Komisioni Evropian ka ngritur akuza ndaj kompanisë Meta, e cila zotëron Facebook dhe Instagram, duke e akuzuar se nuk ka marrë masa të mjaftueshme për të kufizuar ndikimin e dizajnit “varësues” të platformave të saj tek shëndeti fizik dhe mendor i përdoruesve.
Në dokumentin zyrtar të publikuar të premten, autoritetet europiane deklarojnë se disa funksione të rrjeteve sociale, si luajtja automatike e videove (autoplay) dhe lëvizja pa fund në përmbajtje (infinite scroll), ndikojnë në sjelljen e përdoruesve duke i mbajtur ata të angazhuar për periudha të gjata kohore.
Sipas Komisionit Evropian, këto elemente “e kalojnë trurin në një gjendje automatike”, duke nxitur krijimin e zakoneve jo të shëndetshme dhe përdorimin kompulsiv të platformave.
Në fokus të veçantë janë edhe përdoruesit e mitur. Ndërsa BE po shqyrton mundësinë e kufizimit të aksesit të fëmijëve në rrjetet sociale, Komisioni tha se Meta ka shpërfillur të dhënat mbi kohën që të rinjtë kalojnë në Facebook dhe Instagram, veçanërisht gjatë natës.
Autoritetet europiane kanë ngritur shqetësime edhe për funksione si Reels dhe Stories, të cilat sipas tyre mund të çojnë në “përdorim të tepruar ose edhe varësi” nga shërbimet e kompanisë.
Komisioni Evropian vlerëson se dizajni i Facebook dhe Instagram mund të përbëjë shkelje të Aktit të Shërbimeve Digjitale të BE-së (Digital Services Act), i cili synon të mbrojë përdoruesit nga rreziqet online, përfshirë përmbajtjet e paligjshme, dezinformimin dhe praktikat manipuluese.
Meta është kontaktuar për një reagim, ndërsa kompania ka deklaruar më herët se ka investuar prej më shumë se një dekade në zhvillimin e mjeteve dhe politikave për mbrojtjen e përdoruesve të rinj, duke synuar krijimin e një eksperience të sigurt dhe të përshtatshme për moshën.
Hetimi ndaj Metës nisi në maj të vitit 2024 dhe përfshin edhe çështje të tjera, përfshirë efektin “rabbit hole”, ku algoritmet mund t’u rekomandojnë të rinjve përmbajtje negative, si materiale që lidhen me imazhin jorealist të trupit.
Komisioni ka deklaruar gjithashtu se Meta mund të ketë shkelur rregullat europiane dhe kushtet e veta të përdorimit duke mos parandaluar aksesin e fëmijëve nën 13 vjeç në Facebook dhe Instagram.
BE kërkon që kompania të ndryshojë mënyrën e funksionimit të platformave të saj, duke hequr si cilësime standarde funksione si lëvizja pa fund dhe luajtja automatike e videove, duke vendosur më shumë ndërprerje gjatë përdorimit dhe duke ndryshuar mënyrën e funksionimit të algoritmeve.
Nëse akuzat konfirmohen, Meta mund të përballet me një gjobë deri në 6% të xhiros totale vjetore./KultPlus.com
Komisioni Evropian ka rritur presionin ndaj kompanisë Meta, duke i kërkuar të ndryshojë disa funksione të Facebookut dhe Instagramit, të cilat, sipas autoriteteve evropiane, nxisin përdorimin e tepruar të rrjeteve sociale dhe mund të krijojnë varësi, veçanërisht tek të miturit dhe përdoruesit më të cenueshëm.
Sipas gjetjeve paraprake të Komisionit, Meta nuk ka vlerësuar dhe kufizuar në mënyrë të mjaftueshme rreziqet që lidhen me veçori si rrjedha e pafund e postimeve (infinite scroll), rekomandimet shumë të personalizuara dhe nisja automatike e videove.
Brukseli argumenton se këto mekanizma janë projektuar për t’i mbajtur përdoruesit sa më gjatë në platformë, duke rritur kështu të ardhurat nga reklamat. Sipas Komisionit, mënyra se si funksionojnë këto veçori e shtyn përdoruesin të vazhdojë shfletimin pa ndërprerje, duke krijuar sjellje kompulsive dhe zakone të dëmshme gjatë përdorimit të rrjeteve sociale.
Autoritetet evropiane kanë shprehur gjithashtu shqetësim për mjetet e kontrollit prindëror në Facebook dhe Instagram, të cilat i konsiderojnë tepër të ndërlikuara, si dhe për opsionet që kufizojnë kohën e përdorimit nga adoleshentët, të cilat, sipas tyre, nuk janë mjaftueshëm efektive.
Meta i ka kundërshtuar këto vlerësime paraprake. Një zëdhënës i kompanisë deklaroi se analiza e Komisionit nuk merr parasysh masat që kompania ka ndërmarrë për mbrojtjen e të rinjve.
Sipas Metës, llogaritë e posaçme për adoleshentët, të prezantuara dy vjet më parë, u mundësojnë prindërve të kufizojnë kohën ditore të përdorimit të Instagramit dhe të bllokojnë qasjen në aplikacion gjatë natës.
Këto gjetje janë pjesë e hetimit të nisur nga Komisioni Evropian në maj të vitit 2024, në kuadër të dyshimeve se Meta nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbrojtur të miturit në internet. Nëse konstatohen shkelje të rregullave të Bashkimit Evropian dhe kompania nuk ndërmerr ndryshimet e kërkuara, ajo mund të përballet me gjoba të konsiderueshme./KultPlus.com
Rreth 170 milionë njerëz morën akses në funksionin e ri të ndarjes së vendndodhjes në Instagram, por pse është Harta kaq bosh? Në cepat më të vetmuar të aplikacionit, Meta dhe përdoruesit e saj mund të jenë duke luftuar një betejë të heshtur.
Miliona amerikanë u përballën javën e kaluar me një dritare që i ftonte të provonin “Hartën e Instagramit”. Ky funksion i ri lejon përdoruesit të ndajnë vendndodhjen e saktë dhe në kohë reale me njëri-tjetrin. Nëse dëshiron, mund ta shpërndash vendndodhjen tënde me të gjithë ndjekësit që të ndjekin mbrapsht. Por për shumë vetë, historia e aplikacionit e bën atë një vend shqetësues për këtë lloj intimiteti.
Instagram e prezanton Hartën si “një mënyrë të re, të lehtë për t’u lidhur”. Por një eksplorim i këtij funksioni tregon një realitet tjetër, më shumë boshllëk sesa lidhje, me përdorues që pa dashje transmetojnë vendndodhjen dhe paralajmërime të menjëhershme nga ata pak njerëz që po shikojnë. Kjo e nxjerr në pah një konflikt në zhvillim mes platformës dhe përdoruesve të saj: për çfarë shërben vërtet ky aplikacion?
