Demo: Protesta ka pësuar metamorfozë, nga flamingo u shfaq një arkivol
TIRANË, 6 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot deklaratat e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, në konferencën e sotme për shtyp, lidhur me protestën që po mbahet prej më shumë se një muaji në Tiranë.
“Thjesht dhe qartë”, shkruan Rama, teksa ndan dekaratat e Demos, i cili shprehet se protesta qytetare ka pësuar një metamorfozë gjatë 36 ditëve të zhvillimit të saj, duke theksuar se qeveria po shqyrton kërkesat që i konsideron të qenësishme.
Demo u ndal te simbolika e përdorur nga protestuesit gjatë tubimeve, duke vlerësuar se ajo ka ndryshuar me kalimin e ditëve.
“Vetë protesta, në 36 ditë, ka pësuar një metamorfozë shumë interesante, sepse kjo ishte një protestë që zgjodhi simbolet për të komunikuar edhe disa mesazhe. Patjetër që flamingo ishte një ndër simbolet e para, një shpend që karakterizon bukurinë, balancën dhe, mbi të gjitha, individualitetin, si shpend. Ndërkohë, pas 35 apo 36 ditësh, pamë që nga flamingo na u shfaq një arkivol”, tha ai.
Sipas ministrit, simbolika e fundit nuk përcjell mesazhe zhvillimi.
“Ky është një rrugëtim interesant edhe për sa u përket mesazheve që vetë protesta tenton të japë. Nuk dua të ndalem gjatë, sepse besoj se çdo shqiptar e ka të qartë që, nëpërmjet vdekjes, nuk mund të perceptohet as ndryshim dhe as zhvillim. Por një gjë është e sigurt: qartazi duket se flamingot kanë shtegtuar nga bulevardi. Flamingot janë shpendë shumë të ndjeshëm ndaj ekosistemit ku zgjedhin të ndalen dhe nuk ndalen kudo”, u shpreh Demo.
Ai shtoi se përgjegjësia e qeverisë është të krijojë kushtet e nevojshme për zhvillim.
“Detyra jonë si qeverisje është, absolutisht, të krijojmë kushtet e duhura që flamingot të ndihen si në shtëpinë e tyre këtu”, deklaroi ministri.
Duke iu referuar kërkesave të ngritura nga protestuesit, Demo bëri të ditur se ato po analizohen nga grupi i punës.
“Duke iu referuar kërkesave, mund t’ju them vetëm një gjë: unë jam pjesë e grupit të punës dhe ne jemi duke marrë në shqyrtim të gjitha kërkesat që janë të qenësishme. Në fakt, shumë prej tyre kanë qenë pjesë e prioriteteve dhe vazhdojnë të jenë prioritete të qeverisë shqiptare. Ka edhe disa prioritete të reja që pa tjetër do t’i marrim në konsideratë”, tha ai.
Ministri theksoi gjithashtu se qeveria do të rishikojë ritmin e disa reformave dhe nismave.
“Ne duhet të kalibrojmë shpejtësinë e disa nismave dhe iniciativave që qeveria po ndërmerr. Unë besoj se kjo është shumë e shëndetshme dhe se kjo protestë sjell një energji shtesë, një karburant shtesë, edhe për sa i përket reformave në tërësi”, përfundoi Demo.
/gj.m/r.e/
The post Demo: Protesta ka pësuar metamorfozë, nga flamingo u shfaq një arkivol appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.