Normal view

Drafti për “faturën” e BE-së, nga TVSH te plastika, si do të financohet kontributi pas anëtarësimit

28 August 2026 at 15:24

Qeveria po përgatit kuadrin ligjor për mënyrën se si do të llogarisë, planifikojë dhe transferojë kontributin e saj në buxhetin e Bashkimit Europian pas anëtarësimit. Të paktën këtë synon një projektligj i Ministrisë së Financave i nxjerrë për konsultim publik.

Projektligji “Për Kontributin Kombëtar të Republikës së Shqipërisë në buxhetin e Bashkimit Europian” përcakton rregullat për përllogaritjen, financimin, raportimin dhe vënien në dispozicion të kontributit, si dhe përgjegjësitë e institucioneve shqiptare të përfshira në proces.

Kontributi do të lidhet me sistemin e “Burimeve të Veta” të BE-së. Drafti e përkufizon atë si kontributin e Shqipërisë në buxhetin europian që përfshin “burimet tradicionale vetjake, burimin e bazuar në tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), burimin e bazuar në të ardhurat kombëtare bruto (GNI)” dhe burime të tjera të përcaktuara nga legjislacioni i BE-së.

Në dispozitat e tjera, projektligji përfshin në mënyrë të posaçme edhe burimin e lidhur me mbetjet e paketimeve plastike që nuk riciklohen.

Ministria e Financave duhet të përfshijë në planifikimin buxhetor vlerën e parashikuar të kontributit, si dhe “hapësirat fiskale të nevojshme për përballimin e korrigjimeve të mundshme financiare” dhe detyrimet që mund të dalin nga rishikimet statistikore, metodologjike ose financiare.

Pagesat nuk do të përcaktohen në mënyrë të njëanshme nga autoritetet shqiptare. Sipas draftit, ato do të kryhen në bazë të kërkesave të Komisionit Europian.

“Pagesat e Kontributit Kombëtar për komponentët e Burimeve të Veta kryhen mbi bazën e thirrjeve për fonde (‘Call for Funds’)”, thuhet në projektligj, ndërsa këto njoftime do të përcaktojnë shumat dhe afatet e transferimit.

Për administrimin e flukseve financiare parashikohet një llogari e posaçme pranë Bankës së Shqipërisë. “Llogaria e Kontributit Kombëtar” do të jetë në pronësi të Republikës së Shqipërisë, do të hapet dhe administrohet nga ministria përgjegjëse për financat dhe prej saj do të kryhen transferimet drejt buxhetit të BE-së.

Ministria e Financave merr rolin e Autoritetit Kombëtar Koordinues dhe do të bashkërendojë institucionet që prodhojnë dhe verifikojnë të dhënat, do të bëjë përllogaritjet përkatëse, do të planifikojë pagesat në buxhetin e shtetit dhe do të raportojë pranë Komisionit Europian.

Projektligji kërkon gjithashtu që të dhënat e përdorura për kontributin të jenë të gjurmueshme, të verifikueshme dhe të dokumentuara, me ruajtje deri në 10 vjet.

INSTAT do të jetë përgjegjës për prodhimin e të Ardhurave Kombëtare Bruto sipas metodologjisë ESA 2010 dhe transmetimin e të dhënave përkatëse në Eurostat.

Administrata Doganore do të administrojë dhe raportojë burimet tradicionale të veta, ndërsa Administrata Tatimore do të sigurojë të dhënat për bazën e harmonizuar të TVSH-së. Ministria përgjegjëse për mjedisin do të mbulojë të dhënat për mbetjet e paketimeve plastike të pa ricikluara.

Një tjetër element është krijimi i Bazës Kombëtare të të Dhënave për Burimet e Veta të BE-së, e cila do të administrohet nga Ministria e Financave. Ajo do të grumbullojë të dhënat doganore, të TVSH-së, AKB-së dhe mbetjeve plastike, si dhe dokumentacionin metodologjik, gjurmët e auditimit, korrigjimet, detyrimet e papaguara dhe interesat e vonesës.

Drafti parashikon gjithashtu pasoja në rast të raportimit me vonesë ose të të dhënave të pasakta. Ndër shkeljet renditen mosdorëzimi i informacionit brenda afatit, raportimi i të dhënave të pasakta ose të paplota, mosruajtja e dokumentacionit dhe mosbashkëpunimi gjatë auditimeve.

Ministria e Financave mund të kërkojë korrigjimin e shkeljeve brenda 15 ditëve, ndërsa në raste që sjellin pasoja financiare parashikohet përgjegjësi administrative, disiplinore, civile ose penale sipas legjislacionit në fuqi.

Detyrimet për pagesën e kontributit do të aktivizohen vetëm kur Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së. Drafti përcakton se transferimi i Kontributit Kombëtar dhe detyrimet e tjera financiare “zbatohen nga data e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Megjithatë, institucionet duhet të kenë ngritur strukturat, sistemet e informacionit, bazën e të dhënave dhe procedurat përkatëse brenda 24 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Relacioni që shoqëron projektligjin thotë se para anëtarësimit nuk parashikohen efekte financiare të drejtpërdrejta nga vetë kontributi në buxhetin e BE-së.

Detyrat shtesë të institucioneve parashikohet të mbulohen nga fondet e tyre ekzistuese, ndërsa për ngritjen e Bazës Kombëtare të të Dhënave dhe përshtatjen e sistemeve informatike “vlerësimi i kostove përkatëse do të kryhet në fazat e mëvonshme të zbatimit”.

Relacioni e lidh nismën me përgatitjet e Shqipërisë për Kapitullin 33, “Dispozitat financiare dhe buxhetore”, duke thënë se aktualisht mungon një kuadër horizontal që të përcaktojë koordinimin mes administratës doganore, tatimore, statistikave, mjedisit dhe financave publike për administrimin e kontributit në buxhetin e BE-së.

 

The post Drafti për “faturën” e BE-së, nga TVSH te plastika, si do të financohet kontributi pas anëtarësimit appeared first on Revista Monitor.

KPP rrëzon ankesën, zhbllokohet kontrata 1 milion euro për mirëmbajtjen e sistemit financiar (AFMIS)

28 August 2026 at 11:00

Komisioni i Prokurimit Publik rrëzoi kërkesën për shpalljen të pavlefshme të kontratës për mirëmbajtjen e Sistemit Informatik të Menaxhimit Financiar të Ministrisë së Financave, duke i hapur rrugë vijimit të marrëveshjes 24-mujore me vlerë 99.9 milionë lekë pa TVSH.

Me Vendimin nr. 1056/2026, të datës 26 gusht, KPP nuk pranoi ankesën e “Data Log” dhe lejoi Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit të vijojë me hapat e mëtejshëm të procedurës.

Kontrata është lidhur mes AKSHI-t dhe “Communication Progress” për 99.9 milionë lekë pa TVSH dhe ka një kohëzgjatje prej 24 muajsh. Fondi limit i tenderit ishte më i lartë, në 169.46 milionë lekë, ose rreth 1.73 milionë euro pa TVSH.

KPP kishte pezulluar përkohësisht zbatimin e kontratës më 7 gusht, pas ankesës së “Data Log”, deri në shqyrtimin e çështjes dhe marrjen e një vendimi përfundimtar. Me vendimin e fundit, autoriteti kontraktor lejohet të vijojë procedurën.

“Data Log” kishte kërkuar shpalljen absolutisht të pavlefshme të kontratës, duke ngritur pretendime për mënyrën se si ishte zhvilluar procedura, për përmbushjen e disa kërkesave teknike nga operatori fitues dhe për mungesën e publikimit të njoftimit të lidhjes së kontratës.

KPP pranoi se njoftimi për lidhjen e kontratës nuk ishte publikuar dhe e cilësoi këtë si shkelje të rregullave të transparencës. Megjithatë, Komisioni arriti në përfundimin se kjo shkelje, në rastin konkret, nuk mjaftonte për ta bërë kontratën absolutisht të pavlefshme.

Sipas KPP-së, “Data Log” nuk ishte privuar nga e drejta për t’u ankuar, pasi kishte ndjekur më herët si rrugën administrative, ashtu edhe atë gjyqësore. Komisioni vlerësoi se pretendimet e ngritura nuk plotësonin rastet e përcaktuara në ligj që do të çonin në pavlefshmërinë absolute të kontratës.

Çështja ka kaluar më parë edhe në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila në prill pranoi pjesërisht padinë e “Data Log” dhe shfuqizoi pjesërisht një vendim të mëparshëm të KPP-së, ndërsa rrëzoi kërkimet e tjera.

Tenderi u publikua në korrik 2025 dhe u shoqërua me një seri ankimimesh administrative, të cilat çuan në disa vendime të KPP-së dhe ndryshime në dokumentet e procedurës.

 

The post KPP rrëzon ankesën, zhbllokohet kontrata 1 milion euro për mirëmbajtjen e sistemit financiar (AFMIS) appeared first on Revista Monitor.

Besimi te monedha vendase, depozitat në lekë u rritën dy herë më shumë se ato në euro në korrik

28 August 2026 at 10:12

Depozitat në monedhën vendase kanë shënuar rritje të fortë gjatë muajit korrik, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, të nxitura si nga bizneset ashtu dhe nga individët.

Edhe kursimet në euro janë rritur po me ritme më të ngadalta, ndonëse përgjithësisht kjo është një periudhë sezonale ku fiton terren monedha e përbashkët për shkak të prurjeve nga turizmi.

Shtesa e kursimeve në lekë në korrik, në raport me muajin e mëparshëm ishte 16 miliardë lekë, (rreth 170 milionë euro), kundrejt 87 milionë euro të monedhës së përbashkët për të njëjtën periudhë.

Sipas statistikave të publikuara nga Banka Qendrore, në korrik,. Stoku i depozitave në lekë  në fund të korrikut arriti rekordin e 782 miliardë lekëve, me një zgjerim prej 16 miliardë lekë, ose 2.1% në krahasim me qershorin e muajit të mëparshëm.

