Normal view

Një bandë muzikore në Gjermani i këndon Revolucionit Flamingo

29 June 2026 at 18:57

Protestat e “Revolucionit Flamingo” nuk kanë bërë jehonë vetëm në rrugët dhe lagjet e Shqipërisë. Ato janë dëgjuar edhe qindra kilometra larg, në mesin e shqiptarëve të diasporës, të cilët edhe pse prej vitesh jetojnë jashtë vendit, vazhdojnë ta ndiejnë Shqipërinë si pjesë të identitetit të tyre. Të frymëzuar nga kjo lëvizje, dy artistë shqiptarë që jetojnë në Gjermani kanë krijuar këngën “Flamingo”, një këngë që i bën thirrje qytetarëve të mos heshtin përballë padrejtësive.

Protestat e përditshme kanë krijuar terrenin për një revolucion kulturor, duke ndryshuar mendësinë e qytetarëve mbi mënyrën se si duhet të qeveriset vendi. Të larguar pikërisht për shkak të keqqeverisjes, Ina dhe Kris u frymëzuan nga këto protesta dhe kështu lindi kënga “Flamingo”, e cila flet për revoltën, kujtesën, lidhjen me vendin, tokën, kulturën dhe njerëzit.

“Ata që kanë frikë nga populli, ngrenë mure, porta, roje, por harruan se toka nuk bëhet e huaj…, vetëm pse dikush e shkroi në letër.” -ky është një ndër vargjet që këndohet nga këngëtarja shqiptare Ina Salaj, pjesë e bandës “Crimson Roots” në Gjermani.

Edhe pse Ina dhe bashkëshorti i saj Kris jetojnë prej pesë vitesh në Gjermani, ata thonë se kanë marrë pjesë në protestat e organizuara atje si një mënyrë për të ngritur krye ndaj padrejtësive që i janë bërë bashkëkombësve. Megjithatë, pamundësia për të qenë në Shqipëri i shtyu të protestonin përmes muzikës.

“Vendosëm të protestojmë edhe nëpërmjet muzikës, duke qenë se pamundësia për të qenë çdo ditë në shesh, në Shqipëri, e bëri edhe më të madhe dëshirën që zëri ynë të dëgjohej përmes kësaj kënge dhe të motivonte të gjithë ata që po përpiqen kaq shumë për këtë kauzë”, u shpreh këngëtarja shqiptare.

‘Crimson Roots’, ose në shqip ‘Rrënjët e Kuqe’, është një bandë rock nga Nurembergu, e themeluar nga dy shqiptarët Ina dhe Kris, bashkëshortë. Muzika e tyre është kryesisht në anglisht, por për këngën “Flamingo” vendosën të këndojnë në shqip, duke e ndërtuar tekstin mbi emocionet që u ngjallën nga protestat.

“Teksti u shkrua shumë natyrshëm. Nuk donim ta bënim shumë të drejtpërdrejtë apo politik, por dëshironim që të përcillte dhimbjen, dashurinë dhe revoltën. Për ne, pjesa më e rëndësishme e tekstit është ideja se një vend është i gjallë kur njerëzit flasin, protestojnë dhe nuk pranojnë të ulin kokën”, tha Ina duke shtuar që nuk donte të qëndronte vetëm spektatore, por gjeti forcën të thoshte pse të mos jem edhe unë pjesë e diçkaje më të madhe se vetja.

Edhe titulli i këngës nuk u zgjodh rastësisht. Flamingoja, e kthyer tashmë në simbol të protestave në Shqipëri, u bë edhe boshti i këngës. Sipas këngëtares, muzika nuk e ndryshon botën brenda natës, por mund të ndikojë te njerëzit dhe t’i motivojë ata të mos qëndrojnë indiferentë.

Pavarësisht se larg Shqipërisë, protestat kanë arritur të frymëzojnë shqiptarët e diasporës, duke i kthyer ata në pjesëmarrës aktivë të kauzës, nëpërmjet protestave të organizuara nëpër qytetet ku jetojnë, me publikime dhe komente në rrjetet sociale apo, tashmë, edhe me këngë përmbajtësore të cilat synojnë të forcojnë solidaritetin dhe të motivojë qytetarët të mos heshtin përballë padrejtësive.

