Normal view

Analiza në DW/ A mund të ndikojë në Ballkan rezultati i zgjedhjeve në SHBA

By: user 6
22 October 2024 at 22:13

Djali i Donlad Trump shkon në Beograd, dhëndri i tij bën biznese në Serbi dhe Shqipëri – ndërsa në Kosovë zgjedhjet presidenciale në SHBA shihen me shqetësim. Çfarë pasojash do të ketë rezultati i tyre ndaj Ballkanit?

Nga Alexander Rhotert, DW

Vendet e Ballkanit Perëndimor – veçanërisht Serbia dhe Kosova – po i shikojnë me vëmendje zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA. Çfarë ndikimi do të ketë rezultati i zgjedhjeve në këtë cep të Europës Juglindore? Më 23 shtator, djali i Donald Trump, Donald Jr., u shoqërua nga biznesmenë serbë në Beograd për të diskutuar mundësitë e investimeve. Kjo nuk ishte hera e parë për familjen Trump: kontaktet e ish-presidentit me sipërmarrës dhe përfaqësues të qeverisë filluan që në vitin 2013. Në atë kohë, Ivica Daçiq, atëherë kryeministër i Serbisë, foli publikisht për interesimin e Trump në një projekt për patundshmëri. Objekti në fjalë ishte ish selia e Ushtrisë Popullore Jugosllave, e cila u dëmtua rëndë gjatë bombardimet e NATO-s të vitit 1999. Por negociatat dështuan.

Por, në maj të këtij viti, dhëndri i Trump, Jared Kushner, i udhëhequr nga ish-ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, vulosi marrëveshjen. Kontrata në vlerë prej një miliard dollarësh përfshin një qira 99-vjeçare të kompleksit. Grenell shihet si një kandidat i mundshëm për postin e Sekretarit të Shtetit nëse Trump fiton zgjedhjet presidenciale në nëntor. Ai është konsideruar si ambasadori më i papëlqyer i SHBA-së në Gjermaninë e pas-luftës. Gazeta e përditshme zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) shkoi aq larg sa e quajti atë “jodiplomatik” për shkak të “sjelljes së tij të neveritshme”. Donald Trump Jr së fundmi e vlerësoi Grenell si “kandidatin kryesor për postin e sekretarit të shtetit”.

Kursi i dështuar ballkanik i Trump 2020

Grenelli, si i dërguar i posaçëm i Trump për Ballkanin, “tërhiqte fijet e marionetave” në vitin 2020 kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti u rrëzua për shkak se ai qëndroi në rrugën e një marrëveshjeje tjetër. Marrëveshja në fjalë dyshohet se kishte të bënte me një shkëmbim territorial përgjatë vijave etnike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Në qershor 2020, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, donin të takoheshin me Trump në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar marrëveshjen.

Richard Grenell duke pranuar Urdhërin e Flamurit Serb në 2023 nga Aleksander Vucic
Richard Grenell duke pranuar Urdhërin e Flamurit Serb në 2023 nga Aleksander Vucic

Sipas raporteve, marrëveshja do të kishte lejuar që katër komunitetet me shumicë etnike serbe në veri të Kosovës të bëhen pjesë e Serbisë. Në këmbim, Lugina e Preshevës me shumicë shqiptare etnike në Serbinë jugore do të ishte bërë pjesë e Kosovës. Një shkëmbim territorial si ky mund të kishte një efekt domino në rajon, sepse shtetet e Ballkanit Perëndimorjanë të gjitha ende kryesisht multietnike.

Lidhje të ngushta Trump-Serbi

Udhëheqësi i Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik kishte kërcënuar se nëse do të bëhej një shkëmbin territorial, Republika Srpska do t’i bashkohej Serbisë. Ky shkëmbin do të mund të sillte një “luftë të re ballkanike”. Rishikimi etnik i kufijve ka potencial të madh për konflikt. Por planet e Trumpit u prishën nga një aktakuzë kundër Presidentit Presidentit Thaçi nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë. Thaçi u vetë-dorëzua në gjykatë.

Ndërkohë, popullariteti i qëndrueshëm i Grenellit në Serbi ilustrohet nga fakti se Marko Gjuriq, ish-ambasadori i Serbisë në SHBA, dhe tashmë ministëri i punëve të jashtme të Serbisë, kohët e fundit tha se Grenell ishte “pa dyshim miku i Serbisë”.

Në vitin 2023, presidenti Vuçiç i dorëzoi Grenellit urdhrin më të lartë të vendit si njohje e avokimit të tij për Serbinë, duke e arsyetuar vendimin e tij duke thënë se: “Unë mendoj se ai është një nga njerëzit e paktë nga SHBA që ka një qasje të ekuilibruar ndaj Kosovës”.

