Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 2 January 2026Abc News

La shtatzanë të miturën, burg përdhunuesit/ Korçë, 67 vjeçari mohon akuzën, analiza e ADN pritet të hedh dritë mbi të vërtetën

2 January 2026 at 14:35

Gjykata ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për 67-vjeçarin Rushan Selko, i akuzuar se përdhunoi dhe la shtatzënë një 12-vjeçare në fshatin Piskupat, Bashkia Pogradec. Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën e 67 vjeçarit në fshatin Piskupat në bashkinë e Pogradecit në muajin gusht.

Gjatë kësaj periudhe ai kërcënonte të miturën që të mos tregonte për atë çfarë kishte ndodhur ndërkohë rasti u zbulua nga prindërit e të miturës të cilët vunë re ndryshimet fizike të saj.  Ekzaminimi mjekësor zbuloi se vajza ishte 22 javëshe shtatzanë dhe më pas ajo rrëfeu të gjithë ngjarjen e rëndë.

Organi i akuzës ka kërkuar masën e sigurisë arrest në burg për 67 vjeçarin çka është pranuar edhe nga gjykata. Seanca e zhvilluar me dyer të mbyllura ka zgjatur më tepër se dy orë .

Burimet brenda seancës gjyqësore bëjnë me dije se 67 vjeçari nuk e ka pranuar që ka abuzuar seksualisht me të miturën. Ndërkohë, mësohet se vajzës i është marrë kampioni i fetusit për të kryer analizën e ADN-së për të vërtetuar atësinë e fëmijës. Pritet që pas 2-3 javësh të dalë përgjigjia e analizës e cila do hedhë dritë mbi ngjarjen e rëndë.

Burri vret gruan dhe veten/ Orikum, krim në familje, nuk dihet motivi

2 January 2026 at 14:23

Në datë 02.01.2026, rreth orës 13:30, Urgjenca Kombëtare në Orikum kishte marrë një thirrje për ndihmë mjekësore për shtetasen Sose Xhebroi, rreth 40 vjeçe. Shërbimet mjekësore kanë konstatuar në trupin e saj, në pjesën e grykës dhe në trup, shenja dhune, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga dhuna e ushtruar ndaj saj nga bashkëshorti, shtetasi Llogora Xhebroi, rreth 50 vjeç.

Kjo shtetase ka ndërruar jetë në banesë.

Rreth orës 13:50, në momentin që shërbimet e Policisë kanë shkuar në banesën e shtetasit Llogora Xhebroi, kanë konstatuar të vetëvrarë me armë zjarri në garazh këtë shtetas dhe pranë trupit të tij është konstatuar një armë zjarri tip “Glock” dhe një gëzhojë kalibër 9 mm.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë, ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për dokumentimin dhe sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje. / abcnews.al /

Homazhe ish-kryeparlamentarit/ Kosovë, nderime në përcjelljen e Nexhat Dacit

2 January 2026 at 14:05

Kosova nderoi këtë të premte ish kryeparlamentarin dhe akademikun Nexhat Daci, i cili ndërroi jetë më 1 janar në moshën 81-vjecare.

Personalitetet më të larta shtetërore, familjarë, akademike dhe qytetarë I dhanë lamtumirën e fundit në homazhet që u mbajtën në Kuvendin e Kosovës.

Në nder të tij, Kuvendi i Kosovës u mblodh në akademi përkujtimore për veprën dhe kontributin e tij në jetën politike dhe akademike të vendit.

Nexhat Daci ka qenë një nga figurat kyçe të jetës institucionale të Kosovës pas luftës. Ai ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2001 deri më 2011. Ndërsa e ka drejtuar këtë institucion për dy mandate, në periudhën 2000-2004 dhe 2004-2006.

