Normal view

Nga bestseller në fenomen: Pse “Yesteryear” po trazon botën letrare

25 July 2026 at 22:00

Romani debutues “Yesteryear” i autores Caro Claire Burke është shndërruar në një nga fenomenet më të mëdha letrare të vitit 2026. Që nga publikimi i tij në muajin prill, libri ka pushtuar listat e bestsellerëve në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa është bërë një nga titujt më të diskutuar në rrjetet sociale dhe klubet e leximit.

Në BookTok dhe Bookstagram, Yesteryear ka dominuar bisedat mes lexuesve, duke u renditur ndër librat më të komentuar të muajve të fundit. Përtej suksesit në shitje, romani ka tërhequr vëmendje edhe për debatet që ka nxitur rreth mënyrës se si trajton gruan moderne, rrjetet sociale dhe idealizimin e jetës tradicionale.

Në qendër të historisë është Natalie Heller Mills, një influencuese 32-vjeçare, nënë e pesë fëmijëve dhe në pritje të fëmijës së gjashtë. Ajo ka ndërtuar famën e saj duke ndarë në rrjetet sociale një jetë që duket e përkryer në fermën e familjes në Idaho, ku promovon stilin e jetesës së njohur si “tradwife” – një model që mbështet rolet tradicionale gjinore, ku burri është siguresa ekonomike e familjes, ndërsa gruaja kujdeset për shtëpinë dhe rritjen e fëmijëve.

Natalie shfaqet gjithmonë duke pjekur bukë në shtëpi, duke mbledhur vezë në fermë, duke edukuar vetë fëmijët dhe duke promovuar një jetë larg ritmit modern. Megjithatë, pas imazhit të ndërtuar për ndjekësit, jeta e saj nuk është aq e përsosur sa duket.

Historia merr një kthesë të papritur kur protagonistja zgjohet në vitin 1855, periudhën që prej kohësh e kishte idealizuar. E detyruar të jetojë realisht në shekullin XIX, Natalie përballet me vështirësitë dhe kufizimet që shoqëronin jetën e grave në atë kohë, duke zbuluar se realiteti është shumë larg romantizimit që kishte krijuar për të kaluarën.

Një nga arsyet pse romani ka tërhequr kaq shumë vëmendje është pikërisht kjo ide: çfarë ndodh kur dikush që idealizon një mënyrë jetese të së kaluarës detyrohet ta përjetojë atë në të vërtetë? Kjo premisë ka bërë që libri të diskutohet gjerësisht, ndërsa trajton tema si identiteti, martesa, amësia, ndikimi i rrjeteve sociale dhe presioni për të krijuar një imazh të përsosur në internet.

Interesi për librin është rritur edhe më tej pasi u bë e ditur se Anne Hathaway do të prodhojë adaptimin filmik të romanit dhe pritet të interpretojë edhe rolin kryesor.

Shumë lexues kanë vënë re ngjashmëri mes personazhit të Natalie-t dhe influencueses amerikane Hannah Neeleman, e njohur në rrjetet sociale si Ballerina Farm, e cila dokumenton jetën e saj në një fermë dhe numëron mbi 10 milionë ndjekës në Instagram. Megjithatë, Neeleman ka deklaruar se nuk e konsideron veten pjesë të lëvizjes “tradwife” dhe ka reaguar me qetësi ndaj krahasimeve që janë bërë me romanin.

Autorja Caro Claire Burke, e cila më parë ka punuar si gazetare dhe ka trajtuar fenomenin “tradwife” në raportimet e saj, e përdor historinë për të eksploruar ndikimin e kulturës së influencuesve dhe mënyrën se si rrjetet sociale ndërtojnë versione të idealizuara të realitetit. Përmes rrëfimit, romani prek edhe tema si marrëdhëniet familjare, feja, pritshmëritë ndaj grave dhe përplasjen mes vlerave tradicionale dhe jetës moderne.

Megjithëse është vlerësuar për idenë origjinale dhe mënyrën se si ndërthur satirën me dramën, Yesteryear ka ndarë kritikët dhe lexuesit. Disa e konsiderojnë një kritikë të mprehtë ndaj kulturës së rrjeteve sociale dhe idealizimit të së kaluarës, ndërsa të tjerë mendojnë se romani nuk i zhvillon mjaftueshëm temat që ngre.

Pavarësisht mendimeve të ndryshme, “Yesteryear” është shndërruar në një nga librat më të përfolur të vitit 2026, duke dëshmuar se një histori që prek tema aktuale mund të nxisë diskutime të gjera dhe të mbajë vëmendjen e lexuesve shumë kohë pas publikimit./KultPlus.com

Bebe Rexha ndan fotografi të rralla nga dasma e prindërve, ndërsa një traditë shqiptare bëhet temë diskutimi mes fansave

25 July 2026 at 20:09

Bebe Rexha ka rikthyer vëmendjen te rrënjët e saj shqiptare, duke publikuar disa fotografi të rralla nga albumi familjar, të realizuara në ditën e martesës së prindërve të saj, Flamur dhe Bukurije Rexha.

Këngëtarja shqiptaro-amerikane i ndau imazhet me ndjekësit në platformën X, duke i shoqëruar me një përshkrim të thjeshtë: “Dasma e prindërve të mi shqiptarë.” Mjaftuan vetëm këto fjalë që postimi të tërhiqte mijëra reagime dhe komente nga fansa të shumtë në vende të ndryshme të botës.

My Albanian parents wedding pic.twitter.com/D0MSa9x7Lf

— Bebe Rexha (@BebeRexha) July 5, 2026

Megjithatë, ajo që ngjalli më shumë kureshtje nuk ishin vetë fotografitë, por shprehja serioze e nënës së artistes gjatë ceremonisë. Shumë ndjekës, të panjohur me traditat shqiptare të dasmave, pyetën nëse ajo ishte e lumtur në atë ditë.

Komente si “A ishte mamaja jote e lumtur?” u shfaqën vazhdimisht nën postim, duke hapur një diskutim mbi zakonet e dikurshme shqiptare.

Në të vërtetë, në shumë treva shqiptare ka ekzistuar tradita që nusja, në ditën e martesës, të mos buzëqeshte dhe të mbante një qëndrim të rezervuar. Ky gjest konsiderohej shenjë modestie, respekti ndaj familjes dhe solemniteti për rëndësinë e ceremonisë. Edhe pse sot kjo praktikë është pothuajse zhdukur, fotografitë e vjetra vazhdojnë të pasqyrojnë këtë pjesë të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Postimi i Bebe Rexhës u kthye kështu jo vetëm në një moment nostalgjik për familjen e saj, por edhe në një mundësi për t’u prezantuar fansave ndërkombëtarë me një traditë që dikur ishte pjesë e pandashme e dasmave shqiptare.

Artistja ka folur shpesh me krenari për origjinën e saj shqiptare. Babai i saj, Flamur Rexha, është me prejardhje nga Dibra e Maqedonisë së Veriut, ndërsa nëna, Bukurije Rexha, është nga Gostivari. Përmes postimeve të tilla, ajo vazhdon të mbajë gjallë lidhjen me rrënjët dhe kulturën shqiptare./KultPlus.com

Gjirokastra mirëpret “Festën e Këngës”

24 July 2026 at 17:55

Maratona artistike “Festa e Këngës” solli atmosferë festive në Gjirokastër.

Aktiviteti artistik u zhvillua në zemër të qendrës historike të qytetit, një prej pasurive më të çmuara të trashëgimisë kulturore shqiptare. Sheshi i Çerçizit u shndërrua në një skenë të madhe të muzikës popullore, ku qindra qytetarë dhe vizitorë ndoqën interpretimet e disa prej emrave më të njohur të skenës shqiptare.

“Festa e Këngës” mblodhi në Gjirokastër këngëtarët: Irma dhe Eranda Libohova, Eli Fara, Vaskë Curi, Silva Gurabardhi, grupin “Ali Pasha”, e shumë të tjerë.

Programi artistik ndërthuri këngët e njohura të folklorit me krijime të reja, duke promovuar vlerat e muzikës shqiptare dhe duke krijuar një urë komunikimi mes artistëve të afirmuar dhe brezit të ri të këngëtarëve.

“Festa e Këngës” është konceptuar si një maratonë kombëtare që synon të çojë muzikën dhe artin pranë publikut në qytete të ndryshme të vendit, duke promovuar trashëgiminë kulturore, identitetin kombëtar dhe turizmin kulturor gjatë sezonit veror.

Përpara Gjirokastrës, aktiviteti u zhvillua në Elbasan, ndërkohë që do të vijojë në Maliq, Ersekë, Durrës, Kavajë, Lushnjë, Fier, Vlorë dhe Shkodër. Organizatorët synojnë jo vetëm të ofrojnë argëtim për publikun, por edhe të mbështesin ruajtjen dhe promovimin e muzikës popullore shqiptare, duke e sjellë atë në hapësira publike dhe qytete me histori e tradita të pasura kulturore./atsh/KultPlus.com

Çfarë duhet të dini para se ta shihni “Odisenë” e Nolanit

22 July 2026 at 20:57

David Elmer, profesor i Letërsisë Greke në Universitetin e Harvardit, më 15 korrik 2026, në Harvard Griffin GSAS Communications ka folur për temat e “Odisesë” si kthimi në shtëpi dhe mikpritja, si dhe për atë që epika homerike mund të na mësojë mbi marrëdhëniet njerëzore në kohë pasigurie.

