Normal view

Një univers paranormal, si të shihni sipas radhës filmat e ‘The Conjuring’ deri te ‘Last Rites’

7 September 2025 at 21:30

“The Conjuring: Last Rites” debutoi në kinema më 5 shtator. Patrick Wilson dhe Vera Farmiga u rikthyen në rolet e Ed dhe Lorraine Warren, çiftit të famshëm të hetuesve paranormalë.

“Last Rites” është pjesa e fundit e sagës që nisi në vitin 2013 me “The Conjuring”, i cili tregonte historinë e një familjeje të përndjekur nga fantazmat e cila ndihmohet nga çifti. Përveçse një film i frymëzuar nga figura të njohura paranormale, filmi prekte disa ngjarje të vërteta dhe rastësi të çuditshme shoqëruan xhirimet.

Ndërsa frika shfaqej në ekran dhe jashtë saj, “The Conjuring” grumbulloi mbi 320 milionë dollarë në arkën globale. Nga ai moment, kanë vijuar një seri prodhimesh të tjera të ndërlidhura me të si “Annabelle” (2014) dhe “The Nun” (2018) që së bashku përbëjnë universin e “The Conjuring”.

Në shtator të vitit 2023, “The Nun II” pushtoi kinematë. Në tërësi janë 10 prodhime të realizuara brenda këtij universi filmik që ka grumbulluar një komunitet besnik admiruesish. Nëse po mendoni të shihni “Last Rites” apo thjesht të (ri)shihni gjithë filmat e tjerë, ju tregojmë radhën që duhet të ndiqni.

The Nun (2018)

Edhe pse doli pesë vite pas “The Conjuring”, është kronologjikisht filmi i parë. Ngjarjet ndodhin në Rumaninë e vitit 1952 ku murgesha demon Valak endet në korridoret e një manastiri të largët. Demoni që njihet më shumë si “murgesha”, u shfaq për herë të parë në “The Conjuring 2” dhe shkurtimisht në “Annabelle: Creation”.

Annabelle: Creation (2017)

Shfaqet pak në filmin “The Conjuring”, por kukulla e pushtuar Annabelle u kthye shpejt në një objekt të preferuar për shkak të buzëqeshjes së frikshme dhe origjinës së saj, bazuar në histori të vërtetë. Filmi tregon sesi kukulla u pushtua nga djajtë: një grup vajzash jetime çlirojnë gabimisht një ligësi të lashtë…dhe duhet të luftojnë për jetën e tyre.

The Nun II (2023)

Katër vite pas “The Nun”, pjesa e dytë tregon historinë e motrës Irene, e mbijetuara e vetme që jep mësim në një shkollë me konvikt në Francë. Valak e gjen sërish dhe asaj i duhet të mbrojë nxënësit.

Annabelle (2014)

Në fillim të “The Conjuring”, çifti Warren prezanton kukullën, e cila në të vërtetë gjendet në muzeun e tyre me objekte paranormale. Filmi, i cili u kthye në hit, tregon se në vitin 1967 Annabelle torturoi një çift dhe vajzën e tyre të sapolindur.

The Conjuring (2013)

Filmi është bazuar në një histori të vërtetë të një ferme të pushtuar në Rhode Island. Në film, çifti i hetuesve paranormalë shkojnë të ndihmojnë familjen Perron e cila përballet me ngjarje të çuditshme në shtëpinë e tyre, në vitin 1971. Më pas, ngjarjet përshkallëzojnë në një pushtim të plotë demoniak dhe trupa që fluturojnë në ajër.

Annabelle Comes Home (2019)

Në 1972, çifti Warren largohet për një hetim tjetër dhe punësojnë një dado që të kujdeset për vajzën e tyre, Judy, në shtëpinë ku ndodhet edhe Annabelle. Nuk do shumë dhe Annabelle ia mbath duke thirrur djaj të tjerë. Judy dhe dadoja duhet të luftojnë shpirtrat e ligj dhe të mos pushtohen prej tyre.

The Curse of La Llorona (2019)

Është film që nuk lidhet shumë me të tjerët dhe bazohet në legjendën meksikane të La Llorona, një fantazme hakmarrëse që mbyt fëmijët. Lidhja e vetme e këtij filmi me të tjerët është prifti Perez, i cili shfaqet edhe te “Annabelle”. Filmi nis në vitin 1673 me zanafillën e legjendës dhe më pas ngjarjet vendosën në Los Anxhelesin e 1973-shit, ku Anna përfshihet në ca ngjarje misterioze.

