Normal view

Received — 1 May 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

FUTBOLL – Barazim dramatik në gjysmëfinalen e CL Barcelona-Inter

BARCELONË, 30 prill /ATSH-DPA/ – Barcelona u përpoq shumë pas disavantazhit 0-2 dhe atij 2-3 duke barazuar 3-3 kundër një Interi të pamëshirshëm, në ndeshjen e parë emocionuese gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, që u zhvillua sonte.

Marcus Thuram u rikthye nga lëndimi për të shënuar golin e parë, rreth 30 sekonda pas fillimit të ndeshjes, dhe Denzel Dumfries shënoi golin e dytë me një roveshatë për Interin në minutën e 21-të kundër katalanasve të tronditur që kërkonin tripletën.

Lamine Yamal, duke luajtur ndeshjen e tij të 100-të me Barcën në moshën 17 vjeç, shënoi një gol në minutën e 24-të, dhe Ferran Torres shënoi golin e barazimit në minutën e 38-të të një pjese të parë që të linte pa frymë.

Dumfries riktheu epërsinë e Interit në minutën e 63-të me golin e tij të dytë, por kjo zgjati vetëm dy minuta para se Barca ta barazonte rezultatin në 3-3, kur gjuajtja e Raphinhas në traversës përfundoi në portën e portierit të Interit, Yann Sommer.

Yamal goditi gjithashtu traversën dy herë, dhe tani gjithçka pritet në ndeshjen e kthimit, të martën në Milano, me fituesin e këtij takimi që kalon në finalen e 31 majit në Mynih.

Kundërshtari do të jetë ose Paris Saint-Germain ose Arsenal, me PSG që fitoi dje në mbrëmje 1-0 në Londër./ a.jor.

The post FUTBOLL – Barazim dramatik në gjysmëfinalen e CL Barcelona-Inter appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 14 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gonxhja me ish-kapitenin e Interit, Ranocchia: Mundësi konkrete për ngritjen e një “Inter Football Academy” në kryeqytet

14 April 2025 at 18:09

TIRANË, 14 prill /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja zhvilloi një takim me ish-kapitenin e skuadrës italiane të Interit, Andrea Ranocchia, i cili vizitoi Shqipërinë këtë fundjavë.

Gonxhaj dhe Ranochia biseduan për një mundësi konkrete për të ngritur  “Inter Football Academy” në kryeqytet, së shpejti.

Gonxhja theksoi se, kjo do të ishte një ide dhe objektiv i merituar për punën e shkëlqyer që po bën Inter Club Albania dhe do të ishte një mundësi e artë zhvillimi sportiv e edukativ për Kombinatin e në rang vendi.

“Me ish-Kapitenin Andrea Ranocchia dhe delegacionin zyrtar te Inter në Tiranë, folëm për mundësinë konkrete të një “Inter Football Academy” në kryeqytet, së shpejti, një ide dhe objektiv i merituar për punën e shkëlqyer që po bën Inter Club Albania, ku jemi të përfshirë, që do të ishte një mundësi e artë zhvillimi sportiv e edukativ për Kombinatin e në rang vendi, çka do ta ndjekim si projekt e si pasion zikaltër në bashkëpunim me komunitetin e sportit dhe strukturave tona sportive!”, shkroi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale. /j.p/

The post Gonxhja me ish-kapitenin e Interit, Ranocchia: Mundësi konkrete për ngritjen e një “Inter Football Academy” në kryeqytet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 23 January 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Trajneri Silvinjo dhe stafi i Kombëtares ndjekin sfidën e Champions, Sparta Pragë-Inter

23 January 2025 at 09:45

TIRANË, 23 janar /ATSH/ Trajneri Silvinjo dhe stafi i ekipit kombëtar kanë nisur një tur vëzhgimesh e takimesh me futbollistët shqiptarë që aktivizohen në klubet europiane.

Stafi kuqezi me në krye trajnerin kanë udhëtuar dje drejt Çekisë ku kanë ndjekur nga afër ndeshjen e vlefshme për Champions League, Sparta Praga – Inter, të zhvilluar në stadiumin “Epet Arena”.

Silvinjo së bashku me ndihmësit e tij, Doriva dhe Pablo Zabaleta kanë pasur mundësinë të takojnë lojtarët kuqezi të cilët luajnë për këto skuadra, Kristjan Asllanin, Qazim Laçin e Indrit Tucin teksa kanë diskutuar për gjendjen e tyre, për grumbullimin e radhës të Kombëtares si edhe për kualifikueset e Botërorit.

Këto takime janë mjaft të rëndësishme për teknikun dhe stafin kuqezi që ka mundësinë të shohë nga afër lojtarët dhe të diskutojë me to. Duhet theksuar se trajneri është në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë futbollistët.

1 nga 2

/a.f/

The post Trajneri Silvinjo dhe stafi i Kombëtares ndjekin sfidën e Champions, Sparta Pragë-Inter appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 28 October 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Dashnori” nga Harold Pinter në Qendrën e Artit “Agimi”

28 October 2024 at 12:26

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Fundjava që lamë pas, solli në Qendrën e Artit “Agimi” shfaqjen “Dashnori” të nobelistit Harold Pinter.

Drama u vu në skenë nga regjisori Irvin Muçaj, përmes interpretimit të aktorëve Ola Harizaj dhe Erion Kame, shoqëruar nga muzika e Rael Hoxhës.

“Dashnori” (The Lover) ka një akt dhe është shkruar nga Pinter në vitin 1962. Fillimisht ajo u shkrua për televizion, por më vonë u vu në skenë. “The Lover” është vënë në skenë me sukses si një komedi ironike nga njëra anë dhe si një dramë nervoze, nga ana tjetër dhe siç ndodh shpesh me Pinter-in, shfaqja i përmban të dyja.

Dramaturgu e bën audiencën të besojë se në shfaqje janë tre personazhe: gruaja, burri dhe dashnori. Por dashnori që telefonon pasditeve zbulohet se është bashkëshorti që hiqet si i tillë. Ai luan dashnorin për të: ndërsa gruaja luan sikur ka dashnor. Ndërsa shfaqja vazhdon, burri (në fillim si dashnor dhe më pas si bashkëshort) shpreh dëshirën për të ndaluar shtirjen e tradhtisë bashkëshortore, gjë që e tmerron gruan. Më në fund, burri papritmas kthehet në rolin e të dashurit.

Harold Pinter ishte një dramaturg, skenarist, regjisor dhe aktor britanik. Fitues i çmimit Nobel, Pinter ishte një nga dramaturgët modernë britanikë më me ndikim, me një karrierë shkrimtari që zgjati më shumë se 50 vjet. Ai gjithashtu drejtoi ose aktroi në radio, skenë, televizion dhe prodhime filmike të veprave të tij dhe të të tjerëve.

/r.e/a.f/

The post “Dashnori” nga Harold Pinter në Qendrën e Artit “Agimi” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