Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 2 January 2026Opinion.al

Dëborë dhe akull në veri, thirrje për kujdes ndaj drejtuesve të mjeteve në këto akse

By: e xh
2 January 2026 at 21:24

Prefekti i Qarkut Shkodër informon se gjatë orëve të fundit janë marrë një numër i konsiderueshëm telefonatash nga qytetarë në sallën operative të Komisariatit të Policisë Shkodër, ku raportohet se disa familje, përfshirë edhe fëmijë, ndodhen të bllokuara në segmente të ndryshme rrugore.

Bllokimet janë evidentuar në akse të ndryshme rrugore, nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje në drejtim të qytetit të Koplikut.

Aktualisht, në këtë aks rrugor po bien reshje breshëri të alternuara me dëborë dhe ka filluar formimi i ngricave, duke e vështirësuar ndjeshëm qarkullimin rrugor, shkruan A2 CNN.

Sipas raportimeve, mbi 200 mjete tentojnë të lëvizin në drejtim të Koplikut. Lëvizja është rivendosur në sajë të ndërhyrjes në terren, ku ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore dhe mjetet borëpastruese, të cilat janë në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit rrugor.

Prefekti i Qarkut është në ndjekje të vazhdueshme të situatës dhe ka kërkuar koordinim të menjëhershëm mes strukturave përgjegjëse për normalizimin e qarkullimit dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Në këtë kuadër, apelohet për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin lëvizjet e panevojshme në akset problematike dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë. Në rast nevoje ose problematikash, qytetarët ftohen të komunikojnë menjëherë me Policinë e Shtetit ose shërbimet e emergjencave.

Prince Caffe: Lajm i rremë i porositur, ne bashkëpunojmë me brende globale

By: e xh
2 January 2026 at 19:57

Brendi Prince Caffe, si një ndër më cilësorët në rajon, është i pranishëm në shumë shtete evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes bashkëpunimeve të drejtpërdrejta me brende prestigjioze dhe partnerë strategjikë të nivelit të lartë, përfshirë Amazon, Lidl, Interspar, Shell, Kaufman, Konzum, dhe të tjerë.

Bashkëpunimet ndërkombëtare të Prince Caffe dhe shtrirja e saj në tregje të reja janë në rritje të vazhdueshme, si rezultat i drejtpërdrejtë i besimit të partnerëve globalë dhe i përkushtimit të pakompromis ndaj cilësisë.

Për ta arritur dhe ruajtur këtë nivel, Prince Caffe dhe të gjitha produktet e saj përcjellëse posedojnë dhe operojnë në përputhje të plotë me certifikatat më të larta ndërkombëtare të cilësisë, sigurisë dhe standardit, duke përmbushur kërkesat e tregjeve evropiane dhe ndërkombëtare.

Lajmi i rremë, i cili pretendon se në produktin Prince Caffe është gjetur një substancë e palejueshme, është plotësisht i pavërtetë dhe i pabazuar në fakte.

“Bazuar në mënyrën dhe qëllimin e shpërndarjes së këtij pretendimi, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se bëhet fjalë për një veprim të porositur nga konkurrentë në treg, me synim dëmtimin e reputacionit të brendit.” – thuhet në reagimin e brendit.

Prince Caffe u ka bërë thirrje të gjitha mediave, institucioneve dhe palëve të përfshira që raportimi mbi çështje të tilla të bëhet në përputhje me profesionalizmin, etikën gazetareske dhe verifikimin e fakteve, duke shmangur publikimin e informacioneve të pavërtetuara.
Me këtë rast, Prince Caffe dëshiron t’i falënderojë të gjithë konsumatorët dhe bashkëpunëtorët besnikë, të cilët për mbi 20 vjet kanë treguar besim të palëkundur ndaj produkteve tona.

“Nuk është hera e parë që prodhimet e njësive të Devolli Corporation përballen me fushata të qëllimshme për njollosje të imazhit publik. Megjithatë, përgjigjja jonë mbetet e njëjtë. transparencë, përputhshmëri ligjore dhe cilësi e dëshmuar ndërkombëtarisht”. – përfundon reagimi. 

U tall me nënshtetësinë e tij franceze,Clooney- Trump: Ta bëjmë Amerikën madhështore

By: e xh
2 January 2026 at 18:55

Aktori i njohur hollivudian George Clooney ka reaguar ashpër ndaj Presidentit amerikan Donald Trump, pasi ky i fundit kritikoi vendimin e Francës për t’i dhënë shtetësi franceze aktorit dhe familjes së tij.