The Conjuring 2 (2016)

“The Conjuring 2” ishte gjithashtu i bazuar në një histori të vërtetë për një familje në periferi të Londrës, vajza e së cilës pushtohet nga demonët. Në të vërtetë, çifti Warren e hetoi këtë ngjarje dhe deklaroi se panë orendi që lëviznin dhe zëra jashtë trupave. Në film, ngjarjet zhvillohen në vitin 1977 dhe pas pushtimit është Valak, por jashtë ekranit kishte shumë skeptikë për këtë ngjarje e cila njihet si Poltergeisti i Enfield.

The Conjuring: The Devil Made Me Do It (2021)

Ngjarjet ndodhi  në vitin 1981 dhe lidhen me gjyqin e vërtetë të Arne Cheyenne Johnson, i cili vrau shefin e bashkëshortes. Një vit më parë, çifti Warren e kishte takuar Johnson ndërsa përpiqeshin të nxirrnin një djall jashtë trupit të një djali të vogël që ai njihte. Gjatë ekzorcizmit, Johnson iu vetëofrua djallit që ai të largohej nga trupi i vogëlushit. Më pas, ai nisi të sillej çuditshëm dhe të përkeqësohej duke arritur të vriste. Ngjarja vazhdon të ketë vëmendje mediatike dhe është trajtuar në kronika të veçanta dhe librin “The Devil in Connecticut” të Gerald Brittle.

The Conjuring: Last Rites (2025)

Filmi më i ri ndodh në vitin 1986 kur çifti Warren është gati të heqë dorë nga hetimi i ngjarjeve paranormale, por një familje ka nevojë për ndihmën e tyre dhe s’mund t’i kthejnë kurrizin. Filmi bazohet te një ngjarje që përfshin një çift në jetën e vërtetë, Janet dhe Jack Smurl, të cilët thanë se një prani demoniake po lëndonte familjen e tyer, madje thanë se po sulmonte seksualisht Jack./KultPlus.com

‘Këtë natë dashuri, të prita më fort se kurrë’

7 September 2025 at 20:50

Poezi nga Zhuliana Jorganxhi

Këtë natë dashuri,
të prita më fort se kurrë!
Si bregu,
dallgët t’i derdhnin shkumën,
si nata,
gjoksin t’i çkopsitnin yjet,
si asnjëherë veten,
ndjeva të gënjyer!

Kush vallë nga rruga
të paska kthyer?!

gusht, 1974

*Titulli i origjinalit: “Këtë natë”/KultPlus.com

Përfundon ‘Koko Fest’, triumfon teatri ‘Aleksandër Moisiu’, Durrësi rrëmben pesë çmime në festival

7 September 2025 at 20:21

Shfaqja e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit “Vendi më i humbur në Shqipëri” ka rrëmbyer pesë çmime në Festivalin Mbarëkombëtar të Komedisë në Korçë, duke përfshirë çmimin e shfaqjes më të mirë, regjia më e mirë për Andia Xhungën, aktori protagonist më të mirë që është dhënë për Gentian Zenelaj, çmimi i aktorit të ri më të mirë për Aleks Seitaj, si dhe çmimin e publikut.

Regjisorja Xhunga është befasuar nga çmimet e shumta që ka marrë shfaqja e vënë në skenë prej saj, kur tha se ndihet mjaft mirë me kaq shumë çmime në një festival si ky.

Sot kemi marrë 5 çmime dhe jemi shumë të lumtur dhe për mikpritjen që na ka dhuruar publiku korçar”, u shpreh regjisorja Xhunga.

Çmimi i karrierës ka shkuar për regjisorin e njohur Gëzim Kame, për të cilin një vlerësim i tillë pas një jete të gjatë në skenë është një emocion mjaft i madh.

60 vjet karrierë duket sikur të japin lamtumirën e fundit nga teatri edhe pse unë premtoj që do të vazhdoj akoma”, u shpreh regjisori.

Zamira Kita flet për organizimin e këtij festivali kur thotë se edhe këtë vit ia dolëm për të sjellë në skenë komeditë më të mira mbarë shqiptare.

Besoj se shkoi mirë dhe sigurisht në çdo edicion kemi çfarë të mësojmë. Kaloi mirë, edhe publiku u kënaq. U vlerësuan më të mira sipas gjykimit të jurisë të cilën e kishim shumë prestigjioze”, u shpreh Kita.

Për të 12-in vit me radhë në Korçë organizohet festivali mbarëkombëtar i komedisë. Organizatorët mendojnë se festivalin e radhës do e kryejnë në të gjitha qytetet e qarkut Korçë./javanews/KultPlus.com

Ndërpritet shfaqja e filmit ‘Lejleku’ në Podgoricë, reagon edhe BE

7 September 2025 at 19:50

Filmi “Lejleku” i regjisorit Isa Qosja, i cili mori pjesë në festivalin e filmit Xhada në Podgoricë, u ndërpre derisa po shfaqej për publikun në mjedis të hapur më 3 shtator.

