Normal view

Trazirat në stadium shkaktojnë dhjetëra viktima gjatë ndeshjes së futbollit

By: fra nc
2 December 2024 at 10:38

Një ngjarje tragjike ka ndodhur të dielën në qytetin Nzerekore, në Guinean juglindore, ku disa tifozë humbën jetën gjatë përleshjeje në një ndeshje futbolli. Incidenti ndodhi gjatë finales së një turneu të organizuar në nder të udhëheqësit ushtarak të Guinesë, Mamady Doumbouya.

Pamjet dhe videot e shpërndara në internet tregojnë skena të tmerrshme, ku viktimat shtrihen të pajetë në tokë. Në një nga videot, shihen mbi një duzinë trupash të pajetë, mes tyre edhe fëmijë. Disa pamje të tjera tregojnë tifozë që përpiqen të shpëtojnë duke u ngjitur mbi muret e stadiumit.

Qeveria në Guinea shprehu keqardhjen për incidentin e rëndë por nuk dha ende një numër të saktë për viktimat.

“Qeveria shpreh keqardhjen për incidentet që prishën ndeshjen e futbollit midis ekipeve Labe dhe Nzerekore këtë pasdite në Nzerekore. Gjatë rrëmujës, u regjistruan viktima,” deklaroi kryeministri Mamadou Oury Bah të dielën. Ai shtoi se autoritetet lokale janë duke punuar për të rivendosur rendin dhe për të hetuar rrethanat e ngjarjes.

Sipas raportimeve të mediave lokale, rrëmuja nisi pasi një sherr shpërtheu midis tifozëve, pas një vendimi të diskutueshëm të arbitrit. Tensionet u përshkallëzuan me shpejtësi, duke krijuar skena paniku në të gjithë stadiumin. Policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, por situata doli jashtë kontrollit.

Media lokale “Guinee Panorama” raportoi se dhuna në stadium ishte e papërmbajtshme, ndërsa shumë tifozë u përpoqën të shpëtojnë duke kaluar mbi barrierat e stadiumit.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Trazirat në stadium shkaktojnë dhjetëra viktima gjatë ndeshjes së futbollit appeared first on Euronews Albania.

PD letër donatorëve që monitojnë reformat: Mos merrni për ekspertizë Linda Ramën

By: fra nc
4 November 2024 at 11:49

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka nisur një letër të gjithë bordeve të donatorëve që bëjnë raporte monitorimi për Shqipërinë, me autore Linda Ramën.

Letra drejtuar UNDP, ILO, UNICEF, USAID etj vë në dukje se  “Znj. Rama sipas gjithë ligjeve shqiptare dhe ndërkombëtare, është gjendur përballë konfliktet të interesit sa herë që është kontraktuar nga ana juaj per të kryer matje , analiza apo vlerësime ekonomike apo sociale për Shqipërinë persa kohë që bashkëshorti i saj është Kryeministri i vendit”

Deputetët ngrejnë shqetësimin se “Kredibiliteti edhe paanshmëria e produkteve te sponsorizuara nga institucionet tuaja dëmtohet rëndë në kushtet kur një nga autoret është pikerisht  znj. Linda Rama e cila për shkak te interes të drejtpërdrejtë e ka te pamundur paanshmerinë. Gjithashtu pasurimi i Zj.Rama dhe për rrjedhojë familjes së saj kryeministrore, ndonëse në këtë rast nga fonde jo publike por për shkak të lidhjes me qeverinë të raportimeve është e papërputhshme edhe me Kushtetutën e Shqipërisë”.

Ekspertiza e Znj. Rama mund të përdoret në raporte për shtete të tjera, ku zonja nuk ka konflikt interesi, thekson grupi i PD.

Grupi Parlamentar pasi sqaron gjithë problematikat që vijnë nga ky fakt shprehet se: “Në këto kushte ne shprehim shqetësimin që të dhënat tuaja të deritanishme janë të kontaminuara nga njëanësia e autores znj.Linda Rama dhe kërkojmë eleminimin të çdo lloj influence  si autore apo nëpërmjet qendrave të krijuara prej saj ose me të ardhmen në projekte që lidhen me Shqipërinë”

Teksti i plotë i letrës:

Të nderuar

Duke vlerësuar maksimalisht institucionet tuaja prestigjioze të cilat e kanë ndihmuar edhe e ndihmojnë Shqipërinë në rrugën e zhvillimit dhe reformave duam të ndajmë me ju një shqetësim thelbësor që lidhet me paanshmërinë dhe impaktin real të projekteve tuaja nga te cilat rrjedhin qëndrimet tuaja mbi ecurinë e Shqipërisë.

