Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 2 January 2026Abc News

Zbardhet Librazhdi, dëbora vështirëson qarkullimin e automjeteve

2 January 2026 at 12:54

Reshjet e dëborës të rëna gjatë orëve të fundit në Librazhd kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve, si në akset rrugore që lidhin zonat përreth, ashtu edhe në qendër të qytetit.
Shërbimet ndodhen në terren për pastrimin e rrugëve dhe shpërndarjen e kripës, me qëllim normalizimin e situatës dhe garantimin e sigurisë për qytetarët.

Sakaq, reshjet e dëborës kanë zbardhur Pogradecin, Korçën dhe Shkodrën, ku ekipet përkatëse ndodhen në terren për të lehtësuar qarkullimin.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.  / abcnews.al /

Eksploziv në Shkodër, zbardhet ngjarja/ Reagon Proda: Rezultat i punës serioze dhe profesionale!

2 January 2026 at 12:33

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, përgëzon strukturat hetimore të DVP Shkodër për zbardhjen e vrasjes me lëndë eksplozive të komanduar në distancë dhe për bashkëpunimin dhe koordinimin mjaft efikas me Prokurorinë e Shkodrës.

“Falënderoj dhe përgëzoj publikisht Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, strukturat hetimore dhe të gjitha forcat e angazhuara, si dhe Prokurorinë, për bashkëpunimin e ngushtë dhe profesional që çoi në zbardhjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale, të kryer me përdorimin e lëndës eksplozive të komanduar në distancë.

Ky është një nga rastet ku pasqyrohet puna serioze dhe profesionale, e koordinuar dhe këmbëngulëse e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të plotë me organin e akuzës.

Këto rezultate dekurajojnë veprimtarinë kriminale dhe forcojnë më tej besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit, e cila do të vijojë të jetë e vendosur në misionin e saj për garantimin e rendit, sigurisë, jetës, dhe pronës së qytetarëve.”, tha Proda. / abcnews.al /

Rama ndan pamjet: Hidhet shtresa e parë asfaltike! Lura magjike, së shpejti e arritshme përmes rrugës së re!

2 January 2026 at 12:23

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se Lura magjike do të jetë së shpejti e arritshme falë rrugës së re turistike. Ai bëri të ditur se është hedhur shtresa e parë asfaltike në segmentin Peshkopi – Lurë, ndërsa puna po vijon edhe në segmentin Lurë – Rrëshen.

Ky investim do të lehtësojë ndjeshëm aksesin dhe do të japë një shtysë të rëndësishme për zhvillimin e turizmit në zonë.

Zbardhet Korça, prezencë akulli në rrugë/ Policia apel qytetarëve: Përdorni zinxhirë!

2 January 2026 at 12:12

Policia e Elbasanit ka njoftuar qytetarët që planifikojnë të lëvizin në drejtim të Korçës apo Qafë Thanës të tregohen shumë të kujdesshëm, për shkak të prezencës së akullit në rrugë, i cili rrit ndjeshëm rrezikun e aksidenteve.

Autoritetet apelojnë që të minimizohen lëvizjet drejt zonave malore ku ka akull, me qëllim shmangien e incidenteve të mundshme. Po ashtu, drejtuesit e automjeteve këshillohen të jenë të pajisur me zinxhirë dhe mjete të tjera ndihmëse për qarkullim në kushte dimërore.

Policia u bën thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të ulin shpejtësinë dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për një udhëtim sa më të sigurt.

 

Nis dëbora në Pogradec, qarkullimi vijon normalisht

2 January 2026 at 12:11

Reshjet e dëborës kanë nisur në zonën e Qafë Thanës, në Pogradec. Sipas informacioneve, dëbora është e pranishme kryesisht në majën e qafës, me intensitet të ulët deri në mesatar, ndërsa temperaturat kanë zbritur në vlera negative.

Autoritetet bëjnë me dije se kontraktorët e mirëmbajtjes pritet të ndërhyjnë me kriposjen e rrugës për të shmangur formimin e ngricave dhe rrëshqitjet e automjeteve. Deri në këto momente nuk raportohen bllokime apo vështirësi në qarkullim.

Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë aks, të ulin shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, veçanërisht për shkak të kushteve dimërore.  / abcnews.al/

Maduro: Venezuela e hapur për bisedime me SHBA-të për trafikun e drogës dhe naftën

2 January 2026 at 11:42

Udhëheqësi venezuelan Nicolás Maduro tha të enjten në 2 janar 2026 se ishte i hapur për bisedime me SHBA-në mbi trafikimin e drogës dhe naftën, pas javësh presioni në rritje ndaj qeverisë së tij. Në një intervistë për televizionin shtetëror venezuelan, Maduro tha se ishte gati për dialog me SHBA-në “ku të duan dhe kur të duan”.