Bajrush Kajtazi producent i filmit përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se shfaqja e filmit u ndërpre për shkak të pakënaqësive të shprehura zëshëm nga një grup personash ende të panjohur, të cilëve, siç thuhet, u pengoi fakti që filmi ishte në gjuhën shqipe.

“Ky është një akt i turpshëm dhe i papranueshëm, por fakti që Lejleku ngjalli reagime kaq të forta tregon fuqinë e tij: ky film hap dialog, sfidon tabutë dhe prek plagë që disa përpiqen t’i fshehin”, ka shkruar ai.

Tutje ai ka thënë se si producent, thotë me krenari se Lejleku do të vazhdojë rrugëtimin e tij në festival, kinematë dhe hapësirat kulturore të rajonit dhe të Evropës.

“Ky film është dëshmi se arti shqip ka zë, ka dinjitet dhe ka mbështetje të forte ndërkombëtare dhe ky zë nuk do të heshtet kurrë, ka shkruar Kajtazi.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe zyra e BE-së në Podgoricë duke thënë se “liria e shprehjes artistike është një nga vlerat thelbësore të demokracisë”./KultPlus.com

S’mund të t’urrej

7 September 2025 at 19:00

Poezi nga Anton Santori

S’mund të t’urrej

(Vjershëza e 12)

S’mund të t’urrej andaj tash po të lë, 

dhe mbanë detit thellë andej po shkoj. 
Natë edhe ditë, kur eci e flë, 

sikur jam afër, dhe kur larg qëndroj; 

në punë i kredhur, dhe kur s’bëj asgjë, 

n’anije vjelaçjerrë kur lundroj, 

fytyrën ta kam pranë gjithënjë:

je jeta ime andaj çdo ankth duroj./KultPlus.com

Si u rishkrua “Lahuta e Malcisë”, në vitin 1986, u kopjuan me shkrim dore 30 këngët e veprës të ndaluara nga komunizmi

7 September 2025 at 18:24

Në letrën e shkruar në vitin 1986 nga Nike Toma në Fishtë të Lezhës janë kopjuar 30 këngë të “Lahutës së Malcisë” në 730 faqe, të cilat janë ruajtur prej më shumë se 30 vitesh nga familja e tij për t’u trashëguar brez pas brezi.

Nik Toma zgjodhi ta sfidonte regjimin komunist të asaj kohe, duke rishkruar dhe ruajtur një pjesë të historisë sonë.

Të rishkruante “Lahutën e Malcisë” nuk ishte rastësi. Pater Gjergji, siç ata e quajnë, kishte shkruar vargje në shtëpinë e tyre, dhe që prej asaj kohe babai i tij u frymëzua./KultPlus.com

Panairi i Artizanit në Gjirokastër, punime dhe atmosferë mesjetare në Pazarin e Vjetër

7 September 2025 at 17:45

Panairi i Artizanatit në Gjirokastër është kthyer në një traditë të bukur të qytetit të gurtë.

Për tri ditë me radhë, dhjetëra artizanë nga zona të ndryshme të vendit kanë ekspozuar punimet e tyre në Panairin e Artizanatit, duke rikthyer atmosferën mesjetare të pazarit si qendër prodhimi, zejesh dhe shkëmbimesh.

Punimet e ekspozuara përfshijnë teknika autentike shekullore, një pjesë e të cilave janë pjesë e trashëgimisë jomateriale që sot konsiderohet e rrezikuar. Në stendat e vendosura përgjatë rrugicave të gurta gjenden endje në vegjë, punime në gur dhe dru, vegla muzikore tradicionale, por edhe produktet e zaireve të dimrit, një traditë e hershme ku familjet lokale përgatisnin reçelra, turshi, gliko dhe produkte të tjera tradite për muajt e dimrit.

Panairi është shoqëruar edhe me rritje të dukshme të vizitueshmërisë. Operatorët turistikë raportojnë se kapacitetet e akomodimit në qytet janë të rezervuara mbi 70% përgjatë ditëve të fillimit të shtatorit.

Mbrëmjet në Gjirokastër janë mbushur me polifoni, veshje tradicionale dhe muzikë popullore, këngëtarë të njohur të muzikës moderne dhe DJ përgjatë natës duke krijuar një atmosferë ideale për qindra të rinj.

Gjirokastra po krijon një profil më të qartë turistik, ku trashëgimia dhe artizanati po bëhen pjesë përbërëse e ofertës turistike.

Nga produktet tradicionale, muzika polifonike tek zejet e hershme, qyteti po e ndërton fizionominë e tij si një destinacion kulturor, ku turizmi lidhet drejtpërdrejt me ruajtjen dhe promovimin e traditës./atsh/KultPlus.com

102-vjeçari ngjit malin 3 776 metra të lartë

7 September 2025 at 17:15

 Alpinisti 102-vjeçar Akuzawa Kokichi në Japoni ka hyrë në Librin e Rekordeve Botërore “Guinness” si personi më i vjetër që është ngjitur në malin Fuji, i cili është 3 776 metra.

