Normal view

Nga iluzioni i një kandidati të pavarur te kthimi në vathën e Berishës — historia e opozitës që nuk di të përballet

8 October 2025 at 09:20

Nga Desada Metaj

Opozita nuk ka kandidat për zgjedhjet e 9 nëntorit në Tiranë. Të paktën jo ajo që konsiderohet opozitë jashtë suazës së Sali Berishës. Ky i fundit po, zgjodhi kandidatin e tij dhe me dëshirë ose jo, tërhoqi në oborrin e PD edhe Adriatik Lapajn dhe Agron Shehajn. I pari, i telendisur me muhabetet e tezes dhe hallës, nuk ka asnjë arsye ta testojë veten elektoralisht në Tiranë. Ndërsa Shehaj, që mendoi se futi në kurth Sali Berishën me kandidaturën e mbështetur masivisht të Ermal Hasimes, u detyrua në fund të futet në vathën e Berishës pa shumë lavdi.

Tashmë në Tiranë konkurrojnë Ogerta Manastirliu dhe Florian Binaj. Me këtë rast, Agron Shehaj do të kursejë dhe lekët për të bërë sondazhe me call center-in e tij, se e ka të qartë rezultatin. Ama ata demokratë apo opozitarë që shpresuan se më në fund po lindte një dritë shprese dhe një kandidat i mundshëm larg imponimit të Berishës do të shfaqej në Tiranë, mbetën të zhgënjyer. Ndoshta shumë prej tyre nuk do të votojnë në 9 nëntor, të tjerë do të votojnë Binajn, por do të ketë nga ata që do priren të shkojnë kah Arlind Qorri — i vetmi që e mbajti fjalën dhe doli kundër establishmentit, edhe pse ideologjia që përfaqëson është e vjetëruar dhe e rrezikshme.

Të vetmit, ndërkohë, që do tkurren dhe më shumë dhe do pezmatohen janë ata qytetarë të Tiranës që presin shpresën e ndryshimit nga opozita, e cila sërish ofron gjellën e ndenjur që gatuhet në kuzhinën e Sali Berishës dhe besnikëve të tij. Këtë herë, një dorë ia dhanë edhe Agron Shehaj e Adriatik Lapaj, duke rrënuar dhe atë pak shpresë e alternativë që pritej të lindte.

Përballja me Sali Berishën dhe berishizmin është mënyra e vetme për të fituar terren në kampin opozitar. Pjesën tjetër Sali Berisha e ka ndërtuar dhe e ruan fort. Me gjasë do ta ketë gjithmonë. E sa për hile, askush nuk e ka mundur dot. Përballja është e vetmja mundësi. Përndryshe, janë më të respektuara në këtë gavetë politike tezet e Adriatikut sesa hileqarët që mendojnë se mund të jenë faktorë në opozitë me të njëjtat mënyra që Sali Berisha e mban peng atë.

Ai është mjeshtri, ju jeni thjesht çirakët që Saliu ju përdor sa herë ka nevojë në raste si këto.

The post Nga iluzioni i një kandidati të pavarur te kthimi në vathën e Berishës — historia e opozitës që nuk di të përballet first appeared on JavaNews.al.

Në Shqipëri problemi qëndron mes ndarjes pronarë dhe ish-pronarë

7 October 2025 at 13:52

Nga Desada Metaj

Të parët, ku bëjnë pjesë personazhe si dhëndri i Berishës, Jozefina Topalli, Oerd Bylykbashi apo të tjerë, janë kaluar sot. Flasin dhe thonë që janë të pasur nga prona e trashëguar.

Të dytët, ku bëj pjesë dhe unë, janë në pritje apo kanë humbur shpresat për të marrë atë që u takon. Por ne nuk vrasim, nuk presim dhe nuk rrahim askënd që ka përgjegjësi për këtë ndarje të padrejtë. Elvis Cefa është njeriu i fundit që kam takuar me dosjen e pronave për të kërkuar çka më takon mua dhe familjes sime për kompensim. Më trajtoi me përbuzje dhe pa dinjitet. E shoh sot që ecën serbes rrugëve të Tiranës dhe në një mirëqenie që nuk e ka trashëguar. Edhe pse më vjen ta ndaloj e t’i them dy fjalë, prapë nuk e bëj, sepse kam më shumë respekt për veten dhe gjyshin tim se për shoqninë e Zenit që kishte në dorë të na kthente pronat.

Ata që u bënë pronarë këto 30 vjet vrasin, shajnë, kërcënojnë sepse janë kaluar sot dhe kanë para të paguajnë avokatë, gjyqtarë apo prokurorë.

Ish-pronarët nuk ndihen, sepse janë të pafuqishëm përballë sistemit të padrejtë që i la të tillë. Ndaj mos i kërkoni vrasësit e gjyqtarit tek ish-pronarët. Kërkojini dhe do t’i gjeni si pjellë të sistemit që keni ndërtuar këto 30 vjet dhe që ju pasuroi me padrejtësi.

The post Në Shqipëri problemi qëndron mes ndarjes pronarë dhe ish-pronarë first appeared on JavaNews.al.

Opozita nuk po kërkon një kandidat që të fitojë Tiranën, por një “kokë turku” që të justifikojë humbjen

4 October 2025 at 20:17

Nga Desada Metaj

Emri i Ermal Hasimes si kandidat i mundshëm i opozitës për Tiranën e zuri në kurth PD e Sali Berishës, e cila për ditë me radhë u qorrolleps për të shpikur kandidatura imagjinare dhe për të shmangur debatin politik të ditës: emrin e rivalit të Ogerta Manastirliut për Bashkinë e Tiranës.

Është e kotë të flasësh për papërgatitjen e PD si partia më e madhe në opozitë për një kandidaturë, ndërkohë që prej muajsh Bashkia e kryeqytetit nuk qeverisej nga Erion Veliaj. Në përpëlitjet për të gjetur një emër, ndërkohë që kandidaturat më të përshtatshme, ajo e Alimehmetit dhe Tabakut, refuzuan të kandidonin, në PD nisën të vetëshpallen kandidatë të tjerë, asnjëri prej të cilëve në fakt nuk plotëson kushtet për të qenë as kryetar grup seksioni i një partie që ka garuar si e barabartë me PS në kryeqytet.

Në këto kushte, Agron Shehaj hodhi në tavolinë emrin e Ermal Hasimes duke e futur sërish PD në kurthin e përhershëm kur bëhet fjalë për një figurë me integritet: as e kundërshtonte dot për shkak të simpatisë që emri i Hasimes ka në pjesën jo militante të opozitës, por as nuk e mbështeste hapur për shkak të betonizimit të çeliktë të partisë nga Sali Berisha. Për këtë, ky i fundit, pas disa ditësh pa përgjigje, vendosi vetëm sot të mbështesë një kandidat që nuk është zyrtarisht i PD, por që do të konsiderohet si kandidat i përbashkët i opozitës.

Edhe ky një kurth i kurdisur nga kryetari i PD, që me këtë rast “bojkoton” zgjedhjet në kryeqytet dhe i fshihet përballjes me Edi Ramën. Dhe për këtë me gjasë si komardare shpëtimi do të shërbejë emri i një kandidati jo nga PD. Në të gjitha llogaritjet, duke njohur vetëm sado pak funksionimin e asaj partie, e kupton se kandidati i opozitës jashtë PD nuk do të ketë mbështetjen e premtuar nga Sali Berisha. Jo vetëm se strukturat e demokratëve janë të telendisura në ditën më të keqe, por se formëzimi i një figure opozitare si kandidat për Tiranën, aksesi në media dhe rritja e profilit publik i një politikani të ri, larg modelit të Sali Berishës, i bën hije këtij të fundit dhe shpurës së tij.

Sali Berisha nga sot ka hequr përgjegjësinë për humbjen e Bashkisë së Tiranës. Tashmë faturën e humbjes së radhës ai do ta ndajë me kandidatët “e përbashkët” që do të mbështesë në konferenca për shtyp dhe do t’i sabotojë nën rrogoz. Njëjtë siç ka bërë me Spartak Ngjelën dhe Sokol Olldashin, kur këta konkurronin për Bashkinë e Tiranës.

Ermal Hasimja, në çdo rast, është një kandidat që merr më shumë vota se çdo deputet aktual i PD në Tiranë. Por rritja e një figure që nuk është në kontrollin e tij është e papranueshme për Sali Berishën, që në rastin më të mirë do të përpiqet fort që Hasimja të renditet më poshtë se Arlind Qori. Dhe në rastin më të keq do gjejë grupin e ri armiqësor që i rrezikon kullën ku strehohet ai dhe një tufë deputetësh vasalë.

