Normal view

Asnjë bazë për amnistinë e premtuar nga Forumi i Davosit për vrasjen e Trump

3 February 2025 at 11:37

Pretendimi: Forumi Ekonomik Botëror ka premtuar të falë këdo që do t’ja dalë të vrasë presidentin amerikan Donald Trump

Verdikti: E paprovuar

————————————————————————-

Lajmi i pazakontë se Forumi Ekonomik Botëror (wEF) ka premtuar se do të falë këdo që do të arrijë të vrasë presidentin amerikan Donald Trump po qarkullon në rrjet pas zhvillimit të forumit në Davos të Zvicrës. 

Postimi duket se i referohet një artikulli të botuar më 27 janar në portalin amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch

Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.

Sipas artikullit të The People’s Voice, kreu i WEF “Schwab premton të falë këdo që do të vrasë me sukses Trump, sapo globalistët të marrin kontrollin e Shteteve të Bashkuara.”

Si zakonisht, artikulli nuk ofron asnjë lloj prove për këtë pretendim të pazakontë, por vetëm citon një “njeri të brendshëm të WEF

Eshtë e paqartë se si Forumi Ekonomik Botëror mund të ofrojë amnisti për dikë që mund të organizojë një vrasje kaq e rëndësishme duke qënë se është vetëm një organizatë joqeveritare. I themeluar në 1971, WEF e përshkruan veten si një fondacion dhe grup mendimi, që ka si mision “përmirësimin e gjendjes së botës duke angazhuar liderë të biznesit, politikë, akademikë dhe të tjerë të shoqërisë për të formësuar axhendat globale, rajonale dhe të industrisë”. 

Fondacioni është më së shumti i njohur për takimin e tij vjetor në fund të janarit në Davos, një vendpushim malor në rajonin lindor të Alpeve të Zvicrës. Takimi mbledh së bashku rreth 3,000 anëtarë që paguajnë kuotën e anëtarësisë dhe pjesëmarrës të përzgjedhur – mes të cilëve janë investitorë, udhëheqës biznesi, udhëheqës politikë, ekonomistë, njerëz të famshëm dhe gazetarë.

Në të njejtën mënyrë, duke mos ofruar asnjë provë apo burim veçse “njerëzve të brendshëm” anonimë, The People’s Voice ka botuar një numër artikujsh me pretendime të pazakonta përfshi pretendimin se WEF ka udhëzuar liderët botërore të vendosin ligje të “Moshës së Vdekjes”, WEF po përpiqet të vrasë politikanin rumun Calin Georgescu, dhe se presidenti rus Vladimir Putin ka ekspozuar shpërblimin prej 45 miliardë dollarësh nga WEF për kokën e Donald Trump.

The post Asnjë bazë për amnistinë e premtuar nga Forumi i Davosit për vrasjen e Trump appeared first on Faktoje.al.

Forumi Ekonomik Botëror nuk rekomandoi kontrollin e jetës për të moshuarit

17 December 2024 at 13:40

Pretendimi: Forumi Ekonomik Botëror (WEF) ka udhëzuar liderët botërore të vendosin ligje të “Moshës së Vdekjes”

Verdikti: E paprovuar

—————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi i jashtëzakonshëm se Forumi Ekonomik Botëror (WEF) ka udhëzuar qeveritë botërore që të vendosin ligjet e “Moshës së Vdekjes”. Sipas këtij pretendimi, qeveritë do të përcaktojnë nëse qytetarët e tyre të moshuar mund të jetojnë apo jo pas një moshe të caktuar duke lehtësuar kostot e shoqërive për mbajtjen e tyre.  

Postimi i mësipërm duket se i referohet një artikulli të portalit amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch

Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.

Duke mos ofruar asnjë provë, artikulli përshkruan një komplot të supozuar për të kontrolluar se sa gjatë mund të jetojnë njerëzit. Ai nuk shpjegon se si e di se çfarë po “planifikohej pas dyerve të mbyllura”.

Nuk ka asnjë provë që WEF ka bërë një propozim të tillë. Një kërkim në faqen e internetit të WEF me termat “Mosha e vdekjes” nuk dha ndonjë rezultat.

Në fakt, më 8 shkurt 2024, WEF propozoi gjashtë parime për të “ndihmuar një popullsi të plakur të jetojë mirë”. Këto parime kanë për synim të nxisin politika që përmirësojnë jetesën e të moshuarëve për shkak të rritjes së jetëgjatësisë në botë dhe jo të caktojnë ndonjë kufi jetese të kontrolluar nga qeveritë. 

The post Forumi Ekonomik Botëror nuk rekomandoi kontrollin e jetës për të moshuarit appeared first on Faktoje.al.

❌