Normal view

Ilir Meta në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë, arresti në burg sfidohet me rekurs

17 January 2025 at 17:06

Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, e zhvendosi në Gjykatën e Lartë betejën e tij gjyqësore për të fituar lirinë e humbur më 21 tetor. Përmes avokatit, Genci Gjokutaj, Meta depozitoi një rekurs kundër vendimit të 19 nëntorit 2024 të Apelit të Posaçme, që konfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg” të dhënë më herët ndaj tij.

Avokati Gjokutaj tha se i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të shfuqizojë masën e dhënë nga dy shkallët më të ulëta, me pretendimin se ish-presidenti i Republikës po mbahet në paraburgim pa asnjë provë.

“I kemi paraqitur të gjitha argumentet, që nga ndalimi kriminal që i është bërë. Pastaj për secilin episod, si për lobimin në SHBA, kemi sqaruar deklarimin e pasurisë të z. Meta, që e ka bërë atë nominalisht, si person. Pastaj edhe për CEZ DIA, çështje e bazuar në kallëzues të rremë, dëshmitarë të rremë dhe mbi prova të marra në kundërshtim me ligjin.”

Sipas avokatit, mes argumenteve për lirimin e Metës ishte listuar edhe nevoja për të qenë pjesëmarrës në fushatën elektorale të para 11majit.

“Ai nuk ka asnjë kusht dhe asnjë kriter për të qenë në ‘arrest në burg’, në kushtet e liderit të dytë të opozitës dhe në prag të zgjedhjeve të përgjithshme.”

Gjokutaj tha se Gjykata e Lartë duhet të tregojë integritet, që sipas tij nuk e ka treguar deri më sot dhe se pas shterimit të gjykatave të brendshme, nëse është e nevojshme do të trokasin edhe në Strasburg.

Ish-presidenti i Republikës po hetohet nga SPAK për veprën penale të “korrupsionit të funksionarëve të lartë shtetërorë”, “pastrimit të parave” dhe “fshehjes e mosdeklarimit të pasurisë”.

The post Ilir Meta në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë, arresti në burg sfidohet me rekurs appeared first on Sot News | Lajme.

Vrau 81-vjeçarin Xhemal Meta pasi pretendonte se i ngacmonte gruan, gjykata merr vendimin për autorin Isuf Hasa

17 January 2025 at 11:12

Gjykata ka lënë në burg, Isuf Hasën, autorin i cili vrau me çekiç 81-vjeçarin Xhemal Meta me pretendimin se i ngacmonte gruan. Ngjarja ndodhi më 13 janar, ku fillimisht u raportua se i moshuari u gjet i pajetë, por më pas policia zbardhi ngjarjen duke thënë se bëhej fjalë për vrasje.

Në dëshminë e tij para autoriteteve autori Hasa u shpreh se shkak i vrasjes ka qenë pasi viktima i ngacmonte gruan. Hasa tregon se ai punonte roje nate dhe kishte raste që nuk shkonte për disa netë në shtëpi. Sipas tij, Xhemali e merrte në telefon dhe i thoshte që ‘si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas tënde’. Ai tregon se nuk e ka duruar dot më, duke kryer edhe vrasjen.

“Më 13 janar shkova në mëngjes në shtëpinë e Xhemalit dhe konsumuam kafe. Pasi mbaruam, do të shkonim në lokalin e fshatit. Në oborrin e shtëpisë së tij pashë çekiçin dhe e mora e qëllova nga pas. E qëllova pasi kishte shumë kohë që më ofendonte. Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan. Unë punoj roje nate në Dajt dhe kishte raste nuk shkoja disa netë në shtëpi. Xhemali më merrte në telefon dhe më thoshte që si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas tënde. Kisha kohë që nuk po e duroja dot. Pasi e vrava i mora lekët. E dija që kishte lekë sepse m’i kishte treguar po ai vetë. Më pas kam shkuar tek stacioni elektrik dhe deri në Tiranë kam zbritur me një makinë të tyre. Më pas shkova tek shtëpia e vajzës në Vorë ku fsheha çekiçin”, tregoi 64-vjeçari Hasa.

The post Vrau 81-vjeçarin Xhemal Meta pasi pretendonte se i ngacmonte gruan, gjykata merr vendimin për autorin Isuf Hasa appeared first on Sot News | Lajme.

❌