“Skena nga jeta e fshatit” sjell copëza të një bote të njohur përmes poezisë.
Dritarja e avulluar samovari i çajit edhe vjeshtë i tillë i lirë rrethuar me sendet që vjetërohen përmbi rafte ftonj një plakë si pikturë a nuk qenka vallë krejt zjarri një trillim bien gjethet e në kopsht femra kotet në luhajë me goditje të rënda imagjinate me një botë prej letre tek gjej ngushëllim mes sendesh që s’janë më atje diku në botën time atje diku larg eja përsëri netve të vona si hije që sajon pak frymë njeriu e pak dritë qiriri./ Kultplus.com
Aktorja gjermane Iris Berben do të nderohet me Çmimin Gjerman të Politikës Kulturore 2026, për angazhimin e saj shumëvjeçar kundër antisemitizmit, racizmit dhe ekstremizmit të djathtë, si dhe për kontributin në kulturën e kujtesës dhe edukimin demokratik.
Këshilli Gjerman i Kulturës e bëri të ditur vlerësimin në Berlin, ndërsa ceremonia do të mbahet më 24 shtator, me pianistit Igor Levit që do të mbajë fjalimin e nderimit.
Berben është një nga aktoret më të njohura gjermane dhe ka një karrierë disa dekadëshe në televizion dhe kinema. Ajo u bë veçanërisht e njohur për rolin e detekives Rosa Roth, të cilin e interpretoi për gati dy dekada, ndërsa së fundmi u shfaq në filmin “Triangle of Sadness” të Ruben Östlund.
Angazhimi i saj publik ka nisur që në rini. E rritur në Hamburg, Berben ishte aktive si adoleshente në opozitën jashtëparlamentare dhe në vitin 1967 vizitoi për herë të parë Izraelin, pas Luftës Gjashtëditore.
Në vitin 2002, ajo mori Çmimin Leo Baeck për angazhimin kundër antisemitizmit, racizmit dhe ekstremizmit të djathtë, ndërsa ndër vite është vlerësuar edhe për kontributin e saj shoqëror.
Vetëm këtë vit, Berben u nderua me Çmimin Annemarie Renger, ndërsa që nga viti 2022 mban edhe Urdhrin Kundër Seriozitetit Vdekjeprurës.
Çmimi i ri vlerëson kështu jo vetëm karrierën e saj artistike, por edhe dekadat e angazhimit publik për demokracinë, kujtesën historike dhe luftën kundër formave të diskriminimit dhe ekstremizmit./Kultplus.com
Në Publik Galeri në Tiranë, qilimat dhe sixhadet e punuara me dorë po sjellin në vëmendje një traditë që vazhdon të ruhet përmes punës së grave artizane. Ekspozita “Thurja e Qilimave” prezanton krijimet e grave të sipërmarrjes sociale “Tradita ime Artizanale”, duke ndërthurur trashëgiminë kulturore me një model të ri të zhvillimit social.
Punimet e ekspozuara nuk janë vetëm objekte dekorative. Në motive, ngjyra dhe teknikat e përdorura ruhen elemente të trashëgimisë shqiptare, të përcjella ndër breza dhe të mbajtura gjallë përmes punës së dorës.
Pas kësaj ekspozite qëndron edhe një histori tjetër, ajo e hapësirave që kanë marrë një funksion të ri. Publik Galeri është ngritur në një pasuri të konfiskuar dhe administrohet nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), duke u kthyer në një hapësirë për artin, kulturën dhe aktivitetet komunitare.
Në të njëjtën kohë, një tjetër pasuri e konfiskuar, në Elbasan, është vënë në funksion të “Tradita ime Artizanale”, ku gratë zhvillojnë aktivitetin e tyre të prodhimit. Ekspozita në Tiranë krijon kështu një lidhje mes vendit ku këto punime krijohen dhe hapësirës ku ato prezantohen.
Përtej qilimave dhe sixhadeve, “Thurja e Qilimave” sjell në qendër historitë e grave që qëndrojnë pas secilit punim dhe rolin që artizanati mund të luajë në krijimin e mundësive për punësim dhe përfshirje sociale.
Ekspozita dëshmon gjithashtu se trashëgimia kulturore nuk është vetëm diçka që ruhet në muze apo në arkiva. Ajo mund të vazhdojë të jetojë përmes punës së përditshme, duke u përshtatur me nevojat e së tashmes dhe duke krijuar mundësi të reja për komunitetin.
