Normal view

Received — 26 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Porto Palermo Festival nis me mesazhin për mbrojtjen e detit dhe mjedisit

HIMARË, 26 korrik /ATSH/ Edicioni i gjashtë i Porto Palermo Festival u çel me aktivitetin ndërgjegjësues “Preserving our Sea 4”, duke vendosur në qendër të vëmendjes mbrojtjen e mjedisit dhe pastrimin e bregdetit.

Nisma, e organizuar nga artisti Olen Çezari, gjeti mbështetjen e Bashkisë Himarë, e cila e konsideron mbrojtjen e mjedisit një nga objektivat e saj themelorë.

Aktivitetit të pastrimit iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, i cili u bëri thirrje qytetarëve dhe vizitorëve të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë së bregdetit.

“I bëj thirrje çdo qytetari, vizitori dhe kalimtari që ta mbajë pastër bregdetin dhe detin, sepse është pasuria më e çmuar që ne kemi”, u shpreh Tavo.

Porto Palermo Festival do të vijojë deri më 16 gusht, duke sjellë në Himarë dhjetëra artistë dhe mijëra artdashës, të cilët, krahas koncerteve, do të kenë mundësi të shijojnë edhe peizazhin dhe pasuritë natyrore të bregdetit shqiptar.

The post Porto Palermo Festival nis me mesazhin për mbrojtjen e detit dhe mjedisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarr në Pyllin e Sodës, vijon operacioni për vënien nën kontroll të flakëve

Vlorë, 26 korrik /ATSH/ Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e së dielës Pyllin e Sodës në Vlorë, duke krijuar një re të dendur tymi që ka mbuluar një pjesë të mirë të qytetit. Vatra e zjarrit është shfaqur në pyllin me pisha pranë vijës hekurudhore, në zonën e Zvërnecit. 

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje janë angazhuar forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Sipas të dhënave paraprake, ndërhyrja është vështirësuar nga bimësia e dendur, temperaturat e larta dhe era, të cilat favorizojnë përhapjen e zjarrit. 

Sipas burimeve nga shërbimi zjarrfikës, në territorin e bashkisë Vlorë janë aktive pesë vatra zjarri njëkohësisht, çka ka vështirësuar shpërndarjen e forcave në terren. Përveç Pyllit të Sodës, ndërhyrje po kryhen edhe në Dukat, pranë tunelit të Llogarasë, në zonën e Parkut të Mallrave dhe në Triport. 

Deri në këto momente nuk ka të dhëna zyrtare për sipërfaqen e përfshirë nga flakët apo për shkaqet e zjarrit, ndërsa autoritetet vijojnë operacionin për vënien e situatës nën kontroll. 

The post Zjarr në Pyllin e Sodës, vijon operacioni për vënien nën kontroll të flakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Christopher Nolan: Qeni më frymëzoi të realizoj “The Odyssey”

TIRANË, 26 kotrik, ATSH/ Regjisori fitues i çmimit Oscar, Christopher Nolan, ka zbuluar se lidhja me qenin e tij ndryshoi mënyrën si e pa historinë e “The Odyssey” duke e shtyrë të sjellë në ekran një nga epet më të mëdha të letërsisë botërore.

Në një intervistë për BBC Radio, Nolan rrëfeu se nuk ishte rritur me qen, por pasi adoptoi qenin e tij, kuptoi thellësinë e marrëdhënies mes njeriut dhe kafshës.

“Nuk u rrita me një qen. Më pas mora një dhe ai ta ndryshon jetën. Kur arrita te historia e Argosit, më shkatërroi emocionalisht. Ishte sinqerisht një nga arsyet kryesore që e kuptova se duhej ta realizoja këtë film,” tha ai.

Për t’i dhënë sa më shumë autenticitet ekranizimit, ekipi i filmit zgjodhi që Argosi të interpretohej nga një Portuguese Podengo, një racë e lashtë qensh gjuetie me origjinë në Gadishullin Iberik. Konsiderohet një nga racat më të vjetra në botë dhe u përzgjodh pikërisht për ngjashmërinë me qentë e epokës së Homerit.
Argosi, qeni besnik i Odisesë në poemën e Homerit, njihet si simbol i përkushtimit të pakushtëzuar. Ai pret për vite të tëra kthimin e të zotit dhe e njeh menjëherë sapo Odisea rikthehet në Itakë pas 20 vitesh.

The post Christopher Nolan: Qeni më frymëzoi të realizoj “The Odyssey” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Një i vdekur dhe 16 të plagosur pasi një furgon u përplas me turmën në Paradën e Krenarisë në Berlin

Berlin, 26 korrik /ATSH/ Një person humbi jetën dhe të paktën 16 të tjerë mbetën të plagosur, disa prej tyre në gjendje kritike, pasi një furgon u përplas me turmën gjatë festimeve të paradës së komunitetit LGBTQ+, Christopher Street Day (CSD), në Berlin. 

Sipas policisë gjermane, incidenti ndodhi pranë parkut Tiergarten, afër itinerarit të paradës, një nga aktivitetet më të mëdha të këtij lloji në Evropë. Pas ngjarjes, autoritetet ndërprenë menjëherë paradën dhe koncertin e planifikuar, ndërsa u bënë thirrje pjesëmarrësve të largoheshin nga zona. 

Policia njoftoi se drejtuesi i automjetit u largua nga vendngjarja dhe vijojnë kërkimet për kapjen e tij. Hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar motivin e ngjarjes dhe nëse bëhet fjalë për një sulm të qëllimshëm. 

Kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, e dënoi incidentin, duke e cilësuar atë si një sulm ndaj një shoqërie të lirë dhe tolerante, ndërsa shprehu solidaritetin me viktimat dhe familjet e tyre. 

The post Një i vdekur dhe 16 të plagosur pasi një furgon u përplas me turmën në Paradën e Krenarisë në Berlin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