Ndaj oferta për një kandidaturë jashtë PD është hileja e radhës që Sali Berisha u bën demokratëve për të fshehur paaftësinë për gjetjen e një figure të fortë politike, duke e kamufluar këtë me “hapjen” ndaj kandidatëve që nuk janë pjesë e strukturave. Kushdo që do e pranojë këtë ofertë është në të drejtën e vet të garojë në një garë të pabarabartë jo vetëm me kundërshtarin politik që do ketë përballë, por do të mbajë në kurriz edhe të gjithë makinacionet e njohura dhe të panjohura politike të Sali Berishës, përfshirë dhe “aleancat fluide” të tij.

The post Opozita nuk po kërkon një kandidat që të fitojë Tiranën, por një “kokë turku” që të justifikojë humbjen first appeared on JavaNews.al.

PD, një garnizon ushtarak që e ka humbur busullën politike

2 October 2025 at 09:20

Nga Desada Metaj

Duke ardhur rrotull në mënyrë qesharake PD ende nuk e ka kuptuar se është shumë vonë për zgjedhjet e dekretuara në datën 9 nëntor në Tiranë.

Pasi bëri dhjetëra protesta për të larguar Erion Velinë nga detyra dhe nuk ja dolën dot as me bori makinash dhe djegie gomash, fati i ndriti dhe Veliaj u shkarkua me vendim të këshillit bashkiak dhe firmën e Edi Ramës. Ishin vetë këshilltarët e PD në këshill që bashkuan triumfalisht votat me socialistët dhe groposën mandatin e Veliajt si kryebashkiak. Pas kësaj sot presidenti dekretoi datën e zgjedhjeve të pritshme për një vakancë që vetë PD e votoi një javë më parë. Por këtë herë Gazment Bardhi është kundër dhe sheh një komplot Rama-Begaj kundër kushtetutës. Tani pa qenë juristë të zotë pyetja logjike që lind është: e dinte PD që shkarkimi i Veliajt në këshillin bashkiak ishte me probleme ligjore? Dhe nëse e dinte pse e votoi? Sepse pas votimit dhe shkarkimit asnjë mendje normale nuk mendon se vendi do të rrijë bosh. Zgjedhjet janë proces i pashmangshëm kur ti voton për largimin e kryetarit të bashkisë. Apo ndoshta PD mendon se presidenti do të priste sa të gjente treshja Noga, Alimehmeti dhe Këlliçi kandidatin fitues?

Që PD e ka humbur busullën politike dhe sillet si garnizon ushtarak nën urdhrat e Berishës nuk është më surprizë. Por të paktën dikush duhet të vërë në punë logjikën dhe të mendojë se kur voton për largimin e Veliajt automatikisht ke votuar për zgjedhje të reja në Tiranë. Dhe më shumë se të merresh me cic-mice ligjesh duhet të kërkosh e të gjesh një kandidat. Ose të presësh sa të kthehet doktori nga jashtë shtetit e të thotë kë ka caktuar. Kjo do të shkarkonte nga përgjegjësia dhe lodhja edhe treshen negociatore që ende s’e ka kuptuar se Sali Berisha e ka gjetur emrin dhe thjesht po bën lojën e zakonshme të demokracisë së brendshme në PD.

The post PD, një garnizon ushtarak që e ka humbur busullën politike first appeared on JavaNews.al.

Kemi arritur të mallkojmë dasmat e fëmijëve…

18 September 2025 at 15:39

Nga Alba Malltezi 

Shqiptarët janë shndërruar në përmbysësh tavolinash dasmash, në mallkues të atyre që tregojnë në sytë e të gjithëve mirëqënien e jashtëzakonshme, luksin e niveleve më të larta, veshjet e firmave më të njohura, vende ekskluzive dhe përrallore, pushime me shumë yje, rininë e përjetshme përmes operacionesh të kushtueshme. Të përmbytur nga ky realitet, disa prej nesh po arrijnë të mallkojnë dasma e të urojnë vdekje. Një uragan marramendës i krijuar nga gjellët e helmuara të ngjarjeve që disa të tjerë ofrojnë në opinion, për t’i gëlltitur. 

Është krijuar ajo që dikush, ose disa, deshën dhe arritën ta bëjnë: Të përziejnë e të ngatërrojnë njerëz dhe situata, të ndershëm me të pandershëm, hajdutë me të drejtë, të vërtetë me gënjeshtarë, dembelë me punëtorë, kriminelë me biznesmenë, shëronjës me vrasës, tregtarë me bamirës… 

E në këtë atmosferë të helmuar mallkimet janë “garancia” e një lirie të fituar: Të shaj se ndryshe do të plas ndërsa shoh djalin apo vajzën e filanit të arrijë aty ku asnjë shqiptar nuk e kishte menduar dhe nuk mundet të arrijë ndershmërisht; me një garë të barabartë. 

Drejtësia që deri më sot është treguar ndëshkuese, duhet të kalojë në fazën e  një drejtësie që duhet t’i tregojë një populli të përmbytur nga e pavërteta se ku dhe si e drejta qëndron. Kush janë hajdutët dhe kush njerëzit korrektë, kush gënjeshtarët dhe kush manipuluesit. Duhet të thuhet me zë të lartë kush është fajtor, por edhe kush është i pafajshëm në këtë vend të plagosur nga mungesa e gjatë e të Drejtës së mirë. Nga Drejtësia, pritet Dritë. 

The post Kemi arritur të mallkojmë dasmat e fëmijëve… first appeared on JavaNews.al.

Kuvendi i ri, të rinjtë e politikës duhet të jenë bashkues

6 September 2025 at 11:07

Nga Alba Malltezi

Të rinjtë në Kuvendin e ri të Shqipërisë duhet të jenë ndryshe. Vetëm nëse do të arrijnë të jenë ndryshe, do të mund të kuptojmë se me të vërtetë në Kuvendin e Shqipërisë në shtator 2025, kemi deputetë të rinj. Ata duhet të sjellin një virtyt që ka munguar në gjithë këto dekada lirie me nuanca të thella anarkie: Përmbajtjen nga e drejta pa frena për të ofenduar, përbaltur, sulmuar, ndarë, sharë, kërcënuar çdo kundërshtar.

Vetëm kur të shohim një politikan, deputet të ri që nuk bëhet vetë gjykatës e vetë prokuror i kujtdo që e cënon apo e lëndon, do të kuptojmë se në mendjen e tij Drejtësia dhe Gjykimi i është besuar institucioneve që duhet dhe kanë për detyrë të merren me ruajtjen e balancave.  Do të kuptojmë se Drejtësia dhe Gjykimi nuk është pronë e saj, e tij. Kafshimi i gjuhës për të mos u vërsulur duke sharë si fillim kolegë e të tjerë politikanë, e më pas familjarët e tyre, nuk është autocensurë apo politikë e keqe, është përmbajtja e hedhjes së helmit në publik, mes shqiptarëve që nuk i kanë mjetet, mundësitë e një politikani, të një gazetari apo të një njeriu të institucioneve për të verifikuar e për të dalluar gënjeshtrën nga e vërteta që thuhet.

Të rinjtë në Kuvendin e ri të Shqipërisë duhet të sforcohen shumë për të qenë ndryshe. Të majtë apo të djathtë qofshin, duhet të fokusohen në dëshirën e madhe për të qenë konstruktivë dhe jo shkatërrues, dëgjues të aftë dhe jo sulmues, të ndjeshëm për të kuptuar një ide të mirë edhe mes kundërshtarëve dhe një qëllim të vlefshëm edhe mes më të papëlqyerve. Të rinjtë në Kuvendin e ri të Shqipërisë duhet të jenë bashkues të një vendi të vogël të copëtuar përherë; nga të huajt, por më së shumti prej vetë nesh.

Spektakli i trishtë i disave prej tyre në politikën parazgjedhore, të cilët u panë me shpresë e besim, zhgënjeu shumë. Në vend që të ngrinin partitë në nivelin e ëndrrave, ishin partitë, ambicja për pushtet të shpejtë dhe pa kushte, që i dërrmoi si kokrra rrushi të shtypur nën këmbët e kënaqura të politikës së vjetër.