“Thurja e Qilimave” shndërrohet kështu në një takim mes traditës dhe jetës bashkëkohore, ndërsa pasuritë e konfiskuara marrin një tjetër rol: nga prona të lidhura me të kaluarën kriminale, në hapësira që sot i shërbejnë artit, kulturës, punës dhe komunitetit./Kultplus.com
Dy vepra të rëndësishme të Muslim Mulliqit, “Para fortune” dhe “Në kërkim të hapësirave të reja”, të realizuara më 1984, janë pjesë e ekspozitës “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të Tashmen e njëjtë”, e kuruar nga Hana Halilaj në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Mulliqi, një prej figurave më të rëndësishme të artit modern në Kosovë, njihet për një gjuhë ekspresioniste të dallueshme, ku ngjyrat e forta, kontrastet dhe format e mprehta ndërtojnë skena që shpesh bartin tension, lëvizje dhe gjendje të brendshme.
Në “Para fortune”, figurat dhe format arkitekturale vendosen nën një qiell të trazuar, ndërsa një formë harkore krijon ndjesinë e një kufiri apo kalimi. Në veprën tjetër, “Në kërkim të hapësirave të reja”, një figurë e zgjatur qëndron mbi një terren të errët, e rrethuar nga forma organike dhe trajta që sjellin ndjesinë e lëvizjes.
Dy veprat, të vendosura në kontekstin e ekspozitës, hapin një lexim më të gjerë mbi marrëdhënien mes njeriut, hapësirës dhe ndryshimit. Ato bëhen pjesë e një dialogu mes veprave nga koleksioni i GKK-së dhe praktikave bashkëkohore, përmes të cilit ekspozita trajton kujtesën, identitetin, përkatësinë dhe mënyrat se si marrëdhënia me vendin është ndryshuar përgjatë dekadave.
“Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të Tashmen e njëjtë” shënon edhe rihapjen e Galerisë Kombëtare të Kosovës pas rinovimit dhe rikonfigurimit të hapësirave të saj ekspozuese. Ekspozita përfshin artistë nga gjenerata dhe periudha të ndryshme, duke krijuar një përballje mes trashëgimisë artistike dhe praktikave të sotme.
Orari i vizitave: E martë – E premte: 10:00–18:00 E shtunë – E diel: 10:00–17:00
Ekspozita është e hapur deri më 26 gusht 2026 në Galerinë Kombëtare të Kosovës./Kultplus.com
Këshilltarja e U.D. Presidentes së Kosovës, Vlora Konushevci, ka përfaqësuar Albulena Haxhiun në hapjen e edicionit të 25-të të Panairit të Librit në Ulqin, një prej ngjarjeve që ndër vite ka bashkuar autorë, botues dhe lexues shqiptarë në këtë qytet.
Në kuadër të kësaj vizite, Konushevci ka vënë në pah rëndësinë e librit dhe kulturës në ruajtjen e lidhjeve mes shqiptarëve, duke përcjellë edhe mesazhin e U.D. Presidentes së Kosovës me rastin e këtij përvjetori.
“Në këtë përvjetor jubilar, përcolla mesazhin e U.D. Presidentes se libri është ura më e qëndrueshme që i afron dhe i lidh shqiptarët kudo që jetojnë. Po ashtu, shpreha mirënjohje për kontributin e madh të qytetarëve të Ulqinit në kulturën kombëtare, si dhe për solidaritetin me Kosovën gjatë vitit 1999”, ka thënë Konushevci.
Ajo ka theksuar se Panairi i Librit në Ulqin dëshmon rëndësinë e gjuhës, librit dhe kulturës si shtylla të identitetit kombëtar, duke kontribuar në forcimin e lidhjeve kulturore në hapësirën shqiptare.
Para pjesëmarrjes në hapjen e panairit, Konushevci, së bashku me ambasadoren e Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka, është takuar me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.
Takimi është fokusuar në marrëdhëniet mes Ulqinit dhe Kosovës dhe në mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve në fushën e kulturës, arsimit dhe ruajtjes së trashëgimisë shqiptare.
“Biseduam për lidhjet e Ulqinit me Kosovën, për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona dhe për punën që mund të bëjmë së bashku në kulturë, arsim dhe ruajtjen e trashëgimisë shqiptare”, ka thënë Konushevci.