Ai gjithashtu shmangu një pyetje mbi një deklaratë të presidentit Donald Trump, sipas të cilit SHBA-të kishte goditur një zonë dokimi në Venezuelë, sulmi i parë i tillë brenda vendit, i cili dyshohet të jetë kryer nga CIA.

Forcat amerikane kanë goditur anije që dyshohen për kontrabandë droge nëpër Karaibe dhe Paqësorin lindor gjatë tre muajve të fundit. Në total, ka pasur mbi 30 sulme ndaj anijeve, si pjesë e “luftës kundër drogës” të administratës Trump, ku janë vrarë mbi 110 persona që nga sulmi i parë në ujëra ndërkombëtare më 2 shtator.

Sulmi më i fundit ndodhi të mërkurën, kur dy anije që dyshohet se transportonin drogë u goditën, duke vrarë pesë persona në bord, sipas ushtrisë amerikane. Të hënën, Trump tha se SHBA-të kishin kryer një sulm në një “zonë dokimi” të lidhur me anijet e dyshuara venezuelane për drogë, duke shkaktuar një eksplozion të madh. Eksplozioni u shkaktua nga një sulm me dron i kryer nga CIA, sipas CNN dhe New York Times, që cituan burime të afërta me çështjen. Nëse konfirmohet, ky do të ishte operacioni i parë i njohur i SHBA-ve brenda Venezuelës.

Përveç trafikimit të drogës, Maduro tha se ishte i hapur për bisedime edhe mbi naftën dhe migracionin. Në muajt e fundit, Trump është fokusuar në luftën kundër hyrjes së drogës, veçanërisht fentanylit dhe kokainës, në SHBA. Presidenti amerikan gjithashtu ka dyfishuar shpërblimin për informacion që çon në kapjen e Maduros dhe ka njoftuar se do të konsiderojë qeverinë e tij si një Organizatë të Huaj Terroriste (FTO).

Maduro ka mohuar fuqishëm se është udhëheqës kartele dhe ka akuzuar SHBA-të se po përdor “luftën kundër drogës” si justifikim për ta rrëzuar dhe për të marrë rezervat e mëdha të naftës së Venezuelës. Ekspertët e kundër-narkotikëve thonë se Venezuela është një lojtar relativisht i vogël në trafikimin global të drogës, duke vepruar kryesisht si një vend transit për drogën e prodhuar në vende të tjera.

Fqinji i saj, Kolumbia, është prodhuesi më i madh i kokainës në botë, por shumica besohet të hyjnë në SHBA përmes rrugëve të tjera, jo përmes Venezuelës. Pa dhënë prova, Trump ka akuzuar Maduron se po zbraz burgjet dhe azilet “e çmendura” dhe po i detyron të burgosurit të migrojnë drejt SHBA-ve. Afro tetë milionë venezuelanë besohet se kanë ikur nga kriza ekonomike dhe shtypja që nga viti 2013, disa prej tyre drejt SHBA-ve.

SHBA-të gjithashtu kanë shtuar kontrollet mbi tankerët e naftës të ndaluar që hyjnë dhe dalin nga Venezuela. Forcat amerikane konfiskuan një tanker nafte pranë Venezuelës më 10 dhjetor, duke thënë se ishte “përdorur për të transportuar naftë të ndaluar nga Venezuela dhe Irani”. Venezuela e përshkroi këtë si një akt “piraterie ndërkombëtare”.

Që atëherë, SHBA-të ka konfiskuar një tjetër tanker nafte dhe ka ndjekur një të tretë. Administrata Trump ka prezantuar operacionet e saj kundër anijeve të dyshuara për drogë si një konflikt i armatosur jo-nacional kundër trafikantëve të dyshuar, por ekspertët ligjorë thonë se ato mund të shkelin ligjet që rregullojnë një konflikt të tillë. SHBA-të nuk ka dhënë prova që anijet e goditura po transportonin drogë.

Ngrica në Rrugën e Kombit / Rrëshqet minibusi, lëndohet shoferi dhe disa pasagjerë

2 January 2026 at 11:38

11 automjete janë përfshirë në dy aksidente në Rrugën e Kombit. Aksidenti I parë ka ndodhur rreth orës 9 të mëngjesit, ku një autobus I vogël udhëtarësh ka humbur drejtimin, dhe për pasojë është përmbysur në mes të autostradës në afërsi të Rrëshenit. Nga ky aksident dëmtime ka marrë shofëri I mini autobusit, por edhe disa pasagjër. Është dashur që frocat e policisë dhe zjarrfikëse të cajnë xhamin e parë të autobusit për të nxjerrë jashtë personat. Fatmirësisht asnjë prej tyre nuk ka pasuar dëmtime serioze që mund tju rrezikojnë jetën.