Nuk do të lodhemi asnjëherë për të inkurajuar më të mirët mes nesh, në politikë a në shoqërinë shqiptare e cila, pas tranzicionit të lodhshëm ka kaq shumë nevojë për paqen dhe qetësinë e mendjes dhe të zemrës. Sepse, vetëm nën tingujt e çmuar dhe të rrallë që sjell ekuilibri, respekti mes njerëzve dhe institucioneve, mund të bëhemi gjithnjë e më të mirë duke gjetur rrugën tonë të duhur dhe të merituar në qytetërim.

 

 

 

 

The post Kuvendi i ri, të rinjtë e politikës duhet të jenë bashkues first appeared on JavaNews.al.

Po djegim pyje, po lëndojmë pemë… disa po zhduken

4 September 2025 at 11:54

Nga Alba Malltezi

Mijëra hektarë pyje e kullota u dogjën këtë verë. Jo pak, 57 mijë, që për vendin tonë të vogël, janë një pafundësi. Është një shifër e dhënë nga Sistemi Europian i Informacionit për Zjarret dhe Pyjet. Por kjo që pamë këtë verë nuk nisi këtë verë, vetëm me çmendurinë e ndonjë piromani. Sa më shumë pemë presim, aq më nxehtë bëhet e aq më shumë zjarre krijohen. Sa më shumë pemë zhduken, aq më shumë shira të rrëmbyeshëm e rrëshkitje dheu të pakontrolluar do të kemi.

Në Raportin vjetor të vitit 2024 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, publikuar sot te Shqiptarja.com, e gjitha kjo parashikohej. Madje shtrohet shqetësimi për zhdukjen përgjithmonë të disa drurëve tipikë, që në shekuj kanë bujtur në atdheun tonë, si për shembull bredhi europian, pisha skoceze, gështenja e kalit, lajthia e egër etj. nëse nuk kujdesemi, nuk i kemi më.

Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë sot si në vitet e egra ’90, kur pyjet u masakruan, kafshët u vranë. Mentaliteti dhe ndjeshmëria për natyrën, të cilën po kemi mundësi ta prekim përherë e më nga afër, ka ndryshuar, është përmirësuar. Eshtë e pafalshme për brezin tonë të qëndrojmë indiferentë në këtë kohë e të rrezikojmë e cënojmë bashkëudhëtaren më të denjë: gjelbërimin, natyrën.

Shqipëria duhet të bëhet kampione e rigjenerimit të natyrës së saj. Ua kemi borxh Rilindasve që i thurën vargjet më të bukura të shkruara ndonjëherë. Nga Vermoshi në Konispol duhet të infektohemi nga bukuria prekëse që na rrethon dhe humbjen e djegien e një peme ta konsiderojmë si të humbim pjesë të dashura të jetës sonë.

The post Po djegim pyje, po lëndojmë pemë… disa po zhduken first appeared on JavaNews.al.

Simbolika e pallateve “ekzistuese” të kohëve të shkuara

29 August 2025 at 13:56

Nga Alba Malltezi

Do të vijë një kohë kur më krenarët në vend do të jenë ata shqiptarë që ende jetojnë në apartamentet e pallateve të ashtuquajtura “ekzistuese”. I sheh nëpër Tiranë e nëpër Shqipëri këto ndërtesa të mbetura pezull në renë gjigande të memories dhe të asaj që ishim dikur: njerëz të thjeshtë.

Shumë vetë, me të drejtë, fokusohen në aktivitetet me synim goditjet e politikanëve dhe njerëzve të korruptuar të administratës shtetërore që po kryejnë prokuroritë më të rëndësishme shqiptare, duke filluar nga Spak, Prokuroria e Tiranës etj. Por një aspekt tjetër i jashtëzakonshëm është ai i goditjes së grupeve kriminale, që në dukje kanë mbuluar me luks fals qytete shqiptare, ndërsa në të vërtetë kanë mbërthyer prej vitesh zhvillimin normal të vendit, duke ua ulur kokën njerëzve të thjeshtë dhe të punës, duke shkelmuar sistemin meritokrat të suksesit, duke infektuar deri në gangrenë shoqërinë.

Në një vend të vogël dhe në zhvillim siç është Shqipëria jonë, perandori prej letre të “biznesmenëve” të ricikluar falë korrupsionit të drejtësisë, policisë, politikës dhe shpesh dhe mediave, në hetimet e përbashkëta të Shqipërisë dhe vendeve europiane, po bien duke treguar atë që janë realisht: Masa betoni, luksi përtej çdo logjike pune dhe suksesi.

Deri kur do të vazhdojmë të quajmë “biznesmenë” trafikantë apo ish-trafikantë droge, qëniesh njerëzore? Ka nga ata që i justifikojnë, ka nga ata që ua lavdërojnë trimërinë për t’u përballur e për t’i shpëtuar përndjekjeve të policive më të mira në botë: “Janë trima”, thonë. Pa menduar gjatë që këta trima përmbytin tregun tonë të vogël me paratë e tyre të pamata duke ngritur menjëherë çmimet e tokës, të imobiliareve, të çmimeve të konsumit të përditshëm, të aktiviteteve, të konkurrencës së pandershme. Një trafikant e ka të lehtë të bëjë lokalin më të bukur në krahasim me këdo, më të shkëlqyeshim, më design, duke lënë në hije ata që respektojnë rregullat dhe nuk janë aq trima sa shoqëria pretendon të jenë.  Një trafikant e ka mundësinë financiare të bëjë edhe biznesin më “in”, median më konkurruese e me teknologjinë më të fundit, partinë më shkëlqyese, po pastaj? Me të vërtetë mendojmë se mund të ecim përpara me “punën” e trafikantëve? Është vetëm çështje kohe zbulimi dhe rrëzimi i njëpas njëshëm tyre, njësoj si perandoritë e sudeve dhe alimuçajve. Askush nuk i shpëton logjikës dhe rendit të gjërave.

Do të vijë një kohë që të gjithëve do të na vijë turp për vilat gjigande gati Hollivudiane, për lokalet e bizneset që infiltrohen prej parave të trafikantëve… dhe i vetmi vend ku shpirti i shqiptari modern do të gjejë paqe janë dhe do të jenë apartamentet ekzistuese, me suvanë e tyre të rrjepur dhe me mungesën e ujit dhe të ashensorëve deri në katin e pestë.

The post Simbolika e pallateve “ekzistuese” të kohëve të shkuara first appeared on JavaNews.al.

Asgjë me tepri!

25 August 2025 at 17:58

Nga Alba Malltezi

Kushedi pse grekët e lashtë në hyrje të Tempullit të Delfit, (kushtuar Apollonit, perëndia e dritës, e arsyes dhe e të vërtetës) gdhendën dy shprehje në gurë. Vetëm dy: “Njih vetveten!”… dhe: “Asgjë me tepri! (“Μηδὲν ἄγαν” (Mēdén ágan),”. Këtë të dytën e kopjuan dhe romakët duke e përshtatur me “aurea mediocritas” (“vija e mesme”), e shtjelluar dhe nga autorë si Oracio.

Për të njohur vetveten, dihet, është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, e kuptuar nga shumë, por e parealizuar dot nga të gjithë. Nuk është e lehtë të njohësh vetveten, qoftë edhe të ndihmuar nga mjeshtër që rreth kësaj çdo gjë e dinë. Pa folur pastaj për ata që mes nesh janë të bindur që njohin shumë mirë vetveten dhe të tjerët.

Të bombarduar përditë nga njerëz që kanë shumë, lëvizin shumë, flasin shumë, hanë shumë, predikojnë shumë, falsifikojnë shumë, manipulojnë shumë, duan shumë, shpenzojnë shumë etj., vjen e natyrshme dëshira për të njohur ato kohë kur mençuria njerëzore, edhe jo fort larg nesh, prodhonte tempuj emorakuj që parashikonin dhe parandjenin, orientonin dhe drejtonin: Asgjë më tepër… ose asgjë me tepri!

Legjenda tregon se shqiponjat e Zeusit u takuan në Delfi dhe vendosën se aty do të ishte kërthiza e botës. Dhe nga kërthiza e botës nuk mund të vinte këshillë më e mirë se Asgjë me tepri… që këshillonte ekuilibër në të gjithë aktivitetet: Mos jeto me ekzagjerime! Mos e lër veten pre të pasioneve të pakontrolluara! Kërko përherë ekuilibër dhe sens të masës! Virtyte të shtjelluara më pas nga filozofë si Sokrati, Platoni, Aristoteli, por edhe nga besime të ndryshme fetare.