Zgjerimi ka ardhur kryesisht nga depozitat pa afat, si në për bizneset ashtu dhe për individët. Kjo është rritja më e madhe vjetore që nga janari, teksa në muajin e parë të vitit ka një zgjerim të depozitave të bizneseve si rrjedhojë e pagesave për punime të ndryshme që kryhen nga buxheti.

Në krahasim me korrikun e vitit 2025, depozitat në monedhën vendase janë rritur me 116 miliardë lekë, ose gati 1.2 miliardë lekë, të konvertuara me kursin mesatar të periudhës.

Forcimi i vazhdueshëm i monedhës vendase duket se ka rritur besimin te leku. Duket se dhe pritshmëritë janë që leku të vazhdojë të forcohet më tej, duke nxitur mbajtjen e kursimeve në këtë monedhë.

Monedha vendase është forcuar ndjeshëm ndaj euros, duke u këmbyer aktualisht afër 92 lekëve, nga 140 lekë një dekadë më parë.

Euro rritet më ngadalë

Situata është krejt e ndryshme nga vitet e mëparshme, kur kursimet në euro po rriteshin me shpejtësi. rënia e euros duket se po bën atë që Banka e Shqipërisë nuk e bëri dot, de euroizimin e vendit.

Në korrik, stoku i depozitave i raportuar në euro ishte 9.3 miliardë euro, me një rritje prej 87 milionë eurosh, ose 0.94% në raport me qershorin e 2026-s. Rritja erdhi në pjesën më të madhe nga individët (+45 mln lekë) dhe më pak nga bizneset (+21 mln lekë) për kursimet pa afat.

Në krahasim me një vit më parë, depozitat në euro janë rritur me 1.04 miliardë euro, me ritme më të ngadalta se ato në lekë.

Ky është viti i dytë radhazi që depozitat në lekë po rriten më sh[pejt se ato në euro.

Për krahasim, në 2024-n, depozitat në euro u zgjeruan me   635 milionë euro dhe në lekë me 49 miliardë lekë.

Banka e Shqipërisë raporton stokun e depozitave të konvertuara në lekë, që arriti në 1.56 miliardë lekë, nga të cilat 782 miliardë lekë në monedhën vendas, dhe 781 miliardë lekë në euro, por vlera e euros e konvertuar në lekë është e zhvlerësuar, për shkak të kursit.

The post Besimi te monedha vendase, depozitat në lekë u rritën dy herë më shumë se ato në euro në korrik appeared first on Revista Monitor.

Bashkitë mbeten në “tako”, 42 prej tyre nuk kryejnë as gjysmën e detyrave

28 August 2026 at 06:00

Bashkitë e Qarkut të Kukësit kanë nivelin më të ulët të mbulimit të funksioneve në vend, ndërsa të dhënat tregojnë një hendek të thellë mes njësive vendore në aftësinë për të financuar dhe ushtruar përgjegjësitë që u ngarkon ligji.

Në rang kombëtar, 42 nga 61 bashki nuk arrijnë të financojnë as gjysmën e funksioneve të matshme.

Sipas të dhënave të Indeksit të Funksionalitetit të Bashkive (IFB), të përfshira në Raportin Përfundimtar për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0 të mazhorancës, qarku i Kukësit regjistron nivelin mesatar më të ulët të mbulimit funksional, me vetëm 39,2%.

Në të njëjtën pjesë të poshtme të renditjes janë qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës, me nga 39,9%, ndërsa Elbasani arrin në 46,2%.

Në skajin tjetër, mbulimin më të lartë të funksioneve e ka qarku i Lezhës, me 56,9%, i ndjekur nga Durrësi me 53,9%. Dibra dhe Shkodra kanë një nivel mesatar prej 50%.

Dobësitë e qarkut të Kukësit pasqyrohen edhe në rezultatet individuale të bashkive. Bashkia Kukës merr vetëm 37,3 pikë nga 100 në Indeksin e Funksionalitetit, ndërsa Tropoja renditet me 36,5 pikë. Këto rezultate i pozicionojnë të dyja njësitë ndër bashkitë me kapacitetet më të dobëta financiare dhe administrative në vend.

Në nivel kombëtar, diferencat mes bashkive janë të ndjeshme. Kamza renditet e para me 100 pikë nga 100, e ndjekur nga Tirana me 99,4 pikë, Himara me 90,9 pikë dhe Durrësi me 87,2 pikë.

Në grupin e bashkive me rezultatet më të larta hyjnë gjithashtu Lezha me 79,8 pikë, Shijaku me 79,6, Shkodra me 77,1, Vlora me 74,2, Saranda me 73,6 dhe Patosi me 71,7 pikë. Gjirokastra dhe Korça qëndrojnë gjithashtu mbi nivelin e 70 pikëve, përkatësisht me 70,3 dhe 70,2 pikë.

Në fund të renditjes është Pusteci, me 0 pikë, ndërsa Rrogozhina merr vetëm 8,3 pikë. Rezultate të ulëta kanë edhe Konispoli me 30,7 pikë, Tepelena me 32,6, Fushë-Arrëzi me 34,2 dhe Memaliaj me 36,4 pikë.

Të dhënat tregojnë se madhësia e popullsisë apo pesha ekonomike nuk garantojnë automatikisht funksionalitet më të lartë. Kavaja, për shembull, merr 46,7 pikë, Dibra 48,6, Pogradeci 49,3 dhe Maliqi 49,7 pikë. Edhe Fieri, një ndër bashkitë më të mëdha në vend, arrin vetëm në 55,4 pikë.

42 bashki nuk financojnë as gjysmën e funksioneve

Problemi është më i gjerë se rezultatet e disa njësive të veçanta. Sipas raportit, 42 nga 61 bashki mbulojnë më pak se gjysmën e funksioneve të matshme, ndërsa vetëm pesë bashki arrijnë të financojnë dhe ushtrojnë të paktën 24 funksione.

Kjo tregon se ekzistenca e një buxheti dhe e një administrate vendore nuk do të thotë domosdoshmërisht se bashkia disponon burimet e nevojshme për të përmbushur të gjitha përgjegjësitë që i janë caktuar me ligj.

Indeksi i Funksionalitetit të Bashkive është ndërtuar në një shkallë nga 0 në 100 dhe synon të vlerësojë nëse njësitë vendore kanë kapacitetet financiare dhe organizative për të ushtruar në mënyrë të qëndrueshme funksionet e tyre.

Në përllogaritjen e tij përfshihen pesë elemente: autonomia fiskale, ngurtësia buxhetore, mbulimi funksional i ponderuar, eficienca e stafit dhe barra e detyrimeve të prapambetura.

Raporti sqaron se “funksionaliteti” nuk mat drejtpërdrejt cilësinë e shërbimeve që qytetarët marrin nga bashkia. Indeksi vlerëson kryesisht nëse ekzistojnë kushtet financiare dhe administrative që i mundësojnë një njësie vendore të ushtrojë funksionet e veta dhe ato të deleguara.

Kukësi, më i varur nga fondet e kushtëzuara

Funksionaliteti i dobët lidhet edhe me shkallën e kufizuar të autonomisë financiare të një pjese të bashkive.

Në nivel kombëtar, transferta e kushtëzuar arrin në 35,3 miliardë lekë, kundrejt 23,8 miliardë lekëve të transfertës së pakushtëzuar. Fondet që qeveria qendrore u jep bashkive për përdorime të përcaktuara paraprakisht janë kështu rreth 11,5 miliardë lekë më të larta se transfertat që njësitë vendore mund t’i përdorin sipas prioriteteve të tyre.

Varësia është më e dukshme në qarqe si Kukësi, Dibra dhe Gjirokastra, ku pesha e transfertave të kushtëzuara është më e lartë. Bashkitë e këtyre qarqeve kanë një bazë më të kufizuar të ardhurash të veta dhe, njëkohësisht, më pak hapësirë për të vendosur në mënyrë autonome se si do të përdoren fondet.

Raporti e lidh këtë problem edhe me parimet e Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, sipas së cilës njësitë vendore duhet të disponojnë një pjesë sa më të madhe të burimeve financiare që mund t’i përdorin në përputhje me prioritetet lokale./ B.Hoxha

 

The post Bashkitë mbeten në “tako”, 42 prej tyre nuk kryejnë as gjysmën e detyrave appeared first on Revista Monitor.

Drafti, auditime tatimore me BE-në, inspektorët e huaj mund të marrin pjesë në hetime

27 August 2026 at 14:25

Shqipëria po përgatit bazën ligjore që do t’u mundësojë administratave tatimore të vendeve të Bashkimit Evropian të marrin pjesë në hetime në vend dhe të kryejnë auditime të përbashkëta me Tatimet shqiptare, ndërsa informacioni nuk do të mund të refuzohet vetëm për faktin se mbahet nga një bankë apo institucion financiar. Regjimi i ri gjithsesi, do të prodhojë efekte nga data e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Parashikimet janë pjesë e projektligjit “Për bashkëpunimin administrativ në fushën e tatimeve dhe shkëmbimin e informacionit tatimor”, i hartuar për përafrimin me Direktivën 2011/16/BE, e njohur si DAC 1. Relacioni që shoqëron draftin thotë se legjislacioni aktual “nuk përmban një kuadër të konsoliduar” që mbulon të gjitha format e bashkëpunimit të parashikuara nga direktiva, përfshirë auditimet e përbashkëta dhe kontrollet e njëkohshme.