Në periudhën kur drejtoi Kuvendin e Kosovës ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas vdekjes së udhëheqësit të LDK dhe presidentit të atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova, Daci shërbeu si ushtrues i detyrës së presidentit për rreth një muaj  në vitin 2006.  / abcnews.al /

Protesta e fermerëve grekë, oraret e bllokimit të Pikës Kufitare të Kakavijës

2 January 2026 at 13:52

Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se më datë 03.01.2026, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.

Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.  / abcnews.al /

Dëshmitë rënqethëse të tragjedisë/ I mbijetuari: Jam në makth, pashë njerëz të shkrumbuar!

2 January 2026 at 13:25

Detajet nga zjarri tragjik në një resort për ski në Zvicër, janë tronditëse. Dëshmitarët kanë treguar tmerrin e përjetuar, teksa njerëzisht përpiqeshin t’u shpëtonin flakëve.

Nathan Huguenin, që po festonte ndërrimin e viteve në Crans Montana, ishte jashtë në momentin kur filloi zjarri.

Ai tregoi se u shokua nga ngjarja, teksa pa njerëz që humbën jetën nga flakët.

“Jam ende në shok. Nuk mund ta kuptoj çfarë ndodhi. Ndihem sikur është në të vërtetë një makth, sikur do të zgjohem. Dhe mbrëmë, nuk fjeta asnjë sekondë. Mbylla sytë dhe gjithçka më kthehej në mendje sepse pashë njerëz duke u ringjallur. Pashë njerëz të djegur plotësisht. Pashë njerëz duke vdekur”

Një tjetër dëshmitar, Samuel Rapp tha se kishte qenë në një bar aty pranë kur dëgjoi për incidentin rreth orës 1:30 të mëngjesit.

Një dëshmitar tjetër përshkroi se si të plagosurit u ndihmuan të dilnin nga bari dhe të shkonin në vendet aty pranë.

Të plagosurit ishin aq të shumtë saqë njësia e kujdesit intensiv dhe salla e operacionit në spitalin rajonal u mbushën shpejt me kapacitet të plotë.

Një tjetër dëshmitare tregoi se dy miket e saj kishin ndërruar jetë në spital si pasojë e asfiksisë dhe të dyja ishin rreth moshësh 20 vjeç.

/ abcnews.al /

Përgjaken rrugët e vendit/ Eksperti: Kryesore mbetet edukata rrugore. Të ndryshohet Kodi Rrugor dhe Penal!

2 January 2026 at 13:17

Eksperti i sigurisë rrugore, Islam Qibini, ka deklaruar se ditët e para të këtij viti janë shoqëruar me aksidente të rënda me humbje jete, duke i cilësuar ato si tregues negativë për sigurinë rrugore në vend.

Sipas tij, faktori kryesor mbetet përdoruesi i automjetit, i cili duhet të ketë aftësitë e duhura, të jetë i vëmendshëm dhe të zbatojë rregullat e qarkullimit. Qibini theksoi se edukata rrugore është elementi kyç për respektimin e këtyre rregullave.

Në këtë kuadër, Qibini bëri thirrje për ndryshime në Kodin Rrugor dhe Penal, si dhe për rishikimin e disa dispozitave që lidhen me konsumimin e pijeve alkoolike.

“Në ditët e para kemi pasur aksidente të rënda me humbje jete. Janë tregues negativë për sigurinë rrugore, ku faktor kryesor është përdoruesi i automjetit, i cili duhet të ketë aftësitë e duhura, të jetë i vëmendshëm dhe të zbatojë rregullat e qarkullimit. Kryesore është edukata rrugore për zbatimin e rregullave.

Infrastruktura dhe terreni janë të rëndësishëm, por një drejtues automjeti duhet ta përshkojë një rrugë në bazë të tipologjisë së saj. Kur ka lagështi ose ngricë, duhet të ulë shpejtësinë.

Shumë drejtues mjetesh qarkullojnë në mënyrë agresive, bëjnë parakalime të gabuara dhe bëhen premisë për aksidente. Duhen bërë ndryshime në Kodin Rrugor dhe Penal, si dhe disa dispozita për pijet alkoolike duhen rishikuar.”  / abcnews.al /

Viti nis me borë e ngrica/ Janar i acartë, borëpastrueset në rrugë nga veriu në juglindje

2 January 2026 at 12:52

Reshjet e borës dhe shiut kanë përfshirë vendin në javën e parë të vitit të ri.