Poema epike e Greqisë së lashtë, “Odiseja”, tregon historinë e heroit Odise dhe udhëtimin e tij 19-vjeçar për t’u kthyer në shtëpi pas Luftës së Trojës. Si një gur themeli i kulturës perëndimore, kjo histori rikthehet edhe njëherë pas realizimit të filmit me të njëjtin emër nga regjisori Christopher Nolan.

Cila është origjina e “Odisesë”?

David Elmer: Unë i përkas grupit të studiuesve që e shohin epikën homerike si produktin përfundimtar të një tradite shumë të gjatë gojore, e cila shtrihet deri në Epokën e Bronzit. Le ta vendosim origjinën e kësaj historie diku në mijëvjeçarin e dytë para erës sonë.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se personazhi i Odisesë daton po aq herët. Është shumë e vështirë të thuhet me siguri. Megjithatë, besoj se mund të themi pa shumë rrezik se historia e “Odisesë”, ashtu siç e njohim sot, qarkullonte tashmë në shekullin e tetë para erës sonë.

Kemi edhe disa dëshmi të hershme vizuale për episode të dallueshme të saj. Për shembull, ekziston një vazo shumë e hershme që paraqet një skenë të ngjashme me Ciklopin, gjë që tregon se historia ishte tashmë e njohur.

Nga ana tjetër, rrëfimi i “Odisesë” është në disa aspekte i përhapur gjerësisht edhe në folklorin botëror. Kjo sugjeron se ai ka rrënjë shumë të thella dhe se modeli bazë i kësaj historie është shumë i lashtë.

Poema shpesh paraqitet si një histori e kthimit në shtëpi. Çfarë përfaqëson “shtëpia” për Odiseun, si në kuptimin e drejtpërdrejtë ashtu edhe në atë simbolik? Dhe pse i duhet kaq shumë kohë për t’u kthyer?

David Elmer: Të dyja këto janë pyetje mjaft të ndërlikuara. Pjesa më e lehtë për t’iu përgjigjur është arsyeja pse udhëtimi zgjat kaq shumë, sepse ekziston një shpjegim krejtësisht i drejtpërdrejtë: Polifemi, Ciklopi. Është historia e famshme kur Odiseu fsheh identitetin e tij dhe i thotë Ciklopit se quhet “Askushi”. Me sa duket, ai e kupton intuitivisht se do të ishte më mirë të mos ia tregonte emrin e tij të vërtetë këtij përbindëshi që kishte takuar. Plani funksionon pikërisht ashtu siç kishte shpresuar. Fshehja e identitetit i siguron atij lirinë, si edhe shpëtimin e shumicës së shokëve që ishin me të. Megjithatë, disa prej tyre përfundojnë në gojën e Ciklopit. Pastaj ai kthehet në anije. Ndërsa po largohen me rrema, ai thërret: “Dëgjo, Polifem! Nëse dikush të pyet se kush të verboi, kush ta nxori syrin, thuaju se ishte Odiseu, biri i Laertit, banor i Itakës”. Kjo është arsyeja pse udhëtimi i tij zgjat kaq shumë. Kjo i jep mundësi Polifemit t’i lutet Poseidonit: “O atë Poseidon, shkatërroje Odisenë, ose, nëse nuk mund ta shkatërrosh, bëj që të kthehet në shtëpi vetëm pas një kohe shumë të gjatë dhe pasi t’i ketë humbur të gjithë shokët e tij”. Pra, zbulimi i identitetit të tij jo vetëm që shkakton vonesën, rreth nëntë vjet e ca, por edhe vdekjen e të gjithë shokëve të tij.

Çfarë zgjedhje ka bërë Odiseu? Pse bën një gabim kaq katastrofik?

David Elmer: Ai ndjek një ideal që, nëse e shohim nga këndvështrimi i “Iliadës” (epopesë pararendëse mbi Luftën e Trojës), është thelbësor. Në botën e “Iliadës”, fama, ose lavdia, që grekët e quanin “kleos”, është një e mirë e padiskutueshme. Të gjithë e pranojnë se është krejt e natyrshme që një burrë me prestigj të kërkojë lavdi. Pikërisht këtë po bën Odiseu. Ai po e përdor Polifemin si mjet për të përjetësuar famën e tij. Me fjalë të tjera, ai i thotë: “Ti, Polifem, do të jesh ai që do t’ua tregojë të gjithëve historinë e trimërisë sime”. Vetë emri Polifem do të thotë diçka si “ai që ka shumë rrëfime”, ose “ai i shumë fjalëve”. Me fjalë të tjera, Polifemi mishëron zërin që përcjell histori, dhe Odiseu përpiqet ta shfrytëzojë pikërisht këtë. Por tek “Odiseja”, kërkimi i famës shndërrohet në diçka problematike. Poema shqyrton idenë se heroizmi tradicional i “Iliadës” mund të ketë edhe një anë shkatërruese. Lavdia nuk është më një e mirë e padiskutueshme. Ka edhe një moment tjetër të jashtëzakonshëm në poemë, kur Odiseu zbret në botën e të vdekurve dhe takon Akilin, heroin e “Iliadës”. Odiseu i thotë, në thelb: “Sa me fat je! Ti ishe heroi më i madh në Trojë dhe, kur vdiqe, të bëmë një ceremoni madhështore mortore”. Por Akili i përgjigjet: “Aspak. Më parë do të doja të isha skllav i një njeriu të varfër sesa më i madhi ndër heronjtë e Trojës”. Kjo është e jashtëzakonshme, sepse personazhi kryesor i “Iliadës” përmbys plotësisht sistemin e vlerave që vetë “Iliada” kishte ngritur. Në këtë mënyrë, “Odiseja” ofron një kritikë interesante ndaj idealeve të lavdisë dhe heroizmit që mbizotërojnë në epopenë e saj binjake, “Iliada”.

A do të thotë kjo se episodi me Polifemin nuk ka të bëjë në të vërtetë me hubris-in, arrogancën, siç mendohet zakonisht? A është një mënyrë e gabuar për ta kuptuar këtë pjesë të historisë?

David Elmer: Preferoj ta shmang termin “hubris”, sepse ai bart shumë ngarkesa interpretimi. Është një koncept që është formësuar nga një traditë e gjatë studimore, e cila, sipas mendimit tim, lidhet më shumë me mënyrën se si janë interpretuar tragjeditë greke sesa epika homerike. Të gjithë heronjtë homerikë janë, në një mënyrë ose në një tjetër, të tepruar. Pikërisht kjo është edhe në thelb kuptimi i fjalës së lashtë hubris: ajo lidhet me tejkalimin e masës, me teprinë. Heronjtë e epikës greke i çojnë gjërat gjithmonë në skaj: qoftë pikëllimin, zemërimin apo çdo ndjenjë tjetër. Prandaj, nuk mendoj se këtu kemi të bëjmë drejtpërdrejt me një reflektim mbi hubris-in si koncept më vete. Një pjesë thelbësore e karakterit të Odiseut tregon se ai është ajo që folkloristët e quajnë dinak. Nëse shohim tradita të ndryshme folklorike nëpër botë që kanë një figurë të tillë, vërejmë se ajo karakterizohet nga një dykuptimësi morale. Këta personazhe nuk janë gjithmonë të mirë dhe as gjithmonë të këqij. Nuk mund t’i klasifikosh thjesht si heronj ose si keqbërës. Ata janë moralisht të paqartë dhe kontradiktorë. Odiseu nuk bën përjashtim. “Odiseja” është shumë e interesuar të eksplorojë pikërisht këtë paqartësi dhe ambivalencë morale. Për shembull, në episodin me Polifemin, Odiseu dhe shokët e tij bëjnë diçka qartësisht të gabuar. Ata hyjnë në shtëpinë e një njeriu, i vjedhin djathin dhe marrin delet e tij pa kërkuar leje. Ata futen në shpellën e Polifemit dhe, në thelb, sillen njësoj si pretendentët në shtëpinë e Odisesë në Itakë: hyjnë në shtëpinë e një njeriu kur ai nuk ndodhet aty, pinë verën e tij, therin delet e tij dhe presin të largohen pa u ndëshkuar. Përkundrazi, ata përfundojnë të bllokuar brenda shtëpisë. Kujtoni se një pjesë e strategjisë së Odiseut në fund është që ai mbyll të gjitha hyrjet, pikërisht ashtu siç Polifemi vendos shkëmbin përpara shpellës. Këtu kemi një lloj pasqyrimi mes dy situatave: pretendentët në Itakë dhe Odiseu me shokët e tij në shpellën e Polifemit. Në të dyja rastet kemi njerëz që shkelin rregullat themelore të mikpritjes dhe vuajnë pasojat për këtë. Pra, ekziston padyshim një paqartësi morale. Por mendoj se është një drejtim i gabuar të kërkosh hubris-in si nocionin kryesor për ta kuptuar këtë episod.

