Normal view

Received — 18 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

GJKKO kalon për gjykim dosjen Meta-Kryemadhi

18 March 2026 at 12:10

TIRANË, 18 mars/ATSH/ Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kaloi sot për gjykim dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurve të tjerë.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar në vitin 2025 hetimet për dosjen CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Meta dhe Kryemadhi janë hetuar nga SPAK për tri vepra penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike”.

Në këtë proces të pandehur janë edhe Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi, mamaja e ish kryetares së LSI. Xhixho, babai i zv. presidentes aktuale të PL-së Erisa Xhixho, akuzohet për korrupsion, ndërsa dy të tjerat për pastrim parash.

Mbrojtja kishte kërkuar pushimin e çështjes ose në alternativë rikthimin e saj për hetim të mëtejshëm.

Ish-presidenti ndodhet në burg që prej tetorit 2024, për dosjen CEZ/DIA dhe lobimin në SHBA.

/m.m/j.p/

The post GJKKO kalon për gjykim dosjen Meta-Kryemadhi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