Në Qafë – Thorë në veri të vendit trashësia e dëborës arrinë rreth 15 cm megjithkëtë sipas Prefekturës  së Qarkut Shkodër  qarkullimi automjeteve vijon normalisht.

Reshjet me intensitet të ulët nuk kanë shkaktuar probleme as në  Fushë –Arrëz, Pukë dhe  Koplik ku  bora  ka shkuar në  5 deri 8 cm trashësi.

Ngricat janë të pranishme në disa pjesë të rrugës  Bogë- Theth ku mjete të firmës mirëmbajtëse po  punojnë  për  pastrimin e tyre.

Ndërkohë   patrulla të  policisë rrugore janë shtuar në   zonat me fluks të lartë lëvizje  ku ka prani bore.

Policia I  bën thirrje drejtuesve të automjeteve të  përdorin goma dimërore ose zinxhirë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Apeli për kujdes të shtuar shkon dhe për ata që do të udhëtojnë në drejtim të Korçës dhe Qafë Thanës   ku ka prani akulli në rrugë.

Reshjet e borës kanë krijuar vështirësi për qarkullimin e automjeteve në Librazhd, në  rrugët nga qyteti  në Përrenjas  dhe në fshatrat  Sopot, Stravaj, Hotolisht e Qarrishtë.

Bora  bie me intensitë të ulët në  Pogradec  ku aktualisht nuk raportohet për bllokime rrugësh.

Ndërkohë  për shkak të  erës së fortë në Vlorë  autoriteti portual ka pezulluar  lundrimin  e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve te peshkimit. Për shkak të kushteve të motit  ato e kanë të ndaluar  daljen  në det deri më shtatë janar.

Në  verilindje dhe juglindje meteorologët parashikojnë reshje bore dhe gjatë fundjavës ndërsa në pjesën  perëndimore të vendit   priten reshje shiu.  / abcnews.al /

Zbardhet Librazhdi, dëbora vështirëson qarkullimin e automjeteve

2 January 2026 at 12:54

Reshjet e dëborës të rëna gjatë orëve të fundit në Librazhd kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve, si në akset rrugore që lidhin zonat përreth, ashtu edhe në qendër të qytetit.
Shërbimet ndodhen në terren për pastrimin e rrugëve dhe shpërndarjen e kripës, me qëllim normalizimin e situatës dhe garantimin e sigurisë për qytetarët.

Sakaq, reshjet e dëborës kanë zbardhur Pogradecin, Korçën dhe Shkodrën, ku ekipet përkatëse ndodhen në terren për të lehtësuar qarkullimin.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.  / abcnews.al /

Eksploziv në Shkodër, zbardhet ngjarja/ Reagon Proda: Rezultat i punës serioze dhe profesionale!

2 January 2026 at 12:33

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, përgëzon strukturat hetimore të DVP Shkodër për zbardhjen e vrasjes me lëndë eksplozive të komanduar në distancë dhe për bashkëpunimin dhe koordinimin mjaft efikas me Prokurorinë e Shkodrës.

“Falënderoj dhe përgëzoj publikisht Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, strukturat hetimore dhe të gjitha forcat e angazhuara, si dhe Prokurorinë, për bashkëpunimin e ngushtë dhe profesional që çoi në zbardhjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale, të kryer me përdorimin e lëndës eksplozive të komanduar në distancë.

Ky është një nga rastet ku pasqyrohet puna serioze dhe profesionale, e koordinuar dhe këmbëngulëse e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të plotë me organin e akuzës.