Ndërkohë pak kilometra larg vendit ku u përmbys autobusi, në rrugën e Kombit u shënua një tjetër aksident rreth orës 10 të mëngjesit. Fillimisht një automjet ka humbur kontrollin si pasojë  e prezencës së akullit, dhe për pasojë është goditur nga një tjetër makinë, ku udhëtonin dy gra. Këto të fundit ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Duke qënë se në vendin e aksidnetit ka pasur ngricë dhe akull, makinat e tjera në autostradë e kanë pasur të pamundur që të frenojnë duke u përplasur sërish me dy makinat e aksidentuara. Aksidenti zinxhirë ka përfshirë në total 10 makina. Përvec dy grave që pëfunduan në spital, nga ky aksident zinxhirë nuk raportohet për persona të tjerë të dëmtuar, por kanë pësuar vetëm tronditje. Qarkullimi në Rrugën e Kombit si pasojë e këtyrë aksidentve është bllokuar për disa orë, ndërsa, me ndërhyrjen e policia qarkullimi është hapur.

Policia bën thirrje të gjithë shoferëve që plainfikojnë të udhëtojnë në Rrugën e Kombit, që të pajisen me goma dimërore, dhe të reduktojnë shpejtësinë për shkak të prezencës së madhe të akullit..

Dëbora zbardh Shkodrën, autoritetet në gatishmëri, pa problematika në qarkullim

2 January 2026 at 11:00

Reshjet e dëborës përfshijnë zonat malore të Qarkut Shkodër, autoritetet në gatishmëri.Reshjet e dëborës kanë nisur në Qarkun Shkodër, kryesisht në zonat malore, ndërsa në zonat e ulëta vijojnë reshjet e shiut. Prefekti i Qarkut bën me dije se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat operacionale në terren.

Në akset rrugore me prani dëbore dhe ngricash, Policia Rrugore ka shtuar patrullimet, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të përdorin goma dimërore ose zinxhirë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në Bashkinë Shkodër, reshjet e dëborës janë prezente në zonat malore. Në aksin Bogë–Theth po kryhet hedhja e kripës, ndërsa në Qafë Thore trashësia e dëborës ka arritur rreth 15 cm, pa probleme në qarkullim.
Në Malësi të Madhe, në qytetin e Koplikut raportohen reshje dëbore me trashësi rreth 3 cm.
Në Fushë-Arrëz dhe Pukë, reshjet e dëborës vijojnë me intensitet të ulët, me trashësi 5–8 cm, ndërsa rrugët mbeten të hapura dhe pa problematika.

Nga DRV Shkodër konfirmohet se në akset rrugore që ajo mbulon nuk ka vështirësi në qarkullim.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat malore, dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.  / abcnews.al /

Përplasen disa mjete në rrugën e Kombit/ Shkak, ngricat në rrugë, disa persona të lënduar

2 January 2026 at 10:58

Një aksident masiv ka ndodhur në rrugën e Kombit, në afërsi të Rrëshenit ku janë përfshirë disa automjete. Nga burimet paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit zinxhir është prania e akullit në rrugë. Sakaq, dyshohet se ka disa persona të plagosur.

Policia dhe ambulanca ndodhen në vendngjarje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, ndërkohë të plagosurit po marrin ndihmën mjekësore.

Shpërthimi në Shkodër, atentat me tritol/ Zbardhet vrasja e Hysni Ymerit, arrestohen 4 persona

2 January 2026 at 10:34

Zbardhet vrasja me eksploziv e Hysni Ymerit, ndodhur më 29 dhjetor të vitit të shkuar në pallatin ku banonte, në lagjen “Manush Alimani” në Shkodër. Policia thotë se ka zbuluar dhe ka vënë në pranga katër persona të dyshuar si autorë të vrasjes. Ata janë Gerti Bushati, 27 vjeç, Ergys Ibrahimi, 27 vjeç, Edison Hasaj, 25 vjeç, dhe Gjergji Zefi, 24 vjeç.

Policia dyshon se katër të rinjtë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vendosur lëndë eksplozive në kabinën e matësave elektrikë në pallatin ku banonte 67-vjeçari dhe më pas, në distancë, e kanë shpërthyer me telekomandë. Këtë, sipas policisë, e kanë bërë kundrejt pagesës.