Fituesi i çmimit Oscar, 64 vjeç, bashkë me bashkëshorten e tij Amal Alamuddin Clooney dhe dy fëmijët e tyre, u bënë zyrtarisht shtetasë francezë, pas disa vitesh jetese në jug të Francës.

Clooney ka vlerësuar ligjet franceze për privatësinë, të cilat, sipas tij, e kanë mbrojtur familjen nga ndërhyrjet e mediave ndërkombëtare, si edhe mundësinë për t’i rritur fëmijët larg Hollywood-it.

Presidenti Trump, administrata e të cilit ka mbështetur parti kundër emigracionit në Europë, shkroi në rrjetin e tij Truth Social se Franca ishte e lirë të “mirëpriste” yllin e filmit Ocean’s Eleven, i cili është mbështetës i hershëm i demokratëve dhe kritik i hapur i Trumpit.

“Lajm i mirë! George dhe Amal Clooney, dy nga parashikuesit politikë më të këqij të të gjitha kohërave, janë bërë zyrtarisht shtetas francezë, një vend që fatkeqësisht po përballet me probleme serioze kriminaliteti për shkak të menaxhimit katastrofik të emigracionit”, shkroi Trump.

Ai shtoi gjithashtu se Clooney kishte marrë më shumë vëmendje për politikën sesa për filmat e tij, të cilët i cilësoi si mediokër.

Në reagimin e tij për Hollywood Reporter, Clooney iu përgjigj me ironi: “Jam plotësisht dakord me presidentin aktual. Duhet ta bëjmë Amerikën sërish madhështore. Do të fillojmë në nëntor,” duke iu referuar zgjedhjeve afatmesme të 3 nëntorit.

Vendimi për dhënien e shtetësisë Clooney-t vjen pak para hyrjes në fuqi të rregullave më të ashpra të emigracionit në Francë, që nga 1 janari, të cilat do të forcojnë kriteret gjuhësore për aplikantët.

Një zyrtare e qeverisë së presidentit Emmanuel Macron kritikoi gjithashtu këtë vendim, duke vënë në dukje se Clooney nuk flet mirë frëngjisht.

Megjithatë, ministri i Brendshëm Laurent Nunez dhe Ministria e Jashtme franceze e mbrojtën vendimin, duke theksuar se ai përmbush kriteret ligjore për natyralizim.

Sipas ligjit francez, shtetësia mund t’u jepet të huajve që kontribuojnë ndjeshëm në ndikimin ndërkombëtar dhe prestigjin kulturor të Francës.

Autoritetet theksuan se Clooney dhe bashkëshortja e tij, një avokate e njohur për të drejtat e njeriut, kontribuojnë në këtë drejtim.

Clooney pranoi se frëngjishtja e tij mbetet e dobët, pavarësisht kurseve të ndjekura, ndërsa Amal Clooney flet rrjedhshëm këtë gjuhë.

Aktori bleu pronën Domaine du Canadel pranë qytetit Brignoles në vitin 2021 dhe ka deklaruar se Franca është vendi ku familja e tij ndihet më e lumtur.

Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, rreth 48,800 persona fituan shtetësinë franceze me dekret gjatë vitit 2024.

Ndërkohë, Clooney nuk është i vetmi emër i njohur që kërkon pasaportë franceze.

Regjisori Jim Jarmusch njoftoi se ka aplikuar gjithashtu, duke thënë se dëshiron një vend ku mund të largohet nga Shtetet e Bashkuara.

Izraeli kryen sulme të reja ajrore në jug të Libanit

By: e xh
2 January 2026 at 18:33

Izraeli ndërmori disa sulme ajrore në Libanin jugor, në përfundim të afatit të vendosur për çarmatosjen e grupit militant Hezbollah përgjatë kufirit mes dy vendeve.

Sulmet ndodhën disa ditë para një mbledhjeje të planifikuar të qeverisë libaneze, ku komandanti i ushtrisë pritet t’i raportojë kabinetit për largimin e pranisë ushtarake të Hezbollahut nga zona pranë kufirit me Izraelin, raporton AP.

Sipas mediave shtetërore libaneze, sulmet ajrore goditën disa zona në jug të Libanit, përfshirë rajonin e njohur si “Apple Province” dhe periferitë e fshatrave Ansar dhe Zrariyeh. Ushtria izraelite njoftoi se forcat ajrore kanë goditur objekte infrastrukturore të Hezbollahut në disa zona të Libanit jugor.

