Normal view

Received — 20 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ksamil, shpëtohen dy turistë ukrainas që rrezikuan të mbyteshin në det

TIRANË, 20 qershor /ATSH/ Dy turistë ukrainas janë shpëtuar sot në zonën e Ksamilit, pasi rrezikuan të mbyteshin në det për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe erërave të forta.

Sipas Policisë Kufitare, ndërhyrja është realizuar nga shërbimet e Njësisë Speciale Delta, të cilat ndodheshin me shërbim në mbështetje të Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë.

Gjatë patrullimit në det, efektivët konstatuan një mjet lundrues tip skaf të marrë me qira nga turistët, i cili po rrezikonte të fundosej si pasojë e motit të keq dhe dallgëve të forta. Në bord ndodheshin dy shtetas ukrainas.

Policia ndërhyri menjëherë, duke bërë të mundur shpëtimin e dy turistëve, të cilët u nxorën të sigurt në breg dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë, po vijon puna për nxjerrjen e mjetit lundrues nga uji.

Policia Kufitare thekson se mbetet e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe turistëve në hapësirat detare të vendit, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

/gj.m/a.f/

The post Ksamil, shpëtohen dy turistë ukrainas që rrezikuan të mbyteshin në det appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ksamili nga qytezë pushimesh në trend ndërkombëtar, ndërhyrje urbane për përvojë autentike

TIRANË, 20 qershor/ATSH/ Ksamili gjatë viteve të fundit është shndërruar nga një qytezë e vogël bregdetare, në një nga destinacionet turistike më të njohura jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën.

Ujërat e kristalta, ishujt karakteristikë, afërsia me Parkun Kombëtar të Butrintit dhe pozicioni strategjik pranë Sarandës dhe Korfuzit kanë bërë që Ksamili të jetë një nga vendet më të promovuara në tregjet ndërkombëtare të turizmit.

Sezoni turistik i këtij viti ka nisur më herët se vitet e kaluara.

Vizitorët e huaj kanë filluar të frekuentojnë Ksamilin që në muajt prill dhe maj, duke krijuar një zgjatje të sezonit tradicional veror dhe duke gjeneruar aktivitet ekonomik për bizneset turistike shumë përpara periudhës së pikut.

Sipas operatorëve lokalë, rezervimet në strukturat akomoduese kanë qenë të konsiderueshme që në fillim të vitit, veçanërisht nga tregjet e Evropës Veriore, Evropës Qendrore dhe Ballkanit.

Irena Vjeri, përgjegjëse pranë Drejtorisë së Projekteve dhe Turizmit në bashkinë e Sarandës, tha sot për ATSH-në se “treguesit e deritanishëm tregojnë një sezon me fluks të lartë turistësh dhe me interes në rritje nga tregjet ndërkombëtare. Vizitorët po zgjedhin jo vetëm muajt korrik dhe gusht, por gjithnjë e më shumë periudhat maj-qershor dhe shtator-tetor”.

Sipas saj, ndër faktorët që kanë ndikuar pozitivisht këtë sezon janë përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe urbane, rritja e numrit të strukturave akomoduese dhe cilësisë së shërbimeve, promovimi ndërkombëtar i Rivierës Shqiptare, kërkesat në rritje për destinacione autentike mesdhetare, si dhe lehtësimi i aksesit nga Korfuzi dhe aeroportet rajonale.

“Një element i rëndësishëm është edhe projekti i bajpasit të Ksamilit dhe ndërhyrjet urbane, që po ndryshojnë mënyrën e qarkullimit dhe përjetimit të destinacionit, duke reduktuar ngarkesën e trafikut gjatë sezonit”, theksoi Vjeri.

Ksamili konsiderohet një nga ikonat e turizmit shqiptar dhe një nga pikat më të fotografuara të Rivierës Shqiptare. Veçantia e tij qëndron në kombinimin e peizazhit natyror me trashëgiminë kulturore, duke ofruar një eksperiencë që shkon përtej turizmit tradicional të plazhit.

/k.s/j.p/r.e/

The post Ksamili nga qytezë pushimesh në trend ndërkombëtar, ndërhyrje urbane për përvojë autentike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