Sipas projektligjit, me kërkesë të një autoriteti tatimor të një shteti anëtar, nëpunësit e tij të autorizuar mund të jenë të pranishëm në zyrat e administratës tatimore shqiptare, të ndjekin hetime administrative në Shqipëri ose të marrin pjesë në to elektronikisht. Kur përfshihen në hetim, ata mund të intervistojnë individë dhe të shqyrtojnë të dhëna, dokumente dhe regjistra sipas procedurave të përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Drafti krijon gjithashtu procedurën për kontrolle të njëkohshme dhe auditime të përbashkëta. DPT dhe një ose më shumë administrata tatimore të BE-së mund të kontrollojnë në territoret e tyre persona që paraqesin interes të përbashkët ose plotësues, ndërsa secila palë duhet t’i përgjigjet një propozimi për auditim të përbashkët brenda 60 ditëve.

Kur një auditim i përbashkët zhvillohet në Shqipëri, zyrtarët e huaj do të veprojnë në prani dhe nën drejtimin, koordinimin dhe mbikëqyrjen e Tatimeve shqiptare. Ata mund të intervistojnë persona dhe të shqyrtojnë dokumente së bashku me nëpunësit e DPT-së, ndërsa provat e mbledhura trajtohen sipas të njëjtave kushte juridike si ato të siguruara në një auditim të kryer vetëm nga administrata shqiptare.

Një tjetër dispozitë kufizon arsyet mbi të cilat Tatimet mund të refuzojnë një kërkesë nga një administratë e BE-së. Projektligji përcakton shprehimisht se DPT “nuk mund të refuzojë dhënien e informacionit vetëm për shkak se ky informacion mbahet nga një bankë, një institucion tjetër financiar”, apo sepse lidhet me interesa pronësorë të një personi.

Ky mekanizëm shkon paralelisht me shkëmbimin automatik të informacionit. DPT do t’u komunikojë administratave të vendeve anëtare të dhënat e disponueshme për rezidentët e tyre tatimorë, për kategori që përfshijnë të ardhurat nga punësimi dhe bordet drejtuese, pensionet, pronësinë dhe të ardhurat nga pasuritë e paluajtshme, honoraret dhe kategori të caktuara dividendësh. Shkëmbimi automatik duhet të mbulojë të paktën pesë kategori dhe të kryhet të paktën një herë në vit.

Relacioni thotë se kuadri i ri synon, ndër të tjera, “rritjen e pajtueshmërisë tatimore”, reduktimin e mundësive për evazion dhe shmangie tatimore dhe rritjen e efektivitetit të kontrolleve. Dokumenti e lidh projektligjin me përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në Kapitullin 16, “Tatimet”, të procesit të integrimit në BE.

Mosbashkëpunimi me procedurat e reja do të shoqërohet edhe me sanksione. Pengimi ose refuzimi gjatë një hetimi administrativ, kontrolli të njëkohshëm apo auditimi të përbashkët parashikohet të dënohet me gjobë nga 300 mije deri në 1 milion lekë, ndërsa mosparaqitja e informacionit dhe raportimi i të dhënave të pasakta kanë gjoba të veçanta.

Ngritja e sistemit do të ketë gjithashtu një kosto për buxhetin. Sipas relacionit, infrastruktura teknologjike e nevojshme për shkëmbimin elektronik të informacionit me vendet e BE-së do të kërkojë 80 milionë lekë, të financuara nga buxheti i shtetit.

Efektet e tij fillojnë në datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, sipas Traktatit të Anëtarësimit.

The post Drafti, auditime tatimore me BE-në, inspektorët e huaj mund të marrin pjesë në hetime appeared first on Revista Monitor.

Pagesat me kartë u rritën me 28% në gjysmën e parë të vitit

27 August 2026 at 14:00

Pagesat me kartë u rritën me ritme të larta edhe në gjysmën e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në gjashtë muajt e parë të vitit u regjistruan gjithsej 16 milionë pagesa me kartë në pikat elektronike të shitjes (POS). Numri i pagesave me kartë është rritur me 28% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Tashmë, numri i pagesave me kartë në POS-e ka kaluar në mënyrë të qëndrueshme numrin e tërheqjeve cash në bankomate.

Për çdo 100 veprime të kryera me karta pagesash (pa përfshirë veprimet me para elektronike), afërsisht 56 prej tyre ishin pagesa në terminale POS, ndërsa diferenca ishin tërheqje apo depozitime paraja cash.

Ndërkohë, vlera totale e pagesave me kartë për gjashtë muaj ka arritur në 58.3 miliardë lekë, me një rritje prej 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të matura në vlerë monetare, pagesat me kartë përbënin 18.3% të totalit të veprimeve me karta, në rritje nga niveli prej 17.4% i vitit të kaluar.

Duke pasur parasysh se periudhat e pikut turistik korrik-gusht shoqërohet me rritje të pagesave me kartë, është e pritshme që vlera e pagesave për gjysmën e dytë të vitit të jetë më e lartë.

Rritja e numrit të turistëve të huaj në vitet e fundit është një nga faktorët kryesorë që i ka dhënë shtysë rritjes së pagesave me kartë në Shqipëri.

Megjithatë, shtimi i numrit të bizneseve që pranojnë me pagesa me kartë ka rritur ndjeshëm edhe përdorimin e tyre nga konsumatorët vendas.

Shqipëria ngelet një vend me shkallë të përdorimit të lartë të parasë cash, fenomen i lidhur me një përfshirje ende të pamjaftueshme financiare, por edhe me nivelin e konsiderueshëm të informalitetit dhe evazionit fiskal. Vlerësohet se afërsisht 40% e monedhës lokale në qarkullim qëndron jashtë bankave, pa përfshirë këtu valutat e huaja, për të cilat nuk ekzistojnë statistika zyrtare. Shqipëria është një ndër vendet me nivelin më të lartë të parasë jashtë bankave, çka nënkupton një shkallë të lartë të përdorimit të parasë cash në ekonomi.

Megjithatë, rritja e shpejtë e pagesave me kartë është një sinjal pozitiv që tregon një tendencë të zhvendosjes, sado të ngadaltë, drejt formave alternative të pagesave.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në mesin e vitit 2026 numri i kartave aktive arriti në 1.69 milionë, në rritje me 7% krahasuar me një vit më parë. Në shumicën dërrmuese, kartat e pagesave janë karta debiti, të lidhura me llogaritë rrjedhëse të individëve dhe bizneseve. Pjesa tjetër janë karta krediti ose karta me funksion paraje elektronike./E.Shehu

 

The post Pagesat me kartë u rritën me 28% në gjysmën e parë të vitit appeared first on Revista Monitor.

Aksidentet rrugore rriten me 10% në janar-korrik, shkak kryesor pakujdesia e shoferëve

27 August 2026 at 11:17

Aksidentet rrugore në Shqipëri u rritën me 10% në shtatë muajt e parë të vitit 2026 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa edhe korriku shënoi më shumë raste se një vit më herët, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave.

Në korrik u regjistruan 165 aksidente rrugore, nga 131 në korrik 2025. Numri i personave të vrarë dhe të plagosur arriti në 235, krahasuar me 194 një vit më parë.

Në periudhën janar-korrik, numri i aksidenteve arriti në 844, nga 767 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të vrarët dhe të plagosurit arritën në 1,187 persona, nga 1,077 në shtatëmujorin e vitit 2025.

INSTAT tha se 90.3% e aksidenteve të korrikut ndodhën si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Grupmosha 25-34 vjeç përbënte 21.8% të numrit total të aksidenteve të regjistruara.

Tirana regjistroi numrin më të lartë të aksidenteve në korrik, me 59 raste, kundrejt 37 një vit më parë. Në kryeqytet u regjistruan 74 persona të vrarë ose të plagosur. Në shtatë muajt e parë të vitit, Tirana numëroi 336 aksidente, nga 219 në të njëjtën periudhë të 2025.

Sipas INSTAT, pjesa më e madhe e aksidenteve sipas fashës orare u regjistrua mes 19:00 dhe 24:00, me 25.5% të totalit.

E enjtja ishte dita me përqindjen më të lartë të aksidenteve, me 18.8%, ndërsa e marta kishte nivelin më të ulët, me 12.1%.

Të dhënat sigurohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe përpunohen nga INSTAT. Shifrat për muajin e fundit janë paraprake dhe subjekt rishikimi.

Rritja e aksidenteve vjen në një kohë kur ka pasur një sërë reagimesh dhe masash për të rritur kujdesin në timon, përfshirë ndryshimet në Kodin Rrugor dhe kontrollet e shtuara në terren.

Një tjetër element që përmendet shpesh, përveç sjelljes së drejtuesve të mjeteve, është gjendja e rrugëve dhe zonat e njohura si “pika të zeza”. Në disa prej tyre janë kryer herë pas here ndërhyrje, por pavarësisht kësaj, ato vijojnë të evidentohen në problematikën e aksidenteve rrugore.

The post Aksidentet rrugore rriten me 10% në janar-korrik, shkak kryesor pakujdesia e shoferëve appeared first on Revista Monitor.

OST tender rreth 5 milionë euro për linjën e re 110 kV Sarandë–Xarrë

27 August 2026 at 11:05

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) synon të ndërtojë një linjë të re 110 kv në Jug të vendit. Këtë të enjte operatori njoftoi procedurën me fond limit 497.59 milionë lekë  apo rreth 5 milionë euro që ka në fokus pikërisht këtë linjë dhe infrastrukturën përkatëse në nënstacionin e Sarandës.

Projekti parashikon ndërtimin e linjës me shtylla dopio qark, ndërsa përcjellësi do të shtrihet fillimisht në një qark. Sipas specifikimeve teknike, si linja ashtu edhe traseja e saj do të jenë të reja. Në segmentin ajror do të përdoret përcjellës ACSR 240/40 mm², ndërsa mbrojtja nga shkarkimet atmosferike dhe komunikimi do të realizohen me tros optik OPGË.

