Normal view

Kriza e strehimit në Spanjë: Pse të rinjtë po lënë qytetet për fshatrat

25 August 2026 at 16:49

13% e personave që synojnë të blejnë një banesë planifikojnë të zhvendosen në zona me më pak se 10 mijë banorë. Mes tyre mbizotërojnë të rinjtë rreth 35 vjeç, me të ardhura mesatare, të cilët po i shohin zonat rurale të Spanjës si një rrugëdalje nga një treg banesash që është bërë i papërballueshëm.

 

Spanja po përballet prej vitesh me një krizë strehimi që sa vjen e thellohet dhe që tashmë po ndryshon mënyrën se si të rinjtë mendojnë për të ardhmen e tyre.

Për shumicën e personave nën 40 vjeç, blerja e një apartamenti në Madrid, Barcelonë apo Malaga është bërë thuajse e pamundur. As qiraja nuk ofron më një alternativë të përballueshme. Të rinjtë që largohen nga shtëpia e prindërve për të jetuar më vete shpenzojnë mesatarisht 98.7% të pagës për strehimin.

Pasojat janë të dukshme. Vetëm 14.5% e të rinjve të moshës 16-29 vjeç kanë arritur të jetojnë të pavarur nga familja, ndërsa mosha mesatare e largimit nga shtëpia e prindërve është rritur në 30 vjeç, kundrejt 26 vjeç në Bashkimin Europian.

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave të Spanjës (INE), në vitin 2025, 44.3% e personave të moshës 26-34 vjeç vazhdonin të jetonin në shtëpinë e familjes.

Brezi i mëparshëm mund të blinte një apartament, një makinë dhe në disa raste edhe një shtëpi të dytë me një pagë mesatare. Për shumë të rinj sot, kjo është kthyer në një perspektivë pothuajse të paarritshme.

Mungesa e banesave dhe kërkesa e lartë kanë shtyrë më tej çmimet. Sipas Bankinter, çmimet e shitjes janë rritur me 14.7% gjatë vitit të fundit, ndërsa qiratë me 10.9%. Në të njëjtën kohë, pagat e personave nën 35 vjeç kanë shënuar shumë pak rritje në terma realë.

Presionit financiar i shtohet edhe cilësia e jetës në qytetet e mëdha, ku dendësia e lartë e popullsisë, ndotja dhe ritmi i jetesës po i shtyjnë disa të rinj të kërkojnë alternativa më të qeta dhe më të përballueshme.

Për këtë arsye, gjithnjë e më shumë prej tyre po shohin drejt fshatrave dhe qytezave që kanë humbur banorë gjatë dekadave të fundit, ku blerja e një shtëpie nuk është kthyer ende në një luks të paarritshëm.

 

Fshati po kthehet në alternativë

Në Spanjë ka qenë prej kohësh traditë që familjet të kthehen në fshat gjatë verës.

Shumë fëmijë kishin një fshat ku shkonin për pushime dhe ata që nuk e kishin, shpesh udhëtonin me miqtë drejt vendlindjeve të gjyshërve të tyre. Për ta, fshati lidhej me ditët larg rrëmujës së qytetit, me notin në lumë, lojërat dhe kohën e kaluar me kushërinjtë.

Ata fëmijë janë sot të rritur dhe po përballen me një realitet ku blerja e një banese në një qytet të madh kërkon një përpjekje financiare gjithnjë e më të madhe.

Si rrjedhojë, po shfaqet një lëvizje në drejtim të kundërt me atë të prindërve dhe gjyshërve të tyre: të rinjtë po kthejnë sytë nga bashkitë e vogla, ku një shtëpi mund të blihet ende me një çmim të përballueshëm.

Një pjesë e brezit që normalisht do të ishte në fazën e blerjes së apartamentit të parë në qytet po kërkon tashmë mundësi të tjera.

Sipas një studimi të Fotocasa Research, të zhvilluar në gjysmën e parë të vitit 2026, 13% e personave që kërkojnë një banesë në Spanjë planifikojnë të zhvendosen gjatë muajve të ardhshëm në një bashki me më pak se 10 mijë banorë.

Nuk bëhet fjalë kryesisht për pensionistë në kërkim të qetësisë, por për njerëz të rinj dhe në moshë aktive pune.

Profili që del nga studimi është i qartë: personat që po përballen me kostot gjithnjë e më të larta të strehimit janë mesatarisht 35 vjeç, kanë të ardhura mujore nga 1,000 deri në 3,000 euro dhe, në shumë raste, vazhdojnë të jetojnë me prindërit.

Pjesa më e madhe vjen nga Katalonja (22%), Andaluzia (19%) dhe Madridi (18%). Por një element tjetër është edhe më domethënës: shumica nuk jeton aktualisht në kryeqytetet më të mëdha. Rreth 44% banojnë në bashki me më shumë se 50 mijë banorë që nuk janë kryeqendra provincash.

Pra, shumë prej tyre tashmë janë larg qyteteve më të mëdha dhe tani janë të gatshëm të bëjnë një hap tjetër drejt zonave më të vogla.

 

Një ndryshim brezash, jo një modë kalimtare

“Po ndryshon imazhi tradicional i rikthimit të popullsisë në zonat rurale. Sot, ata që duan të vendosen në një fshat janë kryesisht të rinj, në moshë pune dhe me një projekt jete ende për t’u ndërtuar”, tha María Matos, drejtuese e kërkimeve dhe zëdhënëse e Fotocasa.

Sipas saj, tendenca po e kthen zonën rurale në një alternativë reale për banim. Por që kjo të shndërrohet në një rikthim të qëndrueshëm të popullsisë, duhen më shumë vende pune, shërbime, lidhje të mirë me internetin dhe infrastrukturë që t’i bindë njerëzit jo vetëm të zhvendosen, por edhe të qëndrojnë.

Edhe mosha e personave të interesuar e përforcon tendencën. Të rinjtë 18-24 vjeç përbëjnë 23% të atyre që planifikojnë të zhvendosen në zona rurale, ndërsa grupmosha 25-34 vjeç zë 38%.

Janë pikërisht grupmoshat që tradicionalisht do të kërkonin apartamentin e parë në qytet. Sot, një pjesë e tyre po heq dorë nga kjo mundësi.

Mes atyre që planifikojnë të zhvendosen, 31% jetojnë me partnerin dhe fëmijët, ndërsa 30% vazhdojnë të jetojnë me prindërit. Kjo e bën të qartë se për shumë prej tyre lëvizja nuk lidhet vetëm me dëshirën për një mënyrë tjetër jetese, por edhe me vështirësinë për të siguruar një banesë të përshtatshme në qytet.

 

“Spanja e zbrazur” si rrugëdalje

Ajo që për dekada është konsideruar një nga problemet e Spanjës – largimi i banorëve nga fshatrat dhe zhvendosja e të rinjve drejt qyteteve – po kthehet paradoksalisht në një mundësi.

Në shumë fshatra dhe qyteza ka ende banesa të lira dhe me çmime dukshëm më të ulëta se në qendrat urbane.

Por problemi është se pikërisht këto zona kanë humbur popullsi për vite me radhë dhe shpesh nuk ofrojnë vende pune të qëndrueshme, shërbime shëndetësore cilësore, shkolla, internet të shpejtë apo transport publik të mjaftueshëm.

Ky mbetet kushti kryesor që duhet të ndryshojë nëse zhvendosja e të rinjve drejt zonave rurale do të kalojë nga një prirje e përkohshme në një alternativë reale ndaj krizës së strehimit.