Sipas saj, lidhja e Ulqinit me Kosovën nuk kufizohet vetëm te turizmi dhe periudha e verës, por shtrihet edhe në dimensionin kulturor e historik.
“Me Ulqinin na lidh një afërsi që shkon përtej verimeve dhe turizmit. Ai është pjesë e hapësirës sonë kulturore dhe vendtakim i natyrshëm i shqiptarëve nga rajoni e diaspora”, ka deklaruar ajo.
Panairi i Librit në Ulqin këtë vit shënon 25-vjetorin e themelimit, duke vazhduar të krijojë një hapësirë takimi për librin, autorët dhe lexuesit shqiptarë./Kultplus.com
Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka bërë të ditur se projekti “Stacioni Kulturor” po hyn në fazën e përgatitjeve, duke sjellë një qendër të re për artin dhe kulturën në kryeqytet.
Sipas Ramës, kjo hapësirë do të shndërrohet në një pikëtakim për artistët, krijuesit dhe komunitetin, duke ofruar mundësi të reja për zhvillim kulturor, dialog dhe krijimtari.
“Edhe një qendër e re e artit dhe kulturës po merr jetë në zemër të Prishtinës. Një hapësirë e re për artistët, krijimtarinë, dialogun dhe komunitetin, një vend ku idetë takohen, frymëzimi rritet dhe kultura vazhdon të lulëzojë”, ka shkruar Rama.
Projekti synon transformimin e një hapësire të lënë pas dore në një vend aktiv për veprimtari kulturore dhe artistike, duke kontribuar në krijimin e ambienteve të reja publike për qytetarët.
Sipas kryetarit të Prishtinës, investimet në kulturë, kreativitet dhe hapësira publike janë pjesë e vizionit për një qytet më të gjallë dhe më të hapur ndaj artit./KultPlus.com
Instituti i Sigurisë së Inteligjencës Artificiale (AISI) i Mbretërisë së Bashkuar ka bërë të ditur se disa modele të avancuara të inteligjencës artificiale shfaqën sjellje mashtruese gjatë testeve të sigurisë.
Sipas raportit të institutit, modelet “Mythos” nga kompania Anthropic dhe “Sol” nga OpenAI u përpoqën të ndikonin te njerëzit për të kryer detyra të caktuara gjatë eksperimenteve.
Rasti më serioz, sipas AISI-së, lidhej me modelin “Mythos”, i cili gjatë një testi të sigurisë kibernetike tentoi të fuste kod të dëmshëm në platformën GitHub. Për të rritur mundësinë e suksesit, modeli krijoi identitete të rreme në internet dhe dërgoi mesazhe duke u paraqitur si persona realë.
Përpjekja u ndalua falë mbikëqyrjes njerëzore, e cila pengoi futjen e kodit keqdashës në sistem.
Kompanitë Anthropic dhe OpenAI kanë deklaruar se kushtet e testimit nuk përfaqësojnë mënyrën tipike të përdorimit të modeleve të tyre nga publiku.
AISI sqaroi se këto raste u shfaqën në një numër të kufizuar situatash dhe nën kushte të veçanta eksperimentale, por paralajmëroi se aftësitë e modeleve për të vepruar në mënyrë autonome dhe për të përdorur strategji mashtruese kërkojnë monitorim dhe masa të mëtejshme sigurie./KultPlus.com
Parku i Liqenit Artificial në Tiranë u shndërrua mbrëmjen e djeshme në një skenë të muzikës klasike, ku publiku ndoqi koncertin “Kantata e Kafesë”, interpretimin në gjuhën shqipe të veprës satirike të kompozitorit të mirënjohur Johann Sebastian Bach.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit “Bah… Cafè!”, me mbështetjen e bashkisë Tiranë, duke ofruar një mbrëmje ku muzika klasike u ndërthur me interpretimin skenik, në një atmosferë të veçantë pranë natyrës.
Interpretimi i kësaj vepre të Bach-ut u mirëprit nga publiku, i cili pati mundësinë të përjetojë një format artistik që ndërthur humorin, teatrin dhe muzikën baroke.
Në realizimin e koncertit kontribuoi Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit e cila bëri të mundur zhvillimin e tij në ambientet e Parkut të Liqenit Artificial.