Lufta e fundit mes Izraelit dhe Hezbollahut nisi më 8 tetor 2023, një ditë pas sulmit të militantëve të udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor, kur Hezbollahu lëshoi raketa drejt Izraelit në shenjë solidariteti me Hamasin.

Kosova e nisi vitin 2026 pa buxhet

By: e xh
2 January 2026 at 17:11

Bllokadat që karakterizuan gjithë 2025-tën e pamundësuan edhe miratimin e projektligjit për buxhetin e këtij viti.

Aktualisht, vendi funksionon me 1/12 e buxhetit të vitit të shkuar, por kjo zgjatë vetëm të dy muajt e parë, e nisur nga marsi, gjithçka është në rrezik.

Pagesa që nuk mund të kryhen e rrjedhimisht nuk do të paguhen punëtorët e sektorit publik e nuk do të mund të jepen shërbime. Në tentativën e fundit për formimin e qeverisë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, pati edhe një përpjekje për miratimin e projektligjit që e hartoi qeveria në detyrë.

Por, një qeveri në detyrë, si ajo e Albin Kurtit që zgjati mandatin për pesë vjet, nuk kishte kompetencë të dërgonte një projektligj për miratim, te një kuvend i zgjedhur së fundmi. Megjithatë, zgjedhjet e 28 dhjetorit të fundvitit 2025 dhanë një fitues të qartë, Lëvizjen Vetëvendosje me rreth 50% të votave. Kjo nënkupton që lehtësisht, kjo parti, konstituon Kuvendin e formon qeverinë.

Me 56 ulëset që ka siguruar nga rezultatet preliminare, e ka të lehtë edhe miratimin e buxhetit për këtë vit. Por, për këtë do të duhet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare shumë më shpejt, që pastaj të thirret seanca për konstituim të Kuvendit e formim të qeverisë.

Zbulohet si nisi zjarri që i mori jetën 47 personave brenda lokalit në Zvicër

By: e xh
2 January 2026 at 16:31

Zjarri tragjik që shpërtheu në një bar të një resorti skish në Zvicër u shkaktua nga fishekzjarre të vendosura në shishe shampanje, të cilat u afruan shumë pranë tavanit, konfirmojnë autoritetet.

Kryeprokurorja Beatrice Pilloud deklaroi për mediat se disa nga hipotezat fillestare tashmë janë konfirmuar.

“Në këtë fazë të hetimit, gjithçka tregon se zjarri nisi nga fishekzjarre ose flakadanë të vendosur në shishe shampanje. Ato u afruan tepër pranë tavanit dhe shumë shpejt shkaktuan një zjarr të fuqishëm, që u përhap brenda pak çastesh,” u shpreh ajo.

Zjarri u përhap me shpejtësi rrufeje, me gjasë i favorizuar nga një shtresë materiali sintetik izolues që mbulonte tavanin e ulët të sallës.

Oficerët e mjekësisë ligjore ndodhen në vendngjarje, mes raporteve se shumë pacientë, disa deri edhe vetëm  15 vjeç, po trajtohen për djegie të rënda të shkallës së tretë.

Zyrtarët paralajmërojnë se mund të duhen ditë apo edhe javë të tëra për të identifikuar viktimat.

Hetimet e Prokurorisë Federale do të përpiqen tani të përcaktojnë pse nuk kanë funksionuar sistemet dhe daljet e sigurisë. Këtyre pyetjeve, dhe shumë të tjerave, do t’u duhet të përgjigjet edhe çifti francez, pronarë të Le Constellation.

Orikum/ Burri vret gruan dhe më pas vetëvritet në garazh

By: e xh
2 January 2026 at 15:16

Një krim në familje ka ndodhur ditë e sotme në Orikum.

Policia e Vlorës deklaron se një 50- vjeçar ka vrarë bashkëshorten e tij në banesë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30, kur është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase, në Orikum, është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesë.

Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth kësaj banese, në garazh është gjetur dyshohet i vetëvrarë me armë zjarri autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Ll. Xh.

Arma pistoletë e gjetur në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Korçë/ Prezencë akulli në rrugë, Policia apel qytetarëve: Përdorni zinxhirë

By: e xh
2 January 2026 at 13:54

Policia e Elbasanit ka njoftuar qytetarët që planifikojnë të lëvizin në drejtim të Korçës apo Qafë Thanës të tregohen shumë të kujdesshëm, për shkak të prezencës së akullit në rrugë, i cili rrit ndjeshëm rrezikun e aksidenteve.