Akuzawa dhe ekipi i tij qëndruan në kamp për dy net para se të arrinin në malin më të lartë të Japonisë në 3 776 metra.

Ai përfundoi ngjitjen sfiduese me vajzën e tij 70-vjeçare, nipin dhe një ekip alpinizmi prej katër personash, ndërsa arriti të hyjë në Librin “Guinness” si personi më i vjetër që është ngjitur në malin Fuji.

Në moshën 96-vjeçare, Akuzawa u regjistrua si personi më i vjetër që është ngjitur në malin Fuji dhe gjatë gjashtë viteve të fundit, ai ka vuajtur nga një sërë problemesh shëndetësore, përfshirë sëmundjet e zemrës.

Akuzawa tha se ishte gati të hiqte dorë në gjysmë të ngjitjes së tij në malin Fuji më 5 gusht, por me mbështetjen e familjes së tij, ai arriti në majë. Ai shpjegoi se u stërvit për tre muaj para se të ngjitej në malin Fuji, duke u zgjuar në orën 05:00 të mëngjesit çdo mëngjes për të bërë ushtrime ecjeje dhe ngjitjeje.

Pasi vuri në dukje se mali Fuji nuk ishte një mal i vështirë, por këtë herë ishte më i vështirë se sa kishte qenë gjashtë vjet më parë, Akuzawa tha: “Nuk jam ndier kurrë kaq i dobët. Nuk kisha dhimbje, por vazhdoja të pyesja veten pse isha kaq i ngadaltë dhe nuk kisha aspak rezistencë. Tashmë i kisha tejkaluar kufijtë e mi fizikë dhe e arrita këtë vetëm falë forcës së të gjithëve të tjerëve”.

Ai thekson se ka filluar të tregojë interes për alpinizëm për herë të parë në moshën 14-vjeçare ndërsa motivimin e tij e shpjegoi me fjalët: “Më pëlqen ngjitja. Është e lehtë të krijosh miqësi në mal”.

Një nga simbolet kombëtare të vendit, mali Fuji me lartësi prej 3.776 metrash dhe një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ndodhet midis prefekturave Yamanashi dhe Shizuoka. /KultPlus.com

Rritje e numrit të vizitorëve në Muzeun Etnografik të Elbasanit

7 September 2025 at 16:45

Muzeu Etnografik në Elbasan, i shpallur Monument Kulture kategoria e I, po tërheq vizitorë vendas e të huaj, duke u ofruar një përvojë autentike në rrënjët e historisë, kulturës dhe jetesës tradicionale të qytetit.

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja përcolli sot një video nga ambientet e brendshme të këtij muzeu, i mbushur plot me turistë të pasionuar pas historisë dhe kulturës shqiptare.

Llatja shprehet se “vazhdon të rritet numri i vizitorëve vendas e të huaj në Muzeun Etnografik të Elbasanit , i cili mbetet një nga destinacionet më të rëndësishme kulturore”.

I njohur ndryshe dhe si “Shtëpia e Sejdinasve”, në këtë ndërtesë dykatëshe të shekullit të 18-të prezantohet kultura, folklori dhe stili i jetesës së qytetit.

Në këtë muze ekspozohen rreth 80 zeje tradicionale, duke pasqyruar mjeshtërinë, stilin e jetës dhe zhvillimin ekonomik të qytetit ndër shekuj. Muzeu mbart në çdo kënd frymën e një qyteti të lashtë që di të ruajë dhe vlerësojë trashëgiminë.

Muzeu Etnografik qëndron i hapur çdo ditë të javës dhe mirëpret vizitorë nga vendi dhe jashtë, që duan të njihen më nga afër me jetën e të parëve tanë, veshjet, traditat, artizanatin dhe gjithë pasurinë shpirtërore të këtij qyteti./atsh/KultPlus.com

“Kush të lëvdon ballafaqas, të kafshon pas shpine”

7 September 2025 at 16:15

Giulio Cesare Croce (1550-1609) ishte një shkrimtar italian, aktor dhe producent. Djali i një kovaçi dhe vetë një farkëtar, pas vdekjes së babait të tij, xhaxhai i tij ja vazhdoi edukimin kulturor. Ai u largua gradualisht nga biznesi familjar për të ndjekur pasionin e tij.

Ai kishte pak trajnime zyrtare ose mësues dhe prandaj mund të konsiderohet një nga autorët më të suksesshëm të vetë-mësuar në letërsinë italiane. Për shkak të zgjedhjeve të tij, ai kurrë nuk ishte plotësisht pjesë e grupeve letrare të kohës së tij.