Në cilësinë e provës materiale, gjatë kontrolleve të ushtruara, policia thotë se ka gjetur dhe sekuestruar 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, rrobat e veshura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, një sasi lekësh dhe eurosh, një sasi lënde narkotike kokainë, 3 pajisje gjurmuese GPS, 2 kamera sigurie dhe 1 laptop.

Nuk dihen ende motivet e atentatit me lëndë plasëse ndaj 67-vjeçarit. Policia thotë se po heton për shkaqet e ngjarjes dhe njëkohësisht për porositësit e saj.

Ditën e ngjarjes, djali i tij deklaroi në polici se Hysni Ymeri nuk ka pasur konflikte dhe nuk ka marrë kërcënime nga askush.
67-vjeçari është vëllai i një personi të dënuar me burg për vrasje vite më parë në Shkodër, por të dy familjet, sipas burimeve, i kanë shtrirë dorën e pajtimit njëra-tjetrës. Autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë hetimi.

Ndërkohë, mbi katër të rinjtë rëndojnë veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Tragjedia në Zvicër, shkon në 47 numri i viktimave nga zjarri/ Identifikohet viktima e parë

2 January 2026 at 10:27

Të paktën 47 persona humbën jetën dhe 112 të tjerë u plagosën pasi një zjarr shpërtheu në një bar të mbushur me njerëz gjatë festimeve të vitit të ri në qytetin zviceran të skive Crans-Montana, theksoi ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani për mediat italiane.

Tajani tha se identifikimi i viktimave do të jetë veçanërisht kompleks dhe do të kërkojë kohë. Ai shtoi se disa italianë të plagosur janë transferuar tashmë në Milano. Raportimi, duke cituar ambasadorin Gian Lorenzo Cornado vë në dukje se gjashtë italianë janë të zhdukur dhe 13 janë shtruar në spital.

Sakaq, është identifikuar viktima e parë e zjarrit tragjik, bëhet fjalë për Emanuele Galeppini, një golfist i ri italian. Lajmi u konfirmua nga Federata Italiane e Golfit, e cila shprehu dhimbjen për humbjen e një “sportisti të ri që mishëronte pasionin dhe vlerat autentike”.

“Në këtë moment dhimbjeje të madhe, mendimet tona janë me familjen e tij dhe me të gjithë ata që e deshën,” thuhet në reagimin e federatës.

Sipas profilit të tij në faqen e World Amateur Golf Ranking, Galeppini ishte një golfist junior italian që jetonte në Dubai, i përshkruar si dikush që “dashuron golfın, garën dhe ushqimin”. Ai ishte pjesë e ekipit kombëtar italian dhe renditja e tij më e mirë kishte qenë vendi i 2440-të në botë.  / abcnews.al /

Pamje nga vendngjarja/ Aksident i rëndë në aksin Lezhë-Shkodër, humb jetën çifti i bashkëshortëve

2 January 2026 at 09:55

Një aksident i rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në aksin Lezhë–Shkodër. Si pasojë e përplasjes së fortë mes dy automjeteve, në afërsi të fshatit Gocaj, ka humbur jetën një çift bashkëshortësh, të cilët udhëtonin në njërin prej mjeteve.

Viktimat janë një 53-vjeçar dhe një 45-vjeçare. Ndërkohë, tre pasagjerë kanë mbetur të plagosur, të cilët udhëtonin në mjetin tjetër. Konkretisht, të plagosur kanë mbetur bashkëshortja e drejtuesit të mjetit dhe dy fëmijët e tyre të mitur, të moshës 2 dhe 6 vjeç.

Për nxjerrjen e trupave nga automjetet kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse, ndërsa më pas viktimat janë transportuar nga ambulancat. Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti të rëndë. / abcnews.al /

Tragjedia në resortin e skive, Zvicra shpall 5 ditë zie kombëtare

2 January 2026 at 09:32

Hetuesit zviceranë po garojnë me kohën për të bërë të mundur identifikimin e viktimave të zjarrit vdekjeprurës që përfshiu një bar në natën e ndërrimit të viteve, në vendpushimin alpin të skive Crans-Montana, ku 40 persona humbën jetën dhe mbi 100 të tjerë mbetën të plagosur.

Presidenti Guy Parmelin, ka bërë me dije se vendi do të mbajë pesë ditë zie, duke e përshkruar zjarrin si një nga ngjarjet më traumatike në historinë e Zvicrës.