Këto rezultate dekurajojnë veprimtarinë kriminale dhe forcojnë më tej besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit, e cila do të vijojë të jetë e vendosur në misionin e saj për garantimin e rendit, sigurisë, jetës, dhe pronës së qytetarëve.”, tha Proda. / abcnews.al /

Rama ndan pamjet: Hidhet shtresa e parë asfaltike! Lura magjike, së shpejti e arritshme përmes rrugës së re!

2 January 2026 at 12:23

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se Lura magjike do të jetë së shpejti e arritshme falë rrugës së re turistike. Ai bëri të ditur se është hedhur shtresa e parë asfaltike në segmentin Peshkopi – Lurë, ndërsa puna po vijon edhe në segmentin Lurë – Rrëshen.

Ky investim do të lehtësojë ndjeshëm aksesin dhe do të japë një shtysë të rëndësishme për zhvillimin e turizmit në zonë.

Zbardhet Korça, prezencë akulli në rrugë/ Policia apel qytetarëve: Përdorni zinxhirë!

2 January 2026 at 12:12

Policia e Elbasanit ka njoftuar qytetarët që planifikojnë të lëvizin në drejtim të Korçës apo Qafë Thanës të tregohen shumë të kujdesshëm, për shkak të prezencës së akullit në rrugë, i cili rrit ndjeshëm rrezikun e aksidenteve.

Autoritetet apelojnë që të minimizohen lëvizjet drejt zonave malore ku ka akull, me qëllim shmangien e incidenteve të mundshme. Po ashtu, drejtuesit e automjeteve këshillohen të jenë të pajisur me zinxhirë dhe mjete të tjera ndihmëse për qarkullim në kushte dimërore.

Policia u bën thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të ulin shpejtësinë dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për një udhëtim sa më të sigurt.

 

Nis dëbora në Pogradec, qarkullimi vijon normalisht

2 January 2026 at 12:11

Reshjet e dëborës kanë nisur në zonën e Qafë Thanës, në Pogradec. Sipas informacioneve, dëbora është e pranishme kryesisht në majën e qafës, me intensitet të ulët deri në mesatar, ndërsa temperaturat kanë zbritur në vlera negative.

Autoritetet bëjnë me dije se kontraktorët e mirëmbajtjes pritet të ndërhyjnë me kriposjen e rrugës për të shmangur formimin e ngricave dhe rrëshqitjet e automjeteve. Deri në këto momente nuk raportohen bllokime apo vështirësi në qarkullim.

Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë aks, të ulin shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, veçanërisht për shkak të kushteve dimërore.  / abcnews.al/

Maduro: Venezuela e hapur për bisedime me SHBA-të për trafikun e drogës dhe naftën

2 January 2026 at 11:42

Udhëheqësi venezuelan Nicolás Maduro tha të enjten në 2 janar 2026 se ishte i hapur për bisedime me SHBA-në mbi trafikimin e drogës dhe naftën, pas javësh presioni në rritje ndaj qeverisë së tij. Në një intervistë për televizionin shtetëror venezuelan, Maduro tha se ishte gati për dialog me SHBA-në “ku të duan dhe kur të duan”.

Ai gjithashtu shmangu një pyetje mbi një deklaratë të presidentit Donald Trump, sipas të cilit SHBA-të kishte goditur një zonë dokimi në Venezuelë, sulmi i parë i tillë brenda vendit, i cili dyshohet të jetë kryer nga CIA.

Forcat amerikane kanë goditur anije që dyshohen për kontrabandë droge nëpër Karaibe dhe Paqësorin lindor gjatë tre muajve të fundit. Në total, ka pasur mbi 30 sulme ndaj anijeve, si pjesë e “luftës kundër drogës” të administratës Trump, ku janë vrarë mbi 110 persona që nga sulmi i parë në ujëra ndërkombëtare më 2 shtator.