“Kantata e Kafesë”, është një kantatë e ashtuquajtur “profane” (jofetare) e kompozitorit Johann Sebastian Bach. Vepra satirike u shkrua mes viteve 1732–1734 për t’u interpretuar në Kafenenë Zimmermann nga Collegium Musicum i Lajpcigut, me libret të shkruar nga Picander. “Kantata e Kafesë” rrëfen historinë e një babai i cili përpiqet ta bindë vajzën e tij, Lieschen, të heqë dorë nga zakoni i pirjes së kafesë. Pavarësisht kërcënimeve të të atit se do t’i ndalojë shëtitjet, rrobat e reja dhe madje edhe martesën, Lieschen nuk pranon të heqë dorë nga pija e saj e preferuar, të cilën e quan “më të ëmbël se një mijë puthje”.
Në fund ajo pranon vetëm në dukje, ndërsa fshehurazi vendos që do të martohet vetëm me një burrë që do t’i garantojë të drejtën për të pirë kafe sa herë të dëshirojë. Vepra mbyllet me një mesazh humoristik se vajzat nuk do ta lënë kurrë zakonin e pirjes së kafesë, ashtu si nënat dhe gjyshet e tyre./atsh
Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK), akademike Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim kryetarin e Federatës Panshqiptare “Vatra”, Dr. Elmi Berisha.
Gjatë takimit u diskutua për veprimtarinë dhe projektet e ASHAK-ut, si dhe për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit shkencor dhe kulturor ndërmjet dy institucioneve.
Kryetari i “Vatrës”, Dr. Elmi Berisha, e njoftoi kryetaren Shiroka Pula me aktivitetet e federatës dhe kontributin e saj në shërbim të interesave kombëtare, si dhe me bashkëpunimin e saj me institucionet politike dhe shtetërore amerikane.
Palët u pajtuan që të nisin projekte konkrete të përbashkëta, të cilat do të jenë në interes të Republikës së Kosovës dhe çështjes kombëtare.
Takimi u vlerësua si një hap drejt thellimit të lidhjeve ndërmjet institucioneve akademike dhe organizatave shqiptare në diasporë./KultPlus.com
Pas çdo filmi të ruajtur në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit fshihet edhe puna e një profesioni sa i veçantë, aq edhe i rrallë në Shqipëri.
Prej dy dekadash, Hermelinda Troqe, inxhiniere kimiste dhe specialiste e shiritit 35 mm, kujdeset për ruajtjen e fondit filmik kombëtar, duke ndërthurur njohuritë shkencore me misionin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ky profesion është një shembull i rrallë i ndërthurjes së shkencës me kulturën, ku kimia nuk shërben vetëm laboratorit, por edhe ruajtjes së kujtesës filmike të Shqipërisë për brezat që do të vijnë.
Puna e saj zhvillohet mbi shiritat analogë 35 mm, materiale me një strukturë komplekse kimike të përbërë nga polimere, bazë acetati ose poliestri, si dhe emulsione argjendi e pigmentesh. Për të garantuar jetëgjatësinë e tyre, nevojiten njohuri të specializuara në kimi dhe konservim.
Çdo ditë, Hermelinda Troqe inspekton gjendjen fiziko-kimike të shiritave, duke monitoruar proceset e degradimit, si sindroma e uthullës apo kristalizimi i emulsionit, si edhe kontrollon nivelin e aciditetit, lagështisë dhe faktorë të tjerë që mund të dëmtojnë materialin filmik.
Një pjesë thelbësore e punës së saj është ruajtja e kushteve optimale të arkivimit. Temperatura, lagështia relative dhe ajrosja e ambienteve kontrollohen sipas standardeve shkencore, për të ngadalësuar plakjen kimike të shiritave dhe për të siguruar ruajtjen e tyre afatgjatë.
Përveç monitorimit, ajo kryen edhe pastrimin dhe konservimin e shiritave 35 mm përmes proceseve manuale dhe trajtimeve të specializuara, duke i përgatitur për digjitalizim dhe skanim me cilësi të lartë. Paralelisht, kujdeset edhe për mirëmbajtjen e pajisjeve, vlerësimin e materialeve të ambalazhimit arkivues dhe infrastrukturës mbrojtëse, për të garantuar sigurinë maksimale të fondit filmik./Atsh/KultPlus.com
Dita e tretë e Etno Fest solli një program të larmishëm artistik, ku teatri, trashëgimia kulturore, filmi dokumentar dhe muzika u ndërthurën në një mbrëmje me emocione dhe reflektim.