Lexo gjithashtu:

The post Një bandë muzikore në Gjermani i këndon Revolucionit Flamingo appeared first on Citizens.al.

“Revolucioni Flamingo”: 30 ditë rezistencë qytetare

29 June 2026 at 18:36

Sot, bëhet një muaj që mijëra qytetarë kanë mbushur bulevardin kryesor të Tiranës nën petkun e përbashkët të quajtur “Revolucioni Flamingo”.

Ajo që nisi në 31 maj si një reagim qytetar kunër ndërhyrjeve dhe projekteve të ndërtimit në Pishë Poro-Nartë dhe Zvërnec, tanim është shndërruar në një nga lëvizjet më të gjata qytetare të pas viteve ’90 në Shqipëri.

“Revolucioni Flamingo” ka mbledhur në të njëjtin shesh aktivistë mjedisorë, qytetarë të prekur nga problematika të ndryshme, të rinj, familje me fëmijë të vegjël dhe përfaqësues të diasporës. Me kalimin e ditëve, krahas mbrojtjes së natyrës, protestës iu shtuan kërkesa të tjera politike, nga kundërshtimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura te kundërshtimi i ligjit për investitorët strategjikë, deri te kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe ndryshimin e qeverisë.

“Kjo është mënyra që njerëzit që duan vendin e tyre protestojnë”

Joni Vorpsi, aktivist mjedisor, pjesë e organizatës mjedisore PPNEA ka qenë në terren që kur makineritë e rënda mësynë në Pishë Poro-Nartë duke hapur rrugët dhe shtruar zhavorr. Sot, edhe pas një muaji në shesh, për Jonin thelbi i protestës mbetet i lidhur me mbrojtjen e natyrës dhe mbi të gjitha është një manifestim i dashurisë për vendin.

“Kjo është mënyra që njerëzit që duan vendin e tyre protestojnë. E gjithë rezistenca është një manifestim i dashurisë që rinia dhe qytetarët kanë për natyrën, për Shqipërinë”, u shpreh Vorpsi për Citizens.al.

Sipas tij, gjatë këtij muajit protesta ka kaluar disa faza dhe ka marrë dimensione të reja, por pa humbur pikën kryesore të nisjes.

“Kërkesat janë shtuar dhe specifikuar, pro ajo që ka rëndësi është që natyra shqiptare mbetet zemra e protestës”, thotë Vorpsi.

Aktivisti e konsideron një nga arritjet më të mëdha faktin që çështja e Zvërnecit dhe projekteve në zonat e ndjeshme natyrore u kthye në një debat publik. Sipas tij, qytetarët refuzuan një model vendimmarrjeje ku projekte të mëdha zhvillohen pa konsultim dhe pa përfshirjen e komuniteteve.

“Qytetarët nuk e pranuan këtë arrogancë dhe i detyruan të gjithë që të flasin për këtë çështje”, thotë Vorpsi.

“Është thyer frika, është krijuar besimi”

Për aktivisten Arilda Lleshin, një nga veçoritë kryesore të kësaj proteste është përmasa politike që ka marrë. Ajo e cilëson “protestën më të madhe politike që ka parë Shqipëria në 35 vite”, duke argumentuar se ndryshon nga protestat e mëparshme, të cilat kanë pasur objektiva më specifike.

“Kërkon rrëzimin e një qeverie, kërkon qeveri tranzitore, ndryshime në ligje, shfuqizime ligjesh. Ndërkohë që protestat e mëparshme si ajo e armëve kimike ose protesta e studentëve kanë qenë vetëm specifike, sektoriale dhe nuk kanë arritur deri te identifikimi i thelbit të problemit. Sot kemi një protestë me kërkesa të qarta politike”, thotë ajo.

Por sipas saj, arritja më e madhe nuk matet vetëm me numra apo me vendime konkrete.

“Gjëja më e rëndësishme është se është thyer frika. Është krijuar besimi te vetvetja. Ka ndryshuar gjendjen psikologjike të shqiptarëve”, thotë Lleshi.

Luçiana Kokaj, aktiviste nga Rrjolli u shpreh se është hera e parë që pas 35 vitesh, shqiptarët të ngrihen në këtë masë kundër kësaj klase politike.

“Besoj ne kemi pasur shumë herë arsye që të ngrihemi dhe të jemi në shesh por nuk ka ndodhur asnjëherë në këto përmasa dhe besoj që gjenerata Z po bën vërtetë një punë fanstastike në gjithë këtë betejë”, u shpreh Luçiana për Citizens.al.