“Ishte një dramë e një shkalle të panjohur. Zvicra ua ka borxh atyre të rinjve, të cilëve u ndërprenë “projektet, shpresat dhe ëndrrat” e tyre, që të sigurohej që një tragjedi e tillë të mos ndodhte më kurrë”, tha ai, duke i bërë homazh shumë jetëve të reja që u humbën dhe u ndërprenë në mes.

Zjarri shpërtheu në orën 1:30 të mëngjesit në barin Le Constellation të qytetit, por ende nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi atë.

Disa prej dëshmitarëve kanë rrëfyer se gjithçka filloi pas ndezjes së  fishekzjarrët dhe shkëndijave që u vendosën në shishet e shampanjës.

Policia zvicerane paralajmëroi se mund të duhen ditë ose edhe javë për të identifikuar të gjithë personat që humbën jetën tragjikisht.

Numri i saktë i personave që ndodheshin në bar mbetet i paqartë dhe policia nuk ka specifikuar se sa prej tyre janë ende të zhdukur.

Kryeprokurorja e kantonit, Beatrice Pilloud, deklaroi se janë vendosur burime të konsiderueshme “për të identifikuar viktimat dhe për t’ua kthyer trupat e tyre familjeve sa më shpejt të jetë e mundur”.

Pilloud tha se nuk mund të komentonte mbi raportet se qirinj të ndezur kishin shkaktuar zjarrin.

“Po zhvillohet një hetim. Ai do të identifikojë rrethanat e sakta të asaj që ndodhi”, tha ajo, duke shtuar se do të shqyrtojë nëse bari i plotësonte standardet e sigurisë dhe numrin e duhur të kapacitetit për të gjithë personat.

Përshkallëzohet kriza në Jemen, mbyllet aeroporti pas përplasjeve mes Arabisë Saudite dhe Emirateve

2 January 2026 at 09:21

Trafiku ajror në aeroportin ndërkombëtar të Adenit u ndërpre të enjten, ndërsa tensionet midis Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara po përshkallëzohen, duke përforcuar ndarjet në konfliktin e gjatë të Jemenit.

Qeveria e njohur ndërkombëtarisht dhe e mbështetur nga Arabia Saudite vendosi kufizime të reja për fluturimet drejt dhe nga Emiratet, për të frenuar tensionet.

Por ministria e Transportit, e kontrolluar nga separatistët e jugut, reagoi duke urdhëruar mbylljen e plotë të trafikut ajror në vend që të zbatoi kufizimet.

Këshilli i Tranzicionit Jugor (STC), forca separatiste e mbështetur nga Emiratet që muajin e kaluar mori kontrollin mbi pjesën më të madhe të jugut, fajësoi mbylljen për “rregullat e reja të papritura” që Arabia Saudite kërkonte të impononte.

Ky zhvillim pasqyron thellimin e krizës në Jemen dhe ndarjen mes dy fuqive të naftës në Gjirin Persik. Arabia Saudite akuzoi Emiratet se po nxisnin separatistët drejt kufijve të saj dhe shpalli sigurinë kombëtare si një “vijë të kuqe”. Emiratet reaguan duke njoftuar tërheqjen e forcave të mbetura nga vendi.

Tensionet u përshkallëzuan pas një sulmi ajror nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite mbi portin jugor të Mukalla-s, që sipas koalicionit përdorej për mbështetje ushtarake të huaj ndaj separatistëve.  / abcnews.al /

Brenda vilës luksoze të Vladimir Putin në Krime/ Tualete prej ari dhe spital privat, vlera e pronës rreth 100 milionë euro

2 January 2026 at 08:54

Një investigim i detajuar i publikuar nga bashkëpunëtorët e të ndjerit Aleksei Navalny ka zbuluar ekzistencën e një tjetër prone luksoze që dyshohet se përdoret nga presidenti rus Vladimir Putin. Kësaj here, hetimi fokusohet në gadishullin e Krimesë, territor i aneksuar nga Rusia në vitin 2014, ku sipas të dhënave është ndërtuar një kompleks rezidencial gjigant me vlerë mbi 100 milionë euro.

Kompleksi ndodhet në Kepin Aya, mbi një shkëmb me pamje nga Deti i Azovit, vetëm disa kilometra larg qytetit strategjik të Sevastopolit. Sipas dokumenteve, pamjeve satelitore dhe fotografive të publikuara në investigim, prona fillimisht ishte projektuar për ish-presidentin ukrainas Viktor Yanukovych. Pas rrëzimit të tij dhe marrjes nën kontroll të Krimesë nga Rusia, objekti u konfiskua nga autoritetet ruse.