Segmenti ajror i linjës është parashikuar të shtrihet për rreth 20 kilometra në jug të Shqipërisë, në zonën midis Sarandës dhe Konispolit. Dokumentet e tenderit e përshkruajnë terrenin si kodrinor, shkëmbor dhe fushor. Traseja e paraqitur në dokumentacion është paraprake dhe kontraktori fitues do të duhet të kryejë rilevimin përfundimtar topografik përpara miratimit të projektit final.

Hyrja e linjës në nënstacionin e Sarandës është planifikuar të realizohet nëntokë me kabllo XLPE prej alumini me seksion 1,000 mm². Kontrata përfshin gjithashtu ndërtimin e traktit të ri të linjës në nënstacion dhe hyrjen kabllore 110 kV.

Në nënstacionin e Sarandës projekti përfshin një trakt të tretë dalës 110 kV, me pajisje të reja të tensionit të lartë, përfshirë çelësin 110 kV, ndarësit, transformatorët e rrymës dhe tensionit, terminalet, si dhe panelet e komandimit dhe mbrojtjes.

Procedura është konceptuar si një kontratë “me çelësa në dorë”. Kompania fituese do të mbulojë projektimin, prodhimin dhe furnizimin e pajisjeve, instalimin, testimet dhe komisionimin e linjës dhe impianteve përkatëse.
Tenderi zgjeron infrastrukturën 110 kV të OST në zonën Sarandë–Xarrë, ndërsa konfigurimi me shtylla dopio qark parashikohet që në fazën e ndërtimit, megjithëse në këtë kontratë do të montohet vetëm një qark.

The post OST tender rreth 5 milionë euro për linjën e re 110 kV Sarandë–Xarrë appeared first on Revista Monitor.

Njohja e kualifikimeve profesionale të BE-së, gati drafti, do të zbatohet nga dita e anëtarësimit

26 August 2026 at 15:31

Ministria e Arsimit ka nxjerrë për konsultim një projektligj që synon të vendosë në Shqipëri regjimin e Bashkimit Europian për njohjen e kualifikimeve profesionale, duke përcaktuar rregulla për profesionistët e kualifikuar në BE, Zonën Ekonomike Europiane dhe Zvicër, si dhe për shqiptarët që kërkojnë të ushtrojnë profesionin në këto vende.

Drafti e përcakton si qëllim “mundësimin e lëvizjes së lirë dhe lirisë së ofrimit të shërbimeve” për profesionistët e kualifikuar, si në drejtim të Shqipërisë, ashtu edhe nga Shqipëria drejt vendeve europiane.

Ndryshimi është pjesë e harmonizimit të legjislacionit shqiptar me Direktivën 2005/36/KE për njohjen e kualifikimeve profesionale dhe Direktivën 2018/958 për testin e proporcionalitetit.

Sipas relacionit të Ministrisë, legjislacioni aktual nuk ofron ende një regjim të plotë të përafruar me BE-në, duke krijuar “pengesë për mobilitetin e profesionistëve, burokraci për njohjen e diplomave dhe certifikatave”, si dhe pasiguri juridike për bizneset dhe institucionet arsimore.

 

Si do të veprohet

Projektligji krijon tre rrugë kryesore për njohjen e kualifikimeve: sistemin e përgjithshëm, njohjen automatike mbi bazën e përvojës profesionale dhe njohjen automatike për profesionet sektoriale që plotësojnë kushtet minimale të harmonizuara të formimit.

Në grupin e profesioneve sektoriale përfshihen mjekët, infermierët, stomatologët, mamitë, veterinerët, farmacistët dhe arkitektët. Relacioni përcakton se për këto profesione sistemi do të mbështetet në njohjen reciproke të kualifikimeve kur formimi i kryer në një vend të BE-së plotëson kushtet minimale të harmonizuara europiane.

Për kualifikimet e përfshira në listat që do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, drafti shkon më tej duke përcaktuar se autoritetet shqiptare “nuk kontrollojnë përmbajtjen e formimit të kryer në një shtet anëtar të BE-së”. Lista e diplomave dhe certifikatave që përfitojnë nga ky trajtim do të përditësohet sa herë që BE-ja ndryshon listat përkatëse të kualifikimeve profesionale.

Për profesionet që nuk plotësojnë kushtet e njohjes automatike do të përdoret sistemi i përgjithshëm. Nëse autoritetet konstatojnë dallime thelbësore mes formimit të aplikantit dhe kërkesave shqiptare, mund të kërkohet një masë kompensuese, një periudhë përshtatjeje deri në tre vjet ose një test përshtatshmërie.

Si rregull, profesionistit i jepet e drejta të zgjedhë mes dy alternativave.

Drafti vendos edhe afate për administratën. Autoriteti kompetent duhet të konfirmojë marrjen e aplikimit brenda një muaji, ndërsa shqyrtimi i një dosjeje të plotë duhet të përfundojë jo më vonë se tre muaj, me mundësi shtyrjeje me një muaj në raste të caktuara. Vendimi ose mungesa e tij brenda afatit mund të ankimohet.

Një regjim më i lehtë parashikohet për profesionistët e vendeve anëtare që vijnë në Shqipëri vetëm për të ofruar shërbime në mënyrë të përkohshme ose të rastësishme. Ata mund të ushtrojnë një profesion të rregulluar “pa qenë e nevojshme të kryhet njohja e kualifikimeve profesionale”, nëse janë të vendosur ligjërisht në një shtet anëtar dhe plotësojnë kushtet e përcaktuara në ligj.

Përpara ofrimit të shërbimit për herë të parë, profesionisti duhet të paraqesë një deklaratë pranë autoritetit kompetent. Në profesionet ku ekziston rrezik serioz për shëndetin ose sigurinë e përfituesit, autoriteti mund të kryejë kontroll paraprak të kualifikimeve.

Nëse administrata nuk reagon brenda afateve ligjore, drafti i jep profesionistit të drejtën të nisë ushtrimin e profesionit.

Projektligji hap gjithashtu rrugën për përdorimin e Kartës Profesionale Europiane, një certifikatë elektronike e lidhur me sistemin IMI të tregut të brendshëm të BE-së. Karta do të jetë alternativë ndaj procedurave tradicionale si për shërbimet e përkohshme, ashtu edhe për vendosjen e profesionistit në një shtet tjetër.

Për shërbimet e përkohshme që nuk kërkojnë kontroll paraprak, autoriteti shqiptar, kur vepron si autoritet i shtetit të origjinës, duhet ta lëshojë kartën brenda tre javësh. Në disa procedura ku Shqipëria është shteti pritës, nëse autoriteti nuk merr vendim brenda afatit të parashikuar, “Karta Profesionale Europiane konsiderohet e lëshuar dhe transmetohet automatikisht nëpërmjet IMI-së”.

Njohja e kualifikimit nuk eliminon kërkesën për njohjen e gjuhës shqipe.

Drafti përcakton se profesionistët duhet të zotërojnë njohuritë e nevojshme të shqipes për ushtrimin e profesionit, por kontrolli mund të bëhet vetëm në rrethana të përcaktuara, përfshirë profesionet që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e pacientit ose kur ka dyshime serioze dhe konkrete për nivelin gjuhësor. Kontrolli duhet të jetë “i justifikuar, i domosdoshëm dhe proporcional”.

Pjesa tjetër e reformës prek mënyrën se si Shqipëria mund të vendosë rregulla të reja për profesionet e rregulluara. Përpara çdo kufizimi të ri mbi hyrjen apo ushtrimin e një profesioni, autoritetet do të duhet të kryejnë një vlerësim paraprak proporcionaliteti.

Sipas draftit, vlerësimi duhet të përgatitet “në mënyrë objektive dhe të pavarur” dhe, kur është e mundur, të mbështetet edhe në të dhëna mbi ndikimin në punësim ose hyrjen në treg.

Projektligji kërkon gjithashtu informimin dhe përfshirjen e qytetarëve, përfituesve të shërbimeve dhe grupeve të interesit përpara vendosjes së kufizimeve të reja. Drafti, arsyetimi dhe vlerësimi i proporcionalitetit duhet të bëhen publikisht të disponueshme “në mënyrë transparente, të kuptueshme dhe të aksesueshme lirisht”.

 

Efektet

Ministria argumenton në relacion se sistemi i ri synon të ulë barrierat administrative, të lehtësojë lëvizjen profesionale, të ndihmojë kthimin e ekspertëve shqiptarë nga diaspora dhe t’u japë bizneseve akses më të lehtë në profesionistë të kualifikuar.

Megjithatë, zbatimi i regjimit është lidhur drejtpërdrejt me procesin e integrimit. Neni i fundit i draftit përcakton shprehimisht: “Ky ligj hyn në fuqi ditën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian.”

Edhe efekti buxhetor është shtyrë në të njëjtën kohë. Relacioni thotë se projektligji “nuk ka efekte financiare të menjëhershme në buxhetin e shtetit” dhe se ndikimi do të evidentohet me hyrjen në fuqi të dispozitave pas anëtarësimit në BE.

 

The post Njohja e kualifikimeve profesionale të BE-së, gati drafti, do të zbatohet nga dita e anëtarësimit appeared first on Revista Monitor.

Ankimohet në KPP tenderi për studimin e fizibilitetit të menaxhimit të ujërave të shiut në Vlorë

26 August 2026 at 14:00

Tenderi për hartimin e studimit të fizibilitetit për përmirësimin dhe zhvillimin e sistemit të menaxhimit të ujërave të shiut në Vlorë është ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik pas fazës së vlerësimit të ofertave.

Procedura lidhet me studimin që Bashkia Vlorë kërkon të hartojë për sistemin e drenazhimit të qytetit, me synimin për të përgatitur një masterplan dhe një paketë ndërhyrjesh prioritare për menaxhimin e ujërave të shiut.