Autoritetet apelojnë që të minimizohen lëvizjet drejt zonave malore ku ka akull, me qëllim shmangien e incidenteve të mundshme. Po ashtu, drejtuesit e automjeteve këshillohen të jenë të pajisur me zinxhirë dhe mjete të tjera ndihmëse për qarkullim në kushte dimërore.

Policia u bën thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të ulin shpejtësinë dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për një udhëtim sa më të sigurt.

Aksident i rëndë në aksin Lezhë-Shkodër, humb jetën çifti i bashkëshortëve

By: e xh
2 January 2026 at 10:53

Një aksident i rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në aksin Lezhë–Shkodër. Si pasojë e përplasjes së fortë mes dy automjeteve, në afërsi të fshatit Gocaj, ka humbur jetën një çift bashkëshortësh, të cilët udhëtonin në njërin prej mjeteve.

Viktimat janë një 53-vjeçar dhe një 45-vjeçare. Ndërkohë, tre pasagjerë kanë mbetur të plagosur, të cilët udhëtonin në mjetin tjetër. Konkretisht, të plagosur kanë mbetur bashkëshortja e drejtuesit të mjetit dhe dy fëmijët e tyre të mitur, të moshës 2 dhe 6 vjeç.

Për nxjerrjen e trupave nga automjetet kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse, ndërsa më pas viktimat janë transportuar nga ambulancat. Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti të rëndë.

“I përpiu zjarri”, çfarë e shkaktoi tragjedinë e Zvicrës?

By: e xh
2 January 2026 at 09:26

Shkaku i zjarrit në tragjedinë e festës së Vitit të Ri në Crans-Montana të Zvicrës mbetet i papërcaktuar. Megjithatë, po qarkullon një teori se pse kaq shumë njerëz vdiqën dhe nuk mundën të shpëtonin. Qeveria kantonale e Valais, në një deklaratë, iu referua një “shpërthimi” në bar, një lloj stuhie zjarri, por nuk citoi një burim për këtë teori.

“Në natën e Vitit të Ri, nga 31 dhjetori deri më 1 janar 2026, një zjarr në barin ‘Le Constellation’ në Crans-Montana shkaktoi një shkreptimë, duke rezultuar në një ose më shumë shpërthime dhe vdekje e lëndime të shumta”, deklaroi Këshilli i Shtetit (qeveria kantonale). Prokurorja hetuese, Beatrice Pilloud, më vonë deklaroi vetëm se e gjithë dhoma u përfshi nga flakët, duke çuar në një shpërthim.

Sipas autoriteteve, afërsisht 40 persona humbën jetën në zjarr. Rreth 115 të tjerë u plagosën, shumica prej tyre rëndë, tha Frédéric Gisler, komandant i policisë kantonale të Valais. “Ndoshta do të ketë edhe viktima nga jashtë vendit”. Të rinjtë e moshës 16 deri në 26 vjeç janë ndër më të plagosurit rëndë.

Njëzet e dy persona të plagosur të kësaj moshe u transportuan me helikopter në Spitalin Universitar në Lozanë, tha drejtoresha e spitalit Claire Charmet për gazetën zvicerane “24 Heures”. Shumë viktima pësuan lëndime kërcënuese për jetën. Mjeku kryesor i spitalit Morges, Wassim Raffoul, i tha transmetuesit RTS se vetëm Spitali Universitar i Lozanës kishte pranuar afërsisht 13 të rritur dhe 8 të mitur, “sipërfaqja e trupit të të cilëve ishte djegur mbi 60 përqind”.

Dy gra i thanë kanalit televiziv francez BFMTV se panë një barist në bar duke ngritur një bariste mbi supet e tij, ndërsa ajo mbante një shishe me një qiri të ndezur brenda. Flakët u përhapën dhe shkaktuan shembjen e tavanit prej druri. Njëra nga gratë përshkroi se si turma u panikua dhe u përpoq të largohej nga klubi në bodrum nëpërmjet një shkalle të ngushtë dhe një dere të ngushtë.