Zyrtarisht, vila ishte parashikuar të shndërrohej në një sanatorium shtetëror, por sipas ekipit të Navalnyt, kjo nuk u realizua kurrë. Në vend të kësaj, kompleksi dyshohet se iu vu në dispozicion presidentit rus dhe rrethit të tij të ngushtë.

Rezidenca kryesore shtrihet në rreth 9 mijë metra katrorë, ndërsa një ndërtesë tjetër, e pozicionuar më pranë detit, ka një sipërfaqe prej afro 5 mijë metrash katrorë. Pamjet nga satelitët tregojnë se kompleksi përfshin një mol privat, një plazh artificial me rërë të bardhë dhe një heliport të vendosur në pjesën më të lartë të pronës, duke garantuar izolim dhe siguri maksimale.

Brendësia e vilës përshkruhet si jashtëzakonisht luksoze. Dy suita martesore, secila me sipërfaqe rreth 240 metra katrorë, janë të pajisura me banja private prej 50 metrash katrorë. Sipas investigimit, vetëm arredimi i një banje kushton rreth 120 mijë euro dhe përfshin xhakuzi dhe elementë dekorativë të veshur me ar, si dhe vaska speciale me çmim rreth 32 mijë euro secila.

Në kompleks ndodhen gjithashtu dhoma të dedikuara për një grua dhe dy fëmijë. Hetimi pretendon se këto ambiente janë përshtatur për ish-gjimnasten olimpike Alina Kabaeva, e cila prej vitesh përflitet si partnerja e fshehtë e Putinit, si dhe për dy fëmijët e tyre. Kremlini nuk ka dhënë asnjë konfirmim zyrtar për këtë çështje.

Një element tjetër i pazakontë i rezidencës është prania e një spitali privat, i cili zë një kat të tërë të ndërtesës kryesore. Ai përfshin një sallë operacioni të pajisur me teknologji mjekësore moderne gjermane dhe finlandeze, klinikë dentare, pajisje ultrazëri dhe aparatura të avancuara. Në të njëjtin kat ndodhet edhe një kriokamerë, teknologji shumë e shtrenjtë që përdoret për trajtime ekstreme, të cilën investigimi thotë se presidenti rus e preferon.

Për argëtim, kompleksi përmban edhe një sallë private kinemaje me tetë vende dhe pajisje moderne audio-vizive.

Sipas ekipit të Navalnyt, financimi i kësaj prone nuk është bërë drejtpërdrejt nga Vladimir Putin, por nga oligarkë të fuqishëm rusë të lidhur ngushtë me të. Prona, sipas hetimit, është regjistruar në emër të disa kompanive guackë, të përdorura për të fshehur pronësinë reale.

Investigimi përfundon me një pyetje provokuese për publikun dhe komunitetin ndërkombëtar: “Putini dhe miqtë e tij kanë grumbulluar aq shumë pasuri gjatë 25 viteve në pushtet, sa është e pamundur t’i shpenzojnë. Sa pallate i duhen një njeriu?”

Publikimi pritet të nxisë debate të reja ndërkombëtare mbi pasurinë e fshehtë të presidentit rus, veçanërisht në një kohë kur Rusia përballet me sanksione të rënda ekonomike dhe një pjesë e madhe e popullsisë po përjeton vështirësi financiare.  / abcnews.al /

FOTOLAJM/ Tragjedia në Zvicër, çfarë la pas zjarri vdekjeprurës në resort

2 January 2026 at 08:23

Një zjarr i fuqishëm që shpërtheu gjatë festimeve të Natës së Vitit të Ri në një resort skish në Zvicër ka shkaktuar rreth 40 viktima dhe të paktën 115 të plagosur, njoftoi policia zvicerane të enjten pasdite.

Ngjarja tragjike ndodhi në orët e para të mëngjesit të së enjtes, rreth orës 01:30 lokale, në lokalin Le Constellation, në resortin alpin Crans-Montana, në kantonin Valais. Presidenti zviceran Guy Parmelin e përshkroi zjarrin si “një nga tragjeditë më të rënda që ka përjetuar ndonjëherë vendi ynë”.

Viktimat dhe të plagosurit

Policia konfirmoi se rreth 40 persona kanë humbur jetën, ndërsa numri i saktë ende nuk është përcaktuar për shkak të vështirësive në identifikimin e viktimave të djegura rëndë. Rreth 115 persona të tjerë janë plagosur, shumica prej tyre në gjendje të rëndë. Sipas autoriteteve, shumë nga viktimat ishin të rinj.