Sipas saj, kjo ka sjellë parehati te përfaqësuesit shtetërorë.

“Tani po shoh një intervistë live të një prej deputetëve të PS dhe ata janë të gjithë të shpërfytyruar, të tensionuar, i shikon të gjithë që janë në një gjendje acarimi sepse kishin menduar që ky ishte sulltanati i tyre dhe mund ta menaxhonin si të donin me pashallëqet e veta”, argumenton Kokaj.

Për Arilda Lleshin,për shumë kohë qytetarët kanë ndjerë dëshpërim dhe bindjen se nuk mund të ndryshonin asgjë, ndërsa sot protesta ka krijuar një ndjesi tjetër.

“Nëse deri tani ishin të dorëzuar dhe të dëshpëruar për realitetin, por nuk ndjenin se mund ta ndryshonin, tani kanë shpresën se mund ta bëjnë dhe besimin te vetja dhe te të tjerë që mund ta bëjnë”, shton ajo.

“Protesta ndryshoi raportin tonë me demokracinë”

Për aktivistin Edison Lika, ky muaj nuk ka ndryshuar vetëm aktualitetin politik, por edhe mënyrën sesi shqiptarët e shohin njëri-tjetrin dhe raportin e tyre me shtetin.

“Ky muaj ndryshoi shumë gjëra, jo vetëm në aktualitet, por edhe në botëkuptimin e shqiptarëve me njëri-tjetrin. Ky na bëri të ndryshojmë raportin që ne kemi me njëri-tjetrin, pra zhbëri një raport mosbesimi që ne kemi pasur prej vitesh”, shprehet ai.

Sipas tij, një nga efektet më të rëndësishme të protestës është rikthimi i besimit mes qytetarëve dhe ideja se demokracia nuk kufizohet vetëm te procesi zgjedhor.

“Na bëri ta shohim demokracinë ndryshe, si një demokraci direkte dhe jo vetëm si një demokraci përfaqësuese. Na bëri të ndryshojmë raportin me diasporën, raport i cili ka qenë vetëm në, konsiston në shtetin social të munguar, pra që ata thjesht të bënin këtë rolin e financuesit të familjeve shqiptare dhe në mënyrën se si ne e shohin progresin”, thotë Lika.

Ai argumenton se protesta ka sfiduar edhe konceptin e progresit që, sipas tij, është lidhur shpesh vetëm me ndërtime, kulla dhe resorte.

“Shqiptarët po thonë që progresi nuk është vetëm ky. Progresi është që të mbajmë qytetarët në vend, të trajtojmë natyrën me respekt dhe të ndërtojmë një turizëm të qëndrueshëm që t’u japë vend të gjithëve, jo vetëm një pakice”, shprehet Lika.

Mes të tjerash, sipas aktivistit Lika, përmes kësaj proteste shqiptarët kanë kapërcyer dualitetin e partive politike që ekzistonte.

“Praktikisht je me njërën parti ose me tjetrën, duket sikur shqiptarët kanë dalë mbi partitë tanimë dhe politika për ta është shumë më e rëndësishme se sa tifozeria përkatëse”, shton ai.

“Shumë zëra, por me një kërkesë të përbashkët”

Aktivistët rendisin disa rezultate që i konsiderojnë si fitore të muajit të parë të protestës. Sipas Arilda Lleshit, ndër to janë heqja e disa gardheve në zona si Rrjolli, Zvërneci dhe Kakome, nisja e hetimeve nga SPAK dhe dorëheqja e deputetes Marjana Koçeku nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

Për Joni Vorpsin, një tjetër arritje është fakti që qytetarët arritën të vendosin në qendër të vëmendjes çështjen e mbrojtjes së natyrës.

“Të gjitha ditët kanë qenë të veçanta. Fryma e protestës, mospërfillja nga sulmet e deputetëve dhe studiove mediatike që kanë tentuar ta portretizojne këtë protestë si një nismë antikombëtare. Të gjitha tezat e tyre kanë rënë”, u shpreh Vorpsi për Citizens.al.

Një nga karakteristikat e “Revolucionit Flamingo” ka qenë përfshirja e grupeve me profile të ndryshme. Edison Lika e konsideron heterogjenitetin një nga pikat më të forta të protestës.