Nga njëra anë, nuk është diçka krejtësisht e re. Telefonat Apple dhe Android prej vitesh lejojnë ndarjen e vendndodhjes me kontaktet. Snapchat ka hartën Snap Map që funksionon njësoj. Në marrëdhëniet moderne, ndarja e vendndodhjes është njësoj e përhapur sa edhe problematike. New York Times e përshkroi këtë trend me titullin “Të dua, hajde ta përgjojmë njëri-tjetrin” në vitin 2023. Por Meta, kompania që zotëron Facebook, Instagram dhe WhatsApp, ka një histori problematike me privatësinë. CEO Mark Zuckerberg ka kërkuar falje personalisht disa herë për mënyrën se si kompania e tij ka keqmenaxhuar të dhënat e përdoruesve, probleme që i kanë kushtuar miliarda në gjoba dhe procese gjyqësore. Kompania premton se i jep përparësi privatësisë dhe se dëshiron të fitojë përsëri besimin.
Megjithatë, pyesja veten: kush po merr pjesë vullnetarisht në eksperimentin e ri të mbikëqyrjes sociale të Metës? Si ndihesh kur e ekspozon vendndodhjen tënde për të gjithë miqtë në Instagram? Vendosa të rregulloj cilësimet e privatësisë dhe të eksploroj Hartën.
Problemi i parë ishte që Instagrami nuk e bën të lehtë gjetjen e Hartës. Disa persona që pyeta thanë se donin ta provonin, por nuk dinin ku ta kërkonin. Më në fund, e gjeta të fshehur nën një ikonë globi në seksionin e mesazheve. Instagram më udhëzoi përmes opsioneve: doja të ndaja vendndodhjen me të gjithë ndjekësit që më ndjekin mbrapsht, me “Miqtë e Afërt”, apo me një grup të përzgjedhur? Pati edhe një pop-up të dytë për të më pyetur nëse isha i sigurt.
Ndërsa satelitët GPS përcaktonin koordinatat e mia, Apple i dërgoi të dhënat drejt serverëve të Instagramit. Një pikë e vogël me fytyrën time qëndronte saktësisht mbi apartamentin tim në New York. Për një moment, ndjeva një ndjesi të çuditshme të cenueshmërisë. Dhe më e çuditshme ishte se isha pothuajse krejt vetëm. Prisja të gjeja të paktën disa përdorues të tjerë, por nga të gjithë miqtë e mi në Instagram, vetëm një person tjetër po e përdorte funksionin, në Los Anxhelos. Ishte Highland Hall, një ish-koleg nga një dyqan disqesh ku kam punuar para universitetit. Nuk kishim qenë ndonjëherë shumë afër. I dërgova një mesazh. Harta po na ndihmonte të lidhemi, saktësisht ajo që Instagrami thotë se është synimi i saj.
“Më duket sikur vite më parë mund të shihje postimet sipas vendndodhjes, ishte funksion argëtues,” tha Hall. “Doja vetëm të shihja çfarë ishte kjo veçori dhe mbeta i zhgënjyer. Lol.”
I thashë se më habiti që nuk kishte asnjë tjetër që e përdorte Hartën. A jemi unë dhe miqtë e mi shumë të rritur për grupin e synuar? Apo ndoshta jam jo-popullor dhe të gjithë të tjerët po ndajnë vendndodhjet pa mua. Nuk i dihet. I thashë Hall se gjithçka më dukej disi e vetmuar. “Si gjithë rrjetet sociale,” tha ai.
Privatësia nuk e shqetësonte Hall. “Besoj se ata e kanë atë të dhënë gjithsesi. Unë zakonisht postoj me vonesë, një javë më vonë, kështu që nuk është kurrë vendi ku jam në moment.”
Por e kishte gabim. Ia shpjegova se ai po e ndante në fakt vendndodhjen e tij aktuale. “Nuk e afrova hartën, por po supozoj se kjo është shtëpia jote,” i shkrova.
Pas një pauze të gjatë, Hall u përgjigj: “Sapo e fika tani.”
Ai nuk është i vetmi i konfuzuar nga funksioni i ri. Adam Mosseri, drejtuesi i Instagramit, kaloi fundjavën duke bërë “kontroll dëmi” me përdoruesit e indinjuar në Threads, konkurrenti i Instagramit për X-in (ish-Twitter).
Pavarësisht nëse zgjedh të ndash vendndodhjen në kohë reale apo jo, të gjitha fotot, videot dhe Story-t e tua publike shfaqen në Hartë nëse ke përdorur etiketa vendndodhjeje në postime. Shumë njerëz e panë këtë dhe menduan se Instagrami po mblidhte të dhëna të reja pa lejen e tyre. Shikova dhjetëra përgjigje nga Mosseri ndaj këtyre ankesave, që bëheshin gjithnjë e më të lodhura me kalimin e kohës. “Nuk është e vërtetë,” tha Mosseri ndaj një ankese të fshirë më pas. “Mund të zgjedhësh vetë nëse do të ndash vendndodhjen ose jo, por nuk e ndajmë kurrë pa lejen tënde.” Një zëdhënës i Metës më tha se Harta është e fikur në mënyrë automatike, dhe vetëm ata që ti i ndjek mbrapsht mund ta shohin vendndodhjen tënde, përveç nëse zgjedh ta kufizosh edhe më shumë listën.
“Është sikur nuk e kuptojnë fare bazën e tyre të përdoruesve,” thotë Hannah Law, një 26-vjeçare nga Salt Lake City që punon si inxhiniere. “Instagrami nuk është një aplikacion intim ku do të doje që njerëzit të dinin ku je.” Funksioni duket i kopjuar nga Snap Map, thotë ajo, por Snapchat është më personal. “Instagrami lindi si një shërbim transmetimi i jetës. Ka më shumë gjasa të më ndjekë një ndjekës i Instagramit sesa një mik në Snapchat.”
Meta thekson se përdoruesit kanë kontroll mbi atë që e sheh vendndodhjen, dhe se prindërit që kanë vendosur mbikëqyrje për fëmijët marrin njoftime kur ata e aktivizojnë funksionin. “Njerëzit gjithmonë kanë ardhur në Instagram për të ndarë çfarë po bëjnë dhe ku janë,” shkroi Meta në një postim në blog. “Pavarësisht se si e përdor hartën, ti dhe miqtë e tu keni një mënyrë të re dhe të lehtë për t’u lidhur me njëri-tjetrin.”
Vitet e fundit, Meta ka nxitur kalimin nga postimet publike drejt mesazheve private. Mosseri e përshkruan këtë si një “ndryshim paradigme” që pasqyron mënyrën se si po ndryshon sjellja e përdoruesve në rrjetet sociale, jo si një detyrim nga kompania.
“Ka padyshim një ndryshim në mënyrën se si njerëzit po përdorin rrjetet sociale, sidomos të rinjtë. Ky funksion ndarjeje vendndodhjeje duket si një zgjerim i natyrshëm i këtij trendi,” thotë Lorrie Cranor, profesore në Carnegie Mellon që studion privatësinë dhe ndërfaqet e aplikacioneve. “Por Instagrami nuk duket i ndërtuar për përvoja me grupe të vogla. Dyshoj që njerëzit duan që miqtë e tyre në Instagram të dinë aq shumë për ta, 24/7. Dhe në përgjithësi, funksionet që lejojnë ndjekjen janë problematike.”
