Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdaySinjali

Raporti i DASH, Maqedonci: Përkrahja amerikane mbetet vendimtare për Kosovën

23 May 2026 at 11:59

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se raporti i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), i cili konfirmon mbështetjen e SHBA-së për zhvillimin e FSK-së në një forcë moderne, paraqet dëshmi të progresit të Kosovës në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse.

Ai ka theksuar se përkrahja amerikane mbetet vendimtare për Kosovën.

“Ky vlerësim paraqet një dëshmi të qartë të progresit të arritur nga Republika e Kosovës në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse, në përputhje me standardet euro-atlantike dhe në partneritet të ngushtë me SHBA-në dhe aleatët tanë. Përkrahja amerikane ka qenë dhe mbetet vendimtare në rrugëtimin tonë drejt ndërtimit të një force të aftë për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së qytetarëve tanë”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.

Tutje, Maqedonci ka shtuar se angazhimi i Kosovës për t’iu bashkuar përpjekjeve shumëkombëshe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dëshmon se ajo është një partner i besueshëm dhe një kontribuues aktiv në sigurinë rajonale dhe globale.

“Republika e Kosovës do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, në forcimin e bashkëpunimit me aleatët strategjikë dhe në avancimin e aspiratës sonë të palëkundur për integrim të plotë euro-atlantik”, shtoi ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Raporti i DASH, Maqedonci: Përkrahja amerikane mbetet vendimtare për Kosovën appeared first on Sinjali.

DASH: Kosova dhe Serbia të avancojnë drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme

23 May 2026 at 08:51

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) thotë se Kosova dhe Serbia duhet të avancojnë drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të dyja palët, në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve.

Në dokumentin e ri, Ballkani Perëndimor paraqitet si rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe interesat ekonomike amerikane.

Sipas tij, stabiliteti i rajonit dhe avancimi i interesave ekonomike amerikane në të e bëjnë SHBA-në “më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë”.

Sa i përket sigurisë, Uashingtoni thotë se “trupat amerikane vazhdojnë të marrin pjesë në KFOR, të cilin e cilëson si komponent kyç për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë”.

Dokumenti po ashtu përmend mbështetjen për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale të mbrojtjes territoriale, si dhe modernizimin e termocentraleve me qymyr dhe projektet e gazifikimit të qymyrit në Kosovë, si pjesë të prioriteteve energjetike në rajon.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post DASH: Kosova dhe Serbia të avancojnë drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme appeared first on Sinjali.

DASH riafirmon mbështetjen për Kosovën, KFOR-in dhe transformimin e FSK-së

22 May 2026 at 22:55

Shtetet e Bashkuara thonë se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor dhe avancimi i interesave ekonomike amerikane në rajon e bëjnë SHBA-në “më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë”, sipas një dokumenti të ri të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH).

Raporti thotë se “kontestet e pazgjidhura dhe ndasitë e mbetura e minojnë stabilitetin rajonal”.

Dokumenti është publikuar në faqen zyrtare të Departamentit amerikan të Shtetit, me titullin “Politika e Shteteve të Bashkuara për Promovimin e Stabilitetit dhe Prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Ai lidhet me një kërkesë të Kongresit amerikan nga janari i këtij viti, sipas së cilës sekretari i Shtetit duhej t’u dorëzonte komisioneve përkatëse të Kongresit një raport për politikën e SHBA-së për nxitjen e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor.

Çfarë thotë raporti për Kosovën?

Për Kosovën, dokumenti thekson se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta inkurajojnë atë dhe Serbinë për të bërë përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve, me synimin për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme, të negociuar dhe të pranueshme për të dyja palët.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve më 2023 në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili mbështetet nga SHBA-ja.

Por, asnjëri vend nuk ka bërë hapa për ta zbatuar atë deri më tani.

Ndërkohë, lidhur me sigurinë, Uashingtoni thotë se “trupat amerikane vazhdojnë të marrin pjesë në KFOR, të cilin e cilëson si komponent kyç për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë”.