“Në protestë ka dhjetëra grupe që e shohin protestën sipas mënyrës së tyre dhe e zhvillojnë protestën sipas mënyrës së tyre. E bukura e kësaj proteste është se asnjëra prej mënyrave nuk i imponohet tjetrën, ama duket se ka pasur një lloj unisoni në një protestë paqësore,” shprehet ai.

Sipas Luçiana Kokajt fakti që njerëz me shqetësime të ndryshme janë bashkuar tregon se protesta ka kaluar përtej një kauze të vetme.

“Mua më kanë marrë pronën, dikujt tjetër i ka ndodhur një problem tjetër, dikush vuan nga spitalet, drejtësia shumë janë të shqetësuar sepse natyra shqiptare nuk po respektohet më. Ne kemi një vlerë shumë të madhe për të cilën krenohemi shumë herë nëpër të gjithë botën. Atë po duan të na e shkatërrojnë”, u shpreh Luçiana.

Aktivistët thonë se protesta nuk do të ndalet. Edison Lika shprehet se kërkesat mbeten të panegociueshme dhe se rezistenca do të vazhdojë.


“Situata nuk mund të kthehet më mbrapsht. Nuk mund të kthehemi në pikën zero ku ishim para se të fillonte protesta”,
thotë ai.


Edhe Arilda Lleshi mendon se protesta duhet të vazhdojë të evoluojë dhe të gjejë forma të reja presioni. Sipas saj, diskutimet për hapat e ardhshëm do të bëhen mes grupeve të përfshira në protestë.

“Unë jam e mendimit që duhen rrethuar institucionet, që duhen të mblidhen të gjithë grupet e interesit, grupet në protestë dhe ë arrihet në një konkluzion të përbashkët se si do të duhet të vazhdonte. Deri tani protesta do të vazhdojë çdo ditë si normalisht”, u shpreh Lleshaj, ndërsa argumenton se kjo është vala e parë e një reagimi qytetar që do të vazhdojë.

Ndërsa Luçiana Kokaj e sheh këtë proces si një betejë durimi.


“Ne kemi duruar për 36 vjet këtë sistem, klasë politike, gjithë këto gjëra të padrejta që i janë bërë qytetarëve shqiptarë, kështu që besoj se një muaj rezistencë është më e pakta që mund të bëjmë. Është çështje force, kush reziston më shumë do fitojë”, shprehet Luçiana.

Pyetjes për krijimin e një partie politike si produkt i kësaj proteste, Luçiana i përgjigjet negativisht.


“Jam shumë e lumtur që për herë të parë në Shqipëri, njerëzit të ngrihen jo për një karrige për veten por për një ideal, për Shqipërinë dhe shpresoj shumë fort që kjo protestë t’ia dali me këtë qëllim.Nuk besoj që mund të dalë një parti politike nga aty. Nuk shoh një mundësi të tillë”
, thotë ajo

Për Edison Likën protesta do të vijojë deri në doreheqje të kryeministrit Rama.

“Sigurisht që ne do ti shohim të gjitha format dhe do ti konsiderojmë të gjitha alternativat e zhvillimit të protestës në vijim. Ne jemi aty ama ky zjarr nuk është se do të shuhet, por do të jetë aty dhe do të vijojë deri në fund, deri në dorëheqjen e kyreministrit dhe tërheqjen e këtyre pikave që kemi kërkuar”, përfundoi në fjalën e tij Lika.

Aktivistët bien dakord për një pikë, se “Revolucioni Flamingo” ka ndryshuar diçka në mënyrën sesi qytetarët e shohin fuqinë e tyre për të reaguar.

Si nisi “Revolucioni Flamingo”?

Protesta nisi pasi makineri të rënda hynë në Pishë Poro–Nartë për të hapur rrugë dhe rrethuar territorin ku planifikohet projekti turistik “Zvërnec Peninsula”, me banesa, hotele deri në tetë kate dhe një port.

Pas presionit mediatik, IKMT bëri publik emrin e kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development”, duke sqaruar se ajo po kryen punime përgatitore mbi bazën e një lejeje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, ndërsa leja e zhvillimit ende nuk është lëshuar. Sipas dokumenteve të raportuara nga Citizens.al, kompania kontrollohet nga dy pronarë përfitues përmes një rrjeti kompanish në Holandë.