Spitali lokal ka mbushur kapacitetet e kujdesit intensiv, ndërsa pacientët po transferohen në spitale të tjera në mbarë vendin. Në operacionin e shpëtimit u angazhuan 13 helikopterë, 42 ambulanca, rreth 150 paramedikë dhe 70 zjarrfikës.

Dëshmitë nga vendngjarja

Leon Christe, një punonjës në Crans-Montana që ishte ndër të parët në vendngjarje, tha se situata ishte kaotike dhe shumë tronditëse. “Kudo kishte të rinj që kishin nevojë për ndihmë. Ishte shumë traumatizuese,” u shpreh ai.

Vendndodhja

Crans-Montana ndodhet në zemër të Alpeve zvicerane dhe është një destinacion i njohur turistik për vizitorë nga Britania dhe e gjithë Evropa. Resorti ndodhet rreth 40 kilometra në veri të Matterhornit dhe afërsisht dy orë larg Bernës.

Shkaqet e zjarrit

Shkaku i saktë i zjarrit nuk është konfirmuar ende. Autoritetet kanë përjashtuar çdo lloj sulmi dhe nuk ka të arrestuar apo të dyshuar deri më tani.

Sipas ambasadorit italian në Zvicër, Gian Lorenzo Cornado, ekziston mundësia që zjarri të jetë shkaktuar nga një fishekzjarr i ndezur brenda lokalit. Ndërkohë, dy gra franceze që arritën të shpëtonin thanë për mediat se flakët mund të kenë nisur nga qirinj dekorativë të vendosur mbi shishe shampanje, të cilët prekën tavanin prej druri dhe e përfshinë shpejt gjithë ambientin.

Prokuroria e Valais-it ka deklaruar se është ende herët për të konfirmuar këto versione dhe hetimet janë në vijim.

Autoritetet zvicerane kanë shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave, ndërsa vendi është zhytur në zi për këtë tragjedi që shënoi fillimin e vitit 2026.

Vranësira dhe reshje shiu, parashikimi i motit 2 janar 2026

2 January 2026 at 08:11

Për ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe intervale afatshkurtra me diell përgjatë ultësirës perëndimore në pjesën e parë të ditës.

Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme dhe intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit. Në periudha afatshkurtra dhe në mënyrë lokale reshjet në formën e shtrëngatave ndërsa në zonën e veriperëndimit reshjet me intensitet mesatar dhe lokalisht deri të lartë.  / abcnews.al /

Horoskopi, 2 janar 2026

2 January 2026 at 08:08

Dashi
Lërini idetë tuaja të forta mënjanë sot dhe jini të hapur ndaj njerëzve përreth jush. Nëse kapeni shumë pas vetëm një mënyre të të menduarit, atëherë ka të ngjarë të humbisni një pikë shumë të vlefshme. Lëreni mënjanë idenë e paragjykuar se rruga juaj është e vetmja rrugë.

Demi
Nuk je në humorin më të mirë sot dhe kjo ka të ngjarë të të bëjë më pak të sigurt në punë. Ki kujdes sepse këtu ka rrezik. Të kesh shumë besim te të tjerët të bën të ndjeshëm ndaj ideve të gabuara. Në fund të fundit, besoi vetëm vetes.

Binjakët
Idetë e të tjerëve mund t’ju duken krejtësisht të huaja sot. Reagimi juaj i parë do të jetë t’i shpërfillni ato plotësisht. Mos u nxitoni ta bëni këtë. Mund të mësoni shumë nga mençuria e të tjerëve. Tani për tani, duhet të dëgjoni me vëmendje.

Gaforrja
Ke një informacion të rëndësishëm që duhet ta kalosh nëpër sistem sot. Fatkeqësisht, megjithatë, një forcë po të bllokon rrugën. Duket sikur dikush po kundërshton automatikisht të gjitha idetë e reja. Mos e humb shpresën në këtë kohë.

Luani
Komunikimi do të jetë i ngatërruar sot dhe do të zbuloni se sa më shumë informacion të merrni nga të tjerët, aq më të hutuar do të bëheni. Përpjekja për të zgjidhur të gjitha pjesët që mungojnë do të jetë jashtëzakonisht sfiduese. Mos merrni asnjë vendim të rëndësishëm sot.

Virgjëresha
Kali për të cilin po vë bast po bie përsëri në tufë sot, por kjo nuk është arsye për të humbur gjithë besimin. Pyet çfarë mund të bësh për të ndihmuar në vend që të rrish duarkryq dhe të mos bësh asgjë. Sot do të zbulosh se ndihma ndaj të tjerëve në të vërtetë do të të ndihmojë ty.