Ekspertët shqetësohen se këto mjete mund të ndikojnë në shëndetin mendor dhe sjelljen sociale. Një studim nga organizata Common Sense Media zbuloi se 45% e vajzave adoleshente thanë se ndarja e vendndodhjes kishte një ndikim “kryesisht negativ” tek ato.
“Ne nuk jemi një organizatë që është kundër rrjeteve sociale,” thotë Robbie Torney, drejtor i programeve me AI në Common Sense Media. “Por fëmijët na kanë thënë se ndarja e vendndodhjes krijon presione shoqërore për atë se ku shkojnë, frikë për të mos mbetur jashtë, dhe shqetësime për faktin nëse miqtë e tyre janë duke u argëtuar pa ta. Kjo e bën më të vështirë për t’u përshtatur.”
Nuk janë vetëm fëmijët që përballen me këto probleme. Kam dëgjuar shumë histori të pakëndshme nga përdorues të funksionit “Find My Friends” të Apple. Lindin pyetje të sikletshme kur dikush nuk ftohet në ndonjë festë. Një ish xheloz shfaqet në një bar. Një mik i çuditshëm ndjek me tepër vëmendje çfarë po bën. Dhe kur shfaqen probleme, të heqësh dikë nga qasja në vendndodhjen tënde mund të sjellë pasoja shoqërore.
“Gjëja e parë që do të këshillonim është ta fikni,” thotë Torney, sidomos për prindërit që monitorojnë fëmijët. “Çështjet e sigurisë janë reale dhe ekziston potencial i madh për keqpërdorim.”
Të dhënat e vendndodhjes janë ndoshta forma më e ndjeshme e të dhënave që telefoni yt mbledh rregullisht. Lëvizjet e tua ditore mund të zbulojnë ku jeton, ku punon, me kë kalon kohën, madje edhe ku shkon fëmija yt në shkollë. Nëse viziton një klinikë të specializuar, mund të zbulojë gjendje mjekësore. Nëse merr pjesë në protesta, tregon bindjet politike. Nëse shkon në një lokal për komunitetin LGBTQ+, ka implikime për seksualitetin tënd. Kjo e dhënë është gjithashtu shumë e vlefshme për kompani si Meta që fitojnë para nga reklamat, pasi u lejon të të targetojnë me reklama lokale dhe të nxjerrin më shumë përfundime për atë që je dhe çfarë të pëlqen./BBC/KultPlus.com
Drejtori ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg ka një vizion: superinteligjenca duhet të jetë në dispozicion të të gjithëve.
Ndërkohë, falë IA, Microsofti hyri në klubin e kompanive me vlerë mbi 4 bilionë dollarë në bursë.
Mark Zuckerbergu është i bindur se bota do të jetë “shumë ndryshe” brenda pak vitesh. “Jam i emocionuar të krijoj një superinteligjencë personale për të gjithë në planet”, tha themeluesi dhe Drejtori ekzekutiv i Meta Group-it në mes të javës (30.07.2025), pas prezantimit të rezultateve të fundit tremujore.
Zuckerbergu: superinteligjenca pranë
Meta i referohet “superinteligjencës” si inteligjencë artificiale (IA) që kapërcen inteligjencën njerëzore në çdo aspekt. Ky variant i IA është i aftë të kryejë detyra komplekse pa ndërhyrjen e njeriut.
Kemi parë shenjat e para të sistemeve të inteligjencës artificiale që vetëpërmirësohen, tha Zuckerbergu. Prandaj, superinteligjenca po afrohet edhe më shumë, megjithëse zhvillimi i saj do të kërkojë ende kohë.
Kompania mëmë e Facebook-ut tani planifikon të investojë më shumë në qendrat e të dhënave të IA. Pritet të investohen të paktën 66 miliardë dollarë, 2 miliardë dollarë më shumë se sa ishte planifikuar fillimisht. Kufiri i synuar mbetet i pandryshuar në 72 miliardë dollarë.
Kompania mëmë e Facebook-ut po rritet
Meta po përfiton nga bumi në sektorin e reklamave, i cili i ka mundësuar kompanisë të shënojë rezultate tremujore të papritura të mira. Në tremujorin e dytë, grupi amerikan rriti të ardhurat e tij me 22% në 47.52 miliardë dollarë dhe fitimin e tij neto me 36% në 18.34 miliardë dollarë.
Për tremujorin aktual, Drejtoresha Financiare Susan Li njoftoi të ardhura midis 47.5 miliardave dhe 50.5 miliarda dollarëve. Konsensusi i tregut deri tani ishte vetëm 46 miliardë dollarë.
Aksionet e Meta-s dhe Microsoft-s arrijnë nivele rekord
Shifrat për tremujorin e kaluar gjithashtu tejkaluan pritjet e analistëve. Aksionet e Meta-s u rritën me më shumë se 12% në Bursën e Frankfurtit. Aksioni pritet të arrijë një rekord të ri dhe një kapitalizim tregu prej 2 bilionë dollarësh kur Nasdaq të hapet pasdite.
Aksionet e Microsoft-it janë gjithashtu shumë të kërkuara, me një rritje prej rreth 9%. Nëse aksioni vazhdon vrullin gjatë tregtimit të rregullt në Shtetet e Bashkuara, ai do të arrijë një nivel të paparë. Microsoft-i do të hynte në klubin ekskluziv të kompanive me vlerë mbi 4 bilionë dollarë, nga të cilat aktualisht bën pjesë vetëm gjigandi amerikan i çipave Nvidia, me një kapitalizim tregu mbi 4 bilionë dollarë.
Kapitalizimi i tregut të Microsoft pritet të rritet me të paktën 300 miliardë dollarë, sipas analistit Jochen Stanzl të ndërmjetësit CMC Markets. “Kjo është afërsisht e barabartë me të gjithë kapitalizimin e tregut të kompanisë më të madhe të softuerëve në Evropë, SAP.”
Microsoft-i publikon shifra të larta
Ashtu si Meta, edhe Microsoft i publikoi rezultatet tremujore të mërkurën në mbrëmje. Dhe ashtu si Meta, Microsofti po përfiton jashtëzakonisht shumë nga tendenca aktuale në inteligjencën artificiale. Pritjet e tregut ishin sigurisht të larta para se të publikoheshin rezultatet tremujore, por Microsofti ia doli mbanë.
Të ardhurat nga departamenti i Microsoft Cloud u rritën me një shifër mbi mesataren, prej 25% në 46.7 miliardë dollarë. Në të njëjtën kohë, të ardhurat e grupit u rritën me 18% në 76.4 miliardë dollarë, dhe fitimi neto u rrit me 22% në 27.2 miliardë dollarë. “Rezultatet tremujore tregojnë qartë depërtimin e thellë të IA në ekonomi, si dhe dinamikën që rezulton”, pohon me bindje analisti Stanzl.