Më 30 maj, zvarritja e një protestuesi nga roja private gjatë protestës pranë gardhit me tela me gjemba nxiti reagim të gjerë qytetar. Që prej asaj dite protesta vijon çdo mbrëmje.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk ka ende një projekt të miratuar dhe se makineritë ndodheshin në terren vetëm për studime, pa dhënë më shumë transparencë. Projekti është lidhur publikisht me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, ndërsa pronat ku planifikohet zhvillimi janë në pronësi të kompanisë “Albania Land Development”, aksionerët kryesorë të së cilës janë “Sazan Holding” dhe vëllezërit Al-Khayyat nga Katari, të cilët Rama i ka cilësuar investitorë. Deri më sot nuk është lëshuar leje ndërtimi.

Ndërkohë, protesta është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare, si produkt i pakënaqësive prej vitesh tanimë, ku janë bashkuar shqetësime për korrupsionin, mungesën e transparencës, shëndetësinë, arsimin dhe të drejtat e pronës.

Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, ndryshime kushtetuese e zgjedhore, si dhe shfuqizimin e ligjeve për Zonat e Mbrojtura, Trashëgiminë Kulturore, “Paketën e Maleve” dhe Investimet Strategjike. Ata kërkojnë gjithashtu një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, të hartuar me pjesëmarrjen e ekspertëve dhe qytetarëve.

Lexo gjithashtu:

The post “Revolucioni Flamingo”: 30 ditë rezistencë qytetare appeared first on Citizens.al.

Rrjetet sociale, hapësira e re e përplasjes politike

29 June 2026 at 16:03

Algoritmet e rrjeteve sociale vendosin çdo ditë se çfarë shohin miliona përdorues në ekranet e tyre. Ato analizojnë sjelljen e secilit përdorues, pëlqimet, komentet, shpërndarjet, kohën e publikimit dhe ndërveprimet e mëparshme për të përcaktuar se cilat postime do të marrin më shumë shtrirje. Sa më i lartë angazhimi, aq më shumë rritet mundësia që një përmbajtje të shpërndahet gjerësisht.

Pikërisht algoritmin ka zgjedhur të fajësojë për herë të dytë kryeministri Edi Rama për dukshmërinë që kanë marrë protestat në rrjetet sociale dhe jehonën e tyre jashtë vendit. Megjithatë, gjatë një vëzhgimi të aktivitetit të tij në Facebook, rezulton se vetëm në këtë platformë ai ka publikuar mbi 40 postime, video dhe reagime të drejtpërdrejta lidhur me protestën dhe protestuesit, duke e kthyer këtë çështje në një nga temat kryesore të komunikimit të tij publik.

“Kush mendon se me like dhe followers bën politikë, ose bën vetëm politikë, bën gabim. Me followersa dhe like bën shërbimin e atyre oligarkëve më të mëdhenj të planetit të cilët përmes algoritmit dhe platformave, pasurohen eksponencialisht çdo ditë”, -u shpreh kryeministri Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste më 20 maj.

Ndërkohë, për vite me radhë, rrjetet sociale kanë qenë një nga armët më të forta të komunikimit politik të Edi Ramës, duke i siguruar avantazh në arritjen e audiencës. Sot, të njëjtat platforma po përdoren nga një brez i ri protestuesish për të sfiduar narrativën e qeverisë, duke e kthyer këtë avantazh në një terren përballjeje.

Deklarata e kryeministrit erdhi pasi debati publik është zhvendosur edhe te raporti mes politikës dhe oligarkisë vendase. Për herë të parë, në protesta po artikulohet gjerësisht slogani “Shqipëria e shqiptarëve, jo e oligarkëve”, ndërsa vetë kryeministri ka deklaruar në të kaluarën se në Shqipëri nuk ka oligarkë.

Prania e madhe e të rinjve në protesta ka bërë që të mos informohemi më vetëm nëpërmjet mediave tradicionale por edhe nëpërmjet rrjeteve sociale. Qindra përdorues, mes tyre edhe figura me mijëra ndjekës, kanë publikuar vazhdimisht materiale nga protesta, si foto, video, transmetime live duke krijuar një kanal komunikimi të pavarur nga mediat tradicionale.