Një nga pikat kryesore të programit ishte monodrama “No Surprises”, me regji të Endrit Gashit dhe interpretim të Ergjan Mehmetit. Shfaqja trajtoi përjetimet e individit, raportin e tij me realitetin bashkëkohor dhe dimensionin emocional të dashurisë, duke lënë hapësirë për interpretime të ndryshme nga publiku.
Trashëgimia kulturore u rikthye në qendër të vëmendjes përmes etno-performancës “Zeje në zhdukje: Farkëtari”, e cila solli në skenë një prej zanateve më të hershme tradicionale. Përmes demonstrimit të mjeshtërisë së farkëtarit, performanca theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe përcjelljes së zejeve që përbëjnë pjesë të identitetit kulturor.
Programi vazhdoi me shfaqjen e dokumentarit “Ferdonija”, realizuar nga Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti. Filmi sjell historinë e Ferdonije Qerkezit nga Gjakova, e cila jeton me kujtimin e humbjes së bashkëshortit dhe katër djemve të saj gjatë luftës, duke e portretizuar atë si simbol të qëndresës dhe kujtesës kolektive.
Më pas u shfaq dokumentari “Pesë lulet, një notë e humbur”, me autor Fatlum Haziri, i cili trajton helmimet e nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës. Përmes dëshmive dhe materialeve dokumentuese, filmi rikthen në vëmendje një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë së afërt të vendit.
Mbrëmja u përmbyll me Etno Nejën, ku Ardian Behrami CIPA & Band sollën një performancë plot ritëm dhe energji, duke krijuar një atmosferë të veçantë dhe duke i dhënë fund ditës së tretë të festivalit me një përjetim artistik të paharrueshëm./KultPlus.com
Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve tanë dhe ata do të flasin për ne, ata do të gjykojnë për ne- (Breznitë veprat i gjykojn .. -ka thanë nji njeri i madh!)- dhe nuk do t’na dënojn, e dij, për belbëzimet tona, shtërzimet’ për gabimet-t’vogla e t’mëdha-për të mbërrimet tona… Pse-kush ka faj që prindet s’na lanë gadi kurrgja -pos vorreve dhe padijes; kush ka faj që aq kohë-errësija dhe vetmija- si mrazet e pranverës kanë mbyt filizat mu në farë?! Do të vijnë mbas nesh fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve tanë-breznitë, dhe ata do të dijnë për ne, se ne jemi pjella e Ditës së Re-dhe plot diell e dashni; do të dijnë për ne, e dij, dhe do t’ua kallxojnë me binduni fëmive të vetë si kemi ngallnjye, nga hini dhe vjetërsia, qytete t’reja, fabrika dhe katunde… si kemi shkrue kangë, si kemi thurë tregime- tue belbzue ebecenë dhe gjuhën vetë… (Dhe, ani, që të gjithë jemi marrë me çdo gja, si me qenë mjeshtra çollakë, me pak dije po me shumë e shum vullnet…)./KultPlus.com
Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Isah Mustafa, ka bërë të ditur se projekti kulturor “Qef n’Lagje” ka nisur me sukses në lagjen Dardani, duke sjellë një mbrëmje që bashkoi muzikën, kulturën dhe komunitetin.
Sipas Mustafës, qytetarë të shumtë iu bashkuan aktivitetit, ndërsa artistët Nita Latifi dhe String String performuan para publikut, duke krijuar një atmosferë të veçantë.
“Një lagje, një skenë dhe shumë energji. Dardania ishte ndalesa e parë e Qef n’Lagje, ku muzika, kultura dhe komuniteti u bënë bashkë në një mbrëmje plot atmosferë”, ka shkruar Mustafa.
Ai ka njoftuar gjithashtu se aktiviteti do të vazhdojë edhe në lagje të tjera të kryeqytetit. Ndalesa e radhës do të jetë të premten në lagjen Muharrem Fejza, pranë Shkollës “Pavarësia”, me fillim nga ora 20:00./KultPlus.com
Ariana Grande do të tërhiqet përkohësisht nga jeta publike pas përfundimit të turneut të saj botëror “Eternal Sunshine Tour”, i cili mbyllet më 1 shtator në Londër.
Përfaqësuesi i këngëtares konfirmoi se Grande do të bëjë një hap pas nga paraqitjet publike pas përfundimit të angazhimeve muzikore, duke theksuar se vendimi vjen pas vitesh të tëra nën vëmendjen dhe presionin e vazhdueshëm të publikut.