Një tjetër temë kryesore e historisë është mikpritja. Pse ishte ajo kaq e rëndësishme për grekët?

David Elmer: Një nga modelet narrative që “Odiseja” përdor shpesh quhet me termin grek “theoxenia”. Ky model funksionon kështu: Një zot dëshiron të vërë në provë devotshmërinë e njerëzve, prandaj maskohet dhe shkon t’i vizitojë ata, zakonisht i paraqitur si një person i thjeshtë që ka nevojë për mikpritje. Nëse njerëzit nuk i ofrojnë mikpritje, ata ndëshkohen. Pasojat janë shkatërruese. Por njerëzit që tregojnë mikpritje shpërblehen sepse tregojnë devotshmëri. Kjo i ngjan shumë asaj që ndodh me Odiseun. Ai është një person i fuqishëm, por shfaqet i maskuar si dikush pa fuqi, si një njeri që ka nevojë për ndihmë dhe mikpritje. Sigurisht, pretendentët nuk janë vetëm duke konsumuar pasurinë e Odiseut; ata gjithashtu sillen në mënyrë shumë abuzive ndaj Odisesë së maskuar. Për këtë arsye ata ndëshkohen. Pra, poema e vendos mikpritjen si një vlerë themelore dhe thekson vazhdimisht rëndësinë e respektimit të saj. Një nga gjërat interesante te “Odiseja” është mënyra se si shkelja e mikpritjes dhe ndëshkimi i saj duket se sjellin pasoja që përhapen në të gjithë komunitetin. Ajo shndërrohet në një krizë të vërtetë qytetare, pothuajse në një luftë civile në fund të poemës, ku kemi dy grupe nga familjet e pretendentëve: njëri kërkon hakmarrje, ndërsa tjetri thotë, në thelb, se pretendentët e meritonin atë që u ndodhi.

Ju thoni se “Odiseja” është romanca e parë në traditën letrare perëndimore. Çfarë kuptoni me këtë?

David Elmer: Nëse shohim historinë e fiksionit në prozë në traditën perëndimore, tregimi artistik në prozë ekzistonte tashmë në botën greko-romake, dhe tekstet që kanë mbijetuar deri sot i referohen të gjitha “Odisesë” në një mënyrë ose në një tjetër, jo domosdoshmërisht si modelit të tyre të drejtpërdrejtë, por si një tekst themelor. Odiseu, si tregues i historive të trilluara ose i gënjeshtrave, bëhet në një mënyrë interesante paraardhësi i një tradite të mëvonshme të letërsisë që është e vetëdijshme për natyrën e saj fiksionale. Gjithashtu, historia e të dashuruarve të ndarë që kalojnë sprova të ndryshme për t’u ribashkuar është një model themelor për eksperimentet e hershme të romancave. Sigurisht, kjo ka të bëjë edhe me kthimin në shtëpi. Ekziston një fjalë e bukur greke, “nostos”, që do të thotë “kthim në shtëpi”, prej së cilës vjen fjala “nostalgji”. Megjithatë, “nostalgjia” është një krijim shumë më i vonshëm si term. Nuk është një fjalë e lashtë. Por “Odiseja” ka të bëjë gjithashtu me një çift individësh, të cilët, secili më vete, luajnë një rol në ribashkimin dhe rindërtimin e marrëdhënies së tyre. Penelopa nuk shkon askund. Ajo qëndron në shtëpi në Itakë, por ajo bën shumë gjëra. Ajo i mban larg kërkuesit e saj. Ajo fiton kohë. Dhe poema e bën shumë të qartë se suksesi ose dështimi i kthimit të Odiseut varet vërtet nga Penelopa. Ajo është personi që mban çelësin e gjithçkaje. Atëherë, pse Penelopa shtiret sikur nuk e njeh Odiseun kur ai kthehet dhe më në fund i zbulohet asaj? Po ashtu, pse Odiseu maskohet fillimisht kur kthehet në ishullin e tij të lindjes, Itakë? Historia e njohjes nuk ka të bëjë me faktin që Penelopës i duhet të jetë e sigurt nëse ai është vërtet Odiseu dhe jo dikush tjetër. Ka të bëjë me faktin që Penelopa duhet të jetë e sigurt se Odiseu ende është i përkushtuar ndaj marrëdhënies së tyre, edhe pas gjithë kohës që ka kaluar. Në të njëjtën mënyrë, arsyeja pse Odiseu maskohet është që të sigurohet se Penelopa ka mbetur e përkushtuar ndaj marrëdhënies së tyre dhe nuk ka pranuar ndonjërin prej kërkuesve si partnerin e saj të ri. Një gjë që gjithmonë më pëlqen t’u tregoj studentëve është skena e famshme e njohjes, ku ekziston truku me shtratin. Odiseu e zbulon veten. Ai thotë: “Jam Odiseu”, por Penelopa ende nuk po e pranon plotësisht. Telemaku mërzitet shumë. Pastaj Penelopa i thotë njërit prej shërbëtorëve të saj: “Pse nuk e merrni shtratin e tij nga dhoma e gjumit dhe ta vendosni në oborr për të?” Odiseu zemërohet shumë. Ai thotë: “Kush ka qenë brenda? Unë e ndërtova këtë shtrat me duart e mia, nga trungu i një ulliri të fiksuar në tokë. Kush e ka lëvizur këtë trung ulliri?” Shumica e lexuesve e kuptojnë atë që po ndodh si një lloj sekreti. Në fund të fundit, Odiseu thotë se askush tjetër nuk di për këtë shtrat. Shumica e lexuesve kanë përshtypjen se ekziston një sekret i njohur vetëm nga Odiseu, Penelopa dhe një shërbëtore e vetme që hyn në dhomën e gjumit; dhe se ajo që ka bërë Penelopa është për ta vënë në provë Odiseun, duke e nxitur të zbulojë se ai e zotëron këtë njohuri të fshehtë, gjë që garanton identitetin e tij. Mirë. Kjo mund të jetë pjesë e asaj që ndodh. Por, siç e lexoj unë poemën, prova e vërtetë nuk është nëse ai e ka këtë njohuri. Prova e vërtetë është: a trazohet ai nga ideja se edhe dikush tjetër mund ta ketë këtë njohuri? Ajo vë në provë përkushtimin e tij emocional ndaj marrëdhënies së tyre. Është emocioni i reagimit të tij ai që e shtyn Penelopën ta pranojë atë si bashkëshortin e saj. Ekziston edhe një pasazh tjetër shumë interesant, menjëherë pas skenës së mashtrimit me shtratin në Librin 23, ku Penelopa më në fund thotë, në thelb: “Mirë, ti je Odiseu”. Ata përqafohen dhe është një skenë shumë emocionale. Rrëfimtari thotë diçka të tillë: “Odiseu, i mbushur me emocion, e mbajti Penelopën në krahë”. Pastaj fillon një krahasim poetik: “Sa e dashur është toka për një anijembytur në det, i cili ka notuar drejt bregut dhe më në fund arrin në tokë…” Kur e lexon ose e dëgjon këtë, mendon se ajo që po thuhet është: “Ashtu si toka që është e dashur për marinarin, po ashtu Penelopa ishte e dashur për Odiseun”, sepse ai është marinari anijembytur që ka mbijetuar. Por në fund, krahasimi kthehet përmbys. Ai thotë: “Kaq i dashur ishte Odiseu për Penelopën”. Penelopa del se është vetë anijembyturi. Është një mënyrë e jashtëzakonshme për të treguar barazinë mes Penelopës dhe Odiseut: të dy janë vënë në provë. Të dy kanë kaluar sprova të jashtëzakonshme. Dhe më në fund kanë arritur të ribashkohen. Së fundmi, koha në të cilën jetojmë na duket veçanërisht sfiduese për shkak të pasigurisë që na shfaqet në shumë nivele të ndryshme. Ajo prodhon ankth, frikë, pakënaqësi, armiqësi, ndarje dhe polarizim.

Çfarë mund të mësojmë nga “Odiseja” për të qëndruar të fortë përballë pasigurisë dhe atëherë kur ndihemi të humbur?

David Elmer: Unë mendoj se periudha në të cilën u formuan këto histori ishte një periudhë e një pasigurie të madhe. Nuk do të thosha thjesht se poemat lindin në një moment pasigurie si ai që po përjetojmë ne. Nuk ishte vetëm një moment. Ishte një botë që, për shekuj me radhë, kishte rreziqe të vazhdueshme, mungesë ushqimi dhe pasiguri në shumë aspekte të ndryshme. Kjo histori i përgjigjet një mjedisi përgjithësisht të pasigurt dhe të brishtë. Ajo ishte një botë ku për shumë njerëz lëvizja e vazhdueshme ishte e detyrueshme, kështu që poema mendon për zhvendosjen në këtë kuptim. Poema e pranon vërtet se Penelopa dhe Odiseu janë individë shumë të ndryshëm nga ata që ishin kur u ndanë 20 vjet më parë. Pastaj kemi Telemakun, i cili ishte foshnjë kur babai i tij u largua dhe për këtë arsye nuk e njohu kurrë atë. Njohja mes Telemakut dhe Odiseut është vërtet interesante. Me të gjithë të tjerët ekziston një lloj njohurie e përbashkët dhe një shenjë njohjeje. Por mes Telemakut dhe Odiseut nuk ka asnjë njohuri të tillë të përbashkët. Kështu, Odiseu thjesht i zbulohet Telemakut, i cili është i pasigurt, dhe e vetmja gjë që mund të thotë është: “Unë jam i vetmi Odise që ke”. Por Penelopa dhe Odiseu janë njerëz që kanë ndryshuar shumë, dhe ajo që përpiqen ta kuptojnë është nëse marrëdhënia e tyre, pavarësisht nga të gjitha ndryshimet që kanë kaluar individualisht, ende mbetet diçka e qëndrueshme.