A e kemi të nevojshme në kohët tona t’ua vemë veshin orakujve dhe perëndive antike? Nëse nuk dëgjojmë njëri-tjetrin, nëse nuk kemi figura që i respektojmë dhe vlerësojmë, nëse vendosim në qendër të gjithçkaje egon tonë, duam s’duam, ndodhin gjëra që nuk i parashikojmë dot, nuk i frenojmë dot në të mirë të vetes dhe të tjerëve.

Veç Tempullit të Delfit në Greqinë antike, një tjetër Tempull fare afër nesh, ose, sipas disa autorëve shqiptarë, mes nesh, ishte dhe ai i Dodonës. I thjeshtë, me një lis gjigand në qendër të tij që quhej Lisi i Zeusit ku njerëzit shkonin dhe bënin pyetjet më të thjeshta të përditshmërisë: Si mund të shërohem? Ku të besoj? Si të zgjidh probleme familjare? A do të kem fëmijë? A duhet të hapim luftë me fqinjët etj. etj. Më pas shërbëtorët e Tempullit u jepnin përgjigje kujtdo duke dëgjuar fëshfërimat e pemëve të lisit dhe të objeketeve metalike të varura në të.

Sigurisht janë legjenda, bestytëni, supersticione, por njerëzimi në kohë të kohëve, në çdo mënyrë dhe kudo, ka kërkuar ndihmë për të qëndruar në ekuilibër, në shëndet, në sensin e masës dhe të harmonisë. Për ta arritur, çdo mjet është i mirë: një mik, një shok, një orakull, një prift, një vend, një hoxhë, një legjendë, një histori e sidomos, të gjithë bien dakord se nuk ka më mirë për të zgjidhur çdo problem kur motoja është: Asgjë me tepri! 

The post Asgjë me tepri! first appeared on JavaNews.al.

Daniel Shima dhe enigma e 10 orëve të zhdukjes së tij

21 August 2025 at 21:26

Nga Desada Metaj

Më parë se policia të publikonte njoftimin për humbjen e kontaktit të ish-zv. drejtorit të AKSHI, gazetarët kishin marrë njoftime të ndryshme për zhdukjen e tij. E para që dha alarmin ishte e dashura e Shimës, njëkohësisht edhe avokate e tij në çështjen që po hetohet nga SPAK. Në telefonin e saj kishte mbërritur një mesazh “po më arrestojnë” dhe më pas çdo kontakt me Daniel Shimën ishte shuar si me magji, ndërsa mamaja e tij nga ana tjetër rendi drejt policisë për të marrë informacion për djalin.

Kur vetë Danieli u shfaq pas 10 orësh, burime brenda policisë, por jo ai vetë, përhapën lajmin se “zhdukja” kishte të bënte me një konflikt personal mes tij dhe të dashurës. A thua se bëhet fjalë për një adoleshent që befas ka zbuluar se dramat e dashurisë mund t’i shndërrojë në “giallo” për të tërhequr vëmendjen e publikut. Sido të jetë e vërteta, Daniel Shima nuk ka pasur nevojë për këtë vëmendje të madhe për zhdukjen e tij disa orëshe. Hyrje-daljet e tij në SPAK janë të regjistruara me saktësi, ndërsa ka mjaftuar vetëm hera e parë që hapi derën e Prokurorisë së Posaçme për të mos hyrë më në derën e AKSHI-t. Institucionit të përfolur për dhjetëra tendera dhe miliona të shpërdoruara për mbrojtjen kibernetike dhe ndërtimin e sistemeve elektronike që, në rastin më të mirë, nuk kanë funksionuar kurrë saktësisht.

Përtej kësaj, Daniel Shima është në dijeni të shumë transaksioneve të bëra nga AKSHI dhe shumë të dhënave sensitive për sigurinë kibernetike. Një njeri me kaq kapacitete dhe detyrë të rëndësishme, që ka pasur në dorë sigurinë e vendit, nuk mund të jetë viktimë e një drame xhelozie me të dashurën. Vetëm në rast se kjo e fundit është e përfshirë në ndonjë dramë më të rrezikshme se ajo e dashurisë në çift. Ndaj jo më kot, këqyrja e telefonit të saj është ende një proces i pazbardhur, ndërsa bisedat e fundit me të dashurin janë të vetmet që policia ka arritur të lexojë.

Ku ishte Daniel Shima 10 orët e alarmit për zhdukjen e tij? Ndoshta dikush kishte nevojë t’i bënte një paralajmërim të qartë dhe të fortë për të heshtur? Me kë udhëtoi ai një ditë më parë se të “humbte” në Borsh? Ka qenë udhëtimi i tij direkt apo është dashur të furnizohej me ushqim dhe karburant në Shijak? Të gjitha këto pikëpyetje kanë nevojë për përgjigje dhe hetimi duhet të nxjerrë të vërtetat për një ish-zyrtar që ruhet nga Garda e Republikës dhe befas ndihet i kërcënuar nga dashuria dhe zhduket pa lënë gjurmë.

Kush beson se drama personale me një vajzë ka zhdukur pa lënë gjurmë për 10 orë njeriun që ka pasur sekretet kibernetike të Shqipërisë në dorë, është thjesht një shikues i rregullt i telenovelave. Përndryshe, në çdo vend të botës kjo ngjarje do ngrinte një alarm të madh për sigurinë jo vetëm të një ish-zyrtari, por edhe të vetë Shqipërisë. Ndoshta do bëheshin edhe filma, por do ishin filma me mafia dhe mafiozë.

The post Daniel Shima dhe enigma e 10 orëve të zhdukjes së tij first appeared on JavaNews.al.

Turizmi, më të mirët nuk braktisen kurrë!

7 August 2025 at 19:45

Nga Alba Malltezi

Me një celular në dorë, qytetarë shqiptarë dhe të huaj janë kontrollorët më të mirë e të saktë të cilësisë së turizmit që ofrojmë.

Askujt nuk duhet t’i mbetet hatri: vetëm kritikat dhe dëshmitë personale mund të na përmirësojnë. Nuk ka pse të hatërmbeten më të mirët!

Askush nuk do t’i braktisë për dhomat apo ushqimin perfekt që ofrojnë. Por  hileqarët, arrogantët, përfituesit duhet të jenë në lupën e të gjithëve, nën kontrollin e të gjithëve.

Nuk duhet marrë për bazë dëshmia e korruptuar, qoftë lavdëruese, qoftë kritikuese e personazheve Vip apo influencer që flasin për turizmin me pagesë. Larg tyre.

Dëshmia e njerëzve të thjeshtë mbetet përherë ajo me autentike. Në resorte, plazhe, restorante janë mësuar t’ua bëjnë shërbimin mirë të famshmëve, problemi mbetet me masën e madhe dhe anonime të pushuesve.

Dhe me demokracinë e rrjetit, edhe masa e ka marrë fuqinë denoncuese. Një oxhak me tym të zi në mes të Sarandës, një psikopat me makinë të shtrenjtë buzë detit nën këmbët e pushuesve, nuk shpëton nga filmimet dhe denoncimet!

Askush nuk duhet të ndjehet i prekur prej tyre. Më të mirët, nuk braktisen nga pushuesit, përkundrazi, radha para tyre do të shtohet.

The post Turizmi, më të mirët nuk braktisen kurrë! first appeared on JavaNews.al.

I gjithë Shteti tek Onkologjiku!

30 June 2025 at 22:23

Nga Alba Malltezi

Është kaq e rëndë që në vite e vite gazetari, kur nëna të sëmura me kancer gjiri trokisnin në redaksi për të kërkuar ndihmë sepse i kthenin mbrapsht pa bërë terapitë, të konstatojmë se kjo histori tragjike në vendin tonë vazhdon.

Është një vello e zymtë dhe e mistershme forcash që lëvizin rreth këtij reparti dhe sa herë që ngre kokë, përmirësohet e lulëzon, i hidhet papritur përsipër për t’i marrë frymën. Aparate që prishen si të ishin më të dobëtat “karroca dyli” të vitit 2025, radhë pacientësh në temperaturat përvëluese të kësaj vere që duket se e nxehtë do të vazhdojë të jetë për shumë kohë.

Ndërsa shohim me çlirim se nëpër plazhe po krijohen më në fund hapësira publike për njerëz që nuk mund të paguajnë aq shumë sa për një shezlon, nga ana tjetër, në zemër të kryeqytetit, ngushtohen si në tuba që të çojnë në momente ferri, mundësitë për shërbim ndaj bashkëqytetarëve me barrën më të rëndë të jetës së tyre: përballjen me një tumor.

