyrë, a do ketë komplikime, Kushner u shfaq edhe vetë i paqartë: “Ndoshta. Ndoshta do të ketë më shumë gjykim mbi mua sot sesa një vit më parë”.

Por, ai gjithashtu tha nuk po distancohet nga fushata presidenciale. Nga zyra e tij në Majami, Kushner luan një rol informal si këshilltar. “Jam aty për të ndihmuar dhe këshilluar Trump dhe ekipin e tij!”. Ai gjithashtu pranon çdo thirrje për të dëshmuar nga senatorët dhe kongresmenët. Por shton se nuk e ka në plan të rikthehet në qeveri. Të njëjtën gjë ka thënë edhe vajza 42-vjeçare e ish-presidentit, Ivanka Trump.

Jeta në Miami

Pasi Trump u largua nga detyra, Kushner dhe Ivanka Trump ishin të etur për të filluar një kapitull tjetër në jetën e tyre. Çifti dhe tre fëmijët e tyre – 8, 10 dhe 13 vjeç – u larguan shpejt në Miami. Ata morën me qira një apartament prej 7000 metrash katrorë ndërsa rinovuan një shtëpi prej 24 milionë dollarësh në Indian Creek Island, një fshat hiper-ekskluziv në gjirin Biscayne, ku afërsisht tre duzina shtëpi formojnë një perimetër në formë patkoi rreth një fushe golfi. Tom Brady dhe Jeff Bezos janë fqinjët e çiftit.

Jared and Ivanka's Excellent Adventure - WSJ

Familja i kalon fundjavat kryesisht jashtë, duke bërë ski dhe shëtitje me varkë në gjirin që rrethon shtëpinë e tyre. Sa i përket karrierës, ndryshe nga i shoqi, Ivanka Trump zgjodhi që të mbante një profil më të ulët biznesi sesa bëri para 2017-ës. Ajo nuk bën më marrëveshjet e markës ose zhvillimit të hotelit Trump. Ajo nuk është e përfshirë shumë as me Affinity, e cila është në pronësi të plotë të Kushner-it.

Stafi dhe këshilltarët e Affinity përfshijnë Richard Grenell, i cili mbante poste në administratën Trump, duke përfshirë atë të ambasadorit në Gjermani dhe të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, dhe Kevin Hassett, ish-këshilltarin ekonomik të Shtëpisë së Bardhë. Lista përmban gjithashtu ish-zyrtarin e lartë të sigurisë kombëtare të Lindjes së Mesme, Miguel Correa.

Edhe Kushner pasi la Shtëpinë e Bardhë iu rikthyer dashurisë së parë; investimit në pasuritë e paluajtshme, duke nisur nga Ballkani Perëndimor. Kushner pa një mundësi për investim. Çmimet e apartamenteve po lulëzojnë në Serbi, ndërkohë që së fundmi turistët janë vërshuar masivisht në plazhet me kosto të ulët të Shqipërisë. Affinity synon të krijojë mijëra njësi hotelesh dhe apartamentesh vetëm disa minuta larg një aeroporti të ri ndërkombëtar që po ndërtohet pranë qytetit të Vlorës.

Marrëveshja me Serbinë

Grenell, i cili si i dërguari i Trumpit për Ballkanin ishte i afërt me presidentin serb, kishte kohë që kishte parë objektin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë jugosllave në qendrën historike të qytetit të Beogradit, të cilin qeveria ka kërkuar ta rizhvillojë. Por ishte e ndërlikuar.

Vendi u bombardua nga NATO në vitin 1999 në mes të një përpjekjeje për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik të presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç në Kosovë. Grenell, i etur për të sjellë investime amerikane në rajon, i telefonoi Kushnerit disa muaj pasi Trump la detyrën për t’u përpjekur ta “shiste” idenë e tij.

LEXO EDHE: Andi Bushati: Blerja e pushtetit me llokma Shqipërie

Kushner dërgoi një punonjës, i cili ishte “i mahnitur” nga gjallëria e Beogradit. Në maj, Serbia tha se ra dakord për të dhënë godinën me qira për investimet e Kushner, i cili do “hedhë” 500 milionë dollarë. 

Si kusht për rizhvillimin e një vendi në Beograd që NATO bombardoi në 1999, Affinity do të duhej të ndërtonte një memorial për ato që qeveria serbe i quan viktima të agresionit të aleancës euro-atlantike. Ky inkuadrim ka ngjallur polemika.

Clark, Wyden dhe amerikanë të tjerë kanë kritikuar idenë. Nacionalistët në qeverinë serbe e kanë kundërshtuan planin, sepse e konsiderojnë godinën një “vend të shenjtë”. Por është e vendosur! Qeveria serbe tha se marrëveshja do të ndihmojë në tërheqjen e më shumë investimeve të huaja në vend.

Një Mesdhe i ri

Në të njëjtën kohë që planet e Beogradit po ecnin mirë, Kushner po vështronte bregdetin shqiptar. Pas pushimeve të tij në jaht në 2021 dhe kafesë së tij në Davos me Ramën, ai zhvilloi pamjet e tij në dy pika ideale. Zgjodhi Sazanin – një ishull malor dhe një tokë private në gadishullin e Zvërnecit, aty ku dynden flamingot.

Jared and Ivanka's Excellent Adventure - WSJ

Sazani do të jetë më ekskluziv. Ishte ideja e Ivanka Trump për të futur “Aman”. Marka menaxhon resorte ultra-ekskluzive me dhoma që kanë tendencë të kushtojnë mbi 1000 dollarë nata. Vlad Doronin, një miliarder me origjinë sovjetike që drejton Aman, fillimisht u befasua nga ideja, por në fund u nënshkrua pasi dërgoi dikë për të vëzhguar vendndodhjen e ishullit. E kontantuar nga media amerikane, zëdhënsëja e Aman nuk pranoi që të komentonte lidhur me planet e ndërtimit.

LEXO EDHE: “New York Times”: Pakënaqësi për projektet e familjes Trump në Shqipëri

Aktualisht qeveria shqiptare po rishikon planet, por Rama ka qenë mbështetës i projektit që në fillim. Ai e quan Kushnerin mik dhe të dy shkëmbejnë mesazhe në WhatsApp.

Muaj pasi Kushner prezantoi zyrtarisht planet, Shqipëria ndryshoi një ligj për të lejuar hotelet në zona të mbrojtura mjedisore, për sa kohë që ato janë pesë yje ose më lart. Qeveria ka thënë se ligji nuk kishte lidhje me Kushnerin dhe kishte për qëllim turizmin në të gjithë vendin, por politikanët e opozitës dhe avokatët e mjedisit kanë sulmuar legjislacionin dhe pretendojnë se një marrëveshje me Kushnerin ka për qëllim të fitojë favorin e Trump.

Rama tha se negociatat me Kushner nuk kanë të bëjnë fare me lidhjet e Kushnerit me Trump dhe përputhen me vizionin e tij për të ndërtuar bregdetin si një destinacion turistik i nivelit të lartë – duke u përmbajtur mbi tërheqjen masive të tij me të ardhura mesatare. “Nëse ky investim ndodh, do jetë një xhevahir në kurorën e Mesdheut”, shtoi Rama. /Wall Street Journal, LAPSI.al

The post WSJ: Kushner ia kërkoi Sazanin, Ramës duke pire kafe në Davos appeared first on Lapsi.al.

❌