Sipas termave të referencës, studimi duhet të vlerësojë gjendjen e rrjetit ekzistues, kapacitetet hidraulike të kanaleve, hidrovorit dhe stacioneve të pompimit, si dhe të identifikojë zonat me rrezik përmbytjeje. Dokumenti parashikon gjithashtu ndarjen përfundimtare të ujërave të bardha nga ujërat e zeza dhe disiplinimin e ujërave të shiut në zonën urbane.

Projekti përfshin zhvillimin e një modeli të integruar hidrologjik dhe hidraulik, hartëzimin e pikave të përmbytjeve dhe testimin e skenarëve të reshjeve. Konsulenti duhet të vlerësojë edhe ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe të përgatisë projektim konceptual për ndërhyrjet prioritare, përfshirë vlerësimet paraprake të kostove të investimit dhe operimit.

Termat e referencës e përshkruajnë rrjetin ekzistues të kanalizimeve të ujërave të bardha si të amortizuar, me bllokime të pjesshme dhe të plota, kapacitete të reduktuara transportuese dhe ndërprerje të rrjetit në disa nyje. Dokumenti evidenton gjithashtu ndërthurje mes rrjetit të ujërave të shiut dhe atij të ujërave të zeza.
Studimi do të mbulojë një pellg ujëmbledhës prej 960 hektarësh dhe është konceptuar mbi një popullsi aktuale prej rreth 90,000 banorësh.

Afati i parashikuar për realizimin e studimit është gjashtë muaj. Tre muajt e parë janë rezervuar për mbledhjen e të dhënave, analizën hidrologjike dhe modelimin hidraulik, ndërsa fazat pasuese përfshijnë analizën e alternativave, vlerësimin ekonomik e mjedisor dhe përgatitjen e studimit final.

 

The post Ankimohet në KPP tenderi për studimin e fizibilitetit të menaxhimit të ujërave të shiut në Vlorë appeared first on Revista Monitor.

Përdorimi i obligacioneve si kolateral për kreditë, në rënie për të tretin vit radhazi

26 August 2026 at 13:00

Përdorimi i instrumenteve të borxhit të qeverisë si kolateral për kreditë bankare është në rënie për të tretin vit radhazi.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për 6-mujorin 2026 vlera e letrave me vlerë të borxhit qeveritar të vendosura si kolateral për kreditë bankare zbriti në 91 milionë lekë, në rënie me 56% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në numër transaksionesh, titujt e qeverisë u vendosën si kolateral në 18 raste, shifër kjo 25% më e ulët krahasuar me një vit më parë.

Përdorimi i pakët i titujve të borxhit si kolateral për kreditë këtë vit është përqendruar i gjithi te individët.

Sipas llojit, në përgjithësi titujt e vendosur si kolateral janë obligacionet, sepse ato kanë edhe afate më të gjate maturimi, ndërsa bonot e thesarit përdoren në raste të rralla. Nga 18 transaksione të lënies së titujve si kolateral për 6-mujorin 2026, në 16 prej tyre janë përdorur obligacionet dhe vetëm në dy prej tyre bonot.

Të dhënat e AMF-së tregojnë se këtë vit vetëm dy banka tregtare që veprojnë si shoqëri komisionere kryer transaksione të vendosjes së titujve si kolateral kanë pranuar titujt e qeverisë si kolateral, Banka Kombëtare Tregtare dhe Banka e Parë e Investimeve Shqipëri (Fibank).

Titujt qeveritarë mund të ofrojnë avantazhe, në raport me llojet e tjera të kolateralit të përdorur gjerësisht, kryesisht pasuritë e paluajtshme, si për huadhënësin, ashtu edhe për huamarrësin. Instrumentet financiarë janë më likuidë dhe më të lehtë për t’u vlerësuar në krahasim me tipat e tjera të pasurive. Procedurat e ekzekutimit, në rastet e mosshlyerjes së detyrimeve, janë më të shpejta dhe me më pak kosto në krahasim me llojet e tjerë të kolateraleve apo garancive të ofruara. Kjo, në përgjithësi, reflektohet në rrezik më të ulët dhe normë më të vogël të interesit për kreditë e siguruara me bono thesari dhe obligacione.

Megjithatë, duket qartë se ky lloj kolaterali përdoret shumë, qoftë sepse njihet pak si alternativë nga huamarrësit, por edhe për shkak të disa problematikave që kanë bankat në rastet kur i sigurojnë huatë me këto instrumente.

Një prej problemeve është i lidhur me vlerën e tregut të titullit të ofruar si kolateral. Nëse në momentin e ekzekutimit të pasurisë vlera e tregut ka rënë nën vlerën e detyrimit që klienti ka ndaj bankës, atëherë një pjesë e detyrimit mund të mbetet e pambuluar.

Për të shmangur këtë problem, përveç koeficientit të mbulimit pak më të lartë se vlera e kredisë, bankat kryejnë kontrolle periodike të vlerave të tregut të kolateraleve në tituj. Në momentin që konstaton se vlera e kolateralit të ofruar ka rënë nën limitin e lejueshëm, banka ka të drejtë të kërkojë nga klienti shtimin e vlerës së kolateralit.

Sipas bankierëve, çështjet të tjera që kërkojnë përmirësime dhe qartësime janë mundësia e regjistrimit të bllokimit të titullit në favor të bankës në regjistrin e titujve. / E.Shehu

Burimi:BSH

The post Përdorimi i obligacioneve si kolateral për kreditë, në rënie për të tretin vit radhazi appeared first on Revista Monitor.

Mali i Zi ul më tej akcizën për karburantet

26 August 2026 at 12:21

Qeveria e Malit të Zi uli më tej akcizat për benzinën dhe naftën, në përpjekje për të zbutur efektet e rritjes së çmimeve globale të karburanteve në tregun vendas, njoftoi të martën.

Nga 25 gushti, akciza për benzinën pa plumb do të ulet në 0.522 euro (0.600 dollarë) për litër, nga norma e zakonshme prej 0.549 euro për litër, ndërsa akciza për naftën do të ulet më tej në 0.352 euro për litër, nga 0.396 euro për litër që ishte vendosur në mesin e gushtit dhe nga norma e zakonshme prej 0.440 euro për litër, bëri të ditur qeveria në një deklaratë.

Akcizat e reja do të mbeten në fuqi deri më 5 shtator.

Ministria e Energjisë njoftoi në një deklaratë të veçantë të hënën se, pas ndërhyrjes së qeverisë për uljen e akcizës me 5% për benzinën pa plumb dhe me 20% për naftën, çmimi me pakicë i naftës do të ulet me 0.01 euro brenda javës, në 1.87 euro për litër nga 25 gushti.

Në të njëjtën kohë, çmimi me pakicë i benzinës Eurosuper 98 do të ulet gjithashtu me 0.01 euro, në 1.79 euro për litër, ndërsa çmimi i Eurosuper 95 do të mbetet i pandryshuar në 1.76 euro për litër.

Këto tarifa do të mbeten në fuqi gjatë javës 25-31 gusht. Ministria e Energjisë do të përcaktojë çmimet për javën që nis më 1 shtator, bazuar në kuotimet e bursave të mallrave për një periudhë shtatëditore dhe në kursin e këmbimit dollar amerikan-euro.

Qeveria malazeze uli për herë të parë përkohësisht akcizat për karburantet në fund të marsit, me qëllim zbutjen e ndikimit të rritjes së fortë të kostove globale të naftës pas shpërthimit të luftës në Lindjen e Mesme në fund të shkurtit.

Që atëherë, qeveria i ka rishikuar disa herë akcizat për naftën dhe benzinën, duke u përpjekur të përshtatet me luhatjet e tregut global të naftës.

Në mars, qeveria vendosi gjithashtu të ndryshojë mënyrën e rregullimit të çmimeve me pakicë të karburanteve, duke e shkurtuar përkohësisht periudhën e përcaktimit të çmimeve nga 14 ditë në shtatë ditë, për të mundësuar përshtatjen më të shpejtë të çmimeve vendase me kostot e naftës në tregun global./ See News

The post Mali i Zi ul më tej akcizën për karburantet appeared first on Revista Monitor.

Shqipëria dhe Britania firmosin marrëveshjen e parë në rajon për pasuritë e konfiskuara

26 August 2026 at 12:17

Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nënshkruar marrëveshjen e parë në Ballkanin Perëndimor për ndarjen e pasurive të rikuperuara nga krimi, duke nisur me rreth 54,000 paund asete të lidhura me një çështje penale për trafik droge.

Nw njw njoftim pwr shtyp u bw e ditur se shuma do të ndahet në mënyrë të barabartë mes qeverisë britanike dhe Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara të Shqipërisë. Marrëveshja u finalizua dhe u nënshkrua në Mbretërinë e Bashkuar më 6 gusht 2026, pasi ishte prezantuar në një ceremoni në Tiranë më 13 korrik.

Marrëveshja lidhet me një çështje penale të përfunduar për komplot për furnizimin me kanabis të grupeve të krimit të organizuar në Angli dhe Uells. Autoritetet britanike dhe shqiptare bashkëpunuan për identifikimin dhe rikuperimin e të ardhurave nga krimi që ndodheshin në Shqipëri.

Sipas marrëveshjes, të ardhurat e rikuperuara do të ndahen përgjysmë mes dy vendeve. Pasuritë e sekuestruara mund të riinvestohen për qëllime sociale në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Marrëveshja është e para e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor dhe përfshin bashkëpunimin mes Home Office, Agjencisë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar, Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës dhe AAPSK-së.

Bashkëpunimi mes dy vendeve është fokusuar edhe te hetimi i pastrimit të parave dhe përdorimi i kriptomonedhave nga rrjetet kriminale. Mbretëria e Bashkuar ka ofruar softuer dhe trajnime për autoritetet shqiptare dhe në vitin 2025 udhëhoqi aktivitetin e Procesit të Berlinit për financat e paligjshme, me fokus rikuperimin e pasurive në Ballkanin Perëndimor.