Microsoft zbulon për herë të parë të ardhurat e platformës cloud
Pas viteve të sekretit, Microsofti zbuloi gjithashtu të ardhurat e platformës së saj cloud Azure gjatë prezantimit të rezultateve tremujore. Sipas këtyre shifrave, ajo gjeneroi në vitin fiskal 2024/2025 të përfunduar së fundmi të ardhura prej mbi 75 miliardë dollarësh, një rritje prej 34%.
Kjo konfirmon supozimin se Microsoft është ofruesi i dytë më i madh i shërbimeve në cloud pas Amazon-ës. Deri tani, grupi kishte raportuar vetëm shifra rritjeje, por jo të ardhura absolute./KultPlus.com
Pas disa muajsh spekulime, Meta zyrtarisht ka prezantuar syzet e reja inteligjente me Oakley. Syzet inteligjente kanë dyfishin e jetëgjatësisë së baterisë së Meta Ray-Ban dhe mund të regjistrojnë video 3K, transmeton PCW.
Modelet janë të bazuara në dizajnin HSTN të Oakley dhe përshhkruhen si produkti i parë i Meta dedikuar atletëve dhe fansave. Edicioni i limituar Oakley Meta HSTN me ngjyrë të artë kushton 499 dollarë dhe do të shiten prej datës 11 Korrik.
Pjesa tjetër e koleksionit do të mbërrijë drejt fundit të verës dhe kushtojnë 399 dollarë. Zyret kanë një kamër ballore, altoparlantë dhe mikrofonë. Përdoruesit mund ti përdorin ato për të dëgjuar muzikë, realizuar foto dhe dërguar apo pranuar thirrje telefonike.
Ato karakterizohen nga Meta AI, chatbotin me inteligjencë artificiale ku përdoruesit mund ti kërkojnë informacion apo ti kërkojnë të regjistrojë video.
Kanë një jetëgjatësi baterie prej 19 orësh. Gjithashtu karikohen 50 përqind për 20 minuta si dhe kanë një këllëf që ofron 48 orë jetëgjatësi baterie shtesë.
Syzet janë në gjashtë modele të ndryshme ngjyrash dhe formash. Ato do të shiten në SHBA, Kanada, Britani, Irlandë, Francë, Itali, Spanjë, Austri, Belgjikë, Australi, Gjermani, Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Danimarkë. Në fund të vitit do të shiten edhe në Meksikë, Indi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe./KultPlus.com
Ermal Meta hap sezonin koncertor veror me një event të veçantë në magjinë e Teatrit Antik të Butrintit, një prej thesareve të Mesdheut dhe Trashëgimi Botërore e UNESCO-s.
Turneu i titulluar “Live 2025”, nis me një skenë unike mes historisë dhe natyrës, mbrëmjen e 7 qershorit. Ermal Meta sjell një performancë unike që bashkon muzikën e tij me tregimin e historive, duke krijuar një eksperiencë të paharrueshme për publikun.
Bashkë me pianistin dhe bashkëshkrimtarin Davide Antonio Pio dhe një trio elegante harqesh, koncerti do të jetë një festë e tingujve dhe emocioneve në një vend ku historia dhe arti bashkohen.
Koncerti vjen në kuadër të Javës Kulturore Italiane dhe organizatorët premtojnë një mbrëmje që do të mbetet gjatë në zemrat e të pranishmëve. Hyrja do të jetë e lirë, por adhuruesve të muzikës së Ermal Metes do t’u duhet të bëjnë një rezervim në linkun urly.it/319y_s/atsh/KultPlus.com
Mark Zuckerberg tha se themeluesit dhe sipërmarrësit e sotëm duhet të përfitojnë nga teknologjia që ai nuk mundi kur ndërtonte Facebook dy dekada më parë.
“Nëse do të fillonit çfarëdo që po filloni 20 vjet më parë, do të duhej të kishit ndërtuar të gjitha këto gjëra të ndryshme brenda kompanisë suaj, dhe tani ka platforma të shkëlqyera për ta bërë këtë”, ka thënë CEO i Meta në një konferencë javën e kaluar.
Zuckerberg thotë se përdorimi i teknologjive si IA mund t’i ndihmojë themeluesit e sotëm “të përqendrohen në idenë kryesore” të një kompanie.
“Mendoj se kjo do të çojë në gjëra me cilësi shumë më të mirë që krijohen në të gjithë botën, sepse tani po jeni në gjendje të keni këto, si, ekipe shumë të vogla me talente që janë, si, të apasionuara pas një ideje”, tha Zuckerberg.
“Ndoshta në vitin 2025, ne në Meta, si dhe kompanitë e tjera që në thelb po punojnë në këtë, do të kemi një IA që mund të jetë në mënyrë efektive një lloj inxhinieri i nivelit të mesëm që keni në kompaninë tuaj që mund të shkruajë kod”, ka thënë ai./KultPlus.com
Në një intervistë për Vanity Fair, këngëtari Ermal Meta ka ndarë për herë të parë një histori shumë intime të jetës së tij: rrugëtimin për t’u bërë baba i dy vajzave nga një jetimore në Shqipëri, të cilat së shpejti do të jetojnë me të dhe partneren e tij, Chiara.
Ai tregon se për vite kishte frikë të bëhej baba, ngaqë kishte frikë se mos përsëriste modelin e të atit të tij. “Për vite me radhë kam menduar se nuk doja fëmijë, sepse kisha frikë se mos bëhesha si im atë. Nuk doja të riprodhoja atë model” ka thënë ai.
Por jeta kishte plane të tjera për të. Fillimisht, lidhja e tij me një shtëpi për vajza në Shqipëri nisi si pjesë e një angazhimi human. Aty njohu dy adoleshente që do t’i ndryshonin jetën përgjithmonë.
“Unë dhe Chiara, partnerja ime, për pak kohë do të kemi me vete dy vajzat tona të tjera, që deri tani kanë qenë në një jetimore në Shqipëri. I kemi njohur kur ishin 15 vjeçe, por për shkak se nuk jemi të martuar, nuk mund t’i adoptonim. Në qershor mbushin 18 vjeç dhe do të mund të vijnë të jetojnë me ne. Por, po ju them, ato janë vajzat tona prej tre vitesh. Nuk kam folur kurrë më parë për këtë…”
Për të ishte një lidhje që ndodhi natyrshëm, pa plane, pa skenarë. Ishte zemra që foli.
“Një verë, vajzat u larguan për të qëndruar me familje të tjera për disa javë. Kur ikën, unë dhe Chiara mbetëm në një heshtje totale. Bënin një zhurmë të madhe kur ishin aty, dhe papritur gjithçka u bë e heshtur. Fillova të qaj si fëmijë, nuk ndalesha dot. U mbylla në banjë sepse ndieja dhimbje”
Një nga momentet më prekëse ishte ai kur njëra prej vajzave, e cila ka një karakter të ftohtë dhe është shumë e mbyllur i dha atij një gjest të vogël, por me kuptimin më të madh.