Raportet tuaja të monitorimit për Shqipërinë kanë një nga autorët themelor znj. Linda Rama  ose qëndrën ku ajo është bashkëthemeluese “Human Development Promotion Centere”

Znj. Linda Rama, është bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama.  Ajo sipas protokollit shtetëror përfaqëson bashkë me të shoqin qeverinë shqiptare. Thënë këtë,  Znj. Rama sipas gjithë ligjeve shqiptare dhe ndërkombëtare, është gjendur përballë konfliktit të interesit sa herë që është kontraktuar nga ana juaj për të kryer matje , analiza apo vlerësime ekonomike apo sociale për Shqipërinë përsa kohë që bashkëshorti i saj është Kryeministri i vendit.

Shqipëria sot vuan nga mungesa e theksuar e të dhënave të besueshme edhe objektive. Ndaj cdo raport ndërkombëtar mbi ecurinë e zhvillimit ekonomik dhe social në Shqipëri, konsiderohet një burim i besueshëm informacioni që tejkalon propagandën edhe  mosbesimin e gjithë  palëve të tjera.

Po ashtu raportet e donatorëve furnizojnë me njohuri të  nevojshme edhe të domosdoshme  për ndërtimin edhe të politikave zhvillimore . Por duke u përgatitur direkt nga shtëpia kryeministrore kjo vë në rrezik gjithë besueshmërinë e raportimeve tuaja, duke dobësuar kështu besimin e publikut se ju jeni partnerë të barazlarguar nga palët politike.

Kredibiliteti edhe paanshmëria e produkteve të sponsorizuara nga institucionet tuaja dëmtohet rëndë në kushtet kur një nga autoret është pikërisht  znj. Linda Rama e cila për shkak të interesit të drejtpërdrejtë e ka te pamundur paanshmerinë. Gjithashtu pasurimi i zj.Rama dhe për rrjedhojë familjes së saj kryeministrore, ndonëse në këtë rast nga fonde jo publike por për shkak të lidhjes me qeverinë të raportimeve është e papërputhshme edhe me Kushtetutën e Shqipërisë.

Ne nuk gjykojmë kapacitet profesionale të zonjës Rama por gjykojmë se kriteret e saj të pavarësisë, edhe pranushmërisë janë të cënuara. Znj. Linda Rama mund të ketë ekspertizën dhe njohuritë e nevojshme për të qënë ekspertja juaj në çdo vend tjetër ku nuk ka konflikt të hapur interesi, e ku nuk do ti duhet të vleresojë apo gjykojë politikat e ndërmarra nga bashkëshorti edhe babi i djalit të saj i cili ka 12 vjet që qeveris.

Standardet tuaja etike për shmangien e konfliktit të interesit ku para marrjes së çdo projekti cilido ekspert duhet të kaloj kriteret e pranueshmërisë (eligible criteria), në këtë rast nuk janë plotësuar.

Në këto kushte ne shprehim shqetësimin që të dhënat tuaja të deritanishme janë të kontaminuara nga njëanësia e autores znj.Linda Rama dhe kërkojmë eleminimin e çdo lloj influence si autore apo nëpërmjet qendrave të krijuara prej saj ose me të ardhmen në projekte që lidhen me Shqipërinë.

Interesi ynë është bashkëpunimi me organizatat tuaja, edhe referimi si të dhëna të sakta të raportimeve tuaja. Ndaj pavarësia dhe largësia nga palët politike, do ishte qëndra e besimit mes nesh dhe jush.

Duke vlerësuar maksimalisht ndjeshmërinë tuaj ndaj paanshmërisë politike

Ju falenderojmë Deputetet e Grupit Parlamentar të PDSH

The post PD letër donatorëve që monitojnë reformat: Mos merrni për ekspertizë Linda Ramën appeared first on Euronews Albania.

“Lironi rrugën”- Digjen goma në mbikalimin e Shkozetit, Paloka i përgjigjet policisë

By: fra nc
29 October 2024 at 17:49

Protestuesit e opozitës nga qarku i Durrësit bllokuan këtë të martë autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit. Përveç bllokimit të rrugës, ata vendosën flakën disa gomave të hedhura mbi asfalt.

Në tubimin te mbikalimi i Shkozetit ishte i pranishëm edhe deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili iu përgjigj thirrjeve të policisë për të liruar rrugën. Paloka theksoi se Partia Demokratike ndodhet në rrugë për të ndryshuar realitetin e drejtimit të vendit dhe të policisë, e cila sipas tij është nën ndikimin e bandave.

“Policia e bandave, policia e kujt?! Policia që hyn në parlament dhe dhunon deputetët. Drejtori dhe ministri janë të zgjedhur nga bandat. Çfarë presim ne nga kjo polici? Policia që rrëmben ish-presidentin sikur të jetë terrorist. Nuk presim asgjë nga kjo polici, ndaj jemi në rrugë për të ndryshuar këtë realitet.

