Normal view

Kantier ndërtimi në Pishë-Poro-Nartë, organizatat denoncojnë punimet pa leje

1 May 2026 at 16:39

Punime të dyshuara brenda zonës së mbrojtur Pishë Poro-Nartë kanë ngritur alarmin për një tjetër përplasje mes zhvillimit, ligjit dhe përpjekjeve për të ruajtur ato pak zona me rëndësi mjedisore në Shqipëri.

Pamje të publikuara të enjten nga Shoqata Ornitologjike Shqiptare (AOS) tregojnë për mjete të rënda dhe ndërhyrje në terren në një nga habitatet më të rëndësishme për shpendët në vendin tonë.

Deri më tani nuk ka pasur reagime nga institucionet dhe nuk ka një konfirmim publik për leje ndërtimi apo dokumentacion mjedisor për këto punime. Në terren, aktiviteti duket i organizuar dhe i vazhdueshëm, ndërsa dyshimet lidhen me projekte të mëdha turistike të përfolura prej kohësh në zonë.

“Po hapin një kantier në zonë të mbrojtur!”

Në një lidhje telefonike për Citizens.al, drejtuesi i AOS, Taulant Bino, tha se kishte qenë vetë në zonë në momentin kur u evidentua aktiviteti.

Sipas tij, dhjetëra kamionë hynin dhe dilnin përmes një rruge të sapo rehabilituar, ndërsa në terren ishin të pranishëm ekskavatorë dhe shumë punonjës.

“Komunikova me një nga punonjësit aty duke i thënë se isha për vëzhgim shpendësh dhe ata më thanë se kishin nisur hapjen e një kantieri,” u shpreh Bino.

Ai shtoi se punonjësit nuk mbanin shenja identifikuese, ndërsa mjetet kishin shënime në italisht, pa elementë që i lidhnin drejtpërdrejt me një kompani të caktuar.

Sipas AOS, ndërhyrjet mund të lidhen me projektet e përfolura zhvillimore në zonën e Zvërnecit, të cilat prej vitit 2024 kanë përmendur si investitor të interesuar dhëndrin e Presidentit Amerikan, Jared Kushner.

Në këtë kontekst është përmendur edhe Kastrati Group si një nga kompanitë që mund të ketë rol ose si nënkontraktor ose si partner zhvillues, ndonëse nuk ka konfirmim zyrtar.

Citizens.al kontaktoi përfaqësuesit për komunikimin me median të kësaj kompanie, të cilët deklaruan se nuk mund të jepnin një përgjigje konkrete pasi “momentalisht shumica e stafit janë ditë pushimi,” duke lënë si mundësi për një reagim për të hënën.

Mbi ngjarjen reagoi edhe Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), e cila i bëri thirrje autoriteteve ligjzbatuese të ndalojnë “këtë dhunim të pakthyeshëm të zonës së mbrojtur”.

“I kërkojmë qeverisë të ndalojë planet e papublikuara dhe të bëjë transparencë mbi atë që po ndodh në deltën e lumit Vjosa!” citohet në qëndrimin e organizatës.

Në përmbyllje, PPNEA theksoi se, edhe pse qeveria ndryshoi ligjin për Zonat e Mbrojtura për të lejuar ndërtimin e resorteve me 5 yje, edhe ky ligj po shkelet pasi rastet tregojnë se nuk po ndiqet asnjë procedurë.

Çfarë përfaqëson zona Pishë-Poro-Nartë

Zona e denoncuar ndodhet në veri të Vlorës dhe është pjesë e kompleksit ligatinor të Nartës që kufizohet më tej nga delta e Vjosës.

Ajo gëzon statusin “Peizazh i Mbrojtur”, që lejon vetëm aktivitete të kufizuara dhe kërkon procedura të rrepta për çdo ndërhyrje, përfshirë vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe konsultimin publik.