“Njëra nga dy vajzat, ajo më e mbyllura, nuk pranonte kontakt fare. Me Chiaran ishte pak më mirë, me mua – hiç. E kuptova menjëherë çfarë traume kishte. Kur u ndamë, ajo doli nga shtëpia… dhe pastaj u kthye. E pyes: ‘Ke harruar diçka?’. ‘Jo’, tha. ‘Atëherë pse u ktheve?’. Dhe në atë moment, pa thënë asgjë, më vendosi kokën këtu (tregon gjoksin – dhe emocionohet). Aty unë u bëra babai i saj.”
Për shkak të pamundësisë ligjore për të adoptuar pa qenë të martuar, nuk mund t’i merrnin me vete menjëherë, por gjithçka ka ndryshuar. Tani vajzat janë gati të fillojnë një jetë të re me ta.
“Kemi ndjekur këshillat e murgeshës që kujdesej për to. Vajzat kanë mbaruar shkollën e mesme në Shqipëri, dhe tani që bëhen madhore, do të mund të jetojnë me ne. Nuk është statusi civil që të bën një prind të mirë – por dashuria.”
Kur partnerja e tij Chiara mbeti shtatzënë dhe lindi vajzën e tyre biologjike, Fortuna, reagimi i vajzave ishte emocional, i përzier me frikë dhe gëzim.
“Kur u thamë vajzave që Chiara ishte shtatzënë, u panë me njëra-tjetrën… Unë i sigurova menjëherë: ‘Nuk ndryshon asgjë. Do keni një motër më shumë’. Ato përpiqeshin të tregonin gëzim, por e kuptoj… në jetimore, kur vijnë çifte, vajzat më të mëdha rrinë gjithmonë në një cep, sepse e dinë që askush nuk i zgjedh. Ma kishin thënë vetë: ‘Të mëdhatë nuk i do askush’. Dhe unë iu përgjigja instinktivisht: ‘Po unë ju dua ju’.”
Sot, ndërsa përgatitet t’i presë në shtëpi, Ermal Meta ndan emocionin e këtij kapitulli të ri: “Jemi shumë të emocionuar. Nuk shohim dot më gjatë. Dhoma janë gati. Ka shumë dashuri që i pret.”/Living.al/ KultPlus.com
Komisioni Evropian ka gjobitur gjigantët e teknologjisë “Apple” dhe “Meta” për shkelje të rregullores së re digjitale të BE-së, sipas politico.eu.
“Apple” përballet me një gjobë prej 500 milionë eurosh për shkeljen e rregullave të rregullores në “App. Store”, ndërsa “Meta” me një gjobë prej 200 milionë eurosh për modelin e saj të reklamimit “paguaj ose mirato”, i cili kërkon që përdoruesit e Bashkimit Europian të paguajnë për të hyrë në versionet ad-free të Facebook dhe Instagram.
Akti i Tregjeve Digjitale (DMA) – i cili hyri në fuqi në vitin 2024 – vendos rregullat për mënyrën se si kompanitë e teknologjisë duhet të operojnë në tregun evropian.
Dy gjobat janë rezultat i hetimeve 1-vjeçare mbi aktivitetet e gjigantëve të teknologjisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përveç gjobës, kundrejt “Apple” është lëshuar një urdhër pushimi dhe ndalimi që ka të bëjë me ndryshime të mëtejshme të produktit deri në fund të qershorit.
Nëse kompania nuk respekton kushtet, Komisioni mund ta gjobisë atë për çdo ditë që është në kundërshtim me ligjin.
Aktualisht, komisioni është duke vlerësuar ndryshimet që “Meta” prezantoi në fund të vitit të kaluar – për të respektuar rregulloren.
Një zyrtar i lartë i BE-së tha se për përcaktimin e gjobave të shpallura sot – Komisioni kishte pasur parasysh se këto janë gjobat e para të lëshuara sipas aktit DMA dhe se, për “Meta”, shkelja ishte pezulluar në nëntor, vetëm disa muaj pasi Brukseli shprehu shqetësimet e tij.
Ekzekutivi i BE-së njoftoi se ka mbyllur një hetim mbi përputhshmërinë e “Apple” me rregullat e DMA-së për browsers dhe default apps (aplikacionet e paracaktuara) pas ndryshimeve që ndihmuan konkurrentët si “Mozilla” të fitonin një terren në pajisjet iOS.
“Apple” dhe Meta nuk kanë respektuar DMA-në duke zbatuar masa që përforcojnë varësinë e përdoruesve të biznesit dhe konsumatorëve nga platformat e tyre. Si rezultat, ne kemi ndërmarrë veprime të rrepta, por të ekuilibruara zbatuese kundër të dyja kompanive, bazuar në rregulla të qarta dhe të parashikueshme”, tha komisionerja e BE-së për Konkurrencën, Teresa Ribera në një deklaratë për shtyp. /atsh/ KultPlus.com
Në gjyqin për cënim të konkurrencës nga Meta, CEO Mark Zuckerberg dëshmoi duke thënë se suksesi i TikTok ishte një kërcënim për biznesin e Meta duke theksuar se aplikacioni i videove me metrazh të shkurtër ishte prioritet kryesor dhe konkurrent kërcënues kur mbërriti në 2018-ën sipas Bloomberg.
Raporti vjen pas një jave plotë dëshmi në gjyqin që Komisioni Federal Tregtar ka sjellë kundrejt gjigantit të medias sociale. Nëse juristët e FTC kanë sukses, gjyqi mund të përfundojë me ndarjen e Instagram dhe WhatsApp në dy kompani më vete.
Zuckerberg pranoi të mërkurën se mbërritja e TikTok ka prekur drejtpërdrejtë Meta duke thënë se kompania e tij vëzhgoi se rritja e saj u ngadalësuar në mënyrë dramatike kur TikTok u bë popullor.
ByteDance bleu Musical.ly në 2017-ën dhe vendosi ta shkrijë me TikTok një vit më pas. Rreth së njëjtës periudhë, Meta ndaloi së raportuar numrat e përdoruesve të Facebook në raportet e saj tre mujore./KultPlus.com
Mark Zuckerberg annuncia il cambio di nome di Facebook, che da oggi è Meta, 28 ottobre 2021.
ANSA
Kompania mëmë e Facebook, Meta, po planifikon të prezantojë funksione të fuqizuara nga inteligjenca artificiale (IA) në Evropë, sipas një deklarate të kompanisë, e cila vjen pas një vonese për shqetësimet e ngritura nga mbikëqyrësi i teknologjisë së BE-së.
”Një chatbot i fuqizuar nga IA fillimisht do të jetë i disponueshëm në gjashtë gjuhë evropiane”, tha Meta.
Përfundimisht, kompania synon të ofrojë të njëjtën gamë karakteristikash si SHBA, tha kompania në një postim në blog të mërkurën që nuk specifikoi një afat kohor.