Sipas ekspertit të IT-së, Besmir Semanaj, ky volum i madh përmbajtjesh krijoi një betejë paralele në hapësirën digjitale, mes rrjeteve sociale dhe mediave tradicionale që sipas protestuesve duhen bojkotuar pasi pronarët e tyre kanë lidhje të drejtërdrejta me qeverinë.

“Pati një fluks të koordinuar përmbajtjesh që, sipas vlerësimit tim, synonin të deformonin algoritmin dhe ta paraqisnin protestën si të dhunshme ose me mesazhe që nuk e përfaqësonin atë. Megjithatë, masiviteti i protestës e theu këtë efekt dhe sot shpërndarja e përmbajtjes duket se është rikthyer në normalitet“, u shpeh eksperti i IT-së, Semanaj.

Sipas tij, krahas përmbajtjeve organike, ka pasur edhe materiale të sponsorizuara që synonin t’i jepnin një drejtim tjetër algoritmit dhe të ndikonin në mënyrën se si zhvillohej debati publik.

“Ato përmbajtje të sponsorizuara synonin të deformonin algoritmin, të demotivonin protestuesit dhe të krijonin një narrativë të shtrembëruar për publikun ndërkombëtar. Edhe pse kjo nuk mund të konfirmohet zyrtarisht, efekti ishte rritja e konfuzionit dhe polarizimit të debatit publik,” shtoi eksperti.

Debati për algoritmin nuk mbeti vetëm në nivel deklaratash në rrjet, por protestuesit i dhanë zë kësaj çështjeje poshtë “shtëpisë” së kryeministrit, në sheshin e kryeministrisë. Në ditën e 27-të të protestës, më 26 qershor, protestuesit bënë thirrje që të raportonin dhe të mos e ndiqnin më kryeministrin në rrjetet sociale.

“Le ta godasim aty ku i dhemb më shumë”, u shpreh njëri prej folësve, duke ftuar protestuesit që të nisnin menjëherë fushatën e raportimit.

Sipas ekspertit, veprime të tilla mund të ndikojnë në mënyrën se si shpërndahet përmbajtja në platformat sociale.

“Raportimet masive mund të ulin përkohësisht shtrirjen e një postimi, ndërsa reklamat e sponsorizuara rrisin dukshmërinë e përmbajtjeve të caktuara. Në disa raste përdoren edhe materiale të manipuluara ose të gjeneruara me AI për të ndikuar perceptimin publik”, u shpeh eksperti i IT-së, Semanaj.

Kryeministri ka shtuar ndjeshëm ritmin e komunikimit në rrjetet sociale, duke publikuar pothuajse çdo ditë reagime, komente dhe kritika ndaj protestës, një strategji e tillë, sipas ekspertëve, është e qëllimtë pasi mund të ndikojë në mënyrën se si audienca e percepton realitetin, veçanërisht përdoruesit që ekspozohen kryesisht ndaj mesazhit të parë që u shfaqet në ekran.

“Një strategji e tillë mund të dominojë vëmendjen e audiencës. Sa më shpesh të postojë një figurë publike, aq më shumë hapësirë zë në feed. Megjithatë, ngjarje të mëdha si protestat masive mund ta zbehin këtë efekt”, u shpreh Semanaj.

Në këtë përplasje secila palë përpiqet të fitojë terren në betejën për vëmendjen e publikut. Aktiviteti i kryeministrit Rama është intensiv në rrjetet sociale tregon një përpjekje të vazhdueshme për të dominuar hapësirën online dhe për të imponuar këndvështrimin e tij mbi zhvillimet që po ndodhin në vend. Edhe ndryshimi i fotografisë së profilit në Facebook, ku shfaqet një flamingo u interpretua nga shumë përdorues si një mesazh i koduar në kulmin e debatit publik.

Përplasja për vëmendjen në rrjetet sociale është bërë po aq e rëndësishme sa vetë protesta, sepse në epokën digjitale, kush arrin të dominojë rrjedhën e informacionit, fiton një pjesë të rëndësishme të betejës për perceptimin publik.

Pushteti ekonomik dhe politik nuk shfaqet më vetëm përmes parasë apo forcës, por edhe përmes kontrollit të imazheve dhe narrativave.

The post Rrjetet sociale, hapësira e re e përplasjes politike appeared first on Citizens.al.

❌