Në fakt, ai ishte kryesisht një tregimtar tregues dhe me shumë mundësi shkruante për kënaqësinë e tij personale.

Giulio Cesare Croce (1550-1609) ishte një shkrimtar italian, aktor dhe producent.

KultPlus ju sjell disa nga thëniet e njohura të Giulio Cesare Crose:

“Kush të lëvdon ballafaqas, të kafshon pas shpine.”

“Kush dëshiron të ndjekë virtytet duhet të dëbojë veset.”

“Kush mban verë të mirë në shtëpi, ka gjithnjë bocëra tek dera.”

“Ai që nuk mban dot lëkurën e vet është një dele e gjorë.”

“Gënjehet vetëm ai që beson.” / KultPlus.com

“Vendi më i humbur në Shqipëri”, fitues i edicionit të 12-të të “KoKo Fest”

7 September 2025 at 15:46

Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë “KoKo Fest” përmbylli mbrëmë në Korçë në një atmosferë të jashtëzakonshme arti dhe emocionesh, edicionin e tij të 12-të.

Festivali ngjiti në skenë një program të larmishëm me shtatë shfaqje, ku morën pjesë trupa teatrore nga Shqipëria, Kosova dhe Italia.

Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo tha se “nata përmbyllëse u pasurua nga një ekspozitë karikaturash të artistit Ardi Karanxha, ndërsa mbrëmja artistike u mbyll në skenë me shfaqjen “Komedia e Zezë” nga Teatri “Bekim Fehmiu” i Prizrenit, duke vulosur fundin e këtij edicioni të paharrueshëm”.

Shfaqja “Vendi më i humbur në Shqipëri” nga Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit u shpall fituese e këtij edicioni, duke rrëmbyer plot pesë çmime: shfaqja më e mirë, regjia më e mirë për Andia Xhungën, aktori protagonist më i mirë për Gentian Zenelajn, aktori i ri më i mirë për Aleks Seitaj, si dhe çmimin e publikut.

Fitues të këtij edicioni të “KoKo Fest” janë:

Shfaqja më e mirë – “Vendi më i humbur në Shqipëri”

Regjia më e mirë – Andia Xhunga

Çmimi i karrierës – Gëzim Kame

Aktori protagonist më i mirë – Gentian Zenelaj

Aktorja më e mirë protagoniste – Zamira Kita, Olta Daku, Egla Ceno

Aktori më i mirë joprotagonist – Ylber Bardhi

Aktorja më e mirë joprotagoniste – Liridona Bytyqi

Artisti i ri më i mirë – Aleks Seitaj

Artisti i ri më i mirë – Endri Çela

Çmimi i publikut – “Vendi më i humbur në Shqipëri”

Kostumografia më e mirë – Sofia Kara

Skenografia më e mirë – Beqo Nanaj

Çmimi FresKOKO – Shfaqja Zullulandia

Kryebashkiaku i Korçës, shprehu edhe një falëndërim për trupën pjesëmarrëse të teatrove dhe publikut, që sipas tij edhe këtë vit e shndërruan Korçën në kryeqytetin e humorit dhe të komedisë./atsh/KultPlus.com

131 vite nga vdekja e Anton Santorit, shkrimtari i shquar arbëresh

7 September 2025 at 15:15

Francesco Antonio Santori ishte një shkrimtar, poet dhe dramaturg me prejardhje arbëreshe. Drama e tij “Emira” konsiderohet të jetë drama e parë origjinale shqiptare e shkruar ndonjëherë.

Santori lindi më 16 shtator 1819 në Santa Caterina Albanese, një qytet arbëresh në provincën e Kozencës, Italia jugore. Më 1835 në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç ai vendosi të bëhej prift dhe filloi shkollimin e tij për priftëri. Më 1843 ai hyri në manastirin françeskan të Rendit të Reformuar në San Marco Argentano. Më 1858 ai u përpoq pa sukses të gjente një manastir në Lattarico, dhe më 1860 ai braktisi jetën monastike.

Ai vazhdoi të jetonte në Santa Caterina Albanese, ku ai punoi mësues. Më 1885 u caktua si prift në San Giacomo di Cerzeto, një fshat i Cerzeto, ku ai punoi deri në vdekjen e tij, më 7 shtator 1894.

Gjatë jetës së tij, Santori shkruajti poezi, romane, shfaqje dhe tregime të shkurtra, ai gjithashtu përshtati 112 Fabulat e Aesopit dhe shkroi një libër gramatika shqipe. Santori shkroi poemën e tij të parë poetike, me titull Canzoniere Albanese (Këngëtarja shqipe) në vitet 1830 dhe e botoi atë në 1846. Canzoniere Albanese është një poezi e gjatë lirike kushtuar dashurisë dhe natyrës; poema u ndikua nga Kënga e Milosao e Girolamo de Rada. Më 1848 kompozoi një himn në gjuhën shqipe me titull Valle e haresë së madhe, botuar më 23 shkurt 1848 në revistën e De Rada’s L’Albanese d’Italia.