Shkalla e pasurive të sekuestruara në Shqipëri është rritur ndjeshëm. Në pjesën e parë të vitit 2025, vlera e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara tejkaloi 58 milionë euro, duke përfshirë më shumë se 1,000 sekuestrime të pasurive të paluajtshme, sipas njoftimit.

Marrëveshja krijon mekanizmin që pasuritë e rikuperuara në çështje të përbashkëta penale të ndahen mes dy vendeve, duke zgjeruar bashkëpunimin dypalësh nga hetimi dhe sekuestrimi drejt shpërndarjes së të ardhurave të konfiskuara.

 

The post Shqipëria dhe Britania firmosin marrëveshjen e parë në rajon për pasuritë e konfiskuara appeared first on Revista Monitor.

Kosovë, rriten çmimet e prodhimit dhe importeve: Uji, pijet e ndërtimi kryesojnë shtrenjtimet në TM2

26 August 2026 at 11:44

Çmimet e prodhimit dhe të mallrave të importuara në Kosovë u rritën gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, duke sinjalizuar presione të reja mbi kostot në ekonomi. Rritjet më të forta u regjistruan te uji, pijet dhe disa prej materialeve që përdoren në ndërtim dhe industri.

Indeksi i Çmimeve të Prodhimit u rrit mesatarisht me 4,6% në TM2 2026 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Në raport me tremujorin e parë të këtij viti, rritja ishte 0,9%.

Shtrenjtimi më i madh vjetor u regjistrua te grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë, ku çmimet u rritën me 32,2%. Prodhimi i pijeve pasoi me një rritje prej 20,1%, ndërsa çmimet në prodhimin e letrës dhe produkteve prej saj u rritën me 14,7%.

Rritje e konsiderueshme u regjistrua edhe në kategorinë e prodhimit tjetër, me 9,8%, ndërsa produktet e gomës dhe plastikës u shtrenjtuan me 3,8%. Produktet minerale jometalike u rritën me 3,3% dhe përpunimi i produkteve ushqimore me 3,2%.

Çmimet në prodhimin e mobilieve u rritën me 2,6%, ndërsa ato të makinerive dhe pajisjeve me 2,4%. Energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar shënuan rritje prej 2,3%, aq sa edhe prodhimi i drurit dhe produkteve prej drurit.

Në prodhimin e pajisjeve elektrike dhe te xeherorët e guroret e tjera, rritja vjetore ishte 1,9%, ndërsa në tekstile dhe produkte kimike nga 0,6%.

Jo të gjitha degët e industrisë, megjithatë, shënuan rritje të çmimeve. Prodhimi i veshjeve regjistroi rënien më të madhe vjetore, prej 6,4%, ndërsa prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej saj u lirua me 2,7%. Rënie u shënua edhe në prodhimin e produkteve të fabrikuara metalike.

Edhe në bazë tremujore, kostot e prodhimit vazhduan të rriten. Nga TM1 në TM2 2026, çmimet në prodhimin e pijeve u rritën me 3,2%, ndërsa prodhimi i mjeteve motorike, rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove u shtrenjtua me 2,6%.

Prodhimi i metaleve regjistroi rritje prej 2,3%, produktet e gomës dhe plastikës prej 2%, ndërsa energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar u shtrenjtuan me 1,1%.

Presionet mbi çmimet nuk u kufizuan vetëm te prodhimi vendor.

Indeksi i tërësishëm i Çmimeve të Importit u rrit me 1,4% në TM2 krahasuar me tremujorin e parë të vitit, sipas ASK-së. Rritjet më të mëdha u përqendruan në kategori që lidhen me ndërtimin dhe industrinë.

Artikujt e gurit, llaçit, qeramikës dhe qelqit regjistruan rritjen më të madhe tremujore, prej 5,5%. Plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre u shtrenjtuan me 4,8%, ndërsa produktet minerale me 4,7%.

Çmimet e tekstilit dhe artikujve të tekstilit u rritën me 3,6%. Shtazët e gjalla dhe produktet e shtazëve, si dhe druri dhe artikujt prej tij, u shtrenjtuan me nga 1,6%, ndërsa produktet e industrive kimike me 1,5%.

Mjetet e transportit u shtrenjtuan me 0,4%. Artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani, si dhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre, regjistruan rritje prej 0,3%. Produktet bimore u shtrenjtuan me 0,2% dhe vajrat ushqyese me 0,1%, ndërsa çmimet e këpucëve mbetën të pandryshuara.

Disa kategori të importeve, ndërkohë, u liruan.

Rënien më të madhe tremujore e regjistruan instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale e muzikore dhe mekanizmat e orës, me 3,7%. Letrat dhe artikujt prej tyre u liruan me 1,7%, ndërsa lëkura dhe artikujt e saj me 0,6%.

Pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike, si dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar, regjistruan rënie prej 0,8%.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimet e importeve në TM2 2026 ishin mesatarisht 2,6% më të larta.

Produktet minerale regjistruan rritjen më të fortë vjetore, prej 12,7%. Vajrat ushqyese u shtrenjtuan me 7,7%, këpucët me 5,5% dhe produktet e industrive kimike me 4,1%.

Druri dhe artikujt prej tij u shtrenjtuan me 3,2%, ndërsa shtazët e gjalla dhe produktet e shtazëve me 3%. Lëkura dhe artikujt e saj regjistruan rritje prej 2,6%.

Plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre u shtrenjtuan me 2,3%, aq sa edhe artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani. Artikujt e gurit, llaçit, qeramikës dhe qelqit regjistruan rritje vjetore prej 1,2%.

Në kahun e kundërt, produktet bimore u liruan me 5,7% krahasuar me TM2 2025. Instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale e muzikore dhe mekanizmat e orës shënuan rënie prej 3,8%, ndërsa metalet bazë dhe artikujt e tyre u liruan me 1,3%.

Letrat dhe artikujt prej tyre regjistruan rënie vjetore prej 1,1%, ndërsa tekstili dhe artikujt e tekstilit u liruan me 0,2%.

Të dhënat e ASK-së tregojnë se presionet mbi çmimet gjatë TM2 2026 u shfaqën njëkohësisht në prodhimin vendor dhe te mallrat e importuara. Në prodhim, rritja vjetore prej 4,6% u nxit kryesisht nga shtrenjtimi i ujit, pijeve dhe letrës, ndërsa te importet presionet më të forta u përqendruan te produktet minerale, materialet e ndërtimit, plastika, kauçuku dhe tekstili.

 

The post Kosovë, rriten çmimet e prodhimit dhe importeve: Uji, pijet e ndërtimi kryesojnë shtrenjtimet në TM2 appeared first on Revista Monitor.

Energjia, rritet pesha e fotovoltaikëve, prodhuan 19% të totalit, më shumë eksporte

26 August 2026 at 11:17

Prodhimi  i energjisë elektrike në vend u rrit me më shumë se një të tretën në tremujorin e dytë të vitit, ndërsa eksportet u zgjeruan me mbi 55% dhe importet ranë, në një periudhë kur investimet në kapacitete të reja fotovoltaike po zgjerojnë gradualisht bazën prodhuese të vendit.

Bilanci i energjisë i tremujorit të dytë të këtij viti, publikuar nga INSTAT, tregon se prodhimi neto vendas arriti në 2.361 GWh në periudhën prill-qershor 2026, nga 1.757 GWh një vit më parë, duke shënuar rritje vjetore prej 34,4%. Energjia në dispozicion u rrit me 5,1%.

Rritja e prodhimit u shoqërua me tkurrje të importeve dhe zgjerim të fortë të eksporteve. Importi bruto i energjisë elektrike, përfshirë shkëmbimet, ra me 21,5% në 569 GWh, nga 725 GWh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Eksporti bruto u rrit me 55,4%, duke arritur në 991 GWh, nga 638 GWh në tremujorin e dytë të vitit 2025.

Diferenca mes eksporteve dhe importeve rezultoi pozitive në 422 GWh gjatë tremujorit, duke reflektuar një nivel më të lartë të energjisë së dhënë jashtë vendit krahasuar me atë të marrë.

 

Burimet e tjera të rinovueshme arrijnë 19% të prodhimit

Hidrocentralet vijuan të dominonin prodhimin vendas, por të dhënat tregojnë një rritje të shpejtë edhe të kategorisë së prodhuesve të tjerë, ku INSTAT përfshin burimet e rinovueshme të ndryshme nga hidro dhe termo, siç janë impiantet fotovoltaike.

Kjo kategori prodhoi 448 GWh në tremujorin e dytë, nga 288 GWh një vit më parë, një rritje prej 55,6%. Ajo përbënte 19% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike në këtë periudhë, krahasuar me 42,8% të realizuar nga hidrocentralet publike dhe 38,2% nga hidrocentralet private dhe koncesionare.

Rritja e kësaj kategorie përkon me zgjerimin e investimeve në sektorin fotovoltaik. Të dhënat e INSTAT tregojnë se hidrocentralet publike prodhuan 1.011 GWh gjatë tremujorit të dytë, 43,6% më shumë se një vit më parë.

Hidrocentralet private dhe koncesionare prodhuan 903 GWh, me rritje vjetore prej 18%.

Në total, prodhimi nga hidrocentralet arriti në 1.913 GWh, ndërsa 448 GWh erdhën nga prodhuesit e tjerë. Shqipëria nuk regjistroi prodhim nga termocentralet gjatë periudhës.

 

Konsumi rritet 6,2%

Rritja e prodhimit u shoqërua edhe me konsum më të lartë të energjisë elektrike.

Përdorimi nga konsumatorët arriti në 1.619 GWh gjatë tremujorit të dytë, 6,2% më shumë se 1.525 GWh në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Konsumi i familjeve u rrit me 5,6%, ndërsa ai i konsumatorëve jo familjarë u zgjerua me 6,9%.