“Duke filluar nga kjo javë, Meta IA do të fillojë të përhapet në 41 vende evropiane, duke përfshirë ato në Bashkimin Evropian, si dhe 21 territore jashtë shtetit, duke shënuar zgjerimin tonë më të madh global të Meta IA deri më sot”, theksoi kompania.
Meta IA u prezantua në SHBA në vitin 2023, por kompania u përball me një pengesë në Evropë vitin e kaluar kur rregullatori i mbrojtjes së të dhënave të Irlandës kundërshtoi që kompania të përdorte postet publike të njerëzve për të trajnuar IA-në./KultPlus.com
James Arnold Horowitz (1925 – 2015), i njohur si James Salter, shkrimtar amerikan. E braktisi karrierën ushtarake pas botimit dhe suksesit të romanit të tij të parë, The Hunters, më 1957. Përmbledhja me tregime Dusk and Other Stories është shpërblyer më 1989 me PEN/Faulkner Award; ishte përfitues i PEN USA’s 2010 Lifetime Achievement Award; më 2010 i është ndarë REA Prize për tregim të shkurtër dhe më 2012 PEN/Malamud Award
KOMETA
Nga James Salter
Filipi u martua me Adelen një ditë qeshori. Ishte ditë me re dhe frynte era. Më vonë doli dielli. Kishte një kohë që Adela ishte martuar dhe vishej me të bardha: këpucë të bardha me taka të ulëta, një fund të gjatë të bardhë të puthitur për kofshëve, një bluzë të hollë me një gjoksore të bardhë nën dhe përreth qafës një varg perlash nga ujërat e ëmbla.
Ishin martuar në shtëpinë e saj, në atë që i kishte mbetur pas ndarjes. Të gjithë miqtë e saj ishin aty. Ajo besonte fort te miqësia. Dhoma ishte e mbushur përplot.
“Unë, Adela”, tha ajo me një zë të qartë, “po të jepem ty, Fil, plotësisht si gruaja jote…”. Mbrapa saj si burri më i mirë, disi si i përhumbur, po rrinte në këmbë biri i saj dhe për mbathjeve të saj mbante të karficëzuar si diçka të huazuar një disk të vockël të argjendtë, në të vërtetë medaljen e Shën Kristoferit, që babai i saj e kishte mbajtur në luftë; e kishte vërtitur disa herë poshtë rrethit të fundit të saj që t’ua tregonte njerëzve. Pranë derës, duke lënë përshtypjen se ishte pjesë e një shëtitje nëpër kopsht, ishte një grua në moshë që mbante një qen të vogël me bishtin e një bastuni të mbërthyer për qaforës së tij.
Adela qeshi në pritje gjithë lumni, piu tepër shumë, qeshi dhe i gërvishti krahët e vet lakuriq me thonjtë e gjatë prej vajze kabareje. Burri i saj i ri e adhuronte. Do t’ia kishte lëpirë pëllëmbët siç e lëpin viçi kripën. Ajo ishte ende e re që të dukej bukur, në flakën e mbreme, megjithëse ishte tepër në moshë për të pasur fëmijë, nëse kishte ende për të thënë ndonjë gjë rreth kësaj. Vera po vinte. Tej mjegullinës së pasditës ajo do të dukej, në kostumin e saj të zi të larjes, gjymtyrët krejt të nxira, si dielli ndriçues mbrapa saj. Ajo ishte ajo figura e fortë duke ecur nëpër rërën e hollë të detit, këmbët e saj, flokët e saj të lagura nga notimi, hiri i saj, krejt e shkujdesur dhe e ngeshme.
Iu përvishen jetës bashkërisht, në të sajën kryesisht. Ishin mobiliet dhe librat e saj, megjithëse shumica ishin të palexuara. Asaj ia kishte ëndja të tregonte histori rreth DeLereos, burrit të saj të parë – Frenk, ishte emri i tij – trtashëgimtari i një perandorie të transportit të mbeturinave. Ajo e quante atë Delirium, por historitë nuk ishin jodashurore. Lojalitet – vinte nga fëmijëria e saj po aq sa nga vitet e martesës, tetë vjet të lodhshme, siç tha ajo vetë – ishte kodi. Kushtet e martesës kishin qenë të thjeshta, e pranoi ajo. Puna e saj ishte të vishej, të bënte darkën gati dhe të qihej njëherë në ditë. Njëherë në Florida kishin marrë një barkë me qira me një çift që të shkonin të peshkonin në Bimini.
“Do të hamë një darkë të mirë”, kishte thënë DeLereo hareshëm, “do të hipim në barkë dhe do të nisemi. Pasi që të zgjohemi në mëngjes do të kemi kaluar Gulf Streamin”.
Ashtu e kishin nisur, por iu kishte dalë ndryshe. Deti ishte goxha i trazuar. Nuk e kishin kaluar fare Gulf Streamin – kapiteni ishte nga Long Island dhe kishte humbur. DeLereo e kishte paguar pesëdhjetë dollarë ta kthente timonin dhe të kalonin poshtë.
“A di ti ndonjë gjë rreth barkave?”, e kishte pyetur kapiteni.
“Më shumë se ti”, ia kishte kthyer DeLereo.
Adela, e cila ishte shtrirë, me çehren e vdekjes, në kabinën e tyre, i kishte dhënë ultimatum. ‘Nxirrna në ndonjë port kudo, ose bëhu gati të flesh vetëm”, i kishte thënë ajo.
Filip Ardeti e kishte dëgjuar historinë dhe shumë të tjerë po ashtu. Ai ishte i sjellshëm dhe elegant, kokën e mbante pakëz mbrapa kur fliste, thua se tjetri para tij është meny. Ai dhe Adela ishin takuar në kursin e golfit ku ajo po mësonte të luante. Kishte qenë një ditë e lagësht dhe kursi kishte qenë pothuajse i zbrazët. Adela dhe një shoqe ishin duke filluar lojën kur një figurë tullace që bartte një çantë rrobash me pak shkopinj në të i pyeti në mund t’u bashkohej. Adela bëri një goditje të kënaqshme. Shoqja e saj e hodhi topin e saj nga ana tjetër e rrugës, pastaj e qëlloi edhe një tjetër, të cilin ai e tejkaloi. Fili, bukur i druajtur, nxori një shkop të vjetër treshe dhe e çoi topin nja dy qind metra poshtë kanalit të ujit.
Kësi tipi ishte ai, i zoti dhe i qetë. Kishte studiuar në Princeton dhe kishte qenë në flotën ushtarake detare. Dukej si dikush që ka qenë në flotë, tha Adele – këmbët e tij ishin të forta. Herën e parë që dolën bashkë, ai vërejti se ishte qesharake, ca njerëz e donin, ca të tjerë jo.
“Kur më duan, atëherë prirem ta humb interesin për ta”.
Ajo nuk kishte qenë e sigurt çka donte të thoshte kjo, por i kishte pëlqyer dukja e tij, që ishte pakëz e lodhur, sidomos përreth syve. E bëri të ndihej se ai ishte një burrë i vërtetë, megjithëse me gjasë jo burri që kishte qenë dikur. Madje ai ishte i mençur, siç e shpjegoi ajo, pak a shumë si profesor.