Sulmi më i fundit ndodhi të mërkurën, kur dy anije që dyshohet se transportonin drogë u goditën, duke vrarë pesë persona në bord, sipas ushtrisë amerikane. Të hënën, Trump tha se SHBA-të kishin kryer një sulm në një “zonë dokimi” të lidhur me anijet e dyshuara venezuelane për drogë, duke shkaktuar një eksplozion të madh. Eksplozioni u shkaktua nga një sulm me dron i kryer nga CIA, sipas CNN dhe New York Times, që cituan burime të afërta me çështjen. Nëse konfirmohet, ky do të ishte operacioni i parë i njohur i SHBA-ve brenda Venezuelës.

Përveç trafikimit të drogës, Maduro tha se ishte i hapur për bisedime edhe mbi naftën dhe migracionin. Në muajt e fundit, Trump është fokusuar në luftën kundër hyrjes së drogës, veçanërisht fentanylit dhe kokainës, në SHBA. Presidenti amerikan gjithashtu ka dyfishuar shpërblimin për informacion që çon në kapjen e Maduros dhe ka njoftuar se do të konsiderojë qeverinë e tij si një Organizatë të Huaj Terroriste (FTO).

Maduro ka mohuar fuqishëm se është udhëheqës kartele dhe ka akuzuar SHBA-të se po përdor “luftën kundër drogës” si justifikim për ta rrëzuar dhe për të marrë rezervat e mëdha të naftës së Venezuelës. Ekspertët e kundër-narkotikëve thonë se Venezuela është një lojtar relativisht i vogël në trafikimin global të drogës, duke vepruar kryesisht si një vend transit për drogën e prodhuar në vende të tjera.

Fqinji i saj, Kolumbia, është prodhuesi më i madh i kokainës në botë, por shumica besohet të hyjnë në SHBA përmes rrugëve të tjera, jo përmes Venezuelës. Pa dhënë prova, Trump ka akuzuar Maduron se po zbraz burgjet dhe azilet “e çmendura” dhe po i detyron të burgosurit të migrojnë drejt SHBA-ve. Afro tetë milionë venezuelanë besohet se kanë ikur nga kriza ekonomike dhe shtypja që nga viti 2013, disa prej tyre drejt SHBA-ve.

SHBA-të gjithashtu kanë shtuar kontrollet mbi tankerët e naftës të ndaluar që hyjnë dhe dalin nga Venezuela. Forcat amerikane konfiskuan një tanker nafte pranë Venezuelës më 10 dhjetor, duke thënë se ishte “përdorur për të transportuar naftë të ndaluar nga Venezuela dhe Irani”. Venezuela e përshkroi këtë si një akt “piraterie ndërkombëtare”.

Që atëherë, SHBA-të ka konfiskuar një tjetër tanker nafte dhe ka ndjekur një të tretë. Administrata Trump ka prezantuar operacionet e saj kundër anijeve të dyshuara për drogë si një konflikt i armatosur jo-nacional kundër trafikantëve të dyshuar, por ekspertët ligjorë thonë se ato mund të shkelin ligjet që rregullojnë një konflikt të tillë. SHBA-të nuk ka dhënë prova që anijet e goditura po transportonin drogë.

Ngrica në Rrugën e Kombit / Rrëshqet minibusi, lëndohet shoferi dhe disa pasagjerë

2 January 2026 at 11:38

11 automjete janë përfshirë në dy aksidente në Rrugën e Kombit. Aksidenti I parë ka ndodhur rreth orës 9 të mëngjesit, ku një autobus I vogël udhëtarësh ka humbur drejtimin, dhe për pasojë është përmbysur në mes të autostradës në afërsi të Rrëshenit. Nga ky aksident dëmtime ka marrë shofëri I mini autobusit, por edhe disa pasagjër. Është dashur që frocat e policisë dhe zjarrfikëse të cajnë xhamin e parë të autobusit për të nxjerrë jashtë personat. Fatmirësisht asnjë prej tyre nuk ka pasuar dëmtime serioze që mund tju rrezikojnë jetën.

