Deklaratat e Donald Trump në Davos, sipas të cilave Groenlanda ka qenë dikur territor amerikan, kanë ringjallur një debat të vjetër, por të mbushur me keqinterpretime historike. Në realitet, sovraniteti i Danimarkës mbi ishullin më të madh në botë nuk është vënë kurrë seriozisht në diskutim nga Shtetet e Bashkuara, pavarësisht pranisë së tyre ushtarake gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Trump pretendoi se, pasi Danimarka u mposht nga Gjermania naziste brenda pak orësh, SHBA-të u detyruan të dërgonin trupa në Groenlandë dhe se pas përfundimit të luftës ia kthyen ishullin Kopenhagenit, një veprim që ai e quajti “budallallëk”. Por faktet historike tregojnë një histori tjetër, shkruan “La Repubblica”.
Në prill të vitit 1941, kur SHBA-të ishin ende zyrtarisht neutrale, Uashingtoni nënshkroi një “marrëveshje mbrojtjeje” për Groenlandën, me qëllim parandalimin e një pushtimi të mundshëm nazist. Marrëveshja u firmos nga ambasadori danez në SHBA, në emër të Mbretit, pasi Danimarka ishte nën okupim gjerman. Në asnjë moment kjo nuk përbënte transferim sovraniteti.
Interesi amerikan ishte kryesisht strategjik dhe ekonomik. Groenlanda strehonte të vetmin burim në botë të kriolitit, një mineral jetik për prodhimin e aluminit, të nevojshëm për motorët dhe avionët luftarakë. Trupat e para amerikane u vendosën përreth minierës së Ivittuut-it dhe deri në vitin 1945 u ndërtuan rreth 15 instalime ushtarake.
Kushtet ekstreme klimatike, i ftohti polar dhe erërat e pamëshirshme, e bënë të pamundur shndërrimin e Groenlandës në bazë ajrore për shoqërimin e anijeve drejt Britanisë së Madhe. Megjithatë, ishulli u përdor si pikë kyçe tranziti për transferimin e mijëra bombarduesve dhe avionëve luftarakë përtej Atlantikut.
Nga ana tjetër, forcat naziste ngritën stacione të vogla radioje dhe meteorologjike për të ndihmuar operacionet e nëndetëseve. Disa prej tyre transmetonin edhe sinjale mashtruese për të çorientuar pilotët amerikanë, duke shkaktuar raste dramatike, përfshirë uljen e detyruar të një skuadriljeje në akullnajë.
Neutralizimi i këtyre postacioneve iu besua “Greenland Patrol”, një njësi e Rojës Bregdetare amerikane, por përplasjet e drejtpërdrejta u zhvilluan kryesisht nga një repart danez, me vullnetarë groenlandezë dhe norvegjezë, që lëviznin me slita të tërhequra nga qenët. Ata përballuan marshime ekstreme, deri në 500 kilometra, në temperatura nën -20 gradë Celsius, një provë e jashtëzakonshme fizike dhe psikologjike.
Pas luftës, rëndësia e Groenlandës u rrit edhe më shumë me nisjen e Luftës së Ftohtë. Në vitin 1946, SHBA-të tentuan ta blinin ishullin nga Danimarka për 100 milionë dollarë, por oferta u refuzua. Megjithatë, amerikanët nuk u larguan. Pas anëtarësimit të Danimarkës në NATO, në vitin 1951 u nënshkrua një traktat që lejonte SHBA-të të mbanin dhe të ndërtonin baza ushtarake për nevojat e Aleancës Atlantike.
Kështu lindi baza ajrore e Thule-s, ende sot një nga instalimet më të rëndësishme ushtarake amerikane në Arktik. Madje, gjatë kulmit të përplasjes bërthamore me Bashkimin Sovjetik, u ndërtua edhe Camp Century, një bazë futuriste 30 metra nën akull, e furnizuar me reaktor bërthamor, pjesë e projektit sekret “Iceworm”, që synonte vendosjen e raketave ndërkontinentale nën akull. Projekti dështoi kur u kuptua se nxehtësia e raketave do të shkrinte strukturat e akullit.
Pas rënies së Murit të Berlinit, prania ushtarake amerikane u reduktua ndjeshëm, duke mbetur kryesisht në Thule. Sot, baza është nën administrimin e Space Force, forcës hapësinore të krijuar nga vetë Trump, e përfshirë në projektin ende teorik “Golden Dome” për mbrojtjen antiraketore nga hapësira.
Por një gjë mbetet e qartë: as historia dhe as realiteti strategjik nuk justifikojnë pretendimin se Groenlanda ka qenë ndonjëherë territor amerikan. Ajo ka qenë dhe mbetet pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, pavarësisht interesave dhe pranisë ushtarake të fuqive të mëdha.