Dokumenti po ashtu thekson mbështetjen për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale të mbrojtjes territoriale, si dhe përmend modernizimin e termocentraleve me qymyr dhe projektet e gazifikimit të qymyrit në Kosovë si pjesë të prioriteteve energjetike në rajon.

Siguria dhe interesat ekonomike në Ballkan

Dokumenti e paraqet Ballkanin Perëndimor si rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe interesat ekonomike të Shteteve të Bashkuara.

Raporti thotë se stabiliteti që kanë ndihmuar ta krijojnë përpjekjet amerikane në Ballkanin Perëndimor ka hapur rrugën për “një lloj tjetër angazhimi” të SHBA-së në rajon.

Sipas dokumentit, “epoka e ndërtimit të shteteve nën udhëheqjen amerikane ka kaluar”, ndërsa politika amerikane në Ballkanin Perëndimor “nuk ka të bëjë me shpëtim apo rindërtim, por me stabilitet dhe partneritete me përfitim të ndërsjellë”.

Administrata, thuhet më tej, është e fokusuar në “fuqizimin e aktorëve lokalë për t’i zgjidhur sfidat e tyre”, në vend të “varësisë së tepruar nga ndërhyrja apo mbikëqyrja ndërkombëtare”.

Prioritetet kryesore përfshijnë ruajtjen e stabilitetit rajonal, kundërshtimin e ndikimit keqdashës të Rusisë dhe Kinës, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, investimet në energji dhe infrastrukturë, luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

Lidhur me luftimin e kërcënimeve ndaj SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor, dokumenti i veçon Rusinë dhe Kinën si aktorë që “kërkojnë në mënyrë aktive të shfrytëzojnë paqëndrueshmërinë, korrupsionin dhe qeverisjen e dobët” në rajon.

Sipas dokumentit, Moska “nxit pakënaqësi etnike, financon aktorë destabilizues dhe përdor furnizimet me hidrokarbure për të ushtruar presion mbi politikanët”, ndërsa Kina përdor tregtinë, kreditë shtetërore, ryshfetin, propagandën dhe lidhjet me elitat për të zgjeruar ndikimin e saj.

Raporti po ashtu thotë se grupet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor përbëjnë “kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe territorin amerikan”, duke përmendur lidhjet e tyre me kartelet e drogës, trafikimin e narkotikëve, migrimin e paligjshëm, pastrimin e parave dhe krimin kibernetik.

“Kjo administratë do t’i çmontojë dhe shpërbëjë këto rrjete kudo që ato veprojnë, siç u dëshmua në vitin 2025 me përcaktimin e disa shtetasve të Ballkanit Perëndimor të lidhur me kartelet e shpallura organizata të huaja terroriste, që veprojnë në Hemisferën Perëndimore”, thuhet në raport.

Lidhur me bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, raporti e paraqet Ballkanin Perëndimor si rajon me mundësi për interesat komerciale amerikane, duke përmendur popullsinë prej 18 milionë banorësh, korridoret e rëndësishme të transportit, burimet natyrore, sektorin teknologjik në rritje dhe fuqinë punëtore të kualifikuar.

“Departamenti do të angazhohet në mënyrë aktive për ta shndërruar interesimin rajonal në marrëveshje komerciale”, thuhet në raport.

“Projektet prioritare përfshijnë gazsjellësin e Interkoneksionit Jugor mes Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës; një interkonektor të propozuar të gazit mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut; zhvillimin hidroenergjetik në Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi; modernizimin e termocentraleve me qymyr dhe projektet e gazifikimit të qymyrit në Kosovë; si dhe kabllo shtesë të transmetimit që lidhin rrjetet e Ballkanit Perëndimor me tregjet evropiane.”

Dokumenti thotë se SHBA-ja do të punojë me qeveritë e rajonit për të përmirësuar mjedisin e biznesit, për të ulur pengesat rregullatore, për të forcuar zbatimin e kontratave dhe për të garantuar procese transparente të prokurimit, “që favorizojnë kompanitë amerikane”. /REL

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post DASH riafirmon mbështetjen për Kosovën, KFOR-in dhe transformimin e FSK-së appeared first on Sinjali.

❌
❌