Kjo është pyetja me të cilën jemi të zhytur si komb, apo jo? A mund të stabilizohet marrëdhënia?

David Elmer: Mendoj se kjo është e drejtë. Ekziston një pyetje aty rreth lidhjeve themelore shoqërore. A mund t’u mbijetojnë ato forcave të ndryshimit, zhvendosjes dhe transformimit?

Kjo është një pyetje mjaft jetike. Nuk jam i sigurt nëse poema ofron një përgjigje, ajo më shumë ofron një aspiratë: që marrëdhëniet më të rëndësishme mund t’u mbijetojnë zhvendosjeve dhe ndryshimeve të jashtëzakonshme. Por ndoshta kjo nuk është një garanci.

Shënim për autorin: David Elmer është profesor dhe studiues i letërsisë së Greqisë së Lashtë, me fokus te epet homerike dhe rrëfimet shumë më të vona në prozë, të njohura zakonisht si “romanet greke”. Qasja e tij ndaj poezisë homerike mbështetet thellësisht në traditën intelektuale që buron nga puna e Milman Parryt, teoria e të cilit mbi kompozimin gojor gjatë interpretimit ndryshoi rrënjësisht mënyrën se si studiohen “Iliada” dhe “Odiseja”. Përderisa Parry u përqendrua kryesisht te mekanizmat e frazeologjisë formulare, Elmer tërhiqet më shumë nga pyetjet që lidhen me strukturat narrative në shkallë të gjerë. Monografia e tij, “The Poetics of Consent”, e merr pikënisjen nga disa shprehje formulare karakteristike, por shpejt kalon në nxjerrjen e përfundimeve mbi mënyrën se si “Iliada” e paraqet marrëdhënien e saj me traditën. Në studimet e tij mbi romanet e lashta, ai përqendrohet kryesisht te mënyra se si këto tekste e pozicionojnë veten në aspektin gjinor, te modelet e interpretimit që propozojnë dhe te pyetjet etike që shtrojnë. Ai i sheh romanet si shembuj të një ligjërimi vetëdijshëm “odisean”, i cili në mënyrë të nënkuptuar përmbys ose kritikon format dominuese të rrëfimit përmes manipulimit të teknikave narrative dhe normave etike. Gjithashtu, David Elmer është kurator i Koleksionit Milman Parry, dhe editor i revistës Oral Tradition, si dhe ka edituar librat: “The Singer of Tales” dhe “The Singers and Tales in the Twenty-First Century”. Ka qenë pjesë e Harvard Jazz Band, kurse aktualisht merret me përdorimin e fragmenteve të muzikës së Greqisë së Lashtë si bazë melodike për kompozime elektronike, dhe është një praktikues i pasionuar i fotografisë analoge, me procesin silver-gelatin. Autoportreti i paraqitur më sipër është realizuar në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Bonnie Talbert, me një aparat Rolleiflex të mesit të viteve 1960, në film Ilford HP5+, dhe është zhvilluar në laboratorin e tij fotografik.

(Ky tekst, i përgatitur për KultPlus nga Ag Apolloni, botohet me lejen e Universitetit të Harvardit. Linku i tekstit origjinal mund të gjendet këtu: https://gsas.harvard.edu/news/what-know-seeing-nolans-odyssey)/KultPlus.com

Ndahet nga jeta akademik Emin Riza, studiuesi i shquar i trashëgimisë kulturore shqiptare

22 July 2026 at 11:00

Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare akademik Emin Riza, një nga figurat më të rëndësishme të studimeve mbi trashëgiminë kulturore dhe arkitekturën tradicionale shqiptare.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, u shprehu ngushëllime familjes, miqve dhe komunitetit akademik për humbjen e një personaliteti me kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore kombëtare.

I lindur më 3 korrik 1937 në Shkodër, Emin Riza zhvilloi një karrierë të gjatë si studiues, pedagog dhe specialist në Institutin e Monumenteve të Kulturës, duke lënë gjurmë të rëndësishme në dokumentimin dhe mbrojtjen e monumenteve shqiptare.

Ndër veprat e tij më të njohura janë “Qyteti-Muze i Gjirokastrës” (1980), një studim themelor mbi vlerat arkitektonike të qytetit historik, si dhe monografia “Banesa shqiptare me qoshk” (2018), botuar nga Akademia e Shkencave.

Akademik Riza ishte autor i 16 monografive, pesë prej tyre në bashkautorësi, si dhe i 134 artikujve shkencorë, të botuar në revista të specializuara si Studia Albanica, Arkitektura popullore shqiptare dhe Monumentet.

Ai shërbeu gjithashtu si kryeredaktor i revistave “Studia Albanica” dhe “Monumentet”, ndërsa ishte nismëtar i Ligjit “Për trashëgiminë kulturore” dhe kryesues i grupit të punës që përgatiti dosjet e Gjirokastrës dhe Beratit për UNESCO-n, duke kontribuar në përfshirjen e tyre në Listën e Trashëgimisë Botërore.

Për kontributin e tij shumëvjeçar, Emin Riza ishte nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës dhe Beratit.

Homazhet për akademik Emin Rizën do të mbahen sot në ambientet e agjencisë funerale Alba 2000, pranë Medresesë në Tiranë, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet në orën 16:00 në varrezat e Tufinës./KultPlus.com

Shpallet e humbur dhe e pavlefshme Certifikata origjinale e Biznesit e “European American Construction SH.P.K.”

21 July 2026 at 15:15

Subjekti tregtar i formës shoqëri me përgjegjësi të kufizuar me emër biznesi  “European American Construction SH.P.K.” e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) me Numër Unik Identifikues (NUI) 810791922, me seli ne adresen Rruga N.Terezë hyr.30 Nr.5, 10000 Prishtine, bën këtë 

S H P A L L J E 

Shpallet e humbur dhe e pavlefshme Certifikata origjinale e Biznesit e “European American Construction SH.P.K.” eregjistruar në ARBK me Numër Unik Identifikues (NUI) 810791922. Kërkesa për lëshimin e dublikatës do të bëhet pranë ARBK sipas ligjeve në fuqi.

Aksioneri i Vetëm i Shoqërise

Claudio Francesco Barbano

21 Korrik 2026

Shoqëria “European American Construction SH.P.K.”

Subjekti tregtar i formës shoqëri me përgjegjësi të kufizuar me emër biznesi  “European American Construction SH.P.K.” e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) me Numër Unik Identifikues (NUI) 810791922, me seli ne adresen Rruga N.Terezë hyr.30 Nr.5, 10000 Prishtine, bën këtë 

S H P A L L J E 

Shpallet e humbur dhe e pavlefshme Certifikata origjinale e Biznesit e “European American Construction SH.P.K.” eregjistruar në ARBK me Numër Unik Identifikues (NUI) 810791922. Kërkesa për lëshimin e dublikatës do të bëhet pranë ARBK sipas ligjeve në fuqi.

Aksioneri i Vetëm i Shoqërise

Claudio Francesco Barbano

21 Korrik 2026

Misioni shqiptaro-francez, kërkime në sitin arkeologjik të Sardës, në ishullin e Shurdhahut

17 July 2026 at 16:55

Në ishullin e Shurdhahut, në liqenin e Vaut të Dejës, kërkimet arkeologjike në qytetin mesjetar të Sardës po zbulojnë gjurmë të rëndësishme të historisë së tij, përfshirë një sistem fortifikimi me tre unaza mbrojtëse.

Misioni shqiptaro-francez do të vijojë edhe këtë vit gërmimet për dokumentimin e strukturave dhe zbulimin e mëtejshëm të trashëgimisë së këtij qyteti mesjetar.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Helidon Sokoli, bëri të ditur për TVSH se, misioni arkeologjik do të rikthehet sërish gjatë verës për të vijuar kërkimet. Sokoli tha se projekti “Lugina e Drinit në Mesjetë” do të vijojë edhe këtë vit kërkimet në sitin arkeologjik të Sardës, në ishullin e Shurdhahut. Misioni shqiptaro-francez, i planifikuar të zhvillohet nga fundi i gushtit deri në mesin e shtatorit, do të përqendrohet në pjesën e sipërme të kodrës së qytetit, ku po dokumentohet një kishë e hershme mesjetare. Sipas Sokolit, synimi është përfundimi i dokumentimit të plotë të saj dhe përcaktimi më i saktë i periudhës së ndërtimit.