“Ariana do të marrë një hap prapa nga ekspozimi publik pasi të përfundojë turneun ‘Eternal Sunshine’. Ajo mezi pret ta përfundojë këtë rrugëtim në mënyrën më të mirë, shëndetshëm dhe e lumtur, dhe më pas të marrë një pushim të merituar nga puna dhe paraqitjet publike”, u shpreh përfaqësuesi i saj.
Këngëtarja 33-vjeçare e adresoi vetë lajmin gjatë koncertit të saj në Çikago, duke sqaruar se ky nuk ishte një vendim i marrë si reagim ndaj ndonjë situate të fundit, por një plan që e kishte menduar prej kohësh.
“Ky nuk ishte një vendim impulsiv. Është diçka që e kisha planifikuar dhe e kisha vendosur në heshtje shumë kohë më parë”, tha Grande para fansave të saj.
Ajo gjithashtu hodhi poshtë spekulimet se turneu kishte ndikuar negativisht në shëndetin e saj, duke theksuar se kjo përvojë ka qenë një nga periudhat më të bukura të karrierës së saj.
“Eternal Sunshine Tour”, i cili nisi në qershor të vitit 2026 në Oakland të Kalifornisë, përfshin 41 koncerte në Amerikën e Veriut dhe Evropë dhe mbështet albumin e saj të shtatë në studio, “Eternal Sunshine”, të publikuar në vitin 2024.
Përveç pauzës nga paraqitjet publike, Grande është tërhequr edhe nga rikthimi në skenën e West End-it në Londër, ku ishte planifikuar të luante në musical-in “Sunday in the Park with George” në vitin 2027.
Ekipi i produksionit e ka mbështetur vendimin e saj, duke deklaruar se largimi nuk ka qenë i lehtë, por se zgjedhja e saj respektohet plotësisht.
Grande nuk ka bërë të ditur se sa do të zgjasë kjo pauzë dhe kur do t’i rikthehet angazhimeve publike. Megjithatë, ajo ka bërë të qartë se dëshiron të përfundojë turneun me energji pozitive dhe më pas t’i kushtojë kohë vetes larg vëmendjes mediatike./KultPlus.com
Në kuadër të Javës Botërore të Gjidhënies, që shënohet nga 1 deri më 7 gusht, organizata Action for Mothers and Children (AMC) do të organizojë të premten, më 7 gusht, një ngjarje për zgjerimin e programit “Klasat për Nëna” në një lokacion të dytë në Fushë Kosovë, si dhe përurimin e një murali të ri publik për promovimin e gjidhënies.
Ngjarja synon të theksojë rëndësinë e qasjes së nënave në informata të besueshme për gjidhënien, ofrimin e mbështetjes praktike dhe rritjen e ndërgjegjësimit në komunitet për përfitimet e gjidhënies.
Murali është realizuar nga artistja kosovare Ermira Murati (Orange Girl) dhe është vepra e dytë e këtij lloji e krijuar në bashkëpunim me AMC-në për promovimin e gjidhënies.
Gjatë aktivitetit do të mbajnë fjalë rasti përfaqësues të Komunës së Fushë Kosovës, Drejtorisë së Shëndetësisë, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe organizatës Action for Mothers and Children.
Në kuadër të ceremonisë do të nënshkruhet edhe Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Fushë Kosovës dhe Action for Mothers and Children për zbatimin e programit “Klasat për Nëna”, ndërsa në fund do të bëhet zbulimi zyrtar i muralit kushtuar promovimit të gjidhënies.
Ngjarja do të mbahet të premten, më 7 gusht, me fillim nga ora 13:00, në QMF 2 në Fushë Kosovë./KultPlus.com
Edicioni i 16-të i Etno Fest vazhdon sonte (6 gusht) në Etno Village Kukaj, nën temën qendrore “Kujtesa”, me një program të pasur artistik e kulturor. Festivali mbahet nga 3 deri më 10 gusht dhe sjell aktivitete të ndryshme që ndërthurin artin, kulturën dhe trashëgiminë.
Programi i ditës së tretë përfshin:
17:00-18:30 – Debati “Dëshmi, dinjitet dhe shpresë”, i organizuar nga KRCT/QKRMT
18:30-19:40 – Koncert artistik me sopranon Besarta Murtezani dhe Ansamblin “Dardanus” nga Tetova.
20:00-21:30 – Shfaqja teatrore “Pylli” e Florian Zeller, nga Teatri “Bekim Fehmiu”, me regji të Erson Zymberit.