Pishë-Poro-Nartë konsiderohet një nga habitatet më të rëndësishme për shpendët në Shqipëri, ku janë regjistruar rreth 200-300 specie, përfshirë shpendë migratorë me rëndësi ndërkombëtare.

Por kjo zonë ka qenë prej vitesh nën presion të vazhdueshëm zhvillimi.

Një nga projektet më të debatueshme ka qenë dhe mbetet Aeroporti i Vlorës, ndërtimi i të cilit ka nisur pikërisht pa leje të zbardhur ndërtimi në vitin 2021, duke u kundërshtuar nga organizata mjedisore për shkak të ndikimit në habitatet e shpendëve.

Së fundmi, SPAK ka marrë të pandehur tre anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për këtë projekt, nën dyshimin për paracaktim të fituesit të koncesionit.

Paralelisht, investime të tjera të përfolura, si resorti turistik në ishullin e Sazanit i lidhur me Kushner, apo dhe ideja për zhvillimin e zonës ligatinore të Zvërnecit me të njëjtin propozim, kanë ngritur shqetësime të reja mbi ndryshimet ligjore që prekin zonat e mbrojtura.

Citizens.al ka raportuar vazhdimisht për këtë çështje duke vënë në pah edhe ndryshimin që pati ligji për portet turistike, i cili tashmë u jep të drejtë “investitorëve strategjikë” të privatizojnë edhe të detin.

Reagimi deri më sot ka qenë i vakët, përgjithësisht nga organizatat mjedisore dhe aktivistë individual. “SOS: Po grabitemi!” ishte një instalacion në rërë që u realizua me këtë qëllim nga artistë si formë ndërgjegjësimi ndaj këtyre “planeve strategjike,”.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka informacion zyrtar nëse aktivitetet e evidentuara në terren janë të pajisura me leje ndërtimi apo dokumentacion mjedisor.

Po ashtu, mbetet e paqartë nëse ndërhyrjet lidhen me ndonjë nga projektet e njohura apo përfaqësojnë një zhvillim të ri në fazë paraprake.

Në mungesë transparence dhe reagimi institucional, rasti ngre pikëpyetje mbi respektimin e statusit të zonës së mbrojtur dhe procedurave ligjore për zhvillimet në territore me rëndësi të lartë ekologjike.

Lexoni gjithashtu:

The post Kantier ndërtimi në Pishë-Poro-Nartë, organizatat denoncojnë punimet pa leje appeared first on Citizens.al.

1 Maj: 48 jetë të humbura në 2025, siguria në punë mbetet emergjencë

1 May 2026 at 16:36

Siguria në punë ishte kryefjala e tubimit publik këtë 1 Maj, që bëri bashkë dhjetëra punëtorë, sindikata dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Gjatë vitit të shkuar, 48 punonjës humbën jetën në vendin e punës, ndër të cilat edhe 2 gra dhe qindra të tjerë u plagosën.

Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë parashtroi në Sheshin Miqësia vështirësitë me të cilat përballen punëtorët në të gjithë sektorët. Ndërsa siguria në punë ishte çfarë mbizotëroi në fjalime, për shkak të numrit të lartë të humbjes së jetëve.

Esmeralda Hoxha, nga Qendra Aleanca për Zhvillim Gjinor (GADC), u shpreh se këto nuk mund të jenë vetëm statistika.

“48 jetë humbën në vendin e punës në 2025-ën. 48 familje, prindërit nuk u kthyen në shtëpi. 48 familje po rrisin jetimë. 48 gra kryefamiljare tashmë vuajnë për të përmbyllur muajin. Pse? Sepse mbështetja sociale më mbrapa mungon”, deklaroi Hoxha.

Në një deklaratë të përbashkët, të lexuar nga Dritan Shahu, i Sindikatës së Sektorit të Hidrokarbureve nënvizoi se kërkohet veprim i menjëhershëm nga qeveria dhe institucionet përgjegjëse.