Projekti “Lugina e Drinit në Mesjetë” realizohet në bashkëpunim mes institucioneve shqiptare dhe franceze dhe synon të zbulojë më tej historinë e një prej qendrave më të rëndësishme mesjetare në veri të vendit. Përpara gërmimeve, specialistët e DRTK Shkodër kanë kryer edhe pastrimin e zonës nga vegjetacioni për të lehtësuar punën e arkeologëve./atsh/KultPlus.com

“El Nacional”: Shqipëria, parajsa e lirë e Mesdheut që po fiton zemrat e turistëve

15 July 2026 at 16:41

Shqipëria, destinacioni më i lirë në Evropë për këtë verë: Gjire parajsore, hotele me 10 euro dhe vakte me 5 euro. Plazhe që rivalizojnë Karaibet, gastronomi e pasur dhe disa nga shtigjet më spektakolare për ecje.

TIRANË, 15 korrik /ATSH/- Kur mendojmë për plazhe mahnitëse, shpesh na vijnë ndër mend destinacione shumë të largëta, si Karaibet, Tajlanda apo Indonezia, shkruan Alba Solé Ingla në një artikull të botuar në median katalanase “El Nacional”.

Megjithatë, e vërteta është se nuk është e nevojshme të përshkosh gjysmën e globit për të gjetur vende me ujëra të kristalta dhe rërë të imët.

Menorka, Majorka, Ibiza dhe Formentera e dëshmojnë më së miri këtë.

Madje, edhe pa u larguar nga Gadishulli Iberik, Costa Brava fsheh gjire që mund të rivalizojnë çdo peizazh tropikal.

Megjithatë, herë pas here lind dëshira për të dalë nga itineraret e zakonshme, për të bërë gati valixhet dhe për të zbuluar një vend, që ende ruan ndjesinë e aventurës, një vend që ende mbetet për t’u zbuluar plotësisht.

Pikërisht, këtu hyn në skenë Shqipëria, një destinacion që po zgjon gjithnjë e më shumë interes, por që ende mbetet larg flukseve të mëdha turistike të Mesdheut.

Plazhe parajsore

Ky vend ballkanik po fiton gradualisht reputacionin e një prej parajsave të fshehura të Mesdheut.

Riviera Shqiptare shtrihet nga veriu në jug të vendit, ku ndodhet edhe një nga sitet arkeologjike më të rëndësishme, rrënojat e Butrintit.

Një nga zonat bregdetare më të njohura ndodhet në jug, në Ksamil, ku plazhet me rërë të bardhë dhe ujëra të kristalta mahnisin çdo vizitor.

Duhet pasur parasysh se shumica e plazheve në Shqipëri janë private dhe, për t’i shfrytëzuar ato, është e nevojshme të merret me qira një shezlong dhe një çadër.

Megjithatë, nuk ka arsye për t’u shqetësuar, pasi çmimi zakonisht varion nga 5 deri në 8 euro për gjithë ditën.

Ky është një çmim që ia vlen për komoditetin që ofron.

Ksamili ndodhet përballë ishullit grek të Korfuzit dhe frekuentohet si nga turistët vendas, ashtu edhe nga vizitorë nga e gjithë bota, veçanërisht nga Italia.

Ksamili është gjithashtu një pikënisje ideale, për të vizituar atraksione të tjera turistike shqiptare, si Syri i Kaltër.

Ky është një atraksion shumë i njohur turistik, ku uji me ngjyrë blu i burimit, mund të shihet në një thellësi prej më shumë se 50 metrash.

Vlen të theksohet se zhytësit kanë arritur deri në 50 metra thellësi, por ende nuk është përcaktuar se sa e thellë është në të vërtetë, kjo gropë natyrore.

Po ashtu, aty pranë ndodhet edhe Parku Kombëtar i Butrintit, i shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO.

Ecje malore dhe qytete historike

Për ata që preferojnë malin në vend të plazhit, veriu i Shqipërisë ofron një tjetër dimension të turizmit natyror. 

Me rreth dy të tretat e territorit të mbuluar nga relievi malor, Shqipëria konsiderohet një nga vendet më malore në Evropë.

Një nga destinacionet që nuk duhet humbur është Thethi, i vendosur në zemër të Alpeve Shqiptare.

Për shumë vite, ky fshat mbeti pothuajse i izoluar, për shkak të pozicionit të tij të largët dhe mungesës së infrastrukturës rrugore. 

Sot, falë përmirësimit të aksesit, Thethi është kthyer në një nga destinacionet më të kërkuara për adhuruesit e ecjeve malore, veçanërisht për itinerarin e njohur që lidh Valbonën me Thethin.

Për ata që preferojnë vizitat kulturore në vend të ecjeve të gjata, rekomandohen dy qytete me vlera të jashtëzakonshme historike.

Gjirokastra, e cila vizitohet lehtësisht nga Ksamili, dhe është e njohur për qendrën historike të mbrojtur nga UNESCO, kalanë monumentale dhe pazarin karakteristik me dyqanet tradicionale.

Më në veri ndodhet Berati, rreth dy orë larg Tiranës, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”.

I shtrirë përgjatë brigjeve të lumit Osum, Berati konsiderohet qyteti më i vjetër i Shqipërisë. 

Qendra e tij historike përbëhet nga tre lagje të vjetra që ruajnë arkitekturën osmane dhe bizantine, me banesa karakteristike, xhami dhe kisha, duke i siguruar këtij qyteti statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Gastronomia shqiptare

Kuzhina shqiptare përfaqëson një ndërthurje të traditave kulinare turke, ballkanike dhe mesdhetare.

Nga mishi dhe peshku i pjekur në skarë, me çmime tepër të përballueshme, deri te gatimet me ndikim grek, si gjirotë, gastronomia shqiptare arrin të befasojë dhe të fitojë vlerësimin e vizitorëve.

Një nga specialitetet më përfaqësuese është byreku, një gatim tradicional i përgatitur me petë të holla dhe i mbushur zakonisht me spinaq dhe djathë.

Byreku gjendet pothuajse në çdo furrë apo lokal në vend dhe mbetet një nga ushqimet më të preferuara si nga vendasit, ashtu edhe nga turistët.

Nëse ende nuk jeni bindur, këto janë vetëm disa nga arsyet pse Shqipëria po konsiderohet një prej perlave të Mesdheut që ia vlen të zbulohet./atsh/KultPlus.com

Italia shtrëngon rregullat: Deri në 500 euro gjobë për ecjen me bikini apo rroba banje jashtë plazhit

14 July 2026 at 12:34

Komuna të ndryshme turistike, përfshirë zonën e Venecias, po vendosin masa më të rrepta për turistët që qarkullojnë me veshje plazhi në hapësira publike. Gjobat mund të arrijnë deri në 500 euro.

Turistët që planifikojnë pushimet në Itali këtë verë duhet të kenë kujdes me veshjen jashtë plazheve. Disa komuna turistike kanë vendosur rregulla të reja që ndalojnë qarkullimin me bikini, rroba banje ose pa bluzë në rrugë dhe hapësira publike, transmeton albinfo.ch. 

Masat janë vendosur në destinacione të njohura si Cavallino Treporti, Caorle, Eraclea Mare dhe Venecia, me qëllim ruajtjen e rendit publik dhe respektimin e banorëve vendas.

Në Cavallino Treporti, vizitorët paralajmërohen përmes tabelave se duhet të veshin rroba të përshtatshme jashtë zonave të plazhit. Ata që nuk respektojnë rregullat mund të gjobiten nga 25 deri në 500 euro.

Autoritetet lokale theksojnë se masat nuk synojnë kufizimin e turistëve, por promovimin e respektit ndaj komuniteteve ku jetojnë banorët gjatë gjithë vitit./Albinfo.ch/ KultPlus.com

Lumbardhi prezanton programin e kinemasë verore në Doku Kino Plato

13 July 2026 at 16:30


“Nën këtë ombrellë tematike, këtë verë në korrik e gusht, presim audiencën me një seri të
përzgjedhur filmash, në kinemanë e hapur në Doku Kino Plato. Shfaqjet e filmave nisin me 17
korrik, e ne sjellim në ekran atë që mund të emërtohet si ndërtim i identitetit, mungesë të
përkatësisë dhe rrugëtimin njerëzor për ta gjetur të vërtetën mes ekranit të madh mes disa prej
punëve më të fuqishme në kinemanë e pavarur”, thuhet në njoftimin e DokuFest.

Më poshtë po ju sjellim edhe filmat që do të prezantohen në këtë kinema.