Ashtu si në bregdet, ku forca të ndryshme të Shtetit janë bërë bashkë për ta bërë Shqipërinë mikpritëse për të gjithë, te Onkologjiku, veç gazetarëve të përkushtuar, duhej të ishin akoma më shumë politikanë, organizata, institucione që të bëheshin bashkë për të ofruar, për të rregulluar, për të korrigjuar, për të survejuar që shqiptarëve në nevojë t’u krijohen kushte dinjitoze për t’u kuruar.

Onkologjiku, nga ankthi dhe tmerri duhet të kthehet një oaz mikpritje ku mjekët të dalin te dera e të takojnë buzagaz shqiptarët e sëmurë në këto ditë të nxehta.

Më vjen në mendje në 2011 një mjek i mirë i ish onkoligjikut tonë kur e pyeta se si mund të punonin në ato kushte të tmerrshme: “Çfarë të bëjmë, – më tha, – jemi mësuar!”. Për fat të mirë Onkologjiku sot është ndryshe nga ai i vitit 2011, por me gjithë zbukurimin struktural, aparatet vazhdojnë akoma të jenë nën diktatin e hileve të atyre që nuk duan të ndryshojnë.

I vetmi që mund të jetë më I fortë se çdo hile, është vetëm Shteti dhe strukturat e tij duhet të jenë të gjitha tek Onkologjiku. Të vëzhgojnë e të ndihmojnë.

The post I gjithë Shteti tek Onkologjiku! first appeared on JavaNews.al.

Luksi në turizmin tonë duhet të jetë si “bukë, kripë e zemër” për të gjithë…

16 June 2025 at 09:28

Nga Alba Malltezi

Një port jahtesh në zonën turistike në Liguria është ndërtuar prej 1964. Janë 61 vite eksperiencë të turizmit lokal, global, e tani masiv. Liguria “përmbytet” nga turistë përvit. Në port ka shumë varka me vela dhe jahte të përmasave të ndryshme. Alessandro është një skipper (drejtues varke me vela) që nga jeta e chef-it të kuzhinës në Torino, tani jeton prej vitesh në portin turistik. Dikur “mollë e ndaluar” për masën, italianët e pasur, që shumicën e kohës nuk i përdorin varkat e tyre të çmuara, kanë gjetur një mënyrë për t’i bërë ato “popullore”: Shëtitje të shkurtra apo të gjata, aperitive në perëndimin e diellit, deklarata për fejesë apo martesë, mbrëmje romantike… e qindra ide të tjera i kanë hapur këto lundrues për njerëzit e thjeshtë, të cilët me shifra modeste mund të kalojnë orë mbresëlënëse. Mjafton një skipper apo një kooperativë e krijuar prej tyre dhe, sigurisht, respektimi dhe njohja e rregullave të rrepta të lundrimit.

Shqipëria tani është në hapat e parë të ndërtimit të marinave të cilat “premtojnë” të jenë superluksoze, superekskluzive; menaxherë të mirëpaguar sillen nga jashtë, të gatshëm t’ua bëjnë qejfin pronarëve e t’i mburrin se janë në vendin më ekskluziv dhe më të paparë në botën mbarë. Në vendin tonë të vogël, ku pak janë metrat katrorë, rrezikohet të krijohen mini-hapsira të aksesueshëm vetëm për pak vetë. Në kohën kur luksi në botën e qytetëruar hapet dhe bëhet më popullor, ne premtojmë ta mbyllim e ta krijojmë përmes çmimeve dhe rrethimeve, vende për pak të privilegjuar. Janë të njëjtat fytyra shqiptarësh që shihen kudo: në mal, në det, në resorte, në agriturizme të jetojnë dhe të ripropozojnë luksin tonë. Po sa shtëpi kanë? Dhe sa kohë kanë këta t’i jetojnë pasuritë që reklamojnë? Do të na duhet të kalojmë 61 vite eksperiencë të Ligurias për të kuptuar që e kundërta është rruga? E bukura duhet të jetë e prekshme për këdo.

Alessandro, skipper-i në portin në Liguria njeh të gjithë pronarët e varkave përreth: “I përdorin rrallë e më rrallë. Disa prej tyre po vendosin t’i japin për shërbime turizmi në kooperativën tonë”. “Buongiorno Dottore!”, përshëndet një zotëri plot sqimë që ecën mbi pedanën e drunjtë. “Ja ky doktor nga Milano është një nga ata që do të na besojë varkën e tij për ta vënë në përdorim gjatë vitit për shërbime turistike. Deri tani kemi 7 të tilla”.

Tek ne, në vend që të shfaqen të njëjtët, pak shqiptarë në vendet e luksit që po lindin në Shqipëri, a nuk do të ishte e udhës dhe tepër unikale që luksi të niste si “bukë, kripë e zemër” për të gjithë dhe jo si një mollë e ndaluar?

The post Luksi në turizmin tonë duhet të jetë si “bukë, kripë e zemër” për të gjithë… first appeared on JavaNews.al.

Kolegji Zgjedhor ka në dorë të zbardhë një nga të vërtetat e 11 majit

3 June 2025 at 21:51

Nga Desada Metaj

Kolegji Zgjedhor duket të jetë i vetmi institucion i drejtësisë që ka në dorë të zbardhë një nga të vërtetat e procesit zgjedhor të 11 majit. Bëhet fjalë për votën personale të kandidatëve të listave të hapura, disa prej të cilëve pretendojnë se votat u janë “tjetërsuar” gjatë procesit të numërimit.

Gjithçka nisi menjëherë pas përfundimit të procesit të numërimit të votave, ku disa kandidatë u ndanë me njëri-tjetrin me rezultat të ngushtë, duke bërë që çdo votë të numërohej me shumë kujdes dhe të mbahej shënim me rigorozitet. Nga PS, në këtë proces u përfshinë kandidatët Olta Xhaçka, Blerina Gjylameti dhe Xhemal Qefalia. Nga PD, rezultati i ngushtë mes Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit, si dhe ai mes Arian Ndojit dhe Aulon Kalasë, bëri që mjeku i njohur dhe aktivisti të jenë tashmë në qendër të një lëvizjeje juridike (dhe politike) për të kërkuar të drejtën dhe të vërtetën e votave personale si kandidatë të listave të hapura.

Ndërsa Edi Rama e “zgjidhi” shpejt e shpejt me një mesazh “grindjen” e disa kandidatëve që kërkuan numërim, Sali Berisha u tregua fillimisht i hapur për transparencë. Por deklaratat publike të kryetarit të PD nuk ishin në sinkron me lëvizjet e përfaqësuesve të kësaj partie në KAS, të cilët hodhën poshtë kërkesën e kandidatëve Alimehmeti dhe Kalaja për rinumërim të votave për Tiranën.

Zyrtarisht, KQZ u ka dorëzuar, pas kërkesës, kandidatëve që kanë pretendime, filmimet e numërimit të votave. Me gjasë, ata dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë kanë konstatuar shkelje, teksa dorëzuan në KAS kërkesën për rinumërim. Por kjo kërkesë u hodh poshtë me pretendimin se një kërkesë e tillë duhej të paraqitej nga subjekti politik dhe jo nga kandidati. Në këtë rast, PD i “braktisi” kandidatët e saj, duke hedhur poshtë të drejtën e tyre për transparencë dhe duke e bërë Sali Berishën të dukej paksa gënjeshtar në premtimet e tij publike.

I vetmi anëtar i KAS që votoi pro kërkesës së kandidatëve të PD për transparencë, Ilir Rusmali, u sulmua fort nga PD, pasi me gjasë doli nga rreshti i “marrëveshjes” mes PS dhe PD për të mos hapur telashe vetes me rinumërim votash.

Tashmë, kandidatët e PD kanë dorëzuar kërkesën në Kolegjin Zgjedhor për të kërkuar të drejtën e rinumërimit të votave. Në dorë të këtij kolegji duket se është edhe fati i zhvillimeve politike (dhe jo vetëm) të partive politike, pas një fushate të personalizuar mes Ramës dhe Berishës dhe listave me besnikë të dy forcave kryesore.