Kamala Harris duke mbajtur fjalim në Chicago
Kamala Harris duke mbajtur fjalim në Chicago

Çfarë do të thotë një fitore e Harris për rajonin?

Qëndrimi pro-serb i Trump lë të kuptohet se çfarë mund të presë Ballkani Perëndimor nëse republikani do të kthehej në Zyrën Ovale në nëntor. Linja e ndjekur nga kandidatja e Partisë Demokratike Kamala Harris, nga ana tjetër, nuk ka qenë deri më tani aq e qartë. Megjithatë, disa përfundime mund të nxirren në bazë të të kaluarës së saj personale dhe pikëpamjeve të politikës së jashtme.

Është e pagjasshme që Harris të favorizojë nacionalistët serbë apo ndojnë grup etnonacionalist tjetër. Përveç kësaj, qëndrimi pro-ukrainas i Harris është i dokumentuar. Është e mundur që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka paralajmëruar atë për planet e supozuara të Moskës për të destabilizuar Ballkanin ose për të hapur fronte të reja atje me ndihmën e nacionalistëve irredentistë serbë pro-Moskë. Lidhjet e ngushta midis Beogradit dhe Moskës mund ta shtyjnë Harrisin të ndryshojë kursin e Amerikës.

Edward Joseph, një studiues i konflikteve në Universitetin e njohur Johns Hopkins, kritikoi kohët e fundit se administrata e Biden-it po bëhej me Serbinë. Ai tha gjithashtu se Vuçiq e ka zhvendosur orientimin e Beogradit si kurrë më parë kah lindja dhe se nuk ka asnjë arsye pse Harris, nëse zgjidhet, të vazhdojë politikën e pasuksesshme të Bidenit. Ish-diplomati amerikan Shaun Byrnes mbajti të njëjtën linjë, duke rekomanduar se SHBA duhet të jetë “më e ashpër me Serbinë, sepse ajo vazhdon të ketë një qasje armiqësore ndaj Kosovës”.

‘Fantazia diplomatike’ e Bidenit në Ballkan

Daniel Serwer, një diplomat i vjetër që ka punuar me Richard Holbrooke, arkitektin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, e ka përshkruar politikën e Bidenit për Ballkanin si “fantazi diplomatike”. Në sytë e Serwer, për të ndërtuar Vuçiqin, që kishte qenë ministër propagande në kohën e Slobodan Millosheviçit në vitet 1990, si një spirancë stabiliteti ishte shumë larg realitetit.

Vizitat e shpeshta në Moskë nga aleati i Vuçiqit dhe zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin, i cili së fundmi siguroi personalisht presidentin rus Vladimir Putin se Serbia është “partneri dhe aleati strategjik i Rusisë”, vë në dyshim politikën e SHBA-së për Ballkanin. Aktivitetet e anëtarëve të rrethit të Trump në Beograd kanë treguar se nëse ish-presidenti rizgjedh në nëntor, objektivat ekonomike do të jenë në ballë të politikës së Amerikës për Ballkanin Perëndimor në të ardhmen. Fakti që presidenti i Serbisë Vuçiq ka marrëdhënie të shkëlqyera me Putinin, i shkon për shtat Trumpit deri në fund.

Shqetësimet për një administratë të dytë të mundshme të Trump

Megjithatë, për Ukrainën, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën dhe Malin e Zi, e gjithë kjo është alarmante. Sepse, megjithëse Bosnja dhe Kosova janë dy shtete qartësisht pro-amerikane, pro-perëndimore me popullsi shumicë myslimane, ato nuk mund të mbështeten automatikisht në mbrojtjen e SHBA-së kundër dëshirave ekspansioniste të Serbisë nëse Trump rizgjedhët si president.

Vladimir Putin dhe Aleksander Vucic ne nje takim te perbashket
Vladimir Putin dhe Aleksander Vucic ne nje takim te perbashket

Trump ka treguar në të kaluarën se nuk ka asnjë problem t’i lërë aleatët, nëse kjo i përshtatet agjendës së tij. Për shembull, Në dhjetor 2018, ai njoftoi se do të tërhiqte shumicën e trupave amerikane nga Siria. Duke vepruar kështu, ai tradhtoi kurdët, të cilët kishin bërë shumicën e luftimeve në terren në betejën kundër Shtetit Islamik (IS). Kjo tradhti e aleatëve bëri që Sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes i SHBA-së, James Mattis, të jepte dorëheqje.