Presidenti zviceran Guy Parmelin e përshkroi incidentin si një nga tragjeditë më të këqija në historinë e vendit dhe deklaroi në Instagram se mendimet e qeverisë ishin me viktimat, të plagosurit dhe familjet e tyre, të cilëve u shprehu ngushëllimet e saj të sinqerta. Nga respekti për familjet e viktimave, Presidenti shtyu fjalimin e tij tradicional të Vitit të Ri, i cili ishte planifikuar të transmetohej të enjten pasdite, siç u raportua nga transmetuesit zviceranë SRF dhe RTS.

Me pistat e skive që arrijnë deri në 3,000 metra lartësi mes majave të mbuluara me borë dhe pyjeve me pisha të rajonit Valais, Crans-Montana është një nga vendet kryesore për Kupën Botërore të Skive. Resorti pret skiatoret më të mira të zbritjes, përfshirë Lindsey Vonn, e cila garon këtu në garat e saj të fundit para Lojërave Olimpike Milan-Cortina në shkurt. Klubi i Golfit Crans-sur-Sierre në Crans-sur-Sierre pret European Masters çdo gusht.

Horoskopi, 2 janar 2026

By: e xh
2 January 2026 at 08:57

Dashi
Lërini idetë tuaja të forta mënjanë sot dhe jini të hapur ndaj njerëzve përreth jush. Nëse kapeni shumë pas vetëm një mënyre të të menduarit, atëherë ka të ngjarë të humbisni një pikë shumë të vlefshme. Lëreni mënjanë idenë e paragjykuar se rruga juaj është e vetmja rrugë.

Demi
Nuk je në humorin më të mirë sot dhe kjo ka të ngjarë të të bëjë më pak të sigurt në punë. Ki kujdes sepse këtu ka rrezik. Të kesh shumë besim te të tjerët të bën të ndjeshëm ndaj ideve të gabuara. Në fund të fundit, besoi vetëm vetes.

Binjakët
Idetë e të tjerëve mund t’ju duken krejtësisht të huaja sot. Reagimi juaj i parë do të jetë t’i shpërfillni ato plotësisht. Mos u nxitoni ta bëni këtë. Mund të mësoni shumë nga mençuria e të tjerëve. Tani për tani, duhet të dëgjoni me vëmendje.

Gaforrja
Ke një informacion të rëndësishëm që duhet ta kalosh nëpër sistem sot. Fatkeqësisht, megjithatë, një forcë po të bllokon rrugën. Duket sikur dikush po kundërshton automatikisht të gjitha idetë e reja. Mos e humb shpresën në këtë kohë.

Luani
Komunikimi do të jetë i ngatërruar sot dhe do të zbuloni se sa më shumë informacion të merrni nga të tjerët, aq më të hutuar do të bëheni. Përpjekja për të zgjidhur të gjitha pjesët që mungojnë do të jetë jashtëzakonisht sfiduese. Mos merrni asnjë vendim të rëndësishëm sot.

Virgjëresha
Kali për të cilin po vë bast po bie përsëri në tufë sot, por kjo nuk është arsye për të humbur gjithë besimin. Pyet çfarë mund të bësh për të ndihmuar në vend që të rrish duarkryq dhe të mos bësh asgjë. Sot do të zbulosh se ndihma ndaj të tjerëve në të vërtetë do të të ndihmojë ty.

Peshorja
Puna e palodhur nuk është specialiteti juaj, por sot do të zbuloni se është një domosdoshmëri. Ju pëlqen imazhi juaj i një personi vazhdimisht të gëzuar që mund të luajë gjithë ditën dhe prapë të arrijë të pamundurën, por sot do t’ju duhet të punoni shumë.

Akrepi
Do të ndjeni shumë presion sot nga njerëzit përreth jush. Ndjeni nevojën për të arritur një nivel të caktuar performance me përsosmëri absolute. Pjesa më e madhe e këtij presioni në fakt vjen nga brenda, jo nga të tjerët. Jini të butë me veten.

Shigjetari
Mendja juaj e lëkundur nuk do të marrë shumë mbështetje nga të tjerët, kështu që mund ta kurseni energjinë tuaj duke u përpjekur të merrni këshilla nga njerëzit përreth jush. Është më mirë të bëni kërkimet tuaja në libra, revista dhe periodikë. Përgjigjet tuaja janë aty.

Bricjapi
Je në një pozicion të mirë sot për të përfituar nga një situatë që po ju vjen në majë të hundës. Njerëzit kanë nevojë për drejtim dhe ti mund t’ua japësh atyre. Personaliteti yt i natyrshëm për të marrë kontrollin është pikërisht ajo që nevojitet – prandaj mos ki frikë të ngrihesh dhe të marrësh drejtimin.