Në këtë program shtrihet një revolucion i strukur mes linjave bardhë e zi dhe shpërthimi struket
në mesin e një absurditeti melankolik dhe një realitet ecën mes fijes së hollë që bashkon e ndan
të shenjtën nga çka është profane e kështu ne do të shohim se si punët e Marjane Satrapi,
Tolga Karaçelik, dhe Jan Komasa shkërmoqin tabutë formale narrative. Ju ftojmë të shihni një
botë krejt të re mes syve të karaktereve që i thyejnë kornizat e normës.
17 korrik – Persepolis (2007)
Regjia: Marjane Satrapi, Vincent Paronnaud
Si homazh për Marjane Satrapi, e cila u nda nga jeta së fundmi, kjo shfaqje filmike
përqendrohet te Irani, një vend që edhe sot është sërish në mesin e debateve të ashpra.Filmi
shtrihet në kohë përgjatë Revolucionit Iranian të vitit 1979, e kjo vepër e animuar eksploron
zhvillimet shoqërore dhe politike nga këndvështrimi i një vajze të re që vjen nga një familje
moderne e asaj kohe. Përmes syve të saj, filmi sjell në ekran mënyrën se si revolucioni i
zhvilluar kundër Shahut së bashku me shtresa të tjera të shoqërisë u shndërrua më pas në një
sistem shtypës dhe fanatik. Pas premierës së tij në vitin 2007, Persepolis u shfaq në shumë
festivale dhe ndau Çmimin e Jurisë në Festivalin e Filmit në Kanë.
24 korrik – Corpus Christi (2019)
Regjia: Jan Komasa
Komasa shqyrton kufirin mes së shenjtës dhe profanes përmes historisë së një të riu me një të
kaluar traumatike, i cili i vesh vetes identitetin e një prifti. Skenat dinamike, të xhiruara me
kamerë dore, e vizualizojnë hipokrizinë dhe kalbëzimin shpirtëror të një qyteti të vogël. Filmi
është një studim mjeshtëror i personazhit, që ndërton konfliktin mes ftohtësisë së fesë
institucionale dhe forcës së egër të besimit individual përmes interpretimit të pazakontë dhe
hipnotizues të aktorit kryesor, Bartosz Bielenia. Corpus Christi është nderuar me çmimin Europa
Cinemas Label në Edipo Re dhe me Cmimin Special të Jurisë në Festivalin e Filmit në Venecia.
31 korrik – Butterflies (Kelebekler) (2018)
Regjia: Tolga Karaçelik
Udhëtimi i tre motrave dhe vëllezërve të larguar nga njëri-tjetri ndërthuret me motive surrealiste
të jetës rurale për të vënë në pikëpyetje mënyrat se si përballemi me dhimbjen dhe traumën.
Duke dekonstruktuar konceptin tradicional të familjes, kjo narrativë e ndërthur absurdin me jetën
e përditshme. Me një ton njëkohësisht serioz dhe komik, filmi shqyrton konceptet e familjes,
identitetit dhe përkatësisë. Këtij filmi iu dha Çmimi i Madh i Jurisë në Festivalin e Filmit
Sundance në vitin 2018.
Ky program i Fondacionit Lumbardhi mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit,
përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’,
bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, si dhe DokuFest./ KultPlus.com

Sonte në Galerinë e Arteve të Prishtinës hapet ekspozita personale e Arianit Beqirit

13 July 2026 at 09:00

Galeria e Arteve e Prishtinës do të mirëpresë sonte ekspozitën personale të artistit vizual Arianit Beqiri, me titull “another time” (tjetër herë), të kuruar nga artistja Rudina Xhaferi.

Hapja e ekspozitës do të mbahet duke filluar nga ora 19:00 dhe do të nisë me një performancë-instalim në platonë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Pas performancës, publiku do të ftohet të vizitojë hapësirën e Galerisë, ku do të prezantohen veprat e artistit.

Sipas organizatorëve, ekspozita “another time” sjell një qasje të veçantë në prezantimin e krijimtarisë artistike, duke i ftuar vizitorët në një përvojë ndryshe të ndërveprimit me veprat.

Ekspozita synon të krijojë një dialog mes artit bashkëkohor, hapësirës ekspozuese dhe publikut, duke ofruar një koncept kuratorial që ndërthur performancën me ekspozimin e veprave.

Organizatorët kanë ftuar artdashësit, familjet dhe miqtë e tyre që t’i bashkohen kësaj mbrëmjeje artistike në Galerinë e Arteve të Prishtinës./KultPlus.com

Madonna ka anuluar performancën e saj në Londër për shkak të shqetësimeve për sigurinë

7 July 2026 at 15:54

Edhe pse mezi priste të ishte pjesë e “Paradës së Krenarisë”, organizatorët dhe ekipi i saj vlerësuan se mbërritja e saj mund të shkaktonte kaos për shkak të numrit të madh të njerëzve.

Mbretëresha e popit, Madonna, ka anuluar performancën e saj në “London Pride” për shkak të shqetësimeve për sigurinë.

Diva, e cila aktualisht po promovon albumin e saj të ri “Confessions on a Dance Floor: Part II”, duhej të shfaqej në skenë në Trafalgar Square në Londër, së bashku me Beth Dito dhe MNEK, si pjesë e “Pride Parade” në Londër, një ngjarje që mbledh një numër të madh njerëzish çdo vit, raporton Vijesti.me.

Megjithatë, shfaqja e planifikuar u anulua në minutën e fundit.Sipas një burimi që foli për “The Sun on Sunday”, vendimi u mor për anulimin e koncertit për arsye sigurie, për shkak të vlerësimit se prania e njërit prej yjeve më të mëdhenj të botës mund të shkaktonte shumë turmë dhe kaos të mundshëm në një ngjarje tashmë jashtëzakonisht masive.

“Madonna ishte shumë e emocionuar që do të performonte sepse është një mbështetëse e madhe e të drejtave LGBTQ+. Por ekipi i saj vendosi në minutën e fundit të mos merrte pjesë për shkak të numrit të madh të njerëzve dhe frikës se mbërritja e saj mund të prishte eventin tashmë të organizuar mirë”, tha burimi.

Këtë vit, “Parada e Krenarisë” e Londrës mblodhi qindra mijëra pjesëmarrës dhe vizitorë në qendër të qytetit./KultPlus.com

Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus”  do të përfaqësojë Kosovën në garat ndërkombëtare në Pragë 

7 July 2026 at 12:30

Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” do të merr pjesë në Musica Orbis Festivals të Pragës, ku në këtë festival do të përfaqësojë Kosovën në garat e këtij festivali. 

Për këtë garë të radhës të kësaj orkestre, që tashmë është vlerësuar në gara ndërkombëtare, është bërë e ditur nga udhëheqësit e kësaj orekestre. 

Orari i koncerteve tona në Pragë! 🇨🇿

Brenda pak ditësh, Orkestra “Amadeus” do të udhëtojë drejt Pragës për të përfaqësuar Kosovën në garat ndërkombëtare në Festivalin Musica Orbis Festivals 2026.

Gjatë festivalit do të marrim pjesë në koncertin e hapjes, koncertin gala dhe në garën ndërkombëtare të orkestrave – e që është një nga momentet më të rëndësishme për orkestrën tonë dhe për të gjithë të rinjtë që kanë punuar me përkushtim për këtë spjesëmarrje.

Përvec koncerteve dhe garës, do jemi t’privilegjuar të mbajmë edhe masterklasë me dirigjentë dhe anëtarët e jurisë.

Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve bëhet të shtunën, më 11 korrik 2026, ora 19:30, National House of Vinohrady, Prague. 

Këto paraqitje janë rezultat i muajve të tërë të punës, disiplinës, përkushtimit dhe mbi të gjitha dashurisë për muzikën. 

Ftojmë me shumë kënaqësi të gjithë bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Pragë dhe në qytetet përreth, të na bashkohen në koncertet tona. Prania dhe duartrokitjet tuaja do të jenë mbështetja më e bukur për orkestrën tonë dhe do të thonë shumë për secilin prej nesh.

Faleminderit të gjithëve që jeni pjesë e jona, pjesë e punës tonë dhe faleminderit t’gjithëve për mbështetjen e pakusht! / KultPlus.com

Përse moj hënë argjendore

8 September 2025 at 22:37

Poezi nga Aleksandër Pushkin

Përse moj hënë argjendore,
ti larg nga retë pa pushim,
përmbi kanatet e dritores,
vërshon të mekurin shkëlqim?

Sa herë që më shfaqesh ti,
në shpirt më zgjohen shqetësime,
dhe brenga plot me dhembshuri,
dëshirë plot me flakërime.

Oh, ikni, ikni o kujtime!
o dashuri fatkeqe fli!
O, le të mos më shfaqet më,
të perdja e errët në dritore,
nën dritën tënde argjendore,
fytyr’ e dashur si gjithnjë,
fytyr’ e ëmbël engjëllore
e vashës që s’do ta shoh më.

O ëmbëlsi e dashurisë,
plot ledhatime, plot me gaz,
plot me shkëlqim të lumturisë,
a mund të kthehesh rishmez pas?

I shpejtë porsi një vegim,
me ndritë ti në fluturim;
U zhdukën hijet krejt papritur,
se erdh agimi menjëherë,
dhe ti moj hën’e ndritur
në qiell u mbyte atëherë!
Agimi dritën pse shpërndau?
Nga vash’ e shtrenjtë pse me ndau?/KultPlus.com

Tri vite më parë vdiq monarkja më jetëgjatë në histori, Mbretëresha Elizabetë ll

8 September 2025 at 17:02

Elizabeth Alexandra Mary- (21 prill 1926 – 8 shtator 2022) ishte Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar dhe mbretërive të Komonuelthit.