Ndërkohë pak kilometra larg vendit ku u përmbys autobusi, në rrugën e Kombit u shënua një tjetër aksident rreth orës 10 të mëngjesit. Fillimisht një automjet ka humbur kontrollin si pasojë  e prezencës së akullit, dhe për pasojë është goditur nga një tjetër makinë, ku udhëtonin dy gra. Këto të fundit ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Duke qënë se në vendin e aksidnetit ka pasur ngricë dhe akull, makinat e tjera në autostradë e kanë pasur të pamundur që të frenojnë duke u përplasur sërish me dy makinat e aksidentuara. Aksidenti zinxhirë ka përfshirë në total 10 makina. Përvec dy grave që pëfunduan në spital, nga ky aksident zinxhirë nuk raportohet për persona të tjerë të dëmtuar, por kanë pësuar vetëm tronditje. Qarkullimi në Rrugën e Kombit si pasojë e këtyrë aksidentve është bllokuar për disa orë, ndërsa, me ndërhyrjen e policia qarkullimi është hapur.

Policia bën thirrje të gjithë shoferëve që plainfikojnë të udhëtojnë në Rrugën e Kombit, që të pajisen me goma dimërore, dhe të reduktojnë shpejtësinë për shkak të prezencës së madhe të akullit..

Dëbora zbardh Shkodrën, autoritetet në gatishmëri, pa problematika në qarkullim

2 January 2026 at 11:00

Reshjet e dëborës përfshijnë zonat malore të Qarkut Shkodër, autoritetet në gatishmëri.Reshjet e dëborës kanë nisur në Qarkun Shkodër, kryesisht në zonat malore, ndërsa në zonat e ulëta vijojnë reshjet e shiut. Prefekti i Qarkut bën me dije se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat operacionale në terren.

Në akset rrugore me prani dëbore dhe ngricash, Policia Rrugore ka shtuar patrullimet, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të përdorin goma dimërore ose zinxhirë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në Bashkinë Shkodër, reshjet e dëborës janë prezente në zonat malore. Në aksin Bogë–Theth po kryhet hedhja e kripës, ndërsa në Qafë Thore trashësia e dëborës ka arritur rreth 15 cm, pa probleme në qarkullim.
Në Malësi të Madhe, në qytetin e Koplikut raportohen reshje dëbore me trashësi rreth 3 cm.
Në Fushë-Arrëz dhe Pukë, reshjet e dëborës vijojnë me intensitet të ulët, me trashësi 5–8 cm, ndërsa rrugët mbeten të hapura dhe pa problematika.

Nga DRV Shkodër konfirmohet se në akset rrugore që ajo mbulon nuk ka vështirësi në qarkullim.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat malore, dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.  / abcnews.al /

Përplasen disa mjete në rrugën e Kombit/ Shkak, ngricat në rrugë, disa persona të lënduar

2 January 2026 at 10:58

Një aksident masiv ka ndodhur në rrugën e Kombit, në afërsi të Rrëshenit ku janë përfshirë disa automjete. Nga burimet paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit zinxhir është prania e akullit në rrugë. Sakaq, dyshohet se ka disa persona të plagosur.

Policia dhe ambulanca ndodhen në vendngjarje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, ndërkohë të plagosurit po marrin ndihmën mjekësore.

Shpërthimi në Shkodër, atentat me tritol/ Zbardhet vrasja e Hysni Ymerit, arrestohen 4 persona

2 January 2026 at 10:34

Zbardhet vrasja me eksploziv e Hysni Ymerit, ndodhur më 29 dhjetor të vitit të shkuar në pallatin ku banonte, në lagjen “Manush Alimani” në Shkodër. Policia thotë se ka zbuluar dhe ka vënë në pranga katër persona të dyshuar si autorë të vrasjes. Ata janë Gerti Bushati, 27 vjeç, Ergys Ibrahimi, 27 vjeç, Edison Hasaj, 25 vjeç, dhe Gjergji Zefi, 24 vjeç.

