Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdaySot News | Lajme

‘O3-pro’, OpenAI lançon modelin më të fuqishëm

11 June 2025 at 21:16

OpenAI ka lançuar modelin “o3-pro”, një model inteligjence artificiale që kompania e përshkruan si më të fuqishmin deri më tani.

O3-pro është një version i o3 nga OpenAI, një model i aftër për të arsyetur që kompania e prezantoi më herët këtë vit.

Në dallim nga modelet tradicionale të inteligjencës artificiale, modelet e arsyetimit punojnë përmes problemeve hap pas hapi, duke i mundësuar atyre të performojnë më me besueshmëri në fusha si fizika, matematika dhe programimi.

O3-pro është në dispozicion për përdoruesit e ChatGPT Pro dhe Team duke filluar nga e marta, duke zëvendësuar modelin “o1-pro”. Përdoruesit Enterprise dhe Edu do të kenë qasje javën pasuese, thotë OpenAI.

Sipas OpenAI, “o3-pro” shkëlqen në matematikë, shkencë dhe programim, siç është treguar në vlerësimet akademike.

 

 

 

The post ‘O3-pro’, OpenAI lançon modelin më të fuqishëm appeared first on Sot News | Lajme.

Aplikacioni kinez ‘DeepSeek’ trazon garën për inteligjencën artificiale, sfidon ‘OpenAI’

1 February 2025 at 21:11

Një kompani e vogël kineze trazoi këtë javë mbarë sektorin e teknologjisë me njoftimin se ka prodhuar një sistem cilësor të inteligjencës artificiale me më pak fuqi kompjuterike dhe kosto shumë më të ulët se ajo e kompanive të mëdha amerikane.

Deri më tani, kompanitë e mëdha amerikane kanë udhëhequr në garën globale për krijimin e sistemit më të avancuar të inteligjencës artificiale. Ato mbështeten tek qendrat gjigante të të dhënave dhe mikroqarqet më të fundit. Dhe ata thonë se kanë nevojë për më shumë para – për të paguar për më shumë energji dhe mikroqarqe më të fuqishëm.

Tani hyn në skenë kompania DeepSeek. Kompania e re kineze ka krijuar një sistem të inteligjencës artificiale që përputhet me rezultatet e atyre të prodhuara në Shtetet e Bashkuara.

Por DeepSeek thotë se krahasuar me kompanitë amerikane, ajo shpenzoi shumë më pak para dhe përdori më pak fuqi kompjuterike për të prodhuar sistemin e saj.

Pasojat e këtij njoftimi u ndjenë nga të gjitha kompanitë amerikane të teknologjisë. Aplikacioni i kompanisë kineze DeepSeek u ngjit në vendin e parë në klasifikimin e aplikacioneve të kompanisë Apple. Çmimet e aksioneve të firmave të teknologjisë amerikane ranë. Dhe kjo u vu re edhe në Uashington, ndërsa Shtetet e Bashkuara gjenden në një garë të ashpër me Kinën për inteligjencën artificiale.

“Prezantimi i inteligjencës artificiale nga kompania kineze DeepSeek duhet të jetë një thirrje alarmi për industritë tona, se duhet të jemi të përqendruar maksimalisht për të konkurruar për të fituar”, tha Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kontrolle të ashpra të eksportit për të ndaluar hyrjen në Kinë të mikroqarqeve të nivelit më të lartë. Kompania DeepSeek pretendon se puna në kushtet e kufizimeve, e ndihmoi të gjente zgjidhje më të lira.

“Është një risi me kosto të ulët dhe kursimtare, që është shumë më e shpejtë dhe shumë më pak e kushtueshme. Si e tillë, ka potencialin për të zënë vend shumë më gjerë”, thotë profesori Olaf Groth, nga Universiteti i Kalifornisë në Berkeley.

Arritja e kompanisë kineze DeepSeek u ndje ndër kompanitë amerikane të teknologjisë edhe në një aspekt tjetër – fakti që mbështetet në teknologjinë me burim të hapur, e cila shpërndahet dhe përdoret nga programuesit nëpër firma dhe vende të ndryshme.

Kjo është një përqasje e ndryshme nga ajo e kompanive të mëdha të inteligjencës artificiale, siç është OpenAI, Microsoft dhe Google, të cilat e mbajnë sekret punën e tyre.

Por dy vite më parë, Meta, kompania mëmë e platformës Facebook, publikoi kodin për programin e saj për inteligjencën artificiale, Llama, në mënyrë që të përdoret edhe nga palë të tjera.

Kompania kineze DeepSeek përdori programin Llama për të trajnuar modelet e saj të inteligjencës artificiale dhe më pas e bëri të disponueshme teknologjinë e saj për komunitetin që punon me materialet me burime të hapura.

“Komuniteti që punon me burimet e hapura beson me forcë se burimi i hapur është një mënyrë shumë e nevojshme, sepse demokratizon, si të thuash, krijimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale me kosto më të ulëta”, thotë profesori Groth.

Disa vëzhgues thonë se futja në garë e kompanisë kineze DeepSeek vë në pikëpyetje efektivitetin e politikave të deritanishme amerikane për inteligjencën artificiale. Presidenti Donald Trump ka thënë se do ta bëjë inteligjencën artificiale një përparësi./VOA

The post Aplikacioni kinez ‘DeepSeek’ trazon garën për inteligjencën artificiale, sfidon ‘OpenAI’ appeared first on Sot News | Lajme.

❌
❌