Normal view

Arrestohen disa protestues në Prishtinë

1 May 2026 at 13:15


Asambleja Anti-Kapitaliste me rastin e 1 Majit organizoi një protestë nën sloganin “Vota jote injorohet, vota s’mundet”.

Mirëpo në kuadër të kësaj proteste disa persona u arrestuan nga Policia afër Kuvendit të Kosovës.

Në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Prishtinën, Enis Pllana konfirmoi arrestimin e disa personave me arsyetimin se kanë refuzuar urdhërat e zyrtarëve policorë.

“Disa persona kanë refuzuar urdhërat e zyrtarëve policor dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion për identifikim”, ka thënë shkurt Pllana. /Telegrafi/

“239 euro nuk mjaftojnë për jetë”, punëtorët e sektorit privat kërkojnë të drejta dhe barazi

1 May 2026 at 12:57


Dhjetëra punëtorë të sektorit privat protestuan me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, duke ngritur shqetësimet për kushtet e rënda të punës, pagat e ulëta dhe mungesën e zbatimit të ligjeve në fuqi.

Protesta e organizuar në kryeqytet nga Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat, nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Federatës, Jusuf Azemi, theksoi se është e padrejtë se sektori privat nuk e ka marrë pagën e 13-të.

“Ne sot po marrim pagë 239 euro...10:43.. Këta njerëz të cilët vërtet gjakun tonë po na e marrin me pambuk dalëngadalë.... 10:55...Sektori publik mori pagën e 13-të, u gëzuam shumë sepse menduam që edhe ne do t'i marrim. Është një padrejtësi të cilën vetëm punëtorët e sektorit privat të Kosovës mund ta mbajnë mbi shpatullat e veta. Përderisa kryeministri ynë, kryeparlamentari dhe gjithë të tjerët brenda një muaj dite në buxhetin e tyre u rrit për 6000 euro, neve të nderuar edhe sot po marrim 239 euro. Kjo gjithçka mund të jetë, vetëm nuk është liri dhe nuk mund të jetë barazi, por edhe nuk mund të jenë ato fjalë që na i thonë para zgjedhjeve”, tha ai.

Azemi kritikoi edhe vendimmarrjen e institucioneve, duke theksuar mbështetjen e vetëm një deputeti të Kuvendit të Kosovës, Besnik Tahirit, kishte ngritur zërin se rroga e 13-të i takon edhe sektorit privat.

“Paramendojeni që nga 120 deputetë të Parlamentit të Kosovës, i vetmi një person Besnik Tahiri luftoi me çdo forcë, çdo fuqi që edhe ne ta kemi pagën e 13-të sepse ne jemi trefish më shumë sesa punëtorët e sektorit publik. Ne trefish e mbushim buxhetin e sektorit publik, sektorit të shtetit dhe ne dëmtohemi, ne na kanë prurë në një pozicion për ta shtrirë dorën”, tha ai

Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për sigurinë në punë dhe mungesën e mbikëqyrjes së ligjeve. Azemi theksoi se pagat që po vonohen me muaj të tërë dhe që askush nuk po mban përgjegjësi, po shtyn se të rinjtë të largohen edhe nga vendi.

“Ne nuk trajtohemi si njerëz. Por megjithatë, mos harroni, keni me e pagu këtë faturë edhe po e paguani, sepse rininë e qitët jashtë. Është shumë normale, nuk ka diçka që kam improvizuar...17:01..Therrasim t'i thirrni vetëdijes sepse njerëzit, punëtorët shohin. Kam bindje që të gjithë kemi me dhanë llogari, edhe unë si kryetar sindikate, po edhe këta njerëz që i kemi brenda. Prandaj, është koha e fundit që t'i kthehemi realitetit", tha ai.

Ndërkaq një përfaqësues e punëtorëve të sektorit privat, Raba Dushi, theksoi lodhjen dhe zhgënjimin e punëtorëve të këtij sektori duke thënë se secili nga ata të paktën një herë është përballur me padrejtësi dhe se nuk zbatohen të drejtat që iu takojnë.

“Çdo ditë dëgjojmë raste të vdekjeve. Askush nga institucionet nuk po vepron…. 02” 50…Ju e dini, me pagat që kemi, mezi ia dalim nga muaji në muaj. Shpenzimet po rriten çdo ditë, gjërat esenciale vështirë po përmbushen. Shumica e trajtimeve mjekësore kërkojnë orientim privat, që për ne është sfidë financiare dhe mezi i mbulojmë. Çmimet e ushqimeve janë çdoherë në rritje e pagat tona nuk lëvizin… 03:52… Qeveri, mos na humbni shpresën për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Të paktën që fëmijët tanë mos t’i motivoni ata të largohen duke ndërtuar mbi punëtorin e shtypur. Ligjet që nuk zbatohen nuk vlejnë. O drejtësi, o s’ka qetësi”

Një përfaqësueses tjetër e punëtorëve, Afërdita Hoxha, gjatë protestës deklaroi se kërkesat e tyre nuk lidhen me luksin, por me sigurimin e të drejtave themelore dhe dinjitetit në punë.