Ujori
Kryeni punën tuaj herët sot. Zgjohuni një ose dy orë më shumë se zakonisht dhe shfrytëzoni këtë kohë të çmuar. Do të jeni shumë më produktivë në këto orë të hershme të mëngjesit. Kur të vijë pasditja, do të vijë edhe përtacia.

Peshqit
Do të stresoheni mjaft sot, për shkak të presionit nga njerëzit përreth jush. Të tjerët po e kalojnë veten në një gjendje të furishme dhe kjo energji po ju transmetohet edhe juve. Përpiquni sa më shumë që të kuptoni gjërat e pakuptimta dhe të kaloni drejt e te faktet.

Moti i keq në Vlorë, ndalohet lundrimi i mjeteve të vogla dhe të peshkimit

By: e xh
1 January 2026 at 23:00

Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike detare të përkeqësuar, brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës, gjatë datave 02–07.01.2026, duke filluar nga ora 06:00 e datës 02.01.2026, me drejtim ere Jug–Jugperëndim, forcë deri 5–6 Bft, shpejtësi ere deri në 10–15 m/s dhe lartësi dallge nga 1.00 deri në 1.50 metra, ju njoftojmë se:

  1. ËSHTË E NDALUAR PAJISJA ME LEJE-NISJE e mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit, të cilat synojnë të operojnë brenda Gjirit të Vlorës dhe në det të hapur, duke filluar nga ora 06:00 e datës 02.01.2026 deri më 07.01.2026 në orën 06:00.
  2. Drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës të marrin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike detare dhe të marrin masa për sigurimin e mjeteve të tyre.
  3. Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve në mjetet lundruese.
  4. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
  5. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar, i parashikuar për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit, pritet pas orës 06:00 të datës 07.01.2026.
Yesterday — 1 January 2026Opinion.al

47 viktima në lokalin që u përfshi nga zjarri, Zvicra shpall pesë ditë zije

By: e xh
1 January 2026 at 19:33

Një zjarr gjatë natës së Vitit të Ri në barin “Le Constellation” në restorant luksoz të skive Crans-Montana ka shkaktuar të paktën 47 viktima dhe 115 të plagosur, ndër të cilët janë edhe shumë shtetas italianë, disa prej të cilëve rezultojnë të zhdukur.

Shumica e të lënduarve janë të rinj, në moshat 16-26 vjeç.

Si shenjë nderimi për viktimat dhe solidariteti me familjet e tyre, qeveria zvicerane ka shpallur pesë ditë zie kombëtare, një vendim i jashtëzakonshëm për një tragjedi të këtij shkalle në vend.

Presidenti i Konfederatës Helvetike, Guy Parmelin, vizitoi vendin e ngjarjes dhe e cilësoi zjarrin si “një nga tragjeditë më të rënda që Zvicra ka përjetuar ndonjëherë”.

Ai premtoi se autoritetet do të bëjnë gjithçka për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.

“Lutjet dhe mendimet tona janë me të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi. Zvicra do të qëndrojë e bashkuar për të kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe për të shmangur përsëritjen e një tragjedie të tillë”,tha Parmelin.

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, konfirmoi se 12-15 shtetas italianë janë të shtruar në spitalet zvicerane, disa në gjendje të rëndë, ndërsa 16 italianë rezultojnë të zhdukur. Tre të plagosur rëndë do të transferohen në Milano për trajtim.

Komuniteti lokal ka vendosur lule dhe mesazhe ngushëllimi, ndërsa aktivitetet festive për Vitin e Ri janë anuluar.

Autoritetet paralajmërojnë se procesi i identifikimit të viktimave dhe trajtimi i të plagosurve do të zgjasë javë, ndërsa pesë ditët e zie janë një shenjë respekti dhe reflektimi kombëtar.

Zvicër/ Zjarr në barin e VIP-ave në Crans-Montana! 47 të vdekur dhe 100 të plagosur

By: e xh
1 January 2026 at 17:12

47 persona u vranë kur një zjarr shpërtheu në një bar të njohur për VIP-at në një vendpushim luksoz skijimi në Zvicër gjatë festimeve të Vitit të Ri.

Më shumë se 100 persona ndodheshin në barin Le Constellation në resortin Crans-Montana, kur shpërthimi shkaktoi zjarr rreth orës 1:30 të mëngjesit të së enjtes. Dy klientë thanë se zjarri filloi nga një fishekzjarre e vendosur në një shampanjë.