Për momentin, shifrat flasin për një brez që është i gatshëm ta provojë. Një brez i goditur nga kriza të njëpasnjëshme, që nuk kërkon luks, por mundësinë për të jetuar në mënyrë të pavarur, për të pasur një shtëpi të vetën dhe për të ndërtuar të ardhmen.

Në Spanjën e vitit 2026, për shumë të rinj, kjo po duket më e realizueshme në një fshat të Teruelit apo Cuencës sesa në një lagje të Madridit, Barcelonës apo qyteteve të tjera të mëdha./ Euronews

The post Kriza e strehimit në Spanjë: Pse të rinjtë po lënë qytetet për fshatrat appeared first on Revista Monitor.

Hapen më 27 Gusht aplikimet për kredi shtëpie me 0% interes për 300 punonjës

By: Ornela
25 August 2026 at 15:29

300 punonjësve të administratës u jepet mundësia të përfitojnë kredi me 0% interes për blerje apartamenti.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit njoftoi hapjen e thirrjes për aplikim për 300 kredi me 0% interes për blerjen e një banese për punonjësit e administratës publike.

Aplikimet nisin nga 27 Gushti 2026 dhe përfundojnë më 25 Shtator 2026.

Financim sipas çmimit të referencës dhe sipërfaqes sipas certifikatës familjare

Në aplikime do të përfshihen punonjësit e 5 institucioneve me kuota nga 20 deri në 70 aplikime.

Konkretisht, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale – 70 kuota; Ministria e Mbrojtjes – 70 kuota; Ministria e Arsimit – 70 kuota; Ministria e Punëve të Brendshme – 70 kuota dhe Policia e Burgjeve / Ministria e Drejtësisë – 20 kuota.

Aplikimet do të kryhen nëpërmjet e-Albania.

Kriteret kryesore përfshijnë nga mospasja e një prone në pronësi, të mos jenë përfitues nga programe të tjera sociale etj.

Të jeni i punësuar në administratën publike, sipas përcaktimeve të ligjit “Për strehimin social”;

-Të mos keni banesë në pronësi ose në proces legalizimi, ose të keni një banesë nën normat e strehimit;

-Të mos zotëroni pasuri të paluajtshme apo të luajtshme me vlerë mbi gjysmën e vlerës së banesës që do të blihet me kredi të lehtësuar;

-Të mos jeni përfitues nga programe të tjera të strehimit social.

 

The post Hapen më 27 Gusht aplikimet për kredi shtëpie me 0% interes për 300 punonjës appeared first on Revista Monitor.

Buxheti mblodhi 51 miliardë lekë më shumë në 7-mujor, një e treta nga lejet e ndërtimit

25 August 2026 at 14:12

Të ardhurat totale, për periudhën Janar-Korrik 2026, arritën në rreth 484.6 miliardë lekë, duke u rritur me 11.8%, ose 51 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.

Sipas ndarjeve paraprake, të ardhurat nga tatimet e doganat ishin 20.8 miliardë lekë më shumë, ato nga sigurimet shoqërore e shëndetësore 13.9 miliardë lekë më shumë, ndërsa pjesa tjetër, prej rreth 16 miliardë lekë, ose një e treta e rritjes kanë ardhur nga taksat vendore, kryesisht nga arkëtimet nga taksa e infrastrukturës për ndërtimet e reja, një tregues i nivelit të lartë të lejeve të ndërtimit të dhëna në pjesën e parë të vitit.

Taksa e infrastrukturës në ndërtim është bërë një element i rëndësishëm që ka ndikuar në rritjen totale të të ardhurave buxhetore në tre muajt e parë të vitit.

Të dhënat e mëparshme për 6 mujorin e parë 2026 treguan se janë arkëtuar nga ‘taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja’ në të gjithë vendin 18.3 miliardë lekë, ose tre herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë (+200%).

Ku do shkojë Tirana?! Në janar-qershor jepen 5-fish leje për ndërtime rekord, me vlerë 1.6 mld euro

Buxheti vijon të jetë në suficit, me të ardhurat që janë më të larta sesa shpenzimet. Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën Janar-Korrik 2026, arritën në rreth 433.2 miliardë lekë, me një realizim në masën 98.2 % të planit të periudhës.

 

Performanca Paraprake e të Ardhurave dhe Shpenzimeve për Janar-Korrik 2026:

Të ardhurat totale, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u rritën me rreth 51.1 miliardë lekë ose 11.8 % më shumë, një realizim në masën 58.9 % të planit vjetor të mbledhjes së të ardhurave sipas buxhetit fillestar dhe 57.5% sipas Aktit Normativ nr.2.

Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë në shumën 307.9 miliardë lekë, 20.8 miliardë lekë ose 7.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale), për periudhën Janar-Korrik 2026, u realizuan në shumën 165.9 miliardë lekë, 15.7 miliardë lekë ose 10.4% më shumë se shtatëmujori i vitit 2025.

Krahasuar me planin e shtatërmujorit, të ardhurat e mbledhura janë 1.2 miliardë lekë ose 0.7% më shumë.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizuan në shumën 49 miliardë lekë, 9.8 miliardë lekë ose 25.1% më shumë se shtatëmujori 2025, dhe me realizim në shumën prej 1.2 miliardë lekë ose 102.6% të planit për shtatëmujorin e vitit 2026. Rimbursimet e dhëna për periudhën Janar-Korrik 2026 janë në shumën 8.8 miliardë lekë.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në shumën 34.6 miliardë lekë, me realizim në masën 98.3% të planit për shtatëmujorin 2026.

Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë në shumën 56.6 miliardë lekë, 8.4 miliardë lekë ose 17.3% më shumë se shtatëmujori i vitit 2025, si dhe 471 milionë lekë ose 0.8% më shumë se plani për shtatëmujorin 2026.

Të ardhurat nga taksat nacionale, për periudhën Janar-Korrik 2026, u realizuan në shumën 25.6 miliardë lekë, një realizim në masën 100.2% të planit për shtatëmujorin 2026.

Të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH, periudhën Janar-Korrik 2026, u realizuan në shumën 117.6 miliardë lekë, 13.9 miliardë lekë ose 13.4% më shumë se shtatëmujori 2025, si dhe me realizim prej 100.3% të planit për shtatëmujorin 2026.

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare), për periudhën Janar-Korrik 2026, u realizuan në vlerën 142 miliardë lekë, 5.2 miliardë lekë ose 3.8% më shumë se shtatëmujori i vitit 2025, me realizim 99% të planit për periudhën shtatëmujore 2026 për të ardhurat doganore.

Të ardhurat nga TVSH në import, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë 94.4 miliardë lekë, 3.3 miliardë lekë ose 3.6% më shumë se 7-mujori i vitit 2025, si dhe realizim në masën 98.7% të planit për periudhën shtatëmujore 2026.

Të ardhurat nga akciza, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë realizuar në shumën 40.5 miliardë lekë, 1.5 miliardë lekë ose 3.9% më shumë se shtatëmujori i vitit 2025, si dhe realizim në masën 99.5% të planit për shtatëmujorin 2026.

Të ardhurat e arkëtuara nga renta minerare në eksport, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë në shumën 1.1 miliardë lekë, një realizim në masën 104.9 % kundrejt planit të shtatëmujorit 2026.

Të ardhurat nga taksat doganore, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë në vlerën 6 miliardë lekë, 483 milionë lekë ose 8.8% më shumë se periudha 7-mujore e viti 2025, si dhe realizim prej 98.8% kundrejt planit të shtatëmujorit 2026.

 

Shpenzimet:

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 7-mujore të vitit 2026, arritën në rreth 433.2 miliardë lekë, me një realizim në masën 98.2% të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025 ky zë ka rezultuar 7.8% më i lartë ose rreth 31.3 miliardë lekë më shumë.

Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 7-mujorin e vitit 2026 u realizuan në masën 48.8% të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 47.8% të planit vjetor sipas Aktit Normativ Nr. 2, datë 30.06.2026.

Shpenzimet kapitale, për periudhën 7-mujore të vitit 2026, rezultuan në 49.1 miliardë lekë, një realizim në masën 96.3% të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 10.1% më i lartë ose rreth 4.5 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet korente, për periudhën 7-mujore të vitit 2026, rezultuan në rreth 384.1 miliardë lekë, ose me realizim në masën 98.5 % të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 7.5% më i lartë ose rreth 26.8 miliardë lekë më shumë.

 

The post Buxheti mblodhi 51 miliardë lekë më shumë në 7-mujor, një e treta nga lejet e ndërtimit appeared first on Revista Monitor.

Nuk ndalet rënia e Euros, arrin minimum të ri historik pranë 92.4 lekëve

25 August 2026 at 13:13

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun nuk po e ndal rënien as këtë javë dhe ka prekur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të martën me 92.44 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Që nga fillimi i vitit kalendarik, kursi Euro/Lek ka rënë me 4.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia e kursit ka arritur në 4.9%. Të dhënat tregojnë se rënia e kursit të Euros është shpejtuar sidomos gjatë vitit 2026.

Oferta e lartë e valutës e lidhur me sezonin veror e ka thelluar akoma një tendencë rënëse të Euros që ishte shfaqur qysh në tremujorin e parë të vitit. Banka e Shqipërisë e shpjegon këtë tendencë kryesisht me përmirësimet e Bilancit të Pagesave.

Statistikat treguan se për tremujorin e parë të vitit deficiti i llogarisë korrente u tkurr në 228 milionë euro, në rënie me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, investimet e huaja direkte arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Ato u rritën me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e volumeve të këmbimit valutor dhe rrjedhimisht edhe forcimi i vazhdueshëm i Lekut ngelet e lidhur ngushtë me ecurinë e Bilancit të Pagesave.

Sipas saj, analiza e kombinuar e të dhënave të tregut valutor dhe atyre të bilancit të pagesave deri në tremujorin e parë rikonfirmoi lidhjen e ngushtë ndërmjet vëllimeve të tregtimit në tregun valutor dhe flukseve të shkëmbimeve të mallrave e shërbimeve me jashtë.

Ndërkohë, duke pasur parasysh tendencën e zakonshme të rritjes së prurjeve valutore në tremujorin e dytë dhe veçanërisht në atë të tretë, duket se një ecuri e tillë mund ta shpjegojë shpejtimin e zhvlerësimit të Euros në kursin e këmbimit me Lekun.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se vëllimi i tregtimit valutor në tregun e brendshëm arriti një rekord të ri historik në tremujorin e dytë të vitit. Vlera e këmbimeve valutore arriti në gati 4.5 miliardë euro, në rritje me rreth 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Volumi i këmbimeve valutore madje kaloi edhe vlerat e regjistruar në tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

Rënia e Euros duket se po shpejtohet përsëri këtë vit, pasi ishte ngadalësuar disi vitin e kaluar. Banka e Shqipërisë vazhdon të jetë e pranishme në tregun valutor, duke blerë rregullisht Euro, me qëllim për ta ngadalësuar këtë tendencë. Vetëm për tremujorin e parë, Banka Qendrore bleu rreth 140 milionë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.

The post Nuk ndalet rënia e Euros, arrin minimum të ri historik pranë 92.4 lekëve appeared first on Revista Monitor.

Projekti i ri për turizmin, FSHZH kërkon kompani për studimin e fizibilitetit

25 August 2026 at 12:13

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur procedurën për përzgjedhjen e një kompanie konsulence që do të hartojë studimin e fizibilitetit për projektin “Projekti për Zhvillimin e Ekosistemit të Turizmit në Shqipëri”, një nismë që po përgatitet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës Botërore.

Sipas termave të referencës të publikuara nga FSHZH, konsulenti do të ketë për detyrë përgatitjen e një studimi të plotë fizibiliteti, i cili do të mbulojë aspektet teknike, institucionale, financiare dhe ekonomike të projektit, kostot, ndikimet mjedisore dhe sociale, vlerësimin e riskut dhe qëndrueshmërinë e investimeve të propozuara.

Projekti synon të mbështesë zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Turizmit 2024–2030, me fokus rritjen e konkurrueshmërisë, qëndrueshmërisë dhe cilësisë së shërbimeve në destinacionet turistike. Ai parashikohet të ndërtojë mbi eksperiencën e Projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik, i cili u mbyll në qershor 2026.

Koncepti i projektit përfshin forcimin e menaxhimit të destinacioneve, investime të përzgjedhura në infrastrukturë dhe asete turistike, mbështetje për konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të turizmit, zhvillimin e aftësive të fuqisë punëtore dhe rritjen e koordinimit mes sektorit publik dhe atij privat.

Në fokusin fillestar gjeografik pritet të jetë klasteri i Jugut të Brendshëm, ndërsa zona të tjera potenciale do të përcaktohen gjatë përgatitjes së projektit, në varësi të gatishmërisë së investimeve, ndikimit të pritshëm dhe kufijve të financimit. Modeli parashikon gjithashtu lidhjen e qendrave të konsoliduara turistike me zonat rurale, asetet kulturore dhe natyrore, agroturizmin, fshatrat dhe eksperiencat e turizmit në natyrë.

FSHZH pritet të jetë agjencia kryesore zbatuese e projektit, ndërsa Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit do të ketë rolin e institucionit kryesor partner për orientimin strategjik. Në proces do të përfshihen gjithashtu Ministria e Financave, Agjencia Kombëtare e Turizmit, AIDA, institucionet e punësimit dhe aftësive, pushteti vendor dhe aktorë të tjerë të sektorit.

Kompania që do të përzgjidhet duhet të mobilizojë ekspertizë në zhvillimin e turizmit dhe menaxhimin e destinacioneve, analizën ekonomike dhe financiare, planifikimin e infrastrukturës dhe territorit, zhvillimin institucional, çështjet mjedisore e sociale dhe përgatitjen e studimeve të fizibilitetit.

The post Projekti i ri për turizmin, FSHZH kërkon kompani për studimin e fizibilitetit appeared first on Revista Monitor.

Turizmi rifiton ritmin, hyrjet e të huajve rriten me 7.1% në korrik; mbi 7 milionë që nga janari

25 August 2026 at 11:10

Turizmi përshpejtoi ritmin e rritjes në korrik, duke ndryshuar panoramën e muajit paraardhës, kur hyrjet e shtetasve të huaj shënuan një rritje modeste prej vetëm 1.28%.

Të dhënat zyrtare për lëvizjen e shtetasve tregojnë se korriku regjistroi numrin më të lartë të hyrjeve të të huajve për këtë vit, me 1.95 milionë, nga 1.82 milionë në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Kjo përkthehet në një rritje vjetore prej 7.1%.

Në periudhën janar–korrik 2026, hyrjet e shtetasve të huaj arritën në 7.014 milionë, krahasuar me 6.587 milionë në të njëjtën periudhë të vitit 2025, ose 6.48% më shumë.

Ecuria më e fortë e korrikut ishte e pritshme për operatorët turistikë, të cilët e konsiderojnë këtë muaj dhe gushtin si pikun e sezonit veror dhe të gjithë vitit. Qershori, ndërkohë, u mbyll larg pritshmërive, me rezervime më modeste, veçanërisht nga turistët që rezervojnë në momentin e fundit.