Peshorja
Puna e palodhur nuk është specialiteti juaj, por sot do të zbuloni se është një domosdoshmëri. Ju pëlqen imazhi juaj i një personi vazhdimisht të gëzuar që mund të luajë gjithë ditën dhe prapë të arrijë të pamundurën, por sot do t’ju duhet të punoni shumë.

Akrepi
Do të ndjeni shumë presion sot nga njerëzit përreth jush. Ndjeni nevojën për të arritur një nivel të caktuar performance me përsosmëri absolute. Pjesa më e madhe e këtij presioni në fakt vjen nga brenda, jo nga të tjerët. Jini të butë me veten.

Shigjetari
Mendja juaj e lëkundur nuk do të marrë shumë mbështetje nga të tjerët, kështu që mund ta kurseni energjinë tuaj duke u përpjekur të merrni këshilla nga njerëzit përreth jush. Është më mirë të bëni kërkimet tuaja në libra, revista dhe periodikë. Përgjigjet tuaja janë aty.

Bricjapi
Je në një pozicion të mirë sot për të përfituar nga një situatë që po ju vjen në majë të hundës. Njerëzit kanë nevojë për drejtim dhe ti mund t’ua japësh atyre. Personaliteti yt i natyrshëm për të marrë kontrollin është pikërisht ajo që nevojitet – prandaj mos ki frikë të ngrihesh dhe të marrësh drejtimin.

Ujori
Kryeni punën tuaj herët sot. Zgjohuni një ose dy orë më shumë se zakonisht dhe shfrytëzoni këtë kohë të çmuar. Do të jeni shumë më produktivë në këto orë të hershme të mëngjesit. Kur të vijë pasditja, do të vijë edhe përtacia.

Peshqit
Do të stresoheni mjaft sot, për shkak të presionit nga njerëzit përreth jush. Të tjerët po e kalojnë veten në një gjendje të furishme dhe kjo energji po ju transmetohet edhe juve. Përpiquni sa më shumë që të kuptoni gjërat e pakuptimta dhe të kaloni drejt e te faktet.  / abcnews.al /

“Festat në Itali, traditë disa vjeçare”, Trimçev: Pensionet me Italinë, arritje e madhe. Ka pasur vonesa, vështirësia nga pala italiane

1 January 2026 at 23:46

Zëvendëspresidenti i Diasporës, Dritan Trimçev, ka komentuar për “Ora e Fundit” festimet e mbajtura në shtetin fqinj, Itali, me rastin e natës së ndërrimit të viteve. Trimçev tha se për shqiptarët kjo është një festë e jashtëzakonshme dhe se ata e festojnë njësoj si në atdhe.

“Nata e ndërrimit të viteve pritet nga komuniteti si një festë e jashtëzakonshme, festohet si në atdhe. Përmes anëtarëve tanë jemi informuar se në qytete si Padova, në Puglia dhe në Piemonte, shqiptarët janë organizuar në darka në grupe, duke pritur Vitin e Ri me kërcime dhe këngë. Në fshatrat arbëreshe, festimet zhvillohen në sheshe dhe në ambiente publike. Për zona të tjera nuk kam informacion për festime publike,” u shpreh Trimçev.

Më tej, Trimçev komentoi edhe marrëveshjen e pensioneve mes dy vendeve, duke theksuar se ajo është një nga arritjet më të mëdha në marrëdhëniet italo-shqiptare dhe se ndihmon mijëra shqiptarë që kanë dhënë kontribut në të dyja shtetet. Ai shtoi se zbatimi i saj po has vështirësi dhe se nevojitet një komunikim më i mirë mes dy palëve.

“Marrëveshja për sigurimet shoqërore është një nga arritjet më të mëdha në marrëdhëniet italo-shqiptare, pasi lidhet drejtpërdrejt me të drejtat e njeriut. Ajo ka një rëndësi të jashtëzakonshme, sidomos për ata që kanë punuar në të dyja vendet. Janë disa mijëra shqiptarë që kanë përfituar nga kjo marrëveshje, por jo 500 mijë, siç është aluduar.

Megjithatë, ka pasur shumë vonesa: procedurat janë zvarritur për 4–5 muaj dhe ka vështirësi në zbatimin e saj. Pala shqiptare i ka dërguar përgjigjet palës italiane, por sërish ka vonesa. Përmirësimi i komunikimit është i domosdoshëm. ISSH duhet të publikojë të dhënat mbi kërkesat e aprovuara dhe ato të refuzuara,” theksoi Trimçev.

Yesterday — 1 January 2026Abc News
❌
❌