Policia dyshon se katër të rinjtë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vendosur lëndë eksplozive në kabinën e matësave elektrikë në pallatin ku banonte 67-vjeçari dhe më pas, në distancë, e kanë shpërthyer me telekomandë. Këtë, sipas policisë, e kanë bërë kundrejt pagesës.

Në cilësinë e provës materiale, gjatë kontrolleve të ushtruara, policia thotë se ka gjetur dhe sekuestruar 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, rrobat e veshura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, një sasi lekësh dhe eurosh, një sasi lënde narkotike kokainë, 3 pajisje gjurmuese GPS, 2 kamera sigurie dhe 1 laptop.

Nuk dihen ende motivet e atentatit me lëndë plasëse ndaj 67-vjeçarit. Policia thotë se po heton për shkaqet e ngjarjes dhe njëkohësisht për porositësit e saj.

Ditën e ngjarjes, djali i tij deklaroi në polici se Hysni Ymeri nuk ka pasur konflikte dhe nuk ka marrë kërcënime nga askush.
67-vjeçari është vëllai i një personi të dënuar me burg për vrasje vite më parë në Shkodër, por të dy familjet, sipas burimeve, i kanë shtrirë dorën e pajtimit njëra-tjetrës. Autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë hetimi.

Ndërkohë, mbi katër të rinjtë rëndojnë veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Tragjedia në Zvicër, shkon në 47 numri i viktimave nga zjarri/ Identifikohet viktima e parë

2 January 2026 at 10:27

Të paktën 47 persona humbën jetën dhe 112 të tjerë u plagosën pasi një zjarr shpërtheu në një bar të mbushur me njerëz gjatë festimeve të vitit të ri në qytetin zviceran të skive Crans-Montana, theksoi ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani për mediat italiane.

Tajani tha se identifikimi i viktimave do të jetë veçanërisht kompleks dhe do të kërkojë kohë. Ai shtoi se disa italianë të plagosur janë transferuar tashmë në Milano. Raportimi, duke cituar ambasadorin Gian Lorenzo Cornado vë në dukje se gjashtë italianë janë të zhdukur dhe 13 janë shtruar në spital.

Sakaq, është identifikuar viktima e parë e zjarrit tragjik, bëhet fjalë për Emanuele Galeppini, një golfist i ri italian. Lajmi u konfirmua nga Federata Italiane e Golfit, e cila shprehu dhimbjen për humbjen e një “sportisti të ri që mishëronte pasionin dhe vlerat autentike”.

“Në këtë moment dhimbjeje të madhe, mendimet tona janë me familjen e tij dhe me të gjithë ata që e deshën,” thuhet në reagimin e federatës.

Sipas profilit të tij në faqen e World Amateur Golf Ranking, Galeppini ishte një golfist junior italian që jetonte në Dubai, i përshkruar si dikush që “dashuron golfın, garën dhe ushqimin”. Ai ishte pjesë e ekipit kombëtar italian dhe renditja e tij më e mirë kishte qenë vendi i 2440-të në botë.  / abcnews.al /

Pamje nga vendngjarja/ Aksident i rëndë në aksin Lezhë-Shkodër, humb jetën çifti i bashkëshortëve

2 January 2026 at 09:55

Një aksident i rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në aksin Lezhë–Shkodër. Si pasojë e përplasjes së fortë mes dy automjeteve, në afërsi të fshatit Gocaj, ka humbur jetën një çift bashkëshortësh, të cilët udhëtonin në njërin prej mjeteve.

Viktimat janë një 53-vjeçar dhe një 45-vjeçare. Ndërkohë, tre pasagjerë kanë mbetur të plagosur, të cilët udhëtonin në mjetin tjetër. Konkretisht, të plagosur kanë mbetur bashkëshortja e drejtuesit të mjetit dhe dy fëmijët e tyre të mitur, të moshës 2 dhe 6 vjeç.

Për nxjerrjen e trupave nga automjetet kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse, ndërsa më pas viktimat janë transportuar nga ambulancat. Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti të rëndë. / abcnews.al /

❌
❌