Turizmi ka shfaqur një ecuri me luhatje gjatë këtij viti. Ritmet e rritjes kanë kaluar nga nivele dyshifrore në disa muaj në rritje thuajse të papërfillshme në të tjerë, ndërsa gjatë pranverës ecuria u ndikua edhe nga kushtet e motit.

Pritshmëritë për vitin mbeten që sezoni veror të vijojë me ritme pozitive, afërsisht të ngjashme me ato të vitit të kaluar. Operatorët presin që shifrat më modeste të regjistruara në disa muaj të pjesës së parë të vitit të kompensohen nga turet e vjeshtës, të cilat vitet e fundit kanë shënuar rritje të vazhdueshme të interesit.

Lëvizja e shtetasve, INSTAT

“Gjatë muajit Korrik 2026, rezultojnë të kenë hyrë, në territorin e Republikës së Shqipërisë, 2.826.615 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 6,1 %, krahasuar me Korrik 2025. Gjithashtu, 2.661.504 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 3,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Hyrjet në Shqipëri:  Shtetas shqiptarë: 871.516 (rritje me 4,1 %)  Shtetas të huaj: 1.955.099 (rritje me 7,1 %)

Daljet nga Shqipëria:  Shtetas shqiptarë: 790.261 (rritje me 0,9 %)  Shtetas të huaj: 1.871.243 (rritje me 4,3 %) Rajonet e hyrjes së shtetasve të huaj:  Evropa Jugore kontribuon me 64 % dhe Evropa Qendrore / Lindore me 13 % të hyrjeve nga Evropa.

Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 99 % të rasteve është për qëllime personale. Në Korrik 2026, ky tregues ka shënuar një rritje me 7,3 %, krahasuar me Korrik 2025. Hyrjet e shtetasve të huaj, për qëllime biznesi dhe profesionale kanë rënë me 8,9 %” thuhet  në publikimin e INSTAT.

Burimi: INSTAT

 

Burimi: INSTAT

Burimi: INSTAT

The post Turizmi rifiton ritmin, hyrjet e të huajve rriten me 7.1% në korrik; mbi 7 milionë që nga janari appeared first on Revista Monitor.

Kostot për kilometër bien në shumicën e kategorive të rrugëve në fillim të 2026-s

25 August 2026 at 11:00

Kostoja faktike për kilometër rruge ka rezultuar më e ulët në shumicën e kategorive të programit “Ndërtim rruge” gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2026, krahasuar me koston mesatare për njësi të gjithë vitit 2025, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së infrastrukturës dhe Energjisë, të publikuara në Raportin e Monitorimit për 4-mujorin e parë të vitit 2026.

Rënia më e fortë e kostos për kilometër është shënuar te ndërtimi i rrugëve të tipit B me dy korsi. Kostoja zbriti nga 353,2 milionë lekë për kilometër në vitin 2025 në 39,9 milionë lekë në 4-mujorin e parë të vitit 2026. Diferenca është rreth 313,3 milionë lekë për kilometër, që përfaqëson një rënie prej 88,7%.

Por ekspertet e sektorit pohojnë se diferenca e madhe mund të lidhet me fazën ku ndodhen projektet, llojin e punimeve të regjistruara gjatë 4-mujorit dhe kohën e kryerjes së pagesave. Kostoja e raportuar në një periudhë të ndërmjetme nuk përfaqëson domosdoshmërisht koston përfundimtare të projekteve.

Për ndërtimin e rrugëve të tipit C2 me dy korsi, kostoja për kilometër ra nga 105,9 milionë lekë në vitin 2025 në 96 milionë lekë gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2026. Rënia është rreth 9,9 milionë lekë për kilometër, ose 9,3%.

Kosto më e ulët është raportuar edhe për ndërtimin e rrugëve të tipit A me standardin e ri. Kostoja faktike ra nga 728 milionë lekë për kilometër në vitin 2025 në 579,6 milionë lekë në 4-rmujorin e parë të vitit 2026. Rënia është rreth 148,4 milionë lekë për kilometër, ose 20,4%.

Edhe në këtë kategori, diferenca mund të lidhet me fazat e punimeve të realizuara deri në fund të prillit. Punimet më të kushtueshme ose pagesat e lidhura me to mund të kryhen në pjesën tjetër të vitit, duke ndryshuar koston mesatare për kilometër, pohojnë ekspertët.

Ndryshe nga kategoritë e tjera, rritje është regjistruar te ndërtimi i rrugëve të kategorisë B. Kostoja u rrit nga 559,8 milionë lekë për kilometër në vitin 2025 në 670,8 milionë lekë në 4-mujorin e parë të vitit 2026. Rritja është rreth 111 milionë lekë për kilometër, ose 19,8%.

Megjithatë, kostoja faktike mbetet rreth 48% më e ulët se niveli prej 1,29 miliardë lekësh për kilometër i parashikuar në planin e vitit 2026. Rritja në raport me vitin e kaluar mund të lidhet me natyrën dhe kompleksitetin e punimeve të kryera në fillim të vitit, me përfshirjen e elementeve më të kushtueshme të projekteve ose me përqendrimin e pagesave në 4-mujorin e parë.

Të dhënat tregojnë kosto më të ulëta për njësi në katër nga pesë kategoritë ku krahasimi është i mundur. Megjithatë, shifrat e 4-mujorit janë paraprake dhe mund të ndryshojnë gjatë vitit, në varësi të ecurisë së punimeve dhe regjistrimit të pagesave./ B.Hoxha

The post Kostot për kilometër bien në shumicën e kategorive të rrugëve në fillim të 2026-s appeared first on Revista Monitor.

Singapori u ofron prindërve gati 78 mijë dollarë për fëmijë, në përpjekje për të rritur lindshmërinë

25 August 2026 at 10:27

Singapori ka prezantuar një paketë të re masash për të nxitur çiftet të kenë më shumë fëmijë, ndërsa vendi po përballet me rënie rekord të lindshmërisë dhe plakje të shpejtë të popullsisë.

Kryeministri Lawrence Wong njoftoi se çdo fëmijë me shtetësi singaporeane do të përfitojë pothuajse 70 mijë dollarë singaporeanë, rreth 77 mijë dollarë australianë ose 55 mijë dollarë amerikanë , në mbështetje të drejtpërdrejtë financiare, nga lindja deri në moshën 17-vjeçare.

Paketa e re, e quajtur “SG Child Support Package”, përfshin:

10 mijë dollarë singaporeanë dhuratë në para pas lindjes;
2 mijë dollarë në vit, nga mosha një deri në 16 vjeç;
5 mijë dollarë në llogarinë e zhvillimit të fëmijës;
deri në 5 mijë dollarë kontribute shtesë nga qeveria, në varësi të kursimeve të familjes;
10 mijë dollarë në llogarinë e arsimit pas përfundimit të shkollës së mesme.

Së bashku me grantin ekzistues prej 5 mijë dollarësh për shpenzimet shëndetësore të të porsalindurve dhe kontributet për arsimin, mbështetja totale arrin në rreth 69,500 dollarë singaporeanë për çdo fëmijë.

Shuma nuk do të jepet menjëherë, por do të shpërndahet gjatë 17 viteve të para të jetës së fëmijës. Skema do të zbatohet pavarësisht rendit të lindjes, gjendjes familjare apo statusit martesor të prindërve. Më shumë se 610 mijë fëmijë në rreth 380 mijë familje pritet të përfitojnë, ndërsa pagesat do të nisin në vitin 2027.

