Berisha: Detyrë e çdo demokrati ta mbështesë protestën me të gjithë mundësitë
TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i cilësoi protestat që zhvillohen prej 46 ditësh në kryqytet kundër investimit të planifikuar turistik në Zvërnec, si antidiktatoriale teksa theksoi se është detyrë e çdo demokrati e çdo demokrateje ta mbështesë protestën me të gjithë mundësitë dhe potencialet që ka.
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, Berisha tha se “gjithçka që zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës më të drejtë që mund të ketë njeriu, është një betejë me tiraninë”.
“Partia Demokratike vjen në këto momente si një parti e pamposhtur, si një parti që kundër kësaj diktature autoritare zhvilloi në tre vite mbi 400 protesta. Zhvilloi me qindra akte e veprime kundër saj. Vjen në këtë moment pasi ajo ia doli të denoncojë me sukses në mbarë botën farsën elektorale të diktaturës autoritare. Pasi ajo ia doli që jo vetëm në organizatat më të mëdha partiake, por dhe në institucione më të rëndësishme të Europës, të paraqesë dhe të gjejë mbështetje për qëndrimet e saj”, theksoi Berisha.
Kreu i PD-së u shpreh se “ishte një arritje e jashtëzakonshme denoncimi i farsës elektorale dhe njohja e saj si e tillë nga Parlamenti Europian, nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian”.
/k.s/j.p/
The post Berisha: Detyrë e çdo demokrati ta mbështesë protestën me të gjithë mundësitë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.