Nuk kemi marrë leje; thjesht është bërë një njoftim për bllokimin e rrugëve, nuk marrim leje kurrëkund. Sot hapi i radhës është bllokimi i rrugëve, për më vonë do të shohim,” tha Paloka.

Kujtojmë se mbështetësit e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë janë pozicionuar në 6 akse kryesore të vendit, duke paralizuar qarkullimin e automjeteve. Aktivitetet do të zhvillohen nga ora 17:00 deri në orën 20:00 në këto akse: “Tiranë–Durrës” pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës–Tiranë” pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot” pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë” te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier” te rrethrrotullimi i Rrogozhinës; dhe “Levan–Tepelenë” te rrethrrotullimi i Levanit.

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Lironi rrugën”- Digjen goma në mbikalimin e Shkozetit, Paloka i përgjigjet policisë appeared first on Euronews Albania.

Stuhia ‘Helene’ godet Floridan, raportohet për të paktën 20 viktima

27 September 2024 at 19:57

Është rritur numri i viktimave nga stuhia Helene që ka goditur Meksikën dhe Floridan në SHBA.

Sipas mediave të huaja, të cilat citojnë zyrtarët në Florida, bëhet me dije se momentalisht numërohen të paktën 20 viktima.

Sherifi i qarkut Pinellas, Bob Gualtieri, thotë se të paktën pesë persona kanë vdekur në zonë që nga mbrëmja e kaluar.

Anëtarë të ndihmës së parë punuan gjatë gjithë natës, por nuk ishin në gjendje t’u përgjigjeshin disa thirrjeve të Urgjencës për shkak të kushteve, raporton Reuters të ketë thënë Gualtieri.

Më herët, Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, raportoi dy vdekje në këtë shtet, por paralajmëroi se shifra mund të rritet.

Përditësimi i fundit e çon numrin e përgjithshëm të njerëzve të vrarë nga Stuhia Helene në të paktën 20.

The post Stuhia ‘Helene’ godet Floridan, raportohet për të paktën 20 viktima appeared first on Euronews Albania.

Fundoset anija me 33 emigrantë në brigjet e Greqisë, gjenden të vdekur 3 prej tyre

23 September 2024 at 13:44

Një varkë me të cilën udhëtonin 33 emigrantë është fundosur në brigjet e Greqisë.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat greke, sipas të cilave hetimet nën koordinimin e Qendrës së Bashkuar Koordinuese për Kërkim Shpëtim (EKSED) po kryhen në zonën detare të Agios Isidoros, në veriperëndim të Samos, me qëllim gjetjen dhe shpëtimin e të huajve që ndodheshin në bordin e varkës.

Sipas informacioneve, në bordin e anijes ndodheshin 33 persona. Deri më tani janë gjetur 5 persona, ndërsa tre janë nxjerrë pa shenja jete. Numri i personave të zhdukur është 25.

Në operacion janë përfshirë mjete dhe forca të ndryshme:

– Një mjet Patrullë L.S.-EL.AKT.

– Një mjet patrullues në det të hapur (PATH)

– Një mjet patrullues L.S.-EL.AKT.

– Mjete Private EOD Samos

– Mjet Patrullë LS-EL.AKT nga toka

Në të njëjtën kohë, një helikopter i Forcave Ajrore është ngritur për të ndihmuar në kërkimin nga ajri.

Përpjekjet e forcave të shpëtimit janë penguar nga kushtet e pafavorshme të motit që mbizotërojnë në zonë. Erërat e fuqishme nga veriperëndimi po vështirësojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Fundoset anija me 33 emigrantë në brigjet e Greqisë, gjenden të vdekur 3 prej tyre appeared first on Euronews Albania.

Sulmi izraelit vret katër fëmijë në Gaza, 10 të vdekur në total

23 September 2024 at 12:54

Mëngjesin e sotëm forcat izraelite kanë vrarë në 2 sulme të ndryshme të paktën 10 palestinezë në Gaza.

Sipas mediave të huaja, të cilat citojnë Reuters, mjekët bënë të ditur se një grua dhe katër fëmijë vdiqën në një sulm në një shtëpi në qytetin Deir Al-Balah.

Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm të ushtrisë izraelite për incidentin në fjalë.

Shtetasit e Gazës të zhvendosur që jetojnë në tenda po ashtu tani duhet të përballen me përmbytjet, veç mungesës së ushqimit dhe ilaçeve – pasi kanë ardhur shirat e parë të sezonit të ftohtë.

Kujtojmë se ditët e fundit, ashtu si edhe këtë mëngjes, ka pasur shumë fokus në bombardimet e Izraelit ndaj Libanit, ndërsa Tel Avivi kërkon të zhdukë objektivat e Hezbollahut, megjithëse civilët janë paralajmëruar se ata mund të jenë gjithashtu në rrezik.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Sulmi izraelit vret katër fëmijë në Gaza, 10 të vdekur në total appeared first on Euronews Albania.

❌