Është e qartë se as Rama dhe as Berisha nuk duan hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave, sidomos në Tiranë, ku ylli i PS shkëlqen me 20 mijë votat e Blendi Gonxhes dhe ku diferenca mes kandidatëve të PD është e vogël. Në kutitë e Tiranës dhe Durrësit, ndoshta mund të ketë të papritura të pakëndshme për PS dhe PD. Ndaj, para kësaj mundësie të vështirë për t’u kapërcyer, pas një procesi zgjedhor me shumë pikëpyetje, siç kanë bërë dhe herë të tjera për llogari të status quo-së së tyre, Edi Rama dhe Sali Berisha kanë përcaktuar kufijtë e lojës duke mos lejuar rinumërim.

Një sqarim juridik i detyruar: në një nga daljet e tij, Sali Berisha deklamoi me të madhe se ai është për transparencë dhe se do të mbështeste kandidatët e tij për t’iu drejtuar KAS-it. Nga ana tjetër, sqaroi ndër të tjera se fillimisht duhet të sqarohej çështja e pavlefshmërisë dhe, pastaj, nëse kandidatët kishin pretendime për “tjetërsime” votash, duhet të paraqiteshin te ai që, si kryetar i “subjektit zgjedhor”, të kërkonte në një moment të dytë edhe transparencën, pra rinumërim ose rivlerësim të votave. Në fakt, Kodi Zgjedhor është pak ndryshe. Kodi Zgjedhor, në nenin 124, pika 2, fjalia e dytë ka këtë parashikim: “Ankimi ndaj vendimit mund të përmbajë ndryshimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore ose/dhe pavlefshmërinë e rezultatit në një apo disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi”.

Me fjalë të tjera, kur një subjekt zgjedhor ka pretendime të të dyja llojeve – pavlefshmëri të zgjedhjeve dhe rinumërim/rivlerësim të zgjedhjeve – ato mund të paraqiten njëkohësisht në KAS. Nuk është e detyrueshme që fillimisht të ezaurohet ankimi për pavlefshmëri dhe më pas, në një moment të dytë, ankimi për “rinumërim/rivlerësim”. Fakt është që subjekti PD, si parti politike, ka kërkuar vetëm pavlefshmëri të zgjedhjeve (në qarqe të caktuara), pa kërkuar edhe transparencën e votave!

Tashmë, që ankimi i subjektit PD është paraqitur vetëm me kërkesën për pavlefshmëri (pa e shoqëruar edhe me kërkesën për transparencë të numërimit/rivlerësimit), me shumë gjasë nuk ka më hapësirë që të kërkohet nga PD “në një moment të dytë” transparenca.

Nga ana tjetër, deri më tani është mbajtur si praktikë e mëparshme që “kandidatët e një partie” nuk mund të paraqesin një ankim të pavarur nga subjekti i tyre. Një rregull alogjik dhe diskriminues (vini re: deri edhe kandidatët e pavarur e kanë një të drejtë të tillë). Kjo praktikë, nëse nuk ndryshohet nga Kolegji Zgjedhor, do t’i vërë një kapak të rëndë kërkesës legjitime të kandidatëve për transparencën e votave të tyre. Kjo do të ishte as më pak e as më shumë një “beseprerje” që partia u bën kandidatëve të vet!

The post Kolegji Zgjedhor ka në dorë të zbardhë një nga të vërtetat e 11 majit first appeared on JavaNews.al.

Votat nuk ua “vodhi” Rama, por Agron Shehaj, Lapaj etj

14 May 2025 at 09:16

Nga Desada Metaj

Mes shumë analizave, debateve dhe përballjeve, një fakt nuk ndryshon: Edi Rama ka siguruar mandatin e katërt, i pashqetësuar nga askush i përfshirë në garën për zgjedhjet e 11 majit. Shumëkush, në banakët televizive apo në rrjete sociale, ka nisur të bëjë llogaritë për numrin e zvogëluar të votuesve nga njëra palë zgjedhjeje në tjetrën, analiza shifrash që pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk i kuptojnë. Disa të tjerë po shajnë e mallkojnë SPAK-un dhe partitë e vogla si shkaktare të humbjes katastrofike të PD-së. Me gjasë, të tjerë janë duke u përgatitur të rendisin dhe të bërtasin ku të munden për parregullsitë që shoqëruan procesin elektoral të së dielës. Dhe kanë të drejtë.

Makineria elektorale e mazhorancës funksionoi siç ka bërë rregullisht në 3 zgjedhjet e fundit: sistem i qartë patronazhimi, mbështetje me asetet e administratës dhe plot shkelje të tjera të konstatuara si nga prokuroria, ashtu edhe nga misioni i OSBE/ODIHR. Por që, në shumatorën e tyre, nuk e zhbëjnë dot diferencën e madhe prej 30 mandatesh që e spostuar ka edhe më larg mazhorancës PD-në dhe mbështetësit e saj.

Për të arritur deri këtu, për të marrë një rezultat shumë herë më të dobët se ai i vitit 2021, PD-së iu desh të kalonte një kalvar të gjatë përçarjeje dhe përplasjesh deri dhe fizike. Një retorikë plot urrejtje dhe mllef për dy pjesët pro dhe kundër Sali Berishës. Ky i fundit, padyshim, mban përgjegjësinë kryesore për këtë katandisje faqezëze të partisë më të madhe në opozitë. Autokrati që synim të vetëm kishte mbajtjen e partisë si bunker për familjen e tij zullumqare dhe “non grata”, ia doli të rivendoste kontrollin mbi PD-në, edhe pse 3 vite më parë, qartas, ajo ishte e ndarë në dy pjesë thuajse simetrike pro dhe kundër Sali Berishës.

Këto dy grupe u përballën me njëra-tjetrën në përpjekje për të marrë kontrollin e partisë, por Sali Berisha ia doli që veç PD-së të shpartallonte edhe atë pjesë që donte ndarjen përfundimtare me berishizmin. Dhe për këtë një dorë i dhanë paaftësia e Lulzim Bashës për të drejtuar një grup jo të vogël demokratësh anti-Berishistë, lojërat meskine dhe qëndrimi pa qëndrim i Gazment Bardhit, Agron Gjekmarkajt apo Jorida Tabakut.

Tashmë, grupi dikur prej më shumë se 20 deputetësh kundër Sali Berishës është thuajse i shpërbërë, dhe për ta mendoi lideri historik, që i shpërbleu sipas shërbimit që i bënë në ditët e vështira. Disa në listë të sigurt, të tjerë duke u përpëlitur për mandat dhe dikë tjetër jashtë parlamentit.

A ia vlejti gjithë ajo betejë për Sali Berishën në PD? A dolën demokratët më mirë në këto zgjedhje se në ato të vitit 2021? Çdo njeri normal e kupton se përçarja, për të disatën herë për shkakun e Sali Berishës, vetëm e tkurri edhe më shumë PD-në. Dhe me gjasë, kjo e 11 majit është goditja e fundit që duket se do ta shembë atë godinë të njollosur nga 8 janari dhe në të cilën nuk u festua kurrë për fitore.

Edi Rama ka padyshim përgjegjësinë kryesore për katandisjen e Shqipërisë sot. Ai ka përgjegjësi edhe për telendisjen e opozitës: herë duke mëkuar Berishët me llokma pushteti të padukshëm financiar, e herë të tjera duke përçarë dhe bullizuar atë çka u shkëput nga PD-ja, emrat e rinj të politikës. Por a ka përgjegjësi kjo opozitë për katandisjen që u ka bërë shqiptarëve dhe shpresës për ndryshim?

A ka përgjegjësi Sali Berisha dhe lakejtë e tij që ndryshuan kodin për t’ia bërë Ramës më të lehtë fitoren e 80 e kusur mandateve?As Sali Berisha, as Oerd Bylykbashi, nuk janë aq naivë sa të mos llogarisnin humbjen e sigurt dhe të thellë që i dhuruan Ramës – qoftë përmes sistemit zgjedhor, qoftë me votën e diasporës. Por një motiv më i fortë se dëshira për të fituar i shtyu drejt asaj zgjedhjeje: ruajtja me çdo kusht e pozicionit të “opozitës së konsoliduar”, të padiskutueshme dhe të pasfiduar nga askush.