Sipas mediave të huaja, fotografitë e publikuara nga mediat zvicerane treguan një ndërtesë në flakë, si dhe ambulanca dhe zjarrfikëse në vendngjarje. Pjesa më e madhe e barit raportohet të jetë nën nivelin e tokës, me një hyrje të ngushtë.

Gaetan Lathion, një zëdhënës i policisë në kantonin Valais, në jugperëndim të Zvicrës, tha: “Konfirmoj se ka disa të vdekur dhe po shohim shumë të plagosur… Ndërhyrja është ende duke vazhduar.”  Mediat zvicerane spekuluan se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga fishekzjarrët, por policia nuk e ka konfirmuar këtë teori. 

Dëshmitarët i thanë stacionit radiofonik zviceran Rhône FM se ambulanca “të panumërta” dhe disa helikopterë po i çonin të plagosurit me nxitim në spitale.

Policia ka mbyllur zonën përreth barit dhe është vendosur një zonë ndalim-fluturimi mbi Crans-Montana, një vendpushim modern në zemër të Alpeve Zvicerane, rreth 25 milje në veri të Matterhorn. Ai do të zhvillojë eventin e skijimit FIS Ëorld Cup në fund të janarit. Lathion tha se hetuesit po përpiqeshin të përcaktonin shkakun e shpërthimit.

“Jemi vetëm në fillim të hetimit tonë, por ky është një vendpushim skijimi me famë ndërkombëtare dhe shumë turistë”, tha ai. Ai shtoi se ishte ngritur një qendër pritjeje dhe një linjë ndihme për familjet e prekura.

CIA rrëzon pretendimin e Kremlinit: Ukraina nuk synoi rezidencën e Putinit me dronë

By: e xh
1 January 2026 at 15:59

CIA ka vlerësuar se Ukraina nuk ka shënjestruar një rezidencë të përdorur nga presidenti rus Vladimir Putin gjatë një sulmi të fundit me dronë në veri të Rusisë, duke hedhur poshtë pretendimin e Kremlinit. Sipas zyrtarëve amerikanë, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, e ka informuar presidentin Donald Trump mbi këtë vlerësim.

Pretendimi për sulmin u bë publik nga Rusia të hënën dhe u përcoll nga vetë Putin gjatë një telefonate me Trump, i cili fillimisht u shpreh i shqetësuar për raportimet. Megjithatë, më vonë Trump u tregua më skeptik, duke shpërndarë një editorial të “New York Post” që e cilësonte pretendimin si propagandë dhe pengesë për përpjekjet për paqe.

Ukraina ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje, ndërsa edhe zyrtarë europianë kanë shprehur dyshime. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, e quajti akuzën një “shpërqendrim të qëllimshëm”.

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se 91 dronë ishin nisur nga veriu i Ukrainës dhe se shumica ishin rrëzuar para se të arrinin objektivin e supozuar, por pa ofruar prova konkrete. Ngjarja ndodh në një moment delikat, teksa SHBA dhe aleatët po intensifikojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Kërcënoi Richard Grenell, arrestohet dhe rrezikon deri në 5 vite burg

By: e xh
1 January 2026 at 13:34

Një burrë nga Virxhinia është akuzuar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë për dërgimin e një mesazhi kërcënues ndaj Richard Grenell, i cili mban aktualisht rolin e të dërguarit presidencial dhe presidentit të Kennedy Center në Uashington. Sipas një njoftimi zyrtar, Scott Bolger akuzohet për kërcënimin. Edhe pse në dokumentet zyrtare emri i Grenell nuk përmendet drejtpërdrejt, ai vetë konfirmoi në rrjetin social X se ishte shënjestra.

Grenell falënderoi autoritetet amerikane për identifikimin dhe arrestimin e personit, duke theksuar se liria e shprehjes dhe kritika politike janë të drejta themelore, por se thirrjet për dhunë përbëjnë vijë të kuqe.

Sipas dosjes së paraqitur në gjykatë, Bolger dyshohet se përdori një numër të krijuar përmes Google Voice për të dërguar mesazhin kërcënues më 23 dhjetor. Hetimet e FBI-së çuan në identifikimin e tij, pavarësisht se fillimisht ai kishte mohuar identitetin e vërtetë para forcave të rendit.