Familjet përdorën rreth 823 GWh energji elektrike gjatë tremujorit, ndërsa konsumatorët jo familjarë rreth 796 GWh.

Humbjet totale në rrjet mbetën pothuajse të pandryshuara, duke u rritur me 0,1% në 320 GWh nga 319,6 GWh një vit më parë.  Pesha e tyre ndaj energjisë në dispozicion ra në 16,5%, nga 17,3%.

Humbjet në transmetim u rritën me 20,4%, ndërsa ato në shpërndarje ranë me 3,1% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025.

 

The post Energjia, rritet pesha e fotovoltaikëve, prodhuan 19% të totalit, më shumë eksporte appeared first on Revista Monitor.

Buxheti mblodhi 51 miliardë lekë më shumë në 7-mujor, një e treta nga lejet e ndërtimit

25 August 2026 at 14:12

Të ardhurat totale, për periudhën Janar-Korrik 2026, arritën në rreth 484.6 miliardë lekë, duke u rritur me 11.8%, ose 51 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.

Sipas ndarjeve paraprake, të ardhurat nga tatimet e doganat ishin 20.8 miliardë lekë më shumë, ato nga sigurimet shoqërore e shëndetësore 13.9 miliardë lekë më shumë, ndërsa pjesa tjetër, prej rreth 16 miliardë lekë, ose një e treta e rritjes kanë ardhur nga taksat vendore, kryesisht nga arkëtimet nga taksa e infrastrukturës për ndërtimet e reja, një tregues i nivelit të lartë të lejeve të ndërtimit të dhëna në pjesën e parë të vitit.

Taksa e infrastrukturës në ndërtim është bërë një element i rëndësishëm që ka ndikuar në rritjen totale të të ardhurave buxhetore në tre muajt e parë të vitit.

Të dhënat e mëparshme për 6 mujorin e parë 2026 treguan se janë arkëtuar nga ‘taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja’ në të gjithë vendin 18.3 miliardë lekë, ose tre herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë (+200%).

Ku do shkojë Tirana?! Në janar-qershor jepen 5-fish leje për ndërtime rekord, me vlerë 1.6 mld euro

Buxheti vijon të jetë në suficit, me të ardhurat që janë më të larta sesa shpenzimet. Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën Janar-Korrik 2026, arritën në rreth 433.2 miliardë lekë, me një realizim në masën 98.2 % të planit të periudhës.

 

Performanca Paraprake e të Ardhurave dhe Shpenzimeve për Janar-Korrik 2026:

Të ardhurat totale, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u rritën me rreth 51.1 miliardë lekë ose 11.8 % më shumë, një realizim në masën 58.9 % të planit vjetor të mbledhjes së të ardhurave sipas buxhetit fillestar dhe 57.5% sipas Aktit Normativ nr.2.

Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë në shumën 307.9 miliardë lekë, 20.8 miliardë lekë ose 7.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale), për periudhën Janar-Korrik 2026, u realizuan në shumën 165.9 miliardë lekë, 15.7 miliardë lekë ose 10.4% më shumë se shtatëmujori i vitit 2025.

Krahasuar me planin e shtatërmujorit, të ardhurat e mbledhura janë 1.2 miliardë lekë ose 0.7% më shumë.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizuan në shumën 49 miliardë lekë, 9.8 miliardë lekë ose 25.1% më shumë se shtatëmujori 2025, dhe me realizim në shumën prej 1.2 miliardë lekë ose 102.6% të planit për shtatëmujorin e vitit 2026. Rimbursimet e dhëna për periudhën Janar-Korrik 2026 janë në shumën 8.8 miliardë lekë.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në shumën 34.6 miliardë lekë, me realizim në masën 98.3% të planit për shtatëmujorin 2026.

Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë në shumën 56.6 miliardë lekë, 8.4 miliardë lekë ose 17.3% më shumë se shtatëmujori i vitit 2025, si dhe 471 milionë lekë ose 0.8% më shumë se plani për shtatëmujorin 2026.

Të ardhurat nga taksat nacionale, për periudhën Janar-Korrik 2026, u realizuan në shumën 25.6 miliardë lekë, një realizim në masën 100.2% të planit për shtatëmujorin 2026.

Të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH, periudhën Janar-Korrik 2026, u realizuan në shumën 117.6 miliardë lekë, 13.9 miliardë lekë ose 13.4% më shumë se shtatëmujori 2025, si dhe me realizim prej 100.3% të planit për shtatëmujorin 2026.

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare), për periudhën Janar-Korrik 2026, u realizuan në vlerën 142 miliardë lekë, 5.2 miliardë lekë ose 3.8% më shumë se shtatëmujori i vitit 2025, me realizim 99% të planit për periudhën shtatëmujore 2026 për të ardhurat doganore.

Të ardhurat nga TVSH në import, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë 94.4 miliardë lekë, 3.3 miliardë lekë ose 3.6% më shumë se 7-mujori i vitit 2025, si dhe realizim në masën 98.7% të planit për periudhën shtatëmujore 2026.

Të ardhurat nga akciza, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë realizuar në shumën 40.5 miliardë lekë, 1.5 miliardë lekë ose 3.9% më shumë se shtatëmujori i vitit 2025, si dhe realizim në masën 99.5% të planit për shtatëmujorin 2026.

Të ardhurat e arkëtuara nga renta minerare në eksport, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë në shumën 1.1 miliardë lekë, një realizim në masën 104.9 % kundrejt planit të shtatëmujorit 2026.

Të ardhurat nga taksat doganore, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë në vlerën 6 miliardë lekë, 483 milionë lekë ose 8.8% më shumë se periudha 7-mujore e viti 2025, si dhe realizim prej 98.8% kundrejt planit të shtatëmujorit 2026.

 

Shpenzimet:

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 7-mujore të vitit 2026, arritën në rreth 433.2 miliardë lekë, me një realizim në masën 98.2% të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025 ky zë ka rezultuar 7.8% më i lartë ose rreth 31.3 miliardë lekë më shumë.

Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 7-mujorin e vitit 2026 u realizuan në masën 48.8% të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 47.8% të planit vjetor sipas Aktit Normativ Nr. 2, datë 30.06.2026.

Shpenzimet kapitale, për periudhën 7-mujore të vitit 2026, rezultuan në 49.1 miliardë lekë, një realizim në masën 96.3% të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 10.1% më i lartë ose rreth 4.5 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet korente, për periudhën 7-mujore të vitit 2026, rezultuan në rreth 384.1 miliardë lekë, ose me realizim në masën 98.5 % të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 7.5% më i lartë ose rreth 26.8 miliardë lekë më shumë.

 

The post Buxheti mblodhi 51 miliardë lekë më shumë në 7-mujor, një e treta nga lejet e ndërtimit appeared first on Revista Monitor.

Nuk ndalet rënia e Euros, arrin minimum të ri historik pranë 92.4 lekëve

25 August 2026 at 13:13

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun nuk po e ndal rënien as këtë javë dhe ka prekur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të martën me 92.44 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Që nga fillimi i vitit kalendarik, kursi Euro/Lek ka rënë me 4.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia e kursit ka arritur në 4.9%. Të dhënat tregojnë se rënia e kursit të Euros është shpejtuar sidomos gjatë vitit 2026.

Oferta e lartë e valutës e lidhur me sezonin veror e ka thelluar akoma një tendencë rënëse të Euros që ishte shfaqur qysh në tremujorin e parë të vitit. Banka e Shqipërisë e shpjegon këtë tendencë kryesisht me përmirësimet e Bilancit të Pagesave.

Statistikat treguan se për tremujorin e parë të vitit deficiti i llogarisë korrente u tkurr në 228 milionë euro, në rënie me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, investimet e huaja direkte arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Ato u rritën me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e volumeve të këmbimit valutor dhe rrjedhimisht edhe forcimi i vazhdueshëm i Lekut ngelet e lidhur ngushtë me ecurinë e Bilancit të Pagesave.

Sipas saj, analiza e kombinuar e të dhënave të tregut valutor dhe atyre të bilancit të pagesave deri në tremujorin e parë rikonfirmoi lidhjen e ngushtë ndërmjet vëllimeve të tregtimit në tregun valutor dhe flukseve të shkëmbimeve të mallrave e shërbimeve me jashtë.

Ndërkohë, duke pasur parasysh tendencën e zakonshme të rritjes së prurjeve valutore në tremujorin e dytë dhe veçanërisht në atë të tretë, duket se një ecuri e tillë mund ta shpjegojë shpejtimin e zhvlerësimit të Euros në kursin e këmbimit me Lekun.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se vëllimi i tregtimit valutor në tregun e brendshëm arriti një rekord të ri historik në tremujorin e dytë të vitit. Vlera e këmbimeve valutore arriti në gati 4.5 miliardë euro, në rritje me rreth 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Volumi i këmbimeve valutore madje kaloi edhe vlerat e regjistruar në tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

Rënia e Euros duket se po shpejtohet përsëri këtë vit, pasi ishte ngadalësuar disi vitin e kaluar. Banka e Shqipërisë vazhdon të jetë e pranishme në tregun valutor, duke blerë rregullisht Euro, me qëllim për ta ngadalësuar këtë tendencë. Vetëm për tremujorin e parë, Banka Qendrore bleu rreth 140 milionë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.

The post Nuk ndalet rënia e Euros, arrin minimum të ri historik pranë 92.4 lekëve appeared first on Revista Monitor.

Projekti i ri për turizmin, FSHZH kërkon kompani për studimin e fizibilitetit

25 August 2026 at 12:13

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur procedurën për përzgjedhjen e një kompanie konsulence që do të hartojë studimin e fizibilitetit për projektin “Projekti për Zhvillimin e Ekosistemit të Turizmit në Shqipëri”, një nismë që po përgatitet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës Botërore.

