Normal view

Aksident i rëndë në autostradën Vlorë–Fier, makina përmbyset në afërsi të Novoselës

By: Besnik
7 July 2025 at 16:16

Një aksident i rëndë është shënuar mesditën e kësaj të hëne në autostradën Vlorë–Fier, pranë fshatit Novoselë.

Një automjet ku udhëtonin tre persona ka dalë nga rruga dhe është përmbysur, ndërsa një prej tyre ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku po merr ndihmën mjekësore.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë çarja e njërit prej gomave gjatë lëvizjes.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Aksident i rëndë në autostradën Vlorë–Fier, makina përmbyset në afërsi të Novoselës appeared first on Euronews Albania.

Ekskluzive| U përlesh me truprojat e Ramës, flet e moshuara: Pse kërkova ta takoj

By: Besnik
7 July 2025 at 15:39

Pamjet e kësaj të moshuare, kur këtë të hënë kërkonte të bisedonte me kryeministrin Edi Rama në Vlorë, u bënë virale në rrjet.

Euronews Albania ka arritur t’i marrë një intervistë ekskluzive 82-vjeçares nga Vlora, Katina Thanasi, e cila ngulmoi dhe ia arriti të bisedonte me Ramën gjatë kohës që kryeministri ishte në Vlorë për inspektim në kuadër të lirimit të hapësirave publike.

Katina Thanasi tregon edhe momentet e bisedës me Ramën dhe çfarë i kërkoi ajo atij.

Ajo thotë se, pasi u shty me një efektive dhe truprojat e Ramës, i shprehu atij shqetësimin e saj.

Katina thotë se Rama i tha “çfarë ke që bërtet” dhe më pas ajo i shpjegoi problemin e kanalit pranë banesës së saj, i cili duhej pastruar.

“Jam Katina Thanasi, jam 82 vjeçare. Doli Rama, unë isha atje, më rrethuan policët se s’donin të më linin të takoja Ramën. Unë i thashë do ta takoj. Shty ata policët, shty unë dhe ata duke më shtyrë mua. Përplasja me ta ishte e vështirë. Më thanë do të arrestojmë. I thashë: ‘S’më arrestoni dot, se s’kam bërë ndonjë gjë. Nuk kam vjedhur, s’kam bërë ndonjë gjë.’ Ishte një police vajzë dhe pesë të tjerë. Shty ata mua, shty unë ata. Rama ikte poshtë, i thashë: ‘Rama, mos ik se të dua! Mos ik se të dua për kokë të djalit’, kështu i thashë. Këta më shtynin mua, Rama qëndroi aty në anë. Policët më mbanin, ndërsa unë i shtyva. Rama më tha mua: ‘Pse bërtet?’ I thashë: ‘Po bërtas për këta’. I thashë Ramës, ky kryetari i bashkisë që rrin me ty… Kam dy vjet e gjysmë që i them për pastrimin e kanalit dhe të tokës dhe ky nuk vjen. Kam shqetësim që të më pastrohet kanali dhe toka.” – tha ajo.

E pyetur nga gazetari i Euronews Albania në Vlorë nëse tani që bisedoi me Ramën do t’i zgjidhet problemi, ajo thotë se nuk ka besim pa parë veprime konkrete, ndërsa thekson se nëse kjo gjë nuk zgjidhet, do vazhdojë të kërkojë sërish që t’i jepet zgjidhje.

“Të them të drejtën, për kokë të djalit të vetëm, nuk është se kam shpresë se do më zgjidhet problemi për kokë të djalit, sepse këta të gënjejnë, të keqen nëna. Megjtihatë pasdi kam biseduar me Ramën, erdhen dy djem, i thanë këtij që ka tokën: ‘A të futemi dot te toka jote të pastrojmë?’ Ai i tha: ‘Futuni’, por ata s’janë futur akoma me prentendimin që nuk lejohet të futesh te toka e dikujt tjetër,” – thotë 82-vjeçarja.

Katina thotë se këtë problem më parë ia kishte parashtruar kryetarit të bashkisë dhe për gati dy vjet e gjysmë nuk ishte marrë asnjë masë

“Unë kam vajtur  te kryetari, e takova dhe më krehu dorën kështu. Problemi kanalit të madh… Hedhin qen të ngordhur, mushkonjat të hanë se vijnë prej kanalit. S’kanë vënë një kazan të hedhin mbeturinat, mileti. Atë i thashë: ‘Vini një kazan se njerëzit janë të papërgjegjshëm. Shqiptarët i hedhin në kanal, po s’po vënë dorë.’ Unë e takova Ramën, po merakun s’e kam hequr akoma sa të pastrohet kanali. Merakun do ta çoj deri në fund. Nëse nuk vijnë këtu, më kanë atje nesër. Për kokë të djalit, që në mëngjes, në orën 8–9 jam atje, nëse nuk do vijnë,” – thotë 82-vjeçarja.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Ekskluzive| U përlesh me truprojat e Ramës, flet e moshuara: Pse kërkova ta takoj appeared first on Euronews Albania.

Rama në Vlorë: Nuk kemi tendencë t’i zëmë frymën bizneseve, trotuaret do të lirohen

7 July 2025 at 11:31

Gjatë vizitës së tij në qytetin e Vlorës, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një deklaratë për mediat rreth orës 11:00 në Pallatin e Kulturës. Në fjalën e tij, Rama theksoi se aksioni për lirimin e hapësirave publike, sidomos trotuareve të Lungomares, është një masë e domosdoshme për të harmonizuar interesat e bizneset dhe qytetarëve.