Bolger përballet me një dënim maksimal deri në pesë vite burg, nëse shpallet fajtor. Ai mbetet në paraburgim në pritje të gjykimit. Ngjarja vjen në një kohë kur Kennedy Center po kalon ndryshime të thella nën ndikimin e administratës Trump dhe aleatëve të saj, përfshirë Grenell.

Lezhë/ Sekuestrohen para, makineta për lojëra fati dhe drogë, një i arrestuar

By: e xh
1 January 2026 at 11:33

Një person është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga policia në Lezhë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fishat”.

Në flagrancë shtetasi Bledar Arapi, ndërsa u shpall në kërkim Elger Uka. Ky i fundit, kishte marrë me qira një godinë trekatëshe në bulevardin “Gjergj Fishta”, e cila funksiononte si kazino për ushtrimin e lojërave të fatit.

Gjatë kontrollit të policisë në një banesë trekatëshe, të përshtatur katet e dyta dhe të treta për ushtrimin e lojërave të fatit dhe përdorim droge, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 15 makineta për lojëra fati, një tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi, disa doza kokaine, 725 000 lekë të rinj, si dhe euro e dollarë.

Po gjatë operacionit u proceduan penalisht edhe 15 shtetas që u kapën duke luajtur lojëra fati në kazino.

Viti i Ri, 20 persona të lënduar nga fishekzjarrët në gjithë vendin

By: e xh
1 January 2026 at 11:25

Gjatë natës së ndërrimit të viteve, kryepolici Ilir Proda, inspektoi shërbimet e Policisë Rrugore. Ai theksoi rëndësinë e reagimit në kohë ndaj çdo telefonate apo informacioni, si element kyç për parandalimin e ngjarjeve dhe garantimin e sigurisë publike.

Ndërkohë, gjatë festimeve të Vitit të Ri, deri në orën 01:30 të 1 janarit 2026, në rang vendi janë raportuar 20 persona të lënduar nga fishekzjarrët, fatmirësisht pa rrezik për jetën.

Në Vaqarr, një e mitur 13-vjeçare ka pësuar dëmtime të lehta, ku dyshohet se është lënduar nga një plumb qorr. Policia bën me dije se shumica e rasteve janë shënuar në Tiranë, ndërsa raste të izoluara janë regjistruar në disa qytete të tjera të vendit.

Aksident me 3 të vdekur në aksin Gjirokastër-Tepelenë

By: e xh
1 January 2026 at 09:07

Një aksident i rëndë me tre të vdekur ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, në vendin e quajtur Bypass.

Nga përplasja e dy mjeteve, mjeti tip Volkswagen, ku udhëtonin Klejdi Myftari, 24 vjeç, dhe Anxhelo Ruci, 28 vjeç, të dy kanë humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.

Ndërsa mjeti tjetër, tip Mercedes-Benz me targa AB 552 LV, ku udhëtonin shtetasit Martin Dulaj, 26 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje, dhe Arsida Demiri, 20 vjeçe, është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar. Kjo e fundit ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara përplasen për Jemenin

By: e xh
1 January 2026 at 09:04

Arabia Saudite ka kërkuar që Emiratet të tërheqin trupat e tyre nga Jemeni dhe të ndalojnë mbështetjen ndaj separatistëve jugorë.

Forcat separatiste të lidhura me EBA morën shpejt nën kontroll zona të mëdha në jug të Jemenit në muajin dhjetor, përfshirë rajonin e pasur me naftë Hadhramaut.

Hadhramaut është jashtëzakonisht i ndjeshëm për Arabinë Saudite: kufizohet me mbretërinë dhe humbja e ndikimit aty dobëson kontrollin saudit.

Rijadi i sheh veprimet e EBA-së si kërcënim për sigurinë e saj dhe tashmë ka bombarduar pajisje ushtarake që raportohet se Abu Dabi i ka furnizuar separatistëve.

Emiratet duan të rivendosin një shtet të pavarur në jug – Jemeni Jugor – gjë që kërkon kontroll mbi naftën dhe portet kyçe tregtare.

Arabia Saudite, nga ana tjetër, synon të mbajë Jemenin të bashkuar.

Nëse tensionet nuk ulen, luftimet mund të shpërthejnë së shpejti jo vetëm midis fraksioneve lokale, por edhe midis fuqive rajonale që i mbështesin ato – Arabia Saudite dhe EBA.

Kjo do të ringjallë luftën në Lindjen e Mesme me forcë të re.

❌
❌