Para se të dështonte marrëveshja e shkëmbimit territorial, Serbi-Kosovë, Trump e kishte kërcënuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në disa raste se do të tërhiqte trupat amerikane nga Kosova. Prania e këtyre trupave shihet si një politikë jetësore për sigurinë Kosovën, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh. Është e diskutueshme nëse trupat e KFOR-it të NATO-s mund të garantojnë sigurinë e Kosovës pa amerikanët. Por, administrata Biden duket se ka marrë të paktën një masë paraprake në këtë drejtim: SHBA-ja e ka furnizuar Kosovën me 250 raketa antitank Javelin, nga ato që ka dërguar edhe në Ukrainë. Edhe Turqia e ka furnizuar Kosovën me dronët e saj Bayraktar. Pa këto dy sisteme armësh, Ukraina nuk do të ekzistonte më si shtet i pavarur. Por ndryshe nga Serbia, që karreth 250 tanke lufte, Kosova nuk ka asnjë. Pra, numri i raketave antitank të furnizuara nga SHBA-ja sigurisht nuk ishte rastësi.

© Marrë nga DW, Alexander Rhotert është politolog dhe autor. Studiues i ish-Jugosllavisë që nga viti 1991, ai ka punuar për OKB-në, NATO-n, OSBE-në dhe Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në Bosnje dhe Hercegovinë, ndër organizata të tjera. Ky artikull u botua në gjermanisht.  

The post Analiza në DW/ A mund të ndikojë në Ballkan rezultati i zgjedhjeve në SHBA appeared first on Lapsi.al.

WSJ: Kushner ia kërkoi Sazanin, Ramës duke pire kafe në Davos

By: user 6
6 October 2024 at 18:37

Gazeta e njohur amerikane Wall Street Journal i ka kushtuar një artikull të gjatë projekteve të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Shqipëri, ku ata planifikojnë të zhvillojnë një kompleks turistik luksoz në ishullin e Sazanit. 

Në artikull theksohet se ideja për këtë projekt i lindi dhëndrit të Donald Trump pasi kaloi një javë duke shijuar plazhet e bukura të Shqipërisë. WSJ shkruan se Kushner i paraqiti propozimin kryeministrit shqiptar, Edi Rama, gjatë një takimi në Davos.

Sipas medias amerikane kryeministri Rama është optimist për këtë projekt, duke nënvizuar potencialin e Shqipërisë për të rritur turizmin dhe për të tërhequr investime të huaja. Nuk lihen pa përmendur megjithatë edhe lehtësirat që qeveritë në Tiranë dhe Beograd i kanë bërë familjes, Trump me këto projekte. Më poshtë vjen shkrimi i plotë…

Aventura e shkëlqyer e Jared dhe Ivanka

Muaj pasi u larguan nga Shtëpia e Bardhë në 2021, Jared Kushner dhe Ivanka Trump kaluan një javë duke shijuar plazhet e Shqipërisë. Ata u ngjitën në shkallët e gurta të një teatri 2200-vjeçar të Butrintit, darkuan në një jaht me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe u “fiksuan” nga vizita në ishullin e vetëm të Shqipërisë. Aq shumë e deshën, sa menduan se do të ishte destinacioni i përsosur për të ndërtuar një hotel luksoz.

Udhëtimi në Shqipëri, u la aq shumë përshtypje, saqë kur Kushner u takua me Ramën disa muaj më vonë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, i bëri një propozim. Gjatë një kafeje, Kushner tha se ishte “shumë, shumë i hipnotizuar nga bukuritë e Shqipërisë”. Këto detaje i ndau kryeministri Edi Rama, i cili shtoi: “Kushner më pyeti nëse do të kishte mundësi që të investonte në Shqipëri”.

Rama dha bekimin e tij—dhe më shumë.

Kushner, 43 vjeç, tani po punon për një projekt që do të kushtojë 1 miliard dollarë. Ai po negocion detaje me qeverinë e Ramës për të ndërtuar vila ekskluzive në Sazan, ishullin ushtarak që ai vizitoi, e cila më parë shërbente si një bazë për nëndetëset sovjetike. Ishulli është i mbrojtur ekologjikisht. Por një ligj i ri shqiptar lejon ndërtimin e hoteleve, për sa kohë që ato janë të paktën pesë yje.

Jared and Ivanka's Excellent Adventure - WSJ

Që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë, ku shërbeu si këshilltar i lartë i vjehrrit të tij, presidentit të atëhershëm Donald Trump, Kushner ka ndërtuar një perandori të re biznesi duke u anuar në lidhjet gjeopolitike. Kushner u mbështet në lidhjet me monarkët arabë për të mbledhur pjesën më të madhe të parave në fondin e tij privat prej 3.1 miliardë dollarësh. Kjo lëvizje ka ngjallur kritika nga republikanët dhe demokratët në Kongres.