Sipas termave të referencës të publikuara nga FSHZH, konsulenti do të ketë për detyrë përgatitjen e një studimi të plotë fizibiliteti, i cili do të mbulojë aspektet teknike, institucionale, financiare dhe ekonomike të projektit, kostot, ndikimet mjedisore dhe sociale, vlerësimin e riskut dhe qëndrueshmërinë e investimeve të propozuara.

Projekti synon të mbështesë zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Turizmit 2024–2030, me fokus rritjen e konkurrueshmërisë, qëndrueshmërisë dhe cilësisë së shërbimeve në destinacionet turistike. Ai parashikohet të ndërtojë mbi eksperiencën e Projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik, i cili u mbyll në qershor 2026.

Koncepti i projektit përfshin forcimin e menaxhimit të destinacioneve, investime të përzgjedhura në infrastrukturë dhe asete turistike, mbështetje për konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të turizmit, zhvillimin e aftësive të fuqisë punëtore dhe rritjen e koordinimit mes sektorit publik dhe atij privat.

Në fokusin fillestar gjeografik pritet të jetë klasteri i Jugut të Brendshëm, ndërsa zona të tjera potenciale do të përcaktohen gjatë përgatitjes së projektit, në varësi të gatishmërisë së investimeve, ndikimit të pritshëm dhe kufijve të financimit. Modeli parashikon gjithashtu lidhjen e qendrave të konsoliduara turistike me zonat rurale, asetet kulturore dhe natyrore, agroturizmin, fshatrat dhe eksperiencat e turizmit në natyrë.

FSHZH pritet të jetë agjencia kryesore zbatuese e projektit, ndërsa Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit do të ketë rolin e institucionit kryesor partner për orientimin strategjik. Në proces do të përfshihen gjithashtu Ministria e Financave, Agjencia Kombëtare e Turizmit, AIDA, institucionet e punësimit dhe aftësive, pushteti vendor dhe aktorë të tjerë të sektorit.

Kompania që do të përzgjidhet duhet të mobilizojë ekspertizë në zhvillimin e turizmit dhe menaxhimin e destinacioneve, analizën ekonomike dhe financiare, planifikimin e infrastrukturës dhe territorit, zhvillimin institucional, çështjet mjedisore e sociale dhe përgatitjen e studimeve të fizibilitetit.

The post Projekti i ri për turizmin, FSHZH kërkon kompani për studimin e fizibilitetit appeared first on Revista Monitor.

Ndërtimi i bazës mekanike të trenave, shpallet fituesi i kontratës 9 mln euro

24 August 2026 at 14:22

Hekurudha Shqiptare ka shpallur PROGEEN fitues të tenderit për projektimin dhe ndërtimin e bazës mekanike për mirëmbajtjen e trenave në linjën Tiranë–Durrës–Rinas, me ofertë fituese prej 890.9 milionë lekësh, ose rreth 9 milionë euro.

Sipas njoftimit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit i procedurës me objekt “Hartimi i projektit të detajuar dhe Ndërtimi i Bazës Mekanike për Mirëmbajtjen e Trenave ‘DEPO’ Tiranë–Durrës–Rinas” ishte 1 miliarde lekë, ndërsa oferta fituese sa 87.4% e fondit limit.

Projekti

Projekti lidhet me krijimin e një baze mekanike për mirëmbajtjen dhe shërbimin e mjeteve lëvizëse elektrike EMU që do të operojnë në linjën Durrës–Tiranë–Rinas. Kontrata parashikohet të zbatohet sipas modelit Design & Build, ose “me çelësa në dorë”, duke përfshirë projektimin, ndërtimin, furnizimin dhe instalimin e sistemeve, testimin, komisionimin dhe dorëzimin funksional të objektit.

Baza do të përfshijë objektet civile dhe industriale të depos, infrastrukturën hekurudhore të brendshme dhe lidhjen me rrjetin ekzistues, si dhe sistemet e sinjalizimit, telekomunikimit, elektrifikimit, furnizimit me energji, ujë dhe kanalizime. Kontrata përfshin gjithashtu rrugët e brendshme, ndriçimin, sistemet e sigurisë dhe survejimit, si dhe furnizimin dhe instalimin e pajisjeve të nevojshme për funksionimin e depos.

Sipas Termave të Referencës, projekti i detajuar parashikon një repart shërbimi dhe riparimi për trenat EMU, me linja pa ballast, kanale kontrolli, vinça urë me kapacitet ngritës rreth 30 tonë, pajisje ngritëse dhe zona diagnostikimi. Në kompleks parashikohen gjithashtu pika kontrolli dhe inspektimi, një impiant për larjen e trenave me sistem për grumbullimin dhe trajtimin e ujërave, post për kontrollin e lëvizjes së trenave, dhoma teknike për sinjalizimin dhe telekomunikimin, si dhe magazina, zyra dhe ambiente teknike e sanitare.

Infrastruktura e depos do të lidhet me rrjetin hekurudhor përmes stacionit Shkozet. Projekti përfshin edhe elektrifikimin e linjave, sinjalizimin, telekomunikimin GSM-R, furnizimin me ujë, kanalizimet dhe trajtimin e ujërave industriale, sistemet kundër zjarrit dhe monitorimin me kamera. Termat kërkojnë që sistemet e depos të integrohen me infrastrukturën dhe projektin e linjës Durrës–Tiranë–Rinas.

Dokumentacioni e përcakton ndërtimin aktual si fazën e “investimit minimal”, e cila duhet të jetë funksionale dhe e pavarur për operimin e trenave të pasagjerëve në linjën Durrës–Tiranë–Rinas, ndërsa projektimi duhet të marrë parasysh edhe zgjerimin e kapaciteteve të depos në faza të ardhshme.

 

The post Ndërtimi i bazës mekanike të trenave, shpallet fituesi i kontratës 9 mln euro appeared first on Revista Monitor.

Interesat e kredisë për shtëpi në Lekë qëndruan të ulëta edhe në tremujorin e dytë të vitit

24 August 2026 at 14:00

Rezerva valutore ka arritur një rekord të ri historik në mesin e këtij viti.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlera e mjeteve të rezervës arriti në rreth 7.9 miliardë  euro, në rritje me 7.9% që nga fillimi i vitit 2026 dhe me 17.2% me bazë vjetore.

Rritja e vazhdueshme e vlerës së rezervës valutore po mbështetet nga blerjet e konsiderueshme të valutës nga Banka e Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, për tre muajt e parë të vitit 2026 Banka e Shqipërisë bleu rreth 140 milionë euro në tregun e brendshëm valutor.

Kjo është vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për këtë periudhë të vitit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, blerjet e valutës janë rritur me 320%.

Pavarësisht blerjeve të mëdha të Bankës së Shqipërisë, kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut po vijon rënien dhe ka prekur një rekord të ri historik pranë nivelit të 92.5 lekëve, në rënie vjetore me afërsisht 5%.

Këtë vit, Banka e Shqipërisë do të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm. Ajo synon të blejë përmes ankandeve 330 – 450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. Objektivi i blerjeve është rritur ndjeshëm krahasuar me projeksionet në intervalin 270-350 milionë euro të parashikuar për vitin 2025.

Megjithatë, blerjet totale të valutës ka të ngjarë të rezultojnë në vlera shumë të mëdha.

Në periudhën 2024-2025, Banka Qendrore bleu më shumë se dy miliardë euro në tregun e brendshëm valutor, me qëllim për të frenuar forcimin e vazhdueshëm të Lekut në kursin e këmbimit.

Ndryshimi i vlerës së aktiveve në valutë të huaj nuk është i lidhur vetëm me volumin e investimeve të reja, por edhe lëvizjet e çmimit të instrumenteve financiare dhe metaleve të çmuara në tregjet ndërkombëtare.

Në mesin e këtij viti, titujt e borxhit përbënin 80% të mjeteve të rezervës, ndërsa depozitat në cash përbënin 12% të saj. Pjesa e mbetur e rezervës është e investuar në ar dhe në të drejta tërheqjeje (SDR) pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Në veçanti, vitin e kaluar rritja e çmimit të arit dha një ndikim pozitiv në vlerën e rezervës valutore. Në gjysmën e parë të këtij viti, çmimet e arit paraqiten në rënie. Kjo ka sjellë edhe rënie të vlerës së rezervave të arit në 412 milionë euro, 4.2% më pak krahasuar me fundin e vitit 2025.

Megjithatë, rënia e vlerës së arit është kompensuar dhe tejkaluar nga blerjet e reja të valutës dhe nga rritja e vlerës së titujve financiarë ku është investuar rezerva valutore.

Rezerva valutore është instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditje të mundshme, të lidhura si me deficitin e llogarisë korrente, ashtu edhe me nivelin e lartë të Euroizimit të sektorit financiar në vend.

Misioni i FMN për Shqipërinë, në deklaratën e fundit, të vitit 2025, megjithatë, i rekomandonte Bankës së Shqipërisë një qasje më të kujdesshme në rritjen e mëtejshme të rezervës valutore. Sipas misionit të FMN-së, përfitimet nga akumulimi i rezervave duhet të peshohen ndaj kostove oportune në rritje, rreziqeve të normave të interesit dhe humbjeve të mundshme nga rivlerësimi valutor.

Rritja e rezervës valutore ka sjellë kosto të konsiderueshme në bilancin e Bankës së Shqipërisë, si rezultat i forcimit të kursit të këmbimit të monedhës vendase. Për vitin 2025, humbjet neto nga ndryshimet e kurseve të këmbimit kishin vlerën e 24.1 miliardë lekëve. Humbjet në këtë zë u rritën me 79% krahasuar me një vit më parë.

 

The post Interesat e kredisë për shtëpi në Lekë qëndruan të ulëta edhe në tremujorin e dytë të vitit appeared first on Revista Monitor.

❌