FIFA dënon Serbinë/ Federata Serbe e Futbollit dënohet me 50 mijë franga zvicerane
Federata Serbe e Futbollit u ndëshkua nga FIFA me gjobë financiare dhe mbyllje të pjesshme të tribunave të stadiumit për ndeshjen e radhës. Dënimi është 50 000 franga zvicerane dhe mbyllje e 15 për qind të stadiumit për sfidën kundër Anglisë, që do të luhet në Beograd në 9 shtator, që do të thotë se kombëtares serbe do t’i mungojnë më shumë se 8 000 tifozë në këtë përballje.
Dënimi nga ana e FIFA-s për Serbinë erdhi pas sjelljes së gabuar të tifozëve në duelin ndaj Andorrës të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror, në 10 qershor. Federata Serbe paralajmëroi tifozët që të sillen mirë ndaj Anglisë, ndryshe mund të ndodhë që sfida kundër Shqipërisë në Beograd në 11 tetor mund të luhet edhe pa tifozë fare.
Më parë, edhe Shqipëria u dënua me 161 500 franga zvicerane gjobë dhe me mbyllje të 20 për qind të kapacitetit të stadiumit për ndeshjen ndaj Letonisë./abcnews.al