TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Qytetarët u mblodhën sot, për të 38-ën ditë radhazi, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, prej nga nisën marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Një qytetar me banim në Itali, u shpreh se kjo është një protestë civile, pa dhunë.
“Ne u detyruam të largoheshim. U kërkoj falje fëmijëve të mi dhe brezit të fëmijëve të mi që nuk i ndaluam në kohë këta maskarenj që kanë marrë peng Shqipërinë, na vodhën jetën tonë dhe të fëmijëve tanë”, tha ai.
Një i moshuar, pjesë e protestës së ditës së sotme u shpreh i indinjuar për masën e pagesës që ai merr çdo muaj si pensionist.
“Ato 4 milionë euro në vend që t’ia japin pensionistëve, por shkojnë i lënë në tallava. Shkon Rama të bëjë të bukur Kryeministrinë e tij”, tha ai.
Në fjalën e saj, protestuesja Luçiana Kokaj përcolli një mesazh për të gjithë ata që mbështesin këtë kauzë, duke vënë theksin te domosdoshmëria e unitetit dhe kapërcimi i çdo diference politike apo personale për të arritur qëllimin e përbashkët.
“Kam një mesazh për ata që mbështesin protestën, të qëndrojmë të bashkuar përtej ndasive të vogla që mund të kemi. Secili mund të ketë ndonjë defekt, ndaj ju bëj thirrje të gjithëve të qëndrojmë të bashkuar dhe të vijojmë protestën”, deklaroi Kokaj.
Mes protestuesve të sotëm, fjalën e mori edhe ambientalisti Sazan Guri.
“Nuk ka qeveri që nuk rrëzohet, por ka qytetarë që tërhiqen. Nuk ka kauza që nuk fitohen, por ka qytetarë që e lenë kauzën përgjysmë. Çdo njeri t’i japë fjalën vetes kur vjen në këtë shesh, tamam si gjeneralët që dogjën anijet. Të puthim fëmijët dhe gratë dhe në këtë luftë të gjatë rezistence do t’i mundim ata avash-avash, me moral”, u shpreh Guri.
Ashtu si edhe 37 protestat e tjera, pas përfundimit të fjalimeve poshtë zyrës së kryeministrit Rama qytetarët vijuan me marshimin nëpër akset kryesore të Tiranës. Gjatë ecjes, përsëritën po të njëjtat thirrje: “Rama në burg”, “Berisha në burg”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”.
Dita 38 e protestës; Fotoreporter Andrin Hoxha
/e.i/r.e/
The post Protesta e 38-të në Tiranë, thirrje për unitet mes protestuesve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.