Qeveria do të ulë gjithashtu tarifat e kopshteve dhe çerdheve publike. Deri në vitin 2030, synohet që kujdesi ditor për fëmijët të kushtojë 150 dollarë singaporeanë në muaj, ndërsa ai për foshnjat 300 dollarë. Do të zgjerohet leja prindërore dhe shteti do të mbulojë një pjesë më të madhe të kostos së saj, për të shmangur penalizimin e prindërve në tregun e punës. Familjet me fëmijë do të kenë gjithashtu më shumë lehtësi për të blerë banesën e parë të subvencionuar.

Masat vijnë pasi shkalla e lindshmërisë në Singapor ra në nivelin rekord prej 0.87 fëmijësh për grua në vitin 2025, nga 0.97 një vit më parë. Kjo është shumë poshtë nivelit prej 2.1 fëmijësh që nevojitet për zëvendësimin natyror të popullsisë.

Singapori, me pak më shumë se 6 milionë banorë, po shndërrohet në një shoqëri “super të plakur”. Deri në vitin 2030, një në katër qytetarë pritet të jetë mbi 65 vjeç.

“Vendimi për të pasur fëmijë është thellësisht personal dhe politikat, të vetme, nuk mund ta ndryshojnë atë. Por ne mund t’ua bëjmë më të lehtë qytetarëve që dëshirojnë të krijojnë dhe të rrisin një familje”, deklaroi Wong./FINANCIAL REVIEW

The post Singapori u ofron prindërve gati 78 mijë dollarë për fëmijë, në përpjekje për të rritur lindshmërinë appeared first on Revista Monitor.

Depozitat me afat shënojnë rritjen më të lartë në 20 vjet

25 August 2026 at 10:00

Depozitat bankare me afat po shënojnë rritjen më të lartë në 20 vitet e fundit.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, në mesin e vitit 2026, depozitat me afat në monedhën vendase arritën vlerën e 244.3 miliardë lekëve, në rritje me 14.8% krahasuar me një vit më parë. Rritja e depozitave me afat është shpejtuar ndjeshëm krahasuar me nivelin prej 9.3% të fundit të vitit 2025.

Depozitat me afat po rriten për të tretin vit radhazi. Ritmi i rritjes së tyre ka arritur nivelet më të larta që prej vitit 2007.

Rritja e shpejtë e depozitave me afat mund të shpjegohet me disa faktorë, duke filluar nga rritja e ofertës së parasë në përgjithësi.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se në fund të muajit qershor, rritja vjetore e agregatit monetar M2 ishte 15.9%, me ritme më të larta edhe krahasuar me rritjen prej 13.4% të fundit të vitit të kaluar. Kjo është njëkohësisht rritja më e lartë historike vjetore e treguesit në fjalë.

Rritja e lartë e ofertës së parasë po mbështetet nga kreditimi me ritme të larta i ekonomisë dhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor, për të frenuar forcimin e monedhës vendase.

Gjithashtu, përmirësimi i normave të interesit të depozitave pas vitit 2024 duket se ka rritur disi stimujt e publikut për të vendosur kursimet në depozita me afat. Në terma mesatarë, interesat e depozitave me afat në Lekë nuk kanë shënuar rritje domethënëse as në gjysmën e parë të këtij viti.

Megjithatë, konkurrenca në rritje mes bankave po sjell norma maksimale interesi më të larta për depozitat, pavarësisht stanjacionit të normave mesatare të interesit.

Veçanërisht një grup bankash të përmasave të mesme, që po shfaqin ambicie për t’u rritur, po tregohen agresive në çmimin që ofrojnë për depozita dhe duket se kanë pasur sukses në zgjerimin e tyre në treg.

Një faktor tjetër që ka shtuar depozitat me afat në banka mund të jetë edhe tendenca në rënie e yield-eve të instrumenteve të borxhit qeveritar, që sidomos gjatë periudhës 2022-2023 i kishin bërë konkurrencë depozitave bankare në Lekë.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se investimet e individëve në tituj borxhi të qeverisë shqiptare janë në rënie për të katërtin vit radhazi. Për 6-mujorin 2026, vlera e investuar në ankandet e bonove dhe obligacioneve nga individët pësoi rënie me 13.2%.

Duke filluar nga viti 2014, depozitat me afat në Lekë patën nisur një cikël rënieje, që u ndikua sidomos nga ulja graduale e normave të interesit. Kursimet në banka filluan të dominoheshin kryesisht nga llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat. Vetëm pas vitit 2024, depozitat me afat në Lekë iu kthyen zgjerimit, të mbështetura nga rritja e normave të interesit dhe nga rritja e ofertës së parasë./ E.Shehu

Burimi: BSH

The post Depozitat me afat shënojnë rritjen më të lartë në 20 vjet appeared first on Revista Monitor.

Vapë dhe pagjumësi? Ja çfarë rekomandojnë ekspertët për të fjetur më mirë

25 August 2026 at 09:11

Temperaturat e larta nuk e bëjnë të vështirë vetëm ditën, por ndikojnë edhe te cilësia e gjumit. Sipas specialistëve të gjumit, kur trupi nuk arrin të ulë temperaturën e tij të brendshme, bëhet më e vështirë të biesh në gjumë dhe faza e gjumit të thellë shkurtohet, duke bërë që të zgjohesh më i lodhur në mëngjes.

Ekspertët rekomandojnë që temperatura ideale në dhomën e gjumit të jetë 16-18°C. Kur ajo kalon 24°C, rritet ndjeshëm rreziku për një gjumë të ndërprerë dhe të shqetësuar. Megjithatë, edhe pa ajër të kondicionuar ka disa mënyra praktike për ta bërë natën më të përballueshme.

Një nga këshillat kryesore është të mbani shtëpinë sa më të freskët gjatë ditës. Mbyllni perdet ose grilat në dritaret ku bie dielli dhe hapini dritaret vetëm në mbrëmje ose herët në mëngjes, kur temperatura jashtë është më e ulët. Kjo ndihmon në krijimin e një qarkullimi natyral të ajrit dhe pengon mbinxehjen e dhomës.

Nëse përdorni ventilator, zgjidhni një model të qetë për dhomën e gjumit dhe vendoseni në mënyrë që të ndihmojë qarkullimin e ajrit. Sipas ekspertëve, nuk është e nevojshme që ventilatori të fryjë drejtpërdrejt mbi trup gjatë gjithë natës; më e rëndësishme është të ndihmojë në uljen e temperaturës së ambientit.

Rëndësi ka edhe zgjedhja e çarçafëve dhe pizhameve. Materialet natyrale si pambuku ose liri janë më të përshtatshme, sepse lejojnë lëkurën të marrë frymë dhe nuk mbajnë nxehtësinë si fibrat sintetike. Nëse është e mundur, mund të përdoren edhe dyshekë ose mbulesa që rregullojnë temperaturën.

Një tjetër këshillë është të bëni një dush me ujë të vakët para gjumit. Edhe pse uji shumë i ftohtë duket zgjidhja ideale, ai mund të nxisë trupin të prodhojë më shumë nxehtësi menjëherë pas dushit. Uji i vakët ndihmon trupin të ftohet gradualisht dhe e bën më të lehtë rënien në gjumë.

Për një natë më të qetë, specialistët këshillojnë gjithashtu të shmangni ushqimet e rënda, alkoolin dhe aktivitetin fizik intensiv pak para gjumit, si edhe të qëndroni të hidratuar gjatë gjithë ditës. Nëse zgjoheni natën, mbani pranë shtratit një shishe me ujë.