Nga ora 21:30 – Mbrëmja “Etno Neja” me Naim Bunjaku-Xuxi.
Festivali zhvillohet në fshatin Kukaj të Prishtinës dhe mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme verore kushtuar artit dhe kulturës tradicionale në Kosovë. /KultPlus.com
Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) dhe Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) kanë nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi me qëllim të forcimit të zhvillimit, promovimit dhe mbështetjes së industrisë së filmit dhe sektorit audiovizual në Kosovë.
Marrëveshja u nënshkrua nga drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, dhe drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, duke vendosur një kornizë të përbashkët bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve kryesore të kulturës dhe medias në vend.
Në kuadër të këtij partneriteti, QKK dhe RTK do të bashkëpunojnë në realizimin e prodhimeve dhe bashkëprodhimeve filmike, promovimin e veprave audiovizuale kosovare, mbulimin mediatik të festivaleve dhe aktiviteteve të filmit, si dhe organizimin e aktiviteteve profesionale dhe edukative për sektorin kinematografik. Marrëveshja parasheh gjithashtu bashkëpunim në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë filmike, promovimin e Kosovës si destinacion për xhirime filmike dhe zhvillimin e iniciativave të tjera që synojnë fuqizimin e industrisë audiovizuale, përcjell KultPlus.
Përmes këtij partneriteti, dy institucionet synojnë të rrisin dukshmërinë e kinematografisë kosovare në nivel vendor dhe ndërkombëtar, duke krijuar mundësi të reja për autorët, producentët dhe profesionistët e filmit.
Marrëveshja përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe në promovimin e mëtejshëm të filmit kosovar në skenën ndërkombëtare./KultPlus.com
Romani autobiografik “Free” i shkrimtares shqiptare Lea Ypi, i përzgjedhur si leximi i muajit korrik nga Dua Lipa, është më shumë se një kujtim personal. Ai është një reflektim mbi historinë, ndryshimet politike në Shqipëri, familjen dhe kuptimin e vërtetë të lirisë.
Në një intervistë me Dua Lipën, Ypi ka folur për temat kryesore të librit, ndërsa ka ndarë edhe një listë me veprat letrare që kanë ndikuar në formimin e saj si autore dhe që kanë shërbyer si frymëzim për “Free”, shkruan KultPlus.
Ndër librat e përzgjedhur është “Pallati i Ëndrrave” i shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, të cilin Ypi e cilëson një nga autorët e saj të preferuar dhe një figurë themelore të letërsisë shqiptare. Sipas saj, vepra e Kadaresë, edhe pse e vendosur në Perandorinë Osmane, është një parabolë për Shqipërinë komuniste dhe shoqëritë e kontrollit.
Një tjetër ndikim i rëndësishëm ka qenë “Lufta dhe Paqja” e Leo Tolstoy. Ypi tregon se e lexoi këtë vepër gjatë viteve të fundit të shkollës së mesme, në një periudhë të trazuar për Shqipërinë pas rënies së skemave piramidale, kur vendi përjetonte pasiguri dhe gjendje të jashtëzakonshme.
Në listë përfshihet edhe eseja filozofike “Two Concepts of Liberty” e Isaiah Berlin, e cila trajton dallimin mes dy kuptimeve të lirisë: lirisë nga kufizimet dhe lirisë për të vepruar. Kjo ide, sipas Ypit, është një nga debatet qendrore të librit të saj.
Ypi përmend gjithashtu “Family Sayings” të Natalia Ginzburg, një vepër që ndërthur historinë familjare me ndryshimet politike, duke treguar se si kujtesa private mund të bëhet pasqyrë e një epoke të tërë.
Në mesin e librave që kanë ndikuar në mendimin e saj është edhe “Republika” e Plato, veçanërisht alegoria e shpellës, e cila ngre pyetje mbi dallimin mes realitetit dhe iluzionit, propagandës dhe së vërtetës.
Listën e përmbyll “Second-Hand Time” e Svetlana Alexievich, një vepër që trajton përvojat e njerëzve pas rënies së botës sovjetike dhe përballjen me një realitet të ri politik e ekonomik.