Duke ngritur shqetësimin për mungesën e mbrojtjes ligjore, ajo shtoi se punëtorët vazhdojnë të përballen me pasiguri dhe trajtim të pabarabartë

“Jemi lodhur duke u nënvlerësuar, jemi lodhur duke mos u dëgjuar. Zëri ynë është zëri i mijëra punëtorëve që çdo ditë e mbajnë këtë vend në këmbë, por që nuk trajtohen siç e meritojnë… 05:04..Unë sot nuk flas në emrin tim, por në emër të çdo nëne që punon e nuk i del paga deri në fund të muajit; në emër të çdo të riu që mendon të largohet nga vendi sepse nuk sheh të ardhme këtu… 05:33…Pse mbesim në këtë gjendje duke u shkelmuar herë nga një pronar kompanie e herë nga tjetri? A ka ligje për ne punëtorët publiko-privatë që na bartin si valët e detit nga një kënd në tjetrin? Pse këta punëtorë nuk e kanë të definuar statusin e tyre? Ne e dimë këtë, sepse edhe në varfërinë tonë po jetoni ju pushtetarë jetën e luksit. Derisa juve ju shkon koha e pushtetit duke ndërruar avionët nga një skaj në tjetrin të botës, ne punëtorët po shqetësohemi po na u sëmur ndonjë familjar e nuk e dimë si ta mjekojmë”, tha ajo

Ajo u bëri thirrje institucioneve që të reflektojnë dhe të veprojnë në interes të qytetarëve duke e kritikuar që si të zgjedhur të populllit, sipas saj i kanë lënë jashtë ligjit, të marrin pagën 239 euro.

“Deputetë të Parlamentit të Kosovës dhe Qeveri: a ju vjen turp kur dilni para fushatave zgjedhore nëpër kompani private dhe deklaroni se do të luftoni me mish e me shpirt për punëtorët e sektorit privat, ndërsa në fakt luftoni për vete? Morët pagën e 13-të dhe nuk ju dëgjohet zëri se ka diku në skaj të Kosovës një i varfër që s'mund të nget bukë”, theksoi ajo.

Protestuesit përsëritën kërkesat e tyre, të cilat sipas tyre kanë mbetur të pandryshuara që nga viti i kaluar. Ata kërkojnë rritjen e pagës minimale në 600 euro, zbatimin e plotë të ligjeve ekzistuese, nënshkrimin e marrëveshjes kolektive, sigurime shëndetësore funksionale dhe trajtim të barabartë me sektorin publik.

Gjithashtu, u kërkua krijimi i një fondi për punëtorët që humbin jetën ose lëndohen në vendin e punës, pagesa e stazhit dhe themelimi i një Gjykate të Punës. /Kp/

“Jemi lodhë, Parlament – Qeveri të kujt jeni?”, nis protesta e punëtorëve të sektorit privat

1 May 2026 at 11:07


Me pankarta në duar, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka nisur protesta për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, e organizuar nga Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat.

Në pankartat e protestuesve janë të vendosura mbishkrimet, “Mos na shkelni, mjaft pritëm”, “Për pesë vite në punë vdiqën 97 punëtorë”, “Jemi lodh, parlament-qeveri të kujt jeni?”, e të tjera.


Ndërkaq, protesta do të vazhdojë deri në hapësirën ndërmjet objektit të ish-Gërmisë dhe ndërtesës së Qeverisë. /Telegrafi/


Anulohet protesta e bizneseve të vogla për 1 Maj, ja arsyeja

1 May 2026 at 10:41


Me thirrjen simbolike “Të mëdhenjtë pasurohen, të vegjlit mbijetojnë”, ishte paraparë të mbahej një protestë për 1 Maj – Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, por dështoi për shkak se nuk kishin njoftuar policinë.

Protesta e organizuar nga shoqata e bizneseve të vogla, ishte paraparë të mbahej para Komunës së Prishtinës dhe para Zyrës së BE-së.

Kryetari i Shoqatës së Bizneseve të Vogla, Sadudin Hasani, bëri të ditur se protesta është anuluar për shkak të mosrespektimit të afateve ligjore për organizimin e saj, por theksoi se kërkesat dhe shqetësimet e tyre mbeten të njëjta.