Të ishte i dashur prej saj ia vlente, por të ishte e dashur prej tij dukej disi sikur kishte një vlerë më të madhe. Kishte diçka rreth tij që ia humbte peshën botës. Ai dukej sikur nuk e çante kokën për veten, se ishte mbi këtë gjë.
Nuk fitonte shumë para, siç u mor vesh paskëtaj. Shkruante për një javore të biznesit. Ajo fitonte përafërsisht po aq duke shitur shtëpi. Ajo kishte nisur të shtonte pak peshë. Kjo ndodhi pak vite pasi që ishin martuar. Ajo ishte ende e bukur – fytyra e saj ishte – por e kishte adoptuar një skemë më të rehatshme. Futej në shtrat me një gotë pijeje, ashtu siç kishte bërë kur kishte qenë njëzet e pesë vjeçe. Fil, me një xhaketë sportive mbi pizhama, ulej të lexonte. Nganjëherë ai ecte së në livadhin e tyre në mëngjes.
Ajo e gjerbi pijen e saj dhe e shikoi atë.
“A e di një gjë?”.
“Çka?”.
“Kam pasur seks të mirë që nga mosha pesëmbëdhjetë vjeçe”, tha ajo.
Ai i ngriti sytë.
“Unë nuk ia kam filluar aq i ri”, e pranoi ai.
“Mbase duhej ta kishe bërë”.
“Këshillë e mirë. Pak vonë, megjithatë”.
“A e mban mend kur filluam së pari?”.
“E mbaj mend”.
“S’kishim të ndalur”, tha ajo. “E mban mend?”.
“Pak a shumë”.
“Oh, po si”, tha ajo.
Pasi që ai shkoi të flinte, ajo e shikoi një film. Yjet plaken po ashtu dhe kanë probleme dashurie. Ishte ndryshe, megjithatë – ata tashmë kanë marrë shpërblime të majme. Shikoi, duke u menduar. Mendoi për atë që kishte qenë, çka kishte pasur. Mund të kishte qenë yll.
Çka dinte Fili – ai po flinte.
Erdhi vjeshta. Një mbrëmjeje ishin te Morrisejt – Morrisej ishte nj avokat i gjatë, ekzekutuesi i shumë pronave dhe trusteve të të tjerëve. Leximi i trashëgimive kishte qenë edukimi i tij i vërtetë, një shikim në zemrën njerëzore, tha ai.
Në tavolinën e darkës ishte një burrë nga Çikago, i cili kishte bërë pasuri me kompjuterë, një kokëbosh siç u duk sheshit së shpejti, i cili gjatë ngrënies ngriti një dolli,
“Për fundin e privatësisë dhe jetës së dinjitetshme”, tha ai.
Ai ishte me një grua të lodhur nga jeta, e cila së fundmi kishte marrë vesh se burri i saj kishte qenë duke pasur një aferë dashurie me një grua zezake në Klivelend, një aferë prej tashmë shtatë vjetësh. Madje mund të kishin pasur edhe fëmijë.
“Mund ta shohësh pse ardhja këtu është si një thithje e ajrit të pastër për mua”, tha ajo.
Gruaja ishte simpatike. Ata e dinin çfarë do të bënte ajo – do t’i rimendonte një e nga një të shtatë vjetët e kaluara.
“S’prish punë”, u pajtua shoku i saj.
“Po çka paska këtu për t’u rimenduar?’, deshi të dinte Fili.
Iu përgjigjen me rrëmbim. Mashtrimi, thanë ata, mashtrimi – ajo ka qenë e mashtruar gjithë kohës. Adela ndërkohë po i hidhte vetes më shumë verë. Shpargri i saj mbulonte vendin ku tashmë kishte derdhur një gotë.
“Por ajo kohë është kaluar në lumturi, apo jo?”, pyeti Fili pa asfarë dredhie. “Është jetuar. Nuk mund të ndryshohet. Nuk mund të kthehet thjesht në fatkeqësi”.
“Ajo grua ma vodhi tim shoq. Ajo m’i vodhi të gjitha ato për të cilat ishim zotuar”.
“Më fal mua”, tha Fili butësisht. “Kjo gjë ndodh për çdo ditë”.
Pati një britmë si të kishte dalë nga një kor, kokat u anuan përpara si patat e egra duke gugatur. Veç Adela rrinte e heshtur.
“Çdo ditë”, përsëriti ai, zëri i tij u mbyt, zëri i arsyes, ose tekembramja i faktit.
“Unë s’e kam vjedhur burrin e askujt”, tha pastaj Adela. “Kurrë”. Fytyra e saj kishte një ton rraskapitjeje kur është e dehur, një rraskapitjeje që ka përgjigje për gjithçka. “Dhe s’e kam shkelur kurrrë asnjë zotim”.
“Smendoj se do të doje ta bëje këtë”, tha Fili.
“Kurrë s’kam ndier diçka për dikë njëzet vjet më të vjetër”.
Po fliste për tutoren, vajzën që kishte ardhur në atë kohë, me rininë që i digjej nën teshat e saj.
“Jo, nuk e ke bërë”.
“Ai e ka lënë gruan e tij”, iu tha Adela atyre.
Ra heshtja.
Ajo pak buzëqeshje që kishte pasur Fili i iku, por fytyra e tij ishte ende e lezetshme.
“Unë s’e kam lënë gruan time”, tha qetësisht. “Ajo më përzuri”.
“Ai e ka lënë gruan dhe fëmijët”, tha Adela.
“Nuk i kam braktisur. Sidoqoftë, kishte marrë fund mes nesh. Kishte më shumë se një vit që kishte marrë fund”. E tha këtë qetësisht, pothuajse sikur t’i kishte ndodhur dikujt tjetër. “Ajo ishte tutorja e birit tim”, shpjegoi ai. “Rashë në dashuri me të”.
“Dhe patët ndonjë gje me të?”, hodhi fjalën Morrisej.
“Oh, po”.
Është dashuri kur ti e humb fuqinë e fjalës, kur madje as nuk mund të marrësh frymë. “Brenda dy a tri ditësh”, rrëfeu ai.
“Aty në shtëpi?”.
Fili e luajti kokën. Pati një ndjenjë të çuditshme të pashpresë. Po e lëshonte veten.
“Nuk kam bërë asgjë në shtëpi”.
“E ka lënë gruan dhe fëmijët”, përsëriti Adela.
“Ti e di këtë”, tha Fili.
“Ti u largove prej tyre. Kanë qenë të martuar prej pesëmbëdhjetë vjetësh, qëkur ky ishte nëntëmbëdhjetë vjeç”.
“S’kemi qenë të martuar për pesëmbëdhjetë vjet”.
“I kanë tre fëmijë”, tha ajo, “njëri prej tyre me aftësi të kufizuara”.
Diçka kishte ndodhur – ai po e humbiste fjalën, mund ta ndiente këtë në gjoksin e tij si një lloj neverie. Thua se po nxirrte jashtë një porcion të kaluare intime.