Përmes këtyre rekomandimeve, Lea Ypi ofron një pamje më të thellë të burimeve letrare dhe filozofike që kanë ndihmuar në krijimin e “Free”, një libër që trajton jo vetëm historinë e saj personale, por edhe pyetjen universale: çfarë do të thotë të jesh i lirë? /KultPlus.com
Rregullat e reja të Bashkimit Evropian për transparencën e përmbajtjeve të krijuara ose të manipuluara nga Inteligjenca Artificiale (AI) kanë hyrë zyrtarisht në fuqi, në kuadër të Aktit për Inteligjencën Artificiale (AIAct).
Sipas Nenit 50 të këtij ligji, kompanitë që ofrojnë chatbot-e dhe sisteme të tjera interaktive të Inteligjencës Artificiale duhet t’i njoftojnë përdoruesit kur ata po komunikojnë me një sistem AI, përveç rasteve kur kjo është e qartë nga vetë natyra e ndërveprimit.
Komisioni Evropian kërkon gjithashtu që platformat që krijojnë tekst, imazhe, video ose materiale audio të përdorin shënues teknikë të lexueshëm nga makinat, në mënyrë që përmbajtja të mund të identifikohet si e gjeneruar apo e ndryshuar nga AI.
Rregullat e reja prekin edhe përdorimin e deepfake-ve dhe përmbajtjeve të krijuara nga Inteligjenca Artificiale në fusha me interes publik. Kompanitë dhe përdoruesit profesionistë që publikojnë materiale të tilla pa verifikim njerëzor ose kontroll editorial do të jenë të detyruar t’i shënojnë qartë.
Sipas institucioneve evropiane, qëllimi i këtyre masave është reduktimi i mashtrimeve, imitimit dhe përhapjes së dezinformatave, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të kuptojnë nëse një përmbajtje është autentike apo është krijuar me ndihmën e AI.
Ligji parashikon disa përjashtime për veprat artistike, krijuese, satirike dhe fiktive që përmbajnë elemente të deepfake-ut. Në këto raste, etiketimi mbetet i nevojshëm, por mund të bëhet në mënyrë që të mos dëmtojë përvojën artistike të publikut.
Rregullat nuk vlejnë për individët që përdorin Inteligjencën Artificiale vetëm për qëllime private dhe jo komerciale. Ndërsa përdoruesit që e përdorin AI në mënyrë profesionale ose për përfitime ekonomike do t’u nënshtrohen kërkesave të reja për transparencë.
Disa prej platformave më të mëdha teknologjike kanë nisur zbatimin e këtyre praktikave edhe para hyrjes në fuqi të ligjit. TikTok ka deklaruar se ka etiketuar miliarda video të krijuara me AI, ndërsa Meta përdor etiketën “AI Info” në platformat e saj për të sinjalizuar përmbajtjet e identifikuara si të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale. Edhe Google po zhvillon mjete si SynthID dhe Content Credentials për të ndihmuar në identifikimin e materialeve të krijuara me AI./KultPlus.com
Ylli shqiptar me famë ndërkombëtare Rita Ora ka publikuar këngën e re “Higher”, një bashkëpunim me producentin dhe DJ-in nga Zelanda e Re me origjinë samoane, Lance Savali.
E publikuar nga Casablanca Records, kënga sjell një atmosferë verore me ritme house, ku vokali karakteristik i Ritës ndërthuret me produksionin energjik të Savalit. “Higher” vjen pas suksesit të projekteve të tij të mëparshme si “Devotion” dhe “Ain’t No Party”, të cilat kanë grumbulluar së bashku dhjetëra miliona transmetime në platformat digjitale.
Lance Savali, i cili ka mbi 1.9 milionë dëgjues mujorë dhe më shumë se 190 milionë transmetime globale, njihet edhe për karrierën e tij si kërcimtar profesionist, duke performuar më herët me emra të mëdhenj të muzikës botërore si Rihanna, Beyoncé dhe Jennifer Lopez.
Duke folur për bashkëpunimin me Ritën, Savali ka treguar se kënga ishte menduar që në fillim për zërin e saj.
“Kur e krijova për herë të parë ‘Higher’, menjëherë mendova se do të ishte kënga perfekte për Ritën. Ne njihemi prej vitesh dhe ajo është si familje për mua”, u shpreh ai.
Për Ritën Ora, ky projekt vjen pas një serie suksesesh ndërkombëtare dhe paraqitjes së saj aktive në skenat muzikore botërore. “Higher” synon të jetë një nga kolonat zanore të këtij sezoni veror, me një kombinim mes energjisë së skenave të festivaleve dhe atmosferës së ahengjeve verore./KultPlus.com