Ky motiv tashmë është i qartë: përdorimi i Partisë Demokratike si mburojë përballë drejtësisë dhe si armë kundër shpalljes “non grata”. Në vitin 2021, ai luftoi një pjesë të demokratëve brenda selisë. Tani, i ka shitur të gjithë. Prandaj sot bën sikur nuk njeh zgjedhjet – ndonëse sistemi ishte ai që vetë propozoi dhe menaxhoi përmes njerëzve të tij. Bën sikur revoltohet me votën e diasporës greke – ndonëse ai vetë e propozoi dhe e votoi. Ironia e fatit? E justifikon humbjen me votat nga diaspora në Greqi – pikërisht shteti që sot e përkëdhel, falë miqësisë së rizbuluar me Fredi Belerin.

Po për fushatën e pashije, milionat e pajustifikuara për lobimin në SHBA, listat faqezeza, a mban Sali Berisha përgjegjësi? Vështirë duket, por “misionari”, siç e quan veten, e ka gati refrenin e mosnjohjes dhe revolucionit. Sepse Sali Berisha nuk surprizon më askënd prej shumë kohësh.

Sikundër është një libër i hapur dhe ajo që pritet të ndodhë në shtator, në parlamentin e ardhshëm me besnikët e tij të listave të mbyllura, humbësit e mëdhenj të këtyre zgjedhjeve që bashkë me të vulosën fatin e tkurrjes më të madhe në historinë e PD-së. Garda pretoriane e Saliut tashmë e ka një vend në parlament, një rrogë të mirë e ndonjë privilegj nga ato që Rama nuk ia kursen revolucionit demokrat. Mos mendoni se kanë ndërmend të bëjnë ndonjë analizë. Me gjasë ende nuk e kanë kuptuar se votat që ju mungojnë nuk janë ato të socialistëve, por janë votat e mijëra demokratëve të mërzitur me ta, të atyre që nuk votojnë më Sali Berishën.

Janë votat e demokratëve që nuk duan të shohin më në lista fosilet e tranzicionit apo besnikët e Ilir Metës. Janë votat e ca njerëzve të lirë që mendojnë se alternativë nuk mund të jetë të zgjedhësh të keqen më e vogël. Mbi të gjitha brenda në PD as nuk do ta vrasin mendjen të kuptojnë që Agron Shehaj, Adriatik Lapaj dhe të tjerët kanë “zbrazur” hambarin e votave të PD-së. Dhe se nëse do të kishin qenë në një aleancë do të kishin sot shumë më tepër deputetë.

Në atë që ka mbetur nga ajo parti, askush nuk do analizojë ftohtë dhe të përballet me realitetin për ta përmirësuar atë çfarë ka mbetur. Sepse kur logjika vdes, ajo që mbetet është keqardhja madhështore për një parti dhe një grusht njerëzish që ia dolën ta shndërrojnë humbjen e katërt radhazi në një normalitet. Ndaj mos u habisni kur të thonë që përgjegjësinë për humbjen e tyre e ka…populli.

The post Votat nuk ua “vodhi” Rama, por Agron Shehaj, Lapaj etj first appeared on JavaNews.al.

Do të quhet Leoni i XIV/ Papa i ri përshëndet besimtarët nga ballkoni i Lozhës së Bekimeve në Bazilikën e Shën Pjetrit

By: A M
8 May 2025 at 19:25

Robert Francis Prevost i cili u zgjodh rreth orës 18:08 të ditës së sotme si Papa i ri, ka përshëndetur besimtarët nga ballkoni i Lozhës së Bekimeve në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Emri i tij papnor do të jetë Leone XIV.

Ai është amerikani i parë i zgjedhur si Papë,. ndërsa konsiderohet si lider me eksperiencë të madhe që ka kaluar të gjithë karrierën në Amerikën Latine dhe ka shërbyer në zyrën e Vatikanit.

Ai pritet të jetë vazhdues i reformave të nisura nga Papa Françesku.

The post Do të quhet Leoni i XIV/ Papa i ri përshëndet besimtarët nga ballkoni i Lozhës së Bekimeve në Bazilikën e Shën Pjetrit first appeared on JavaNews.al.

6 milionë dollarë të pista për të pastruar Berishën

27 April 2025 at 16:53

Nga Desada Metaj

Le ta themi që në fillim: 6 milionë euro nuk janë para që janë mbledhur nga shqiptarët e Amerikës për të lobuar për Sali Berishën. Sikundër as Edi Rama, Ilir Meta apo Lulzim Basha nuk i kanë pasur para donacionesh ato që kanë përdorur gjatë opozitës për të dalë në foto me presidentin e SHBA. Burimi i parave të partive politike në Shqipëri është aq i njohur nga publiku dhe aq i pahetuar nga prokurorët sa dhe fakti që 6 milionë euro të paguara nga PD për lobim në SHBA janë para të bizneseve (të pastra a të pista qofshin) që kanë lulëzuar gjatë “narkoregjimit” të Edi Ramës. Nuk mund ta fshehësh faktin që eksponentë kryesorë të PD, përfshirë familjen e Sali Berishës, kanë bërë biznes fitimprurës këto vite. Por kjo do të ishte e keqja më e vogël sikur në emër të këtij biznesi që është pasuruar me miliona euro të mos ishin sulmuar dhe anatemuar të gjithë ata që nuk kanë qenë në një linjë politike me Sali Berishën.

Që Sali Berisha bëri luftë të madhe për të marrë logon dhe vulën e PD në emër të betejës pa kompromis të luftës me qeverinë e kanë besuar tri kategori: njerëzit e afërt me të, ata që kanë qenë përfituesit e skemës së përfitimit të milionave, një pjesë e opinionbërësve publikë që na kanë shurdhuar veshët me teoritë se të gjithë ata që nuk janë në front me Sali Berishën janë të shitur te Rama, dhe pjesa e tretë. Ata më të keqtrajtuarit këto 12 vjet nga çdo parti politike. Ata që kanë besuar verbërisht se Rama do të ikë dhe në krye të kësaj beteje duhet të jetë Sali Berisha dhe shpura e tij. Ata që kanë 12 vjet që shpresojnë se gjërat do të ndryshojnë dhe ndoshta do të shohin një ditë të bardhë. Janë ata që sot janë më të tulatur se asnjëherë dhe mundohen të kuptojnë: ku u gjendën 6 milionë euro që Sali Berisha t’i bëjë figurës së tij makiazhin e fundit – heqjen e “non grata”-s.

Kush e ka ndjekur këtë fushatë elektorale e ka dëgjuar mjaftueshëm kryetarin e PD tek thotë se nuk ka ambicie politike për t’u bërë kryeministër. Dhe ndoshta kjo është një nga të paktat të vërteta që thotë në këtë fushatë. Sepse Sali Berisha paska qenë i qartë në ambiciet e tij. Nuk do të jetë kryeministër, ai kërkon thjesht të qëndrojë në krye të PD. Si mënyrën më efikase për të hequr “njollën” për të dhe familjen e tij. E mesa duket nuk është shumë larg këtij qëllimi. Por ndërsa lobimi prej 6 milionë eurosh mund ta ndihmojë në qëllimin e tij, kush dreqin e di se ç’do të ndodhë me të gjithë ata që shohin shpresë në 11 maj me logon e PD? Do të ketë sërish zhgënjim? Me gjasë po. Sado të përpiqen zhurmëmëdhenjtë e mirëpaguar të Sali Berishës, nuk e mbysin dot realitetin ulërues që po e çon Ramën drejt mandatit të katërt. Sado të bërtasin fort se e keqja qëndron tek ata që i bëjnë opozitë opozitës, nuk e fshehin dot faktin e thjeshtë se 6 milionë euro për makiazhin e Sali Berishës do të shërbejnë për diçka: së paku do të ftillojnë shumë shqiptarë të kuptojnë se opozita e opozitës në të vërtetë janë ata që i kanë tërhequr zvarrë me shpresa boshe për një betejë imagjinare me Edi Ramën. Se opozita e opozitës janë ata që bëjnë miliona që s’mund të bëhen kurrë pa bekimin dhe mbështetjen e Edi Ramës. Dhe se, në fund të ditës, 6 milionë euro të shpenzuara kaq keq do të ndihmojnë që në këtë vend të rritet numri i atyre që mendojnë me mendjen e vet dhe me arsye normale: nuk ka pse të zgjedhësh gjithmonë mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Ndoshta nuk të bind asnjë variant i tretë më 11 maj. Por së paku, ke të drejtë të mendosh si njeri i lirë dhe të mos zgjedhësh askënd.

Sepse nëse për kaq vite jeni përpjekur të na bindni se Edi Rama, nëpërmjet Soros-it, qenka përpjekur të njollosë Sali Berishën, i cili nga ana e vet paguan 6 milionë euro për të hequr njollën, mos ndoshta duhet të besojmë se, pa pasur miliona, është e pamundur të bësh politikë në Shqipëri?