LEXO EDHE: A gënjeu Rama për investimin e dhëndrit të Trump?

Kompania e tij e re, Affinity Partners, është e mbushur me ish-zyrtarë të administratës Trump. Disa janë pretendentë për poste të larta qeveritare nëse Trump fiton këtë nëntor.

Në Ballkan, Kushner iu drejtua liderëve të Shqipërisë dhe Serbisë për të zhvilluar biznesin e tij me prona të paluajtshme në toka publike pa pasur nevojë të kalonte nëpër ankande. Në Serbi, ai po ndërton mbi një memorial që qeveria thotë se do t’u kushtohej të gjitha viktimave të agresionit të NATO-s. Mbledhja e fondeve të Kushnerit dhe marrëveshjet e pronave me vendet e tjera, po nxisin frikën se ai dhe anëtarët e tjerë të familjes Trump mund të përfitojnë duke kultivuar marrëdhënie me liderët botërorë.

Por për Kushner nuk është kështu.

“Unë nuk mendoj se dikush ka thënë ndonjëherë se kam thyer ndonjë rregull ose nuk kam ndjekur ligjet e vendeve se ku dua të investoj, apo se kam qenë shumë skrupuloz duke e bërë plane. Kam mësuar gjatë kohës sime në qeveri se nëse e kaloj kohën time duke u përpjekur të jetoj në një mënyrë që zbut shqetësimet e kaq shumë njerëzve që nuk i respektoj, të cilët janë të motivuar nga politikat partiake, atëherë thjesht do paralizohesha”.

LEXO EDHE: Projekti i Sazanit/ Dhëndri i Trump akuzohet për korrupsion

I pyetur se nëse Trump rikthehet në detyrë, a do ketë komplikime, Kushner u shfaq edhe vetë i paqartë: “Ndoshta. Ndoshta do të ketë më shumë gjykim mbi mua sot sesa një vit më parë”.

Por, ai gjithashtu tha nuk po distancohet nga fushata presidenciale. Nga zyra e tij në Majami, Kushner luan një rol informal si këshilltar. “Jam aty për të ndihmuar dhe këshilluar Trump dhe ekipin e tij!”. Ai gjithashtu pranon çdo thirrje për të dëshmuar nga senatorët dhe kongresmenët. Por shton se nuk e ka në plan të rikthehet në qeveri. Të njëjtën gjë ka thënë edhe vajza 42-vjeçare e ish-presidentit, Ivanka Trump.

Jeta në Miami

Pasi Trump u largua nga detyra, Kushner dhe Ivanka Trump ishin të etur për të filluar një kapitull tjetër në jetën e tyre. Çifti dhe tre fëmijët e tyre – 8, 10 dhe 13 vjeç – u larguan shpejt në Miami. Ata morën me qira një apartament prej 7000 metrash katrorë ndërsa rinovuan një shtëpi prej 24 milionë dollarësh në Indian Creek Island, një fshat hiper-ekskluziv në gjirin Biscayne, ku afërsisht tre duzina shtëpi formojnë një perimetër në formë patkoi rreth një fushe golfi. Tom Brady dhe Jeff Bezos janë fqinjët e çiftit.

Jared and Ivanka's Excellent Adventure - WSJ

Familja i kalon fundjavat kryesisht jashtë, duke bërë ski dhe shëtitje me varkë në gjirin që rrethon shtëpinë e tyre. Sa i përket karrierës, ndryshe nga i shoqi, Ivanka Trump zgjodhi që të mbante një profil më të ulët biznesi sesa bëri para 2017-ës. Ajo nuk bën më marrëveshjet e markës ose zhvillimit të hotelit Trump. Ajo nuk është e përfshirë shumë as me Affinity, e cila është në pronësi të plotë të Kushner-it.

Stafi dhe këshilltarët e Affinity përfshijnë Richard Grenell, i cili mbante poste në administratën Trump, duke përfshirë atë të ambasadorit në Gjermani dhe të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, dhe Kevin Hassett, ish-këshilltarin ekonomik të Shtëpisë së Bardhë. Lista përmban gjithashtu ish-zyrtarin e lartë të sigurisë kombëtare të Lindjes së Mesme, Miguel Correa.

Edhe Kushner pasi la Shtëpinë e Bardhë iu rikthyer dashurisë së parë; investimit në pasuritë e paluajtshme, duke nisur nga Ballkani Perëndimor. Kushner pa një mundësi për investim. Çmimet e apartamenteve po lulëzojnë në Serbi, ndërkohë që së fundmi turistët janë vërshuar masivisht në plazhet me kosto të ulët të Shqipërisë. Affinity synon të krijojë mijëra njësi hotelesh dhe apartamentesh vetëm disa minuta larg një aeroporti të ri ndërkombëtar që po ndërtohet pranë qytetit të Vlorës.