Më 1848 poezia e tij dygjuhëshe politike Il prigionero politico (Anglisht: I burgosuri politik) i shkruar në shqip dhe italisht u botua në Napoli. Poema rrëfen ndryshimet e jetës së një familje të persekutuar gjatë revolucioneve të 1848 në shtetet italiane. [1] Gjatë viteve të tij në manastirin e Rendit të Reformuar në Cerzeto ai shkroi dy vepra fetare; vepra e parë është një varg fetar me titull Rozhaari i S. Myriis Virgkiyry (Anglisht: Rosary of Virgin Mary, shkruar në shqip dhe botuar në 1849 në Cosenza. E dyta është një koleksion prej 230 faqesh me lutje, tekste fetare dhe përkthime të fesë këngë me titull Kryshten i shyityruory (Anglisht: I Shenjti i Krishterë) botuar në 1855 në Napoli.Kristiani i Shenjtëruar përmban pjesë të Kuneus Prophetarum të botuar në 1685 dhe shkruar nga Pjetër Bogdani, një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë së hershme shqiptare. Santori përfshin fragmente të Cuneus Prophetarum në librin e tij për të simbolizuar vazhdimësinë e letërsisë fetare shqiptare.

Santori shkroi shumë sdrama, përfshirë komeditë melodramatike dhe tragjeditë disa prej të cilave mbeten të paplota, dramat e tij përfshijnë Jeroboam, një tragjedi me përmbajtje biblike dhe Alessio Dukagino një melodramë të shkruar midis 1855 dhe 1860, duke rrëfyer jetën e Lekë Dukagjini, një princ shqiptar i cili luftoi kundër Perandorisë Osmane. Lojë e tij më e njohur, Emira, e titulluar pas emrit të figurës së saj qendrore, konsiderohet të jetë drama e parë origjinale shqiptare e shkruar ndonjëherë; drama rrëfen aventurat e Emira, Kalina, Albenci, dhe Mirjani gjatë një revoltë sociale në Kalabri dhe jeta në komunitetet arbëreshe. Disa pjesë të shfaqjes u botuan fillimisht në revistën Fjamuri Arbërit (Anglisht: Flamuri Shqiptar) dhe më vonë në Antologjinë Shqiptare të Jeronim de Rada.  Në vitet moderne, janë gjetur 1,845 rreshta vargje satirike të shkruara nga Santori.

Shumica e romaneve dhe tregimeve të shkurtra të Santorit u botuan pas vdekjes së tij në 1894, romanet e tij përfshijnë Sofia Kominiate, një roman i papërfunduar i shkruar në dy versione. Versioni i parë përmban 282 faqe dhe është shkruar në shqip, ndërsa versioni i dytë, i shkruar në italisht, përmban 714 faqe. Asnjë kopje nuk ka mbijetuar nga romani i tij Bija e mallkuar (Anglisht: Vajza e mallkuar) e shkruar në shqip. Ai gjithashtu shkroi romanin Il soldato albanese (anglisht: Ushtari shqiptar) në italisht. Santori shkroi shumë tregime të shkurtra të njohura me emrat e figurave të tyre qendrore, tregimet e tij të shkurtra të shkruara në shqip përfshijnë: Brisandi Lletixja e Ulladheni, Emilja, Fëmija Pushtjerote, Filaredo, Gnidhja e Kusari, Kolluqi e Sorofina, Miloshini, Neomenia, Panaini e Dellja, etj. Rosarja, dhe Virgjinia.

Veprat e Santorit janë shkruar në një formë arkaike të shqipes toskërishte dhe në përgjithësi janë më të arritshme për audiencën pavarësisht nga stili i tij ortografik. Në veprat e tij ai përdor sistemin e tij drejtshkrimor pa ndonjë saktësi fonetike. [2] Tematika të zakonshme në veprat e Santorit përfshijnë jetën rurale, periudhën e Lidhjes së Lezhës të historisë shqiptare dhe zakonet e bashkësive arbëreshe, poemat e tij politike përmbajnë motive morale që përshkruajnë idetë dhe ndjenjat qendrore të personazheve të secilës poezi [7]. Në disa nga poemat e tij si Vallëzimi i gëzimit të madh, Santori përshkruan elementet foklorike të kulturës shqiptare si këngë dhe valle popullore. / KultPlus.com

‘Ikën dashuria si ky ujë që rrjedh, ikën dashuria si kjo jetë e qetë’

7 September 2025 at 14:40

Poezi nga Guillaume Apollinaire

Ura Mirabo

Poshtë urës Mirabo lumi Senë shkon
pse m’u kujtua vallë
dashuria jonë pas hidhërimit gaz kishim gjithmonë