“Të rrisin urgjentisht numrin dhe efektivitetin e inspektimeve në punë, veçanërisht në sektorët me risk të lartë; Të vendosin masa ndëshkuese reale dhe të zbatueshme ndaj punëdhënësve që shkelin rregullat e sigurisë”, tha Shahu.

Mes të tjerash ai ndaloi edhe te sektori hidrokarbur, të cilin përfaqëson, ndërsa kërkoi që naftëtarët të trajtohen me dinjitet.

“Duhet që statusi të ndryshojë, duhet që përfitimi për statusin nga 0.6% që është sot në vit pune mbi pension, të shkojë në 1% siç ka qenë parashikuar në vitin 2017”, deklaroi përfaqësuesi i Sindikatës së Sektorit të Hidrokarbureve.

Njëkohësisht, para Ministrisë së Ekonomisë një tjetër bashkim sindikatash, nën emërtimin Unioni i Sindikatave bëri bashkë punëtorë dhe pensionistë, ndërsa në thirrjet e tyre kërkoheshin të drejta dhe dinjitet në punë.

Edison Hoxha nga Qendra për të Drejtat në Punë, tha për Citizens.al se thirrjet e sotme janë për adresim të menjëhershëm të sigurisë dhe të shëndetit në punë, të punonjësve, veçanërisht në sektorët më të vështirë të ekonomisë.

“Veçanërisht sektori i ndërtimit që është nga sektorët më problematikë dhe ku numri më i madh i personave dhe punonjësve që kanë humbur jetën vjen pikërisht nga ky sektor”, deklaroi Hoxha.

Sipas tij, përpos numrit të lartë të humbjes së jetëve në vitin 2025, të larta janë edhe aksidentet në punë.

“Janë 275 aksidente që kanë ndodhur vetëm gjatë vitit 2025 dhe kjo është një shifër alarmante për tregun e punës që ne kemi këtu. Po ta krahasojmë me vitin 2024 është gati një dyfishim, nga 177 në vitin 2024”, deklaroi Hoxha.

Të pranishëm në tubimin e mbajtur në Sheshin Miqësia ishin edhe punëtorë të pastrim-gjelbërimit dhe të fasonerive, por dhe pse morën pjesë në këtë tubim, shumica e tyre qëndruan me maskë dhe kapele për të mbuluar identitetin, me frikën nga dallimi i tyre prej punëdhënësve.

“Gjatë punës që ne bëjmë, hasim vështirësi, punojmë në shi, në vapë, në pluhur, mes zhurmës së përditshme të Tiranës dhe mbetjeve të rrezikshme”, u shpreh njëri prej tyre.

Ervis Çota nga Lëvizja Rinore Egjyptiane dhe Rome paraqiti të njëjtën situatë për këtë sektor.

“Ka sektorët ku rreziku është i dukshëm, por ka edhe nga ata sektorë që mbeten në hije, janë njerëz të padukshëm. Dhe në fakt punëtorët e pastrimit janë një prej tyre”, u shpreh Çota.

Valentin Macaj nga  Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë tha se paga e punonjësve të policisë edhe pse më e lartë se ajo minimale, nuk plotëson standardet e jetesës dinjitoze.

“80% e punonjësve nuk bëjnë pushime vjetore, janë në kredi”, shtoi Macaj.

Përfaqësues të Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor, të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shqiptar, të Universiteteve, të Psikologëve po ashtu sollën në shesh shqetësimet e tyre të përditshme dhe bënë thirrje për përfshirje të punonjësve të këtyre sektorëve në vendimmarrje.

Mes të tjerash, Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë kërkoi transparencë dhe raportim publik për çdo aksident me vdekje në punë; institucionalizimin e mjekësisë së punës së pjesë e sistemit publik; bërjen efektive këshillat e sigurisë dhe shëndetit në punë; forcimin e dialogut social dhe mbrojtje për punëtorët që denoncojnë shkeljet.

The post 1 Maj: 48 jetë të humbura në 2025, siguria në punë mbetet emergjencë appeared first on Citizens.al.

❌