Së fundi, ekspertët kujtojnë se ankthi për faktin që nuk po flini mund ta përkeqësojë situatën. Edhe në netët shumë të nxehta, trupi do të arrijë të flejë, ndaj përpiquni të mos kontrolloni vazhdimisht orën dhe të mos stresoheni nëse gjumi vonon. Relaksimi është shpesh po aq i rëndësishëm sa temperatura e dhomës./THE GUARDIAN

The post Vapë dhe pagjumësi? Ja çfarë rekomandojnë ekspertët për të fjetur më mirë appeared first on Revista Monitor.

Kur ChatGPT bëhet “kolegu” i parë, ekspertët paralajmërojnë për një prirje të re në vendin e punës

25 August 2026 at 09:10

Inteligjenca Artificiale nuk po përdoret më vetëm për të shkruar email, për të përgatitur prezantime apo për të analizuar të dhëna.

Gjithnjë e më shumë punonjës po u drejtohen chatbot-eve si ChatGPT për të kërkuar këshilla mbi konfliktet në punë, marrëdhëniet me menaxherët, stresin apo edhe dilemat e karrierës.

Ky ndryshim po krijon një rol të ri për inteligjencën artificiale: nga një mjet produktiviteti në një burim mbështetjeje emocionale. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo prirje sjell edhe rreziqe që kompanitë dhe vetë punonjësit nuk duhet t’i nënvlerësojnë.

 

Pse punonjësit po i drejtohen AI-së?

Ka disa arsye pse gjithnjë e më shumë njerëz zgjedhin të konsultohen fillimisht me një chatbot.

Së pari, AI është gjithmonë e disponueshme. Nuk ka nevojë të presësh një takim me menaxherin apo departamentin e burimeve njerëzore dhe përgjigjet merren brenda pak sekondash.

Së dyti, shumë punonjës ndihen më rehat të shprehin shqetësimet e tyre para një sistemi që nuk i gjykon. Ata mund të përshkruajnë situata të vështira, të kërkojnë ndihmë për formulimin e një emaili delikat ose të diskutojnë mbi një vendim të rëndësishëm në karrierë.

Në shumë raste, chatbot-et përdoren edhe si një “bashkëbisedues” për të organizuar mendimet përpara se punonjësi të flasë me një koleg, menaxher apo psikolog.

 

Kufiri mes ndihmës dhe varësisë

Edhe pse AI mund të ndihmojë në strukturimin e ideve ose në sugjerimin e mënyrave të komunikimit, ekspertët theksojnë se ajo nuk është një profesionist i shëndetit mendor dhe nuk ka aftësinë të kuptojë plotësisht kontekstin njerëzor.

Një përgjigje mund të duket bindëse, por të mos marrë parasysh kulturën e kompanisë, historinë e marrëdhënieve mes kolegëve apo elementë të tjerë që ndikojnë në një situatë konkrete.

Ekziston gjithashtu rreziku që punonjësit të mbështeten tepër te këshillat e AI-së dhe të shtyjnë bisedat reale me menaxherët ose specialistët e burimeve njerëzore, edhe kur këto janë zgjidhja më e përshtatshme.

 

Çështja e privatësisë

Një tjetër shqetësim lidhet me informacionin që punonjësit ndajnë me chatbot-et.

Në përpjekje për të marrë një përgjigje sa më të personalizuar, disa mund të përfshijnë emra kolegësh, të dhëna të klientëve ose informacione të brendshme të kompanisë.

Kjo mund të krijojë rreziqe për privatësinë dhe sigurinë e të dhënave, sidomos nëse përdoren platforma publike që nuk janë të miratuara nga punëdhënësi.

Për këtë arsye, shumë organizata po hartojnë politika të qarta për përdorimin e inteligjencës artificiale, duke u kërkuar punonjësve të mos ndajnë informacione konfidenciale në chatbot-e.

Çfarë mund të bëjnë kompanitë?

Në vend që ta ndalojnë përdorimin e AI-së, ekspertët sugjerojnë që kompanitë të mësojnë si ta integrojnë atë në mënyrë të përgjegjshme.

Kjo nënkupton trajnime për përdorimin e sigurt të mjeteve të inteligjencës artificiale, udhëzime të qarta mbi informacionin që mund të ndahet dhe nxitjen e një kulture ku punonjësit ndihen të lirë të flasin hapur për sfidat e tyre.

Në fund të fundit, inteligjenca artificiale mund të jetë një mjet i dobishëm për të reflektuar, për të organizuar mendimet ose për të përgatitur një bisedë të vështirë.

Por ajo nuk mund të zëvendësojë gjykimin njerëzor, empatinë dhe besimin që ndërtohet në marrëdhëniet mes njerëzve.

Ndërsa përdorimi i AI-së në vendin e punës vazhdon të zgjerohet, sfida për kompanitë nuk është nëse punonjësit do ta përdorin atë, por si të sigurojnë që kjo teknologji të shërbejë si mbështetje dhe jo si zëvendësim i komunikimit njerëzor./ Harvard Business Review

The post Kur ChatGPT bëhet “kolegu” i parë, ekspertët paralajmërojnë për një prirje të re në vendin e punës appeared first on Revista Monitor.

Kompensimi i naftës te Transporti Publik, Financat të gatshme për 3 muaj shtesë, pritet propozimi

By: Ornela
25 August 2026 at 06:35

Kompensimi i naftës te Transporti Publik, Financat të gatshme për 3 muaj shtesë, pritet propozimi i Infrastrukturë

Shtrenjtimi i çmimit të naftës jo vetëm që po vështirëson koston e operimit te transporti publik privat, por ka rikthyer edhe një herë debatin mes ministrisë së Financave dhe asaj së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE).

Që prej muajit maj shoqatat e transportit publik vijojnë të përsërisin shqetësimin për mospërballimin e kostove nga shtrenjtimi i çmimit të naftës dhe për kohëzgjatjen e periudhës për të përfituar 50 lekë për litër kompensim për naftën.

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas vetëm gjatë muajit gusht ka përsëritur 2 herë kërkesën se kostoja e operimet mbetet e papërballueshme dhe se kjo shumë shpejt do të sjellë reduktim të mjeteve për lëvizjen e qytetarëve.

Shoqatat e Transportit kërkojnë zgjatje të kompensimit, paralajmërojnë rishikim të numrit të mjeteve

Alarmi i transportit, kërkohet kompensimi i naftës deri në shtator ose do të reduktojnë qarkullimin

Por shtyrja e afatit të kompensimit të naftës te transporti, duket se ka shkaktuar sërish debat mes ministrive, të Financave dhe Infrastrukturës dhe Energjisë.

Përsëri Ministria e Financave i është përgjigjur kërkesës së Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas për zgjatjen e afatit të kompensimit për transportin publik. Shoqata ka kërkuar që masa e përcaktuar në VKM nr. 341 të vijojë edhe për tre muaj, nga qershori deri në gusht 2026.

Ministria e Financave ia ka përcjellë kërkesën Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për trajtim dhe vlerësim. Në shkresë thuhet se Ministria e Financave është e gatshme të shqyrtojë çdo propozim që mund të paraqitet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, me shkresën datë 06.08.2026, ka paraqitur kërkesën për zgjatjen e afatit të zbatimit të VKM-së nr. 341, datë 13.05.2026, “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së kompensimit për shoqëritë e linjave të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës në kushtet e situatës së veçantë në tregun hidrokarbur” edhe për një periudhë shtesë prej 3 (tre) muajsh (Qershor-Korrik-Gusht).

Në vijim të sa më sipër, lutem trajtimin e kërkesës dhe vlerësimin e situatës brenda fushës së përgjegjësisë së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ministria e Financave shpreh gatishmërinë për të shqyrtuar çdo propozim që mund të paraqitet nga ana juaj”, theksohet në letrën e Ministrisë së financave drejtuar Ministrisë së ekonomisë.