“Nuk ka asnjë tendencë për ti ngushtuar frymëmarrjen bizneseve por ka një domosdoshmëri për të harmonizuar plotësisht interesat e të dyja palëve me prioritet qytetarët që ecin në këmbë. Lungomarja e cila u bë motor i transformimit urban, por edhe të një transforimi të ekonomisë vendore, duhet të kalojë tani në një nivel tjetër të paraqitjes por edhe të shërbimit”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se Lungomarja tani duhet të kalojë në një fazë të re zhvillimi dhe e konsideroi të papranueshëm kjoskëzimin e trotuarit.

“Kjoskëzimi i trotuarit është i papranueshëm dhe pasi është çliruar plotësisht trotuari i dedikuar vetëm këmbësorëve, do tu jepet të gjithë njësive të shërbimit në Lungomare një dizajn i ri, shpresoj ta kemi gati në shtator-tetor, pasi kemi filluar ta punojmë me qëllimin për të harmonizuar nevojën dhe interesin e tyre për të pasur një shërbim të mjaftueshëm me nevojën e qytetit për të pasur një dukje sa më spektakolare”, shtoi kryeministri Rama.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Rama në Vlorë: Nuk kemi tendencë t’i zëmë frymën bizneseve, trotuaret do të lirohen appeared first on Euronews Albania.

Rama flet për shkarkimet në Vlorë: Të gjithë drejtorët do të jenë të rinj, aplikoni

By: fra nc
7 July 2025 at 11:31

Kryeministri Edi Rama ishte këtë të hënë në qytetin e Vlorës, ku inspektoi nga afër aksionin e nisur në qytet për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga bizneset.

Shefi i qeverisë mbajti dhe një deklaratë për media nga Vlora, ku foli mbi shkarkimet e drejtorëve të bashkisë Vlorë, por dhe të administratës qendrore në këtë qytet.

Rama përshëndeti dorëheqjen e drejtorëve dhe tha se, duke parë performancën e tyre të ulët, ata nuk do të mund të riciklohen si drejtorë në pozicione të tjera.

Kryeministri tha se të gjithë drejtorët në bashkinë e Vlorës dhe administratën qendrore të qytetit do të jenë të rinj.

Ai ftoi pedagogët e universitetit të Vlorës, por dhe të rinj të diplomuar që të konkurrojnë për t’iu bashkuar administratës, pasi procesi i përzgjedhjes do të jetë meritokratik.

“Secilit dhe secilës mund t’u jepen mundësi të reja në të ardhmen. Por ndërkohë dua t’i ftoj të gjithë burrat, gratë dhe vajzat profesioniste që të aplikojnë për të shërbyer në administratën e bashkisë së Vlorës, duke i siguruar që ne do të jemi shumë kërkues dhe shumë rigorozë në funksion të meritës.

Ata janë dorëhequr dhe i falënderoj e i përshëndes, dhe asnjë person që ka mbuluar pozicione drejtuese në bashkinë e Vlorës ose në qarkun e Vlorës nuk do të rimerret si drejtues në këtë fazë. Të gjithë drejtuesit do të jenë të rinj.

Kam një thirrje të veçantë për pedagogët e universitetit. Natyrisht që puna e tyre në universitet është shumë e vyer, por janë të mirëpritur të kontribuojnë më shumë për qytetin. Cilado dhe cilido prej tyre që do të dojë të afrohet në administratën e bashkisë apo në role drejtuese në administratën qendrore do të jetë i mirëseardhur. Vlerësimi pastaj do të bëhet sipas performancës së secilit në procesin përzgjedhës, i cili do të jetë një proces meritokratik.

Po ashtu, të gjithë ata që kanë studiuar në Vlorë, në Tiranë, apo jashtë vendit dhe që janë të dëshiruar të shërbejnë për administratën e bashkisë apo të shtetit, por që ndërkohë punojnë kamarierë apo punë të tjera, janë të mirëpritur të konkurrojnë,” tha Rama.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Rama flet për shkarkimet në Vlorë: Të gjithë drejtorët do të jenë të rinj, aplikoni appeared first on Euronews Albania.

Kryeministri Rama mbërrin në bashkinë e Vlorës, pritet me duartrokitje nga qytetarët

7 July 2025 at 09:30

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Vlorë, ku është pritur nga kryetari i bashkisë, gjithashtu nga Pirro Vengu, dhe ministri Bledi Çuçi. Teksa zbriste nga makina për të inspektuar procesin e nisur për lirimin e hapësirave publike në Lungomare, Rama u prit me duartrokitje nga qytetarët.

Në një koment të djeshëm, kryeministri theksoi se aktivitetet e bizneseve, sidomos lokaleve, kishin zaptuar trotuaret dhe i kishin bllokuar ato për këmbësorët. Pas ultimatumit 48-orësh të dhënë në rrjetet sociale, aksioni për heqjen e bizneseve që shfrytëzojnë paligjshëm hapësirat publike ka nisur në mesnatë.

Rama theksoi se ky aksion është i nevojshëm për të përmirësuar shërbimet dhe për të sjellë Lungomaren në përputhje me imazhin e “Shqipërisë Turistike”.

Ai e konsideroi Lungomaren si model për një qytet bregdetar modern dhe theksoi se duhet të shërbejë si shembull për dizajnin e vijës bregdetare.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Kryeministri Rama mbërrin në bashkinë e Vlorës, pritet me duartrokitje nga qytetarët appeared first on Euronews Albania.

❌