Elizabeta lindi si fëmija i parë i Mbretit George VI dhe Mbretëreshës Elizabeth. Në kohën e lindjes së saj më 21 prill 1926, princesha e atëhershme Elizabeth ishte e treta në radhën e fronit – vajza e madhe e një djali të dytë, dhe për këtë arsye konsiderohej e pamundur të sundonte. Pas 10 vitesh, ajo u bë trashëgimtarja më e mundshme pasi xhaxhai i saj abdikoi, duke e zhytur vendin në krizë.

Në vitin 1947, ajo u martua me Princin e guximshëm Philip të Greqisë dhe Danimarkës, me çiftin që qëndroi së bashku për 73 vjet. Ndërsa udhëtonte në Kenia në shkurt të vitit 1952, ajo mësoi se babai i saj kishte vdekur dhe kështu filloi mbretërimi i monarkes britanike më jetëgjatë në histori.

Që nga qershori 2022 ajo ishte gjithashtu monarkja e dytë më e gjatë mbretëruese në historinë botërore. Në shtator 2015, Elizabeth tejkaloi rekordin prej 63 vjetësh e 216 ditësh në fron të mbajtur nga mbretëresha Victoria (stër-stër-stërgjyshja e saj) për t’u bërë monarkja britanike më jetëgjatë në histori.

Ndërsa në shkurt 2022, Mbretëresha Elizabeth festoi ‘Jubileun e Platinit’ të saj, duke shënuar shtatë dekada shërbimi ndaj Commonëealth.

Ngjitja në fron

Në verën e vitit 1951, shëndeti i mbretit George VI filloi të përkeqësohej dhe Princesha Elizabeth e përfaqësoi atë në paradën e ngjyrave dhe në funksione të tjera zyrtare. Më 7 tetor ajo dhe bashkëshorti i saj nisën një turne shumë të suksesshëm në Kanada dhe Uashington.

Pas Krishtlindjeve në Angli, ajo dhe Duka u nisën në janar 1952 për një turne në Australi dhe Zelandën e Re, por gjatë rrugës, në Sagana, Kenia, lajmi i vdekjes së Mbretit arriti më 6 shkurt 1952. Elizabeta, tani mbretëreshë, u kthye menjëherë në Angli.

Tre muajt e parë të mbretërimit të saj, një periudhë zie e plotë për të atin, i kaloi në një izolim relativ. Por në verë, pasi u zhvendos nga Clarence House në Buckingham Palace, ajo mori detyrat e zakonshme të një monarku dhe mbajti hapjen e saj të parë zyrtare të Parlamentit më 4 nëntor 1952.

Kurorëzimi i saj u bë në Westminster Abbey më 2 qershor 1953.

Nga nëntori i 1953, Mbretëresha dhe Duka i Edinburgut ndërmorën një turne gjashtëmujor rreth Komonuelthit, i cili përfshinte vizitën e parë në Australi dhe Zelandën e Re nga një monark britanik në fuqi. Në vitin 1957, ajo dhe Duka vizituan Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara.

Gjatë “Jubileut të saj të Argjendtë” në vitin 1977, ajo drejtoi një darkë zyrtare në Londër ku morën pjesë liderët e 36 anëtarëve të Komonuelthit, udhëtoi në të gjithë Britaninë dhe Irlandën e Veriut dhe bëri turne jashtë shtetit në Paqësorin Jugor dhe Australi, në Kanada dhe Karaibe.

Mbretëresha Elizabeth dhe Princi Filip

Elizabeth dhe Margaret kaluan pjesën më të madhe të Luftës së Dytë Botërore duke jetuar veçmas nga prindërit e tyre në Kalanë Windsor, një kështjellë mesjetare jashtë Londrës. Në vitin 1942, mbreti e bëri Elizabetën një kolone nderi në Gardën e 500 Grenadierëve, një regjiment i ushtrisë mbretërore.

Dy vjet më vonë, ai e emëroi atë anëtare të Këshillit të fshehtë dhe Këshillit të Shtetit, duke e lejuar atë të vepronte në emër të tij kur ai ishte jashtë vendit.

Në vitin 1947, menjëherë pasi familja mbretërore u kthye nga një vizitë zyrtare në Afrikën e Jugut, u njoftua fejesa e Elizabeth me Princin Filip të Greqisë dhe një toger të Marinës Mbretërore. Ajo e njihte kur ishte vetëm 13 vjeç dhe marrëdhënia e tyre u zhvillua përmes vizitave dhe korrespondencës gjatë luftës.

Edhe pse shumë në rrethin mbretëror nuk e konsideronin Filipin për shkak të mungesës së parave dhe gjakut të huaj (gjerman) – madje edhe babai i saj nuk e miratoi – Elizabeta ishte e vendosur dhe shumë e dashuruar. Ajo dhe Filipi u martuan më 20 nëntor 1947 në Westminster Abbey.

Djali i tyre i parë, Charles (Princi i Uellsit) lindi në 1948, ndërsa vajza e tyre, Anne (Princesha Royal) erdhi dy vjet më vonë. Elizabeth dhe Philip ishin të martuar për 73 vjet, derisa Princi Philip vdiq në prill 2021 në moshën 99 vjeçare.

Monarkia moderne e Mbretëreshës Elizabeth

Jashtëzakonisht popullore gjatë pjesës më të madhe të mbretërimit të saj të gjatë, mbretëresha është e njohur për interesimin serioz për qeverinë dhe çështjet politike, përveç detyrave të saj ceremoniale, dhe i njihet merita për modernizimin e shumë aspekteve të monarkisë.

Mbretëresha dukej se ishte gjithnjë e më e vetëdijshme për rolin modern të monarkisë, duke lejuar, për shembull, transmetimin televiziv të jetës familjare të familjes mbretërore në 1970.  Megjithatë, në vitet 1990, familja mbretërore u përball me një sërë sfidash.

Në vitin 1992, një vit që Elizabeth e përshkroi si “annus horribilis” e familjes mbretërore, Princi Charles dhe gruaja e tij, Diana, Princesha e Uellsit, u divorcuan, si dhe Princi Andrew dhe gruaja e tij, Sarah, Dukesha e Jorkut.

Për më tepër, Anne u divorcua dhe një zjarr shkatërroi rezidencën mbretërore të Kalasë Windsor. Gjithashtu, ndërsa vendi luftonte me recesionin, pakënaqësia me stilin e jetës mbretërore u rrit dhe në vitin 1992 Elizabeth, ra dakord të paguante taksa për të ardhurat e saj private.

Ndarja dhe divorci i mëvonshëm (1996) i Charles dhe Princeshës Diana minuan më tej mbështetjen për familjen mbretërore. Kritikat u intensifikuan pas vdekjes së Dianës në 1997, pasi Elizabeth fillimisht refuzoi të lejonte që flamuri kombëtar të ulej në gjysmështizë mbi Pallatin Buckingham.

Disa vite më vonë, në vitin 2005, Mbretëresha gëzoi mbështetjen e publikut kur dha pëlqimin e saj për martesën e Princit Charles me të dashurën e tij prej shumë kohësh Camilla Parker Bowles. Në përputhje me përpjekjet e saj të mëparshme për të modernizuar monarkinë, mbretëresha që atëherë është përpjekur të paraqesë një imazh më pak të ashpër dhe më pak tradicional të monarkisë.

Dalja në pension e Princit Philip dhe vdekja e tij e mëvonshme

Në gusht 2017, Princi Philip u tërhoq zyrtarisht nga jeta publike, duke u shfaqur periodikisht në angazhimet zyrtare. Ndërkohë, Mbretëresha Elizabeth filloi të zvogëlojë detyrat e saj zyrtare , duke i dorëzuar disa detyra Princit Charles dhe anëtarëve të tjerë të lartë të familjes mbretërore.

Djali më i vogël i Charles, Princi Harry, duka i Sussex, dhe gruaja e tij, Meghan Markle, Dukesha e Sussex-it, zgjodhi të tërhiqej nga rolet e tyre mbretërore në mars 2020. Gjatë kësaj kohe, interesi i publikut për Mbretëreshën dhe Familjen Mbretërore u rrit si rezultat i popullaritetit të gjerë të ” The Crown”.

Pasi u përball me disa pengesa fizike në vitet e fundit, Filipi, i cili ishte bashkëshorti i Elizabeth për më shumë se shtatë dekada, vdiq në prill 2021. Në përvjetorin e tyre të 50-të të martesës, në vitin 1997, Elizabeta kishte thënë për Filipin, të cilin do ta “takonte” sërish një vit pas vdekjes së tij.

“Ai ishte thjesht forca ime dhe shtëpia ime gjatë gjithë këtyre viteve”.

Ndërsa pasuria e saj e patreguar e bëri atë një nga gratë më të pasura në botë, Mbretëresha Elizabeth në nivel personal e donte thjeshtësinë. Ajo ishte një kalorëse e mprehtë, ndërsa mbante kuaj garash, shpesh merrte pjesë në gara dhe vizitonte periodikisht fermat e Kentakit në Shtetet e Bashkuara.