“Nuk ishte me aftësi të kufizuara”, ia doli të thoshte. “Ai kishte… telashe të mësonte të lexonte, kjo është e gjitha”.
Në atë çast iu shfaq një imazh therës i vetes së tij dhe birit të tij i viteve të hershme. Një pasdite kishin shkuar drejt liqenëzit së një shoku dhe ishin hedhur në të, vetëm ata dy. Ishte verë. Biri i tij ishte gjashtë a shtatë vjeç. Ishte një shtresë uji të nxehtë në thellësi, mbi ujin e ftohtë dhe blertësinë e shpëlarë të bretkocave dhe barishteve. Notuan deri në anën tjetër, pastaj u kthyen mbrapa, koka e bardhë dhe fytyra në ankth e djalit të tij mbi sipërfaqen e ujit si ajo e një qeni. Vite kënaqësie.
“Tregojua pjesën tjetër”, tha Adela.
“S’ka pjesë tjetër”.
“Më vonë u mor vesh se tutorja ishte një lloj striptezereje. E gjeti në shtrat me një djalë tjetër”.
“A ka ndodhur kështu?”, pyeti Morrisej.
Po luhatej mbi tavolinë, me mjekrën në duar. Ju mendoni se e njihni dikë, e mendoni këtë ngase keni ngrënë një darkë me të ose keni luajtur me letra, por në të vërtetë s’e njihni. Gjithmonë del diçka. S’dini asgjë.
“S’kishte rëndësi”, murmuriti Fili.
“Ishte aq budalla se prapëseprapë u martua me të”, vazhdoi Adela. “Ajo shkoi në Meksiko Siti ku ky punon dhe u martua me të”.
“Ti nuk kupon asgjë, Adelë”, tha ai.
Deshi të thoshte më shumë gjë, por nuk mundi. Ishte si të kishte mbetur pa frymë.
“A flet ende me të?”, pyeti Morrisej shkujdesshëm.
“Po, mbi trupin tim të vdekur”, tha Adela.
Askush prej tyre nuk mund ta dinte, asnjë prej tyre nuk mund ta përfytyronte Meksiko Sitin dhe vitin e parë të pabesueshëm, duke vozitur përgjatë brigjeve gjatë vikendeve, përmes Kuernavakës, këmbët e saj të zhveshura me diellin të prehur mbi to, krahët e saj, trallisjen dhe nënshtrimin që ndiente me të si para një fotografie të ndaluar, si para një vepre arti që të rrëmben. Dy vjet në Meksiko Siti që e kishin bërë ta harronte mjerimin ku kishte qenë. Ishte ndjesia e devotshmërisë ajo që ia kishte mundësuar këtë. Mund ta shihte qafën e saj të anohej përpara me zverkun e saj të hollë. Mund ta shquante shenjën e zbehtë të eshtrave si perla që lëshohen teposhtë shëpinës së saj të lëmuar. Mund ta shihte veten, veten e tij të dikushëm.
“Flas me të”, e pranoi ai.
“Po gruaja jote e parë?”.
“Flas me të. I kemi tre fëmijë”.
“E ka lënë atë”, tha Adela. “Kazanova, dora vetë”.
“Disa gra kanë mendje polici”, tha Fili pa iu drejtuar askujt në veçanti. “Kjo është e drejtë, kjo është e gabuar. Epo, sidoqoftë…”.
U ngrit në këmbë. kishte bërë gjithçka gabim, e kuptoi, në radhën e gabuar. E kishte mjeruar jetën e vet.
“Sidoqoftë, ka një gjë që mund ta them çiltërsisht. Do ta bëja këtë prapë po të më jepej rasti”.
Pasi që doli jashtë, ata vazhduan të flisnin. Gruaja burri i së cilës kishte qenë i pabesë për shtatë vjet e dinte si ishte kjo punë.
“Ai pretendon se s’ka çfarë të bëjë”, tha ajo. “Më ka ndodhur e njëjta gjë. Njëherë po shkoja te Bergdorfi dhe pashë një pallto të hirtë në dritare, e cila më pëlqente, hyra brenda dhe e bleva. Pastaj një çikëz më vonë, në një vend tjetër, e pashë një tjetër që ishte më e mirë se ajo e para, mendoja, kështu që e bleva edhe atë. Sidoqoftë, në fund kisha katër pallto të hirta të varura në dollapin tim – thjesht nuk kisha mundur t’i kontrolloja dëshirat e mia”.
Jashtë, qielli, kubeja më e lartë e tij, ishte dendur nga retë dhe yjet ishin të turbullta. Adela më në fund e gjeti ku ishte, andej tej thellë në terr. Ajo eci me hapa të pavendosur drejt tij. Koka e tij, e vuri re, ishte ngritur lart. U ndal pak jardë andej dhe e ngriti kokën edhe ajo. Qielli nisi të sillet vërdallë. Bëri një hap të papritur që të gjente drejtpeshimin.
“Çka po shikon?”, pyeti në fund.
Ai nuk i ktheu përgjigje. Nuk e kishte ndërmend t’i përgjigjej. Pastaj,
“Kometën”, tha ai. “Ka qenë në gazeta. Kjo është nata kur supozohet të shihet më së qarti”.
Ra heshtja.
“Nuk po shoh asnjë kometë”, tha ajo.
“Nuk po e sheh?”.
“Ku është?”.
“Është atje lart”, bëri me gjeste. “Nuk duket si ndonjë gjë e caktuar, thjesht si çdo yll i vogël. Është ajo atje, te Plejada”. Ai i njihte të gjitha konstelacionet. I kishte parë të nxjerrin kokën në errësirë, mbi kodrat frymëzënëse.
“Lëre ore, mund ta shohësh nesër”, tha ajo, pothuajse ngushëllueshëm, sado që nuk iu avit atij fare.
“S’do të jetë aty nesër. Veç njëherë”.
“Ku e di ti se ku do të jetë”, pyeti ajo. “Hajde, është vonë, ikim nga këtu”.
Ai nuk lëvizi vendit. Pas pakëz ajo eci drejt shtëpisë ku, në mënyrë ekstravagante, çdo dritë lart e poshtë ishte e ndezur. Ai mbeti aty ku ishte, duke shikuar lart në qiell dhe pastaj atë derisa bëhej gjithnjë e më e vogël duke shkuar përmes livadhit, duke arritur së pari aurën, pastaj ndriçimin dhe në fund duke zënë në thua në shkallet e kuzhinës.
/Marrë nga James Salter: ‘Collected Stories”, Picador, 2014/GazetaExpress/ KultPlus.com
Shkrimtarja shqiptare Anita Likmeta është vlerësuar me çmimin “Giuseppe Dessì” për romanin e saj “Fabulat e komunizmit”, çmim që i është në edicionin e 39-të të këtij vlerësimi letrar në Itali.
Për këtë arritje ka njoftuar edhe Anita Likmeta e cila është shprehë të jetë e lumtur për këtë vlerësim./ KultPlus.com