Por nuk është hera e para që Ministria e Financave shprehet e gatshme për të shqyrtuar mundësinë për shtyrjen e afatit edhe me 3 muaj të kompensimit të naftës.

Edhe më një shkresë të 21 Maj 2026, Ministria e Financave i është drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke kërkuar shqyrtimin e kërkesës sonë brenda fushës së përgjegjësisë suaj institucionale dhe duke shprehur gatishmërinë për të shqyrtuar çdo propozim që mund të paraqitet nga ana juaj.

Shtyrja e kompensimit të naftës për transportin fut në “debat” Financat me Infrastrukturën

Edhe në komunikimin e fundit më 20 Gusht 2026 mes ministrive, Ministria e Financave shpreh sërish gatishmërinë për shqyrtimin e çdo propozimi që do të paraqitet nga Ministria e Infrastrukturës. Pra kërkon propozimet për shqyrtim.

Sakaq vendimi për dhënien e kompensimit në masën 50 lekë për litër, për një periudhë 3 mujore, më pak sesa u kërkua nga shoqatat e transportit nga qeveria u miratua në mesin e muajit Maj.

Vendimi përcakton se kompensimi do të llogaritet mbi shumën e konsumit të karburantit për periudhën mars, prill, maj 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2025, për secilën nga shoqëritë.

Efektet financiare llogariten në vlerën e 250 mln lekëve apo rreth 2.6 mln euro që do të përballohen në masën e 120 mln lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe 130 mln lekë nga buxheti i Bashkisë së Tiranës.

Më 1 gusht përfundoi afati për aplikimet për subvencionimin e naftës për operatorët e transportit publik. Për shkak të rritjes së çmimit të naftës e ndikuar nga konflikti në Lindjen e Mesme, operatorët përfituan kompensim në masën 50 lekë për litër për naftën e periudhës, mars-prill dhe maj. Por interesi për aplikim ka qenë i ulët.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban të bërë më herët publike për Monitor nga rreth 140 operatorë në të gjithë vendin (110 operatorë kryejnë aktivitet për linjat ndërqytetase dhe 30 për transportin urban në Tiranë) vetëm 35 kanë dorëzuar aplikimin apo rreth 25% e totalit.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj më herët tha se operatorët më të vegjël, të cilët disponojnë vetëm një ose dy mjete, nuk kanë mundur të aplikojnë për shkak të mungesës së dokumentacionit që provon shpenzimet për karburant. D.zo

25% e operatorëve aplikuan për subvencionin e naftës, pengesë informaliteti i të vegjëlve

 

The post Kompensimi i naftës te Transporti Publik, Financat të gatshme për 3 muaj shtesë, pritet propozimi appeared first on Revista Monitor.

Harta, Shqipëria mes vapës dhe zjarreve, Europa Perëndimore thyen rekordin e temperaturave

25 August 2026 at 06:03

Shqipëria u përfshi në zonën e temperaturave mbi mesataren gjatë periudhës qershor–korrik, ndërsa Europa Perëndimore regjistroi dy muajt më të nxehtë të kësaj periudhe që nga nisja e të dhënave të ERA5

Kështu raportoi Copernicus Climate Change Service pak ditë më parë në raportin e tij mujor.

Harta e publikuar, bazuar në të dhënat ERA5, e vendos Shqipërinë dhe një pjesë të Ballkanit Perëndimor mes zonave ku temperaturat e ajrit në sipërfaqe gjatë qershorit dhe korrikut 2026 ishin mbi mesataren e periudhës referuese 1991–2020.

Pamja në rajon ishte pjesë e një vere me kontraste të forta në kontinent, me anomalitë më të larta të përqendruara në Europën Perëndimore. Copernicus tha se kushtet e nxehta dhe të thata të zgjatura gjatë korrikut favorizuan gjithashtu përhapjen dhe intensifikimin e zjarreve në Europë.

Në Shqipëri, temperaturat e larta janë shoqëruar gjatë kësaj vere edhe me vatra zjarri. Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile tregojnë se gjatë korrikut 2026, zjarret me sipërfaqe mbi 1 hektar prekën gjithsej 476 hektarë.

AKMC identifikoi 21 vatra të kësaj madhësie gjatë muajit, me përqendrimin më të madh në Vlorë, ku tetë vatra prekën 306 hektarë, dhe në Shkodër, ku shtatë vatra përshkuan 98 hektarë.

Në Lezhë u regjistruan dy vatra me 40 hektarë të prekur, ndërsa raste të tjera u evidentuan në Berat, Dibër, Gjirokastër dhe Tiranë. Por muaji aktual u paraqit edhe më problematik me zjarre masive në zonën e Krujës, Lurës, Pukës, Dajtit ku nuk munguan përveç dëmeve në sipërfaqe pyjore edhe djegie e banesave apo bizneseve.

 

Rekord i ri për qershorin dhe korrikun në Europën Perëndimore

Të dhënat e Copernicus tregojnë se temperatura mesatare e ajrit mbi tokë në Europën Perëndimore arriti 21.62°C për periudhën qershor–korrik, ose 2.79°C mbi mesataren e viteve 1991–2020.

Kjo ishte temperatura më e lartë e regjistruar për kombinimin e këtyre dy muajve në rajon dhe tejkaloi me rreth 0.89°C rekordin e mëparshëm, të vendosur në vitin 2022.

Grafiku i Copernicus që shoqëron publikimin tregon një ndryshim të dukshëm në dekadat e fundit.

Ndërsa një pjesë e madhe e viteve të viteve 1980 dhe 1990 paraqiten me anomali negative kundrejt mesatares 1991–2020, vitet e fundit dominohen nga anomali pozitive. Qershor–korrik 2026 qëndron në skajin më të lartë të serisë, me anomalitetin prej 2.79°C.

Shifra i referohet zonës që Copernicus klasifikon si Europë Perëndimore, e përcaktuar nga koordinatat 11°Ë–15°E dhe 37°–55°N. Për këtë arsye, ajo nuk përfaqëson një matje specifike për Shqipërinë, edhe pse Shqipëria përfshihet në hartën më të gjerë europiane të anomalive të temperaturës.

Për vetëm muajin korrik, temperatura mesatare në këtë rajon të Europës Perëndimore ishte 22.48°C, ose 2.53°C mbi mesataren 1991–2020. Korriku 2026 u rendit si korriku i dytë më i nxehtë për rajonin, pas korrikut të vitit 2006.

Copernicus tha se temperaturat jashtëzakonisht të larta në Europën Perëndimore vazhduan nga gjysma e dytë e majit dhe u shoqëruan me disa valë të njëpasnjëshme të të nxehtit. Franca, Spanja, Anglia, Irlanda, Gjermania, Zvicra dhe pjesë të Italisë ishin ndër zonat ku u regjistruan anomalitë më të forta.

Në Francë, Gjermani, verilindje të Spanjës, Angli, Zvicër dhe në pjesën perëndimore të Italisë, temperaturat e korrikut ishin përgjithësisht 3°C deri në 5°C mbi mesataren, sipas Copernicus. Europa si e tërë ishte më pak ekstreme se pjesa perëndimore

Pamja për të gjithë kontinentin ishte më e moderuar për shkak të kontrastit mes perëndimit të nxehtë dhe temperaturave më të ulëta në lindje. Temperatura mesatare mbi tokën europiane në korrik ishte 20.49°C, ose 0.66°C mbi mesataren 1991–2020. Kjo e renditi korrikun 2026 si të 11-in më të ngrohtë në serinë e të dhënave ERA5.