The post 6 milionë dollarë të pista për të pastruar Berishën first appeared on JavaNews.al.

Epidemia finale pas të vërtetës së tradhëtuar

7 April 2025 at 11:05

Nga Alba Malltezi

Ekziston një profesion, tashmë i lashtë dhe fisnik, që dikur mbështetej mbi një marrëveshje: të thuash të vërtetën. Ky profesion është gazetaria.

Ai që shkruan për të treguar faktet, ai që flet për të informuar popullin, ai që heton për të zbuluar padrejtësinë, nuk ka thjesht një punë. Ka një mision. Dhe ky mision quhet E Vërteta.

Por çfarë ndodh kur e vërteta nuk kërkohet më, por shmanget? Kur ai që duhet të zbulojë gënjeshtrat, i përqafon ato? Kur informacioni kthehet në spektakël, lajmet bëhen armë, dhe gënjeshtra vishet si e vërtetë?

Ndodh që bota sëmuret.

Gazetari që ndjek gënjeshtrën — për servilizëm, për pushtet, për frikë, për intrigë — nuk është thjesht një tradhtar i profesionit të vet. Ai është një mbjellës i kaosit. Sepse gënjeshtra, kur del nga goja e dikujt me autoritet, nuk është më një gabim: është helm.

Një popull që jeton në mashtrim humbet busullën. Nuk dallon më të drejtën nga manipulimi, realen nga e sajuara. Dhe në këtë mjegull, ai që gënjen bëhet mbret, dhe ai që kërkon të vërtetën bëhet një i çmendur që duhet të heshtë.

Por e vërteta nuk është kurrë e lehtë për t’u gjetur, ndryshe nga gënjeshtrat që prodhohen lehtësisht sepse nuk kanë nevojë të vërtetohen. Për të thënë të vërtetën një gazetari shpesh i duhet të paraqesë dy versione të të njëjtit fakt. Le të marrim shembullin e një procesi penal: krahas versionit të prokurorisë, gazetari ka për detyrë të paraqesë edhe versionin e mbrojtjes. Por kjo është një detyrë, jo një formë manipulimi. Të pretendosh të kundërtën është një gënjeshtër.

E megjithatë e Vërteta — ajo e vërtetë— nuk vdes. Mund të fshihet, të shkelet, të injorohet. Por ka një forcë të çuditshme: reziston. Dhe më në fund, kthehet. Edhe kur frikëson. Edhe kur kushton.

Të jesh gazetar do të thotë të kesh guximin të humbasësh diçka për të thënë të vërtetën. Do të thotë të zgjedhësh rrezikun, mosmirënjohjen, ndoshta edhe gabimin, por kurrë bashkëpunimin me gënjeshtrën.

Sepse heshtja përballë gënjeshtrës është një formë e hollë dhune. Dhe ai që hesht, duke ditur, është bashkëfajtor.

Sot më shumë se kurrë, në një botë të mbushur me zhurmë, me opinione të maskuara si fakte, me tituj që bërtasin për klikime, duhen rojëtarë. Duhen zëra të kthjellët, të qartë, të gatshëm të paguajnë çmimin për të qenë të ndershëm.

E vërteta nuk ka nevojë për heronj, por për dëshmitarë. Dhe nëse gazetarët nuk janë mes tyre, kush do ta tregojë botën siç është në të vërtetë?

Si një ortek që prej vitesh mbarset me gënjeshtra të fabrikuara, duket se sot, mbi shqiptarët po shohim epilogun e 30 viteve manipulim: Dihet kush i bën, dihet nga vijnë, njihet dora, stili, fryma. Po çdo ortek, e çdo epilog, sado i zhurmshëm, i frikshmë, apo i bujshëm, e ka një fund. Edhe në gazetarinë shqiptare, ky fund i manipuluesve profesionistë, është i pashmangshëm. Do të vijë.

The post Epidemia finale pas të vërtetës së tradhëtuar first appeared on JavaNews.al.

Narkoopozita kundër narkoshtetit/ Pse PD nuk arrin të jetë alternativë bindëse

2 March 2025 at 19:10

Nga Desada Metaj

Për të kuptuar se si është katandisur qeverisja, ndoshta duhet t’i hedhim një sy opozitës. Nëse biem të gjithë dakord që Edi Rama duhet të largohet, pyetja që mbetet pa përgjigje është: opozita si është?

Dhe për këtë mjafton të shohësh si kanë zhvilluar një proces të brendshëm primaresh – një garë që, në parim, duhet të ishte një vlerë për demokracinë e brendshme të një partie. Por në realitet rezultoi një farsë e shëmtuar, të cilën mund t’ia kishin kursyer një publiku të velur nga demagogjia dhe propaganda.

Për këtë mjafton të shohësh faktin se gati 24 orë pas mbylljes së votimit për primaret në Tiranë, ende nuk ka një rezultat të publikuar zyrtarisht nga PD. Dhe kjo nuk është çështje teknike, por terësisht vullnet politik i lidershipit demokrat.Pse nuk shpallet rezultati i Tiranës? Mos ndoshta sepse Berisha & Co duan të vendosin në krye ata që nuk janë të pëlqyer nga demokratët, por janë “besnikët” trushpëlarë të kryetarit? Qartësisht, nuk ka asnjë arsye apo justifikim për këtë ngërç, i cili, më shumë se primaret e stisura, tregon qartë batakun ku është zhytur partia më e madhe e opozitës.

Po për elementët e krimit që ndiqnin mbrëmë fizikisht në zyrat e PD numërimin e votave, a ka ndonjë shpjegim Sali Berisha? Apo “narkoqeverinë” (siç i pëlqen ta quajë) do ta luftojë me një “narkoopozitë”?

Me çfarë alternative, morali dhe figurash të reja do të përballet kjo opozitë në më pak se dy muaj? A mendojnë vërtet drejtuesit e saj se arrnimet që i bëjnë përfaqësimit të PD do të mund të jenë alternativa që do të mundë Edi Ramën?

Si ka mundësi që një opozitë që e ka fushën thuajse të lirë, pas arrestimeve të figurave më të rëndësishme të kundërshtarëve politikë, nuk arrin jo të shënojë gol, por as të afrohet në zonën e sulmit? A mos është dhe kjo opozitë e kapur nga tentakulat e krimit siç akuzon mazhorancën? Pse duhet të shfaqen në selinë e demokratëve gjatë procesit të votimit të primareve persona me rekorde kriminale?

Një përgjigje ndoshta lidhet me faktin se PD nuk do të vijë në pushtet. I mjafton të jetë aty ku është, në opozitën përballë Edi Ramës, ku secila palë mban fort tjetrën, në një skenë që qelbet erë politike të vjetëruar.

Dhe për të gjithë ata që ankohen se nuk mund t’i bësh opozitë opozitës, kam një përgjigje të thjeshtë dhe të sinqertë – një shprehje popullore:

“Qorr për qorr e kam në oborr.” E nëse nuk ke një alternativë bindëse, të paktën hesht, largohu dhe lër hapësirë që dikush tjetër të jetë alternativë – për t’i dhënë këtij vendi mundësinë të zgjedhë jo më mes të keqes më të vogël, por mes së mirës dhe së keqes.

Endri Tafani: Berisha nuk ka mbështetje në Greqi nga emigrantët shqiptarët, mban afër Fredi Belerin

By: A M
25 February 2025 at 23:00

Për analistin Endri Tafani, Berisha kërkon një mbështetje politike nga Greqia prandaj bëri atë deklaratë për çështjen e detit. Sipas tij, kjo bëhet pasi Berisha nuk është shumë i favorizuar në Greqi për të marr vota, pasi nuk ka mbështetje atje nga shqiptarët.

‘Berisha kërkon një ndihmë dhe mbështetje politike për zgjedhje nga Greqia, sepse emigrantët u bë ose jo marrëveshja ata do vijojnë punën e vet. Nuk ka asnjë përfitim. Emigracioni në Greqi ka votuar për PS në zgjedhjet e kaluara. Ka një hatërmbetje të vjetër për PD. PS ka më shumë mbështetje në Greqi. Duke qenë se nuk është i favorizuar Berisha mban afër figurën e Belerit dhe pretendon që të ketë më tepër mbështetjen e Greqisë në zgjedhje’, tha ai.

❌