Një nga personat më me ndikim në botë nisi rrugëtimin e saj drejt përjetësisë 96-vjeçare, më 8 shtator 2022.KultPlus.com

Në Lisbonë të Portugalisë përkujtohet Shën Nënë Tereza: Ishte simbol universal i dhembshurisë, përulësisë dhe shërbimit ndaj njerëzimit

5 September 2025 at 20:23

Sot, në Lisbonë të Portugalisë është nderuar trashëgimia e Nënës Terezë, në përvjetorin e ndarjes nga jeta dhe shenjtërimit të saj.

Ambasadorja e Kosovës në Lisbonë, Edona Maloku së bashku me Patriarkun e Lisbonës, Dom Rui I, të Ngarkuarin me Punë të Nunciaturës Apostolike të Selisë së Shenjtë në Lisbonë, Jose Antonio Teixeira Alves, dhe motrat e organizatës së themeluar nga vet Nëna Terezë në Indi – Misionarët e Bamirësisë – e kanë përkujtuar Shën Terezën si simbol universal të dhembshurisë, përulësisë dhe shërbimit ndaj njerëzimit.

“Ceremonia përkujtimore u zhvillua pranë shtatores së Nënë Terezës në Lisbonë, e cila qëndron aty si një dhuratë nga populli i Kosovës, duke lidhur përjetësisht vlerat e saj me dashurinë dhe mirënjohjen tonë”, ka thënë Ambasadorja Maloku./ KultPlus.com

Hemingway dhe kuptimi i dashurisë: “Gjithmonë do të ketë njerëz që thonë se ajo nuk ekziston…”

4 September 2025 at 23:20

Ernest Hemingway, një nga novelistët më të njohur amerikanë, shkrimtar i tregimeve të shkurtra dhe gazetar, mbetet një zë i paharruar i letërsisë klasike amerikane.

Në një prej reflektimeve të tij më të ndjera mbi dashurinë, ai shkruan:

“Shumica e njerëzve s’dinë ç’është dashuria, se s’kanë fatin ta provojnë. As ti s’e kishe provuar më parë, tashti e ke.
Kjo që ke tashti me Marien, pavarësisht se sa zgjat, në do të zgjatë vetëm sot dhe një pjesë të ditës së nesërme… ose në do të zgjatë sa të jeshë gjallë, është gjëja më e rëndësishme që mund t’i ndodhë njeriut.
Gjithmonë do të ketë njerëz që thonë se ajo nuk ekziston, sepse nuk e kanë provuar kurrë dhe s’mund ta provojnë…”

Ky fragment mbetet një dëshmi e stilit të tij të drejtpërdrejtë dhe të thellë, ku jeta dhe ndjenjat përplasen me fuqinë e fjalës së thjeshtë, por të paharrueshme./KultPlus.com

GKK dhe ‘Cité internationale des arts’ ofrojnë mundësi të reja për artistët kosovar

4 September 2025 at 21:22

Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) dhe Cité internationale des arts (Parisi) njoftojnë rreth programit të ri të rezidencave për artistë të të gjitha disiplinave që jetojnë dhe punojnë në Kosovë. Ky partneritet i ri trevjeçar që synon të mbështesë shkëmbimet ndërkombëtare të artistëve me bazë në Kosovë, të zgjerojë rrjetet e tyre profesionale dhe artistike, si dhe të zhvillojnë tutje praktikat e tyre përmes mbështetjes për prodhim të veprave.

Tre artistë do të përzgjidhen përmes aplikimeve në thirrjen e hapur, të cilat do të shqyrtohen nga një juri e përbërë nga profesionistë të fushës së artit dhe kulturës bashkëkohore. Programi do të zhvillohet në dy faza: një ekspozitë grupore në GKK QAFA në Prishtinë (10 dhjetor 2025 – 9 shkurt 2026), e pasuar nga një rezidencë tre mujore që mbulon të gjitha shpenzimet në Cité internationale des arts në Paris në mars 2026.

Rezidenca do t’u ofrojë secilit artist një studio të mobiluar për të jetuar dhe punuar në lagjen Marais, bursë mujore, mbështetje profesionale dhe mundësi rrjetëzimi, si dhe mbulim të shpenzimeve të udhëtimit dhe sigurimit. 

Në GKK QAFA, tre artistët do të prezantojnë punë të reja ose punë në zhvillim, të mbështetura me honorare artistike, buxhete prodhimi dhe këshillim kuratorial. Ekspozita do të kurohet nga Hana Halilaj, kuratore në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Programi është i hapur për artistë me kombësi kosovare, që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, me së paku tre vite përvojë profesionale në fushën e arteve. Aplikuesit duhet të jenë në gjendje të komunikojnë në gjuhën angleze ose frënge. Pranohen edhe aplikime nga duo ose kolektivet, me një grant të dhënë për çdo propozim.

Ky program përfaqëson një vazhdimësi të angazhimit të Galerisë Kombëtare të Kosovës në mbështetje të skenës së artit vizual në vend. Ai është pjesë e ndryshimeve strukturore të ndërmarra vitet e fundit, të cilat kanë synuar ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe krijimin e hapësirave të reja për zhvillimin e skenës artistike, me një fokus të veçantë tek artistët e rinj.

Afatet kryesore:

Afati i aplikimit: 4 – 30 shtator 2025 (deri në mesnatë, GMT +1)
Shpallja e rezultateve: Java e dytë e tetorit 2025
Periudha e rezidencës: Mars 2026 (3muaj)/ KultPlus.com

Jared, 4-vjeçari nga St. Louis që ka lexuar mbi një mijë libra para ditëlindjes së pestë

3 September 2025 at 22:00

Në moshën vetëm katërvjeçare, Jared nga St. Louis i ka habitur të gjithë me pasionin e tij për librat: ai ka lexuar mbi një mijë tituj, një arritje e jashtëzakonshme për një fëmijë kaq të vogël.

Dashuria e tij për leximin nisi që herët, duke u kthyer në një aktivitet të përditshëm. Jared lexonte për familjen, mësuesit dhe kushdo që kishte dëshirë ta dëgjonte. Dhe momenti i madh erdhi pas leximit të librit “Sabrina Sue Loves The City” nga autorja Priscilla Burris, kur kuptoi se kishte arritur në librin e njëmijtë.

Për ta kuptuar më qartë këtë arritje: një fëmijë pesëvjeçar jeton rreth 1,826 ditë deri në atë moshë, që do të thotë se për të lexuar një mijë libra duhej të mbaronte gati një libër çdo dy ditë. Jared e arriti këtë shifër para ditëlindjes së pestë madje me disa ditë rezervë.

Programi “1,000 Books Before Kindergarten”, i nisur në vitin 2020 nga Biblioteka e St. Louis County, ka bërë të mundur që edhe shumë fëmijë të tjerë të arrijnë këtë synim. Deri në vitin 2024, 221 fëmijë kishin arritur të lexonin mbi 1,000 libra, me një total prej gati 407,000 librash të lexuar.

Historia e Jared është një shembull frymëzues për dashurinë ndaj librit dhe fuqinë që leximi ka për të formuar mendjen që në moshë të vogël./KultPlus.com

Kryeministri Kurti për vdekjen e Dhimitër Anagnostit: Humbje e madhe për kinemanë dhe kulturën shqiptare

1 September 2025 at 15:52

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes rrjeteve sociale ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të regjisorit të madh shqiptar, Dhimitër Anagnosti.

Në mesazhin e tij, Kryeministri Kurti ka theksuar rolin e jashtëzakonshëm që Anagnosti ka pasur në zhvillimin e kinematografisë shqiptare, duke e cilësuar atë si një nga regjisorët më të pjekur dhe më të rëndësishëm të historisë së filmit shqiptar.

“Regjia e tij është pa dyshim një ndër më të pjekurat e historisë së kinemasë shqiptare. Falë regjisë së tij ne trashëgojmë një fond të vërtetë stilistik. Falë lojës me kamerën e ndriçimin, në filmat “Dueli i heshtur” dhe “Malet me blerim mbuluar” na mbetën në mendje portretet më të mirë të yjeve tanë të kinemasë. Lartësinë e bjeshkëve dhe ashpërsinë e virtytit e zbuluam në “Cuca e maleve” dhe “Gjoleka, djali i Abazit”. Dramaturgjinë e lartë të skenës do ta trashëgojmë me filmin monument “Lulëkuqet mbi mure”, ka shkruar Kurti.

Ai ka vlerësuar gjithashtu kontributin e Anagnostit jo vetëm si artist, por edhe si personalitet i shquar publik, duke përmendur angazhimin e tij si deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ku ai dëshmoi maturi dhe virtyt në çdo detyrë që mori përsipër.

Në fund të mesazhit, Kryeministri i Kosovës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e regjisorit, miqtë dhe kolegët e tij, me një përmendje të veçantë për bashkëshorten, aktoren e njohur Roza Anagnosti. Ai ka përfunduar duke nënvizuar rëndësinë e trashëgimisë artistike që Anagnosti ka lënë pas dhe rëndësinë e kujtesës së tij për brezat e ardhshëm./KultPlus.com

❌