Brataj apel për vaksinim: Nuk jemi ende në kulmin e shifrave për virozat e stinës
TIRANË, 22 janar/ATSH/ Kreu i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj foli sot në një intervistë televizive për situatën e gripit në vend.
Brataj theksoi se nga nisja e simptomave të para dhe deri te mbikëqyrja e gjendjes shëndetësore për shkak të virozave të stinës, qytetarët nuk duhet të drejtohen menjëherë në spital apo në urgjencë.
“Sëmundjet virale nuk kanë komplikacione te personat e shëndetshëm. Ato me patologji, moshat e treta, fëmijët janë më të rrezikuar. Por, edhe ato format e lehtë duhen trajtuar në banesë. Duke parë këto 2-3 ditë e fundit, gjendjen e Italisë dhe Shqipërisë, shifrat janë në rritje. Nuk mund të themi që jemi në kulmin e pandemisë. Gripi është në sezonin e vet dhe këto numra janë të vërtetuara se janë prekur me COVID apo gripin e stinës. Ky i fundit dallohet me një test të thjeshtë, pasi gripi shfaqet me temperaturë të menjëhershme 39-40 gradë. Ka këto simptoma: dhimbje muskujsh, bllokim hundësh, kollë”, tha Brataj.
Kreu i Urgjencës Kombëtare bëri thirrje për vaksinim kundër gripit, ndërkohë që fushata informuese dhe ndërgjegjësuese ka nisur që në tetorin e vitit të kaluar.
“Gripi pati disa ndërprerje këto vite. Ka pësuar dhe ai këto ndryshimet e veta. Mediet online propaganduan antivaksinimin, por mendoj se do të ishte shuar bota po të kishim dëgjuar këshillat e tyre. Falë vaksinimit janë zhdukur sëmundje të tjera. Viruset kanë materiale ADN-je, që ndryshojnë gjithmonë. Janë 250 mijë viruse që qarkullojnë. Vaksinimi është baza nga sezoni në sezon. Fëmijët nga 1-5 vjeç dhe personat mbi 65 vjeç mirë do të ishte ta bënin që në tetor, kur fillon fushata e vaksinimit”, theksoi Brataj.
/r.e/a.f/
The post Brataj apel për vaksinim: Nuk jemi ende në kulmin e shifrave për virozat e stinës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.