Normal view

Received — 4 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Tarantino: Hollywood-i pas pandemisë është kthyer në një “fabrikë sallami pa shije”

LOS ANXHELOS, 4 qershor /ATSH/ Regjisori i njohur amerikan, Quentin Tarantino, ka kritikuar ashpër industrinë e filmit në Hollywood pas pandemisë, duke e cilësuar atë si një “fabrikë sallami pa shije” dhe duke pranuar se sot preferon më shumë të lexojë libra sesa të shohë filma.

Në një artikull të botuar për revistën e kinemasë Sight and Sound, autori i filmave kult si “Pulp Fiction” dhe “Kill Bill” shprehet se e ka gjithnjë e më të vështirë të gjejë filma të rinj që ta magjepsin.

“Më duket pothuajse e pamundur që të dalë një film i ri pa e analizuar deri në imtësi dhe pa i vënë re menjëherë dobësitë”, shkruan Tarantino.

Megjithatë, ai veçoi disa përjashtime, duke vlerësuar filmin “The Rip” të regjisorit Joe Carnahan, me protagonistë Matt Damon dhe Ben Affleck. Ai lavdëroi gjithashtu versionin e ri të “West Side Story” nga Steven Spielberg dhe dy kapitujt e parë të sagës “Horizon: An American Saga” të realizuar nga Kevin Costner.

Sipas Tarantinos, shumë pak filma të viteve të fundit kanë arritur ta “rrëmbejnë” dhe ta çojnë në atë “tokë magjike të kënaqësisë” që dikur e bënte të dashuronte kinemanë mbi çdo formë tjetër arti.

“Ditët e sotme do të preferoja të lexoja një libër”, u shpreh ai.

Regjisori shtoi se, edhe pse i konsideron vitet 1980 si një periudhë jo veçanërisht të fortë për kinemanë, ai i falte dobësitë e filmave të asaj kohe sepse e donte përvojën e të shkuarit në kinema. Sot, sipas tij, vetë koncepti i filmit shpesh i ngjall më shumë përbuzje sesa entuziazëm. 

The post Tarantino: Hollywood-i pas pandemisë është kthyer në një “fabrikë sallami pa shije” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Temperatura rekord dhe reshje ekstreme, OKB paralajmëron për “Super El Niño”

ROMË, 4 qershor /ATSH/ Fenomeni klimatik “El Niño” mund të rikthehet në muajt e ardhshëm me një intensitet të pazakontë, duke rritur temperaturat globale dhe duke sjellë reshje ekstreme në shumë rajone të botës, paralajmëroi Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), agjenci e Kombeve të Bashkuara.

Sipas ekspertëve të WMO-së, ekziston një probabilitet prej rreth 80% që El Niño të formohet para muajit shtator, ndërsa disa modele klimatike sugjerojnë se ai mund të shndërrohet në “Super El Niño”, një nga episodet më të fuqishme të regjistruara ndonjëherë.

“El Niño0 është një fenomen natyror që karakterizohet nga ngrohja e pazakontë e ujërave sipërfaqësore në pjesën qendrore dhe lindore të Oqeanit Paqësor tropikal. Edhe pse ndodh periodikisht, ndikimet e tij ndihen në shkallë globale, duke ndryshuar modelet e reshjeve, temperaturave dhe stuhive.

Ekspertët paralajmërojnë se, i kombinuar me ngrohjen globale të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, “El Niño0 mund të çojë temperaturat mesatare botërore në nivele rekord. Në disa zona priten periudha të gjata thatësire, ndërsa rajone të tjera mund të përballen me reshje intensive, përmbytje dhe fenomene të tjera ekstreme të motit.

Ngjarjet e mëparshme të forta të El Niño-s kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi, furnizimin me ujë, ekosisteme dhe ekonomi në mbarë botën. Episodi i viteve 1997-1998, i konsideruar ndër më të fuqishmit e shekullit të kaluar, solli humbje miliarda dollarëshe dhe ndikoi në jetën e miliona njerëzve.

Organizata Botërore Meteorologjike thekson se monitorimi i vazhdueshëm dhe përgatitja e hershme janë thelbësore për të zbutur pasojat e mundshme të këtij fenomeni klimatik në muajt dhe vitet në vijim.

The post Temperatura rekord dhe reshje ekstreme, OKB paralajmëron për “Super El Niño” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

32 vjet pa Massimo Troisin, aktorin që e bëri napolitanen gjuhë universale

ROMË, 4 qershor /ATSH/ Në historinë e kinemasë italiane ka pak artistë që kanë lënë një gjurmë aq të veçantë sa Massimo Troisi. Tridhjetë e dy vjet pas vdekjes së tij, aktori, regjisori dhe skenaristi napolitan vazhdon të mbetet një pikë referimi për breza të tërë spektatorësh dhe artistësh.

Troisi u nda nga jeta më 4 qershor 1994, në moshën 41-vjeçare, vetëm pak orë pasi kishte përfunduar xhirimet e filmit të tij më të njohur, “Il Postino”, që më pas do të fitonte famë botërore dhe do të nominohej për disa çmime Oscar.

Me stilin e tij të veçantë, zërin e pasigurt dhe humorin e ndërtuar mbi situata të përditshme, Troisi arriti të revolucionarizonte komedinë italiane. Ai e solli dialektin napolitan në ekranin e madh duke e bërë të kuptueshëm dhe të dashur për publikun ndërkombëtar, jo përmes fjalëve, por përmes emocioneve dhe gjesteve që përcillte.

I lindur në San Giorgio a Cremano, pranë Napolit, Troisi u bë i njohur fillimisht në teatër dhe televizion, përpara se të afirmohej në kinema me filma si “Ricomincio da tre”, “Scusate il ritardo” dhe “Le vie del Signore sono finite”.

Edhe pas më shumë se tre dekadash, veprat e tij vazhdojnë të transmetohen dhe të zbulohen nga breza të rinj, ndërsa shumë kritikë e konsiderojnë Troisin një artist që arriti të fliste për ndjenjat njerëzore me një thjeshtësi dhe ndershmëri të rrallë.

Për shumë italianë, Massimo Troisi mbetet jo vetëm një aktor i madh, por një simbol i kulturës napolitane dhe i një mënyre të veçantë për të treguar historitë e jetës së përditshme.

The post 32 vjet pa Massimo Troisin, aktorin që e bëri napolitanen gjuhë universale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