Le të bjerë nata ora të kumbojë
ditët seç po ikin, unë këtu qëndroj

Kapur dorë për dore le të rrimë përballë
ndërsa poshtë
urës së krahëve tanë
e lodhur vështrimesh, vala para çan

Le të bjerë nata ora të kumbojë
ditët seç po ikin, unë këtu qëndroj

Ikën dashuria si ky ujë që rrjedh
ikën dashuria si kjo jetë e qetë
dhe si shpresa që është kaq e sertë

Le të bjerë nata ora të kumbojë
ditët seç po ikin, unë këtu qëndroj

Treten ditët, edhe javët treten
as kohë e kaluar
as dashuritë s’kthehen
poshtë urës Mirabo shkon lumi i Senës

Le të bjerë nata ora të kumbojë
ditët seç po ikin, unë këtu qëndroj. / KultPlus.com

Më mungon ti…

7 September 2025 at 14:09

Poezi e shkruar nga Pablo Neruda

Nuk është se mendimet më janë mbyllur,
Nuk është se nuk dua te shoh dritë përsëri…
Është e thjeshtë, më mungon kjo,
Kjo që adhuroj – Më mungon ti!

Nuk është se fëmijët, nuk me pëlqejnë,
Por vdes morali, para syve të mi…
Edhe iluzionet e mia vdesin,
Përpara trishtimit – Më mungon ti!

Nuk është se kam harruar, qe për burrat,
Te mos tregosh qe dashuron, quhet trimëri…
Nuk është asnjë nga këto,
Por nuk me përgjigjesh,
Kur te thërras – Më mungon ti! /KultPlus.com

Ditët e hapura me QKKF, Gonxhja: Mundësi e artë, dalin talentet që na përfaqësojnë me dinjitet

7 September 2025 at 13:37

Me Qendrën Kulturore për Fëmijë, vijojnë ditët e hapura për grupmoshat 7-15 vjeç që duan të ndjekin kurset e artit dhe të zbulojnë talentin e tyre në: balet, pikturë, aktrim, kanto, kostumografi, skenografi, piano, etj.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale theksoi se gjatë seancave këshilluese, prindërit dhe fëmijët do të informohen mbi oraret, vendet, specifikat e kurseve dhe madje do të kenë mundësinë të propozojnë edhe kurse të reja për vitin në vijim!

“Mos e humbisni këtë mundësi të artë! Nga QKKF-ja dalin talentet që sot na përfaqësojnë me dinjitet në konkurse kombëtare e ndërkombëtare!”, shkruan Gonxhja.

Sesionet këshilluese zhvillohen në Teatrin e Kukullave, sheshi “Austria”, Dhoma Blu./atsh/KultPlus.com

Rama: Ka nisur të marrë formë Muzeu i Lundrimit në Shkodër

7 September 2025 at 13:05

Punimet në kantierin në afërsi të lumit Buna, po vijojnë me ritme të qëndrueshme.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamjet nga kantieri i punimeve në muzeun e Lundrimit, në hyrje të qytetit të Shkodrës, projekt i cili po merr formë dita-ditës.

“Muzeu i Lundrimit, në hyrje të Shkodrës, ka nisur të marrë formë. Një investim i ndërthurur me hyrjen e qytetit, duke krijuar një kompleks unik për Shkodrën”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Muzeu i Lundrimit është një projekt ambicioz dhe i shumëpritur nga qytetarët, ndërsa pritet të kthehet në një pikë referimi të rëndësishme kulturore dhe turistike për të gjithë rajonin.

Ky investim pritet të përfundojë deri më 10 shkurt 2026, ndërsa vlera e investimit parashikohet të shkojë rreth dy milion euro. Muzeu i Lundrimit është pjesë e një pakete të plotë ndërhyrjesh që po realizohen në Shkodër, duke synuar rritjen e potencialit turistik në këtë qytet të Shqipërisë.

Muzeu formohet nga dy volume të vendosura njëra mbi tjetrën, një volum në formë kodre në pjesën e poshtme dhe një “varkë pluskuese” në pjesën e sipërme. Muzeu i ri i Lundrimit do të jetë simbol i peizazhit urban dhe kulturor të qytetit të Shkodrës.