Copernicus evidentoi një ndarje të qartë perëndim-lindje: pjesa perëndimore e kontinentit regjistroi temperatura shumë mbi mesataren, ndërsa pjesë të Europës Lindore dhe Skandinavisë kishin temperatura më të ulëta se norma.

Kushtet në perëndim u lidhën me sisteme të qëndrueshme të presionit të lartë, të cilat favorizuan mot të kthjellët dhe të thatë dhe mbajtën ajrin e nxehtë mbi të njëjtat zona për periudha të zgjatura.

 

Korriku 2026, i dyti më i nxehtë globalisht, rekord në oqeane

Në nivel global, temperatura mesatare e ajrit në sipërfaqe gjatë korrikut ishte 16.90°C. Kjo ishte 0.67°C mbi mesataren e korrikut për periudhën 1991–2020 dhe 1.47°C mbi nivelin e vlerësuar paraindustrial të viteve 1850–1900.

Korriku 2026 u rendit, së bashku me korrikun 2024, si korriku i dytë më i ngrohtë i regjistruar globalisht, pas rekordit të korrikut 2023. Diferenca mes korrikut 2026 dhe atij të vitit 2024 ishte vetëm 0.01°C, ndaj Copernicus i konsideron të dy muajt në të njëjtën pozitë.

Mesatarja globale për 12 muajt nga gushti 2025 deri në korrik 2026 ishte 1.45°C mbi nivelin paraindustrial, sipas të dhënave të shërbimit europian të klimës. Nxehtësia nuk u kufizua në sipërfaqen tokësore.

Temperatura mesatare e sipërfaqes së oqeaneve jashtë zonave polare, midis 60° në jug dhe 60° në veri, arriti 20.96°C në korrik, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë muaj.

Rekordi i mëparshëm, prej 20.89°C, ishte vendosur në korrik 2023. Që nga 19 qershori, temperatura mesatare ditore e këtyre ujërave kishte qenë më e larta e regjistruar për secilën ditë përkatëse të vitit, sipas Copernicus. Temperatura rekord u regjistruan edhe në detet përreth Europës, veçanërisht përgjatë Atlantikut dhe në Mesdheun Perëndimor.

Copernicus tha se një pjesë e nxehtësisë së oqeaneve ishte e lidhur edhe me zhvillimin e kushteve El Niño në Paqësorin ekuatorial./ N.Maho

 

The post Harta, Shqipëria mes vapës dhe zjarreve, Europa Perëndimore thyen rekordin e temperaturave appeared first on Revista Monitor.

Serbia dominates Western Balkans ICT services exports, Albania near the bottom

25 August 2026 at 06:00

Exports of information and communication technology (ICT) services from the six Western Balkan economies reached approximately €6 billion in 2024. However, the vast majority were concentrated in Serbia, while Albania and Montenegro remained at the bottom of the regional ranking.

According to the Regional Cooperation Council’s study, “ICT Skills in the Western Balkans”, Serbia exported around €4.13 billion worth of ICT services, accounting for 68.8% of the Western Balkans total.

North Macedonia ranked second, with exports of €632 million, or 10.5% of the regional total, followed by Bosnia and Herzegovina with €470 million and Kosovo with €348 million.

Albania exported €222 million worth of ICT services in 2024, accounting for only 3.7% of the regional total. Only Montenegro recorded a lower figure, at €202 million, representing a share of 3.4%.

Albania’s gap with the other economies becomes even more evident when the sector’s exports are compared with the size of the economy. ICT services exports represented only 0.89% of Albania’s Gross Domestic Product, the lowest level in the Western Balkans and well below the regional average of 3.57%.

In Serbia, ICT services exports were equivalent to 4.96% of GDP, while in North Macedonia they accounted for 4.03%. Kosovo also recorded a relatively high share, at 3.37% of GDP, ahead of Montenegro at 2.65% and Bosnia and Herzegovina at 1.79%.

All six economies in the region were net exporters of ICT services. Their combined surplus reached €4.43 billion, of which approximately €3.23 billion was generated by Serbia alone.

Albania recorded net ICT services exports of €119 million. Its export-to-import ratio stood at 2.16, meaning that exports were slightly more than twice the value of imports. This was below the regional average of 3.8 and higher only than Montenegro’s ratio of 1.61.

Serbia recorded the most favourable ratio, with exports 4.59 times higher than imports, followed by Bosnia and Herzegovina at 3.48, North Macedonia at 3.21 and Kosovo at 2.93./ B.Hoxha

The post Serbia dominates Western Balkans ICT services exports, Albania near the bottom appeared first on Revista Monitor.

Shqipëria, e fundit në rajon për eksportet e shërbimeve TIK ndaj PBB-së

25 August 2026 at 06:00

Shqipëria mbetet ndër ekonomitë me eksportet më të ulëta të shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në Ballkanin Perëndimor. Gjatë vitit 2024, vendi eksportoi 222 milionë euro shërbime TIK, duke zënë vetëm 3,7% të totalit rajonal.

Një vlerë më të ulët regjistroi vetëm Mali i Zi.

Pozicioni i Shqipërisë përkeqësohet kur eksportet e sektorit krahasohen me madhësinë e ekonomisë. Ato përfaqësuan vetëm 0,89% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, niveli më i ulët në Ballkanin Perëndimor dhe rreth katër herë më pak se mesatarja rajonale prej 3,57%.

Sipas studimit “Aftësitë e TIK-ut në Ballkanin Perëndimor”, të publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, gjashtë ekonomitë e rajonit eksportuan rreth 6 miliardë euro shërbime TIK gjatë vitit 2024.

Tregu dominohet nga Serbia, e cila realizoi eksporte me vlerë rreth 4,13 miliardë euro, ose 68,8% të totalit rajonal. Kjo shumë ishte rreth 19 herë më e lartë se eksportet e Shqipërisë.

Në vendin e dytë u rendit Maqedonia e Veriut, me 632 milionë euro ose 10,5% të totalit, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 470 milionë euro dhe Kosova me 348 milionë euro. Shqipëria u rendit e pesta, ndërsa Mali i Zi i fundit, me 202 milionë euro eksporte dhe një peshë prej 3,4% në totalin rajonal.

Shqipëria mbetet pas të gjitha vendeve të tjera edhe për kontributin e eksporteve TIK në ekonomi. Në Serbi, ato ishin sa 4,96% e PBB-së, ndërsa në Maqedoninë e Veriut arritën në 4,03%. Kosova regjistroi një peshë prej 3,37% të PBB-së, Mali i Zi 2,65% dhe Bosnjë-Hercegovina 1,79%.

Të gjashta ekonomitë e Ballkanit Perëndimor rezultuan eksportuese neto të shërbimeve TIK. Teprica e përbashkët arriti në 4,43 miliardë euro, nga të cilat rreth 3,23 miliardë euro i përkisnin vetëm Serbisë.

Shqipëria regjistroi eksporte neto prej 119 milionë eurosh. Raporti ndërmjet eksporteve dhe importeve të shërbimeve TIK ishte 2,16, çka do të thotë se eksportet ishin pak më shumë se dyfishi i importeve.

Megjithatë, ky raport mbeti nën mesataren rajonale prej 3,8 dhe ishte më i lartë vetëm se ai i Malit të Zi, prej 1,61. Serbia kishte raportin më të favorshëm, me eksporte 4,59 herë më të larta se importet, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 3,48, Maqedonia e Veriut me 3,21 dhe Kosova me 2,93./ B.Hoxha

The post Shqipëria, e fundit në rajon për eksportet e shërbimeve TIK ndaj PBB-së appeared first on Revista Monitor.

❌