Marrëveshja me Serbinë

Grenell, i cili si i dërguari i Trumpit për Ballkanin ishte i afërt me presidentin serb, kishte kohë që kishte parë objektin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë jugosllave në qendrën historike të qytetit të Beogradit, të cilin qeveria ka kërkuar ta rizhvillojë. Por ishte e ndërlikuar.

Vendi u bombardua nga NATO në vitin 1999 në mes të një përpjekjeje për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik të presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç në Kosovë. Grenell, i etur për të sjellë investime amerikane në rajon, i telefonoi Kushnerit disa muaj pasi Trump la detyrën për t’u përpjekur ta “shiste” idenë e tij.

LEXO EDHE: Andi Bushati: Blerja e pushtetit me llokma Shqipërie

Kushner dërgoi një punonjës, i cili ishte “i mahnitur” nga gjallëria e Beogradit. Në maj, Serbia tha se ra dakord për të dhënë godinën me qira për investimet e Kushner, i cili do “hedhë” 500 milionë dollarë. 

Si kusht për rizhvillimin e një vendi në Beograd që NATO bombardoi në 1999, Affinity do të duhej të ndërtonte një memorial për ato që qeveria serbe i quan viktima të agresionit të aleancës euro-atlantike. Ky inkuadrim ka ngjallur polemika.

Clark, Wyden dhe amerikanë të tjerë kanë kritikuar idenë. Nacionalistët në qeverinë serbe e kanë kundërshtuan planin, sepse e konsiderojnë godinën një “vend të shenjtë”. Por është e vendosur! Qeveria serbe tha se marrëveshja do të ndihmojë në tërheqjen e më shumë investimeve të huaja në vend.

Një Mesdhe i ri

Në të njëjtën kohë që planet e Beogradit po ecnin mirë, Kushner po vështronte bregdetin shqiptar. Pas pushimeve të tij në jaht në 2021 dhe kafesë së tij në Davos me Ramën, ai zhvilloi pamjet e tij në dy pika ideale. Zgjodhi Sazanin – një ishull malor dhe një tokë private në gadishullin e Zvërnecit, aty ku dynden flamingot.

Jared and Ivanka's Excellent Adventure - WSJ

Sazani do të jetë më ekskluziv. Ishte ideja e Ivanka Trump për të futur “Aman”. Marka menaxhon resorte ultra-ekskluzive me dhoma që kanë tendencë të kushtojnë mbi 1000 dollarë nata. Vlad Doronin, një miliarder me origjinë sovjetike që drejton Aman, fillimisht u befasua nga ideja, por në fund u nënshkrua pasi dërgoi dikë për të vëzhguar vendndodhjen e ishullit. E kontantuar nga media amerikane, zëdhënsëja e Aman nuk pranoi që të komentonte lidhur me planet e ndërtimit.

LEXO EDHE: “New York Times”: Pakënaqësi për projektet e familjes Trump në Shqipëri

Aktualisht qeveria shqiptare po rishikon planet, por Rama ka qenë mbështetës i projektit që në fillim. Ai e quan Kushnerin mik dhe të dy shkëmbejnë mesazhe në WhatsApp.

Muaj pasi Kushner prezantoi zyrtarisht planet, Shqipëria ndryshoi një ligj për të lejuar hotelet në zona të mbrojtura mjedisore, për sa kohë që ato janë pesë yje ose më lart. Qeveria ka thënë se ligji nuk kishte lidhje me Kushnerin dhe kishte për qëllim turizmin në të gjithë vendin, por politikanët e opozitës dhe avokatët e mjedisit kanë sulmuar legjislacionin dhe pretendojnë se një marrëveshje me Kushnerin ka për qëllim të fitojë favorin e Trump.

Rama tha se negociatat me Kushner nuk kanë të bëjnë fare me lidhjet e Kushnerit me Trump dhe përputhen me vizionin e tij për të ndërtuar bregdetin si një destinacion turistik i nivelit të lartë – duke u përmbajtur mbi tërheqjen masive të tij me të ardhura mesatare. “Nëse ky investim ndodh, do jetë një xhevahir në kurorën e Mesdheut”, shtoi Rama. /Wall Street Journal, LAPSI.al

The post WSJ: Kushner ia kërkoi Sazanin, Ramës duke pire kafe në Davos appeared first on Lapsi.al.

❌