“Ne për sot kemi thirrë protestë të Shoqatës së Bizneseve të Vogla, për të protestuar për të drejtat e punëtorëve, për kushte më të mira, me rastin e festës së 1 Majit. Mirëpo, për arsye se nuk i kemi përmbajtur afateve sipas ligjit që përcaktohen për thirrje të protestës, na është dashur ta anulojmë protestën, por megjithatë do të japim një deklaratë për mediat”, deklaroi Hasani.

Ai u shpreh se shqetësimet kryesore lidhen me shkeljen e të drejtave të punëtorëve në bizneset e vogla, përfshirë mungesën e respektimit të pagës minimale dhe kushteve të punës.

“Në këtë rast, kërkojmë nga institucionet që t’i respektojnë të drejtat e punëtorëve të bizneseve të vogla, sepse ka shumë punëtorë që iu shkelen të drejtat, dhe nuk respektohet as paga minimale e as kushtet e punës”, tha ai.

Hasani po ashtu inkurajoi punëtorët që përballen me parregullsi në vendet e tyre të punës që të reagojnë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre, duke theksuar rëndësinë e dinjitetit në punë.

“Për punëtorët të cilët shohin parregullsi në punë, i inkurajojmë ata që të ngrisin zërin për të drejtat e tyre, dhe kështu që të punojnë punën ku ata bëjnë, ta kryejnë me dinjitet, të kenë dinjitet për punën që bëjnë”, u shpreh Hasani.

Në mesazhin e tij për 1 Majin, ai theksoi se institucionet duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe të mos sillen si pronarë të vendeve të punës, ndërsa ngriti edhe çështjen e trajtimit të pabarabartë të bizneseve të vogla krahasuar me ato të mëdha.

“Mesazhi ynë është që institucionet dhe përfaqësuesit institucionalë janë në shërbim të qytetarëve, dhe ata të sillen në këtë raport me qytetarët jo si pronarë të vendeve të punës ku punojnë, por të sillen si shërbyes ndaj qytetarëve. Gjithashtu, sa i përket të drejtave të bizneseve të vogla, bizneset e vogla kanë të drejtë të shfrytëzojnë hapësirën, ashtu ku nuk shkelen rregullat, njëjtë sikurse bizneset e mëdha. Bizneset e vogla mund të kenë 100 metra katrorë ose 30 metra katrorë, ndërsa kemi biznese që shfrytëzojnë me mijëra metra katrorë dhe ata nuk kanë pengesa ashtu siç kemi ne”, deklaroi ai.

Përveç kësaj, Hasani bëri të ditur se gjatë ditës ishte planifikuar të realizohej edhe një aksion simbolik pranë zyrës së Bashkimit Evropian, për të tërhequr vëmendjen mbi, siç tha, mungesën e zbatimit të standardeve demokratike në rastet kur shkelen të drejtat e punëtorëve.

“Ne kemi pasur sot edhe një aksion simbolik te zyra e BE-së, për t’ua bërë me dije atyre se kanë shfrytëzuar shumë mjete financiare për demokratizimin e institucioneve në Kosovë, mirëpo ne po shohim që aty ku po shkelen të drejtat, nuk mund të ketë demokraci”, tha Hasani.

Shoqata e Bizneseve të Vogla ka paralajmëruar se do të vazhdojë të ngrejë zërin për të drejtat e punëtorëve dhe për trajtim më të barabartë të bizneseve të vogla në raport me ato të mëdha. /KP/

​Tri protesta të paralajmëruara për Ditën e Punës

1 May 2026 at 08:08


Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës në Prishtinë janë paralajmëruar tri protesta nga organizata të ndryshme, të cilat do të zhvillohen në orare dhe lokacione të ndryshme gjatë ditës.

Sipas njoftimeve zyrtare, protestën e parë do ta mbajnë përfaqësuesit e bizneseve të vogla me moton “Mjaft më me diskriminim!”, duke nisur nga ora 09:00 para Komunës së Prishtinës dhe më pas duke vazhduar drejt zyrës së Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, nga ora 10:00, Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat organizon protestë në sheshin Sheshi "Zahir Pajaziti", në kuadër të shënimit të kësaj dite.

Po ashtu, asambleja Anti-Kapitaliste ka paralajmëruar protestën e saj nga ora 12:00, me sloganin “Vota jote injorohet, vota s’mundet”, po në të njëjtin shesh në Prishtinë.

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

1 Maji është një festë e themeluar në kujtim të martirizimit në sheshin “Haymarket” dhe për të përkujtuar dhe festuar Ditën e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punëtorëve. /Kp/

❌