Normal view

Received — 22 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama: Shpata e Drejtësisë në duart e politikës prej vitit 1912, ia dhamë Altin Dumanit

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kryetari i Partisë Socialiste nënvizoi sërish sot nga takimi me pensionistët në Gjirokastër, rëndësinë e pavarësisë së pushtetit të drejtësisë mbi atë politik dhe faktin që ka qenë vullneti i forcës socialiste politike që “shpata” e drejtësisë të kalonte në duart e Altin Dumanit për të goditur, majtas dhe djathtas.

Rama tha se ajo që është bërë në këtë drejtim, nuk ka ndodhur në historinë e shtetit shqiptar nga viti 1912, fakti që u mor vendimi për të hequr dorë nga pushteti i politikës mbi atë të  drejtësisë, që është një pushtet i jashtëzakonshëm.

“Kemi marrë shpatën që e kisha unë atje në zyrë e që nga 1912 kalonte dorë më dorë, dënohej e kush s’dënohej dhe ne për turpin e madh të kësaj politike të burgosurin e fundit politik e kemi në kohën e demokracisë, Fatos Nanon. Altin Dumani ju mendoni që lindi në 2020, jo. Mendoni që doli nga shkolla në vitin 2020? Ka qenë prokuror vite të tëra, njeri me integritet, me kurajë, njeri që beson atë që bën. Pse nuk thirri ndonjëherë Altin Dumani një deputet, ose ndonjë drejtor të madh? Aty ishte Altin Dumani në prokurori. Sepse nuk e kishe pushtetin ta bënte këtë gjë, sepse shpata ishte në duart e politikës, ishte i çarmatosur”, pohoi Rama.

Kreu i ekzekutivit nënvizoi se përpara pavarësisë së pushtetit politik mbi drejtësinë, “të gjithë ishin vegla, bënin çfarë u thoshte politika”. Dhe sipas Ramës, kur politika mbaronte interesat, gjyqtarë e prokurorë bënin llumin e zullumin që i bëri me 17 shtëpi e 40 prona që ua kishin dhënë vjehrrat. “Vjehrrat më bujare të botës dolën këto, të gjitha para të marra nga korrupsioni”, vijoi Rama.

Kryeministri Rama u kthye pas në vite, në fushatat elektorale të kaluara, ndërsa tha se ka kërkuar votën e shqiptarëve për të mos mbajtur të tjerë në prehër dhe për të shkuar drejt BE-së.

“Falë mbështetjes suaj dhe bashkë me ju edhe të 800 mijë njerëz që më dëgjuan kur thashë ma jepni votën që mos të mbajë të tjerët në prehër që të shkojmë në BE-së, se me të tjerë në prehër nuk e bëjmë dot shkëputjen e drejtësisë nga politika. Këta janë këtu për tepsinë, jo për Shqipërinë, ne duam program. Çfarë programi do ti nga bufi i kënetës kur ti sheh bufin, mjafton shihe dhe e ke parë programin. Do të gënjesh veten që ai nuk është buf?”, vijoi Rama.

Rama u ndal edhe te komentet për gjysmën e qeverisë në burg, ndërsa theksoi se nuk ka asnjë ministër nga qeveria e tij në burg, por ka persona nën hetim, nën gjykim apo të dënuar që kanë qenë në mandatin e parë të qeverisjes, apo në kërkim dikë që nuk ishte në qeveri kur mori arratinë.

“Ne kemi tre mandate mbi 60 ministra, edhe 10 po të ishin në burg. Kush e solli këtë situatë, si ju erdhi kjo punë që edhe brenda nesh drejtësia bën atë që do. Këta mendojnë që me duart e drejtësisë do marrin pushtetin këta duke na vënë ne gjoja në pozitë të vështirë. Unë për këtë kam luftuar. Edhe kur goditet brenda nesh nga pikëpamja njerëzore unë ndihem keq, por në raport me ju unë do të isha tradhtari më i madh nëse do ju thosha që unë dua mbështetje mbi hiqni këta nga prehri, më jepni timoni, më hiqni këta që i flasin shoferit që të shkojmë përpara që të godas majtas dhe djathtas. Do isha tradhtari më i madh nëse sot do të ndodhte e kundërta”, cilësoi Rama. /j.p/

The post Rama: Shpata e Drejtësisë në duart e politikës prej vitit 1912, ia dhamë Altin Dumanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama me pensionistë në Gjirokastër: Jemi një hap larg BE-së, shumica e qytetarëve mendojnë se jemi në rrugën e duhur

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherazi edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha sot gjatë një takimi në Gjirokastër me një grup pensionistësh, se kanë qenë reformat e qeverisë socialiste që e kanë shpëtuar Shqipërinë nga kolapsi i dytë, ku mund të kishte rënë komplet shteti.

Kryeministri nënvizoi faktin se Shqipëria është një hap larg nga BE-ja, ndërsa u ndal sërish te sondazhi i publikuar mbrëmë në një televizion shqiptar, nga një prej sondazhistëve të famshëm të Amerikës.

“Ai thoshte që 50% e popullit shqiptar mendon se vendi po ecën në drejtimin e duhur, këta në kënetë aty jepnin të tëra shpjegimet e mundshme përveç një shpjegimi, mos vallë ca gjëra vërtet janë bërë! Kjo tregon që populli shqiptar është i sëmurë tha njëri se pse nuk mendon si këta. Më hidhen mua pse thotë Edi Rama që gjysma e burrave janë çyrykë, tjetri thoshte kjo është e tmerrshme se si mundet që gjysma e popullit të thotë që po shkon në drejtimin e duhur, atëherë këtu ka një frikë shumë të madhe. Edi Rama i ka trembur këta deri në palcë, dhe e thonë nga frika, ndërsa një tjetër thoshte që Rama i josh me fotot nudo të tij në Google”, pohoi ai.

Sipas Kryeministrit, analistë të ndryshëm në studio televizive përpiqen që të gjejnë çdo arsye të mundshme, përveç njërës që është njëherësh edhe më e thjeshta, fakti që Shqipëria është te dera e BE-së.

Kryeministri pohoi se që pas fushatës së vitit 2009 ka hequr stacionet televizive nga shtëpia, teksa zgjedh të shohë vetëm filma dhe sport.

“Futem në YouTube mbrëmë, por këta më hoqën dëshirën për të fjetur gjumë dhe ato tre orë që fle. Si u çmend BE-ja, Banka Evropiane e Investimeve që mbështesin Shqipërinë, Komisioni Evropian që na kanë vënë të parët në rajon për menaxhimin e financave publike. Vetëm këta që duan ta kthejnë Shqipërinë në hon janë në rregull nga trutë, populli është i sëmurë”, tha Rama. /j.p/

The post Rama me pensionistë në Gjirokastër: Jemi një hap larg BE-së, shumica e qytetarëve mendojnë se jemi në rrugën e duhur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