Normal view

Received — 30 May 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dita Botërore e Sklerozës Multiple, Kuqo apelon për vigjilencë: Prekë edhe fëmijët apo të rinjtë

TIRANË, 30 maj/ATSH/ Skleroza Multiple është një sëmundje kronike e sistemit nervor, e lidhur me çrregullimin e sistemit imunitar, që mund të prekë kryesisht të rinjtë, por edhe fëmijët apo personat mbi 50 vjeç.

Neurologu Dr. Altin Kuqo në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Ditën Botërore të Sklerozës Multiple, apelon për vigjilencë ndaj simptomave dhe thekson rëndësinë e diagnostikimit dhe trajtimit në kohë.

“Është një sëmundje që në bazë ka çrregullimin e sistemit imun, i cili krijon inflamacion dhe më pas pasohet nga një proces tjetër, neurodegjenerimi. Këto qeliza nervore fillojnë të dëmtohen”, shpjegon Kuqo.

Sipas tij, dëmtimi fillon nga mbështjellësi i mielinës dhe më pas prek vetë qelizat nervore, duke ulur numrin e tyre dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së pacientëve.

Skleroza Multiple konsiderohet një sëmundje multifaktoriale, pa një shkak të vetëm specifik. Në zhvillimin e saj ndikojnë faktorët gjenetikë, ambientalë dhe ata të stilit të jetesës, si duhanpirja, konsumimi i alkoolit, stresi dhe mënyra e ushqyerjes.

Neurologu rendit si shenja tipike të sëmundjes humbjen e shikimit, çrregullimet e të folurit, vështirësinë në shqiptimin e fjalëve të gjata, pamundësinë për të lëvizur gjymtyrët, si edhe çrregullimet urinare apo mosmbajtjen e urinës.

“Shenja të kësaj natyre janë tipike për Sklerozën Multiple”, thekson ai.

Lidhur me grupmoshat më të prekura, Dr. Kuqo shprehet se më shpesh sëmundja diagnostikohet tek të rinjtë në dekadën e tretë dhe të katërt të jetës, megjithatë sot evidentohen edhe forma pediatrike apo raste pas moshës 50-vjeçare.

“Gama moshore është e gjerë, por më shumë se dy të tretat e pacientëve i përkasin grupmoshës 30–40 vjeç”, nënvizon neurologu.

Megjithëse është një sëmundje kronike, Skleroza Multiple është e trajtueshme dhe, sipas specialistit, trajtimi i duhur mundëson një cilësi shumë të mirë jete për pacientët.

“Mjafton të themi se jetëgjatësia e personave me këtë diagnozë mund të zgjasë edhe mbi 40 vite të tjera”, përfundon Dr. Altin Kuqo.

/e.i/a.f/

The post Dita Botërore e Sklerozës Multiple, Kuqo apelon për vigjilencë: Prekë edhe fëmijët apo të rinjtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