Projekti financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bashkimi Evropian./asth/KultPlus.com

Çfarë tha doktori

7 September 2025 at 12:34

Raymond Carver

Tha që nuk duket mirë
tha që duket keq faktikisht shumë keq
i numërova tridhjetë e dy sosh në njërën mushkëri tha
para se të ndaloja së numëruari
i thashë më vjen mirë s’do të doja të dija
nëse do të kishte më shumë se aq
më pyeti nëse jam njeri religjioz a bie në gjunjë
nëpër zabele pyjesh duke kërkuar ndihmë
kur mbërrij te një mjegull pikëzash ujëvare
që më fryn drejt fytyrës dhe krahëve
a ndalem në ato çaste në kërkim të kuptimit
deri tash jo thashë por e kam ndër mend t’ia filloj sot
më vjen shumë keq tha
do të doja ta jepja ndonjë lajm të ndryshëm tha
unë thashë Amen ai tha diçka tjetër
nuk e dëgjova mirë dhe duke mos ditur ç’të bëja më
dhe duke mos dashur që ai ta përsëriste
dhe që unë ta shoshisja krejtësisht
sall e shikova për një minutë
dhe ai më shikoi gjithashtu
atëherë u çova dhe u dorështrëngova me këtë njeri që sapo më dha
diçka që kurrë askush në botë s’më kishte dhënë
bile edhe mund ta kem falënderuar shkaku i fuqisë së shprehisë

Përkthyer nga Artan Muhaxhiri/KultPlus.com

Se jam këtu kur s’kish njeri, kur s’kish kufi as fqinjëri, as shkja të zi…

7 September 2025 at 12:07

Poezi nga Mitrush Kuteli 

Jam shqiptar
e kosovar:
Zot e krenar,
-Zot e bujar-
mbi këtë Dhe,
që e kam fe
e përmbi fe:
e kam Vatan!
E kam Atdhe!
Që gjysh stërgjysh,
që brez pas brez,
që gjithëmonë!
Ti shkja thërret
ti shkja bërtet,
deri lart në retë:
se jam barbar.
Jo, s’jam!
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti, Mal i Zi.

Po Vendin tim e dua,
lirinë e dua,-
e s’dua
zot
mbi mua.
Se jam këtu kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi
as fqinjëri,
as shkja të zi.
Se jam këtu kur Mal i Zi
ish Iliri:
kur nga një det në tjatrin det
isha zot vetë!
Unë jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën fushë
e malin mal.
Unë jam këtu e do të jem
-dem baba dem-
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri. / KultPlus.com

Përkujtohet akademiku Aleks Buda në ditën e tij të lindjes

7 September 2025 at 11:36

Akademia e Shkencave përkujtoi sot 115-vjetorin e lindjes së akademikut Aleks Buda. Ai ishte kryetari i parë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në vitet (1972-1993).

Më 7 shtator 1910 lindi historiani dhe akademiku Aleks Buda.  Mësimet e para, i nisi kur ishte 7 vjeç në shkollën fillore të qytetit të lindjes. Pa kryer klasën e dytë i vijoi studimet në Leçe të Italisë. Më 1920 bashkë me dy vëllezërit e tij shkon me studime në Austri. Atje plotësoi filloren dhe kreu më 1929 gjimnazin në Salzburg. Më tej ndoqi studimet në Universitetin e Vienës, në Institutin Ballkanistik, në vitet 1930-1935 ku mori mësime nga profesorë të njohur, si Karl Paç, Reiniger dhe Norbert Jokl.

Gjatë kësaj periudhe u aktivizua në Shoqëninë e studentëve shqiptarë Albania të Vjenës, së bashku me Lasgush Poradecin, Skënder Luarasin, Eqrem Çabejn, Krist Malokin, Qemal Butkën etj., duke qenë edhe bashkëpunëtor i revistës “Dialëria” të kësaj shoqërie.

Në vitin 1938 u kthye në Shqipëri. Punoi së pari, si arsimtar në Gjimnazin e Tiranës. U lidh me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe më 1944 zgjidhet nënkryetar i Këshillit Antifashist të qarkut të Elbasanit.

Në vitin 1955 u bë njëri nga organizatorët dhe studiuesit më me përvojë të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë, i sapokrijuar. Me krijimin e Universitetit të Tiranës më 1957, A. Buda do të ishte një nga themeluesit e katedrës së historisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë në këtë universitet.

Aleks Buda vdiq pas një sëmundjeje të rëndë, në Tiranë, më 7 korrik 1993.

Check-In Festival në Gjirokastër, artistët më në zë të momentit elektrizojnë skenën

7 September 2025 at 11:04

Muzika, aventura dhe tradita u ndërthuren në një eksperiencë të paharrueshme.

Edicioni i pestë i Check-In Festival u rikthye në qytetin e Gjirokastrës për dy net me radhë, me energji dhe surpriza të reja.

Shumë qytetarë u bashkuan për të kënduar dhe kërcyer nën tingujt e muzikës live, që u performua nga artistët më në zë të momentit, Ahmet Kilic, Johkoba, Alban Skënderaj, Tayna dhe Ledri Vula.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi ndau pamje nga koncerti dhe performance e këngëtarëve të cilët elektrizuan skenën./atsh/KultPlus.com

❌