Normal view

Zjarri në Pyllin e Sodës në Vlorë merr përmasa të rrezikshme - thirrje qytetarëve të shmangin zonën

26 July 2026 at 17:35


Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e së dielës në Pyllin e Sodës në Vlorë, duke krijuar një re të dendur tymi që ka mbuluar një pjesë të mirë të qytetit.

Vatra e zjarrit ka rënë brenda pyllit me pisha, pranë vijës hekurudhore në zonën e Zvërnecit, ndërsa tymi është i dukshëm nga disa lagje të Vlorës.

Banorët dhe pushuesit në qytetin e Vlorës në ndihmë të zjarrfikësve për të izoluar flakët dhe për t’i shuar ato. Flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, duke detyruar forcat zjarrfikëse të vendosin në dispozicion të gjithë personelin për izolimin e vatrës.

Zjarri ka marrë përmasa të konsiderueshme dhe rrezikon të përfshijë një sipërfaqe të madhe me pyje dhe bimësi, ndërsa ekziston rreziku që flakët t’u afrohen edhe bizneseve dhe ambienteve të tjera pranë zonës.

Në terren ndodhen shërbimet zjarrfikëse, të mbështetura nga strukturat e tjera të emergjencës, të cilat po punojnë për të vënë nën kontroll situatën dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet pranë zonës së prekur dhe të respektojnë udhëzimet e forcave në terren, ndërsa operacioni për shuarjen e flakëve vijon.

Siç edhe më herët korrespondneti i Top Channel Mikel Marsi raportoi, menjëherë pas sinjalizimit, drejt zonës janë nisur forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Sipas të dhënave paraprake, situata paraqitet e vështirë për shkak të përhapjes së zjarrit në një zonë me bimësi të dendur dhe erës që favorizon avancimin e flakëve.

Burime nga shërbimi zjarrfikës bëjnë me dije se aktualisht ne Vlorë janë aktive pesë vatra zjarri njëkohësisht, çka ka vështirësuar ndarjen e forcave në terren. Përveç zjarrit në Pyllin e Sodës, ndërhyrje po kryhen edhe në Dukat, pranë tunelit të Llogarasë, në zonën e Parkut të Mallrave dhe në Triport.

- YouTube www.youtube.com

Dallgë të mëdha dhe erë e fortë në Vlorë, ngrihet flamuri i kuq në plazhe

26 July 2026 at 17:30


Era e fortë dhe dallgët e mëdha kanë përfshirë mesditën e kësaj të diele plazhet e Vlorës, duke detyruar qindra pushues që kishin zgjedhur bregdetin e qytetit të largohen nga uji për të shmangur rrezikun.

Për shkak të përkeqësimit të kushteve në det, rojet e stacioneve të plazheve kanë ngritur flamurin e kuq, duke ndaluar hyrjen e pushuesve në ujë.

Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe turistëve të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e rojeve bregdetare, pasi dallgët e fuqishme dhe rrymat detare paraqesin rrezik serioz për jetën.

Autoritetet apelojnë që të shmangen noti dhe aktivitetet në det deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.

Pas fillimit të largimit të pushuesve, janë krijuar radhë kilometrike automjetesh nga Zvërneci në drejtim të qytetit të Vlorës./Euroneews Albania

Furgoni me punëtorë del nga rruga në Vlorë - humb jetën 52-vjeçari, katër të tjerë të lënduar

26 July 2026 at 10:09


Një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur në një aksident të rëndë, të regjistruar rreth orës 06:10 të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Dukat–Orikum, në zonën e Fushë-Dukatit.

Sipas të dhënave paraprake, një furgon që transportonte punëtorë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor. Dyshohet se punëtorët ishin nisur nga Tirana drejt bregdetit.

Sicc raporton korrespondenti i Top Channel në Vlorë, Mikel Marsi, shkak i aksidentit mund të ketë qenë përgjumja e drejtuesit të mjetit ose një arrest kardiak. Rrethanat e plota pritet të sqarohen nga hetimet.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën Ilir Haka, 52 vjeç. Të plagosur kanë mbetur Saimir Haka, 22 vjeç, Qazim Haka, 44 vjeç, Sako Rexha, rreth 22 vjeç, si dhe një tjetër person, ende i paidentifikuar.

Për shkak të deformimit të mjetit, u desh ndërhyrja e zjarrfikësve, të cilët prenë pjesë të sediljeve për të nxjerrë të plagosurit, të cilët kishin mbetur të bllokuar mes llamarinave dhe hekurave të furgonit, që kishte përfunduar pjesërisht i përmbysur në kanal.

Të plagosurit u transportuan me autoambulanca drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa trupi i viktimës u dërgua në morgun e spitalit.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. /TCH/

❌